nga Elsa Demo
Për të luajtur tetëqind e dyzet herë motivin e pjesës “Vexations”, Eric Satie sugjeron: …il sera bon de se préparer au préalable, et dans le plus grand silence, par des immobilités sérieuses.
Do kisha dashur që, gjendja ku më mban muzika e Satie-së, të prekë dëshirën dhe vullnetin për një solilok në heshtje të thellë dhe pa melankoli, për të treguar një stinë shqiptare në përsëritje të pandërprerë.[1]
1.
Veprat e Richard Orlinskit, skulptor bashkëkohës francez best-seller, janë instaluar si dekor për shitje në hapësirat e jashtme të Piramidës. Kafshë si peshkaqeni dhe luani, përfaqësim i dhunës dhe pushtetit, ftojnë publikun t’i shohë si art sublim dhe madhështor. U inauguruan gjatë Ditëve të Francës, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që organizohen prej tre vjetësh në kryeqytetin e Shqipërisë. Shija popullore u manifestua në ushqim dhe pije në Sheshin “Skënderbe”, deri te një lloj teatri mbi liqenin artificial. Që ta përballosh, duhet të kesh nge, rini dhe garanci. Nëse jo, organizo festivalin tënd. E tha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, në megafestën e hapjes së Javëve: bëj edhe ti një festival në shkollë, në vendin e punës, në biznes.
Një festival për çdo njeri është pamja e kulturës në këtë vend, ku realiteti dominon çdo formë arti. Është krijuar ky zakon, të cilin, Tirana, bashkë me sjelljet e një metropoli që jeton në kontradiktë identitetesh, e transfuzon në qytete të tjera.
Kaq shumë festivale do të thotë se, është bërë e vështirë të argëtohesh. Fundi, kënaqësia lodh dhe shteron energjitë. Nuk është fjala për kënaqësinë personale në vetvete, për konsumin vetjak dhe ngarkesën morale që e shoqëron, sa kohë nuk largohet vëmendja nga shqetësimet e përbashkëta.
Mundohuni t’i hutoni njerëzit,
se sa për t’i kënaqur është zor,
thotë drejtori i teatrit në Paralojën e “Faustit” të Gëtes.
Kultura ludike, e qejfit dhe konsumit të shpejtë, falë qeverisjes dhe konsensusit kolektiv, ka dëmtuar idenë tonë për kulturën, bregun ku një qytetërim ankoron pa frikë në kohë krizash.
Mund të duket se po i jap peshë që nuk e ka kësaj pikëpamjeje, sepse bazuar në historinë tonë, zgjedhjet e shqiptarëve nuk strukturohen prej kulturës. Varet edhe nga vendi që përcakton çdo njeri nga i vështron dhe gjykon fenomenet e botës publike. Dhe çështjet publike nuk lejojnë vrimat në ujë, qoftë këto të formës “de gustibus”.
Fakt është që Shqipëria nuk matet aty ku duhet, në festivale me traditë në Evropë për teatrin, kinematografinë, letërsinë, artin bashkëkohor, muzikën. Zero pjesëmarrje vitin e fundit. Importi i prodhimit kulturor e ka shtypur prodhimin vendës, e sa për eksport, as bëhet fjalë. Studime nuk ka, sadoqë numri i writers dhe cultural theorists në universitete dhe Akademinë e Shkencave të reformuar, po rritet. Po nuk është e zorshme të konstatosh se, gjatë një viti, nuk qarkullon asnjë prodhim kinematografik vendas dhe asnjë vepër shqiptare nuk merr vëmendjen që që i jepet një vepre të përkthyer.
Dekalazhi i huaj/i vendit s’mund t’u ngarkohet faktorëve të globalizmit dhe as vonesave historike. Çështja është se, orientuesit e politikave dhe sektori i Kulturës, i ristrukturuar këtë vit brenda Ekonomisë dhe Inovacionit, nuk po japin shenjë vullneti për ta nxjerrë prodhimin vendas nga inferioriteti; nuk po japin prova që kultura ofron rritje ekonomike, sikur kasnecojnë ministrat e skuadrës socialiste.[2] Kultura nuk është kapital, teatrot dhe galeritë nuk sjellin mijëra njerëz, ama shpenzohet më shumë sesa ka fuqi ekonomike, shpenzohet për manifestim dhe performim, jo për prodhim kulturor të sigurt.
“If the political doesn’t find a home in the cultural, its sovereignty won’t take hold”, shkruan Terry Eagleton në një ese të fundit, “Where does culture come from?”.[3]
2.
Në qershor 2024 u publikua anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, që zhvillon INSTAT-i, bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Për vitin 2023, institucionet kombëtare të artit dhe kulturës kanë organizuar 1.175 shfaqje, të ndjekura nga 153.041 spektatorë.[4] Shifrat janë pa vlerë, kur shihen si klasifikim fuqish. Mirë do ishte të dihej sa të ardhura janë arkëtuar nga shitja e biletave, meqë pretendohet kapitalizim i kulturës në një treg pa konkurrencë, e pse jo, të dihet edhe numri i spektatorëve pa biletë, i aktiviteteve gratis si përçmim i punës krijuese.
Ka zënë rrënjë ideja se, institucionet kombëtare nuk kanë për qëllim të jenë komerciale, madje u tolerohet të jenë jofitimprurëse.[5] Të mos abuzosh me qëllimin për të tërhequr publik me çdo kusht, është një gjë, kurse të përdorësh kartën e jopopulizmit për të mbuluar stanjacionin, sallën që mezi mbushet, është një gjë tjetër. Drejtuesit nuk përdorin të njëjtën logjikë për produksionet private, që publikun e trajtojnë si obez, me ushqim të gatshëm, pa pretendime, që do pranonte ta gostitin me fundin e kazanit.
Është po aq e vërtetë se, – sërish më vijnë fjalët e drejtorit te Fausti – po mbyllen mundësitë për diskutim mbi publikun që di të rrojë dhe ndihmon artin të rrojë. Mirëpo s’mund të flitet kur, ata që kanë përgjegjësi, luajnë me standard të dyfishtë.
Gjithnjë sipas INSTAT-it, në krye të listës për numër spektatorësh qëndron Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit me 55.852 spektatorë, 3 herë më tepër se vitin paraardhës; disi në ngritje Teatri Kombëtar me 28.900 spektatorë, prapë pak në raport me numrin e banorëve të Tiranës.
Janë në rënie: Teatri Kombëtar Eksperimental, Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, Cirku Kombëtar, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Kjo e fundit me zero publik. QKK nuk e ushtron të drejtën të marrë informacion nga rrjeti i kinemave zinxhir Cineplexx, i vetmi që funksionon në Shqipëri, si pjesë e një standardi global në peizazhin e kafeneve, restoranteve, markatave, parqeve për fëmijë të fabrikuara brenda qendrave tregtare. Qendra nuk mbledh të dhëna as nga producentët, sepse edhe ata janë skuadër (pavarësisht se të ndarë në shtatë shoqata), që nuk i bën përshtypje mungesa e politikave kombëtare për prodhimin filmik. I shqetëson bllokimi i punës prej tre vjetësh, por u leverdis të mos bëjnë sherr. Njohin komoditetin e kompromisit, por nuk janë të vetëdijshëm për efektet e heshtjes së tyre. Qeveria po zvarrit ndryshimet e ligjit “Për Kinematografinë”, pa ua vërshëllyer t’u marrë ndonjë mendje. Këta shfryjnë kafeneve, bëjnë thashetheme dhe heshtin në publik.
Të dhënat e INSTAT-it e nxjerrin institucion pa produktivitet Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, kur puna e tij nuk matet me kritere sasiore. Para disa javësh u informova se, halli i Arkivit është gjetiu. Si institucion i rëndësisë së veçantë, që e ka të detyrueshëm shërbimin e rojave të sigurisë, Arkivi nuk ka rrethim, kangjellat janë hequr për shkak të rikonstruksionit të rrugës në Kinostudio, por gjithë këto kohë nuk paskësh pasur as roje, as kamera sigurie. Drejtoria i ka kërkuar fond shtesë ministrisë, për të paguar 200.000 lekë në muaj kompaninë e shërbimit të sigurisë “Illyrian Guard”, kur vetëm për projekte, buxheti i Arkivit është 300.000 lekë në vit. Paralizuese dhe fyese!
Këtu, lexuesi është i lutur të kujtojë fushatën e ish-ministres së Kulturës Margariti, për krijimin e polit urban-kulturor në zonën e Kinostudios, dhe po nga aty gjen përçartjen e Veliajt për potencialin që ka Tirana, jo për një, po për disa efekte Bilbao, një lloj kulture politike që, kërkesat estetike për qytetin dhe për stil jetese i quan ndryshim cilësor.[6]
Duke ndjekur zhvillimet në terren vëren vakuumin mes çfarë është thënë dhe çfarë është bërë.
Kalendari i Teatrit të Operës dhe Baletit nuk mund të fshehë më problemet: mungesën e profesionistëve në drejtim artistik, dirigjim, regji, kanto, balet. U shty një natë e “Plagës së dhjetë të Gergj Elez Alisë”, sepse një balerinë u dëmtua, dhe teatri nuk ka dublantë. Mosha mesatare mbi 35 vjeç e trupës së baletit është zytarisht hyrje në pleqëri. Si balerinë klasikë sforcohen për t’u ngritur pak pëllëmbë nga toka kur kërcejnë “Zhizelin”, ama shkëlqejnë si entertainers në “Dancing with the stars”.
Mungojnë mjeshtrit për të sjellë në kohë veprat e repertorit kombëtar. Inva Mula vuri në skenë operetën “Karnavalet e Korçës” me po atë besnikëri ndaj boshtit ideologjik, që pati treguar i ati, Avni Mula, në vitin 1977.[7] Sa artificiale, aq dhe qesharake përplasja e klasave. Domethënë, forca e paragjykimit që ka prodhuar arti i asaj epoke, vepron edhe pasi paragjykimi të jetë shkatërruar (ka ndodhur me “Prefektin” e Besim Levonjës, me prodhimet e Kinostudios). Pastaj, duhet të jesh naiv të presësh që trashëgimtarët, bijtë e etërve, të vendosin një kanon të ri brenda vlerave të realizmit socialist.
I njëjti problem me “Plagën…”. Patetik eposi dhe legjenda në libretin e Kadaresë! Torturë muzika e Ibrahimit! Në përballjen e Gjergjit me Balozin, dallon Prokofievin, ritmet e Montagëve dhe Kapuletëve. Momente nga Raveli e Çajkovski orkestrantët m’i konfirmuan gjatë pushimit mes akteve, të lodhur siç ishin nga ajo muzikë që “duhet luajtur fort, fillim e fund”.
Koreografia e Aliajt, një fotofolklor pozash e gjestesh, kostumesh e parukerish virile. Ka momente kur të befason me bukurinë e karaktereve negative, të cilët, krijuesi i dyzet vjetëve më parë, është detyruar “t’i nxijë”. Pjesët e Balozit, solo dhe në ansambël, evokojnë disi gjuhën e dancit modern që eksploronin bashkëkohësit e Aliajt në Evropën e viteve ‘70.
Në Operën e këtyre kohëve kam vënë re një shqipe bastarde (në subtitra) në këngët e “Carmina Burana”-s, në libretin e “Madama Butterfly”-t, punë e bërë me siguri përmes google translate, nga rekrutë të një zyre përkthimi private. Fabrika më e madhe e punëtorëve të artit në Shqipëri nuk ka njerëz të alfabetizuar, të shkruajnë dhe përkthejnë shqip, nivel që rëndom bie në sy në fletëpalosjet e shfaqjeve teatrale në skena të tjera të Shqipërisë.[8]
Kontradiktore politika e socialistëve: investojnë në infrastrukturë pa pasur plan afatgjatë për kapitalin njerëzor krijues dhe interpretues, pa plan punësimi për të rinjtë, për pensionimin dhe trajtimin financiar të atyre që mbyllin jetën artistike aktive (mundohem ta përzë logorenë e ministres Kumbaro, sa herë më shfaqet duke shkumuar premtimin për Statusin e Artistit). Qeveria miraton pensione speciale një herë në vit, jo në bazë të ndonjë statusi për artistin. Janë speciale, pikërisht sepse janë selektive, dhe si të tilla diskriminojnë një masë të gjerë artistësh, veçanërisht ata që nuk kanë treguar zell për t’i pëlqyer qeverisë, ministrisë.
Edhe kohë televizive, TOB-i nuk ka marrë pak këtë sezon, vetëm se drejtoreshës nuk i mjaftoi dhe, nën modelin e kryeministrit, krijoi tobcastin e vet. Këto biseda të çlirëta për të shtuna (kodi i veshjes: T-shirt), lindin po ashtu nga kontradiktat: shumë fjalë që thuhen aty, shërbejnë për t’u vetëmbrojtur për aksione politike që, të paarsyeshme, është pak t’i quash.
Vazhdon pa shpallur program vjetor Teatri Kombëtar. Mendimi që ka për veten ky teatër, është më i lartë se e vërteta. Po ja që është një skenë fare mesatare, nuk ngjall kuriozitet, nuk kapërcen kufijtë në festivale më afër nesh si i Sofjes, Ljubljanës, Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, për të mos folur për festivalet e Pragës, Poznanit apo Lajpcigut. Detyrimin për të prodhuar dy drama shqiptare në vit, e çoi në ekses: pesë u vunë në skenë sezonin e shkuar, të një niveli jashtë realitetit. 70 vjeç ka shkuar mosha mesatare e dramaturgut (Leka Bungo, Pëllumb Kulla, Viktor Zhusti, Ledian Gjeçi, Saimir Gongo), sa e regjisë. 65 vjeç ishte në “Netët e Leximit të Dramës Shqipe” në vitin 2022.
Thënë me fjalët e drejtorit: Fytyra e dramaturgjisë shqiptare, është fytyra e Teatrit Kombëtar.
Për të njëjtin mision, Teatri Kombëtar Eksperimental, venerues i pashpallur i “going global”, dështoi me punëtorinë e dramës shqipe, që ia kishte besuar të njëjtit mik të vjetër. E kur në mbylljen e sezonit, pashë “Këngëtaret e klubit të natës”, ku figura e Aleksandër Moisiut ishte përdorur si një aksion karmik, pa logjikë estetike, as historike, mendova për sa grup-kulture artistësh të huaj qarkullojnë nëpër Evropë për të varur, ku të gjejnë mundësi, maskën e wokeism-it, siç gjetën këtu një teatër me kompetenca të kufizuara, që natyrën e të resë dhe eksperimentimit e barazon me thyerje tabuje aty ku tabu nuk ka. Shqipëria është për ta vendi mikpritës, inferior dhe qesharak.
Sa për raportet me ministrinë, drejtuesit pranojnë të punojnë me buxhete debilizuese që fyejnë rëndësinë e teatrit, gjymtojnë shekuj qytetërimi që teatri mbrun, falë të cilit qytetërim janë ushqyer teatrot nacionale të vendeve si yni, kur nuk kanë mundur të ushqejnë veten.
25 për qind e uli buxhetin e TK-së për vitin 2024 Margariti, ndërsa linte skuadrën socialiste.
Teatrot kanë nevojë për dyfishimin e vlerës të buxhetit më të mirë që kanë pasur në vite, në mënyrë që të investojnë në teknologjinë teatrore, e cila e bën teatrin të jetë vërtet art skenik, veçse konsumohet në çdo shfaqje. Dorëshkrimet e dramës shqipe bashkëkohore dhe të traditës, kanë nevojë të mblidhen dhe të botohen në kolanë, punë që shkon paralel me dixhitalizimin e arkivit fotografik, atij audio dhe video, me qëllim që ata që nuk i kemi, t’i kthejmë në jetë; ata që janë gjallë, të rivlerësohen për çfarë kanë dhënë dhe jo për vitet që konsumojnë mbi dhé; ata që po lënë rininë në skenë dhe nuk ua njohim vlerën, dhe të tjerë që vlerën ua marrim për të mirëqenë, të ndjejnë se ka mirënjohje edhe për ata. Nuk është punë klipesh që realizojnë çiliminjtë e MEKI-t nga krevati i shtëpisë, për të humbur pastaj në vrimën e zezë të rrjeteve asociale.
Derisa drejtuesi nuk guxon të kërkojë çfarë i takon dhe është bazike për teatrin, ta lërë mënjanë demagogun me këshillat drejtuar të rinjve për revolucion.[9]
(vijon)
© Elsa Demo 2024. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotoja në kopertinë është e autores.
[1] Ky tekst me titull Çfarë u tha dhe çfarë u bë, u shkrua fillimisht si editorial përmbyllës i emisionit Artes, që drejtoj në Radio Televizionin Shqiptar. E zgjerova materialin për Peizazhet e Fjalës, me kërkesë të Elona Pirës, të cilën e falenderoj për mundësinë që më dha të përpunoj disa qëndrime, që shkojnë përtej sezonit artistik tetor 2023-qershor 2024 që pata në fokus në krye të herës.
[2] Në politikishte, kjo fjalë nisi të përdorej rëndom me Ramën. Në emër të kolegjialitetit, fjala skuadër maskon vendimmarrjet e njëanshme të individit me pushtet absolut. Një pjesë e mirë e “lojëtarëve” socialistë, ministra, deputetë, këshilltarë e drejtorë të nivelit të lartë, kanë probleme të rënda me drejtësinë dhe arrijnë t’i shpëtojnë asaj në çdo rast. Pra, skuadra e sheh si lojë angazhimin në çështjet publike.
[3] London Review of Books, Vol. 46 No. 8, 25 April 2024
[4] https://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe social%C3%AB/kultura/publikimet/2024/statistikat-e-kultur%C3%ABs-2023/
[5] Teatri i Altin Bashës në një vit | “Artes”: https://www.youtube.com/watch?v=wnrRLkL6vms
[6] Transkinostudio, Peizazhe të Fjalës, korrik 2022
[7] Edhe synopsis vjen me të njëjtën gjuhë stereotipesh: Opereta «Karnavalet» është punuar sipas motiveve të komedisë së mirënjohur te Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçes”, në t cilën demaskohet e vihet në lojë shoqëria e kalbur feudalo-borgjeze së bashku me rregjimin antipopullor të kohës. Në vepër, në të njëjtën kohë, pasqyrohet edhe qëndresa e lufta e popullit punonjës dhe e vegjelisë së qytetit kundër këtij regjimi. Autorët e operetës, duke u mbështetur në motivet qytetare kombëtare, kanë arritur të japin me dinamizëm dhe gjallëri atmosferën e përpjekjeve të njerëzve të dalë nga gjiri i popullit.
https://tkob.gov.al/?event=tkobap-sjell-opereten-karnavalet-e-korces
[8] Ndodhi edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në korrik, në Festivalin e Teatrit Bashkëkohor, drejtuar nga Ema Andrea. “Tramvaj me emrin dëshirë” i Tennessee Williams luhej në gjuhën bosnjake, me subtitra në anglishte dhe shqipe të përçudnuar.
[9] Shih apelin përmbyllës në “Artes”: https://www.youtube.com/watch?v=wnrRLkL6vms; dhe këtu: https://www.kultplus.com/lajme/festivali-mediums-paneli-i-debatit-ne-diten-e-trete-te-festivalit/