Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

PËRSËRIT E HARRO


“Those who don’t study history are doomed to repeat it. Yet those who do study history
are doomed to stand by helplessly while everyone else repeats it”
një karikaturë e Tom Toro

Portretin e Gjergj Kastriotit që ndodhet mbi hyrjen e hotelit Palazzo Scanderbeg në një rrugicë të Romës përkrah një shkrimi në latinisht që kujton vizitën e tij në 1466, e kam vështruar, nëpërmjet kompjuterit, shumë më shumë herë se ç’dua ta pranoj.

Bazuar në fotot që mund të gjej, vetëm falë kujtesës kam parasysh deri edhe dëmtimet gjatë shekujve, ndër to edhe një shenjë e bardhë që rrjedh paralel me konturin e fytyrës se Kastriotit si kufijtë tektonikë që ndjekin formën e brigjeve kontinentale. Në foto të tjera duket sikur ai turfullon, me dëmtimet e kohës që i krijojnë një tym te hirtë përreth figurës.

Zbulimi në fillim më ngjallte kureshtje prej faktit që daton me gjasë nga 1466, gjë që e bën shumë më interesante pikturën në krahasim me rikonfigurimet e kulturave të ndryshme sipas stilit të tyre në vitet, dekadat e qindvjeçarët që erdhën pas vdekjes së tij.

Por me kalimin e kohës, në çdo tentativë për të krijuar në mendje imazhin ballor të fytyrës duke plotësuar gjysmën e dytë që mungon, fillonte e më mundonte diçka ndërkohë që pasuroja çdo vizitë virtuale të pikturës me kontekst nga Skënderbeu: Një histori politike e Aurel Plasarit.

Pas çdo leximi e “vizite”, gjysmë-portreti afrohej më shumë me Rozafën e vuajtur, sesa me stoicizmin e një figure historike.

Me mundonte neutraliteti i shprehjes së fytyrës me syrin e vetullën disi të fjetur dhe më mundonte sidomos goja që rri e ngrirë sikur nuk është hapur as për të qarë në 1405, sepse në fakt në 1466, gjatë vizitës që zgjati nga dhjetori i atij viti e deri në shkurt te vitit tjetër, me siguri duhet të ketë qenë e gatshme të sillte argumentin e radhës: ndonjëhere e hapur për të shqiptuar zanore, si për fjalën “Albaniae” për të treguar si atje duhet ndihmë përballë Mehmetit II; në raste të tjera duhet të jetë fryrë si granatë me unazën e hequr për të shqiptuar ndonjë fjalë me bashkëtingëllore në krye si “Ballaban”, emrin i komandantit që në rrethimin e Krujës shkonte me rënien e Kostandinopojës në resume.

Të paktën autori, që nuk kam qenë i aftë ta identifikoj nëpërmjet internetit, buzët duhet t’i kishte tkurrur për të fshehur dhëmbët që shtrëngoheshin nga ankthi i përgjigjeve zhgënjyese të kardinalëve te Venedikut, të cilët thonin se ndihma për luftën kundër Mehmetit II nuk mund të vinin më.

E them këtë të fundit si gjysmë-shaka: me shumë mundësi, artisti i pikturës thjesht ka bërë detyrën duke krijuar një portret që i afrohet tipareve të subjektit — në këtë rast Kastrioti — si fakte të thata të zhveshura prej shtrembërimeve të një mimike që mund të reflektonte situatën zhgënjyese per Kastriotin në 1466.

E kështu vazhdoj e pyes veten sa herë e rishoh atë pikturë mbi hyrjen e hotelit Palazzo Scanderbeg, ku hoteli reklamon darka luksoze dhe seanca joga në tarracë: ç’pamje kishte ato ditë Kastrioti në fakt?

Mendoj se reagimi i tij duhet të ketë qenë diçka e afërt me reagimet e Zelensky-t gjatë vizitës se tij në Shtëpinë e Bardhë në shkurt te këtij viti. Ndoshta Kastrioti ka patur shfryrje si ato që presidenti ukrainas lëshonte midis tentativave për të folur, por që priteshin shkurt prej “bashkëfolësve” të cilët i thonin “you’re not in a very good position” por edhe i kërkonin “thank you”-t për ndihmat e dhëna deri atëherë. Ndoshta ka patur në fytyrën e Kastriotit dhe çerek buzëqeshje që janë ndalur rrugës si ajo e Zelenskyy-t nga shaka sfumuese të tipit “This is going to be great television.”

Ndoshta ndër to ka qenë dhe kërkimi me sy për një ndërhyrje hyjnore, si ajo e Zelensky-t që kacavirrej në tavanin e Zyrës Ovale për të gjetur një rrugëzgjidhje. Në fund, tërhiqte hundët nga inati dhe dëshpërimi.

Rezultati i pritshëm që Zelensky, pas zgjedhjeve të nëntorit, kërkonte ta parandalonte, ndodhi gjithsesi; pasi atë të premte iu tha “We gave you, through [our] stupid president, $350 billion,” të hënën ShBA-ja ndaloi ndihmat përfundimisht për Ukrainën.

Ashtu si presidenti ukrainas, braktisja nga Papati ishte rezultati që Kastrioti priste, por që synonte ta parandalonte. Jo rrallëherë në kokë duhet t’i kenë kaluar të njëpasnjëshme ndryshimet dramatike që e sollën situatën në 1466 të ishte aq delikate.

Vdekja e Piut II në 1464, me të cilit Kastrioti kish pasur tjetër marrëdhënie, i pat sjellë “aq dhembje dhe aq tronditje sa desh vdiq prej dhembjes së madhe (Franku),” pjesërisht pasi Piu II i ishte dedikuar vizionit të një lufte të vazhdueshme kundër Perandorisë Osmane, duke paraparë atje edhe një kryqëzatë me Kastriotin në krye, por që nuk u realizua dot kurrë.

Konklava që mblidhej në 1464 për të zgjedhur papën e ri, sillte Pietro Barbosin në skenë, me arsye politike të influencuara prej një klime politike që kërkonte një papë pragmatik, ku jo vetëm “interesat ekonomikë të ishin shumë më funksionalë se ata ‘fetarë,’ (Plasari)”.

Për t’u puqur me kërkesat e perëndimit, zgjodhën Barbosin papë, një tregtar “i talentuar…por aspak për studime humaniste, i njohur si ‘papë pa latinishte’…me probleme të mëdha me leximet, i dhënë mbas luksit e lavdidashjes.”

Një papë që “aq i mbushur ishte me veten, sa në krye zgjodhi të quhej me emrin papnor Formoso, d.m.th. Bukuroshi,” por që “e ndaluan kardinalët dhe pranoi pahiri të quhej Pali II,” siç vë re Plasari.

Dy vjet më vonë, mungesa e ndihmave prej muskujve politikë përtej Adriatikut detyruan Kastriotin ta lëshonte Krujën në vjeshtën e 1466-ës.

Pa rrugëdalje, Kastrioti ia dorëzoi Krujën venedikasve, të cilët e shihnin si “më turk se turqit,” dhe që ia kishin motivuar situatën për këtë qëllim, siç thotë Plasari, që ta merrnin Krujën prej tij duke ia dhënë “veçse pak-nga-pak” ndihmat që i duheshin për t’u bërë ballë osmanëve derisa ta lëshonte vetë.

E kështu vijmë te vizita në Romë në 1466, ku arriti “si njeri i varfër”, siç kanë thënë zyrtarët e pranishëm. Kastrioti largohet po ashtu në 14 shkurt të 1467, pasi ia kishin refuzuar ndihmat.

“I dëshpëruar e shpresëhumbur” Kastrioti “kupton që po vihej në lojë”, shkruan Plasari.

Madje kur tenton të largohet nga bujtina, po ajo ndërtesë ku tani varet piktura e 1466 në sheshin Piazza Scanderbeg e që e përdor vizitën diplomatike si reklamë për hotelin, ai u grind me bujtinarin, sepse nuk kishte para të paguante ndenjjen e disa muajve.

Pagesa u krye me ndihma nga Mbretëria e Napolit (gjithnjë mbështetëse e Kastriotit) dhe nga Pali II, që çuditërisht, nuk dinte se i kishte ndodhur kjo gjë mikut të ardhur prej përtej Adriatikut…

Me një frustrim që të kujton shpërthimin e László Tóth “They don’t want us here”, më duken shumë të ngjashme të dyja situatat të Kastriotit dhe Zelensky-t. Këtij të dytit vazhdon t’i kërkohet dorëzimi, në një takim që në fillim u ftua miqësisht, por prej të cilit në fund ai u “qërua”.

Siç duket, historia tanimë ka nevojë për një pragmatik, “i talentuar për tregti, por aspak për studime humaniste…i dhënë mbas luksit e lavdidashjes.”

Një Formoso.

Një Formoso që një ditë mund të kuptojë se ç’humbet me rënien e qëndresës ukrainase, ashtu si Pali II kujtohet në 1468, pasi Kastrioti kishte vdekur, t’u bëjë thirrje bashkimi princërve të krishterë në një kryqëzatë kur pa se osmanët e kishin tani të lirë rrugën drejt Italisë.

Por që “për Arbërinë e Kastriotit të vdekur, kjo…do të ishte tej mase e vonuar,” siç shkruan Plasari, ashtu si në një kohë të dytë për Europën, përpjekje për të ringritur dominotë e rëna në Europën Lindore mund të jenë tepër të vonuara për të rikujtuar se ç’ruhej me NATO-n, që Formoso tashmë kërkon dhe kërcënon ta braktisë.

Në një të ardhme të largët kujtesa historike mund edhe të reformohet për të rrumbullakosur Zelensky-n dhe bashkëbiseduesit e tij në mënyrë që harku historik të lakohet ashtu si mund t’ia ketë nevojën koha.

Ose fundja, pesha e së cilës thjesht të bjerë në harresë, pak a shumë ashtu si pas 559 viteve Skënderbeut vazhdon t’i qëndrojë portreti mbi derën e bujtinës në Romë, pa shprehi dhe e rrethuar nga të vërteta të thjeshtëzuara.

Por dhe pas një gjysmë-mijëvjeçari, më pëlqen të mendoj se Kastrioti vazhdon t’u kërkojë kalimtarëve të rastësishëm që bëjnë selfie me portretin e tij në sfond, të dërgojnë fjalë në Vatikan për t’i dhënë ndihma Arbërisë.

Sigurisht, ai mbetet në konturet e diktuara nga autori. Argumentet i priten shkurt, linja e shikimit dërgohet në drejtim tjetër nga ku duan të shkojnë dhe buzët urdhërohen të mos pipëtijnë, ndoshta përgjithmonë.

Ky shkrim u realizua me muzikën e Daniel Blumberg nga filmi The Brutalisht në sfond

 

(c) 2025 Toni Çaushi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Në gjithë debatet rreth luftës në Ukrainë, gjithçka që kam dëgjuar si argument që Rusia ia ka vënë syrin Evropës, janë vetëm analogjira, me Hitlerin, orkët e Tolkien-it, mbase mongolët dhe, si këtu, me turqit. Nuk kam hasur absolutisht asnjë shpjegim racional se pse lufta për pushtime territoriale në Evropë është një synim, aktual ose i mundshëm, për Rusinë me territore pa fund, të pasura me të gjitha burimet, por me një popullsi të vogël në raport me atë territor. Ftoj autorin e shkrimit dhe këdo qoftë, për hir të Zotit, të ofrojë një argument të kësaj natyre, sado të vogël, të largët a të vetmuar.

    PS, për të zotin e shtëpisë: Në ndërfaqen e re mungon një mënyrë për ndjekjen e komenteve, që do të ishte shumë e ndorshme. Gjithë të mirat.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin