Po ndiqja një diskutim për kuptimin e emrit të përveçëm Besa, ku një nga pjesëmarrësit shpjegoi se – të paktën nga pikëpamja logjike – emri i përveçëm nuk ka kuptim; meqë, në fakt, kuptimi i emrit të përgjithshëm besë nuk i kalon vetvetiu personit me atë emër. Ky argument është trajtuar gjerë e gjatë në logjikë, por jo vetëm. Një nga gjërat e para që na patën thënë, në leksionet e Hyrjes në gjuhësi, ishte një citat nga Marksi, që paskësh thënë diku se “unë nuk di asgjë për një njeri, nëse di që atë e quajnë Jakob.” Këtu ka një të vërtetë, sepse të quhesh Jakob nuk është e njëjta gjë si të jesh presbiterian ose inxhinier ose i burgosur në kështjellën e Ifit; por citati mua asnjëherë nuk më ka bindur deri në fund, sepse të dish që dikush quhet Jakob do të thotë edhe të dish që ai – me shumë gjasë – është mashkull, i përket fesë hebraike ose asaj të krishterë, ose të paktën familja e tij i përket atij komuniteti; dhe se nuk ka gjasa të jetë italian (se ashtu do të quhej Giacomo ose Giacobbe), dhe as çek, polak apo slovak (se ashtu do të quhej Jakub), dhe as rus a i kulturave të tjera që përdorin formën Jakov, dhe as finlandez (se ashtu do të quhej Jaakko) dhe as frëng (se ashtu do të quhej Jacques) e kështu me radhë. Pra, duke ditur emrin e dikujt, mësoj shumë gjëra për gjininë e tij, fenë dhe kombësinë, edhe pse jo me siguri të plotë.
Sërish me gjasë – sepse nuk veprojmë dot ndryshe – do të supozojmë se këtë emër “biblik” ia kanë zgjedhur këtij tipit prindërit, duke ndjekur një traditë të caktuar kulturore, fetare dhe spirituale; por në disa kultura që i konformohen traditës biblike ka ekzistuar edhe tradita sipas së cilës një fëmije i vihet emri sipas shenjtit që përkon me datën e tij të lindjes në kalendarin e krishterë dhe tradita tjetër, për t’i quajtur fëmijët sipas gjyshërve ose nunëve; prandaj Jakobi i Marksit fare mirë mund të ketë pasur një gjysh ose një nun të quajtur edhe ai Jakob.
Për një emër si Besa kemi edhe më shumë informacion në dispozicion; sepse është vërtet emër vajze (gruaje), por jo i ndonjë tradite fetare – më tepër shpreh një lloj përkushtimi të emërvënësve (prindërve) ndaj traditës kombëtare shqiptare, edhe pse mund të ketë ndodhur që këta emërvënës thjesht ta kenë zgjedhur emrin sipas një Bese që u ka pëlqyer shumë, ose për të ndjekur modën. Por ndryshe nga emri Jakob, i cili vjen nga Bibla dhe atje i përket një rrëfimi (narrative) specifik, i cili edhe i jep “kuptim” (vëllau binjak i Esaut, baba i 12 djemve që u bënë 12 tributë e Izraelit prandaj edhe stërgjyshi tradicional i izraelitëve, biri i Isakut dhe i Rebekës dhe nipi i Abrahamit dhe Sarës), Besa nuk është nxjerrë nga ndonjë narrativë apo legjendë (qoftë edhe nga një vepër letrare ose film, të paktën si rregull), por është marrë nga leksiku i përgjithshëm i shqipes, ku fjala i referohet një zakoni dhe një virtyti kombëtar specifik (“mbajtja e fjalës së dhënë, armëpushimi, etj.”). Emra të tillë filluan të vihen ndër shqiptarët që iu bashkuan shpirtërisht lëvizjes së Rilindjes kombëtare, ose “zgjimit”; si një përpjekje simbolike për t’iu bashkuar vetëdijes kombëtare; prandaj vendimi i prindërve (a më në përgjithësi i emërvënësve) për ta quajtur fëmijën e tyre Besa është edhe distancim nga tradita fetare përkatëse. Nuk është zor të identifikosh, në dokumentet e gjendjes civile, përhapjen e këtij emri; përshtypja ime është se në Shqipëri filloi të përdorej jo më herët se para një shekulli (do të kthehem te statistikat në pjesën e dytë të shkrimit) ndërsa në Kosovë me siguri më vonë; dhe se tani praktikisht në Shqipëri nuk e përdorin më.
Pra, si emër, Besa shënjon edhe një praktikë kulturore që ka një fillim dhe me gjasë edhe një fund; fillimi qartazi i atribuohet dëshirës për identifikim kombëtar, por fundi nuk besoj se ka të bëjë me ndonjë dëshirë për t’iu larguar këtij identifikimi – thjesht ka ndodhur në një kohë kur identifikimi kombëtar, nëpërmjet emërvënies, nuk gjykohet më si relevant. Edhe një gjë kurioze: për shkak të një idiosinkrazie në trajtimin gramatikor të emrave të përveçëm, në Kosovë mbizotëron forma Besë, ndërsa në Shqipëri Besa: Besë Halili me shumë gjasë është nga Kosova, ndërsa Besa Halili me shumë gjasë nga Shqipëria. Forma e pashquar, Besë Halili, është gramatikisht korrekte, por forma e shquar, Besa Halili tashmë është përgjithësuar këndej kufirit. Prandaj një dëgjues i vëmendshëm do ta kish identifikuar Besë Halilin menjëherë si kosovare.
Kur më thonë se dikush e ka emrin Besa, unë mund ta mbush këtë me kuptim, në bazë të indikacioneve që solla më lart; por sërish nuk them dot nëse kjo vajzë a grua është e gjatë apo e shkurtër, e hollë apo e bëshme, e hedhur apo e drojtur, e besës apo e pabesë, e martuar apo beqare apo e divorcuar apo e ve; emri i përveçëm nuk jep dot informacione të tilla. Madje edhe kur një djalë e ka emrin Guxim, kjo nuk do të thotë se ky do të jetë i guximshëm, a guximtar – në rastin më të mirë, është thjesht dëshira e emërvënësve që ky ta ketë këtë si virtyt; dëshirë që nuk ka madje as lidhje me gjasat që djali ta zhvillojë atë virtyt vërtet. Mirëpo unë njëlloj mbetem në padije, kur marr vesh se kjo Besa është inxhiniere – sepse kjo përkatësi, këtë herë e shprehur me një emër të përgjithshëm që i referohet profesionit të Besës, nuk më thotë asgjë për pamjen e saj, hobby-t që ka, shijet në veshje, librat që lexon, etj. Dua të them – nuk shoh ndonjë dallim të madh, në funksionin semantik, midis vetisë së emrit Besa për të më treguar një vajzë a grua, dhe vetisë së cilësimit profesional inxhiniere për të më treguar, pikërisht, profesionin që ajo ka. Nëse vihemi të krijojmë një bashkësi, me të gjitha inxhinieret në botën shqiptare, do të mund të nxjerrim edhe një përshkrim të kësaj bashkësie; por edhe nëse vihemi të krijojmë një bashkësi me të gjithë personat e quajtur Besa, në botën shqiptare, mund të përftojmë një përshkrim sado minimal që thotë, mes të tjerash, se ato janë vajza dhe gra, dhe se kanë lindur në një periudhë të caktuar.
Por ka edhe diçka tjetër. Kur unë mendoj për emrin e përveçëm Besa, nuk më vjen ndërmend dëshira apo synimi i emërvënësve, dhe as kultura patriotike e tyre; por më shfaqen, në përfytyrim, disa Besa që kam njohur në jetë, dhe të tjera – për shembull aktore, studiuese, shkrimtare – që kanë qenë vetvetiu të njohura në publik. E përbashkëta e tyre, për mua tani, është që kanë qenë quajtur Besa; në kuptimin që për një person të caktuar, ta kesh emrin Besa, është po aq karakteristikë unike sa pamja, sjellja, zakonet, e kështu me radhë. Nuk ka asnjë gjasë që unë ta ngatërroj një Besa me një tjetër, ngaqë kanë të njëjtin emër – madje edhe po të mos ua di mbiemrat; sepse si emër i përveçëm, Besa gjithnjë më vjen i bashkëlidhur me tipare të tjera unike të atij personi, si pamja, zëri, mënyra e ecjes, etj. Në këtë rast, mund të them se Besa, si identifikues, ka një funksion sa të njëjtë aq edhe të kundërt me atë të përemrit ajo: ky i fundit thjesht një deiktik, një fjalë që “tregon me gisht”, ndërsa emri i përveçëm me kuptim të pafund (sepse përmbledh gjithçka që është dhe që ka qenë dhe që bën dhe që ka bërë e kështu me radhë, Besa “ime”).
Nga ana tjetër, tek emri – çdo emër – gjejmë të paktën dy shtresa të kuptimit: e para ka të bëjë me statusin e emrit brenda kulturës dhe komunitetit ku jeton personi përkatës; e dyta i referohet aktit ligjërimor (performativit) të vënies së emrit. Shtresa e parë shtrihet në kohë, meqë lidhet me një karakteristikë statike të personit; e dyta kufizohet brenda një momenti, një rituali, një ceremonie që është ajo e emërvënies (pagëzimit, në disa kultura) dhe që shoqërohet me kufizime të rëndësishme. Duke filluar nga ai se cili person, grup personash, institucion ose autoritet e ka legjitimitetin për t’i vënë emër një personi, zakonisht fill pas lindjes, por edhe më parë ose më vonë. Këtu mund të vijnë në vështrim natyrisht prindërit, por jo vetëm; sepse emrin mund ta vërë edhe një i afërm, ose një institucion – p.sh. kisha, e kështu me radhë, por gjithsesi nuk mund ta vërë kushdo dhe sipas qejfit. Emërvënia parakupton një autoritet të legjitimuar për ta ushtruar. Në rastin e emrave në Shqipëri, sidomos për emra si Besa dhe të tjerë që viheshin rëndom gjatë viteve të totalitarizmit, hyn në lojë edhe autoriteti shtetëror, që vepronte përmes nëpunësit të gjendjes civile dhe listës së emrave të sugjeruar a të rekomanduar dhe që pengonte madje ndalonte disa praktika të emërvënies, që lidheshin me fenë; dhe praktika të tjera që buronin nga bestytnitë (emra të tillë si Sose, Mbarime, Mjaftime, Shkurte; ose të tjerë të gjykuar si të papërshtatshëm, p.sh. Peshk). Ky autoritet politik dhe kulturor, që shfaqej si kufizim gjatë aktit të emërvënies, supozohej se shprehte vullnetin sovran; duke përcjellë, në thelb, mënyrën si dëshironte ta përfytyronte veten shoqëria në atë kohë.
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.