Që prej kohës që shënjoi fundin e Depresionit të Madh, mbarë bota përjetoi një trend të ri drejt globalizimit. Pavarësisht se nuk ka një përkufizim të njëjtë për këtë fenomen, duket se shumë përkufizime për të janë të përshtatshme njëkohësisht. Zakonisht “globalizimi” perceptohet si prirja drejt rritjes së intensitetit, shpejtësisë e thellimit të lidhjes së ndërsjellë në nivel botëror.
Koha dhe hapësira u tkurrën për shkak të risive teknologjike dhe kufijtë pothuaj u bënë të padukshëm e të parëndësishëm. Si rrjedhojë, lehtësirat për të bërë ekonomi të hapur dhe ndërlidhëse sollën një transformim socio-ekonomik të paprovuar kurrë më parë. Qoftë për vende të zhvilluara apo më pak të tilla.
Si kurrë më parë, shekulli i XX-të shënoi një rritje ekonomike të vrullshme dhe një zhvillim teknologjik përtej të imagjinueshmes. Padyshim jeta, shëndeti, arsimimi i miliona e miliona njerëzve është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme.
Por pavarësisht këtyre arritjeve, po bëhet e qartë se civilizimi modern, rendi ekonomik dhe politik anekënd botës dështoi të përmbushë dy nga kriteret bazike të civilizimit njerëzor: nevojën e njerëzve të zakonshëm për të vetë-realizuar jetesën në harmoni me njëri-tjetrin e mjedisin dhe për të besuar si rrjedhojë te fuqia e komunitetit ku bëjnë pjesë.
Gjithë rregullat e ekonomisë dhe zhvillimit botëror iu përkushtuan me përparësi korporatave multinacionale që ndonjëherë morën fuqi edhe më të madhe se qeveritë. Bënë të tyrin një sistem arsimor duke kontrolluar njohuritë sipas interesit.
U prezantua një ekonomi së cilës i mungon e njerëzishmja e ku merren vendime jo në bazë të nevojave të njerëzve të zakonshëm por, në vazhdim të ciklit – në interes të elitave. Pabarazia, puna skllavëruese e milionave, varfëria, diskriminimi gjinor, të drejtat e njeriut dhe problemet mjedisore që nga ngrohja globale tek rreziku i specieve në zhdukje, humbja e biodiversitetit, aktiviteteve tregtare të shumëkombësheve tek popujt indigjenë dhe komunitete më pak të zhvilluara, janë panorama e një ekonomie që nuk ka në qendër më njeriun por konsumin kapitalist të shfrenuar.
Në librin e tij “Prosperity without Growth: Foundations for the Economy of Tomorrow”, Tim Xhekson na fakton se në zemër të ekonomisë sonë është rritja, zhvillimi dhe grykësia për gjëra të reja dhe status social, të cilat na kanë mbyllur tashmë në kafazin e artë të konsumizmit.
Për rrjedhojë, rritja ekonomike solli një zhvillim kryekëput të paqëndrueshëm, sidomos për vendet në zhvillim me një ekonomi të brishtë, ku u investuan shpresa të mëdha tek investitorët e huaj dhe ekonomia e jashtme. Për hir të saj, shpenguar u trand dhe rëndësia e ekonomisë lokale, vetë komuniteti dhe potenciali i tij si edhe nevojat e bashkësive të vogla.
Në librin e saj, “Demokracia e Tokës”, Vendana Shiva propozon me të drejtë se fenomeni “globalizim” duhet të vihet në provën e qëndrueshmërisë, demokracisë, drejtësisë dhe se gjithë investimet e mëdha të huaja duhet të realizohen pa e nëpërkëmbur rolin e shtetit në mbrojtje të interesave të njerëzve të zakonshëm.
Por lokalizim nuk do të thotë aspak ekonomi e mbyllur. Është vetëm praktika e një ekonomie që merr në konsideratë mirëqenien e një komunitetit: mundësinë e përfshirjes në ekonomibërje të banorëve të një komuniteti. Pra, është absolutisht e nevojshme që të rikuptohet rëndësia e kontributit të një komuniteti për të përmbushur, në mos të gjitha, disa nga nevojat e tij.
“Small Is Beautiful: A Study of Economics As If People Mattered” është libri i Ernst Friedrich Schumacher, i cili sjell idenë e të “qenit i vogël” dhe rëndësinë e bashkëveprimit të banorëve të një komuniteti me njëri-tjetrin e përfitimet ndaj ndërlidhjes njerëzore si një kusht që i duhet rikthyer epokës moderne e sistemit ekonomik, për t’iu shmangur kurthit të një lumturie që varet vetëm nga pasuria materiale.
Edhe pse libri është shkruar në vitin 1973, e ruan një jehonë të fuqishme edhe sot për shkak të qasjes idealiste kundrejt intoksikimit të ekonomisë globale, që në mënyrë të qëndrueshme kontrollon jetët e njerëzve të zakonshëm, si një hipnozë masash.
Sakaq Daniel Isenberg në librin e tij “Worthless, Impossible and Stupid: How Contrarian Entrepreneurs Create and Capture Extraordinary Value?” kërkon të na njohë me atë lloj sipërmarrësi të ekonomisë lokale, që gjithnjë vozit kundër rrjedhës dhe merr rreziqe mbi ato vlera e asete ku botërisht tregu i nënvlerëson. Një sipërmarrës komunitar ia del të jetë i tillë nëse arrin të jetë kurioz, në dyshim të herëpashershëm të “status quo-së”, e krijon vlera për të cilat njerëzit kanë nevojë e duan të sjellin ndryshim.
Këta sipërmarrës kanë vizionin e virtytësinë e shpirtit të sipërmarrësit që përmes veprimtarisë së tij, konsideron nevojat e një komuniteti e sjelljen e një ndryshimi e përfitimi të dyanshëm. Janë pikërisht këta sipërmarrës, të cilët kanë prioritet t’i sjellin zhvillim komunitetit dhe të gjenerojnë të ardhura dhe vende pune, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë banorët e komunitetit janë përfitues gjithashtu.
Nismë kjo që tejkalon në vokacion: qasja me intuitë drejt lumturisë, përmes sakrificës vetjake për interes kolektiv dhe përmes zhvillimit individual të aftësive dhe talentit në shërbim të një profesioni, i cili jep kënaqësi gjatë ushtrimit të tij.
Ndaj është e nevojshme që të shihet se një komunitet, një fshat, një qytezë, një qytet nuk është vetëm një grumbull ndërtesash dhe njerëzish pa perspektivë. Zhvillimi i tij arrihet përmes nxitjes së ekonomisë vendore, formalizimit të saj, ku vetë banorët analizojnë se cila janë ato qasje ekonomike që mund të realizohen përmes kapitalit njerëzor, tokës, punës që disponojnë vetë banorët, e me qëllim e vetëm: përmbushjen nevojat vetjake të komunitetit.
Vullneti i politikave të reja të cilat inkurajojnë bashkëpunimet në nivel lokal është padyshim udhëçelësi për prosperim të strukturave rurale dhe vetë sipërmarrjeve aty. Nevojitet inkurajimi i lidershipit komunitar. Dhënia e mbështetjes së duhur për t’u hapur rrugë formave të kooperimit e ndërveprimit komunitar.
Mbështetja që kërkojnë këto sipërmarrje është pikërisht përgatitja e tyre për të qenë “lojtarë të mirëfilltë” të ekonomisë së tregut: duke shembur barrierat për rritjen dhe konsolidimin e tyre përmes një sistemi konkurrence të ndershme e të paanshme, ku mund t’u bëjnë ballë presioneve dhe garës me kompanitë e mëdha.
E gjitha kjo përmes përvojës dhe aktivitetit gjithëpërfshirës të një komuniteti, në gjetjen e ekuilibrit mes drejtësisë sociale dhe rritjes ekonomike me një sistem zhvillimi të qëndrueshëm edhe për brezat e ardhshëm.
Nuk duhen asfare reforma rrënjësore dhe revolucione: mjafton vetëm t’i jepet rëndësi njerëzve të lënë në harresë dhe në errësirë vëmendjeje. Është saktësisht koha për të reflektuar dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar faktit që mijëra familje nuk kanë reshtur së bëri rezistencë me sipërmarrjet e tyre të vogla.
Schumacher pati vizionin të parashikojë se shekulli që po jetojmë më këtë model do të ketë koston e pashmangshme. Të përjetuarit e stresit, depresionit, ankthit dhe çekuilibrave të shëndetit mendor nuk kursen pothuaj asnjë. E gjitha është një thirrje e fortë idealizmi ku “të qenit i vogël” është e ardhmja jonë e paqtë me veten, komunitetin dhe botën: realizimin e qëllimeve individuale pa prishur strukturat që pengojnë ecurinë e përbashkët.
© 2024 Marcela Tringaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shkrim plot të vërtetë, sidomos sepse në syrin tim të paktën po rezulton gjithnjë e më shumë që tiparet e kësaj ekonomie që bazohet tek makrokapitali, i kthyer tashmë sidomos në kapitalin e Big Data dhe tek qeraja siç na kujton Varoufakis me Teknofeudalizmin e tij, janë motorët kryesorë që po nxisin anembanë botës ktë thellim të hendekut mes të pasurve e të varfërve, por flas këtu jo vetëm ekonomikisht.
Unë do shtoj këtu diçka që shpresoj të trembë: nulifikimi i rëndësisë së individit, shumatorja e tij si një grumbull mikro-dëshirash të implantueshme falë marketingut strategjik, inxhinierisë sociale që po përdoret për të trumpetuar axhenda në këndvështrimin tim me një tis totalitarizmi si ato të Davos, ku çështja që mua më duket alarmante por duket sikur shumica as nuk do që t’ia dijë është problemi i thesarit që përbëjnë tashmë Big Datat dhe derivati i natyrshëm i kësaj ajo që Santoro prej kohësh në emisione e konsideron Diktaturën e Algoritmit.
Mua, nuk e di juve, por këto gjëra më tmerrojnë. Ideja se për hir të një konkurrence që tashmë marshon me shpejtësi eksponencialisht në rritje, shtete të tëra(gjithnjë e më tepër totalitare) po investojnë në zhvillimin e IA dhe duket sikur gjithë ky diskurs që ju këtu paraqisni shumë qartë sjell një konkluzion të vetëm: njerëzit janë produkti. Kjo është tezë e vjetër e biopolitikës.
Ajo që seriozisht të tremb është se ndoshta ndjeshmëria (jo sentimentalizmi) jonë, aftësia njerëzore e jona për të qenë të lirë është zhdukur. Jemi të lirë vetëm për të konsumuar thoshte Bauman.
Që prej këtu supozoj joshja me ktë këndvështrim që paraqesni këtu, e që ia kisha nevojën.
Ajo që do shtoj ama është që përtej gjithë tendencës time empiriciste, flas këtu për veten, mbetet vërtetë për t’u rizbuluar besimi, si veprimtari që është përtej kornizës së një dogme fetare, por si akt njerëzor që orienton në një krijim të caktuar.
Pyetja është: a e kanë dot njerëzit kaq thellë të indoktrinuar nga sistemi ynë edukativ me një lloj gati idhujtarie për shifrat e statistikat dhe “faktet e vërtetuara shkencërisht”, ku analfabetizmi funksional unë mendoj se s’do shumë mend e as statistika për ta vërejtur se është një fenomen masiv, ku ndotja epistemologjike, kakofonia e prodhuar nga vetë Pushteti…, kapacitetin për t’i bërë ballë katastrofës në vijim?
Nëse kjo qasje e imja ju duket alarmiste, sensacionaliste, apokaliptike, nuk di t’ju them tjetër veçse që jetokemi në plane krejt të ndryshme të realitetit.
Për ta intelektualizuar më shumë e zgjeruar lenten e këndvështrimit, multiversi është ndoshta ajo që unë quaj: multiversionet e unit.
Për ta përmbyllur në një notë me potencial konstruktiv mbi çështjen: e ardhmja e vërtetë e zgjidhjes së këtyre, e të tjerave, probleme kaq komplekse është sipas këndvështrimit tim qasja ndërdisiplonore që kaq shumë i mungon sistemeve akademike. Në vetvete s’mund ta presësh ta bëjë dikush për ty, ktë edukim.
Pra ndoshta tejkalimi i vërtetë do të ishte në braktisjen e modelit esencialisht të bazuar në një mani imanente të sistemit akademik për specializim duke përqafuar kështu një edukim, vetë-edukim, kulturim, vetë-kulturim që rreket të tejkalojë kufijtë e kategorive të dijes që nuk duhet të harrojmë se janë të nevojshme por gjithashtu antike.
Kjo është për mua e vetmja pozitive e teknologjisë së informacionit sot, diçka që ishte në gjenezën e ëndrrës së internetit të lirë që po rezulton ama të jetë si çdo gjë tjetër hapësira që po pushtohet nga komerçializmi.
Ç’mbetet tjetër?
Shkretëtira…
Keto gjera qe shkruhen nuk kane lidhje me Shqiperine, se ne gjysma jemi ne emigrim, fshatrat e qytetet e vogla kane vetem pensioniste, ne ca qytete qe kane levizje ka plot qiraxhinj (sot ketu, mot atje), kshuqe ky komuniteti, qe te marre persiper ndonje aktivitet ekonomik, duhet se pari te krijohet.
Pastaj qendrimi ne parim apo teori varet dhe nga lloji i robit apo edhe i mudit si i thone anglisht, pasi si poja si joja, kane argumentet e tyre.