nga Elidor Mëhilli
18 maj 1971
Një 23-vjeçar blen një roman. Kopertinën e ka të thjeshtë: fragmente gri dhe të verdha mbi një sfond të çelur. Siç e ka bërë zakon, çdo libër që merr e nënshkruan me datë, vend, dhe firmë. Në këtë rast: Fier. (Turizëm.)
Pas dhjetë vjetësh 23-vjeçari do të bëhet im atë; ai libër, pasi ka kaluar nëpër disa duar, do të më transportojë edhe mua, gjatë viteve ’90-të, brenda një qyteti që dukej “sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie prehistorike”.
Qyteti ishte edhe i kësaj bote, edhe i një bote tjetër. Aty nga mesi i viteve 2000 do të më bjerë në duar recensa që i pat bërë John Updike-u “Kronikës”, të cilën e kërkoj me ngulm. Nuk gjendeshin gjërat kollaj si sot.
Asokohe, duke i kuptuar librat edhe si pika takimi mes gjeneratave, do të më duket se edhe Fieri i naftëtarëve të viteve ‘80 ndodhte që të kthehej në një lloj ferri. E ngaqë ferrit i duhej ikur mendërisht, nuk ishte çudi që i ikej duke lypur vendbanim të përkohshëm në një interregnum si ai i Gjirokastrës mes luftërave.
17 prill 2006
Kadareja është i ftuar në institutin Harriman, në universitetin e Columbia-s, aty ku në 1932-shin është futur kursi i parë i gjuhës shqipe nga Nelo Drizari, e ku, pas lufte, do të japë mësim Stavro Skendi. Po këto gazetarët nuk i përmendin fare; mbase s’e kanë idenë. Takimi mbahet në librarinë “Low”. Titulli është “Letërsia dhe tirania”. Flet për Danten. Kanë ardhur shqiptarë për ta dëgjuar; ndonjë edhe për ta sulmuar.
Më vjen ndër mend një reflektim i tij për një takim diku. Ndoshta në vitet ’90, ndoshta në Francë. Shkrimtarët nga vende të ndryshme ishin në një pritje elegante. Brenda, nën qelqurina, pihej shampanjë. Ndërkohë, jashtë qe krijuar një grup shqiptarësh që e prisnin të dilte. Ta takonin. Ta takonin patjetër. Diçka donin prej tij. Po çfarë? Kishte filluar dhe një shi, po ata nuk lëviznin. Shkrimtarët e tjerë— kështu raporton Kadareja—nuk u besonin syve. Askush prej tyre nuk kishte lexues të tillë! Binte shi. Po muri i shqiptarëve nuk lëvizte.
E dija, pranonte më vonë autori, se ai mur njerëzor, aq i lakmueshëm nga egot letrare, mund edhe të më vinte përposhtë, të më bënte copa.
26 Shtator 2006
Në seminarin për Kadarenë që e drejton përkthyesi dhe profesori i letërsisë franceze David Bellos, në Princeton, ka vetëm një student të regjistruar: jam unë.
Por na bashkohet edhe një pedagoge dhe bëhemi tre. Gjatë katër muajve në vijim ne i ikim ritualisht këtij realiteti, duke u ndalur herë në një realitet tjetër më tragjik, herë grotesk, Gogolian, që nga Palortoja në periferitë e Moskës, nga provincat otomane në Kinën e Maos. Gruaja, shikimi (verbëria), gjumi, ëndrrat (makthi), ironia (e pashpirt), homoseksualiteti (magjepsur), tematizimi i hermeneutikës që është fill i kuq nga libri në libër, strukturat e kohës.
Udhëtim me të papritura dhe për mua që më dukej sikur veprën e njihja. Më duhet të mësoj, sistematikisht, se përballja me Kadarenë të bën të kuptosh se në terrenin e tij mund të kesh jetuar, të kesh marrë frymë—të paktën ne që në duar ende nuk kishim tulla elektronike me helm virtual—mirëpo terreni i tij gjithsesi ka mistere. Autori di te jetë edhe mistrec. Ekuilibri i asaj bote është delikat. Prishet kollaj, për një fjalë goje. Keqkuptimet me të janë të garantuara.
Pastaj: gjuha. Bellos-i nuk di shqip; botës anglofone Kadareja i ka ardhur herë nga John Hodgson-i, herë nga Bellos-i, por ky i fundit përmes frëngjishtes së Vrionit dhe Papavramit. Por Bellos-i është studiues i mprehtë i përkthimit si “dëshmi e pakundërshtueshme e fleksibilitetit pa kufi të mendjeve njerëzore”; problemin e qasjes indirekte ndaj Kadaresë nuk e injoron.
E ngaqë Kadareja është botëndërtues përtej gjuhës, gjatë vjeshtës së vitit 2006 ne na duhet të shpikim edhe një lloj harte të asaj që Bellos-i e quan Kadaria.
Unë mbaj 60 faqe shënime e shkarravina (i kam me vete edhe sot), ku mundohem të krijoj një shëmbëlltyrë të asaj bote: kryeqytetet e mëdha, pallatet, kullat, urat, lagjet, emrat që udhëtojnë nga njëra gjuhë në tjetrën, motivet që përsëriten në kohë e hapësirë, intrigat që marrin formë fizike. Disa prej këtyre detyrohem t’i skicoj e vizatoj.
Më bëhet e qartë që Kadareja është edhe një farë arkitekti.
14 gusht 2007, Golem
Kur e takoj—falë botuesit Bujar Hudhri—i sjell një shishe verë. Ime më shqetësohet të zgjedhë diçka të mirë nga rezervat, të gjejë një karton elegant për ta paketuar.
“Mos e ke italiane?!” – më thotë kur ulemi në verandë.
“Se italianët nuk i kanë gjë verat”.
Unë jam 25 vjeç, student doktorature në Princeton. Pyetjet i kam teknike. Dua të di për “Muzgun”, për Moskën e viteve paradoksale të de-Stalinizimit, për komunizmin si një lloj sfere globalizuese që e lidhte Shqipërinë mikroskopike me botën e llahtarshme përtej – gjëra që më duhen për disertacionin. Më shpjegon diçka edhe për “Dimrin”, për arkivat.
I përmend kulturën materiale dhe kuptoj që kjo e ngacmon.
“O Zot, kur shkoje në shtëpitë e udhëheqësve, lemeriseshe! Njeriu do të ndjeje pak frikë, pak madhështi, pak magji, pak elegancë, pak terror brenda mrekullisë arkitektonike. Por jo! Ishin banalë dhe vulgarë, me të njëjtat orendi si shtëpitë e kulturës. Të gjitha standarde. Mërzi e madhe!”
“Si mund ta kthesh historinë e diktaturës në një dossier të rëndomtë?” Jo më tha Enveri kështu, jo Hazbiu ashtu.
“Kjo është ta bësh krimin të mërzitshëm!”
Është i sertë. Ankohet. I dhemb që raporti i veprës me gjuhën angleze—tregun më të madh në botë—ka qenë më i vështirë se me gjuhë të tjera, edhe pse ka marrë Booker-in. Ankohet. Si mund të merret njeriu me letërsi të dorës së dytë, me “çikërrima”?
Unë mbaj shënim çdo gjë: datat, citimet, frazat, vendin.
vjeshtë (ose dimër) 2008
Bellos-i më pret në shtëpi, ku hamë darkë dhe i futemi punës: është duke bërë gati “Kështjellën”, që do të dalë së shpejti si “The Siege” dhe duhen përpunuar ndryshimet në tekst.
A ka kuptim të flasësh për ndërkombëtarizimin e Kadaresë pa ngritur një shtatore të vogël për përkthimin? U fol këto ditë se është përkthyer në kaq e aq gjuhë, sipas logjikës bajate të statistikave të shtetit.
Mirëpo ta marrësh punën e Kadaresë seriozisht, botëndërtimin e tij, duhet të merresh—siç ka bërë pikërisht kjo revistë tash e plot vite—edhe me intertekstualitetin që është krijuar me retushimin, me ciklin e përkthimeve nga përkthimet, që kanë krijuar mbibotë e nënbotë të teksteve.
Kadareja imponon punë ndërdisiplinore e sidomos punë prej detektivi; kërkohet ndjeshmëri për skutat e shqipes, për historinë tonë që letrarizohet e pastaj gëlltitet si fakt, për folklorin e pushkëzimin e tij propagandistik, për neologjizmat, për faktin se në botën-Kadare ndodh që fara të hidhet në njërin libër por frutin ta japë tjetërkund.
Nuk ka ndonjë gjë të keqe, fundja, ta shijosh botën që ndërtoi si rrafsh krejt privat. Por unë jam ndër ta që me zor e ndaj tekstin, si me thikë, nga paradokset e këtij rruzulli, të këtyre viseve, me ankthet dhe komplekset e tyre me të shkuarën otomane e me vetë-bunkerizimin mendor të diktaturës, po edhe me të papriturat pa të cilat do ishim më të varfër.
Ja një shembull:
“Prilli i thyer”, aq dhembshëm i dashur për lexuesin shqiptar, doli në frëngjishte nga dora e Vrionit. Por në portugalishten e Brazilit udhëtoi direkt—pa ndalesa aeroportuale në Paris—falë dorës së Bernardo Joffily-it. Ky ishte komunist i bindur, anëtar i marksist-leninistëve radikalë brazilianë në kohën e diktaturës brutale atje. Erdhi në Shqipëri si komunist në azil. Kjo miqësi e pazakontë shqiptaro-braziliane bëri që “Prilli”, e plot vepra të tjera, të punoheshin nga një dorë që e njihte Shqipërinë jo nëpërmjet klisheve (siç konsumohet edhe sot në Perëndim e siç vetë-tregtohen elitat tona) por si përvojë jetësore.
Ja një degë e hollë mes kontinenteve, mes dy diktaturave të kaheve të ndryshme, që u rrit në kohë të këqija.
5 korrik 2024
(Le të mos ndalemi te grotesku i Tiranës zyrtare dhe huqet e ofiqet, që i urrente gjithsesi. Kjo përbuzje e tij ndaj këtyre ishte një farë çudie në atë vend dukjesh e pordhësh, e si e tillë, ishte e pafalshme.)
Ndihet një lloj parehatie pas tij. Gjatë izolimit diktatorial hapja e mendjes shihej si nevojë jetike por sot mendjet duken të mbyllura, të mbufatura, të patundshme si kullat ku kanë kyçur paratë. Dynden të duken. Po a kanë lexuar?
Çdo të bëhet me vesin për ta çmuar gjënë shqiptare vetëm pasi e vlerësojnë perëndimorët? E pastaj për ta paraqitur skuthçe frymën kritike (kaq të nevojshme, tash e mot) si sulm ndaj imazhit të vendit? Çdo të bëhet me kulturën e tkurrur, çikërrimore, të lavazhove të parave e të mendjeve, të vjedhjeve spektakolare që i duartrokasin si marioneta?
“Më dukej sikur ishte i përjetshëm” – më thonë disa të njohur. Shprehja më bën përshtypje se kështu më dukej dhe mua, deri në çastin kur lajmin ma dha shoku im i fëmijërisë Arbër Shtëmbari.
Ishte gjallë. Funksiononte dhe si një lloj ure mes kohëve, një lloj busulle (donte apo s’donte), një lloj përçmimi i pafshehur ndaj mediokritetit që na mbyt, një lloj pasqyre mizore e kulturës parafabrikate.
Bellos-i e mban mend në Skoci, tek viset e Makbethit, e më pas në breg, nga të rrallat herë kur e ka parë krejt të qeshur. Në tisin e mjegullës së ftohtë veriore (haar) që e pati imagjinuar që nga Gjirokastra. “Gjenia,” shkruante Baudelaire-i, “s’është asgjë më pak e as më shumë se fuqia e të rigjeturit të vetes fëmijë”.
(c) 2024 Elidor Mëhilli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.