Gjen sot një mori librash me tituj të tipit The invention of…, si The Invention of Tradition, The Invention of the Jews, The Invention of Scotland, The Invention of Nature, The Invention of Argentina, The Invention of China, The Invention of Heterosexuality, The Invention of Religion, The Invention of Modern Shopping, The Invention of Russia, The Invention of Yesterday, The Invention of the City, The Invention of India, The Invention of the White Race; si teknikë e arkeologjisë kulturore, kjo qasje më duket gjithnjë e frymëzuar nga Foucault-i, sidomos sa kohë që synon ta shndërrojë realitetin deri dje “historik” në produkt të një gjakimi edhe ideologjik; ka edhe Doan Dani në shqip një libër me titull Shpikja e Mesjetës, ku merret me krijimet dhe fiksionet e medievistikës shqiptare – libër që më ka pëlqyer shumë. Gjithsesi, kjo “shpikja” më tingëllon më radikale se “the birth of…”, meqë e relativizon objektin; The Invention of Childhood ka kuptim tjetër nga The Birth of Childhood; meqë birth nënkupton diçka të natyrshme, të pashmangshme; ndërsa invention i kësaj apo asaj gjëje mund edhe të mos ndodhte. Titujt që nisin me këtë The Invention of… jo vetëm tërheqin vëmendjen dhe janë si me thënë të modës, por edhe i mëshojnë idesë se shumë institucione që i marrim vetvetiu si të amshuara, janë në fakt më shumë produkte të gjenisë shpikëse të shoqërisë dhe të kulturës njerëzore (në mos qoftë edhe kjo invented) se zbulime realitetesh solide dhe para-ekzistuese; në kuptimin edhe që ideja ose përfytyrimi i kanë paraprirë realitetit.
Por këtu po dua të përmend një ambiguitet tjetër që ka anglishtja “the invention of…”; sepse, për shembull, “The invention of Greece” mund të jetë “How Greece got invented”, por edhe “Something that Greece invented”; linguisti do të fliste për gjinore kryefjalore dhe gjinore kundrinore. Ndokujt do t’i kujtohet titulli i novelës The invention of Morel (origjinali spanjisht La invención de Morel), nga Adolfo Bioy-Casares – aty bëhet fjalë për një teknologji të habitshme, që kish shpikur ky personazh, Moreli; pra, për diçka të shpikur prej Morelit. Për hir të një loje fjalësh, më pëlqeu ta lexoj edhe titullin e kapitullit të librit të Quinn që sapo botuam në Peizazhe të fjalës, “The invention of Greece”, si t’i referohej diçka që e kish shpikur Greqia (me Greqinë si gjinore kryefjalore) – për shembull, kultura e Rilindjes Europiane mund të quhej The Invention of Greece, në kuptimin që Greqia – ose ideja e Europës së asaj kohe për Greqinë, i dha asaj kulture formë dhe synim.
Dhe ja çfarë ndodh: togfjalëshi The invention of Greece (ose format e tij në gjuhë të tjera perëndimore, si ato neolatinet) mund të interpretohet në dy mënyra, njëlloj legjitime: çfarë e shpiku Greqinë, dhe çfarë shpiku Greqia; dhe këtu le të marrim guximin dhe të hedhim një hap më tutje, ta mbyllim rrethin, dhe të themi se Greqia krijoi – shekull pas shekulli – një kulturë e cila, gati 2000 vjet më pas, e krijoi Greqinë. Është struktura gramatikore që krijon një lakore (loop) – ose ambiguiteti i brendashkruar sintaksës së fjalisë europiane. Disa institucione të antikitetit grek – nga demokracia tek teatri, nga arti te sporti – pjesërisht u ruajtën dhe u transmetuan përmes Romës, Bizantit, arabëve e kështu me radhë, për të mbërritur në Kohët e reja; dhe pjesërisht u ri-imagjinuan prej Europianëve të periudhës së Rilindjes; dhe ky rrugëtim i dyfishtë çoi në “shpikjen” e Greqisë nga… Greqia.
Kusht që të përmbyllej kjo lakore ishte ndërrimi i duarve – Greqia e vjetër nuk u shpik as u ringjall nga ndonjë “Greqi e re”, por u risoll në skenë të historisë dhe të kulturës (përfshi edhe politikën) nga të tjerë njerëz, që u përkisnin fillesave të tjera – edhe etnike, edhe fetare, edhe kulturore. Termi “shpikje” më duket se zë vend mirë, në këtë kontekst; sepse Greqia e lashtë, “e shpikur” prej Rilindjes Europiane dhe pastaj e perfeksionuar nga klasicizmi dhe romantizmi gjerman, ishte produkt i kohës kur kjo ndodhi (dhe këtu vjen në vështrim edhe Foucault-i) dhe u shërbente fort mirë interesave të atyre elitave që e kultivuan dhe e ruajtën gjënë e shpikur rishtas. Por njëherazi ndodhi edhe që ky imazh dhe evokim kaq paradigmatik, i antikitetit grek më parë nga Rilindja Europiane dhe më pas gjermanët si Winckelmann-i dhe Herder-i dhe Lessing-u, e deri te Goethe-ja, Hölderlin-i, Nietzsche-ja dhe Spengler-i, funksionuan si motor për shndërrimin rrënjësor të mendësisë europiane dhe adoptimin e modernitetit prej saj. Andej e kanë burimin edhe idetë e eugjenikës dhe të darvinizmit social, në emër të restaurimit dhe të riprodhimit të një race, “bukuria e së cilës ishte testament i epërsisë së saj” (Chapoutot). Ka edhe një studim monografik nga Eliza Marian Butler, me titull The Tyranny of Greece over Germany – që na sjell tek ideja që romantizmi gjerman ishte edhe ai “shpikje e Greqisë”, në kuptimin që ishte shpikur prej Greqisë (antike).
Nga ana tjetër, deri edhe ideologu nazist Alfred Rosenberg-u pat pretenduar, në një nga fjalimet e veta, se grekët ishin popull “nordik”, në vazhdë të asaj çfarë pat shkruar Hitleri në Mein Kampf, dhe pikërisht se kish një “unitet racor” (Rasse-Einheit) që bashkonte grekët, romakët dhe gjermanët. E megjithatë, siç e vëren historiani frëng Johann Chapoutot (te Greeks, Romans, Germans How the Nazis Usurped Europe’s Classical Past, University of California Press, 2016), kur Rosenberg-u dhe Hitleri flisnin për grekët si “popull nordik”, jo vetëm që i referoheshin trashëgimisë, por edhe parashtronin një formë atësie që e kthente prejardhjen kokëposhtë: po sikur (grekët) të kishin ardhur nga Gjermania? Ky përvetësim i mitit arian, që më parë kish qarkulluar vetëm brenda një rrethi të ngushtë gjuhëtarësh gjermanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë – të cilët kishin imagjinuar se dorianët e Spartës kishin ardhur nga “Veriu” – u legjitimizua edhe u racializua nga nazistët, si pjesë e dëshirës së tyre për t’i dhënë besueshmëri idesë se aq madhështore ishte Gjermania, sa kish lindur edhe vetë qytetërimin perëndimor. Kësisoj, do të thoshte Rosenberg-u, imitimi i antikitetit nuk ishte as i turpshëm, as i papajtueshëm me dinjitetin kombëtar, meqë ishte, në fakt, një ripohim legjitim i trashëgimisë kulturore indoeuropiane. Ndërkohë, për Hitlerin, pasi u themeluan prej popujve nordikë, Greqia mesdhetare dhe Roma krijuan pastaj krejt kulturën europiane.
Si metodë e analizës kritike, kjo e lakut subjekt-objekt mund të zbatohet edhe kur duam të kuptojmë marrëdhënien mes figurës së Skënderbeut dhe vetëdijes etnike-kombëtare të arbëreshëve/shqiptarëve. Të dhënat dhe provat, që kujtimi i Skënderbeut mbijetoi në mënyrë spontane në shekuj, pa ndërprerje, deri në kohët e reja, nuk janë ende bindëse; edhe tek arbëreshët e Italisë, edhe mes shqiptarëve këndej, Skënderbeu duhet të ketë ardhur më shumë si “invention” i elitave intelektuale; por nëse është kështu, atëherë ai, si motor i përpjekjes arbërore për rezistencë ndaj përmbytjes osmane të Ballkanit, e krijoi shqiptarinë teksa edhe “u krijua” dhe u rrëfye sërish nga elitat e Rilindjes (sonë). Në rastin e arbëreshëve të Italisë së Jugut, një pjesë e mirë e tyre kanë ardhur nga zona të Arbërisë që nuk duket se u prekën nga luftërat e rezistencës anti-osmane, ndërsa një pjesë tjetër, kulturalisht edhe më substanciale, u dyndën nga trojet e Moresë dhe bartën drejt Italisë një traditë më shumë bizantine (por vështirë të thuash se sollën me vete ndonjë kujtim a trashëgimi kulturore të Skënderbeut); kujtimi dhe kulti i Skënderbeut dhe i “Motit të madh” mes tyre me shumë gjasë i detyrohen një përpjekjeje të mëvonshme të elitave lokale, të cilat luajtën edhe kartën e Ossian-it; p.sh. Skënderbeu në “Rapsoditë e një poeme arbëreshe” të botuara nga De Rada dhe me gjasë “të mbledhura në kolonitë e zonës së Napolit”, ka shumëçka të përbashkët me tipare të Skënderbeut te Barleti – të cilat ky i fundit i pat marrë, madje kopjuar nga Tit Livi (lexoni më tej për këtë esetë e mia Skënderbeu polisemik dhe Efektet e fabrikimit në kulturë). Natyrisht, edhe në qoftë kështu, Skënderbeu në kulturën dhe ideologjinë arbëreshe nuk është aq “i shpikur” sa “i mbjellë” ose i transplantuar nga lart; dhe me këtë efekt u tregua jashtëzakonisht i suksesshëm, si instrument për t’i dhënë një populli vetëdijen kombëtare të nevojshme. Pa Skënderbeun e shekullit XV kjo vetëdije do të kish trajtë tjetër dhe mbase edhe nuk do të mbijetonte: në këtë kuptim, Skënderbeu i parapriu Rilindjes sonë kombëtare jo vetëm në kalendar, por edhe si motor historik, pavarësisht nga sa u ruajt në kujtesën kolektive të arbëreshëve dhe të shqiptarëve.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Night Cafe.
Shënim: eseja më lart u nis si koment te posti në Facebook që lajmëronte botimin e kapitullit Shpikja e Greqisë nga libri i Josephine QUINN. Këtu botohet i zgjeruar dhe i rishikuar. Lexuesin e lut të mbajë parasysh se shkrimi im nuk është koment i drejtpërdrejtë ndaj tezës së Quinn-it për origjinën e Greqisë së lashtë.