KISHA E SHËN PROKOPIT NUK ËSHTË KTHYER NË IDENTITET

nga Skënder Luarasi, PhD, AIA

Përmbledhje

Në majë të Parkut të Madh të Tiranës, kisha e re e Shën Prokopit po përfundon. Ndërtesa kontraston fort me atë që ishte aty fillimisht, kishën e mëparshme të Shën Prokopit të projektuar nga Skënder Kristo Luarasi (gjyshi i autorit të këtij artikulli) në vitin 1940 dhe e përfunduar në vitin 1945. Kjo kishë zëvendësoi kishën e vjetër të Shën Prokopit të ndërtuar më 1787, bash ku është sot Presidenca, por që duhej të zhvendosej ku është tani në fund të viteve tridhjetë, për shkak të afërsisë së saj me bulevardin e ri dhe zgjerimin urban të qytetit. Kisha e Shën Prokopit u mbyll në fund të viteve gjashtëdhjetë nga fushata komuniste kundër fesë dhe më pas u modifikua në një restorant në fillim të viteve shtatëdhjetë, pothuajse sa nuk njihej më. Pjesët e vetme që mbetën nga kisha e mëparshme ishin muri verior dhe gjurmët e katër shtyllave të asaj që dikur ishin tre harqet e larta origjinale të fasadës së saj perëndimore, një element arkitekturor që do të ishte subjekt i mjaft paragjykimeve dhe opinioneve të keqinformuara në lidhje me simbolikën e saj të supozuar fetare: që ajo përfaqësonte arkitekturën katolike dhe jo atë ortodokse. Ndër të tjera, ky artikull synon jo thjesht ta kundërshtojë këtë pretendim (nëse do të bënte vetëm kaq, atëherë do të ishte i barasvlershëm me atë pretendim) por të argumentojë pse nuk është i vërtetë.

Kisha e re është krahasuar me ndërtesat turistike të Santorinit dhe sallë koncertesh, dhe kritikuar që e braktis identitetin e kishës së mëparshme. Shoqata Historike Shqiptare pretendon se arkitektura e kishës së re të Shën Prokopit, ka “tendenca të qarta të një greqizimi jetërsues në krahasim me kishën origjinale.”[1] Një nga zërat më kritikë është arkitekti Artan Shkreli i cili, në Janar 2023, kërkoi publikisht të “ndalet ky përçudnim i Kishës së Shën Prokopit para se të jetë tepër vonë. [Kisha e re] nuk lidhet as me projektin ikonë origjinal të arkitektit Luarasi (senior), as me traditën stilistike dhe kishtare shumëvjeçare të Ballkanit jugperëndimor.”[2]

Në kundërshtim të drejtpërdrejtë me komentet e Shkrelit për kishën e re të Shën Prokopit, at Ilia Mazniku përjashton çdo mundësi që të kritikohet Kisha Ortodokse për sa kohë që kjo e fundit është “një institucion hyjnor që nuk i jep llogari dhe nuk ndikohet nga asnjë aktor ose grupim kombëtar apo ndërkombëtar,” dhe se “kisha e Shën Prokopit do të rindërtohet sipas ritit ortodoks ashtu siç duam dhe vendosim ne.”[3] E megjithatë, at Ilia gabon kur pretendon se kisha e mëparshme e Shën Prokopit, e projektuar nga Luarasi në vitin 1940, sa i përket formës bazilikale dhe artikulimit të fasadës perëndimore në veçanti, ishte një “arkitekturë e pushtuesit”[4] dhe stilit katolik roman, e imponuar mbi komunitetin ortodoks të Tiranës nga Italia fashiste, dhe se kisha e re e Shën Prokopit është “një model i qartë i arkitekturës bizantine, me elemente stilistike moderne që plotësojnë të gjitha nevojat liturgjike, shpirtërore dhe estetike të komunitetit ortodoks të Tiranës.”[5] Ndërsa nuk jepet asnjë evidencë për pretendimin e parë, sepse, siç do të sqarohet në këtë artikull, një evidencë e tillë thjesht nuk ekziston, mjaft evidencë mund të gjendet për të vënë në dyshim pretendimin e dytë, si në rrafshin e fakticitetit të tij ashtu edhe në atë të barasvlerës së supozuar midis një stili arkitekturor dhe një funksioni liturgjik.

Ishte në dhjetor të vitit 2017 kur kryetari i Bashkisë së Tiranës zoti Erjon Veliaj deklaroi për herë të parë se “kisha e Shën Prokopit 237-vjeçare do të kthehet në identitetin e saj të plotë,”[6] deklaratë kjo që u shoqërua edhe me renderat që do të publikoheshin më vonë në kalendarin e Kishës tashmë të postuara përgjatë gardhit të ndërtimit. Menjëherë pas publikimit të këtij pretendimi, unë i dërgova një email Kryetarit Veliaj, ku i sugjerova të korrigjonte disa nga faktet në deklaratën e tij, dhe të thoshte në veçanti se kisha e re e Shën Prokopit nuk përfaqëson një “kthim të kishës ashtu siç ishte” ose në “identitet të plotë,” dhe se është një modifikim i kishës së projektuar nga Skënder Kristo Luarasi në vitin 1940. Por duke e injoruar këtë sugjerim, gjashtë vjet më vonë, më 30 prill 2023, në Gazetën Panorama, kryetari Veliaj përsëriti saktësisht deklaratën e tij të mëparshme se “të gjithë besimtarët së shpejti do të kenë një Kishë të re të Shën Prokopit, për t’u kthyer ashtu siç ishte …[7] Një deklaratë e tillë më motivoi të shkruaj artikullin e parë “sqarues mbi mos-kthimin në identitet të kishës së Shën Prokopit,” në Gazetën Shqiptare më 4 maj 2023, ku përsërita shqetësimet e mia të mëparshme.[8]

Si at Ilia ashtu edhe kryetari Veliaj pretendojnë se kisha e Shën Prokopit po kthehet në identitetin e saj, por ata nënkuptojnë identitete të ndryshme: identiteti fetar që at Ilia pretendon se kisha po kthehet bazohet në mos-kthimin në identitetin arkitektonik që kryetari Veliaj pretendon se kisha po kthehet. Në të dy rastet kemi një mos-kthim në identitet, ndonëse mos-kthimi ndryshon në secilin rast: kisha e re nuk është kthyer në identitetin e mëparshëm arkitektonik, ndërsa identiteti fetar i projektit aktual nuk është “më ortodoks” se Shën Prokopi i Luarasit. Përkundrazi, ky i fundit, megjithë, ose me saktë, për shkak të modernitetit që mishëron, ka shumë më tepër afërsi me arkitekturën ortodokse sesa projekti aktual. Edhe pse kisha e Shën Prokopit u ndërtua gjatë pushtimit italian, ajo nuk ishte e stilit “italian” apo katolik roman, siç pretendon arbitrarisht Kisha Ortodokse. Demonstrimi i këtyre deklaratave përforcon edhe argumentin teorik, që identiteti arkitektonik nuk është identik me atë liturgjik, funksional, apo tipologjik.

Një motivim tjetër prapa këtij “artikulli të dytë sqarues mbi moskthimin në identitet të kishës së Shën Prokopit” lidhet me prirjen mbizotëruese në Shqipëri për të mos njohur autorësinë e arkitektëve, sidomos kur këta të fundit nuk janë italianë, ose të huaj… Per shembull, deri para një viti, para se të fillonte ndërtimi i kishës së re të Shën Prokopit, tabela pranë hyrjes shkruante se kjo kishë u ngrit nga Italianët ne vitin 1939 si pjesë e kompleksit të bulevardit të madh. Projekti mban firmën e arkitektit të famshëm florentin Gherardo Bosios.Kjo s’është e vërtetë. Nuk ka asnjë dokument që “mban firmën e Bosios.” Kisha e Shën Prokopit u projektua dhe drejtua nga Skënder Kristo Luarasi dhe jo nga “italianët” në përgjithësi apo Bosio në veçanti, ndërsa kompania e ndërtimit Ing. Lucca & C. Milan ishte, në fakt, italiane. Ky fakt konfirmohet në disa dokumente, por në mënyrë më domethënëse, nga pllaka origjinale e mermerit të kishës së Shën Prokopit, që disponohet nga Kisha Ortodokse Shqiptare që në vitin 2001. Pllaka lexon:

THEMELUE NË VITIN 1940

NË KOHËN E KRYEPISKOPIT TË GJITHË SHQIPNIS

IMZOT KRISTOFORIT

ME PJESËMARRJEN EDHE BASHKËPUNIMIN

E PLEQËSIS KISHËTARE DHE TË KUJDESTARIS SË KISHËS TË TIRANËS

NDËRTUE ME T’ARDHUNAT E ÇPRONËSIMIT TË KISHËS SË VJETËR

TË SHËN PROKOPIT DHE ME NDIHMËN E POPULLIT ORTHODOX

PROJEKTUE DHE DREJTUE PREJ ING. ARCH. SKËNDER LUARASIT

ZBATUE PREJ SIPËRMARRJES ING. LUCCA & C. MILANO.

Figura 1, në variantin e plotë: Skënder Kristo Luarasi duke punuar mbi maketin e kishës, rreth 1940, foto e periudhës (arkivi personal i autorit)

Figura 2: Pllaka origjinale prej mermeri e kishës së Shën Prokopit, foto nga Pavllo Luarasi (arkivi personal i autorit)

Për korrigjimin e tabelës, kontaktova zonjën Miriam Koliqin pranë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, e cila me shpejtësi korrigjoi përshkrimin sipas informacionit të pllakës së vjetër (Fig 3). Dëshiroj ta falënderoj publikisht e me gjithë zemër zonjën Koliqi për korrigjimin e tabelës por veçanërisht për qytetarinë e saj në kuptimin e rëndësisë së një korrigjimi të tillë.

Kisha e mëparshme e Shën Prokopit e projektuar nga Luarasi karakterizohet nga një kaskadë korrespondencash përmasuese dhe transformuese të elementeve të arkitekturës tradicionale kishtare ortodokse. Kisha ka një formë bazilike me narteks, nef, kupolë dhe apsidë. Në përputhje me arkitekturën ortodokse, altari qëndron pas ikonostasit. Nefi mbështetet në një sistem kolonash dhe trarësh, ndërsa kupola dhe apsida në një harkor; të dy sistemet formojnë një kolonatë që shtrihet përgjatë gjithë gjatësisë se brendshme. Kisha e Ungjillizimit pranë rrugës së Kavajës, gjithashtu e projektuar nga Luarasi në vitin 1962, ofron një ndjesi se si mund të dukej interieri i Shën Prokopit. Fasada perëndimore, elementi më i paharrueshëm por edhe me “polemizues” i kishës, përbëhet nga tre harqe të larta, me shtylla me gur të ashpër dhe qemerë me gur të lëmuar. Shtyllat pjerrësohen ne lartësi, duke theksuar perceptualisht vertikalitetin e gjithë fasadës. Harku qendror është më i gjerë se dy të tjerët dhe ka një kornizë brenda tij me dy hapje: hyrjen kryesore dhe një dritare të harkuar. Dy dritaret në harqet e tjera trekëndëzohen me atë të harkut qendror. Kemi të bëjmë me një kompozim të sofistikuar këtu që nuk përmendet në asnjë analizë të Shën Prokopit: tre harqet e fasadës perëndimore janë një version i përmasuar i hapjeve tre-dritarëshe përgjatë murit të nefit, që është edhe një konfigurim tipologjik karakteristik i kishave ortodokse.

(Figura 3 në variantin e plotë) Skënder Kristo Luarasi, kisha e Shën Prokopit, rreth 1945, foto e periudhës (arkivi personal i autorit)

Gjëja e parë që bie në sy kur shikon kishën e re është stakatoja stilistike midis kurbëzimit “valëzues” së fasadave dhe atij tradicional të qemerëve, kupolës, harqeve, portikut, dhe rozetës, e cila, për hir të së vërtetës, duket mjaft “katolike”… Problemi real i kishës së re është se ajo nuk është as mjaft bashkëkohore dhe as mjaft tradicionale: përpiqet të duket bashkëkohore duke “veshur” format tradicionale me një formë “valëzuese” kinse bashkëkohore, e cila edhe në vetë “valëzimin” e saj, ende mban një ngjashmëri “taktike” me harqet tradicionale dhe volutat anësore (të cilat ngjajnë gjithashtu mjaft “katolike”…). Ky “valëzim” i fasadës që duket se zëvendëson fasadën me tre harqe të ish-Shën Prokopit nuk respekton as këtë të fundit dhe as traditën, por i falsifikon, madje i parodizon ato. (Kisha e re dëshmon mjaft raste mos-koordinimi kompozicional mes elementeve të saj, të cilat janë shtjelluar në variantin e plotë të këtij artikulli.)

(Figura 4 në variantin e plotë) Kisha e re e Shën Prokopit, perspektive e postuar ne gardhin e ndërtimit, foto nga autori, shtator 2024.

Në intervistën e tij, at Ilia pretendon se kisha e mëparshme e Shën Prokopit nuk është besnike ndaj traditës bizantine për shkak të formës bazilike, se kjo e fundit gjendet vetëm në periudhën paleokristiane dhe periudhën pas bizantine – e ndikuar ose nga katolicizmi në rastin e parë, ose e imponuar nga Perandoria Osmane në rastin e dytë, dhe se forma e mirëfilltë e arkitekturës bizantine është ajo e kishës së qendërzuar e periudhës së mesme dhe të vonë bizantine. Këto pretendime nuk mbështeten në fakte. Nuk ka asnjë cilësi të qenësishme të formës bazilike që e bën të papërshtatshme për simbolikën dhe liturgjinë ortodokse, në të njëjtën mënyrë që nuk ka asnjë atribut të qenësishëm të formës së qendërzuar që e bën të papërshtatshme për simbolikën dhe liturgjinë katolike. Ka shumë shembuj të kishave ortodokse te periudhave të ndryshme me formë bazilike, siç është, për shembull, kisha Panagia Chrysokephalos në Trabzon (në Turqinë e sotme, e kthyer në xhaminë Ortahisar Fatih) e ndërtuar në periudhën e mesme bizantine, 913-914 pas Krishtit. Ka edhe shumë kisha katolike italiane me një plan rrethor dhe katror – një kryq grek në përgjithësi, si Kapela Pazzi e Brunelleschi-t në Firence, San Biagio i Sangallos në Montepulciano, dhe sigurisht plani i parë i Bramante-s dhe ai i dytë i Michelangelo-s për Shën Pjetrin, ndër të tjera. (Një argumentim më i detajuar jepet në variantin e plotë të bashkangjitur).

Le të kthehemi tani te subjekti “i nxehtë” i fasadës perëndimore të kishës së mëparshme të Shën Prokopit. Ky element nuk është as i stilit the “arkitektures se pushtuesit” dhe as i atij të Kishës Katolike Romane siç pretendon Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. E ftoj at Ilian dhe të gjithë Sinodin e Shenjtë të hapin librat e historisë së arkitekturës dhe të gjejnë prova të një kishe katolike italiane, fasada ose silueta volumetrike e së cilës përbëhet nga tre harqe të pavarura të larta, siç rezultojnë te Shën Prokopi i Luarasit. Thjesht nuk ka. Po, ka mjaft harqe në arkitekturën laike ose fetare italiane, por këto harqe zakonisht nuk shtrihen në të gjithë lartësinë e fasadës, por edhe kur e bëjnë një gjë të atillë, gjithmonë janë të inkuadruara nga orderi i madh dhe/ose i vogël në formë kolone dhe/ose pilastrike, ose janë thjesht pjesë e murit, me fronton ose jo. Një idiomë e tillë respektohet përgjatë gjithë historisë së arkitekturës italiane që nga antikiteti dhe deri tek e ashtuquajtura architettura italiana d’oltremare – pra, “arkitektura e pushtuesit,” protagonistë të së cilës ishin edhe Florestano di Fausto ose Ghrerado Bosio. Në ndërtesat e tyre në Shqipëri ose gjetkë nuk gjejmë kurrë një motiv si fasada me tre harqe e Shën Prokopit. Atëherë lind pyetja se mbi ç’bazë – të gabuar ose të shpikur, me ose pa dashje – deklaron Kisha Ortodokse, se arkitektura e Shën Prokopit projektuar nga Luarasi më 1940 është ajo e “pushtuesit italian”?

E kam një përgjigje cinike, por, kam frikë, të saktë. Meqë Shën Prokopi u përdor si skenë në filmin shqiptaro-sovjetik Skënderbeu (1954), me Skënderbeun që shkon në Lezhë për të formuar Besëlidhjen e Lezhës, në atë kohë territor i Venedikut, atëherë kisha e Shën Prokopit në sfond duhet të jetë “katolike.” Ajo “kapërcen ylberin,” domethënë ekranin e filmit dhe del në anën tjetër, pra në realitet, si “katolike” … Edhe Nouvelle Vague zor se shpikte shkrirje të tilla surrealiste të fiksionit dhe realitetit…

Shën Prokopi i Luarasit është i një stili modern: ndërsa kisha përbëhet nga stilema historike të trashëguara nga arkitektura ortodokse, metodologjia e kompozimit të tyre është moderne. Me stil modern nuk nënkuptohet një stil i veçantë siç është modernizmi racionalist i viteve ‘20 e ‘30, por një metodologji projektimi qe mundëson si kompozimin (ose gjenerimin) ashtu edhe leximin (ose interpretimin) e stileve të veçanta (historike). Përmasimi dhe transpozimi i grupimit tradicional tre-dritaresh në fasadën perendimore është një rast mishërues, ndër raste të tjera, i metodologjisë moderne të projektimit.

(Një shtjellim më shterues historiografik dhe teorik jepet në variantin e plotë që e gjeni bashkëngjitur në formatin PDF më poshtë)


Shënim

Më 2016, u ngarkova nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, për të projektuar kishën e re të Shën Prokopit. E vetmja kërkesë e panegociueshme nga ana e Kishës ishte që nuk duhej të përsëritej fasada perëndimore “famëkeqe” e Shën Prokopit të mëparshëm, për shkak të “katolicizmit” të saj…, kërkesë kjo me të cilën unë, megjithëse nuk isha dakord në parim, u pajtova. Atë ç’ka nuk mund të arrija duke ringjallur formën e kishës së mëparshme, u përpoqa ta kompensoja duke iu referuar metodologjisë moderne të projektimit që qëndron prapa formës së saj. Me fjalë të tjera u përpoqa t’i imitoja shpirtin, jo pamjen. Gjithsesi, ky projekt nuk eci, sepse ai aktual ishte aprovuar ndërkohë nga Kisha. Se pse ndodhi kështu, nuk e di; ndoshta ishte për shkak të atyre forcave të jashtme prej të cilave, siç pretendon at Ilia, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk ndikohet.

Figura 5: Skënder Luarasi, projekt ide e kishës së Shën Prokopit, maket, 2017

 

© 2024 Skënder Luarasi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është i mbrojtur me copyright.

Lexojeni versionin e plotë të artikullit duke klikuar më poshtë:

Një artikull i dytë sqarues mbi mos-kthimin në identitet të kishës së Shën Prokopit

Ky version në PDF botohet siç është përgatitur nga autori.


[1] Newsbomb, 13 Janar, 2023

[2] Koha Jonë, “Artan Shkreli: Ndalojeni këtë përçudnim të Kishës së Shën Prokopit! Ndërhyni para se të vonë!” 13 Janar, 2023. https://kohajone.com/politike/artan-shkreli-ndalojeni-kete-percudnim-te-kishes-se-shen-prokopit-nderhyni-para-se-te-vone/, aksesuar më 13 Shtator.

[3] Radio Ngjallja, “Kisha e “Shën Prokopit” do të rindërtohet sipas ritit Orthodhoks ashtu siç ne e duam dhe vendosim!” January 21, 2023, https://radiongjallja.org/kisha-e-shen-prokopit-do-te-rindertohet-sipas-ritit-orthodhoks-ashtu-sic-ne-e-duam-dhe-vendosim/, aksesuar më 13 Shtator, 2024.

[4] Ibid.

[5] Ibid.

[6] Gazeta Tema: https://www.gazetatema.net/2017/12/19/veliaj-kisha-237-vjecare-e-shen-prokopit-dhe-liqeni-do-te-kthehen-ne-identitet, aksesuar Gusht 2024

[7] http://www.panorama.com.al/nis-rindertimi-i-kishes-se-shen-prokopit-veliaj-rikthejme-historine-ne-vend-qyteti-perfiton-nje-hapesire-publike-per-komunitetin/, aksesuar në prill 2023 (Theksimi im)

[8] Skender Luarasi, “Artikull sqarues mbi mos-kthimin në identitet të Kishës së Shën Prokopit,” Gazeta Shqiptare Journal, May 4, 2023, https://gazetashqiptare.al/2023/05/04/artikull-sqarues-mbi-mos-kthimin-ne-identitet-te-kishes-se-shen-prokopit/, aksesuar Gusht 2024.

Rreth Autorit

Skender Luarasi është arkitekt dhe pedagog. Ai ka një master në arkitekturë nga MIT dhe doktoraturë në arkitekturë nga Yale, e cila fokusohet në mënyrën se si përfundojnë proceset e projektimit dhe në historinë e një pyetje të tillë. Ai është bashkëautor i "Në kërkim të San Carlinos" (Routledge, 2019) dhe "Kufijtë e Vetë-Gjenerimit" (Routledge, 2023), si dhe autori i "Të mbijetosh përmes arkitekturës" (TU Graz Verlag). Aktualisht Skender Luarasi drejton Fakultetin per Kërkim dhe Zhvillim në Universitetin POLIS në Tiranë.

Author Archive Page

4 Komente

  1. Pa hyrë në debatin se sa “katolik” ishte projekti i S. Luarasit të parë, qartazi S. Luarasi i dytë ndodhet në konflikt interesi, teksa projekti i propozuar prej tij nuk është pranuar. Afërmendësh që nuk ka si përkrah projektin që po zbatohet. Ka plot të drejtë të lëndohet, po jo dhe të kritikojë me epitete nacionaliste projektin aktual. Artikull inaçor i një të pakënaquri.

    1. Mendoj se duhet ta lexoni artikullin me me vemendje dhe me me pak inat… Une nuk e kritikoj projektin aktual me epitete nacionaliste; te tjeret e bejne kete. Une thjesht perpiqem te parashtroj faktet se pse projekti origjinal nuk eshte katolik, pra pse gjykimi i Kishes Ortodokse se kisha origjinale e Shen Prokopit e projektuar nga Luarasi ishte katolike apo e “arkitekture e pushtuesit”, opinion i shprehur disa here ne rrethana te ndryshme, eshte nje opinion krejt i pa informuar dhe i gabuar. Ky parashtrim behet me qellim qe te demonstroj se pse kisha aktuale NUK kthehet ne identitet, sic pretendojne shume aktore. Une nuk them qe projekti aktual eshte nacionalist apo jo nacionalist (kjo, ne fakt, s’me intereson fare), por argumentoj me fakte (sidomos ne versionin e gjate te artikullit i bashkangjitur si link ne fund te artikullit) qe projekti aktual eshte – per ta thene me miresjellje – thjesht i pakrahasueshem me origjinalin, dhe qe s’ka te beje fare me identitetin arkitektonik te ketij te fundit, kaq. Per dijeni, sic e sqaroj edhe ne artikull (si ne permbledhje ashtu edhe ne versionin e gjate), projekti aktual ishte zgjedhur perpara se une te prezantoja projektin tim, pra nuk ishte nje konkurim ku une “humba” dhe ngela i “pakenaqur,” se mu vra sedra… Projekti aktual nuk eshte nga ato projekte qe te vrasin sedren…, me besoni. Cka shkruaj ne artikull jane thjesht fakte qe s’kane fare te bejne me faktin qe une mund te jem i kenaqur ose i pakenaqur. Ja te themi qe jam i “pakenaqur”, e cfare pastaj…? Mos u fokusoni te une, fokusohuni te realiteti dhe faktet. Ne fakt jam i pakenaqur me nje gje: me ate qe, sic e thoshte i madhi Pushkin, njerezit preferojne 1000 genjeshtra ne vend te nje te vertete, me faktin qe nuk doli nje njeri tjeter ne vendin tim qe te parashtronte ato fakte qe parashtroj une ne artikull, fakte qe jane ne drite te diellit (pikerisht qe te mos krijohej alibia e “konfliktit te interesit”, alibi kaq e dashur dhe mirepritur nga komentues si ju).

  2. Ore po si puqen emrat Skender e Kristo ? Apo si Gjergj Elez Alia ?

    Tashti ndonje histori e madhe nga 1940 e ketej nuk eshte, kur flasim per krishterimin ne Shqiperi, por kur kemi parasysh misionin greqizues te Janulles ( do te ishte ne fakt parimisht qesharake e kunderta,, qe nje pensionist grek te ishte filoshqiptar), atehere cdo argument e qendrim kunder ketij misioni duhet pergezuar e mbeshtetur, se ne jemi popull i fjetur e fetarisht i mefshte, aq sa nderojme Kozma etolasin.

    E pranoj qe nuk e ndjek dot autorin ne dallimet arkitekturore e megjithate pergjigja e atij Maznikut duket se i jep te drejte autorit. Atij Maznikut po te kishte realisht ndonje komunitet ortodoks ne Shqiperi do i ishin thyer hundet shume shpejt.
    Ajo shprehja si Mato Grudoja vlen ne shtepine e Mato Grudes, ku buka del nga djersa e tij, jo me leket e marre nga kompesimet per shpronesimet e pronave te mehereshme ortodokse. Ato leke qe eshte ndertuar kisha jane kontribut i shekujve te tere te komunitetit ortodoks, nuk i ka sjelle greku dhe as babai i atij Maznikut.
    Po ca t’i bejme qe s’kemi mendere, pa flet ai, dhe ai prandaj flet se e di ket’ pune!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin