Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

INTERESI PUBLIK DHE FLOKTORJA “ALMIRA”

Një nëpunës i bashkisë së qytetit të Durrësit, u shfaq në derën e floktores “Almira” më 11 janar të 2024-ës. Thuhet se nëpunësit – si rregull dy nga dy – i kishin nisur prej gati dhjetë ditësh vizitat për të lënë lajmërime në objektet e shënuara me bojën lila në hartën e Planimetrisë së Ndërhyrjeve Prishëse. Te floktorja “Almira”, lajmësi ishte i vetëm, e ndoshta për këtë arsye, ndërsa orvatej në emër të ” interesit publik”, t’i përcillte familjes vendimin e bashkisë për shembje të godinës së biznesit të tyre të rregullt, kishte ndarë me ta habinë e keqardhjen.

Në vitin 2015, për shkak të një artikulli që pata shkruar, ”Xie Xie e la terra di mezzo”, pronarja e floktores “Almira”, kish ngjallur kërshërinë e disa lexuesve në Bolzano. Ca prej tyre, që ishin gjendur pastaj në qytetin e Durrësit, ishin përpjekur ta gjenin floktoren në rrethinat e amfiteatrit, në bark të rrugicës së Mustafa Bashës. Ja si e pata përshkruar asokohe:

Mikja ime Almira, që ka një parrukeri të thjeshtë në anë të një xhamie të thjeshtë që sheh nga deti, nuk më lë të paguaj më shumë se dhjetë euro. Rrugica pas portave të parrukerisë çon drejt amfiteatrit thuajse dymijë vjeçar; teksa, mbështetur në murin e xhamisë, sheh gjithmonë nomadë të ngazëllyer, banorë të lagjes, që zbrazin thasë mbushur dëng me tesha të përdorura. Rruga në të djathtë të floktores gjarpëron për disa qindra metra drejt kishës ortodokse. Pas saj, për të njëjtën distancë, merr drejt katolikes. Nga salloni, duke gjerbur kafenë, me flokët e mbështjellë me një copë të butë ngjyrëndezur, vërej zonja të tjera si unë, që shkojnë e vijnë nëpër rrugica, me kryet që u kundërmojnë bojë, vaj ulliri e kush e di çfarë. Dera e Almirës hapet pareshtur, e në të shfaqen zonja të moshuara, me peshqirë mbi supe, që pyesin, që gërthasin, që përplasin kanatin, për t’u kthyer pastaj me një byrek të ngrohtë…”

Në rrugicën Mustafa Basha të qytetit të Durrësit, Almira Ushina ka mbetur e vetmja qëndresë, së bashku me shpresën për të mbajtur në jetë identitetin e rrugës që me gjasë po humbet. Realitete të tilla janë limfa të prekshme të brendisë së qyteteve, që ia kanë dalë mbanë, me shumë rropatje e akrobaci, t’u mbijetojnë peripecive, teatrove stoike të korrupsionit, kërleshjeve të përditshme banale, fatalitetit tipik ballkanik. Rripi i rrugës ku vendoset floktorja, është një nga ata që i vijnë rrotull amfiteatrit përzemërsisht, pa ia cenuar madhështinë. Më parë, në këtë rrugicë, në të majtë, të shihte syri dy vila të vjetra, të rrënuara, bija dinjitoze të moshës e të historisë së rrugës. Sot njëra prej tyre është shembur e mbi të është ngritur një hotel. Ngjitur me të, në të majtë të floktores, ndonëse katandisur në gërmadhë, mbahet ende e dyta. Mbi hartë, është e shënuar me të kuqe, që do të thotë shembje për rikonstruktim. Gojë të liga thonë, se porsi me vilën e parë, shembja nuk bëhet për ringjallje, por për të ngritur një tjetër godinë të re e të lartë. Mbi hartën e Planimetrisë së Ndërhyrjeve Prishëse, floktorja e Almirës, numri 45L, është shënuar me bojë lila, që do të thotë “objekt i propozuar për prishje”. Dy metra përballë saj, aty ku deri një vit më parë gjendej vila e tretë dykatëshe, po ngrihet një godinë që tani natyrshëm ka hedhur edhe katin e tretë. Dikur në rrëzë të godinës së vjetër, asaj që u shemb, punonte këpucar Timi. Ai vetë rrallë e tek dukej para punishtes së tij të thjeshtë. Përhumbej brenda me shuaj këpucësh të vjetra, shapka e sandale, ndërsa jashtë linte, si për syrin e keq, një tavolinë të vogël e rakitike. Kjo godinë e re mbi të vjetrën, që e mbulon pamjen e amfiteatrit, në hartën e Planimetrisë së Prishjeve, rezulton pa shenjë. Mbi hartë vërehet viza e kuqe, diku ovale e diku e çrregullt që qarkon zonën A të Durrësit, të shumëpërfolurën për ndërtesa pa leje, që nuk shemben. Për shembje banesash e biznesesh të rregullta, që ka shumë gjasa të mos kursehen.

Janë fate njerëzish, komunitete që gëlojnë, ato që për PIM-in*, financuar nga AADF* me porosi të Ministrisë së Kulturës, shndërrohen në shenja, ngjyra, pika, trekëndësha e rrathë.

Shumë prej pronarëve të ligjshëm të zonës arkeologjike u është lajmëruar shpronësimi në formën më të ftohtë të mundur e kundrejt një kompensimi qesharak. Kjo, së rëndomti, në emër të ”interesit publik”.

Përveç vizitës së parë kobsjellëse në janarin e shkuar, ngjan se asnjë thirrje për dakordësi nuk u është bërë pronarëve të dëmtuar. Nuk rezulton as të jenë ftuar si palë të interesuara aty ku këto këshillime – siç lexoj me çudi në faqet e PIM-it, këshillohet të bëhen (apo janë bërë?) me shoqatat e qytetit, të të verbërve, të arkitektëve, të artistëve e të autoktonëve. Të dëmtuarit, sikur të ishin fajtorët, i njohin fatet e tyre rastësisht. Por ata janë të inatosur edhe me “interesin publik”!

Interesi publik? Në Itali, pikësëpari” – më thotë Serenella Margotti, topografe, – ”pa miratimin paraprak të pronarëve nuk bëhet asgjë! Si për rikualifikim të zonës ashtu edhe në rast shpronësimi. Është çmenduri që të mos përfshihen në radhë të parë pronarët! Natyrisht që si palë e interesuar mund të jenë Ministritë Përkatëse, pasuritë kulturore, etj., por nga ana tjetër, nuk mund të mungojnë kurrë pronarët që u rrezikohen pronat e bizneset! E tek ne, shpronësim, mund të ketë vetëm në raste kur ngrihen struktura që janë pikërisht të interesit publik. Në interes të komunitetit, pra! E interes i komunitetit është një spital, një rrugë, një shkollë, një tren, e jo një pallat, një hotel, një parkim makinash…”

Kompensimi minimal i një trualli që vlen edhe dy herë aq, nuk i shëndosh dot plagët që do t’u shkaktojë shpronësimi familjeve të dëmtuara. Shumë prej tyre janë të sfilitur për t’ia nisur nga e para, ca prej andrallave të vjetra e të reja, ca prej huave që ende nuk i kanë shlyer, ca prej harxheve që tashmë nuk ua mban më xhepi. Në faqet e PIM-it*, vlerave sociale të qendrave urbane, u jepet rëndësi po aq sa edhe atyre historike, shkencore e kulturore.

Kjo shoqëri e fuqishme( durrsake) formohet nga lidhjet familjare dhe strukturat, miqtë, fqinjët dhe kolegët. Sidoqoftë, është mjedisi fizik që e ushqen dhe lehtëson këtë”*, shkruhet aty.

Për fat të keq, përkujdesja e mësipërme nuk rezulton aq e mirëqenë. Qytetit të vjetër, nga një lloj përzgjedhje e paqartë dhe ngase po i shemben strukturat fizike, rrezikon t’i humbasë identiteti, “mjedisi fizik që e ushqen dhe e lehtëson këtë”, duke ia prerë shërbimet, lidhjet miqësore e të fqinjësisë të krijuara prej qëkur.

Familjet si të Ushinës, janë ajo pjesë e publikut( ose e komunitetit) që u ka hasur sharra në gozhdë edhe me ligjin e Investimit strategjik.

Dhjetë vjet më parë, më 2015-ën, u miratua projektligji i Investimeve Strategjike, ligj i cili që prej asokohe, thjeshtëzon shpronësimet e pronës private për interes publik edhe aty ku ky interes, kaq publik nuk duket. Asokohe, ligji premtonte të synonte joshjen e investimeve të huaja direkte për të sjellë mundësi të reja zhvillimi në sektorët urgjentë. Në bujqësi, në energjitikë, komunikacion, turizëm, bujqësi.

Sot, ky ligj, me dy skadenca të shtyra, ka sjellë investime, në pjesën më dërrmuese në sektorin turistik, të ndërtimeve, e për pasojë të betonimeve. Shumica e investitorëve strategjikë ngjajnë të mos jenë as të huaj, e as strategjikë dhe interesi publik po përdoret si dikur emri i “popullit” në arrestimet e natës, kur populli në të vërtetë flinte.

Duket sikur një pjese të publikut po duan t’ia tkurrin interesin, aq sa ta shpronësojnë nga interesi i tij, për interes të një publiku tjetër.

Në rastin tonë, ngjan se ky publik ( ose komunitet), nuk dashka më shërbime në rrugicën Mustafa Basha, as këpucari e as floktore.

Publiku (ose komuniteti) dëshiroka investitorin strategjik, godina të larta, parkime makinash, në një truall të lashtë, që mban me vështirësi vetveten e tij të gjymtuar por të lavdishme, e aq më pak peshat arrogante të Investitorit Strategjik me interes të paqartë publik.

 

(c) 2025 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat janë të autores.


*Plani i Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike A & B të qytetit të Durrësit
* PIM/ fq. 10
* AAFD/ Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin