Revista “Peizazhe të Fjalës” ju fton në një bisedë të hapur në kërkim të lexuesit mes Ardian Vehbiut dhe Elsa Demos.
Ky “kërkim” vjen si nevojë për të dalluar nga njëra anë lexuesin ideal që mbart në vete një tekst letrar, një pikturë, shfaqje teatrale, film, pjesë muzikore e çdo produkt tjetër kulturor për t’u lexuar (lexuesi implicit) dhe nga ana tjetër lexuesin real, ose subjektin e një sociologjie të leximit. Le ta mendojmë aktin e leximit a të shikimit si proces ku lexuesi nuk është marrës pasiv, por krijuesi i kuptimit të veprës dhe, njëherazi, produkt i leximit, aq sa të shndërrohet në depozitë i gjithë ç’ka lexuar, në bazë të kodeve që ia ka ngulitur kultura, si për të interpretuar ashtu edhe për të kataloguar.
Disa pyetje do të na orientojnë në këtë kërkim:
Çfarë sjell lexuesi si bashkautor i tekstit? Çfarë të drejtash ka? Çfarë i shton e çfarë i heq veprës? Çfarë përgjegjësie ka në rolin e vet si lexues? Ndaj autorit? Ndaj kanonit? Ndaj lexuesve të tjerë? Ndaj formimit të tij të vazhdueshëm si lexues? Çfarë ia ndërmjetëson leximin? Çfarë i dikton vepra? Si u bën ballë proceseve që ia ndikojnë/kufizojnë leximin? Si e vë nën kontroll intertekstualitetin? Çfarë zakonesh duhet të praktikojë për të ndërtuar një lexim vetjak, intim, privat e për t’u bërë ballë trendeve, trysnive nga rrjetet sociale dhe mendimit kolektiv (groupthink)? Si fitohet pavarësia nga (keq)edukimi, masmediat, vetëcensura, keqleximet, cektësia e një teksti, dembelia e lexuesit performativ?
Biseduesit do t’u qasen këtyre pyetjeve si lexues dhe si autorë, e në veçanti nga pozitat e kujt ofron një tekst që është njëkohësisht lexim (i një vepre).
Këto pyetje janë vetëm pika orientuese të bisedës që duam të zhvillojmë me të gjithë të pranishmit.
Jeni të mirëpritur të gjithë!