Filozofitë e jetës përkthehen në politikë. Politika është mjeti që vendos në praktikë filozofinë e jetës. Nuk ka politikë pa filozofi jete.
AMERIKA nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një shtet, një vend, si gjithë të tjerët. Amerika ka përfaqësuar, ka qenë dhe është, një filozofi jete.
Filozofia e jetës që ka përfaqësuar Amerika është e shkruar në Kushtetutën Amerikane.
Kohët e fundit, në kulmin e valës ‘cancel culture’, sytë na panë edhe disa njerëz që, për qejfin e vet, rrëzonin monumentet e George Washington apo që quanin Lincoln me shokë maskarenj dhe hipokritë.
Në një kohë kur Amerika si shtet federal, që do të thotë si përfaqësues i një filozofie jete, ka hyrë në një borxh publik rreth 36 trilionë $, nuk është çudi që në mjedisin, që ka goditur aq keq filozofinë e jetës që ajo përfaqëson, të dalin dhe ca kalamaj që urrejnë gjithçka dhe nuk kuptojnë asgjë.
Por, a e dinë politikanët e rinj dhe të vjetër shqiptarë ç’është Kushtetuta Amerikane apo, të paktën, të dinë diçka për çfarë është krijuar NATO?
Meqë Shqipëria është vend i NATO-s, mos duhet dikush t’i ulë këta në bankë si fillim në mësim?
Ndërkohë, jeta ka gjithmonë nuanca, dhe po të mos ketë nuanca nuk do të ishte jetë, por anti-jetë.
Në Amerikë ka pasur pothuajse vazhdimisht dy lloje filozofish jete që kanë bashkëjetuar nën Kushtetutën Amerikane.
Këto dy filozofi janë përplasur me njëra-tjetrën edhe fort, si p.sh. në kohën e Lincoln, president i Partisë REPUBLIKANE amerikane, që udhëhoqi luftën kundër skllavërisë.
Secili shtet perëndimor i Luftës së Ftohtë ishte kthyer në një lloj brandi/firme për një nuancë filozofie jete, me thelb demokracinë liberale, shtetin kushtetues, sisteme ku pushteti ndahet dhe institucionet kanë pavarësi nga njëri-tjetri.
P.sh., tjetër filozofi jete Suedia dhe vendet nordike, tjetër Italia, tjetër Franca, Gjermania Perëndimore, Anglia dhe tjetër vendet e Benelux-it si Holanda, Belgjika.
Të gjitha pjesë të Evropës Perëndimore, por të gjitha me veçantitë e veta të shprehura në profilet e partive politike që kanë drejtuar vendet specifike.
Tjetër histori kanë pasur Tajvani, Shangai, Tailanda, Kili, Turqia, Greqia, Portugalia apo Singapori.
E ndarë në dy është Gjermania mes luteranë dhe katolikë, Italia jug dhe veri, flamandë dhe frankofonë ka në Belgjikë për mos i hyrë Welshianëve, Skocezëve dhe Anglezëve në Britani.
Kush ka lexuar “Aventurat e Huckleberry Finn” të Mark Twain, di se lumi Potomac, që kalon dhe mes për mes Washingtonit, ka qenë lumi që ka ndarë, në kohën e Luftës Civile, dy filozofitë e ndryshme të jetës në atë kohë.
Shqipëria, në plan të përgjithshëm, është ndarë gjithashtu nga një lumë në toskë dhe gegë. Dy filozofi të ndryshme jete kanë qenë karakteristike në ekstremet e veta.
Gegët më solitarë në shtëpitë-kulla të veçuara larg e larg njëri-tjetrit, toskët më komunitarë në fshatra me shtëpi kurriz me kurriz dhe me shesh fshati në mes.
Në Toskëri ka pasur dy filozofi jete primare, që shpeshherë në qytete ndaheshin gjithashtu nga një lumë: të krishterët dhe myslimanët, me bektashinjtë në mes më vonë, të cilët krijuan një sinkretizëm të veçantë, megjithë Malin Tomor mu në mes të dheut të Toskërisë.
Veriu dhe gegët janë ndarë gjithashtu mes katolikëve dhe myslimanëve, fushorëve dhe malësorëve, shqiptarëve, serbëve dhe boshnjakëve e turqve, siç ka qenë jetesa sidomos në Kosovë deri vonë.
Multikulturore ka qenë kësisoj Shqipëria disa mijëra vjet përpara se këtë fjalë ta fusnin në modë politikanët evropianë dhe amerikanë të kohëve moderne, ithtarë besoj të pragmatizmit amerikan në filozofi.
Pas viteve ’90, me “unifikimin” që u duk se po i bëhej kulturalisht botës në mes të neoliberalizmit në marshim dhe të hyxhymit të universalizmit të instituteve për shoqëri të hapura në Lindje dhe Perëndim, pamë të krijohej gjithnjë e më shumë ideja e unifikimit të kulturave dhe legjislacioneve, ku vendin kryesor për ne europianët e mori flamuri me yje i BE-së dhe burokracia titanike që e mbajti dhe mban në zyra.
Në duar të gjithë dolën kudo me flamujt e partive të veta politike, organizatave, flamurin e ylberit ose atyre nacionalistë.
Në kontekstin shqiptar, që multikulturalizmin e ka bukë e dhallë e ulli, gara e sotme politike në Shqipëri, duke qenë se këtu, si në çdo vend që drejtohet nga elita ‘nouveau riche’, filozofia e vetme dihet që është paraja dhe asnjë tjetër besim.
Ndalimi komunist i besimit ia ka bukosur akoma nipërve dhe mbesave të komunistëve idenë se shpirti mund të ketë jetë përtej botës materiale, filozofi edhe ajo e përkthyer në terrorizëm politik stalinist.
Lufta “politike” në dukje duket se bëhet për si do të ndahen përqindjet % të 1 miliardë eurove që do të sjellë BE-ja e shumë flamujve në Shqipëri.
Sa % do të kontrollojnë cilët udhëheqës politikë qarqesh të cilave parti, që t’i kenë për të furnizuar njerëzit e tyre, secili sipas qejfit, për biznese, agrobiznese, antibiznese etj., nga ato që vizitojnë për fushata kryeministrat, me të cilat mburren virtualisht qeveritë dhe realisht në terren ndaj skllevërve të tyre, partitë.
E ndarë do jetë gjithmonë bota, por nuk mund të ekzistojë e lirë pa lirinë e atyre që refuzojnë të kenë parti.
Dhe po, ka veprimtari që këto vite kanë arritur të krijojnë diçka, shpeshherë edhe shumë të mirë, ndonjëherë nga aftësitë e veta, pjesërisht me fonde apo mbështetje nga organizma, ente financuese kreditore e turli farë lloji, ku pjesa më e madhe drejtohen nga BE-ja, Këshilli Evropian, bankat ndërkombëtare dhe qendrore apo ente të tjera, që nëpërmjet politikës herë kanë e herë nuk kanë lidhje me ndonjë mafie kushedi.
Pjesa më e madhe e njerëzve, për të pasur akses në paratë që i premtohen politikisht dhe kulturalisht Shqipërisë, si në dispozicion të shoqërisë shqiptare nga Perëndimi, këto 1 miliardë euro që do të vijnë me këtë rast tani deri në 2027, duhet të jenë patjetër aktivë në fushatat e partive ose të kenë medoemos ca lidhje super të forta me underground-in ekonomik, mundësisht, normalisht, kudo në Shqipëri: fshat, qytet, lagje, katund, mal, fushë, kënetë, lumë e det.
Me siguri, duke fituar ca vota, sidomos PD-ja, eksperte e këtyre punëve qëkur ishte në pushtetin e vet, që i plasi në dorë bomba e korrupsionit që në vitin 2008, dhe cilado parti tjetër që drejtohet në formë fashiste nga kryetari suprem, që e ka kapur me thonj dhe s’e lëshon për asgjë në botë, do të ketë edhe ajo ca llogari të hapura me këtë çekun 1 miliardësh që do të hidhet në Shqipëri nga Europa e Bashkuar, e cila ka nevojë, sipas deklaratave të saj, edhe për plot 300,000 (treqind mijë) ushtarë shtesë deri në 2027.
Normalisht dhe zakonisht gjithashtu në Shqipëri, që të jetosh, duhet të jesh dhe një çik agjenturë e ndonjë agjencie shërbimi sekret ose jo, por me axhenda që askush nuk i di, s’ka problem çfarë, të dalë kush të dalë.
Në këtë formë katapultohen dhe disa personazhe që premtojnë Eldoradon, pasi i hapen të paktën disa dyer në network-et e fuqishme të kullës së Babelit për influenca Deep State-sh, por të palëve anti-amerikane, anti-NATO dhe anti-shqiptare në Shqipëri.
Më keq akoma, halli qëndron se aksesi tek fondet e BE-së, apo kreditë e mëdha të fondeve për zhvillime të gjithanshme, që shfaqen dhe fshihen pas fytyrash të rënda plumb apo të pafajshme si kristal, sa vjen e më shumë dhe gjithnjë e më tepër, kanë vetëm individë të lidhur me krimin ose krimin dhe politikën bashkë, dorë për dore në Shqipëri.
Nuk thuhet dot hapur, por është kështu, se janë interesat anti-perëndimore me lidhje terroriste të vendeve shumë anti asaj Kushtetute Amerikane, që përmenda më lart filozofikisht dhe ulëta politikisht deri në vetëshkatërrimin e tyre dhe të tjerëve, pra segmente vendesh të përbetuara kundër NATO-s, që kanë operuar lirshëm në Tiranë dhe kudo në kaosin e kësaj dynjaje të stresuar për bukën e fëmijëve, apo më keq akoma, të kamufluar nën një shtresë të sëmurësh mendore për pushtet, kontroll dhe luks katundar të pasurive të rinj.
Këtu qëndron problemi real i Shqipërisë dhe, për këtë punë, duhet të pozicionohet lidershipi politik shqiptar, i vjetër apo i ri.
Është çështje filozofie jete çështja POLITIKE, sado po ajo politikisht korrekte me kërkesat dhe nevojat e militantizmit partiak në terren.
Përgjegjshmëria mbi kontrollin ose jo të institucioneve të shtetit nën juridiksionin e qeverisë dhe politikës është çështje filozofie jete sa dhe politike njëkohësisht.
Ndërkohë, ekonomia ka dy halle:
E para, të arrijë të fusë në sistem paranë e zezë informale që vjen nga underworld-i nën ngjyrat e ylberit të BE-së dhe, e dyta, të kanalizojë në duart e njerëzve mbështetës të partive thërrimet e parave të ndihmave perëndimore, duke i shpallur sukses mbarëkombëtar çfarë janë sukses vetëm për një model njeriu shërbëtor të papërgjegjshëm të egos dhe vanitetit personal karrierist për pushtet.
Çelësat e kësaj “parajse” duket sikur i mbajnë në terren Shën Pjetrat, që, kur iu duhet, mohojnë dhe udhëheqësin vetë, këta gladiatorë politikë të qarqeve të unifikuar në nga një shesh rilindjeje urbane pa asnjë filozofi dhe që mbeten të vetmit njerëz që ndërrohen një herë në kaq kohë në Shqipëri, bashkë me ministrat, kur nuk janë ministra vetë.
Sfida e politikës është nëse do ta ndryshojë dot këtë sistem korrupsioni pa asnjë filozofi?
Sistemi i Kushtetutës Amerikane do të thotë: a do të ketë frymëmarrje për njeriun e thjeshtë dhe të pavarur INDIPENDENT në çdo sektor?
A do të ketë terren dhe hapësirë këtu për kreativitet, inovacion, shpresë, ide, risi, INVESTIME që burojnë nga vetë njerëzit, nga energjitë, besimet, vizionet, qejfet, dëshirat, apo do të kenë përjetësisht pengesa, nxirje jete shumë e më shumë nga burokraci sabotatore të udhëhequra nga organet e qeverisë, më sabotatore sesa vetë Mafia në ndërlikimet që krijojnë dhe emërimet e më të paaftëve në çdo zyrë, gjithmonë kur Mafia nuk ka pasur ndonjë interes ta infiltrojë?
Nuk e di. Për këtë duhet vullnet POLITIK. Nuk është punë që e zgjidh vetë SPAK-u.
Meqë lajmet përgjithësisht vijnë me ndërmjetësimin e burokratëve ndërkombëtarë, që i kanë shpallur sërish luftë informative presidentit amerikan dhe, hapur tashmë, Amerikës vetë me këtë rast, një lajm shembull i se si punohet për një vend në politikë ekonomike:
Trump dje ose pardje deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se, për 65 ditë që ka administrata e re e tij në krye të shtetit, ka arritur të tërheqë investime private që kapin 3.5 deri në 4 trilionë $, në SHBA.
Fjala është për kompani të cilat prodhimin e kanë pasur jashtë kufijve të SHBA-së dhe që kanë firmosur marrëveshje për të futur pjesë të prodhimit të tyre për tregun amerikan brenda SHBA-së.
Për ata që nuk e dinë, 1 trilion është barazi me 1000 miliardë ose me 1 milionë milionë.
Këtë e deklaroi në një takim me përfaqësuesit e firmës Hyundai, kompani koreano-jugore, makinat e të cilës, siç më thonë taksistët në Tiranë, kanë dalë më të fortat ndër elektriket.
Në datën 2 prill hyjnë në fuqi tarifat që janë shpallur se do të jenë reciproke me vendet e tjera të botës për Amerikën dhe, afërmendsh, priten akoma më shumë kompani dhe biznese që ngrenë ose ringrenë fabrika dhe aktivitet të tyre në SHBA, ashtu si do të bëjë Hyundai.
Hyundai-t që do të prodhohen në Amerikë, do të shiten në Amerikë për tregun amerikan, sigurisht, dhe nuk paguajnë tarifat e vendosura, siç ndodh kur automobili hyn me doganë.
Shqipëria ka situatë tjetër, është e natyrshme dhe normale. Ka pozicion tjetër gjeografik, terren tjetër, mundësi të tjera.
Ne shqiptarët deri më sot i kemi gjetur vetë zgjidhjet tona, edhe kur, në përgjithësi, shtetin dhe institucionet i kemi kundër. Jemi mësuar me gjithçka.
Por, partitë politike duhet të kërkojnë këshilla për ekonominë dhe të paguajnë ndonjë këshilltar ekonomik, jo vetëm agjentë, agjentë dhe agjentë për PR.
Alarmi që duhet të ngre është se, nëse në horizontin e jetës shqiptare nuk do të ketë asnjë njeri, as për sy e faqe, që në ndonjë fushë apo sektor të bëjë jetë normale dhe të operojë si i pavarur realisht, ky vend do ta ketë punën shumë keq dhe fundi i politikanëve do të jetë shumë fatkeq.
Është shumë e lehtë të ndryshojë kjo. Do vetëm pak mirëkuptim për shoqërinë, përtej militantëve të organizatave që e kanë kapur politikën këtu e shumë vjet.
Dy apo tre organizata të cilat po i mësojnë dhe më të mirët, më të bukurit, më të drejtët dhe më të pastrit, vetë fëmijët e tyre, shumë, shumë keq.
Asgjë krijuese, asgjë e re, asnjë ide.
Merr lista, rreshto njerëz, dil derë më derë, hap dyert për veten dhe të afërmit e tu. Partia e Punës me dajre dhe gërnetë në veprim.
Fshati në festë.
Kush ndjek futbollin, me apo pa qylafin e ballistëve që i kanë vënë në kokë, e kupton lehtë idenë se çfarë përfaqësojnë fanellat.
P.sh., i vogël kam qenë tifoz me Gjermaninë, në rini anarkike u bëra me cilindo shtet afrikan që luante mirë dhe mund të mundte një skuadër të ndonjë vendi ish-kolonialist.
Tani, më i rritur, jam tifoz me Italinë. Është evoluimi i shijeve për futbollin, por edhe i filozofisë së jetës.
Sepse, ashtu si bota, ashtu dhe njeriu ndryshon.
Por do të jetë dhe do të mbetet politikë zgjedhja e politikës shqiptare: a do të ketë vullnet, sado pak, për secilin rast të shkëputet nga riciklimi i përjetshëm i metodave të vjetra arkaike klanore, fisnore, bajraktare, që, për fat të keq, në rast se nuk do të dinë të lënë hapësirë për njerëzit e lirë, të pavarur dhe krijues, të paktën aq sa janë ata që nuk votojnë, që mund të jenë edhe mbi 50%, do ta bëjnë Shqipërinë më keq se atë landfillin e Sharrës me korba mbi kokë, pa shpresë për investime reale jete nga njerëz të lindur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që mund të kenë dëshirë të gëzojnë jetën në këtë vend, nga më të bukurit dhe me natyrën më të pasur në botë.
Ndaj po shkruaj, është kaq e thjeshtë.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
“Por do të jetë dhe do të mbetet politikë zgjedhja e politikës shqiptare: a do të ketë vullnet, sado pak, për secilin rast të shkëputet nga riciklimi i përjetshëm i metodave të vjetra arkaike klanore, fisnore, bajraktare, që, për fat të keq, në rast se nuk do të dinë të lënë hapësirë për njerëzit e lirë, të pavarur dhe krijues, të paktën aq sa janë ata që nuk votojnë, që mund të jenë edhe mbi 50%, do ta bëjnë Shqipërinë më keq se atë landfillin e Sharrës me korba mbi kokë, pa shpresë për investime reale jete nga njerëz të lindur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që mund të kenë dëshirë të gëzojnë jetën në këtë vend, nga më të bukurit dhe me natyrën më të pasur në botë.”
Bukur e ke kerryer kete por konstatimi vetem nuk mjafton ndryshimi nuk vjen nga qielli behet nga njerezit qe perfshihen ne politike dhe jo vetem konstatojne duke pritur te dale dikush te ndryshoje gjendjen.