Pjesë e identitetit etnik të përbashkët është edhe kujtesa historike e bashkëndarë në kolektivitet – çfarë sigurohet nga arsimi publik, por edhe nga ritualet e religjionit civil, monumentet dhe statujat, arti, emrat e rrugëve dhe të institucioneve, deri edhe imazhet që dalin në kartëmonedhat. Shqiptarët besojnë dhe mbajnë për të vërteta pak a shumë të njëjta gjëra për Skënderbeun, sepse ashtu i kanë mësuar në shkollë dhe gjetiu, nga leximet dhe eksperienca të tjera publike dhe private, jo sepse i kanë përjetuar individualisht dhe as sepse ua kanë përcjellë brezat e mëparshëm.
Por kush e përcakton, ta zëmë, programin e lëndës së historisë të Shqipërisë në shkollë të mesme, i mbështetur edhe në tekstet “zyrtare” të Akademisë, është gjithnjë i detyruar të zgjedhë mes ngjarjeve historike ato që i duken më të rëndësishme ose më domethënëse për narrativën që kërkon të ndërtojë dhe të mbajë gjallë në tekst; duke lënë mënjanë ngjarje të tjera, që atij si zgjedhës i duken më pak të rëndësishme.
Ashtu rrëfimi i bëmave të Skënderbeut, që e ka burimin – në thelb – nga Historia e Barletit, zë vend shumë më të madh, në tekstet, se rrëfimi për bëmat relativisht të ngjashme të vjehrrit të tij Gjergj Arianitit, i cili nuk pati fatin të pavdekësohej nga një historian humanist i Rilindjes europiane. Përzgjedhësi që i jep përparësi Skënderbeut dhe lë mënjanë Gjergj Aranitin e bën këtë jo vetëm sepse gjykon – mbase me të drejtë – se i pari meriton më shumë vëmendje se i dyti, por edhe ngaqë këtë zgjedhje disi ia kanë imponuar të tjerët para tij, ose të gjithë ata, nga arbëreshët e Italisë te Rilindësit, që e vendosën Skënderbeun në qendër të programit të tyre të zgjimit kombëtar.
I njëjti autor i tekstit shkollor jo vetëm vendos që të ndalet më gjatë te Skënderbeu, por edhe kujdeset që t’i japë historisë formën specifike të një narrative, ku protagonist dhe hero është Skënderbeu vetë. Kjo narrativë shtjellohet nga njëra anë duke pasqyruar të dhënat historike, dhe nga ana tjetër duke u konformuar me rregullat e gramatikës narrative, të cilat nuk kanë të bëjnë fare as me Skënderbeun, as me historinë. Duke vepruar kështu, ata e paraqitin rrjedhën e ngjarjeve si njëpasnjëshmëri, duke shtuar sipas rastit shkakësinë dhe logjikën, dhe duke lënë të kuptohet sikur ngjarjet paraprijëse kanë kushtëzuar ato pasueset.
Ky proces narrativizimi, ose i produksionit të tekstit historiografik, jo rrallë përfshin edhe një shtjellim të konfliktit në protagonistë dhe antagonistë, që më tutje edhe do të investohet moralisht, duke futur në veprim të mirën dhe të keqen – për shembull, osmanët dhe aleatët e tyre janë “të këqij”, ndërsa Skënderbeu dhe aleatët e tij “të mirë”. Kjo lloj paraqitjeje nuk është e domosdoshme, sepse nuk ka nevojë që nxënësve historia t’u rrëfehet bardhezi, dhe as në trajtën e një drame a tragjedie; por edhe këtu vepron e fortë tradita.
Historianët e ndajnë veç çerekshekullin e Skënderbeut nga shekujt që pasuan, duke e riorganizuar kohën historike nëpërmjet një procedure që studiuesi Zerubavel-i e ka quajtur pikësim.[1] Ky lloj pikësimi jo vetëm i jep ritmin e dëshiruar rrëfimit historiografik, por edhe vende-vende shënjon atje disa pika nyjore, të cilat përftojnë një “para” dhe një “pas”; ne jemi mësuar, për shembull, të flasim për “para Çlirimit” dhe “pas Çlirimit”; ose “para shpalljes së Pavarësisë” dhe “pas shpalljes së Pavarësisë”; ose “para 1990-ës” dhe “pas 1990-ës”, duke e përdorur kalendarin si një vegël për paraqitjen e ndryshimeve a kthesave historike; edhe këto kreshta ujëndarëse shpesh shënjojnë kufirin që ndan të mirën nga e keqja dhe anasjelltas.
Nëpërmjet investimit moral, por jo vetëm, rrëfimi historiografik na përfshin në mënyrë të tillë edhe që të identifikohemi me heronjtë; asnjë nxënës i shkollës publike nuk do të ngurronte që të merrte anën e Skënderbeut dhe të “luftonte” krah këtij heroi, kundër “pushtuesit turk”; një efekt të ngjashëm kanë pasur filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, me temë nga Lufta Na-Çl, ku partizanët ishin detyrimisht “të mirë”, ndërsa gjermanët dhe ballistët “të këqij”. Ky lloj imponimi, sa i përket periudhës së Luftës II Botërore, mund të ketë filluar të zbehet, meqë brezi i ri i identifikon partizanët me “komunistët”; një ditë edhe narrativa të tjera bardhezi mund të fillojnë të nuancohen.
Sot e kësaj dite mbijeton i fortë, në narrativën historike, leximi moral i një konflikti tjetër themelor brendashqiptar, atij mes Krishterimit dhe Islamit; ku i pari – që prej Rilindjes Kombëtare – është bartës i dritës, ndërsa i dyti i errësirës. Gjysmë shekulli totalitarizëm nuk ia doli dot ta neutralizojë këtë aksiologji; regjimi i Hoxhës i mbylli institucionet fetare dhe u pozicionua shumë fort kundër katolicizmit dhe klerit katolik, por në të njëjtën kohë, një shkrimtar i kalibrit të Kadaresë arriti ta kultivojë – i papenguar – letërsinë dhe ideologjinë e tij që haptazi vinte ballë për ballë qytetërimin europian dhe Islamin. Shembull i këtij dispozicioni është edhe reagimi përbuzës, sot e kësaj dite, jo vetëm nga ana e intelektualëve të krishterë por edhe atyre laikë, ndaj një romani si Mekami i Kasem Trebeshinës.
Si edhe në vende të tjera të Ballkanit, edhe lëvizja e Rilindjes Kombëtare ndër shqiptarët u organizua rreth pasionit jo vetëm anti-Osman, por edhe anti-Islam; ku identifikimi i turqve osmanë me Islamin lejonte disa qark-shkurtime herë të dobishme e herë shtrembëruese të historisë. Por veçanësia e zgjimit të kombit shqiptar ishte se bëhej fjalë për vetëdijesimin edhe historik të një kolektivi me shumicën të fesë Islame; prandaj për shqiptarët dëbimi i “turkut osman” duhej mbajtur me kujdes ndarazi nga dëbimi i “turkut” tjetër – shqiptarit mysliman. Rilindësit nuk patën qëndrime të njëjta për këtë punë; por parulla “feja e shqiptarit është shqiptaria” e tregon qartë nevojën për kompromis, sepse vetëm me kompromis do të mund të sigurohej autonomia dhe pastaj pavarësia e Shqipërisë.
Shqipja edhe sot i ruan gjurmët e kësaj përbuzjeje – me cilësime të tilla si anadollak e turkoshak, si shprehje të bindjes se nga “Turqia” na vinte prapambetja dhe varfëria mendore; dhe fakt është se ky distancim ndonjëherë i fortë prej trashëgimisë osmane mbetej e vetmja mënyrë për ta lejuar Shqipërinë të rritej si shtet i pavarur. Këtu duhet kujtuar, megjithatë, se edhe elitat osmane, të paktën pjesa më e kultivuar e tyre, po e kthenin atëbotë fytyrën nga Europa, në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar të shpëtueshmen nga pesha e kuçedrës tashmë duke ngordhur, e Bosforit. Një ditë studiuesit do të mund të provojnë se oksidentalizimi, mes myslimanëve shqiptarë por edhe të krishterëve, ndoqi rrugë paralele me oksidentalizimin të paktën të qendrave të mëdha urbane të Turqisë.
E kam shkruar edhe gjetiu, se Historia e Skënderbeut u përshtatej mirë nevojave të Rilindësve për t’u dhënë një hero të gjithë shqiptarëve, me kusht që ky hero të zhvishej disi nga zelli kryqtar dhe besnikëria ndaj Papës së Romës, për t’u paraqitur si kalorës e flamurtar i kombit të vet, Arbrit; përndryshe do të ishte e vështirë që myslimani shqiptar, tashmë patriot dhe i orientuar për nga Europa, të përqafonte si të vetin një hero të Krishterimit kundër Islamit (një Athleta Christi). Adoptimin e Skënderbeut me këtë rol në skenën e kujtesës kolektive e lehtësoi edhe koha që ai kish kaluar pranë oborrit të Sulltanit dhe edukimi i tij “osman”, që do mbase do ta amortizonin disi natyrën fetare të rebelimit të tij.
Ata që hartuan programet dhe pastaj tekstet e historisë të shkollave gjatë viteve të regjimit totalitar e çuan këtë përpjekje rimodelimi në përfundimin e vet ekstrem por gjithnjë logjik, duke e rrëfyer Skënderbeun jo vetëm si dikë që ish ngritur të luftonte për të mbrojtur lirinë “e popullit” të vet, por edhe si të tradhtuar hap pas hapi a të përçmuar nga ata të huaj që “hiqeshin” si aleatët e tij: Venediku, Papati, deri diku edhe Mbretërit e Napolit.
Veçanërisht me kremtimin e pashembullt të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në 1968, u botuan një numër i madh librash, studime monografike, vepra divulgative, vepra për fëmijë dhe letërsi e mirëfilltë, e shkruar rishtas dhe e përkthyer, pjesësh teatrale, baletesh dhe operash; çfarë pati për efekt afatgjatë shndërrimin e Skënderbeut dhe të epopesë së tij në një kopje – ende të papërsosur – të asaj që po realizonte Enver Hoxha në Shqipëri (1968-a ishte edhe viti i daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës). Me atë rast edhe statuja ekuestre e Skënderbeut u vendos në sheshin Skënderbej në Tiranë, duke zëvendësuar Stalinin; por dallimet në përmbajtje, mes heroit të pavdekësuar në statujë dhe protagonistit të Historisë së Barletit ishin më domethënëse – për ata që i mbanin parasysh – se të përbashkëtat banale.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
[1] Eviatar Zerubavel, Time Maps, Collective Memory and the Social Shape of the Past, The University of Chicago Press, 2003; veçanërisht kapitulli “The Social Punctuation of the Past”, ff. 83-85.