Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

LLAFOGRAFËT

Ka qenë një kohë që, kur donin të vinin në dukje se dikush ishte njeri i kulturuar, i ditur dhe ndoshta edhe “i urtë”, njerëzit përdornin shprehjen “i kënduar” (përkatësisht “i lexuar”), me kuptimin që ai person kish lexuar shumë – sepse leximi, veçanërisht i librave (por jo i tabelave të dyqaneve dhe i shpalljeve të vdekjeve) shihej si provë e diturisë dhe si një lloj palestre e kujt kërkonte ta mbante mendjen në formë dhe të përgatitur.

Mbaj mend se im atë, që e kaloi një pjesë të jetës dhe të karrierës duke u marrë me arsimin pas-universitar dhe kualifikimin shkencor të kolegëve të vet, kur ndihej i frustruar dhe i pakënaqur me interesin e tyre për të bërë përpara, ankohej e thoshte: “nuk lexojnë”.

Edhe sot mbetet e modës që të mburremi, në rrjetet sociale, me librat “e hollë” që lexojmë – dhe kur them “e hollë” nuk kam parasysh numrin e faqeve, por finesën e tekstit, statusin dhe efektin e titullit ndaj tjetrit.

E megjithatë, ndodh tani rëndom që të kulturuarit, të diturit e të mësuarit ta shpalosin virtytin e tyre intelektual jo duke lexuar, por DUKE SHKRUAR; ashtu përfitojnë edhe nga teknologjia e komunikimit që ua mundëson t’ia japin tjetrit tekstin e tyre menjëherë, pa asnjë filtrim, madje as edhe filtrimin e vetvetishëm, që ofron distanca në kohë mes krijimit të tekstit dhe botimit.

Për këta njerëz le të themi se janë “të shkruar”.

Dy-tre breza më parë, ata që shkruanin pa pushim këqyreshin pak si “të prekur” në tru; ndoshta edhe ngaqë ngurronin që t’ua tregonin të tjerëve se ç’kishin nxirë në letër. Përndryshe, kultura të tjera, kanë përdorur edhe shprehjen “grafoman” – për ata që ishin dashuruar pas penës së tyre. Unë do të kisha preferuar “llafograf”.

Por këta të sotmit shquhen prej para-ardhësve të tyre jo vetëm ngaqë shkruajnë shumë, por edhe ngaqë NUK LEXOJNË më, madje as ato tekste që shkruajnë kolegët e tyre dhe ato tekste PËR TË CILAT SHKRUAJNË, ose të cilave u përgjigjen, dhe kushedi as fjalët që shkruajnë vetë. Sikur u ngjajnë cave që marrin fjalën, në prezantime librash, për t’u shprehur kështu: “unë romanin XX NUK e kam lexuar, por dy gjëra dua t’i them…”

E trajtojnë hapësirën e fjalës publike si të ishte një lloj haleje open air, ku të pastrojnë hauret e zorrëve.

Janë disa tipa, emra të njohur, që më dalin përpara vend e pa vend; i mbushin rrjetet sociale me të pëgërat e tyre, pastaj statuset që nxjerrin ua marrin portalet dhe u japin një jetë të dytë, edhe më të kotë se e para. Këta i kënaqin kushtet, për t’u kurorëzuar si mjeshtra të kotit: jo vetëm që nuk lexojnë më asgjë, por edhe nuk thonë më asgjë: ashtu ua kalojnë edhe predikatorëve.

Karakteristikë e teksteve të tyre është përdorimi i pasthirrmës ORÉ: kjo “oré” shpreh njëherazi dëshirën për t’u kthyer me këmbë në tokë, por edhe padurimin e kujt është bindur tashmë se nuk mban më ujë pilafi dhe se nuk mund të rrijë më njeriu pa folur (paçka se këta vetë e kalojnë ditën të kapur nga diarre të pandalshme të fjalës edhe të shkruar edhe të folur); siç shpreh edhe konstatimin se gjërat janë të thjeshta, madje aq të thjeshta, sa edhe një budalla mund t’i kuptojë e t’i ftillojë, ergo…

Pasthirrmë thirrore, që mund të përdoret edhe në njëjës (“ore ti!”) edhe në shumës (“ore ju!”), ORÉ i përshtatet mirë atij ligjërimi, që i drejtohet një shumice a mizërie duke e trajtuar si të ishte një njeri i vetëm; ajo tërheq vëmendjen, por ndaj shqetësimit “legjitim” të folësit, i cili tashmë ka kuptuar diçka që është kaq e thjeshtë, kaq elementare, sa të tjerëve u paska shpëtuar. Një lloj zgjimi drejt arsyes praktike, hapje sysh sa e pafajshme, aq edhe vrastare. Prandaj edhe thëniet me ORÉ, qofshin gojore qofshin të shkruara, ndiqen shpesh nga një pyetje mohore, një interpelim, i tipit “ore, po NUK e shihni ju që po ju vjedhin?” dhe forma ligjërimore të ngjashme.

Një funksion tjetër, më dinak, i kësaj pasthirrme është që të ndërmjetësojë për një shkëputje nga magjia ase yshtja e tekstit të shkruar; ORÉ-ja e hedhur në bisedë agresivisht është shpagimi i analfabetit, sepse i bën thirrje mendjes së thjeshtë, primitive, reptile tek Tjetri; “ORÉ, po si kujtoni ju se i kanë bërë milionat këta?”, duke e qark-shkurtuar arsyen. “ORÉ, po nuk e shihni vallë se po ju bien pantallonat?” (vëreni patetizmin e asaj “vallë”). Kjo sikur e dallon nga simotra e saj, MORÉ, që nuk e ka shkundur dot prej supeve difensivizmin, nevojën për t’u mbrojtur, për të argumentuar; “dale, mos u ngut, MORÉ djalë!”

Kur nxjerr krye në tekstin e shkruar, ORE-ja sjell me vete edhe justifikimin pse nuk ka nevojë të lexohet më; bashkë me justifikimin tjetër, paradoksal, të atij që përgjigjet pa e përfillur pyetjen që është bërë. Por ky lloj analfabetizmi i tipit të ri, i atyre që janë “të shkruar” por jo “të kënduar” (“të lexuar”), nuk ka nevojë për pasthirrma, që ta shpallë ardhjen e tij: mjafton që logorreja të shndërrohet në diarre.

Tundohem ta shoh si efekt anësor, të përkohshëm, të papjekurisë së teknologjisë së rrjeteve sociale – ose të pamundësisë së përkohshme për t’i pëllitur me zë një turme të ngjashmish me ty sipas dëshirës dhe midesë – pamundësisë së përkohshme për ta mbajtur megafonin te koka e krevatit a te tavolina e kafes. Një ditë, kjo që po ndodh tani, kur të gjithë janë ulur të shkruajnë teksa në mes tonë janë shfaqur orakujt e inteligjencës artificiale dhe logorretë e tyre me flluska, do të mbahet mend si paradoksi i të shkruarit inflacionar, që i parapriu idiotizimit oral.

Në fakt, me t’u stabilizuar shkrimi, si teknologji komunikimi dhe arkivimi, qytetërimet filluan të themelohen edhe mbi diferencën midis përmasës gojore dhe përmasës së shkruar të ligjërimit – duke shfrytëzuar mundësitë e ndryshme në raport me artikulimin në kohë dhe në hapësirë.

Ideja është se, deri sa nuk ishin adoptuar Web 2.0 dhe mediat sociale, individi – si folës dhe si shkrues – i përdorte kapacitetet e ndryshme të mediumit për ta specializuar edhe produksionin e thënies: ato që thuheshin me gojë nuk thuheshin dot me shkrim, dhe viceversa.

Mjaft të sjellim ndërmend diferencat mes talk radio dhe bibliotekës.

Pavarësisht nga funksionet – qoftë si shpallje e bashkisë, qoftë si roman – teksti i shkruar ka kërkuar një lloj tjetër angazhimi edhe nga autori, edhe nga marrësi (lexuesi, konsumatori). Për të komunikuar me turmën, politikani ka përdorur rregullisht fjalën e folur; dhe në parim ka qenë e pamundur, që “t’i shkruash” një turme; sa kohë që dëgjimi mund të kolektivizohet, duke u bashkëndarë nga një grup i madh njerëzish – madje edhe i pafund, po të integrojmë në ekuacion radion dhe TV-n; por leximi, për nga vetë natyra e aktit, individualizon.

Por mediat sociale tani po e ripërkufizojnë agjencinë e turmës, duke lejuar të kristalizohet edhe një lloj i ri, deri dje i panjohur, i dhunës të paktën konceptuale. Në këto media shpesh ndodh që njeriu – përndryshe gjithnjë e më i vetmuar, për shkak të izolimit që sjell mbështjellja me Internet – t’i flasë një turme të imagjinuar. E cila turmë, gjithë duke mbetur e imagjinuar, e ripërfton veten si turmë virtuale në komentet.

E artikuluar online, politika dhe – më gjerë – komunikimi me turmat ka më pak rrezik të përplaset me uniformat blu; prandaj ndihet më e lirë t’i përdorë instrumentet e dhunës edhe në komunikim, me kusht që këto të mbeten… virtuale.

Gurut e sotëm të mediave sociale, virtuozët e manipulimit të turmave virtuale, janë të parët që e kuptojnë se, falë teknologjisë së re, mund t’i flasin publikut sikur t’i shkruanin; dhe t’i shkruajnë masës së lexuesve (ndjekësve) sikur t’i flisnin.

Kjo i lejon edhe të mbajnë fjalime nga kolltuku, gjithë duke u lexuar, si të ishin autorë best-sellerësh; dhe t’i riprodhojnë turmat me formulat magjike të ORÉ-ve të tyre.

Fjalët e tyre të shkruara mbeten (scripta semper manent), por janë kaq shumë, dhe kaq të flluskëta, sa kjo i shtyn vetvetiu drejt harresës. Njëherazi, fjalët e tyre të folura fluturojnë (verba semper volant), por tani vetëm brenda kafazit ku i mban të ndryrë virtualiteti.

E dëgjuat, oré?

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin