Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema

ALAIN DELON – NË KËRKIM TË FËMIJËRISË

nga Skënder Sherifi

Pas Jean-Paul Belmondo-s, para pak ditësh, na iku për në botën tjetër edhe Ylli i Fundit Mashkullor i kinematografisë franceze me rrezatim planetar, zoti Alen Delon. Ky lajm nuk mund të na lerë indiferent, sepse na kanë përcjellë gjatë gjithë jetës sonë filmat e tij, personaliteti i tij, shikimi i tij, fytyra e tij, energjia dhe jehona e tij … pra, na ka lënë ai njeri aq i posaçëm, një vulë, një gjurmë, një kujtesë dikund në shpirtin tonë. E kemi të gjithë, deshëm apo nuk deshëm, një copëz të Alen Delonit brenda vetes. E pse, qysh, me çka? Unë e kualifikova me qëllim aktorin gjigand francez me këtë titull dhe nëntitull të këtij shkrimi, sepse mendoj që i korrespondojnë përfekt, ngaqë janë pikërisht ato dy elemente, të cilat mund ta përmbledhin karrierën dhe jetën e tij. Si paradoks i gjallë, me atë sindromin evident të Marylin Monroe-s, sepse ma keni vjedhur, fëlliqur dhe sabotuar fëmijërinë time dhe tani keni për ta paguar, duke më dashur, më admiruar, më idolatruar deri në pikën e fundit edhe pse etja e ime për dashuri është e pashërueshme, një oqean i pafund, edhe pse e di që, më në fund, do jem i dënuar nga vetë jeta jonë për ta përjetuar një vetmi absolute, duke i shpalosur kujtimet e mia të kaluara, si një album i shenjtë fotografik. Pra, ka diçka prustiane tek Alain Deloni, por gjithashtu edhe celiniane (Louis-Ferdinand Celine). Por më në fund « na ishte një herë BUKURIA … e çfarë bukurie, o Zot? » si në filmin sublim të Viskontit adaptuar nga libri i Thomas Mann-it «Vdekja në Venedik» me muzikën apokaliptike të Gustav Mahlerit ku në një moment personazhi kryesor thotë «ai që i lëshon sytë mbi bukurinë, i ka lëshuar edhe mbi vdekjen.» Po, po, të nderuar lexues, është ai magnetizmi magjik, misterioz, enigmatik, i papërshkrueshëm, i cili në një moment të caktuar mund të pushtojë çdokënd prej nesh. Nëse vjen pyetja përfundimtare për t’i thënë të interesuarit «O zotëri Delon, po si mund ta përshkruash ti vetë jetën tënde me një formulë, çka ke mësuar nga kjo jetë, cila mund të jetë këshilla apo fjala jote e urtë për ne?»

– Së pari kam luajtur në maksimumin e mundshëm me bukurinë time, e cila ishte kapitali im dhe e kam shfrytëzuar pa limit. Dhe së dyti, kam qenë gjithmonë në kërkim të fëmijërisë sime të humbur, të frakturuar, të plagosur shpirtërisht dhe nuk kam mujtur kurrë për ta shëruar siç duhet atë dhimbje, atë mungesë permanente, atë vakuum ekzistencial. Kam startuar me karta katastrofike në jetë! Prandaj, kam jetuar gjithë jetën, në thelb, në esencë, mjaft i vetmuar në botën time dhe me kodet e mia, i rrethuar me 50 qen të racës policore, deri te ky i fundit, miku im besnik Lubo, të cilin mund ta eutanazioni pas meje, pasi që kam kërkuar me testament që të varrosemi tek parku gjigant i Shtëpisë ime në Douchy, në atë kishëzën, të cilën e kam pas ndërtuar me kohë, pikërisht për atë qëllim, ngaqë dëshiroj për të pushuar bashkë me qentë e mi. Pavarësisht depresionit kronik, i cili ia ka lënë një ngjyrë tragjike jetës sime, jam krenar për gjithëçka kam bërë dhe e shtyva deri në këtë moshë 88- vjeçare me rreth 90 filma si referencë, 8 deri në 10 prej të cilëve mund ta kapërcejnë kohën, sepse mund të konsiderohen si vepra njëqind për qind artistike dhe e nderojnë pa dyshim artin e shtatë. Janë edhe ato 3 femrat ikonike që e kanë dashur tmerrësisht e pa rezervë Delonin dhe të cilat i ka si shtylla permanente, mbi të cilat është ndërtuar si Njeri së pari, dhe si Aktor së dyti edhe pse kanë qenë më tepër në shërbimin e tij, duke iu përgjigjur fantazmave dhe kërkesave të tij, nganjëherë të tepruara, mos edhe tiranike, kështu që e kanë duruar aq sa kanë mundur, deri kur janë dorëzuar. Me një egocentrik të tillë, kuptohet që nuk është lehtë! Po flasim për Romy Schneider-in, e bukura Perandoreshë « Sisi », dashuria e tij e parë e rinisë, ajo që nuk mund të harrohet kurrë, ngaqë e ruan një parfum poetik idilik, por edhe dështimi tragjik i asaj marrëdhënieje, për shumë arsye, të cilat e duan gati një libër për ta sqaruar. Pastaj vjen Nathalie Delon, pak a shumë gati alter-egoja e tij, po me atë lloj karakteri, pa koncesion dhe, më në fund, ndoshta ajo që iu përshtat pak më tepër stilit dhe brendësisë së tij, sepse kanë qenë të ndërtuar në një brumë. Pra, Natalia është Deloni në model femre, kopja e tij, motra shpirtërore, porse kur nuk i pëlqen një gjë, kur diçka e irriton, shpërthen dhe eksplodon keq, si vetë Deloni, ngaqë është e papërmbajtur dhe në idealin e saj ëndrron për diçka absolute njëqin për qind të pastër dhe pa rrena, çka në jetën normale nuk ndodh kurrë. Dhe, më në fund, vjen zonja Mireille Darc edhe ajo aktore që ka pasur, por në një mënyrë krejt të natyrshme, atë psikologji te infirmieres, të nënës, të motrës së madhe, e cila të këshillon për mirë dhe kujdeset në maksimum për ty dhe paralelisht edhe të dashnores që rri në vendin të cilin ia kanë atribuuar. Bile, kur ndërroj jetë nga sëmundja, pat deklaruar Alen Deloni që jeta e tij pa Mirelën, nuk ka tani asnjë vlerë për të dhe që mundet me u zhdukur prej kësaj bote që nesër, pa asnjë pendim. Mirëpo, me këtë aktor eksepsional, komplet jashtë normave, duhet me u nis nga fillimi. Alen Deloni lindi në vitin 1935 në Francë, duke e pasur për babë, zotin Fabien Delon, i cili ka vdekur në vitin 1977, pasi ka punuar si drejtor i një salle filmi në Bourg-la-Reine, kurse nëna e tij quhej Edith Arnold (ka vdekur në moshën 84 vjeçare në vitin 1995) dhe punonte si nëpunëse në një farmaci. Pra, aktori ynë vjen nga një familje e borgjezisë së mesme provinciale franceze. Në vitin 1939, kur Alen Deloni është 4 vjeç, do ndahen keq prindërit e tij dhe, në një mënyrë krejt egoiste dhe të papërgjegjshme fare, që mos ta kenë këtë fëmijë ndër këmbë, do e fusin në një familje adoptive mikëpritëse, por që nuk është familja e tij, pra janë njerëz komplet të huaj për të. Kështu që kjo ngjarje ekstreme krijon një thyerje shpirtërore dhe emocionale të madhe dhe të pariparueshme tek Alen Delon, të cilën nuk mund ta shlyejë kurrë dhe ajo do ta përcjellë gjer në frymëmarrjen e fundit të jetës së tij. Kjo frakturë fëminore do diktojë më vonë gjithë karakterin dhe sjelljen e tij në jetë, por aty do futen pastaj në shtesë disa elemente të tjerë. Bile në një intervistë televizive të bukur me Bernard Pivot, në pyetjen e fundit kur Pivoja e pyet se, më në fund, çka do të kishe dëshirë për me të thënë ty, personalisht, Zoti? Dhe ai përgjigjet «do kisha dëshirë të më thotë, eja tani se, më në fund, ja ku i ke prindërit e tu, të dy së bashku dhe në harmoni » dhe me mënyrën emocionale sesi e tha, më shpëtuan disa lotë! Ja pra, fjala, dhimbja shpirtërore e një plaku mbi 80-vjeçar që ka famën dhe karrierën e jashtëzakonshme të Alen Delonit, por që nuk mund ta shlyejnë as oskarët, as cezaret, as sukseset, as milionat, as vilat, as makinat, as ari apo diamanti! Babai i tij adoptiv është gardian burgu në Fresne. Si fëmijë do luajë përditë në ato terrenet afër burgut dhe do kalojë kohën disa herë dhe me vizitorët e jashtëm që vijnë për t’i parë, herë pas here, të burgosurit e tyre. Ky është universi i fëmijërisë të Alen Delonit- i rritur me dy prindër të huaj dhe duke bredhur nëpër rrugë, terrene, oborre, kopshte afër një ndër burgjeve më gjigande të Francës që janë (Fresnes dhe Fleury Mérogjis). Dikur prindërit adoptivë e çojnë në shkolla katolike, por nga sjelljet e tij të padisiplinuara, do e përjashtojnë 6 shkolla. Prindërit adoptivë do lodhen me të dhe do i ankohën nënës së tij Edith, duke i thënë, nuk po dimë se çka me bërë me këtë laper të luajtur mendsh, a po na heq qafe? Ajo zonjë, duke qenë e rimartuar tani për së dyti me zotin Pol Bulonj, një tregar mishi në kasaphanë, cili blen dhe shet mishëra dhe sallame të ndryshme, do për ta ruajtur me çdo kusht qetësinë e saj me bashkëshortin e ri, pa e pasur në ngarkim atë fëmijë të cilin e ka hedhur gati në mes të rrugës kur ishte 4 vjeç. Por, megjithatë, e kap një fajësim kristian dhe e lut burrin e saj Pol për t’ia gjetur një shkollë profesionale, një punë dhe një banesë. Dhe ky, çuditërisht, i përgjigjet pozitivisht. E pranon në shtëpinë e tij duke ia lëshuar një dhomë dhe e punëson në tregtinë e tij të mishërave ku i ka 16 persona të cilët punojnë për të. Fillimisht, Alen Deloni disiplinohet një minimum, shkon në shkollë dhe e merr një diplomë teknike për kasap i specializuar dhe punon rregullisht tek burri i dytë i nënës së tij, Edith. Por, shumë shpejt do mërzitet. E kupton që ky zanat nuk mund ta përmbushë gjithë jetën dhe ardhmërinë e tij edhe pse nuk e din aspak në atë moshë tepër të re se çka dëshiron në realitet për të bërë? Çka don? Kasap gjithë jetën jo se jo! Si adoleshent krej i ri, e luan një rol tek babai e një miku të tij Olivje Burginjo, në një metrazh të shkurtër. Pastaj, siç vepronte dikur Artur Remboja, tenton për të ikur me një auto-stop dhe disa mashtrime të ndryshme, mendja e tij punonte për « L’AMERIKA-n », si albanezët e dalë nga Gulagu nën qiell të hapur të Enver Hoxhës edhe ai ëndrron për të shkuar me jetuar në Çikago të Amerikës me plaçkitur ndonjë bankë me Al Caponen, por e ndalon policia në Bordo. Pra, do bredhë këndej e andej, do flejë ku të mundet nëpër shokë dhe shoqe, do vjedhë, do trafikojë, do mbijetojë mbarë e mprapsht dhe, dikur, në moshën super të re, vetëm 17 vjeç, sa për ta shijuar aventurën e vërtetë, si të ishte ajo punë një rol në një film, një sfidë me vetveten « ta provoj se deri ku mund të shkoj dhe se çka do më sjellë ajo eksperiencë », shkon për t’u angazhuar në ushtri, në shërbimin ushtarak të Marinës Kombëtare. Mirëpo, duke mos e pasur akoma moshën e duhur madhore 18 vjeç, prindërit e tij e firmosin një dokument, duke e dhënë pëlqimin e tyre. Porse, në vitin 1953, duke e vazhduar formimin e tij ushtarak, Alen Deloni vjedh disa materiale ushtarake- instrumente radiofonike për komunikim- kështu që Marina Kombëtare do t’i thotë : ose për t’u larguar definitivisht prej ushtrije ose si dënim moral për ta vazhduar edhe 5 vite suplementare eksperiencën tënde me Marinën Nacionale. Dhe ashtu e dërgojnë në Indokinë ku zhvillohet nëpër xhungla një luftë tepër e egër dhe e pamëshirshme, siç e keni pa ju vetë në të gjithë filmat amerikanë mbi Vietnamin. Pastaj ushtria e arreston në Indokinë, sepse zoti Delon ka vjedhur tani një « Jeep » për të bërë pak turizëm nëpër Azi dhe për t’i shijuar kafet dhe bordelet e vendit. Dhe kështu, imagjinojeni situatën e tij në ferrin indokinez! Do e festojë Alen Deloni 20 -vjetorin e tij në një burg ushtarak të Vietnamit. Pa folur pastaj fare për eksperiencën unike dhe të rrallë që e ka përjetuar andej në Indokinë, për të cilën nuk është zgjatur kurrë, ka qenë dhe është akoma sot, një zonë e errët, e pasqaruar dhe e pa dokumentuar siç duhet. Pra, nuk dihet saktësisht se çka mund të ketë përjetuar Alen Deloni gjatë atyre vitëve të rinisë së tij në terrenet dhe fushëbetejat e Indokinës. Gati një Black Out total! Ngaqë nuk ka qenë atje, Klub Mediterranéja, ose Pushimet all inclusiv në Bodrum apo në Dubrovnik. Porse ka zbuluar disiplinën ushtarake, vlerat dhe solidaritetin e ushtrisë, sensin e nderit, respektin ndaj kodeve, ndaj Flamurit dhe pasionin ndaj armëve. Madje, të gjitha këto elemente i ka ruajtur mund të thuash gjatë gjithë jetës së tij. Kodet ushtarake, kodet banditeske apo mafioze, kodet sportive, mbi këto elemente ndërtohet karakteri dhe sjellja e tij në jetë. I kam pas thënë shpeshherë vetës : ai djalë e ka brenda vetës një anë malësore, korsikane, diçka kanunore, ku veprojnë disa rregulla precize. Sepse vjen i formuar nga aventurat dhe dramat e tij nëpër rrugët e Francës dhe pastaj në fushë-betejen e Indokinës. Dhe aty nuk bëhet fjalë për shtojzovalle dhe zana malesh në Mirditë apo Peshkopi. Jo, jo, në arenën e jetës së egër bruto, je si në ringun e boksit, ku vetëm të fortit mund t’ia dalin me sukses, ngaqë nuk e ke nënën tënde për të përkëdhelur, as Zhak Lakanin për të thënë – eja e shtrihu në kolltukun tim dhe po të ndihmoj për t’i hequr mjegullat dhe ngarkesat e tua të kota. Në ato rrethana mbretëron vetëm ligji i mbijetesës me çdo kusht dhe nuk ka aty pastaj shumë llafe, komente apo analiza morale. Në vitin 1956, do rikthehet Alen Deloni në Paris nga Indokina, në moshën 21 vjeçare. Nuk ka punë, nuk e din se me çka mund të merret, ka këputur çdo lidhje me prindërit e tij natyrorë ( Fabianin dhe Edith-ën ) dhe do marrë çka t’i ofrojnë : me shkarkuar mallrat nga kamionët, kamerier në kafet e Champs-Elyzées, banon në Hotelin Rexhina të Parisit, takon dhe kalon një aventurë me këngëtaren e njohur franco-italo-egjiptiane Dalida, po ashtu, do bredhë më vonë disa kohë në zonat « Pigalle – Montmartre » me banditët, trafikantët, dealerat, delinkuentët e përditshëm dhe prostitutat e dy sekseve. Njëri prej tyre, një homoseksual i quajtur Carlos, do e marrë komplet në mbrojtjen e tij personale. Dhe sikurse në ushtri, shihet qartë që i pëlqen ajo botë margjinale e banditizmit të vogël, të mesëm apo të madh me kodet e saj strikte dhe një farë besnikërie në mes « se nuk tradhtohet një shok ». Madje, deri në fund, pa u formalizuar fare, i ka pas ruajtur disa lidhje miqësie edhe me ato mese të quajtura mafioze. Fjalën e ka pasur fjalë dhe besnikërinë e ka pasur kult! Çkado e konfirmon edhe regjisori ikonik i filmit francez Jean-Luc Godard në vitin 1990, pas filmit që kanë bërë së bashku.

-Po zoti Jean-Luc, si jeni marrë vesh me Alen Delonin dhe a keni mujtur për t’u kuptuar? Dhe është përgjigjur :

– Mrekullisht mirë, sepse ai i ka për nga natyra e tij ato rite dhe kode komunikimi të gjeneratave të vjetra të banditëve të mëdhenj ku fjala e ka një peshë dhe sjellja e ka një dinjitet, prandaj komunikimi ka qenë i thjeshtë dhe i qartë me të. Nuk kam asnjë ankesë! Kurse me Gérard Depardieu-n jo, se ai nuk ka për nga edukata e tij asnjë normë, parim, princip dhe evoluon pa kritere precize në jetë. Improvizon gjithçka brenda një çrregullimi dhe kaosi të brendshëm total, porse nuk ka vijë drejtuese.» Pastaj, me bukurinë e tij eksepsionale, gjysmëhyjnore, gjysmëdjallëzore, pra jo bukuri vrastare, kundër së cilës, askush nuk mund të rezistonte gjatë. Të gjitha femrat, por edhe meshkujt, duke u nisur nga ato prostitutat e lagjes, do dashurohen me të, do e mbajnë tek apartamenti i tyre dhe disa prej tyre edhe do punojnë për të. Një jetë, pak a shumë, mes një aventuristi dhe një zhigoloje, tamam si Richard Gere në filmin « American Gigolo ». Por edhe aty, dikur do mërzitet dhe do e caktojë një limit. Vjen tani në lagjen e njohur dhe mitike të Saint-Germain-des- Prés, ku gjithë kohën, 24 orë në 24, gulfon arti, aventura, takimet, zbulimet, projektet, revolucionet, dashuritë, utopitë dhe… në netët pariziane e takon aktoren e njohur Brigitte Auber, pikërisht në atë Klubin Shën Gjermen dhe ajo do mpihet nga bukuria e Delonit gjer në ekstrem dhe me qenë se ka ra në një dashuri të pakontrolluar, do i propozojë për të jetuar së bashku në apartamentin e saj luksoz të Parisit 7, me një komfort maksimal. Kështu që Alen Deloni do largohet nga Pigali dhe zona banditeskte e Parisit, nga gjithë ajo shoqëri e mëparshme për të takuar tash e më tutje meset artistike dhe borgjeze. Do e marrë Brigitte Auber me vete në Festivalin e Kanës të vitit 1957 dhe do banojnë në një Vilë në Saint-Paul de Vence, në Provencë. Aty, në Festival, shoqja e tij, e njeh me agjentin e vet, zotin Georges Beaume, disa miq aktorë të njohur si Jean-Claude Brialy dhe kështu, gradualisht, do hyjë në ato meset kinematografike franceze, por edhe internacionale, sepse në atë Festival të Kanës e ke prezent gjithë botën. Në një moment, i propozon producenti David O. Selznik për ta bërë një provë në Romë. Dhe shkon Alen Deloni e banon tek një fotograf italian, i cili do bëhët më vonë i famshëm, zoti Gian Paolo Barbieri. Do i kalojë të gjitha provat me sukses dhe dikur zoti Selznik do t’ia propozojë një kontratë 7-vjeçare për në Amerikë, por me kusht që ta mësojë perfekt anglishten. Pra, do t’i fillojë disa leksione me shoqen e regjisorit francez Yves Allégret, zonjën Michèle Cordoue, e cila edhe ajo, sikurse të tjerat, do hipnotizohet komplet nga bukuria e tij përrallore dhe e papërshkrueshme dhe do jetë natyrisht dashnorja e tij. Mirëpo, pastaj, ajo do i thotë me insistim burrit të saj « shiko, o i dashur, duhet detyrimisht që ta marrësh këtë djalosh në filmin tënd të ardhshëm, a more vesh, se s’bën ndryshe! » Dhe ai, duke e parë natyrën që ka ajo, ia jep një rol të rëndësishëm në filmin e tij : « Quand la femme s’en mêle » në vitin 1957. Dhe Yves Allégret do i thotë, sepse ja kupton thelbin dhe fuqinë natyrore, diçka që nuk mund të vijë nga akademitë e arteve apo konservatorëve artistike, por nga vetë jeta bruto :

– Dëgjo Alen, mos aktro fare, mos u sforco për asgjë, okay? Fol lirshëm dhe natyrshëm siç po flet tani me mua, shiko lirshëm siç po më shikon mua, pra, mos luaj fare, por përjetoje situatën ashtu siç je ti, dhe pikë.

Dhe natyrisht magjia e filmit sa që të gjithë harrohen, aq shumë e zotëron Deloni me magnetizmin e tij gjithë ekranin. Pastaj, do e luajë një film tjetër me vëllain e Yves Allégret, zotin Marc, me titull : « Sois belle et tais-toi » 1958, ku, për të parën herë, e takon në distribucionin e roleve edhe Jean-Paul Belmondon. Tani jeta e tij merr një rrjedhë krejt tjetër. Po e filloj me një film artistikisht të parëndësishëm fare që quhet « Christina » 1958, i regjisorit Pierre Gaspard Huit. Aty, pos faktit që rolin kryesor e luan bashkë me aktoren gjermano-franceze internacionalisht të njohur nga seriali « SISI – Perandoresha e Austrisë », Romy Schneider, do bien të dy në dashuri gjatë atij xhirimi dhe do vendosin për të jetuar së bashku. Dhe, në atë kohë, duke qenë të dy me një bukuri hipnotike, sipas mediave dhe opinionit publik, do jenë detyrimisht « çifti mitik i kinematografisë franceze dhe evropiane », të ndjekur dhe të radiografuar hap pas hapi nga gazetarët dhe paparacët, në çka asnjëri prej tyre nuk ishin të mësuar, Alen Deloni është 23-vjeçar dhe Romy 20-vjeçare! Por me jetën e valëvitur dhe xhirimet që kanë njëri dhe tjetri nëpër botë, ajo aventurë do zgjasë 5 vjet dhe në dhjetor 1963, do e gjejë Romy një letër të Alen Delonit ku i thotë : të uroj çdo të mirë, po ta dorëzoj zemrën time me këta trëndafila të bardhë, por tani jam në Meksikë me Natalinë, jo atë rusen që e këndon Gilbert Bécaud, por me të dashurën e tij të dytë, e cila do jetë edhe nëna e Anthony Delon, zonja Nathalie Delon. Do takohen në një diskotekë pariziane, do martohen në vitin 1964 dhe do ndahen pas 5 vitesh gjatë vitit 1969. Pastaj, në vitin 1968, do e vazhdojë një lidhje 15-vjeçare me aktoren franceze Mireille Darc, të cilën e ka pas njohur që në vitet 1960 dhe me të cilën do e ndajë rolin kryesor në filmin « Jeff » 1969, të regjisorit Jean Herman dhe të dy do vendosin për të jetuar së bashku deri në vitin 1983. Ndërkohë, pavarësisht këtyre tri lidhjeve kryesore të jetës së tij, Alen Deloni, për nga natyra e tij e thellë, është një puro aventurier dhe egocentrik, dhe nuk do mend se i ka koleksionuar me qindra aventura të tjera të përkohshme aty ku iu ka dhënë rasti dhe këto tri femrat e tij e kanë ditur atë gjë, pa asnjë dyshim. Tani, nëse i shoh në retrospektivë këto tri dashuri madhore të Alen Delonit dhe i analizoj me filtrin tim personal të poetit, mund t’iu them që : me Romy Schneider-in, është ajo dashuria e parë, e kallur, a pa kalkuluar, plot hove dhe pasione, romantike, rinore, plot surpriza dhe shpërthime, por edhe idhnime dhe kriza, porse ajo dashuri nuk mund të harrohet as pas 100 vjetësh! Por, asnjëri prej tyre nuk ishte tamam i pjekur për ta administruar siç duhet me kohën, sidomos në ato rrethana mjaft komplekse, porse ka qenë sipas meje, dashuria kryesore e jetës së tij, për nga ana shpirtërore dhe emocionale, ajo që ia ka dhënë shkundjet dhe dridhjet maksimale, por edhe lotët dhe mërzinë maksimale. Fundi i jetës së Romy Schneiderit ka qenë dramatik ngaqë i vdes djali 14 -vjeç nga një incident super-idiot, duke u therur në bark mbi një gardh me hekura të mprehtë; dhe ajo aktore dhe nënë, e shkrirë me djalin e saj të dashur, nuk do mund ta kapërcejë as përballojë atë dramë. Pastaj, në një farë mënyre, zhytet komplet në një depresion të thellë, të cilin e ushqen pa asnjë limit me alkoole, me plot medikamente të ndryshme, deri kur dikur i pushon zemra, në një vetmi totale … dhe një ditë, do e gjejnë të vdekur në apartamentin e saj në vitin 1982. Kurse me Natalinë, e ka gjetur atë alter-egon e tij femërorë, mirëpo ajo i ka rezistuar dhe nuk i është dorëzuar fare, nuk ka bërë lëshime para kërkesave dhe kapriciove të tij, bile ka ndodhur që edhe ia ka futur shuplakë mjedis publikut, çka e don një farë guximi kur flitet për atë aktor. Pra, ka qenë një femër e vendosur me temperament, me një karakter deri-diku tepër të përafërt me Delonin. Dhe ato lloj lidhjesh nuk munden për ta pasur jetën e gjatë, sepse askush nuk mund të kompletohet me fotokopjen identike të tij, çdo herë në furi, eufori, zhurmë, pasion, sharje, pajtim, dikur bëhet super e lodhshme dhe njëri prej tyre do i bjen shqelm dhe do ikë për të provuar diçka tjetër. Kurse me Mireille Darc ka fjetur rehat, sepse ajo, në një farë mënyre, ka qenë motra e madhe, këshilltare, nëna e urtë, infermierja, por edhe dashnorja e tij, dhe ia ka toleruar të gjitha anët e tij eventualisht negative, plus edhe aventurat e tij shtesë. Nuk duhet me harruar kurrë që ai djalë vjen nga rruga, nuk është rritur me një familje normale, stabile, e cila e ka dashur, nuk ka pasur ndonjë edukatë familjare as shkollore, pra, e ka formuar rruga dhe aventura, e mund të thuash Indokina gjatë 4 viteve, sipas fjalës « ku rafsha mos u vrafsha … hajde e ta provoj dhe do shohim, punë e madhe! » Pastaj, kur ka ardhur përsëri në Paris, ka jetuar prapë dita në ditë, në aventura, delikte të vogla, duke e mbajtur femrat dhe meshkujt dhe duke pasur si kapital kryesor atë – bukurinë e tij legjendare. Prandaj, nuk duhet pritur prej tij për të qenë një burrë ideal në një lidhje martesore as një babë ideal, çka më duket mua evidente.

Kurse në aspektin puro kinematografik, karriera e tij e merr një dimension internacional në vitin 1960 me disa filma referencialë kult si « Plein Soleil » 1960, i regjisorit fantastik francez René Clément, ku shpërthen bukuria elektrike dhe hipnotike e Alen Delonit në një thriller psikologjik të orkestruar për mrekulli. Do mahniten edhe amerikanët me filmin, dhe i pari vetë Martin Scorsese. Pastaj Luchino Viskonti, duke e parë këtë aktor UFO, gati marsian, mbetet gojëhapur, madje, mund të shtoj që edhe do dashurohet komplet me të dhe i propozon një rol gjenial në filmin e tij « Rocco dhe vëllezërit e tij » më 1960. Kështu, karriera e tij i kalon të gjitha kufijtë e botës. Deloni është një yll i filmit në Francë, por tani edhe në Itali dhe, pas pak, edhe në mbarë planetin. Pastaj vjen edhe filmi sublim i Michelangelo Antonioni-t « Eclipse » më 1962, ku Deloni shkëlqen si agjent trader në bursen monetare dhe këtu më kujtohet kritika e filozofit francez Gilles Deleuze, me të cilin jam zhagitur disa kohë nëpër bare dhe restorante pariziane, film i skanuar perfekt, në fletoret e tij kinematografike. Mos harroni që në Francë filmi trajtohet seriozisht dhe ultra profesionalisht, si një art në vete madhor, baras me një roman të Prustit apo të Floberit. Nuk është si në Amerikë një industri e zbavitjes dhe një biznes i rëndomtë sikurse të tjerët, por është diçka që e pasuron thesarin kulturor të një kombi dhe të një shteti. Atëherë, vazhdon me atë filmin kult të paarritshëm sot nga askush « Le Guépard » 1963, nën regjinë perfekte, kulmi i kulmit, nga Luchino Viskonti, me siguri personi më i kompletuar dhe i kultivuar që ka njohur deri sot arti i shtatë. Pra, ka qenë një enciklopedi në vete, siç e ke pasur në Itali më vonë zotin Umberto Eco, njerëz universalë me një kulturë të palimit dhe me një rafinim ekstrem. Bile kush është ai që nuk e ka pa dhe nuk e ka admiruar këtë film? E çka mund të thuash mbi Alen Delonin, Burt Lancasterin, Claudia Cardinalen? Magjia e papërshkrueshme e artit të shtatë! Prej këtij momenti, nga Poli i veriut deri në Polin e jugut, aty ku ka salla filmi, nuk ka një person që nuk e njeh tani Alen Delonin! Edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në Rusinë e Stalinit, në Kinën e Maos, apo në Korenë veriore të Kim il Sungut dhe të psikopatit aktual. Mund të citohet si referencë serioze edhe filmi « L’insoumis » 1964, i regjisorit francez Alain Cavalier, i cili e trajton temën e luftës në Algjeri dhe atë të dezertimit ushtarak. Filmi « Paris brûle-t-il? « 1964 i regjisorit René Clément, ku e luan një rol edhe Jean-Paul Belmondo-ja. Filmi i regjisorit francez madhor dhe referencial sipas meje, për sa i përket zhanrit policor, thriller, suspense psikologjik, me një minimalizëm budist në sfond, super efikas ku çdo gjë shkon direkt tek esencialja, pra, mjeshtri absolut Jean-Pierre Melville, ku Alain Deloni të magjeps vetëm me lëvizjet dhe shikimin e tij, pa folur shumë, « Le Samourai » 1966. Pastaj e kam pas përmendur në librin tim të fundit. Ka luajtur në një film të inspiruar nga një vepër erotiko-poetike e mikut tim André Pieyre de Mandiargues, e cila më ka pas pëlqyer shumë, « La Motocyclette » 1968, e regjisorit anglez Jack Cardiff, me aktoren këngëtare Marianne Faithfull. Por nuk kam arritur akoma për ta pa, edhe pse më intereson! Një film tjetër shumë me rëndësi është edhe « La Piscine», i treti me regjisorin Réné Clément, në vitin 1969, ku e rigjen përsëri të dashurën e tij të rinisë, Romy Schneider-in, gati 10 vite më pas dhe atmosfera e xhirimit është super elektrike dhe erotike. Mund të citohet edhe filmi « Le Clan des Siciliens » 1969 i regjisorit Henri Verneuil, sepse në zhanrin policor, thriller, ky film i konkuron pa problem edhe filmat e përkryer amerikanë. Dhe po në atë zhanër, filmi tjetër, por me dorën magjike të Jean-Pierre Melville « Le Cercle Rouge » i vitit 1970, ku luan edhe Yves Montand, Gian Maria Volonté dhe Bourvil. Pastaj, për nga ana më tepër simbolike, ngaqë ishte dëshira e tij për ta ndarë një film me dy rolet kryesore së bashku, dhe ai vetë e ka parapërgatitur atë projekt nga A-ja, deri në ZH, po flas për filmin e Jacques Deray, i vitit 1970, që quhet « Borsalino » me Jean-Paul Belmondo, një film policor, i cili do e korrë një sukses publik të plotë, me miliona spektatorë nëpër salla. Duhet ditur një gjë dhe është esenciale : këta dy persona, aktorë popullorë gjigandë me famë internacionale, kanë qenë konkurrentë në një garë permanente mes vedi të cilën e ka pas orkestruar dhe ushqyer për mrekulli gjithë shtypi dhe televizionet franceze, por edhe kanë qenë miq në jetën e përditshme, kanë pasur një respekt të thellë njëri për tjetrin. Mirëpo, konkretisht gjithë kinematografia franceze, për nga ana financiare si industri, sepse leku e ka rëndësinë e tij, edhe pse po flasim për art, është bazuar në këta 2 EMRA, si motorë kryesorë për t’i montuar filmat dhe buxhetet, me shpresë për të korrur fitime financiare me të cilat kanë mundur t’i financojnë disa projekte pak më intime, autoriale dhe anti-komerciale. Pra, po fitojmë disa miliona dollarë me Delonin dhe Belmondon dhe pastaj mund ta financojmë një Godard, një Alain Resnais, një Manoel de Oliveira, të cilët mund t’i shohin në maksimum 100.000 veta, mos edhe më pak, porse, si art referencial, do ia vlejë për në kontekstin kulturor puro francez. Pra spektakli dhe industria zbavitëse – PO, por edhe ana tjetër : « ART dhe ESE të Autorëve, PO! » Ky quhet « eksepsioni kulturor francez », unik në botë dhe në Europë, ku vetë shteti e mbështet artin dhe kulturën kombëtare dhe shpeshherë edhe ndërkombëtare. Nuk mund ta imagjinoni sesa regjisorë të huaj, të ardhur nga katër anët e planeti kanë mundur për t’i xhiruar filmat e tyre, vetëm sepse i ka financuar Franca! Kështu që Alen Deloni me Jean-Paul Belmondon-ë e kanë mbajtur gjallë gjithë industrinë kinematografike franceze gjatë minimumi 30 vjet duke qenë kulmi dhe ikona e saj. Plus edhe kanë qenë siç thashë « konkurentë », por në konceptin pozitiv të fjalës. Madje e kam dëgjuar Alen Delonin në një intervistë me Bernard Pivot, animatorin emblematik të letërsisë franceze dhe botërore në kanalin e dytë publik francez, duke thënë : « me mikun tim Jean-Polin, na kanë futur në një konkurrencë të shëndoshë dhe si përfundim, pas 40 viteve karrierë, ai në rrugën e tij dhe unë në timen, ka raste që ai ka dalë fitues dhe i pari, ka raste të tjera që kam dalë unë para tij, por, sidoqoftë, më në fund, e kemi mbajtur të dy gjithë kinematografinë franceze në këmbë dhe e kemi bërë maratonën të bashku. Mos harroni që dallojmë komplet nga karakteri, formimi dhe rrugëtimi ynë, pra, nuk jemi njësoj, as të ndërtuar me një brumë. Sepse, Jean-Paul Belmondo, vjen së pari nga një familje e ngritur me babain e tij skulptor madhor, i cili e çonte në muzeun e Luvrit për çdo javë dhe në atelienë e tij dhe ka evoluuar në një familje të harmonizuar, të kultivuar dhe të edukuar, me një stabilitet psikologjik dhe emocional, një siguri të plotë në vete. Pastaj, mirë a keq, ai e ka një formim shkollor në konservatorin e arteve dramatike, ka mësuar teatrin, lojën e aktorit, e ka një bazë pedagogjike dikund edhe pse natyra e tij ka qenë tepër e veçantë dhe ka predominuar më në fund, por mbi një bazë shkollore dhe kulturore. Kurse unë vij nga hiçi, nga rruga, nga aventurat dhe jam ndërtuar si një kafshë e egër duke iu përgjigjur instinktit tim dhe e kam zhvilluar përmes takimeve dhe eksperiencave të ndryshme një kulturë të improvizuar komplet autodidakte, pa struktura të paracaktuara apo të paraprogramuara. Unë nuk kam ëndërruar për të qenë aktor dhe kam ardhur në botën kinematografike krejt aksidentalisht, përmes femrave që më kanë dashur dhe idolatruar dhe duke e provuar më ka pëlqyer e i kam shfrytëzuar të gjitha avantazhet e atij profesioni. Pastaj, është një nuancë e madhe që duhet nënvizuar : unë nuk jam aktor në konceptin klasik të akademive, nuk jam Lorenc Olivier i shkollës londineze, jam UNË në çdo rol dhe asgjë tjetër, sepse vij në çdo rol me bagazhin që ma ka dhuruar jeta ime, eksperiencat e shumta. Nuk vij me leksionet e shkollave. Unë nuk luaj komedi, por jam roli! Pra, siç kanë qenë gjithë aktorët e mëdhenj ikonikë të filmit amerikanë apo këtu në Francë, zoti Jean Gabin, ose Lino Ventura. Ne e imponojmë prezencën, energjinë tonë në çdo rol dhe prandaj dëshiron aq shumë publiku për të na pa në disa filma. Janë fansa, na kanë adoptuar! Po, e vërtetë, Belmondo është një personalitet i ekuilibruar dhe i natyrshëm, popullor dhe super simpatik, të cilin njerëzit nëpër rrugë dhe kafe, e përshëndesnin duke e thirrur direkt në emër, apo duke ia rrahur shpatullat, si ta kishin shok dhe ai sillej mirë me të gjithë, pa asnjë problem. Kalonte ajo energji njëqind për qind popullore, diçka e regjistrit pak më intim, « e njohim, është sikurse ne, mund ta kishim pasur shok, e do sportin, kafet, femrat, hajgaret, humorin, gastronominë, verërat, nuk është mendjemadh, e ka një simpati të lindur të natyrshme, nuk na snobon fare, mund ta prekim, mund ta përqafojmë, mund t’ia kërkojmë një foto apo një autograf me shkrim dhe e dimë që do na përgjigjet. » Ju e patë vetë sesi e përcolli Franca në ceremoninë e Invalidëve, në një mënyrë edhe popullore dhe grandioze me një respekt maksimal. Ndërsa Alen Deloni e ka një natyrë tjetër, komplet të kundërt, është shumë më i mbyllur, më sekret, më misterioz, më i padisponueshëm, më melankolik, më depresiv dhe nuk mund t’i afrohesh aq lehtë për ta thirrur në emër apo për t’i thënë « hej, ti mik! … » se do ta hash një shuplakë apo një fjalë nënçmuese. Nuk është i buzëqeshur, është bile hijerëndë, si ta kishte gjithë botën mbi shpinë, ashtu siç ishte babai im në shtëpi …unë i dukesha si një i droguar i luajtur mendsh. Deloni jeton me plagët e tij të pashëruara të fëmijërisë, e ka si shok apo shoqe jete autentike – VETMINË e tigrit. Të vetmit që i duron dhe i do për një kohë të gjatë deri në fund, janë qentë e tij, e pse? Ngaqë ata e duan besnikërisht gjer në fund, pa i kërkuar asgjë, i rrinë në këmbë dhe e dëgjojnë, janë aty prezent rreth tij, por pa e penguar, pa i diktuar diçka, pa e kritikuar, pa i thënë pse nuk po e bënë këtë punë apo këtë tjetrën? Shiheni ju vetë fundin e tij : « më varrosni aty ku i kam varrosur të gjithë qentë e mi! » , sepse Deloni ka jetuar me kujtimet e tij, në kohërat e kaluara e jo në të tashmen aktuale, sepse kjo kohë e sodit e irriton në maksimum, ndaj ai e urren, e pshurrë dhe dhjet mbi të, nuk i sheh asnjë vlerë, asnjë kualitet, sheh vetëm degjenerim dhe antivlera e jo që e ka komplet gabim, por ai e çon gjer në ekstrem dhe ka thënë disa herë se nuk më intereson asgjë nga kjo epokë, dëshiroj vetëm për të kaluar në botën tjetër, me shpresë a mos do e gjej Romy Schneiderin, Mirelën, Jean Gabin, Luchino Viskontin, Jean Pierre Melville, Belmondon, Venturën, e të tjerë, atje lart. Atëherë nuk ke se çka për të shtuar në realitet. Duhet për ta pranuar ashtu siç është dhe pikë! Si njeri privat dhe intim ka qenë super i komplikuar dhe i papërshtatshëm. E ka pasur atë hije të rëndë dhe atë energji negative, depresive, diçka që të fundos dhe plumbos edhe pse kur është paraqitur në publik ka ardhur me atë personazhin e tij të bukuroshit, të yllit madhor të filmit dhe ka shkëlqyer gjithëkund. Porse, pas atij personazhi, pas bukurisë ikonike dhe mitike, ka vajtuar ai fëmija 4-vjeçar, të cilin e kanë braktisur prindërit, ai djaloshi 17-vjeçar, për të cilin prindërit e tij nuk kanë hezituar që, për ta hequr qafe, kanë firmosur që të hyjë në ushtri dhe që ta dërgojnë në Indokinë apo kudo tjetër. Deloni është rritur si qeni i rrugëve nëpër Shqipëri! Por jeta e ka shpëtuar dhe së pari bukuria e tij e paparë askund, pastaj femrat e mahnitura. E ka pasur krejt natyrshëm atë energji të egër kafshërore, hipnotike dhe kur ka hyrë Alen Deloni dikund në një lokal, janë ndalur njerëzit, me meshkuj dhe femra dhe e kanë shikuar atë fytyrë engjëlli dhe djalli duke kaluar, janë turbulluar pa e kuptuar sepse, ka ndodhur diçka, por çka? Aty, qëndron misteri i Alen Delonit! Magnetizmi i tij, i pashoq …. Më kujtohet edhe filmi jo shumë i njohur, por për mua super interesant i Valerio Zurlinit me titullin, « Le Professeur », i vitit 1972, ku e luan super mirë rolin e një profesori të letërsisë në Rimini të Italisë, i cili bie në dashuri me një studente të tij, duke e tradhtuar gruan. Pastaj e ke vrasjen e Trockit të Jozef Losey, po në vitin 1972, ku luajnë edhe Richard Burton me Romy Schneiderin. Filmi tjetër me Jean-Pierre Melville që quhet : « Un flic » 1972, me Catherine Deneuve dhe Richard Crenna. E ka edhe filmin fantastik të dytin me regjisorin e njohur Jozef Losey, me titullin « Monsieur Klein » në vitin 1976. Duhet cekur edhe një eksperiencë speciale me Papën e « Nouvelle Vague », zotin Jean-Luc Godard, në filmin pikërisht të titulluar ashtu « Nouvelle Vague » më 1990 dhe ky takim kinematografik Delon – Godard, sipas meje, është mjaft interesant realisht edhe pse i kam disa rezerva personale. Nuk i kanë munguar as shpërblimet e ndryshme në jetë. Edhe pse, nga një lloj arrogance dhe narcisizmi që e ka pasur në mënyrën sesi ka komunikuar me të tjerët, ato meset zyrtare të kinematografisë, pra, establishmenti mund ta ketë me siguri xhelozuar dhe lënë pak anash, të izoluar në botën e tij, por, përpos atyre dhjetë medaljeve dhe vlerësimeve të nderit që do t’i marrë nga meset politike apo ushtarake zyrtare, në fushën më artistike të filmit, Festivali i famshëm i Berlinit i jep Arushën e Artë për ta nderuar gjithë karrierën e tij në vitin 1995. Po ashtu, do veprojë edhe Argjentina, Egjipti, Rusia, Italia, Turqia, deri në të famshmin Festival të Kanës, i cili do e shpërblejë me Palmën e artë për ta kurorëzuar gjithë karrierën e tij, në maj të vitit 2019. Ai përgjigjet me gëzim, por edhe me mërzi dhe ironi : « ju falenderoj që ma keni dhuruar një shpërblim postum, do të thotë postmortor, porse paradoksi është që jam akoma gjallë dhe nuk prish shumë punë … e keni kryer detyrën! » Tamam, sikurse në sferën e dashurisë me ato tri femrat e tij emblematike, në kinematografi mund të thuhet që dashuritë e tij madhore janë ata tre regjisorët të cilët e kanë kuptuar dhe asimiluar perfekt magjinë dhe kompleksitetin e personalitetit të këtij aktori gjigand që ka qenë Alen Deloni, ata që e kanë filmuar për mrekulli deri në atë masë ku shpërthen fuqia e tij sharmuese përtej ekranit, ajo bukuri vrastare për t’iu rikthyer temës fillestare të shkrimit tim- aty ku ky aktor ka eksploduar me të gjitha parametrat e talentit të tij. Janë po ata tre kineastë që e kanë kapur dhe xhiruar atë mister, atë egërsi instinktive dhe atë fuqi të Delonit, atë shikim magjik, atë energji erotike, mashkullore dhe femërore, diçka që na mahnit dhe na turbullon dikund deri në subkoshiencë të thellë. Po, po, sepse Deloni është diçka tjetër, pak siç ka qenë Marlon Brando i fillimeve në ekran me Elia Kazanin, një fenomen i rrallë, të cilit pakkush mund t’i rezistojë ngaqë janë personalitete të tjera, pak UFO, komplet jashtë normave të zakonshme dhe të cilët vijnë për të na u imponuar me një energji dhe një stil krejt tjetër. Kështu që janë këta tre kineastë gjenialë që kanë ditur sesi duhet për të na ofruar edhe neve si spektatorë gjithë atë spektër të talentit të tij të pazëvendësueshëm : René Clément, Luchino Viskonti dhe Jean-Pierre Melville. Nuk e di sesa ju afrova nga bota deloniane? Por e di që është diçka unike dhe absolutisht e papërsëritshme! Nuk do flas për pasardhësit e tij, brenda familjës, grindjet, përçarjet dhe xhelozitë e fëmijëve mes veti, kush do trashëgon çka? Kjo është puna e tyre mes veti dhe me gjykatat franceze.

Dihet që e ka preferuar vajzën e tij Anushka, të cilën e ka pasur me një manekine holandeze më duket dhe bile ka pas luajtur edhe në teatër me të. Kjo vajzë ka qenë dashuria e tij e fundit me siguri. Besoj që dy djemtë e tij legalë, Anthony Delon dhe Alain-Fabien Delon, i ka neglizhuar pak më tepër duke i parë në subkoshiencën e tij si meshkuj konkurentë dhe të dy kanë pasur mjaft probleme me vetvetën dhe me babain e tyre. Në disa raste edhe kanë devijuar, janë arrestuar për disa shkelje ligji nga policia franceze apo zvicerane. Problemi tjetër është fakti se e ka pasur realisht një djalë tjetër (me statut i jashtëligjshëm) i quajtur Ari Boulogne, por të cilin babai i tij, Alen Deloni, nuk ka pranuar për ta njohur. Pra, është evidente që e ka pasur një aventurë me NICO, ajo femra lidere e grupit mitik « The Velvet Underground » gjatë një turneu të tyre nëpër Europë dhe në Francë dhe ka lindur ai djalë, Ari, të cilin e ka njohur dhe rritur disa kohë vetë nëna e Alen Delonit, zonja Edith, e cila e ka konsideruar si nipin e tij, pa asnjë pikë dyshimi. Pastaj, ai djalë, duke u rritur me rrethin e Andy Warholit, me nënën e tij NICO, në fabrikën e famshme të New-Yorkut, e cila funksiononte 24 orë në eksese, seks, drogë dhe alkool, natyrisht që edhe ai vetë është bërë i varur i substancave halucinogjene. E kanë lutur disa herë, NICO, nëna e tij, por edhe vetë Ari që ta njohin, porse e ka refuzuar sistematikisht, po ashtu edhe për ta bërë një test ADN-je. Dikur ai djalë, pavarësisht talentit potencial që ka pasur në jetë, si fotograf, por duke qenë komplet i çrregulluar dhe i varur nga drogat dhe alkoolet, ka përfunduar i vdekur me një overdozë, në një skutë të shkretë të Parisit dhe një pjesë e opinionit publik, ia kanë marrë për të madhe Alen Delonit, i cili nuk e pat atë fisnikëri dhe gjenerozitet për ta njohur si djalin e tij, pra, ka vepruar me të gati ashtu siç kanë pas vepruar prindërit e tij me Alen Delonin kur ishte 4 vjeç. Pse? Nuk e di dhe do ngelet një mister. Mirëpo, neve na intereson për së pari aktori që ka qenë dhe filmografia e tij me të gjitha ato kujtime dhe emocione që na i ka dhuruar të gjithëve, duke e ditur që na ka përcjellë edhe neve në jetë, siç na përcjellin aktorët, muzikantët, filozofët, piktorët e mëdhenjë botërorë. Dhe e falenderojmë me plot zemër dhe shpirt natyrisht. Merci pour tout Alain! Pastaj, askush nuk ka pritur prej artistëve ikonikë planetarë që të jenë qenie perfekte, pa asnjë të metë, çka edhe nuk janë … por kjo është jeta e tyre private, kurse neve na intereson më tepër gjurma e tyre artistike, sesi na kanë pasuruar dhe frymëzuar neve në shpirt.

***

Adios Rocco, Tancrède, Jeff Costello … adios Alain Delon! … Më ka pasë folë për ty mikesha jonë familjare Annie Girardot, me të cilën ke pas luajtur dy filma, nëse nuk gaboj. E di që ke pasur disa miq edhe tek meset banditeske, limit mafioze, bile më ka pas folur për ty edhe një shqiptar me origjinë nga Malësia, i cili ka pas jetuar në ato mese në Bregun e Azurit, nëpër kazino dhe klube nate, duke i ndarë disa momente me ty. Quhej Sadik Krasniqi, alias Bruno. Nuk e di çka ka pas ndodhur me Stefan Markoviçin, porse kaloj ajo punë? Por është e sigurt që ke pasur brenda vetes disa personalitete mjaft kontradiktore, me disa zona të errëta. Ke qenë biznesmen i suksesshëm me parfume, produkte të tjera, ke qenë një koleksionist super i talentuar vizatimesh të vjetra klasike, pikturash, makinash « Bugatti » dhe nëpër Azi, pra Japoni dhe Kinë, ke qenë për ta një gjysmë Përendie. Ke pasur dhe ke pas shprehur në mediat franceze disa simpati personale me ekstremin e djathtë, pra me Jean-Marie le Pen, edhe pse ke qenë qind për qind fans i Charles de Golit, të cilin e ke pasur si idol, gati si Babë imagjinar. Ke disa gjëra të përbashkëta me Brigitte Bardonë : një farë mizantropie, një vetmi, një lidhje të favorizuar me kafshët, një urretje radikale ndaj kësaj epoke, me të vërtetë dekadente dhe të çoroditur. Kaq, miku im, por ke çka ke, pavarësisht që në disa pika apo tema, nuk mund të jam aspak dakort me ty, kjo është evidente. Unë, personalisht, të dua dhe të respektoj, sepse mua më ke pasuruar me atë çka më ke ofruar dhe në këtë moment ta shpreh gjithë mirënjohjen time. Pushofsh në paqe, miku im, aty ku ke vendosur për të pushuar në parqet e shtëpisë tënde, çka ngelet një privilegj i rrallë, pra, je i varrosur po aty ku ke jetuar gjithë jetën tënde. Në Douchy, ke qenë në botën tende muzeale, në parajsën dhe në ferrin tënd paralelisht, ndoshta edhe në burgun tënd të brendshëm luksoz. Po ashtu siç ishte Marlon Brando në vilën e tij tahitiane, në aparencë i rrethuar, por komplet i vetmuar. Uroj që atje në botën tjetër, të jesh i pajtuar tani me vetën, me fëmijërinë tënde dhe me prindërit e tu të pamend. Duhet me i falur gabimet, o mik, ajo është madhështia supreme! A të kujtohen dy – tre leksione madhore të Jezus Krishtit « jam Drita e kësaj Bote … jam ai që është … jam fillimi dhe mbarimi i çdo gjëje … fali se nuk e dinë se çka janë duke ba! » Uroj që të qeshësh pak më shumë, çlirohu o burrë, del dhe vallëzo komplet nudo nëpër kopshtet e Edenit, shijoje një lugë me mjaltë, vëren e premtuar nga parajsa … ta marrësh atë jetën paralele me pak lehtësi dhe humor dhe, ku me e ditur, nëse të jepet rasti, për ta takuar në sferat e sipërme kozmike dhe qiellore, ndonjë mik apo mikeshë, Jean-Paul Belmondon, Jean Gabin, Lino Ventura, Louis Jouvet, Jean Marais, Annie Girardot, Romy Schneider, Nathalie Delon, Mireille Darc, Luchino Viskonti, Michelangelo Antonioni, Monica Vitti, Jean Pierre Melville, René Clément, eventualisht ZOTIN apo ndonjë ëngjëll, edhe pse e di që ke qenë ateist, porse unë mendoj që ka diçka tjetër misterioze dhe të panjohur, të padefinuar, diçka përtej të dukshmës … m’iu bën të gjithëve të fala, dhe përqafoji në emrin tim, o i dashur Alen Delon! … Kërkoju falje gjithë atyre që i ke dëmtuar, me dashje apo pa dashje, kërkoji falje së pari vetës për verbërinë tënde, për të gjitha ato që nuk ke bërë apo që nuk i ke kuptuar … gjeje paqën, harmoninë me kozmosin miku im, qetësinë absolute, pafundësinë e plotësuar mes ngjyrës blu dhe të bardhë, atë heshtjen që flet vet, pa fjalë … a more vesh, more kokëfortë, i shenjës horoskopike SKORPION? Mos rezisto më … dorëzoja qenien tënde komplet misterit dhe pafundësisë, okay miku im? Rikujto dy vargje të Rembosë apo Bodlerit, një muzikë të Mozartit … kaq e kishte filmi i jetës tënde, i dashur Delon … erdhi tani fjala : «Fund – The End – Fin – Fine … » Ndoshta do takohemi apo jo në këto Universe paralele? Përqafime nga çorodia dhe vulgariteti tokësor i kësaj epoke e cila po më irriton edhe mua çdo ditë e më shumë … Peace and Love nga mbretëria e antivlerave aktuale. Porse është faji ynë tek e fundit pse e zgjodhem dekadencën, pse u zhytëm në budallallëk total. I kishim kulturat evropiane gjigante, me shekuj civilizime dhe rafinime, rilindje të ndryshme, rryma dhe shkolla fenomenale, tradita dhe trashëgimi unike, porse na pëlqeu idiotësia bazike amerikane, e jo pjesa e saj gjeniale dhe mrekullisht e talentuar, e preferuam botën e konsumit dhe e pastrimit të trurit kundër asaj të shpirtit dhe të qenies, zhurmën permanente të spektaklit kundër mendimit analitik të përmbajtjes … Dhe tani, neve, nëse nuk është vonë, do na duhet që dikur ta riparojmë atë disfatë tragjike për ta rigjetur dritën tonë. Ose do e bëjnë fëmijët tanë …? Ose do shkrihemi në absurditetin e kësaj kotësie të pafund?

Arrivederci Parigi dhe Roma … due espressi, per favore!

© Skender SHERIFI – Bruksel, me 25 gusht 2024

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin