Elbasani nuk identifikohet me shumëçka në kohën që jetojmë. Do thoja se tre janë temat kryesore për të cilat përmendet qyteti sot: titujt e kronikës së zezë, tradita e arsimit (e cila, sipas meje, mbahet gjallë tani për tani veç prej pak individëve e institucioneve, por mbi të gjitha mbi shpatullat e së shkuarës) dhe Dita e Verës. Kësaj të fundit vendosa t’i kushtoj këto mendime, ngase është kthyer në një fenomen të çuditshëm, që ngërthen më së miri çfarë ndodh në masë më komunitetin e qytetit ditët e sotme.
Historinë e Ditës së Verës thuajse të gjithë e njohin, është festë me rrënjë pagane, që prej teorive më të besueshme pranohet se na vjen nga kulti i adhurimit për Dianën Kandaviane (Diana Candaviensis), gjurmët e së cilit mund të lokalizohen sipas arkeologut austriak Karl Patsch në rrjedhën e sipërme të Shkumbinit.
Sidoqoftë, këto radhë nuk i kushtohen kësaj feste si element i identitetit të elbasanasve, si vetëdije për historinë dhe traditën që i bashkëngjitet oborreve të shtëpive përdhese të Elbasanit. Më së miri ndjesinë e ka përshkruar Jonida Xhyra-Entorf (këtu) kur thotë se po qe rritur në këto oborre nën erëmimin e portokalleve je bërë përgjithmonë rob i këtij vegimi. Unë do t’i vija pranë këtij përjetimi edhe atë të tingëllimës së kusive të bakrit, apo zhurmën e vetë brumit unik të ballakumes kur rrihet me dorë, që për efekt të forcës që kërkon në përgatitje, është rrahur përherë në masë prej burrave të shtëpisë.
Sidoqoftë, realiteti i këtyre kujtimeve është i largët nga ai që jetojnë banorët e qytetit sot. Pjesërisht me të drejtë, pasi një pjesë të traditës gjithsekush zgjedh vetë nëse do ta mbajë, apo si do ta mbajë gjallë. Por, në komunitet, siç e ndjej unë, Dita e Verës ka mbetur një vegim nostalgjik i kohëve të shkuara me vakt, për të cilat mosha e gjyshërve të mi i përgjërohet rikthimit të një mirësie të humbur mes shoshoqit, ndoshta se janë një specie njerëzish që po zhduken nga faqja e dheut. Kjo të trishton.
Festa e Ditës së Verës ka marrë sot trajtën e një festivali disaditor performativ. Muret e kalasë mbulohen prej rekuizitës së luleve e logove të stampuara mbi karton të trashë, a kushedi çfarë materiali rezistent. Kulla e Sahatit vishet me projektime holografike të animacioneve me shpërthime lulesh. Festimet fillojnë me zbarkimin e arsenalit të makinave retro në sheshin kryesor të qytetit, të cilat mund të kundrohen për ca kohë. Nata e Verës pritet me koncert të madh po në shesh, dyqane në formë shtëpizash alla tezga mbijnë si kërpudha abstrakte anash e anash. Dita e Verës e gjen sheshin të bllokuar, sa të jep idenë e një barku të fryrë kacek, që pret të shfryhet prej masës që e shtyn të maksimizojë për vdekje hapësirën e vet. Do rrugë bllokohen. Përqark zhvillohet ndonjë maratonë. Sheshi kthehet në një cirk të madh ku tradita gulçon brenda duarve të sensacionit. Të vetmin lezet e ka parakalimi i fëmijëve.
Gjithë kjo dëshirë për t’u derdhur në shesh e për të ndjekur këngët e aktivitetet e tjera do mund t’i ngjallte dikujt idenë se Elbasani ka një komunitet aktiv e të dashur, të ngrohtë dhe të kujdesshëm për të kremtuar ngjarjet që shënjojnë qytetin. Por e vërteta është se mungesa e një organizimi më të mirë, çon në përplasjen e të parit më të dytin, turistët shqiptarë e ato pak të huaj, pasi të shkunden mirë nga gjullurdia e cirkut të verës do shkojnë në po të njëjtat restorante e lokale të pozicionuara diku në kala, apo në periferi. Delegacionet me dy-tre veta të gazetarëve e kameramanëve do të stacionohen në pika me fushëpamje të pastër të manushaqeve që kanë mbirë te Gensheri. Ata më me fat do të raportojnë nga maja e kalasë. Për një ditë, Elbasani do të përmendet për mirë, do të cilësohet madje kryeqytet i vendit, do të furnizojë rrjetin me meme pa fund, do të rizgjojë diskutimet për të folmen dhe do të presë gjithë namuz përroin e fotoalbumeve që dhunojnë ekranet, për të shitur si të magjishëm këtë qytet që magjinë e humbet dita-ditës, që me zor e ruan, por që pa dyshim nuk e ka tek mania e gatitjes së një feste të sajuar e të stampuar me diçitura të diskursit politik të superlativave, që është bërë norma imperative e pëlqimit, shpërndarjes dhe komentimit sot.
Në fakt, është pikërisht kjo ditë që zbulon apatinë e dhimbshme që e ka zënë komunitetin e një qyteti, që jeton me raste dhunshëm mbi kurriz të historisë së vet, për të cilën kanë kontribuar me të vërtetë njerëz. E vërteta është se Dita e Verës është kthyer në qokën e elbasanasve ndaj pjesës tjetër të vendit. Si me thënë, ne ju presim, ju na vini, për një ditë ne ju servirim panoramën e një kremtimi shembullor, bizneset zhvendosen nga bulevardi në shesh dhe ju jetoni pjesën e mbetur të vitit më xixat e një dite që fryn balonën e po të njëjtave fakte e histori që janë bërë telef nga stërthënia vit pas viti.
Një pjesë e mirë e banorëve vendas nuk shkelin jashtë, zhurma dhe rrëmuja janë me të vërtetë lodhëse.
Dita e Verës jeton mes traditës dhe kujtimit të atyre që na e lanë, që i humbim dita ditës dhe ritmit frenetik të një qyteti gri, ku shpirti i atyre që e jetojnë është kthyer në definicionin e kompromisit.
Heshturazi, ka shumë prej atyre që do të dëshironin një qytet me zhvillim real të jetës shoqërore, kulturore, universitare etj. Në fakt, ata që ende e zhvillojnë mirë këtë qytet janë të pakët, gjithashtu nën presionin e status quo-së së fasadës perfekte, dhe kanë zgjedhur ose të zhvillojnë me forcë pozitive specialitetin e tyre, ose të heshtin dhe të jetojnë veçmas.
Ditës së Verës i mungojnë të rinjtë që e duan qytetin, e bamja kamë, vendet për të bërë piknik sipas zakonit, shpirti i elbasanasit që kanë parasysh kur flasim për individin e dashuruar pas zhvillimit e arsimit, por që nuk i ka kurrsesi kushtet për të ekzistuar mes banalitetit, verdhëllemes dhe bjerrjes në një ambient që favorizon jetesën në gri, pasi duhet të jesh i bardhë për të mos qenë i zi, por duhet të jesh gri për të qenë politikisht korrekt.
Dita e Verës është kremtim i ringjalljes së natyrës, me të cilën Elbasani nuk është treguar politikisht korrekt. Dita e Verës do të thotë asgjë për brezin tim sot, është veçse një mundësi për të ngrënë ballakume, për t’i postuar gjëkundi e për t’i çuar miqve të ngushtë disa copë.
Nuk mund të ndahen vërtetësisht përjetimet që të fal gjithësia e zakoneve dhe fryma e Ditës së Verës, kur zhduken kushtet për të ekzistuar në formën dhe elementin e vet mundësitë për ta festuar siç duhet, kur njerëzit që e festojnë nuk përpiqen ta njohin, dhe kur ata që i bie për ta përfaqësuar nuk luftojnë për ta mbrojtur të vërtetë.
JO për forcë zakoni, mot mbarë!
(c) 2025 Alem Bedhija. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Po,shumë e vërtetë,askush veç nesh,askush nuk e kupton më mirë se cila është vlera e Elbasanit,cilat janë ato gurët historik që gdhendin çdo thelb të një kulture,ndjehet,ndjehet në çdo cep që shkel,në këtë përfundim qyteti i Elbasanit mbetet një ogur i mirë i një historie të larmishme ku vlerat tradicionale dhe historike bashkohen së bashku,për të dhënë atë që do të njihet si “thesar”.