Përshëndetje, të nderuar lexues, kolegë dhe vizitorë të kësaj faqeje.
Herë pas here botojmë, në revistën “Peizazhe të fjalës”, artikuj, ese dhe studime, nga autorë të tretë, që flasin për vepra letrare, shfaqje teatrale, filma, ekspozita arti vizual dhe të tjera të ngjashme.
Ne si redaksi i lexojmë me kujdes këto materiale, për t’u siguruar se ato u përmbahen standardeve profesionale dhe etike të revistës; teksa, në të njëjtën kohë përpiqemi të verifikojmë, me mënyra të ndryshme, profesionalizmin e autorëve që botojmë.
Por ne, si redaksi, JO GJITHNJË I NJOHIM VEPRAT për të cilat flitet – mund të botojmë një analizë për një roman pa e pasë lexuar romanin ne vetë; ose një recension për një film, pa e pasë parë filmin ne vetë. Kjo bën që mendimi i këtij apo atij autori, për këtë apo atë vepër, të mos jetë gjithnjë edhe yni – jo sepse nuk pajtohemi me të, por për shkak të kufizimeve objektive që kemi si redaksi.
Vëmë re se qasjet kritike të autorëve që shkruajnë për ne shpesh i faturohen revistës dhe identitetit të saj; na shqetëson ky lloj barazimi mes mendimit të autorit dhe pikëpamjeve të revistës apo tonave si redaksi, që nuk është aq naiv e i pafajshëm se ç’duket. Shpesh media dhe platforma të ndryshme detyrohen të deklarojnë se pikëpamjet e autorit NUK PËRFAQËSOJNË entin botues apo mbështetës. Nuk e kemi parë të nevojshme ta vëmë këtë në dukje më parë, por tani po e bëjmë, për të shmangur disa reagime dhe hakmarrje, nga palë të treta, ndaj revistës apo personalisht nesh si botues. (Unë, si autor me jetë botimesh të pavarur nga revista “Peizazhe të fjalës”, e kam paguar ndonjëherë shtrenjtë mllefin, irritimin dhe ndonjëherë tërbimin e atyre që janë ndier të prekur nga çfarë është botuar në revistë, prej një autori të tretë. Do të doja ta shmangia këtë efekt të mbrapshtë në të ardhmen, ndaj meje dhe ndaj të gjithë atyre që shkruajnë tek ne.)
Le të mos ngatërrohet kjo me detyrimin moral që kanë botuesit, ndaj revistës dhe lexuesve, që t’i dalin revistës zot kur i sulmohen prurjet – ky detyrim nuk është njëherazi përqafim i çfarë thuhet në këtë apo atë artikull. E drejta jonë, si revistë, për t’u dhënë hapësirë shkrimeve kontroversiale ose për tema që nuk i njohim dot sa ç’i njohin autorët që kontribuojnë NUK KA TË BËJË me qëndrimet tona, si botues të revistës dhe si autorë të pranishëm në hapësirën kulturore publike, ndaj temave të njëjta apo të ngjashme. Ky parim themelor të shtypit liberal kurrë nuk duhet të na humbë sysh.
Ngjashëm duhet të ndodhë edhe me lexuesin, i cili i qaset një shkrimi për t’u njohur me NJË nga shumë lexime që mund t’i jepen një vepre ose eventi, dhe që me siguri do të ndryshojë nga çfarë kish në mendje autori, producentët dhe autoritetet përkatëse. Qëllimi i një reviste, sidomos i kësaj reviste që jemi përpjekur me vite t’i japim lexuesit, është të shpalosë dhe të nxitë lexime dhe pikëpamje të ndryshme, gjithnjë me shpresën se kjo polifoni zërash do t’i kundërvihet prirjes ende mbizotëruese për t’i trajtuar opinionet kritike të bëra publike si fjalën e fundit a si vendime gjyqi. Tek e fundit, duke i lexuar e bërë bashkë disa lexime (qoftë edhe kundërshtuese mes tyre) do t’i afrohemi më mirë një vepre; dhe në një kulturë të shëndetshme, do të duhej që për një temë, film a diskutim të shkruhej e flitej nga disa këndvështrime, në mënyrë që edhe statusi i pritjes së një vepre të ishte sa më pak i kushtëzuar nga shijet dhe imponimet individuale.
Mbajmë me autorët tanë një raport mirëbesimi, i cili na e mundëson këtë lloj “disclaimer”-i; por edhe një mekanizëm të feedback-ut nga palët e interesuara, që lejon korrigjimet dhe diskutimet pas botimit. Në raste të caktuara, këshillohemi me bashkëpunëtorë të revistës, para se të nxjerrim një material që na duket edhe ne i diskutueshëm. Në çdo rast, dhe edhe pse revista dhe autorët e saj kurrë nuk synojnë të thonë fjalën e fundit në debatet, pjesëmarrësit në këto debate nuk janë të barabartë. Një gazetare profesioniste e kulturës i qaset veprës ndryshe nga spektatori në sallë; dhe zëri i saj tingëllon ndryshe.
Pikërisht për shkak të këtij raporti mirëbesimi, PËRGJEGJËSINË për materialet e botuara, njëlloj si edhe copyright-in, e mbajnë AUTORËT E TYRE, sa kohë që ata identifikohen haptazi me emër dhe mbiemër dhe e kanë tashmë një reputacion në fushat përkatëse.
Edhe në të ardhmen, “Peizazhe të fjalës” do të vazhdojë të botojë artikuj, ese dhe studime, nga autorë të tretë, që trajtojnë vepra letrare, shfaqje teatrale, filma artistikë dhe dokumentarë, evente muzikore, ekspozita arti vizual dhe të tjera të ngjashme.
Është pjesë e misionit tonë që t’u japim këtyre autorëve një platformë, ku të artikulojnë mendimet dhe gjykimet e tyre, pa u censuruar për shkak interesash politike, pushtetore ose private.
Njëlloj është pjesë e kredos sonë etike, që të mësojmë nga gabimet, përfshi edhe gabimet redaksionale, dhe të përpiqemi që të ruajmë një marrëdhënie sa më të tejdukshme edhe me lexuesin edhe me autorët edhe me palët e prekura drejtpërdrejt a tërthorazi, prej artikujve dhe kritikave që botojmë. Në këtë rrugë, dhe në komunikim me të gjithë ju, mësojmë edhe ne si ta përmbushim më mirë zotimin tonë.
Shkojmë me shpresën se këto sqarime do t’u vlejnë edhe atyre kolegëve dhe enteve kulturore që janë përballur me sfida të ngjashme me tonat.
Redaksia e revistës “Peizazhe të fjalës”