nga Elsa Demo
3.
Arkitektura di të jetë më bujarja nga artet. Të mbështjell pa të prekur kur punon, kur bën dashuri, kur bie në gjumë. Sikurse di të bashkëpunojë me errësirën ku të tërheq dëshpërimi. Arkitektura ka hapësirat dhe format, ka alegoritë dhe kuptimin e vendeve që banojmë. Ajo ndihmon për të lexuar kontekstet, pjesën për të tërën, që nuk perceptohen kur ndodhesh në gjurmën reale të qytetit, ngaqë shpesh jeton pa vramendje.
Edhe kullat lexohen më mirë nën efektin pasqyrë, ku reflektohet jeta e objekteve që kullat kanë pranë. E ashtuquajtura “book building”, propozuar si different concept of living (prapë ofertë për stil jetese), ka përbri Bibliotekën Kombëtare, “Nderi i Kombit”. Gati sa shteti shqiptar e vjetër, Biblioteka vegjeton, pardon, jeton sipas një ideje jopopuliste. Këtej erdhi vendimi i ish-drejtoreshës që, pas dëmeve nga uji dhe zjarri, të mbyllë shërbimet për publikun. Drejtori Pirro Misha e pati përshëndetur si tani, kur ka hyrë vitin e gjashtë të detyrës.
Biblioteka nuk është më për kulturën pikë takimi. Kur i kaloj pranë, mobilizohem mos ta shoh dhe mos t’u përgjigjem aktivistëve apo mikrofonit vox pop, teksa ndalojnë kalimtarët t’i pyesin për ujin e ndotur në rubinetin e shtëpisë apo çmimin e abonesë.
Shpinë më shpinë, begaton libraria private, më e madhja në vend, nën drejtimin e një anëtari të familjes Misha. “Adrioni” i zgjeroi edhe më mjediset këtë vit.
Ndaj, kur shoh çfarë reflektojnë kullat, gjej në të dhunën, jo dhe aq abstrakte, që i ka projektuar dhe sjellë në jetë; shoh arkitektët e kryeministrit, krijuesin dhe punëmarrësin, artistin që dorëzohet, ndërsa lideri, mbi maketin e qytetit në zyrë, shkërdhen në ekstazë me laps idenë e tij për tokën publike; shoh hijen e një njeriu në maj të qafës së vinçit varur mbi kullën në ndërtim, që kërcënon me vetëvrasje, – kë? kë? kë? – si e vetmja forcë e mbetur për të ndalur poshtërimin. Është dhuna estetika e këtyre objekteve që i josh njerëzit.
Kullat janë paradigmë, që riprodhohet në sfera të tjera të jetës e të mendimit, duke u aplikuar sipas parimit one size fits all. Importohen fenomene kulturore, festivale, lloje gazetarish nën mikrofon podcasti, psikanalizë nën të njëjtin lloj mikrofoni, klube libri, biblioteka të mendimit feminist, të gjitha fenomene që të renë e fusin në skenë pa përfillur morfologjinë e kontekstit vendas dhe kontributin e paraardhësve, sikurse bëjnë arkitektët e kullave. Me aq sa i kam ndjekur ngjarjet, kam ndjerë që në këto grup-kulturash të aktivizmit, feminizmit apo të skenës alternative, aderuesit qëndrojnë në krahun e pritshmërive që projektojnë ideologjitë e importuara. Grup-kulturat janë të uritura t’u mësojnë antarëve të tyre si të marrin një qëndrim dhe të mbajnë krah, si t’i përkasin një fronti, sepse pasja e një qëndrimi i jep individit forcën e grupit po edhe autoritet kur është jashtë tij. Kështu nuk ka për të qenë thjesht individ. Mirëpo importimi në formë kallëpi nga të tjera kultura e të tjera botë, është i pamundur të përshtatet pa presion mbi kulturën marrëse, duke e deformuar atë.
Si pasojë, kullat e ndërtimit i shoh si projeksione të kullave të mendimit ideologjik.
Përkarshi Continentalit, që ka përpirë paraardhësin e vet të largët, Hotel Tiranën, Muzeu Kombëtar është tërhequr në jopopulizëm edhe ai. Kësaj rrugë po shkon Galeria Kombëtare, pasi i ka dorëzuar kompetencat për të luajtur ndonjë rol në skenën e artit bashkëkohor. Nga ky kapitull, është bërë e lodhshme përsëritja se, Qendra për Hapje dhe Dialog u ngrit që të ushtrojë zyrtarisht individualizmin posesiv të kryeministrit Rama mbi artin bashkëkohor. Sipas modelit që ai ka krijuar, po ndodh përfaqësimi i shtetit shqiptar në Bienalen e Venecias. Këtë vit, Iva Lulashi nuk u zgjodh, po u caktua nga një grup flirtues me pushtetin. Artistja i hoqi punët nga muret e studios për t’i varur në muret e Bienales, sepse nuk ishin një projekt ekskluziv që i përgjigjej temës “Strangers everywhere”.
Në rropullinë e kafeneve, midis kullës Down Town Tirana dhe Piramidës, ndodhet Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Rruga “Papa Gjon Pali II”, pranë Hotel Domus. Para se të mbërrij atje, po qëndroj tek fytyra e re e Piramidës, e cila, në saje të funksioneve që i kanë dhënë, është bërë pjesë e ideologjisë së arkitekturës globale (me kullat si gjuhë dominante).
4.
Piramida pretendohej të ishte vend komoditeti që lehtëson kërkimin e njerëzve të talentuar për inovacion, gjë që, në një të ardhme, do përkthehej në vende pune. Do duhej të ishte pikë e qëndrueshme në kontekstin e dinamizmit dhe migracionit urban, por realiteti i ri i Piramidës është në funksion të një stili jetese me kafene, juice bars, hapësira për shërbime bankare dhe të telefonisë celulare. Së fundi, i është shtuar një bookstore, administruar nga një botuese afër pushtetit.
Kujtoj rastin e ArTurbinës që nuk arriti të bëhej pikë e qëndrueshme kulturore, sepse u krijua me përdhunë, larg qendrës urbane, e sfiduar nga hapësira komode aty afër si parku i liqenit artificial, që ofron më shumë mirëqenie se një stallë betoni si Turbina. Pastaj, hapësira e quajtur Teatër Kombëtar, midis pallatesh të lartë, administrohet dhe popullohet sikur të ishte e mirë private (parking, kafene, prodhim teatror kaotik).
Në katin e nëndheshëm të Piramidës është hapur G.O.C.A.T (Gallery Of Contemporary Art Tirana). Më kap një ndjesi e ngjashme me çfarë kam provuar në orë të vonë në një metro të Evropës. Është ndjesi urie për një shenjë familjare. Hapësira e galerisë, e madhe pothuajse sa dy salla ekspozimi të Galerisë Kombëtare, është marrë nga Mane Foundation. Ky është një fondacion me fokus fëmijët në nevojë, që e ka nisur shërbimin me 2 ml euro.[1] Është pjesë e Balfin Group me president Samir Manen.
G.O.C.A.T u hap me ekspozitën e Driant Zenelit, kuruar nga Ajola Xoxa. Përveçse drejton dy galeri private, Naan në Bllok dhe GurGur në Petrelë, Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, bashkë me Zenelin ka themeluar Platformën e Artit Bashkëkohor “Harabel”, me aktivitet të shtrirë nga komisionimi i veprave të artit bashkëkohor, te restaurimi i filmave të Kinostudios. Ka përfshirë në manifestimet publike artistë bashkëkohorë në zë dhe në celebrim e sipër, arkitektë, poetë, shkrimtarë nga Shqipëria e Kosova. Gjithë këtë investim me oborr të pasëm politik, e shoh si strategji për një elitë të re, e përshtatshme për vullnet individësh që janë në kërkim të një identiteti për një status të përtërirë në shoqëri.
Midis artistëve që bashkëpunojnë me “Harabelin”, ka që mbështeten me projekte nga Bashkia e Tiranës, e këtu bën pjesë edhe Zeneli. Disa nga të grup-kulturës së “Harabelit” janë fitues të fondeve publike, me vlerë 20.000.000 lekë, në projektin “Arti në Hapësirën Publike” (2022) nismë e kryeministrit, zbatuar nga Ministria e Kulturës. Ka artistë që me vetëdije kanë zgjedhur mos të konkurrojnë dhe mos të kërkojnë që të jenë pjesë e këtyre linjave ku, si politika lokale edhe ajo qendrore takohen dhe veprojnë. Nuk mund të presësh që artisti në një projekt si ky, të shprehë lirisht perceptimin vetjak për hapësirën urbane, një aspekt i instrumentalizuar nën pushtetin hipnotik të Ramës. Nën qeverisjen e tij arti bashkëkohor është goditur sistematikisht, sepse është zona që ai e njeh më mirë. Dhe natyra e artit bashkëkohor është e tillë që, zhvillimet aktuale në shumë fusha i përvetëson aty për aty dhe po aq shpejt reagon. Këtë Rama e ka shfrytëzuar që të përcjellë në skenën ndërkombëtare imazhin e një vendi që po modernizohet nën udhëheqjen e tij dhe vetëm të tijën. Ia ka dalë ta legjitimojë dhe t’i japë peshë politike, edhe ngaqë arti bashkëkohor është më afër lëvizjeve globale, të cilat, midis komunikimit dhe imazhit, përparësi i japin imazhit. Në këtë mënyrë i përputh arti bashkëkohor axhendat e elitës politike, biznesit (si Mane Foundation) dhe kuratorëve (si Xoxa).
Midis punëve të njohura të Driant Zenelit, është filmi që i ka dhënë titullin ekspozitës, Ata që u përpoqën ta rikthejnë ylberin në qiell (2013) dhe video-instalacioni Ndoshta kozmosi nuk është kaq i jashtëzakonshëm (2019), me të cilin përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias, ku Zeneli u caktua pa garë. I veçoj këto punë për faktin se, edhe pse të realizuara në mjedise me gjurmë të thella historish shqiptare, ato janë të detashuara nga bota që i ka prodhuar. Jo gjithmonë artisti ka detyrimin që ta orientojë veprën drejt sociales të vendit ku jeton. Mirëpo, kur trajtohet një konflikt ekonomik dhe politik për burimet e zhvillimit industrial dhe ky konflikt, jo vetëm zhvendoset jashtë Shqipërisë, po përdoret si flamur globalizmi, atëherë ka një problem etik: është fshirja e problematikës lokale nga vepra e artit.[2] Të kthesh në setting fantashkence minierën e kromit në Bulqizë, ku vdekja e minatorëve është bërë lajm rutinë (tre punëtorë gjetën vdekjen gjatë korrikut në minierat e Bulqizës dhe të Thekën-Martaneshit), do të thotë o të jetosh jashtë bote, o të heshtësh me vetëdije. Ndoshta kjo nuk ka rëndësi për artistin, i cili pasi e hedh në publik veprën, nuk është më autori i saj. Bëhet publiku autor, i cili përfshin në vepër kujtesën e vet për gjërat, si në këtë rast: Ndoshta kozmosi nuk është kaq i jashtëzakonshëm, realizohej në kohën kur Grupi Balfin vazhdonte shfrytëzimin e disa galerive të kromit në Bulqizë; kur lajmet për aksidentet dhe vdekjet në minierë nuk qarkullonin lehtë si sot dhe kur kishte nisur krisja mes sindikalistëve të vjetër e të rinj, mes të rinjve dhe punëmarrësve. Miniera ishte vend ngjarjeje, jo vend performimi i ideve për art global.
Kur dëgjohet fjala minierë, ndërhyjnë zëra podcasti. Lideri sezonal i një të majte tjetër bisedon me një anëtar të partisë, në rolin e moderatorit. Po zbulojnë shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Qëndrimi i tyre ndaj kapitalit mund të duket moralist, por ata provat kanë për t’i dhënë në terren. Forma e aksionit, nisur nga jeta e tyre aktive e deritanishme, mund të skicohej kështu: Pasi pëdëistët të kenë djegur goma para bashkisë dhe të jenë kthyer te lideri nën dritare, pasi aktivistët për të drejtat e grave, fëmijëve, kafshëve dhe të natyrës të kenë lënë sheshin për te kafeneja e lagjes, pasi protestat për rritjen e çmimeve ta kenë ndotur sheshin me fara luledielli, pasi fermerët e Fushës së Korçës të jenë gjobitur pse protestojnë për mallin vendës që i ka rënë vlera, pasi banorët e Fushë-Krujës të jenë shpërndarë me gazlotsjellës, për shkak se aksi Thumanë-Kashar po i varfëron me komandë, pasi polici i fundit që ka përdorur gaz lotsjellës mbi kokat e bashkëfshatarëve, të jetë kthyer në shtëpi vonë, ngaqë rruga e re e ka ndarë edhe atë nga komunikimi me tregun dhe qytetin, atëherë partia e së majtës tjetër, me apo pa klasë punëtore, do të dalë në protestë në shesh, në atë shesh që e do të gjithin për veten, ngaqë është e bindur se gjithë protestat në këtë vend nuk përcaktohen nga nevojat e njerëzve, porse nga axhendat e një hierarkie politike. “Vetëm ne e themi të vërtetën. Vetëm ne besojmë te punëtori, te një lloj i vetëm punëtori. Punëtor për ne është vetëm ai që përdor krahun si mjet pune, ai që e vdesin në vendin e punës, ai, për nderin e të cilit, i besojmë parajsat e punëtorisë.”
“Kaq është kapitali njerëzor, vlla?” ndërhyjnë zërat e lagjes. “Me viktimizëm do bëni elektorat ju?”
“Sikur janë konflikte konsumi, jo konflikte prodhimi”, thotë një zë katedre.
“Po punëtorët e mendjes, ç’t’i bëjmë?[3], ia mban sindikalisti i arteve.
Dreqin! Kemi neomarksistë po s’kemi neoproletariat!
Edhe pa qenë i lidhur drejtpërdrejt me elitat, artisti i joshur nga ide të importuara, që janë një variant i të krijuarit dhe të jetuarit jashtë kontekstit, e zhduk problematikën lokale nga vepra e artit për ta transferuar te “një audiencë ndërkombëtare”, siç dëgjoj të deklarohet. Përveçse mungesë sinqeriteti dhe guximi intelektual, me shumë të ngjarë, ky lloj artisti ka njohuri defektoze për shoqërinë, defekt formimi që mund ta fshehë përkohësisht pas mediumit. Në artet vizuale, artistit i mjafton njohja e të rejave të teknologjisë së mediumit dhe gjuha surprizuese që mund të vijë prej kësaj.
Në kinema, po ashtu, i gjen këto tendenca. Në një film shqiptar të viteve të fundit, dy vëllezër vuajnë një problem shëndetësor pa shërim. Megjithatë, mjeku dhe punonjësi social janë aty, të gjendur për t’u shërbyer. Vendi i papërcaktuar i ngjarjeve nuk ka si të jetë zgjedhje për qëllime estetike, siç është pretenduar, është një formë për ta trafikuar realitetin. Për regjisorin që bën film me fonde publike, do ishte përgjegjësi dhe kokëçarje që për setting të kishte spitalin shqiptar, llojin shqiptar të shërbimit shëndetësor publik, që i merr njeriut rezervat e dinjitetit që ka fituar nga jeta, paraardhësit apo çfarë mund t’i kenë mësuar librat dhe artet.
Duke lënë jashtë fokusit materien dhe urgjencën vendase, artisti bën një shërbim të pakërkuar propagande, njëlloj si katapultimi i copës së kromit në Bienalen e Venecias.
Sado të përkohshme arritjet spekulative dhe pa meritë, kohëzgjatja e efektit të tyre do mund të matej me vlerën që merr koha në arkeologji. Efekti i një vendimi korruptiv apo të padrejtë në kulturë zgjat me dhjetëvjeçarë. Elita që krijojnë shijet dhe interesat e Xoxave dhe Maneve, do të jetojë përtej bashkëkohësve, e ndoshta, edhe përtej fëmijëve të bashkëkohësve. Duke u djegur brezat, duke u vjedhur e ardhmja.
– Përgjithmonë. Galeria do jetë në Piramidë përgjithmonë, – tha roja e shërbimit që më identifikoi me hamendje si mësuese filloreje. Pasi u sigurua se nuk kisha ardhur për të lypur vend ekspozimi për vizatimet që bëj gjatë orës së mësimit, më garantoi se shërbimi, domethënë manifestimi i artit, këtu do të jetë falas.
– Falas vërtet. Këtu do kalojë arti bashkëkohor global, – tha.
Marr shkallët deri në majën e Piramidës. Krijohet një sy aty – si pozicioni i Krishtit Pantokrator në kupolën e katedrales – që sheh pingul në bazën e objektit ku ndodhet G.O.C.A.T. Nga kjo thjerrëz panoptikoni inspektojnë turistët. Turistët, e ardhmja e vendit.[4] Ata nxitin stadiumin dhe hotelin me kullë, muzetë e besës, mikpritjes dhe përgjimit, artin në bunker dhe në vilën e Enver Hoxhës, për t’i fiksuar në kartolina. À propos, në kartolinën e Shoqatës së Arkitektëve Shqiptarë për festat e fundvitit 2023, Tirana përfytyrohet me një brez pemësh në plan të parë, pastaj me objekte të rralla të ulëta që ruajnë të njëjtin nivel, ndonjë ndërtesë e lartë nëpër të, e pas tyre, vargu i kodrave dhe deti në horizont. Veç me gënjeshtër mund ta shprehte SHASH-i sedrën që ia ka deformuar servilizmi ndaj pushtetit.
(vijon)
© Elsa Demo 2024. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotoja në kopertinë është e autores.
[1] Opinion – Historia mbresëlënëse e njeriut më të pasur shqiptar! (22 Qershor 2023). https://www.youtube.com/watch?v=HmnNFMRGauI
[2] https://artreview.com/2019-venice-questionnaire-driant-zeneli-albania/
[3] Studimi për artin pamor: pak para dhe klientelizëm. Artistët më të pambrojtur se punëtorët e krahut: https://www.youtube.com/watch?v=tofuOZe-Ibw
Çelik Rruplli dhe Pavjo Gjini hulumtuan “Mekanizmat e mbështetjes dhe burimet financiare për artet pamore në Shqipëri”, Mars 2024. Në këtë dokument politikash rezulton se, statusi juridik dhe skemat e mbështetjes sociale, e bëjnë një artist pamor më të pambrojtur sesa një punëtor krahu.
[4] Samir Mane në bisedë me Blendi Fevziun: https://www.youtube.com/watch?v=HmnNFMRGauI