Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teori letrare

MBI RIMËN E POEZISË (SHQIPE) (i)

Kur isha i vogël, poezinë ma shpjegonin: “Poezia është ajo gjë me rimë…”. Nuk e kuptoja fjalën, por, tekefundit, me “vesh” ia kapje domethënien. Ama ne e dimë që poezia nuk ka qenë gjithmonë e tillë dhe, me gjasë, nuk do të jetë. Sot, çdokush që fillon të shkruajë vargje i bën pyetjen vetes: “Ç’të bëj me rimën? Ta përdor apo ta injoroj?” Gjatë Rilindjes Kombëtare, kur poezia shqipe mori zhvillim të paparë, kjo pyetje as që shtrohej. Ka pra ndaj rimës, ndër ne të sotmit, një qëndrim më turithartuar. Ennio Flaiano, që ishte mjeshtër i aforizmave sa ironike, aq edhe që të bëjnë hi e pluhur, shprehej: “A vent’anni si tenta la poesia, a cinquanta si pensa che bisognava insistere”. I kam kaluar me kohë të pesëdhjetat, ndaj do të këmbëngul, fort bile. Nga pozita e atij, dhe me shpirtin e lehtësuar të atij, që nuk ka studiuar letërsi.

Poezia klasike qe pa rimë. Nëse ndonjë rimë del gjëkundi (ndodh ndonjëherë te Virgjili, Horaci…) është ose rastësore ose e përdorur si lojë fjalësh. Vargjet klasikë ishin sasiorë: bazoheshin te gjatësia apo shkurtësia e zanoreve, te kohëzgjatja, pra, jo te theksi, që është çështje intensiteti – kumbimi të lartë ose të ulët. Dhe në fakt, po të merrni ndër duar fjalorët e greqishtes së vjetër e të latinishtes do ta shihni që mbi çdo fjalë shënohet me diakritikë gjatësia apo shkurtësia përkatëse e zanoreve. Për shembull, te faqja 1119 e fjalorit tim të latinishtes Castiglioni & Mariotti (fjalori është i fëmijëve, por tashmë e kam uzurpuar) kemi fjalën – e zgjodha enkas –: prŏsōdĭa = tërësia e elementeve gjuhësore e ritmike (gjatësia dhe shkurtësia e zanoreve, theksi, rima, ritmi, ngritja e ulja e tonit etj.), sipas të cilave ndërtohet një sistem i caktuar vjershërimi; metrikë. “O”-ja e parë dhe “i”-ja janë të shkurtra; “o”-ja e dytë e gjatë.

Njësia matëse e vargut, pastaj, nuk ishte rrokja, por mŏra, që latinisht do të thotë: “vonesë, ngurrim, mëdyshje”. Kuptojmë më mirë termin grek përkatës: χρόνος: kohë. Kombinimi i morave jep “këmbën” (troke, jamb, daktil, etj.) që, nga ana e tyre, të kombinuara larmishëm japin tipin e vargut (hekzametër, pentametër…). Sipas konvencioneve të kohës, një rrokje e shkurtër = një morë; një e gjatë = dy mora. Gjithashtu, diftongu llogaritej gjithmonë i gjatë, por edhe një zanore e shkurtër kur ndiqej nga dy apo më shumë bashkëtingëllore, qoftë edhe sikur njëra të ishte në fillimin e fjalës pasardhëse ose kur zanorja e shkurtër ndiqej nga një bashkëtingëllore e dyfishtë. Etj., etj.: shumë rregulla, shumë përjashtime. Kështu, numri i rrokjeve në një varg klasik nuk ishte kurrë fiks. Një hekzametër për shembull, siç e përmend edhe Arshi Pipa te “Lyrika latine”, mund të shkojë nga dymbëdhjetë deri në shtatëmbëdhjetë rrokje.

Mirëpo ndodhi që me kalimin e shekujve, në Antikitetin e Vonë, saje ndryshimeve shoqërore, rritjes së numrit dhe larmisë etnike të përdoruesve, si greqishtja e vjetër, si latinishtja e humbën dallimin fonologjik midis zanoreve të gjata dhe të shkurtra, duke u zhvilluar në drejtim të intensitetit të shqiptimit të këtyre zanoreve (theksi), kështu që të zbatuarit e metrikës klasike bëhej gjithnjë e më i vështirë duke i lënë vend, dalëngadalë, në greqishten bizantine, në latinishten mesjetare dhe në gjuhët neolatine që po zhvilloheshin hajthshëm, një metrike të re, bazuar te thekset në pozicione të caktuara të vargut (që ndërkohë ishte bërë izosilabik) dhe… te rima. Thotë Dantja te “Jeta e re”, shkruar diku nga vitet 1292-1294:

[…] vetëm rishtas janë shfaqur poetë që shkruajnë në gjuhë vulgare; dhe i quaj të këtillë, se të thurësh vargje në rimë në gjuhën vulgare është pak a shumë si të thurësh metrat latinë, gjithnjë me respekt për proporcionet.[1]

Të kuptohemi, jo se gjatësia apo shkurtësia e zanoreve në shqiptim u tret (edhe sot e gjithë është e ruajtur, sidomos në gjuhët gjermane, sikurse edhe në gegnisht), thjesht humbi epërsinë. Ndodhi pak a shumë e njëjta gjë me perceptimin e ngjyrave. Në antikitet ngjyrat perceptoheshin (dhe emëroheshin) në bazë të shndritshmërisë, jo si ne të sotmit, që marrim për bazë (përsëri) intensitetin (tashmë, edhe spektrin fizik). Kështu, për të bardhën latinët kishin: albus, candidus, canus, niveus, cereus…, për të kuqen: ruber, rubens, rufus, rutilus, purpureus, rubicundus, candens, igneus… Pikënisje për një ese me argument emërimin e ngjyrave në shqip dhe si i kemi përkthyer ngjyrat nga tekstet e klasikëve grekë e latinë (do të më duhet më parë të përpi një traktat të tërë mbi optikën!).

Fjala rimë rrjedh, me gjasë, nga latinishtja rhytmus, “ritëm”, që në mesjetë nënkuptonte vetë vargun, atë të tipit jo metrik, të theksuar, popullor, që erdh e u pajis edhe me rimë. Për herë të parë rima filloi të përdoret aty nga shekulli XI nga trubadurët, që flisnin gjuhën oksitane. Mendohet, bile, që ata ta kenë marrë nga arabët, të cilët asokohe kishin pushtuar Spanjën dhe depërtuar Provancën – atdheu i trubadurëve. Kryesisht për arsye eufonike dhe mnemotike (a nuk ishin të gjitha Muzat, edhe ato tre a katër që merreshin me llojet e ndryshme të poezisë – lirike, korale, dashurore, epike… – çupa të Mnemozinës, “kujtesës”?) vargjet përmbylleshin jo vetëm me mbaresa tingullore të njëjta mes tyre (rima), por ishin edhe njësi kuptimore të njënjëshme. Ta mbajmë mend këtë koncept të fundit, se do t’i kthehemi. Meqë poezia në gjuhët vulgare lind diku në zgripin e shkrimit me recitimin (këngën), rima duket si shpikje e vlefshme për t’i mbajtur mend vargjet, sidomos në gjuhë të llojit të shqipes, me vendosje të ndryshme të theksit brenda fjalës (fundor, parafundor, tejfundor). Trubadurët arritën ta përdorin atë në mënyrë tejet të rafinuar, duke përpunuar trajta të llojellojshme, vende-vende si zhonglerë të vërtetë, dhe duke eksperimentuar. Ndonjë formë edhe ka mbërritur deri te ne, si “sestina”, e shpikur nga Arnaut Daniel-i (Ribérac, rreth 1150 – 1210), trubaduri që një grusht studiuesish, kryesisht nga treva e Durrësit, koka të mëdha, e bëjnë shqiptar. Trubadurët përdorën shumë edhe poezinë monorimë. Poezia dhe rima u shkrinë asisoj mes tyre sa u shndërruan në sinonime dhe, deri në fund të shekullit XIX, kish plot libra poetikë (kryesisht përmbledhje të një autori ose antologji) që titulloheshin thjesht: “Rime”. Ama, për trubadurët vetëm tingujt identikë mund të rimonin mes tyre. Dhe, në fakt, e quanin artin që zotëronin: trobar clus, = “të këndosh, vjershërosh në mënyrë të vështirë, të mbyllur”, të ndërgjegjshëm për rreptësinë e rregullave vënë vetes.

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe kështu e përkufizon rimën:

RIMË f. sh. let. Përputhje e plotë e rrokjeve të fundit të dy a më shumë vargjeve, duke filluar nga zanorja e theksuar. Rimë e brendshme (e puthur, e kryqëzuar, e mbyllur). “Rimë femërore”: përputhja e fjalëve me theks në rrokjen e parafundit. “Rimë mashkullore”: përputhja e fjalëve me theks në rrokjen e fundit. Rimë foljore: përputhja e plotë e rrokjeve të foljeve në fund të vargjeve.

Duket se përkufizimi përkon me konceptin trubadur për rimën. Por le të ecim ca nga ca përpara: pa t’i marrim shekujt përpjetë. Këto rregulla u ndoqën edhe nga poezia siciliane (gjysma e parë e shekullit XIII), por, pas këtij shfrytëzimi prekapitalist të rimave, menjëherë, qysh nga poetët toskanë të Dyqind-Treqindës, frerët filluan të lirohen. Ndodhi së pari si përshtatje me sisteme fonetike gjithnjë e më të ndryshëm, ku mbivendoseshin edhe pasiguritë ortografike të së folmeve të reja, shpesh dialektale, dhe së dyti (kjo na intereson më fort) sepse poetët u bënë të vetëdijshëm që numri i fjalëve që rimonin mes tyre në mënyrë kaq strikte ishte i fundëm, për plot mbaresa i pakët bile dhe, kësisoj, i përsëritshëm, i parashikueshëm. Sfratet ranë: iu hapën dyert rimave të papërsosura: zanoret e gjata filluan të rimojnë me të shkurtrat (për shembull, në italisht: effetto: distretto), bile-bile edhe “e”-ja e shkurtër me “i”-në (avere: servire) ose “o”-ja me “u”-në (amorosa: accusa); pak më vonë fati u priu edhe asonancave e konsonancave. Arshi Pipa e përmend te “Lyrika latine”: në kuptimin e ngushtë të fjalës, “Shqipëri” dhe “ti” në shqip (ndoshta e kishte fjalën: në gegnisht) nuk duhet të quhen që rimojnë, sepse “i”-të fundore të tyre kanë gjatësi të ndryshme, por ne gjithmonë i kemi konsideruar si fjalë që rimojnë.

Forma poezish nga më të ndryshmet u eksperimentuan ndër shekuj; shumë syresh sot nuk përdoren më ose përdoren aq rrallë sa gjithçka duket si shpallje e vetëkënaqur virtuozizmi e shkruesit. Disa, ama, kanë pasur një jetë vërtet të gjatë. Tingëllima (soneti), për shembull, e shpikur diku mes viteve 1230-40 nga Jacopo da Lentini, noter dhe, në kohën e lirë, poet i shkollës siciliane (Ezra Pound-i hedh hipotezën që kemi të bëjmë, në fakt, me një kompozim që autori e nisi për canzone, por i vajti ters… duke u shndërruar, pa dashje, në një nga format poetike më të famshme të letërsisë botërore). Tingëllima ka katërmbëdhjetë vargje njëmbëdhjetërrokësh të ndarë në dy strofa katërshe dhe dy treshe që rimojnë: ABAB ABAB CDC DCD ose: ABBA ABBA CDE CDE (në përgjithësi strofat treshe kanë kombinime të shumta rimash, që mund të jenë dy ose tre). Po të analizojmë format e tjera, më të ndërlikuara të tingëllimës, zhvilluar palë-palë nëpër vite e shekuj, rimat janë edhe më të shumta. Sonetto rinterzato, për shembull, ka këtë skemë: AaBAaB, AaBAaB, CcDdC, DdCcD (germa e vogël tregon që vargu përkatës është shtatërrokësh), pra rimat janë gjithsej: 8-4-5-5; sonetto doppio: AaBAaB AaBAaB CDdC CDdC, këtu rimat janë: 8-4-4-4, e, kësisoj, vazhdohet me nënforma pa fund. Ndaj, sot e gjithë ditën, mendohu mirë po të duash të përkthesh një tingëllimë të këtillë (me rimë, siç e do sëra), se hajt e gjej në gjuhën tënde përkatësisht 8-4-5-5 ose 8-4-4-4 fjalë që të rimojnë mes tyre, dhe ta bësh duke i qëndruar besnik një teksti jo i yti. Fatmirësisht shqipja është gjuhë tepër e përkulshme nga ana sintaksore, kështu që fraza mund të zhdrivillohet e të kthehet kollaj parë e prapë si çorape, po e lypi puna.

Po flasim vetëm për një formë poetike. E qindra, mijëra të tjerat? Ose thjesht poezitë e ndara në strofa katërshe. Ose thjesht poezitë pa strofa, por me rimë. Është e natyrshme që me kalimin e viteve, shekujve, me përsëritjen e rimës nga qindra, mijëra, qindra mijëra (nuk po them miliona) poetë të gjuhës mëmë, rima fillon e… konsumohet, në kuptimin që veshi automatikisht, arrin ta parashikojë se cila fjalë do të vijë në fund të vargut pasardhës thjesht nga ç’ka lexuar deri atëbotë. Është diçka matematike, më shumë se poetike. Dhe sa më shumë të kesh lexuar poezi e ta kesh të rrahur veshin, aq më shpesh të ndodh, duke të lënë një ndjenjë të lehtë bezdie, nuk po them ndoti. (Teksa të patalentuarit vazhdojnë vargëzimet e tyre ballëlarta, ca për injorancë, ca për shkërbim). Sepse në çastin kur ke zgjedhur fjalën e fundit të vargut të një poezie me rimë, ke zgjedhur edhe “pellgun” e fjalëve nga mund të peshkosh për ta përmbyllur vargun që do të rimojë me të: atë pasardhës, (rimë e puthur), atë pas-pasardhës (rimë e kryqëzuar) e, me radhë, sipas skemës. Dhe kjo ia heq gjithë forcën poezisë, e kthen atë në një ushtrim të rëndomtë, në një kohë që poezia duhet, në njëfarë mënyre, të së habisë.

Një nga lëvdatat që kritika i bënte poetit Umberto Saba (1883-1957), që e përdorte shpesh (ndonëse jo gjithmonë) rimën, nxirrte në pah aftësinë e tij në përdorimin e natyrshëm të rimës më të vështirë të gjuhës italiane: rima cuore: amore. Përse quhej e vështirë? Sepse s’kish mbetur njeri pa e përdorur në tetëqind e kusur vjet letërsi italiane.[2]

Ka një poezi Giacomo Leopardi, një si përrallëz alegorike që titullohet “Scherzo” (dhe, në fakt, kemi të bëjmë me një qesëndisje të hollë), ku poeti e imagjinon veten çirak të ri në punishten e Muzave. Dhe ja, njëra sosh e merr për dore e i tregon vendin e punës, vendin ku thureshin vargjet, pra. Gjykimi kritik i Leopardi-t për poezinë e kohës është i rreptë, por, vjen një çast dhe lexojmë:

Io mirava, e chiedea:
Musa, la lima ov’è? Disse la Dea:
la lima è consumata; or facciam senza.

Pa ta zëvendësojmë pak fjalën “limë”, me “rimë” (dy fjalë që, të ma falni kakofoninë, veç të tjerash edhe rimojnë). Rima që hahet nga përdorimi i tepërt, si lima nga gërryerja e vazhdueshme që i bën metalit apo drurit. Si ndodh kjo? Vjen në dy mënyra. E para është ajo e që sapo përshkruam: nga përdorimi i shumtë prej poetëve, të shtresëzuar në vazhdë të shekujve. Por ka edhe një mënyrë të dytë: kur rima është shumë “të famshme”.

O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë
Fushat e gjera me lule q’ju kam ndërmend dit’ e natë.

Janë vargjet hyrëse të poemës më të njohur të letërsisë shqipe, “Bagëti e bujqësija” e Naim Frashërit. Gjithkush, edhe me katër klasë, edhe po të ketë fjetur gjumë në orën e këndimit, këto vargje i di. Nuk më rezulton të jetë një rimë e përdorur shpesh në letrat shqipe, ndoshta sepse është aq e njohur sa, për peshën specifike që mbart, është konsumuar tashmë.

 

Pjesa e dytë

(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.


[1] Dante Alighieri, “Vita nuova” (Tiranë, Pika pa Sipërfaqe, 2021), faqe 73-74. Përkthyesi i librit jam unë dhe, të më falni për modestinë e pakët, por po nuk e shpreha tani nuk kam ku ta shpreh tjetër: poezive të librit, që janë 31, nuk u kam lënë mangut në shqip asnjë… rimë.

[2] “Zemër” është një nga fjalët enigmatike të shqipes. Dhe rimon me shumë pak fjalë të tjera. Më nxjerr ujë të zi përkthimi i rimës cuore: amore nga poezitë e stilnovistëve të mi të dashur. Në shqip, pra, ndjesia është e kundërt.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin