POETI DHE LEXUESI

nga Eduart Ymeri

Në faqen e fundit të librit, kërcitën eshtrat e çatisë. Trari kryesor i shtëpisë, dridhej e përdridhej si një gjarpër, mbushur plot barkun me mjaltë. Qoshet po rrëzoheshin një nga një. Lexuesi ngriti duart lart, dhe kur u bind që koka e tij qëndronte akoma mbi supe, kapi librin prej cepi sikur të ishte peshk i prishur, dhe nxitoi drejt shtëpisë së tij.

Trokiti në derë, tre herë. Dera nuk po hapej. Në krah të djathtë të syrit të majtë, një shkallë e mbështetur në buzët e dritares. Kuptoi që kjo shtëpi është ndryshe nga të tjerat, dhe u ngjit pa humbur kohë me pyetjen në gojë:

– Je autori i këtij libri?

– Po, ai libër jam unë.

– Ky libër më rrëzoi shtëpinë, zotëri!

– Unë shikoj mbi dy supe të fortë, çatinë. As erërat e mprehta dhe shirat e qëmotit, nuk do të munden ta rrëzojnë. E di pse? Se ti tashmë ke në vena gjakun e librit tim. Ti e di i dashur lexues që, për atë libër që mban në duar janë prapë pemë?! Dhe këtë e kam bërë unë me dorën time, për të të dhënë oksigjen.

– Nuk do të të lexoj më!

– Që do të thotë, nuk do ta mbjellësh pemën e re?!

– Poezia jote më hyn si vetëtimë në zemër dhe m’i ka ndryshuar të gjitha planet. A e di ç’punë kam bërë, deri më ditën kur e hapa këtë libër? Ndërtoja shtëpi me kosto pesëdhjetë mijë euro dhe i shisja njëqind mijë. U jepja lekë njerëzve që kishin nevojë, dhe për pesë vjet u merrja gati dyfish. Mblidhja lekë gjithandej në shumë mënyra. Kisha miq shumë, edhe politikanë. Me pak fjalë, isha bankë, tani jam librari.

– Të të prek pak në trup?

– Po, vetëm të lutem, larg kraharorit.

Poeti e preku në ballë, dhe kur pa që gishtat e tij nuk lanë shenja, u gëzua shumë dhe i tha:

– Trupi yt është prej letre, kështu që duhet të mbjellësh një pemë!

– Po edhe libri yt po më vret pak nga pak, njeriun plot pushtet.

– Deri më dje ishe mbret. Ai libër që mban në duar ta hoqi kurorën.

– Dhe më shtoi lotët. Nuk kam qenë kaq i ndjeshëm, i dashur poet. Si dhuratë në ditët e fund vitit që mezi e pret një fëmijë i varfër, ky libër. Por unë isha burrë atëherë, kur e shfletova për herë të parë. Dhe ja tani, shikomë nën hundë, kam mustaqe? Atë natë, një fëmijë me gërshërë në duar m’i preu.

Qeshi edhe poeti më në fund, me zemër. Ishte shumë i lumtur, i gatshëm t’i lexonte ʺTregime të moçme shqiptareʺ, pa pirë një gotë ujë. Po po, të lexonte me zë për herë të parë, vetëm për kënaqësinë e lexuesit.

– Kurrë në jetën time nuk kam parë poet kaq të lumtur, – i tha lexuesi poetit.

Në mendjen e lexuesit, ndoshta poeti është si një gur i ngrirë që nuk i lejohet të qeshë.

– Ti u bëre shkëndija e lumturisë sime. Ti tashmë je libri im, ose njeriu siç duhet të jetë. Oh sa i lumtur jam sot: ndihem si një ʺZotʺ. Zot prej letre, lindur nga një pemë.

Natyra ime e dashur, i besoj shumë njeriut, dhe ja erdhi, prite krahëhapur.

– Unë nuk të besoj ty! – i tha lexuesi poetit. – Më je si gota e parë e uiskit. Të kthej me fund dhe më deh qiriri i ndezur. E di që janë veç fjalë që shndrijnë errësirën time brenda, por jashtë zotëri, mua më duhet një zemër e fortë. Larg kësaj tavoline, cergë merimange…

– Dhe në mes, ky libër i dashur lexues. Besomë, është çelësi!

– Jo, unë nuk të besoj ty!

– Atëherë më vrit me dorën tënde. Merre pistoletën dhe më qëllo në zemër, – dhe i zgjati stilolapsin. – Jeta është e bukur, e kam shijuar përkrah njeriut të thjeshtë: e domosdoshme të zbulosh jetën. Çfarë nuk i përshtatet natyrës, të vret!

– Nuk e dëgjoj as cicërimën e zogut, kur jam i uritur si një ujk dhe i etur si një copë shkretëtirë. Nuk po më ngop vargu, as etjen nuk ma shuan dot loti yt.

Mos fol më, ti më ke krijuar këtë boshllëk, dhe unë nuk po e kuptoj dot, cilët brigje më luten të bëhem urë?!

Të urrej o njeri i mirë! Do të të vras! Poeti ka shumë vlera, i vdekur.

– Po më gjuaj fort me këto fletore pune në kokë, ose shpomë gjuhën, dhe lidh një gur të rëndë. Po të lutem, do të më çosh në lumin tim të dashur të më mbytësh.

– Ti do të vdesësh shpejt, kështu që unë nuk do të kënaqem.

– Më digj ç’kam shkruar, apo shuami nga kujtesa çastet e krijimit, dhe unë do të jem i vdekur. Hë, folmë, u kënaqe?!

Nëpër sirtarë dëgjohej klarineta e Laverit, këngë vajtimi dhe një zhurmë si trokitje në dyer të mbyllura.

Lexuesi zgjedh librat e trashë nga raftet dhe e qëllon në atë pjesë të kokës ku jeton kujtesa. Mbledh të gjitha fletoret e punës tog në mes të shtëpisë, dhe i djeg. Pa humbur kohë, kthen sytë nga poeti. Kishte vdekur. U tremb pak, por ishte i vetëm në atë dhomë. Shoi zjarrin, mblodhi fletoret që i shpëtuan flakëve, dhe i futi në xhepin e brendshëm të xhupit.

U largua i qetë, pa e kthyer kokën mbrapsht.

2020
(c) 2024 Eduart Ymeri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin