Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kritikë / Letërsi

KOKTEJL METAFORASH

Në manualet e stilit gjithnjë të këshillojnë që t’i shmangësh “metaforat e përziera”, që nuk janë veçse kombinimi i dy a më shumë metaforave të papajtueshme. Kjo vlen për çdo lloj të shkruari publik; dhe aq më tepër për poezinë.

Po e ilustroj konceptin me një shembull që e kam sajuar vetë:

Degët e krahëve të tu më rëndonin mbi supe,
Dallgët e kurmit tënd më përplaseshin në plazhin e gjoksit,
Parfumi i buzëve të tua ma shuante etjen e gojës.

Një pjesë e mirë e krijimeve që të dalin sot përpara, dhe jo vetëm në Facebook, i ngjajnë kësaj karikature të shprehjes poetike.

Për amatorin, metafora është alfa dhe omega e poezisë; çfarë shpjegon maninë për ta komplikuar çdo lloj ligjërimi me figuracion metaforik ose krahasues.

Ka nga ata që kujtojnë se diferenca mes këtyre dy thënieve:

Ajo lëshoi flokët mbi jastëk

dhe

Ajo e lëshoi ujëvarën e flokëve mbi jastëk

Është diferencë mes ligjërimit të rëndomtë dhe atij poetik.

Gjithsesi, ai që guxon të sjellë një metaforë në vazhdë metaforash të tjera, duhet ta ruajë koherencën e vizionit a të imagjinatës – gjë që vargjet më lart nuk e bëjnë.

Kur them “degët e krahëve të tu më rëndonin mbi supe”, evokoj imazhin e dikujt – për shembull së dashurës – e cila i ngjan një peme që përkulet mbi mua dhe m’i vendos degët mbi supe.

Good.

Por vargu i dytë, “Dallgët e kurmit tënd më përplaseshin në plazhin e gjoksit,” i largohet imazhit të pemës dhe fillon të flasë për “dallgët e kurmit” dhe, fill pas kësaj, për “plazhin e gjoksit”; këtu “dallgët” dhe “plazhi” krijojnë një farë koherence, minimale mes tyre; por dy metaforat e reja, dallgët e kurmit dhe plazhi i gjoksit nuk janë të qarta (çfarë mund të jetë “plazhi i gjoksit” vallë?). Në çdo rast, ky imazh me dallgë dhe plazh shkëputet nga ai i degëve dhe i pemës, në vargun e mëparshëm.

Në vargun e tretë, “Parfumi i buzëve të tua ma shuante etjen e gojës”, bota e imagjinuar ndryshon sërish; tani përmendet “parfumi”, dhe “etja e gojës”; dy gjëra pa lidhje mes tyre dhe pa lidhje edhe me çfarë u ka paraprirë. Veç kësaj, goja edhe mund të ketë etje, por etjen e shuan uji, jo parfumi. Parfumi, e shumta, mund të dehë ose të magjepsë. E kështu me radhë: u kërkojmë fjalëve më shumë se ç’munden ato të na japin.

Tre vargjet sjellin në vizion dy imazhe paralele: i pari, relativisht koherent, i një çifti që përqafohen dhe po bëhen gati të puthen; i dyti, kaotik, i një realiteti ku bashkëjeton një pemë, një plazh me dallgë, një gojë që lëshon parfum dhe një gojë që ka etje.

Secila nga këto metafora mund të qëndrojë më vete; por kombinimi i tyre, në tre vargje, jo. Lexuesi hutohet, ngaqë nuk e ndjek dot më logjikën e imazhit poetik, dhe fillon ta ndiejë se ka përpara jo një poemë, por surrogaton e një poeme.

Për ta ilustruar konceptin e koherencës (dhe më tej, të kohezionit poetik), po sjell një miniaturë poetike nga Ismail Kadareja, të vitit 1962:

NË BAR ME FINLANDEZEN

Dua të them me ty mijëra fjalë
Gramatikat, fjalorët t’i shpërthej
Dhe jo një copë akulli
Të shkrij në koktej
Por një ajsberg.[1]

Kaq. Një vinjetë, një snapshot, një bar ku “heroi lirik” (ai që flet në vetën e parë) kundron një vajzë finlandeze. Dëshiron të flasë me të, të komunikojë, por nuk di ç’gjuhë të përdorë. E pengojnë rregullat gjuhësore, siç do ta pengonin rregullat e bashkëjetesës së qytetëruar që, bie fjala, t’i afrohej vajzës dhe t’ia lëmonte dorën.

Metafora qendrore, e poezisë, është akulli që shkrihet në gotën e pijes – të cilin poeti e krahason, për ta afruar dhe njëherësh kontrastuar, me ajsbergun. Një hiperbolë, që përcjell frustrimin e madh, për shkak të pamundësisë për komunikim.

Bari është vendi i bekuar ku njerëzit pritet të hyjnë në bisedë mes tyre, të afrohen, të miqësohen dhe ashtu të fillojnë diçka; por kjo tani nuk ndodh, sepse në këtë bar, ku gjendet poeti, ka pllakosur një ftohtësi. E cila nis nga akulli i koktejlit, për të vazhduar me ajsbergun, dhe më tej me finlandezen vetë, e cila jo vetëm vjen nga Veriu i ftohtë (prej nga vijnë edhe ajsbergët); por edhe nga një kulturë e njohur për “ftohtësinë” e saj (klishe kulturore). Sidomos përballë “jugut” nga supozohet se vjen heroi lirik.[2]

Ka edhe një ftohtësi tjetër që pengon: ajo e gramatikave dhe e fjalorëve, sfidë që Kadarenë poet e ka munduar edhe më herët në atë periudhë (me gjasë, kjo vjen si jehonë e përvojave të mërzitshme në leksionet e gjuhësisë dhe të latinishtes, në Fakultetin Histori-Filologji); në kuptimin që rregullat ai rreket t’i perceptojë si pengesa që u ndërvendosen njerëzve për t’ua ngrirë gojën: “dua të them me ty mijëra fjalë…”.[3]

Gramatikat janë të ftohta, dashuria e nxehtë. Gramatikat megjithatë fitojnë, dhe poeti nuk arrin “ta thyejë akullin”.

Finlandezja, në këtë poezi, është element i dekorit; gjendet aty vetëm për t’ia ndezur poetit motorin e përfytyrimit; por nuk ndërvepron. Është edhe ajo e ngrirë, si të ishte përemër a pjesë tjetër e ligjëratës. Ose kushedi ashtu i duket poetit – që projekton, mbi të panjohurën, ngrirjen që përjeton përbrenda.

Jemi në vitet e Luftës së Ftohtë: vërejeni referencën eksplicite edhe te mbiemri te kjo klishe e ligjërimit publicistik, e ftohtë. Ky të ftohtë politik kushtëzon tani çdo marrëdhënie ndërnjerëzore në Europën e Pasluftës.[4]

Lufta e Ftohtë ndërton mure mes njerëzve; dhe një nga këta mure nuk e le poetin të lirë në bar – në vendin ku duhej të shkrihej akulli mes njerëzve.

Në ato vite, heroi lirik i poezisë së Kadaresë skicohet si i ngashënjyer fort prej stilit Perëndimor të jetesës – aeroporteve dhe bareve dhe rrokaqiejve dhe jetës së natës dhe dritave të reklamave. Bari i vinjetës më lart i përket edhe ai kësaj jete; tek e cila do të transportonte pocioni magjik i koktejit.

Të gjitha këto: të rrish në një bar, me një vajzë të huaj (finlandeze) aty pranë, me një koktej përpara, ku shkrihet ngadalë një kub a ajsberg akulli – janë ngacmime për të shijuar një jetë “ndryshe”.

Të paktë ishin ata shqiptarë, në ato vite, që pinin kokteje në bare, me një vajzë finlandeze përballë; për Kadarenë poet kjo përbën arsye për një përjetim sublim.

Një arsye që sot mund të tingëllojë banale, por filli që lidh ftohtësinë e finlandezes, me Luftën e Ftohtë, akullin në koktej, ajsbergun dhe rregullat gramatikore është gjetje e rrallë.

Lindja dhe Perëndimi, Veriu dhe Jugu, akulli dhe zjarri, disiplina dhe kaosi.

Në vetëm pesë vargje!

Bllokimi poetit nuk i vjen as nga temperamenti i finlandezes, as nga padija gjuhësore; por nga gramatika politike e Luftës së Ftohtë, që e ka ndarë Evropën më dysh. Prandaj edhe frustrimi i tij evokon imazhin e ajsbergut, që shkrihet në gotën e pijes.[5]

Për mua, kjo miniaturë punon bukur si poezi; duke krijuar një atmosferë evokuese, sa të lehtë aq edhe sublime. Bari është edhe vendi i rasteve të humbura, i takimeve që nuk ndodhën, i kryqëzimit të shikimeve. Vendi ku zënë fill vijat kohore paralele – në njërën prej tyre, “ai” dhe “ajo” takohen dhe flasin me shenja dhe pastaj përfundojnë në një hotel me orë…

Poeti merr tani rolin e atij që shkrin dhe shpërthen: akullin, ajsbergun, rregullat e gramatikës, akullnajën e Luftës së Ftohtë; duke e shndërruar në kaos dionisiak disiplinën e atomeve deri tani gjeometrikisht të renditura në kristalet e akullit. Të paktën me mendje.

Të gjitha këto i mundëson koherenca e përfytyrimit; ose logjika e metaforës[6]; dhe shmangia e metaforave të përziera, për t’i bërë vend kësaj logjike të nënkuptuar, e shquan poezinë nga vargëzimi.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi i kopertinës është realizuar me Midjourney.


[1] Nxjerrë nga Ismail Kadare, Vepra poetike, Onufri 2018, f. 128.

[2] Te një poezi e vitit 1961, “Do të vijë koha”, lexohet:

Do të vijë koha
S’do të shihemi më kurrë.
Do të harroj unë vajzën nga Veriu,
Do të harrosh ti të huajin nga Ballkani i largët.

[3] Tema e barrierës gjuhësore, mes një çifti që vijnë nga dy vende të ndryshme, shërben gati si leitmotiv në poezinë e atyre viteve. “Vetëm dashnorët mund ta ndërtonin/Kullën e Babilonit,” thuhet në poemën “Rrugëve të Moskës.” Vende-vende kjo barrierë do të vijë duke u njëjtësuar me akullin e Luftës së Ftohtë.

[4] Në poezitë e atyre viteve, ndihet një identifikim, gati metafizik, mes temës së ndarjes së dy të dashurve dhe temës së konfliktit politik mes BRSS dhe Shqipërisë, që e detyroi Kadarenë student të Institutit Gorki të largohej nga Moska para kohe. Kjo do të jetë edhe një nga temat madhore te romani Dimri i madh, ku prishja e madhe politike në Moskë u reflektua sakaq edhe në marrëdhënien e Besnikut me Zanën.

[5] Te vëllimi i lartcituar, thuhet se “Në bar me finlandezen”, bashkë me dy vjersha të tjera, “janë fryt i udhëtimit të parë të autorit në Perëndim, në verë të vitit 1962, ku ai shkoi si gazetar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Helsinki.” (f. 395).

[6] Në semantikën tekstuale, ky përkim mes elementeve të një teksti quhet ndonjëherë izotopi; brenda të njëjtit tekst ka disa lloj izotopish, të cilat komunikojnë mes tyre – në poezi, edhe prozodia përfton izotopinë e vet.

 

1 Koment

  1. Për çështjen e ruajtjes së koherencës metaforike (J. Culler) keni plotësisht të drejtë. Por ndoshta jeni jashtë “fushës izotopike” të përcaktuar nga teksti i poezisë “Në bar me finlandezen”. Përmendja prej jush e asociscinit të Luftës së Ftohtë dhe të krejt sfondin politik të kohës besoj se nuk mbështetet nga teksti dhe padashur kaloni në “mbiinterpretim”! (U. Eco)
    Sipas meje, poezia paraqet situatën pjesërisht romsntike të UNIT LIRIK, i ulur në një bar me një bukurishe finlsndeze. Ai ndihet i afeksionin prej saj, madje pothuajse i dashuruar dhe, për shkak të mosnjohjes së gjuhës, është gati të shpërthejë fjalorët e gramatikat dhe, për të ndenjur sa më gjatë, sy më sy me bukuroshen nordike, do të dëshironte që në gotë të kishte një aisbreg dhe jo një copë të vogël akulli, që, sidoqoftë, do shkrijë shpejt. Kjo është një metaforë e përftuar me fantazi nga mjedisi i vendlindjes së finlandeze. Të ftohtit e akullit të ajsbergut do t’i hidhte një mal me dru zjarrit të dashurisë!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin