Po e rifilloj molloisjen me një paragraf – pak të gjatë – nga eseja e John Ciardi-t: “Robert Frost: udha për te një poezi”, e përkthyer nga Gjergj Peçi (por unë këtu e kam ripërkthyer) dhe botuar te nr. 4 i revistës “Mehr Licht!”, nëntor 1997. Eseja analizon në detaj poezinë (me rimë) të Robert Frost-it: “Stopping by Woods on a Snowy Evening”:
[…] Mënyra më e zakonshme për të shkruar një strofë katëshe me katër këmbë për varg[1] është të rimosh vargun e tretë me të parin dhe vargun e katërt me të dytin. Edhe kaq rima është ca e vështirë në anglisht, aq sa ka shumë poetë dhe sidomos shkrues anonimë baladash që nuk e vrasin mendjen hiç të rimojnë vargun e parë me të tretë, duke u mjaftuar me rimën e të dytit me të katërtin. Se anglishtja është gjuhë e varfër në rima. Në italisht e frëngjisht, për shembull, ka aq shumë fjalë që mbarojnë me të njëjtat tinguj, sa rimat janë goxha të kollajshme—aq të kollajshme sa shumë poetë modernë francezë e italianë as nuk marrin mundimin për t’i përdorur, duke shkruar pa rimë fare. Anglishtja, duke qenë gjuhë-aglomerat, ka shumë më tepër tinguj fundorë, si pasojë, më pak syresh rimojnë mes veti. Kur një poet italian shkruan një varg që mbaron me fjalën “vita” (jetë)[2], ai vërtet ka me qindra mundësi për ta rimuar. Kur një poet anglosakson shkruan në fund të vargut “life” (jetë), mund të peshkojë “strife[3], wife, knife, fife[4], rife[5]”; më tutje fillojnë telashet. Tani, çiftet “life-strife”, “life-rife” dhe “life-wife” prodhojnë një kombinim të tillë idesh sa mund t’i ndërlidhim edhe pa pasur nevojë për rimë. Kësisoj, pashmangshmërisht, poetët i kanë punuar e përpunuar kaq shumë këto kombinime, saqë shkëndija e habisë me to është fikur krejt. Zakonisht lexuesi lodhet nga asociimet e udhëhequra nga rima. Kur i bie në sy, për shembull, kombinimi “life-strife”, ai priret të dyshojë që poeti nuk desh të thoshte aspak “strife”– të ekzistonte në anglisht një fjalë, po e zëmë, “hife”, me kuptimin “paqe dhe harmoni e përjetshme”, poeti do ta kish përdorur atë me shumë dëshirë në vend të “strife”. Kështu, lexuesi e ndien që e shkruara është bërë automatike, që rima e ka detyruar poetin të thotë gjëra që ai nuk i ndien realisht dhe që, si pasojë, lexuesi i gjerb gjithë mërzi. Na pëlqejnë rimat kur janë ato të duhurat, por, ama, na duhet të bindemi që është poeti ai që vendos çfarë të thotë dhe jo skema e rimave që ia dikton ligjëratën.
Për sa u tha më lart, ja disa çifte fjalësh shqip – limon i shtrydhur në përdorimin si rima: (diell: qiell); (yll: pyll); (kokë: tokë); (gur: mur); (ty: sy); (arë: farë); (burrë: kurrë)…
Nga gjuhët perëndimore, ajo që ka ndërruar më pak lëkurë në rrjedhë të shekujve është pikërisht italishtja. Një tekst italisht i 1200-ës fëmijët sot e lëçisin në shkollë pa ndonjë vështirësi të madhe. Kuptimi i fjalëve edhe ka ndryshuar, por fonetika jo. Ndërkohë që një tekst i 1200-ës në anglisht, frëngjisht, gjermanisht… është tejet i pakuptueshëm. Arsyeja, sipas meje, qëndron te fakti që italishtja i nxorri gjenitë e saj letrarë bash në fillimet e gjuhës vulgare. Pa ndërroi, në ta mban, vargjet e Dantes, Petrarca-s, prozën e Boccaccio-s…! Kështu që, vetëkuptohet, të parës që iu harxhuan rimat – me gjithë pasurinë e asaj gjuhe në rima, siç e përmend Ciardi – ishte italishtja.
Enjambement quhet kapërcimi logjik/sintaksor i cakut të vargut. Arrihet me zhvendosjen në vargun pasardhës të një termi të lidhur ngushtësisht me atë paraardhës. E pata përmendur (në pjesën e parë, me premtimin që do t’i kthehesha argumentit) që te poetët e vjetër vargjet ishin njësi kuptimore të njënjëshme: njësi metrike = njësi sintaksore (konceptuale) = njësi kuptimore (çdo varg me një kuptim të kryer dhe të pavarur). Dalëngadalë, por më vendosmërisht se kurdo ndodhi sidomos në shekullin e XIX dhe, po të duam të përmendim një emër, me Baudelaire-in (jo më kot fjala ka hyrë në terminologji si fjalë frënge), poetët filluan t’i këpusin lidhjet bashkësore të vargut, duke i dhënë më shumë rrjedhshmëri atij, përkundër rrokjezimit monoton e të ngurtë, por edhe, në mendimin tim, për t’i dhënë më shumë diapazon numrit të fjalëve që mund të rimonin, fjalë që deri atëbotë gjendeshin në barkun e butë të vargut. Një nga mjeshtrat e enjambement-it në poezinë tonë ishte Mjeda:
E kqyrë: ndër male po përhapet shkëndija
E lirimit t’Atdheut; fshehtas shetiti
Kësollë për kësollë rreth buneve e soditi,Frymë të re tuj zbrazun për gjithkahna, hija
E Skandërbegut. Që ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmnin ushtore,
E idhnim n’armikun nëpër gji ju qisin.
(Ndre Mjeda, “Liria”)
“Truke”[6] për zgjerimin e lëmit të rimave (e paplotë)
E mbolla arën dhe tokën e putha
Dhe qetë i lëshova të dy në kullotë
Tek ëndërroja grurin në pllajën me rrudha,
Tek ëndërroja sofrën me bukë të ngrohtë.
(Dritëro Agolli, “Pas punës”)
Në vargjet 1 & 3 bashkëtingëlloret e përfshira në rimë janë ndërdhëmbore, përkatësisht e zëshme | e pazëshme (dh: th). I njëjti arsyetim, vlen edhe për çifte të tjera bashkëtingëlloresh të ngjashme në shqiptim, por gjithnjë në raport i zëshëm | i pazëshëm (duke pasur parasysh edhe që ka areale gjuhësore ku dallimi mund të mos ekzistojë): z: s; q: gj; ç: xh.
Kurse në vargjet 2 & 4 rima nuk konsideron shqiptimin (aspirimin) e “h”-së.
Rima me zanore të ngjashme në shqiptim, nganjëherë të ndërkëmbyeshme në toskërisht: (këngë: brengë); (ti: sy).
Rima me rrokje që kanë të trupëzuara grupet e bashkëtingëlloreve -mb; -nd; -ng; -ngj (ndihur nga fakti që nganjëherë nuk shqiptohen në gegnisht). Ja një shembull, për grupin -mb:
Pulëbardhën në dhomën tonë e shpumë
Dhe u mësua me ne si njeriu i shtëpisë,
Veç nga dritarja shikonte detin me shkumbë
Dhe valën që ngrihej mes shiut e stuhisë.
(Dritëro Agolli, “Pulëbardha”)
Rimë gramatikore, kur lidhen dy fjalë që kanë të njëjtën formë gramatikore – zakonisht folje në të njëjtën mënyrë, kohë, vetë e numër: rimë foljore[7]:
Kërcen në horizonte, horizontet largohen,
Shpëton nga furtuna, të çmend gjëmim i tërmetit…
Përherë vargjet të turbullt përrenjve të truve tërbohen
Dhe fryhen si muskujt e detit…
(Dritëro Agolli, “Krijimi”)
Rimë për syrin, kur lidhen dy fjalë që kanë të njëjtën mbaresë grafike, por jo fonetike, për arsye të theksit të ndryshëm:
Kokën grushteve,
Të të bjerë, ç’e le.
Po përse, përse,
Millona, ti ç’ke?
(I. Kadare, “Kënga e millonait”)
Rimë e anasjellë, kur lidhen dy fjalë që e kanë rrokjen e rimuar të ndërtuar në të kundërt: po aty:
Ta njeh zemrën ty,
O mor millona,
Ndaj nga helmi yt
Ajo frikë s’ka.
Rimë e përbërë, nëntipi “e këputur”; kur rima është e ndarë në disa fjalë:
Këndojn’ sbashku n’mëngjes pes’ kumbonare,
këndojn’ n’ajrí mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqê sýnin e qetë.Përhap’ lajmin e zgjimit rrezja e parë e
t’parat përshndetje dridhen n’heshtí t’letë,
e shpejt n’at lavdí dielli, qi e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zâne, zhurmë e jetë.
(Ernest Koliqi, “Shkodra në mëngjes”)
Rimë e përbërë, nëntipi “hipermetrik”; kur fjala del nga masa e zakonshme e skemës dhe kalon, pjesërisht, në vargun tjetër:
così quelle carole, differente-
mente danzando, della sua ricchezza
mi facìeno stimar, veloci e lente
(Dante, “Paradiso”, XXIV, 16-18)[8]
Kemi mbërritur (shpresoj në mënyrë të këndshme për ju, jo rrakapjekthi apo zvarrë-zvarrë) në gjysmën e dytë të shekullit XIX e në shekullin XX. Ama tani, për ta zhvjellë këtë fenomenologji të ngatërruar, lermëni të përdor ca sakicën. Përndryshe nuk do të arrijmë t’i dalim pyllit tejetej. Gërryerja e institucionit të rimës po ndodh katërçipërisht; kjo sepse rimat po harxhohen nga përdorimi i tepërt punishteve të poetëve, por edhe me daljen në shesh të një dukurie tjetër: më në fund poezia bëhet jo diç vetëm e shkruar, por edhe e shtypur ndër libra.[9] Deri në shekullin XVIII e gjysmën e parë të shekullit XIX, nëpër Europë organizoheshin ende shfaqe improvizimi poetik: vargëzues të aftë, nisur nga një skemë e caktuar rimash, improvizonin vargje. Edhe në Shqipëri kishim këngët popullore, kishim bejtexhinjtë, nga të cilët kemi trashëguar kopje të shkruara të poezive të recituara mejhaneve (ndoshta), por jo libra të botuar. Epo atëherë, kur ia arritëm ditës që rimat nuk na e ndihin më kujtesën, sepse poezitë botohen gjithnjë e në më shumë kopje, që lexuesi është në gjendje t’i shijojë (shkollarizimi), cili mbetet funksioni i tyre? Mund ta themi: tashmë rima është sublimuar si një mjet teknik dhe, si çdo teknikë, mbart një vlerë artistike të vetën. Dikush vazhdon të investojnë në ndërlikimin e stërhollimin e saj, dikush tjetër nuk do t’ia dijë. Dy qëndrime më se të ligjshme. E sot, në poezinë moderne (jemi në shekullin XXI), fjala në fund të vargut ç’rol ka? Nuk është shumë e qartë se, tashmë, mund të them që funksioni i poezisë bashkëkohore mbetet për mua enigmatik. Por nëse do ta përmbledh përvojën time të deritanishme, që, medet! nuk është edhe aq e pakët, mund të them që sot për sot ky rol është krijimi i një “tensioni” me vazhdimin e poezisë; një fërkim midis saj dhe vargut pasardhës, një si fërruarje bërrylesh kur rrëzohemi. Dhe që vendos të mos e shpallë natyrën e këtij tensioni, pra kuptimin e të tërës.
Qysh në shekullin XX, jo rrallë, poetët janë përkujdesur kah përftimi i një ndjenje pasigurie metrike te lexuesi: për shembull, duke i fshehur rimat në mes të vargut (të ashtuquajturat rima të brendshme). Në këtë kuptim mund të thuhet që braktisja e rimës është bërë ndonjëherë vetëm për sy e faqe. Dihet që të vrasësh traditën nuk është punë e thjeshtë. Strukturat klasike të vjershërimit kanë hyrë po, në krizë – ato modele të mbyllura, kafazet retorikë të së cilëve u gjendën befas një ditë pa kanarinën poetike brenda – por prapë ajo mbetet e pranishme te shumë poetë bashkëkohorë si një dukuri e shndërruar, e bërë e epshme, thëngjill i mbuluar, e paparashikueshme, kësodore e pasuruar me kuptim të ri. Pikënisje për një ese tjetër?
Paradoksalisht sot rima mbetet më vitale në trajta tekstuale jashtë poezisë, duke filluar nga fjalët e urta, tekstet e muzikës së lehtë, publiciteti televiziv e deri te sloganet elektorale: “Liri! Demokraci!” (por kjo rimë tani është konsumuar – bashkë me idealin plak); “Krejt dhe drejt!” – slogani i LVV në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 në Kosovë.
Dhe kësisoj, përgjatë shekullit XX e deri sot e gjithë ditën, format tradicionale herë-herë nxjerrin kokë. Ndërsa në 95% të rasteve janë shkërbime të vrazhda e pa kurrëfarë vlere artistike, pavarësisht emrave bukurtingëllues të autorëve të tyre, nganjëherë këto buthtime mbajnë brenda frymën e nostalgjisë ndaj hijerëndësisë së dikurshme, të ironisë, pse jo të lojës syshkelëse në truallin shkretan të ekzistencës.
(fund)
© 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
[1] Katërkëmbëshi jambik, që në shqip i korrespondon nëntërrokëshi.
[2] Autori ka parasysh poemën më të famshme të së gjitha kohëve, “Komedinë Hyjnore”, që fillon: Nel mezzo del cammin di nostra vita… Ne, shqipove, s’na interesojnë edhe aq rimat e emrave, por të mbiemrave e përemrave që, zakonisht, në shqip rrinë prapa emrit. Our problem!
[3] Grindje, zënkë, kundërshtim, mosmarrëveshje.
[4] Cyle (por edhe folje: luaj me cyle); më në përgjithësi edhe: fyell.
[5] Cit, plot, i pasur (me); folje: pllakos.
[6] “Truke” po t’i referohemi idesë fillestare të trubadurëve, përndryshe krejtësisht të përligjura.
[7] Për t’u përdorur me karar, se janë vërtet monotone. Kur më duhet të përkthej tingëllima dhe s’kam ku ta përplas kokën i përdor (me zemër të thyer), por jo më shumë se tre/ndër katër rimat e dy strofave katërshe, duke u kujdesur që të mos jenë të treja rresht, por të kenë të ndërkallur, ose në pozicionin e dytë ose në të tretin, një rimë jofoljore.
[8] M’u desh të citoj origjinalin, se Pashkoja e ka dhënë pak larg:
n’kunorat rrotullore çdo shëndrizë
tregonte me vallzim të vet të ndryshëm
sa begati gëzonte në parriz.
Ndjesë që nuk gjeta (me siguri ka) shembull shqip. Por biblioteka ime është e kufizuar: ashtu e shprishur ndër shumë shtete.
[9] Mund të hajë diskutim nëse rima sot po vdes për “apoptozë” apo për “nekrozë”. Unë jam me të parën, dhe, si dashës (amator), këtë tezë jam përpjekur të mbroj, por thelbi i zhdukjes së rimës mbetet.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.