Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

ALKIMIA E DYSISË SË SHPIRTIT

 Titulli origjinal: Nga Zhan D’Arka te motra e Halit Garnisë: Alkimia e dysisë në shpirtin njerëzor

nga Fatos A. Kopliku

Çiftet qiell e dhé, ditë e natë, burrë e grua, jang e jin… kanë të brendashkruar ndërplotësinë dhe jo epërsinë. Ashtu siç “nuk mund të flitet për epërsi ose mangësi të zjarrit ndaj ujit”, shprehet filozofi italian Julius Evola, po ashtu nuk mund të flasim për epërsi apo mangësi të burrit ndaj gruas.[1] Kujtojmë se dysia jang e jin është koncept themelor i kozmologjisë së Azisë Lindore, por që ndeshet me fjalorin përkatës edhe në tradita të tjera.[2] Ndër cilësitë jang janë ato të madhështisë, të rreptësisë, të logjikës, të botës së dukshme të veprimit, ndërsa ato jin përfshijnë bukurinë, mëshirën, imagjinatën, botën e mistershme të mendimit.[3] Në pjesën e parë të shkrimit pamë se sipas kozmologjive tradicionale bota dhe njeriu janë pasqyrë e njëri-tjetrit.[4] Gjithashtu, si tek bota, ashtu edhe tek njeriu ndodh prore një ndërthurje pafundësisht e larmishme mes cilësive jang dhe jin, një varg pambarim martesash mes tyre, siç shprehen disa nga autorët e cituar në shkrimin e parë. E thënë ndryshe, martesa mes cilësive jang the jin ndodh, gjithashtu, në rangun e shpirtit njerëzor dhe çdo njeri mbart me vete një gamë ndërthurjesh të papërsëritshme të tyre.

Në përgjithësi, sipas kozmologjive tradicionale, te burri mbizotërojnë cilësitë jang, ndërsa te gruaja cilësitë jin. Kuptohet se madhështia e vërtetë nuk mund të mos ketë bukuri, dhe bukuria e vërtetë nuk mund të mos rrezatojë madhështi, por është dhe mbetet çështje theksi te çdo njeri. Gjithashtu, nënkuptohet se edhe trajtat e përmbysura të këtyre cilësive janë më se të pranishme – p.sh., mendjemadhësia është një karikaturë e  madhështisë, ose ngurtësia është rreptësi e vyshkur, e panjomur nga mëshira, e kështu me radhë. Sidoqoftë, ka gjithmonë përjashtime dhe është më se e mundur që tek një grua të mbizotërojnë cilësitë jang dhe te një burrë ato jin. Kjo nuk i bën ata më pak gra ose burra, përkundrazi. Sipas botëvështrimit premodern, përfundimisht “era fryn nga të dojë[5] dhe kjo do të thotë që “përjashtime” të tilla janë në të vërtetë pjesë e pandashme e natyrës së gjërave. Do të sjellim dy shembuj, një nga historia dhe një nga folklori.

Marrim rastin e Zhan d’Arkës (1412-1431), një nga figurat themelore të historisë së Francës. Në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, gjatë luftës 100-vjeçare mes Anglisë e Francës, qyteti i Reimsit kishte rënë në dorë të anglezëve. Gjendja ishte tepër delikate për mbretin e ri të Francës, sepse kurorëzimi i tij nuk mund të ishte i ligjshëm nëse nuk bëhej në Katedralen e Reimsit. Në sytë e popullit francez të asaj kohe kurorëzimi i mbretit në atë katedrale shihej si dëshmi e mbështetjes së Vullnetit Hyjnor. Nuk vonoi shumë dhe me ose pa ndihmën e anglezëve filluan të qarkullonin fjalë se mbreti i Francës nuk e gëzonte më Bekimin Hyjnor, pasi Zoti, me anë të anglezëve, nuk e lejonte atë të kurorëzohej në Reims. Në një gjendje të tillë shfaqet në oborr të mbretit Karli VII një vajzë e thjeshtë 17-vjeçare nga një fshat i krahinave verilindore të Francës. Ajo kishte kërkuar takim me mbretin, sepse, sipas saj, ajo ishte udhëzuar nga vegime të engjëllit Shën Mikel dhe të shenjtores Shën Katerina. Pas një sërë pyetjesh e sprovash, mbreti pranon të takohet dhe biseda me të lë shumë mbresa të forta tek ai.[6] Asaj i jepet parzmore, flamur ushtarak i posaçëm dhe dërgohet në Orlean, një qytet tjetër që kishte rënë në dorën e anglezëve dhe rrethimi i të cilit kishte më se gjashtë muaj që vazhdonte pa sukses. Morali i ushtrisë ishte përtokë, por sapo arriti ajo në kamp, ndikimi i saj mbi ushtarët e kalorësit ishte i menjëhershëm, dhe brenda pak ditësh me Zhan d’Arkën në krye ata arritën të çanin mbrojtjen e Orleanit.[7] Kjo u hapi rrugë një sërë ngjarjesh e betejash që pas dy muajsh çojnë në marrjen e Reimsit, kurorëzimin e mbretit të Francës atje, e përfundimisht, dy dekada më vonë, fitoren vendimtare të Luftës 100-vjeçare me Anglinë.

Për ta vënë rastin e Zhan d’Arkës në kontekst dhe për ta kuptuar më mirë, e ftojmë lexuesin të imagjinojë një vajzë adoleshente nga zonat rurale të Amerikës që shkon në Shtëpinë e Bardhë, bind Presidentin dhe stafin, dhe më vonë fiton besimin e gjeneralëve të Pentagonit për t’i udhëhequr ata dhe ushtarët e tyre në luftë. Disa studiues janë përpjekur të shpjegojnë vizionet e Zhan d’Arkës si pasojë çrregullimesh psikologjike dhe neurologjike, halucinacione ose edhe skizofreni.[8] Nuk është qëllimi ynë të ndryshojmë bindjet personale apo institucionale, por nuk mund të mos vërejmë se shpjegime të tilla nuk kanë bazë shkencore apo eksperimentale, sepse nuk mund të testohen, e aq më pak të vërtetohen. Nga ana tjetër, përfundimi i pashmangshëm është se jo vetëm që Zhan d’Arka ishte psikologjikisht e paqëndrueshme, por edhe e gjithë Franca e asaj kohe, bashkë me familjen mbretërore, oborrtarët, klerikët, ushtarakët e të gjithë me radhë e “hëngrën këtë kokërr ulliri” dhe iu besuan fjalëve e udhëzimeve të saj. Po ashtu, duke ndjekur këtë vijë logjike, është vështirë të mos arrihet në përfundimin se nëse francezët e asaj kohe do ta kuptonin e shpjegonin fenomenin e Zhan d’Arkës sipas psikologjisë moderne, atëherë nuk do të kishte më Francë ashtu siç e njohim sot. D.m.th., na mbetet në dorë shpjegimi se zanafilla e fitores së Luftës 100-vjeçare të Francës ndaj Anglisë është në saje të një halucinacioni kolektiv të francezëve të shekullit XV, ose në saje ethesh naiviteti që pezulluan arsyen e shëndoshë të tyre, por që fatmirësisht përfundoi mbarë e mirë për ta. E ndiem të nevojshme të ndaleshim për të adresuar shkurtimisht “shpjegimet racionale” të rastit të Zhan d’Arkës, që sipas sociologut Robert Bellah vuajnë nga paragjykimet e presupozimet mbi natyrën e realitetit dhe të njeriut, si edhe nga reduksionizmi, të cilin ai e përkufizon si “prirjen për të shpjeguar tërësinë si shumë fragmentesh të thjeshtëzuara dhe për të zbuluar nxitje, nevoja dhe interesa biologjike, psikologjike dhe shoqërore në themelin e formave të ndërlikuara kulturore.”[9] Njëkohësisht, edhe nga ana mjekësore ka një sërë pikëpyetjesh që mbesin pa përgjigje, sepse simptomat që përmenden nga gjyqësori nuk janë të mjaftueshme për një diagnozë.[10]

Sidoqoftë, qëllimi i shkrimit mbetet qasja e kozmologjive premoderne në nivelin e shpirtit njerëzor, dhe sipas tyre rasti i Zhan d’Arkës ilustron gruan, bota e brendshme e së cilës është tërësisht pasive (jin) ndaj frymëzimit, sido që ai të quhet, “parimor”, “shpirtëror”, “engjëllor”, “përndritës” etj. Njëkohësisht, në marrëdhënie me njerëzit ajo është skajimisht aktive, elementi jang është mbizotërues. Kujtojmë se, mes të tjerash, ajo udhëhoqi ushtarët dhe kalorësit francezë në beteja, udhëzoi dhe bindi mbretin, dinjitarët e fesë, oborrtarët, dhe gjithë popullin francez për aftësinë dhe misionin e saj.

Shqipja ruan një fjalë të përshtatshme për gra të tilla, “burrneshë”, fjalë e cila, me sa dimë, nuk gjendet në gjuhë perëndimore. “Burrëria” mund të përkthehet edhe si virtyt, nëse kemi parasysh se rrënja e “virtytit” në latinisht është vir, që do të thotë “burrë” ose “i pjekur”.Vërejmë se theksi është te “burrëria” si cilësi dhe jo te gjinia, sepse nuk përdoret fjala mas, që do të thotë mashkull. Nga kjo qasje, “burrëria”, ashtu si virtyti, nuk ka të bëjë me gjininë. Si në atë shqiptare, po ashtu si në tradita të tjera, “burrnesha” është një arketip i njohur nga historia dhe folklori.[11] Ka mjaft shembuj nga historia dhe legjendat botërore që dëshmojnë për gruan mbretëreshë, luftëtare, prijëse të burrave qoftë në fushë të betejës apo shesh të kuvendit, apo gruan me tipar jang, burrnor, që imponon frikë e respekt. Lista do të ishte e gjatë dhe do të na largonte nga tema.

Sidoqoftë, ia vlen të përmendet një shembull nga Kënga e Halit Garnisë, një nga këngët më të njohura popullore. Aty flitet për një ngjarje shumë të rëndë, në të cilën zonja e shtëpisë vret të shoqin dhe të birin kur e merr vesh se ata, pasi e ftojnë si mysafir në shtëpi, presin në besë vëllain e saj duke ia fshehur armët dhe duke e dorëzuar te armiqtë e tij.[12] Nëse e gjykojmë këtë ngjarje përmes syzeve të botëkuptimit modern, ajo mund të duket anakronike dhe groteske, megjithëse jo rrallë gjykimet hedhin dritë mbi botëkuptimin e gjykuesit, po aq sa mbi objektin e gjykimit. Motra e Halit Garnisë vret të shoqin dhe të birin, sepse ata thyen atë që s’duhet të thyhet, besën ndaj mikut.[13] Ata kryen një veprim haram (ḥarām), dhe termi islam është i përshtatshëm për ta përshkruar dhe kuptuar seriozitetin e gjendjes, sepse kjo fjalë do të thotë “e ndaluar”, por, njëkohësisht, në një kontekst tjetër do të thotë edhe “e shenjtë”.[14] Me një fjalë, me atë veprim që bënë burri dhe i biri i së motrës së Halit Garnisë, ata shkelën në truall të shenjtë dhe të ndaluar, dhe pas një shkeljeje të tillë – sipas botëkuptimit shqiptar të asaj kohe –njeriu nuk ka kuptim dhe as të drejtë të jetojë më. Ajo e vuan tmerrësisht të qenët xhelate e të shoqit dhe e të birit:

Kur ja vuna thikën burrit/Thash se më dolën vllaznit prej vorrit.
Kur ja vuna thikën djalit/Thash se më dolën syt e ballit.

Njëkohësisht ajo nuk ka zgjidhje tjetër, nuk ka mëdyshje, dhe vepron si Erinitë e mitologjisë që dënonin pa ngurrim ata që thyenin besën dhe betimet, apo si “zanë mali” do të shpreheshin bashkëkohësit e saj. Para se të indinjohemi se si kjo grua vrau burrin e djalin, duhet të kuptojmë se ajo nuk do ta kursente as të vëllanë nëse do të kishte qenë ai besëshkali. Në një botëkuptim të tillë është parimi, është besa që mbretëron. Çdo gjë peshohet e vlerësohet në kandarin e saj.

Ia vlen ta krahasojmë këtë me një shembull nga letërsia, nga një roman i shkrimtares më të njohur finlandeze Aino Kallas (v. 1956). Në tregimin Imanti dhe e ëma, nëna e personazhit kryesor mëson se i biri, në bashkëpunim me të tjerë, po kurdisnin një kryengritje kundër parisë së vendit.[15] Për të shpëtuar jetën e djalit të saj, ajo bën pazar me parinë dhe shet rebelët, të cilët gjurmohen dhe eliminohen. Kur Imanti e merr vesh se nëna e tij ishte arsyeja që plani dështoi dhe shokët iu vranë, ai vret veten. Në të dyja rastet thyerja e besës ndiqet nga tragjedia dhe në të dyja rastet janë nënat që vrasin bijtë e tyre. Dallimi qëndron se në rastin e motrës së Halit Garnisë, ajo është e aftë të dallojë përmasën e gjëmës së besëshkeljes dhe bëhet vetë instrument i drejtësisë. Në këtë mënyrë, në botëkuptimin premodern, ajo është njeri i plotë: grua, nënë ndërsa mishëron cilësitë jin dhe, në të njëjtën kohë, shpatë e drejtësisë, duke mishëruar cilësitë jang. Në rastin e nënës së Imantit kemi të bëjmë me një grua që përpiqet të sigurojë jetën e të birit me çdo kusht, pa u udhëhequr nga ndonjë parim – jin pa jang. Si rrjedhojë, me veprimin e saj ajo bëhet shkak i vetëvrasjes së të birit – drejtësia (jang) u imponua mbi të.

Megjithëse kjo është temë që kërkon trajtim në vete, mund të përmendet se në një nivel më të lartë kemi martesën e shpirtit të njeriut me Fjalën Hyjnore (Logos) siç e shohim në krishterim, p.sh., ku murgjit ose murgeshat e shohin veten si nuse të Krishtit, Logos-it.[16] Ose në traditën islame të sufizmit, Mevlānā Xhelāledīn Rūmī, “poeti më i madh mistik i tëra kohërave” siç e quan Reynold A. Nicholson, lë porosi që natën e vdekjes së tij ta quajnë Sheb-i Arūs (Natë e Nusërisë), sepse atë natë shpirti i tij do të ishte nusja që më në fund do të kthehej tek i Dashuri i saj, Zoti.[17]

Skulptorë të shpirtit

Fig. 1: Piktura ‘Harabel mbi degë të thatë’ me autor shpatarin më të famshëm të Japonisë, Mijamoto Musashi (v. 1645), mbahet si një nga kryeveprat e artit japonez. Muzeu i Arteve Kuboso, Izumi, Japoni.

Ndonëse ne u ndalëm vetëm në dy shembuj, besojmë se lexuesi nuk do ta ketë të vështirë të imagjinojë se sa pafundësisht unike janë ndërthurjet mes cilësive jin e jang në karakterin e çdo njeriu. Sipas kozmologjisë premoderne, dëshmia e martesës së suksesshme të cilësive në shpirtin e njeriut është harmonia në veprimet, sjelljen dhe qenien e tij apo të saj. Kjo do të thotë se cilësitë e prirjet nuk janë të pandryshueshme, përkundrazi. Ato mund të latohen e të shndërrohen, dhe megjithëse kjo nuk është diçka e lehtë, ajo është e këshillueshme, në mos e domosdoshme. P.sh., kultivimi i cilësive jang në dëm të atyre jin çon në ashpërsi, ngurtësi dhe veprim pa mendim. Nga ana tjetër, kultivimi i cilësive jin pa jang çon në nënshtrim, amullí dhe mëdyshje pa mbarim. Idealja është që ky kultivim të bëhet në baraspeshë, çka çon në një shndërrim alkimik të karakterit të njeriut, nëse mund të shprehemi kështu.

Nga kjo prapavijë kozmologjike është më e lehtë të kuptohet se pse luftëtarët samurai të Japonisë, një nga karakteret historike më jang, më burrnorë në historinë e njerëzimit, ishin të detyruar të mësonin, madje të krijonin, poezi, pikturë dhe kaligrafi si pjesë e trajnimit të tyre luftarak (shih fig. 1). Kësisoj shpirti i luftëtarit nuk vrazhdësohej nga jang-u i tepërt dhe njëkohësisht besohej se aftësitë e tij marciale përsoseshin vetëm kur të kishin zotëruar cilësitë jin të ndjeshmërisë ndaj së bukurës, finesës dhe krijimtarisë.[18] Në mënyrë të ngjashme, kalorësit europianë të Mesjetës, përveç trajnimit në artet marciale, duhet t’i thurnin vargje dashurie, të mendonin, të vuanin për një grua, e cila duhet të ishte e martuar, çka do të thotë, me gjuhën e asaj kohe, se ajo duhet të ishte e paarritshme për ta. Synimi ishte kultivimi i ndjenjës së respektit, përulësisë dhe dashurisë ndaj një gruaje që s’mund të ishte kurrë e tyrja.[19] Në këtë mënyrë, për kalorësin ajo shndërrohej në njëfarë shëmbëlltyre të urtësisë, bukurisë e mëshirës, duke i mundësuar atij kultivimin i jin-it si kundërpeshë ndaj jang-ut që ua kërkonte vokacioni. Duke e mbrujtur me harmoni të brendshme karakterin e tyre, kalorësit mesjetarë, ngjashëm me ata samurai, përsosnin aftësitë e tyre marciale. Kujtojmë se në Komedinë Hyjnore Dantja e çoi këtë ide në një majë edhe më të lartë, duke e shndërruar vajzën e hijshme nga Firence, Beatriçen, në prijësen shpirtërore të tij drejt bjeshkëve të paana të parajsës, matanë e përtej botëve që përshkoi krah Virgjilit, mishërimit të arsyes e të filozofisë.

Përfundime

Ky ideal e kjo qasje ishin të ndërthurura jo vetëm në ushtrimin e arteve marciale, por në pothuajse çdo veprimtari paramoderne –bujqësi, rituale, marrëdhënie njerëzore, e në veçanti zejtari e art…[20] Në këtë botëkuptim, veprat, puna ose vokacioni shiheshin si mjete që ofronin mundësi për të mbrujtur në harmoni atributet e karakterit njerëzor. “Arritja më e madhe e zejtarit është zotërimi i vetvetes”, shprehet autori zviceran Titus Burckhardt.[21] Të tjerë, ndoshta më të padurueshëm, përpiluan mënyra nga më të ndryshmet për të kuruar të metat. Duke cituar një metodë nga një trajtesë greke e etikës, teologu dhe filozofi pers Ghazzālī (v. 1111) jep shembullin e një dervishi që e çliroi veten nga zemërata (jang i tepërt) duke paguar një njeri që ta fyente vazhdimisht në publik. Si rrjedhojë, duke u detyruar të durojë fyerjet e vazhdueshme, ai arriti të kultivojë vetëpërmbajtje shembullore.[22] Në botëkuptimin paramodern, herë pas here, përmirësimi apo edhe përsosmëria e karakterit shfaqet si një nga qëllimet dhe shqetësimet kryesore të shoqërisë. Siç thuhet në tekstin klasik kinez Jiçing (I Ching): “një jin dhe një jang. Kjo është Dao-ja. Të trashëgosh nga Dao-ja është mirë. Të aktualizosh Dao-n është natyra thelbësore njerëzore.”[23] Me sa duket, në çfarëdo forme qofshin, kozmologjitë tradicionale kërkojnë të lënë hapur shtigjet që njeriu mund të ndjekë për të përsosur vetveten, synimin thelbësor të natyrës së vet.

 

(c) 2024 Fatos A. Kopliku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.


[1] Julius Evola, Eros and the Mysteries of Love: The Metaphysics of Sex (Inner Traditions, 1983), ff. 33-34. Origjinali në italisht është Metafisica del Sesso (Edizioni Mediterranee, 1969).

[2]Për më hollësi shih p.sh., ‘Yin and Yang’ në René Guénon, The Great Triad, trans. Peter Kingsley (Cambridge: Quinta Essentia, 1991).

[3] Numri i këtyre cilësive është i pafund. Në traditën skolastike dhe aristoteliane jang përkon me atë që është “në veprim” ndërsa jin me atë që është “mundësi”. P.sh., aftësia për t’u shprehur mund të shihet si jang, ndërsa ajo për të dëgjuar si jin.

[4] Shih Fatos A. Kopliku, ‘Burr’ e grue, qiell e dhé: martesa sipas kozmologjive premoderne’, Peizazhe të Fjalës, nëntor 2024.

[5] Gjoni, 3:8.

[6] Fillimisht, ajo ftohet në oborrin mbretëror, ku mbreti ishte veshur si oborrtar i thjeshtë. Nëse vasha me të vërtetë kishte dhunti nga shenjtorët, siç ajo thoshte, atëherë duhet të ishte e aftë ta njihte mbretin mes oborrtarëve të tij, edhe pse nuk e kishte parë kurrë më përpara.

[7] Zhan d’Ark u bashkua me trupat rrethuese franceze me 29 prill të vitit 1429. Pas nëntë ditësh, me 8 maj, Orleani ra në dorë të francezëve.

[8] Shih p.sh., Clifford Allen, “The schizophrenia of Joan of Arc”, History of Medicine (London), 6 (3–4), (1975): 4–9; Giuseppe d’Orsi; Paolo Tinuper. “´I heard voices …´: from semiology, an historical review, and a new hypothesis on the presumed epilepsy of Joan of Arc”. Epilepsy & Behavior. 9 (1), (2006): 152–157.

[9] Robert N. Bellah, “Biblical Religion and Social Science in the Modern World”, The National Institute for Campus Ministers Journal, 6, 3 (1981): 8-22.

[10] Shih Philip A. Mackowiak, Post Mortem: Solving History’s Great Medical Mysteries. (American College of Physicians, 2007), ff. 138-139.

[11]Termin “arketip” e përdorim në kuptimin burimor platonik, në të cilin ka status ontologjik mbishqisor, dhe jo në kuptimin jungian si substrat i mbeturinave të subkoshiencës kolektive. Për më gjatë, shih esenë ‘Modern Psychology’ në Titus Burckhardt, Mirror of the Intellect, trans. & ed. William Stoddart (New York: State University of New York Press, 1987).

[12] Kjo këngë e njohur edhe me titullin “Fryu era u çel taraba” është kënduar nga shumë artistë shqiptarë, dhe në veçanti ia vlen të përmendet Fitnete Rexha. Teksti: Fryni era u çel Taraba/Çou Halil se Avdi Aga. Çou Halil se Avdi Aga/Me treqin sejmen përmrapa. Bejta Sylja qen qafiri/Ban’ gostin e çoi na thirri. Mir na priti na gostiti/Por sa shtrenjt ai na shiti. Musta i vogël çohet në kom/Kërkon armët ku i kam lon? M’i ka mshehun miku mbramë/Paska pa ndërmend me na zanë. Në qaf më paç o mori motër/Qysh na prune ne në Shkodër. /Mos m’left djal e mos m’left çik/Kët gja motra s’e ka ditë. /Shkoi nji javë e shku’n dhet ditë/ Preu të shoqin me gjith’ t’bijt. /Kur ja vuna thikën burrit/Thash se më dolën vlleznit prej vorrit. /Kur ja vuna thikën djalit/Thash se më dolën syt e ballit.

[13] Ndonëse jo gjithmonë, shpesh në këngë popullore emrat e grave nuk përmenden në shenjë respekti, ose simbolizohen me emra lulesh, për t’u ruajtur anonimitetin. Kjo dukuri ndeshet rëndom dhe nuk është unike për folklorin shqiptar.

[14] P.sh., Xhamia e Qabesë quhet edhe Mesxhid el-Ḥarām, Xhamia e Shenjtë. Ose haremi i grave quhet i tillë pikërisht sepse banesa e tyre shihej si diçka njëkohësisht e shenjtë dhe e ndaluar.

[15] Me vonë Kaillas do ta përshtatë këtë tregim në dramë, duke i dhënë titullin Mara dhe i biri (1935).

[16] Krishti është Fjala që “u bë mish dhe banoi ndër ne” (Gjoni 1:14).

[17]Shih kreun ‘Njësimi me Zotin’ në William C. Chittick, Doktrina Sufiste e Rumiut, shqip. & parath. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2009).

[18] Shih esetë ‘Zen and the Samurai’ dhe ‘Zen and Swordmanship’ në veprën klasike nga prof. Daisetz T. Suzuki, Zen and the Japanese Culture (New York: Pantheon Books, 1959).

[19] Shih C. S. Lewis, The Allegory of Love: A Study in Medieval Tradition (Oxford University Press, 1958), ff. 33-34.

[20] Shih Every Man an Artist: Readings in the Traditional Philosophy of Art, ed. Brian Keeble (World Wisdom, 2005); Ananda K. Coomaraswamy, Christian and Oriental Philosophy of Art (Dover Publications, 1956).

[21] Titus Burckhardt, Art of Islam: Language and Meaning (World Wisdom, 2009), ff. 221-222. Me sa dimë ky libër është përkthyer edhe në shqip nga Vehap Kola.

[22] Al-Ghazzālī, On Disciplining the Sould: Breaking the two desires, trans., intro & notes Timothy J. Winter (Cambridge: The Islamic Texts Society, 1995), f. 43. Trajtesa greke e etikës në fjalë i atribuohet Nikolaut të Laodiceas, një aristotelian i shekullit IV.

[23] Cit. nga Sachiko Murata, The Tao of Islam, Sufi Journal, 1990, f. 21.

1 Koment

  1. Dysia e brendshme e njeriut njësoj si dysia e jashtme? Pak si shumë e thjeshtë kozmologjia e jin dhe jang… por njëkohësisht edhe shumë moderne (up-to-date)! Nejse*.

    I parë kështu, problemi – apo “problemi” – nuk është te dysia e shpirtit, është te dysia e trupit..:) Por pa gajle, se edhe Dao-s i po i bën derman teknologjia sot. Çka do të thotë që, kur ky proces të ketë përfunduar një ditë – me sukses, për këtë s’kam pikë dyshimi -, mos nuk do të kemi më dysi te njeriu? Një problem – apo “problem” – filozofik më pak atëherë…

    *Nuk dua aspak t’ia ul vlerat kozmologjisë së Lindjes, aq më tepër kur nuk e njoh këtë fushë; thjesht disa mendime të çastit dhe pa pretendime.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin