– Metaforë e dhuruar nga natyra –

Ja, që qenka e vërtetë! Brenda brirëve – fole zogjsh! Si guxuan dhe i bënë me ato sqepa ashtu mbi koka kafshësh të pyllit?
Foleja në degët që i lëkund era, por që qëndrojnë, është e mbrojtur, ka siguri, ka dhe gjethet. Po te brirët të ngresh shtëpizën, mbi një rrezik që rend dhe s’dihet ku ikën, mbi një kokë që do të përplaset. Medoemos, kafsha do të përleshet, dihet, do t’i ngulë brirët e veta, do t’i thyejë bashkë me kokën, por po foleja?
Pse zgjodhi të jetë aty, në rrezik të përhershëm?
– Së pari te vetë brirët e tjetërkujt, – kafshë e sigurt, te kërcënimet e saj;
– dhe, së dyti, s’dihet ç’aventura vdekjeprurëse e presin kafshën tani, pastaj, nesër, në ëndërr etj., dhe foleja jote ka për ta pësuar e para, do të shprishet, do të bjerë, do ta shkelin…
I shoh i magjepsur. Ato fole ashtu nëpër brirë janë metafora të bashkëjetesës së çuditshme dhe të një ekzistence alarmante. Ky kontrast mes brishtësisë së atyre pak fijeve bari të folesë, flatrave të zogjve, vezëve të ngrohta dhe, nga ana tjetër, ashpërsisë së brirëve, armë lufte, të syve të frikshëm, të paqetë, dyshues vazhdimisht dhe kokës së kafshës që s’dihet ç’mendon a s’mendon fare, ka patjetër një mister. Një kumt…
Jetëza fluturake që rritet mbi pjesën më të pandjeshme të një korpi tjetër të gjallë, në vendin e gabuar, prehje pa prehje, siguri mbi pasiguri, e mundura tek e pamundura, të mbijetuarit atje ku s’jetohet etj.
Po a mund ta shoh edhe si një alegori të artit? Ashtu si ata zogj të vegjël që ndërtojnë foletë e tyre mbi diçka që nuk është e zakonshme për strehim, brirët në kafshë të gjalla, edhe arti shpesh lind në vende të pabesueshme e të vështira, të ashpra e të rrezikshme, gjithë mizori. Fat apo zgjedhje?
Një fole mbi brirë është një imazh që sfidon logjikën, por njëkohësisht e pasuron atë – delikatesa në egërsi, besimi te zgjedhja jote, cicërimat mbi rrashtë dhe hungërima, e bukura në humnerë… dhe vezët si poezi.
A nuk ndodh që edhe arti shpesh ndërton “fole” mbi gjithçka që është e pabesueshme, mundim? Madje edhe vetë kujtesa mbi rreziqe, mbi plagët e veta? Mbi kryet e shtetit, te brirët…
Kemi shkruar poezi edhe ndanë të pandjeshmëve, të ligjve, te brirët e mosmëshirës së tyre. Nuk donim ta besonim se po shkonim në një rrezik për ne. Dhe ashtu siç kafshët nuk e bëjnë, po na dorëzonin… në burg…
Letërsia, artet janë si këto fole. Ta mbash shpirtin të gjallë, këngën e jetës edhe atje ku duket e pamundur.
Gjithsesi unë shoh paqe në këtë imazh: kafsha vazhdon rrugëtimin e vet, duke mbartur te brirët shtëpiza të një jete tjetër që s’është e saj. Cicërima, zbutje… Një akt i pavetëdijshëm dashamirësie nga natyra, ose një urtësi që ne ende nuk e kuptojmë plotësisht. Ç’urdhër i shenjtë e sjell?
Dhe mua më vijnë zëra, rëndomshëm si koha ime, si të atyre që dhe kam hasur: Kafsha ime i ka brirët më të bukur. Po jo, kafsha ime është më e egër… Dhe shkohet deri aty sa vlerën ia japin… shtetit, kafshës, desha të thosha, që i lejoi ato fole mbi veten dhe i mbarti. Dhe ato cicërima i takojnë kafshës. Lavdi atyre brirëve si shpata epike!
Jo po Dritëroi i binte bririt vetë aq ëmbël. Po Kadare që ia hipi kafshës së egër? Lëre Koliqin, fashist ai. Pse komunist është më mirë?! A? Po fut një citat të Sartrit, jo të Kamysë. E ku t’i gjej? Jepja ta bëjë AI. Pse, më i zoti se unë është ai, maskarai?! Po them për Inteligjencë Artificiale… Dhe kritikëve megjithatë u dalin sipër brirët e realizmit socialist dhe ato të realizmit demokratik, shpesh te të njëjtat krye…
Po ne harruam zogun? Që është vetë poezia.
Po pse zgjodhi ta bëjë folenë aty ku s’bëhet? Ç’i duhej te brirët? Dhe ti e shikon si pjesë të brirëve? Po ato ishin burgu i tij. Çfarë e thirri aty? Mos e trembi tjetër gjë në pyll, a ti vetë, dhe ndjeu se më e durueshme do të ishte shpella? Gaboi? Por gabimi atë e bën më të veçantë, i jep identitetin e tij, këndoi mbi rrashtën e kafshës, te brirët, në të ftohtë. Diçka zbuti, të paktën frikën tënde dhe arriti çudinë. Dhe s’po të thotë gjë ty që shkruaje në studio të ngrohta. I bëre poezi një kafshe tmerrësisht më të keqe, diktaturës. Se edhe të dha leje krijuese kur dihej që ti s’dije ta bëje dhe sot paaftësinë tënde e trajton si persekutim, që s’ta bëri kush. Dhe u vërsulesh poezive të fshehura te brirët e kafshës? Në fakt ti e ke me poetët e burgut. Si, prapë të këndojnë ata? S’duhet të lejohen të dinë. Le që pse u futën në burg, vetë e kishin fajin. Po ca që na mburren ende se u pushkatuan pak?
S’e di, mbase u hapa shumë, por kështu ndodhka. Arti qenka mbi sfidat, mbi plagët e veta. Ngaqë krijimi, sipas meje, edhe ngjan me ato fole të çuditshme dhe ndoshta s’ka më shumë se aq: ja, kafshë me kurora brirësh, fole zogjsh edhe aty, vezë dhe cicërima, dhe…
© 2025 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.