Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Gjuhësi

TITULLI SI DOKUMENT

Një (ri)gjetje e lumtur në bibliotekën time në Tiranë: botimi i parë i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të Ismail Kadaresë. I ruajtur relativisht mirë, edhe pse i lexuar dhe rilexuar furishëm – duke provuar çfarë kam shkruar dikur, se rileximet lënë gjurmë materiale në libër, e konsumojnë si send, e vjetrojnë, ia prishin hullitë e drejta të leximit, i shtojnë zhubra dhe njolla.

E shoh kopertinën dhe syri im – falë deformimit profesional – e pikas sakaq gabimin drejtshkrimor në titull: USHTËRISË, në vend të USHTRISË. Një Ë e tepërt, një Ë që më pas është hequr nga fjala, ngaqë nuk shqiptohej më, por sidomos falë reformës drejtshkrimore. Ajo Ë, që tani bie në sy si papastërti, e shënjon moshën e librit po aq sa plakja e fletëve.

Ashtu shkruhej shqipja në vitin 1963; me një mënyrë që mua tani më duket më e afërt me toskërishten e Rilindjes: ato ë-të që tani na tingëllojnë të panevojshme e kaba, te Naimi, te Çajupi, tek Asdreni. Kam dëgjuar njerëz që edhe e qesëndisin atë toskërishte, duke e quajtur gjuha të-të-të; në fakt edhe mua ashtu më dëgjohet, por edhe gjykoj se atyre që e përdornin do t’u ketë tingëlluar e bukur. Ose të paktën normale.

Kështu ka ndryshuar toskërishtja e shkruar, qoftë edhe për hir të modernizimit, të afrimit me shqiptimin, dhe sidomos të afrimit me gegnishten (njëlloj ka ndodhur edhe me gegnishten e shkruar: hidhini një sy Buzukut). Vetëm se këto lloj përsiatjesh janë të gjuhëtarit; lexuesi – nëse është sa duhet perceptiv dhe ka sado pak eksperiencë filologjike – e interpreton atë “ushtërisë” si virtyt të shkrimit për të përcjellë rrjedhën e kohës.

E shumta, do të thotë: sot nuk do të drejtshkruhej kështu; prandaj libri është i vjetër. Edhe si objekt, edhe si produkt kulturor. Për bibliofilin, ajo ë tregon se libri duhet trajtuar me respekt, sepse vjen nga një epokë tjetër. Për njohësin e Kadaresë shkrimtar, se libri është një nga variantet e tekstit, më i vjetri; dhe se mund të vlejë për të parë çfarë ka ndryshuar autori në botimin pasues.

Por unë tundohem ta shoh “anakronizmin” në titull si konfirmim të kohës që kalon në letrat, dhe që lë gjurmë edhe në monumentet, duke u trupëzuar në to, edhe kur ato kërkojnë që kohën ta sfidojnë. Dhe njëherazi, si rikujtesë se teksti i shkruar e bart në vete edhe kohën kur është përftuar. Ajo ë në titull është vetëm një nga mijëra shmangiet drejtshkrimore, që përmban teksti; nuk ka asgjë që ta shquajë prej simotrave, përveçse që gjendet në vitrinë.

Jemi mësuar ta mendojmë Kadarenë si modern, bashkëkohor, në mos avant-garde; duhet ndonjëherë një kleçkë si kjo, për të na kujtuar se disa prej veprave të tij tashmë do t’i përkisnin arkivit të letërsisë, edhe sikur të mos ishin të historisë. Si edhe për të na kujtuar se ai e nisi jetën e tij si shkrimtar tosk, në kohën kur në Shqipëri ende shkruhej e botohej edhe në gegnishte; por që pastaj u shqua edhe ngaqë arriti ta tejkalojë – me autorë të tjerë të brezit të vet – dallimin gegë/tosk; në kuptimin edhe që do ta kish tejkaluar atë dallim, me autorë të tjerë të brezit të vet, edhe po të mos kish ndërhyrë politika në rregullat e drejtshkrimit.

“Gjenerali” ende lexohet si vepër moderne; do të thosha më moderne se 95% e letërsisë që botohet sot në gjuhën shqipe. Megjithë ligjërimin pak të thatë, herë deklamativ herë gazetaresk, vende-vende të palëmuar, tipik për dikë që ende nuk e ka gjetur dot tonalitetin e duhur në prozë. Ia shoh modernitetin në koncept dhe në arkitekturë, jo në ligjërim. Brenda veprës letrare të Kadaresë, shenjon premierën e atij ballafaqimi – të rimarrë nga një roman në tjetrin – mes të huajit dhe shqiptarit, që për Shqipërinë e fillimviteve 1960 do të ketë qenë risi absolute; dhe nga ky këndvështrim i ka disa ngjashmëri narrative me “Kështjellën”, që do të vinte vite më pas, por edhe me “Dasmën”, në vizion.

Ky version i parë i romanit, në mos gaboj, u kritikua për shkarje ideologjike dhe pastaj u “përmirësua” nga versione të tjera; para se vepra të përkthehej në frëngjisht dhe të sanksionohej nga publiku “i huaj”. Njëlloj u përditësua edhe drejtshkrimi i tekstit, për ta sjellë në vijë me standardin – edhe në këtë rast, shqipja e toskës Kadare u këqyr si aq e afërt me shqipen e 1972-shit, sa të vihej dorë mbi të gati-gati natyrshëm. Askush nuk do të guxonte të bënte kështu me një tekst të Lasgushit a të Asdrenit. Për të njëjtën arsye, askush nuk do të konsideronte sot një ribotim të veprës, në drejtshkrimin e saj origjinal – si “Gjenerali i ushtërisë së vdekur”. Ky dallim i hollë, mes letërsisë së përditësueshme dhe asaj që nuk preket më dhe që i ruhet forma, deri edhe ajo drejtshkrimore, si të ishte monument kulture, meriton vëmendje. Do ta ketë diktuar vullneti – kulturor dhe politik – për t’i pasur disa vepra si forcërisht bashkëkohore, dhe për t’i lënë disa të tjera në histori. Tek e fundit, deri edhe Enver Hoxhës ia ndryshuan drejtshkrimin e teksteve dhe të fjalimeve të hershme, njëlloj natyrshëm.

Kur të shkruhet historia e korrektimit letrar të shqipes.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. Është normale që shkruesit edhe se nuk dinë dhe se nxitojnë gabojnë. Po gabon edhe ai që krijon mozaikun, gdhend në gur etj. E pranoj gabimin dhe e lexoj tekstin duke shkuar psh në mijevjecarin e parë BC. Në kthimin mbrapa kërkoj të futem në lëkurën e shkruesit, them ai nuk ka gabuar, gaboj unë nuk e kuptoj. Nuk kuptoj se nuk njoh çamçen, gegërishten, arvanitasen, arbëreshen, etj.

  2. Nje shkrim brilant! Ne nje hapesire te ngushte tekstore vendosen aq shume ide dhe secila ide vlen/mund te zhvillohet si nje teme me vete per te plotesuar e perfeksionuar mendimin e pergjithshem filozofiko (estetik)-letrar-drejtshkrimor, jo vetem te “Gjeneralit te ushtrise se vdekur”…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin