nga Arben Dedja
Prolegomenë
Përpara se ime shoqe të sëmurej, hekurosja ishte për mua një aktivitet sporadik. Megjithatë, tek soditja mundin e saj dhe orët që i kushtonte, them që, për solidaritet, do të kënaqesha tej mase sikur të merrja vesh që së shpejti (në kuptimin brenda kohëzgjatjes së ekzistencës sonë mbi Tokë) aktiviteti i hekurosjes të zhdukej a tjetërsohej, si shumë zanate të së shkuarës, që tashmë s’ekzistojnë më – ose kanë ndërruar feste – dhe, jo vetëm aq, por i kemi harruar krejt (tip bakërxhi, kujunxhi – por këto e mbartin që në emër atë idenë e kapërcyeshmërisë pa kthim e të vjetërsisë pa derman: më falni, miq stilistë, por edhe gjuha sikur më vjetërohet e jashtëmodësohet kur flas për to, gjë që do të desha me çmos ta bëj edhe për zejen, aktivitetin bjerrenergjik e mekanik të hekurosjes, por ç’e do që ai mbart një emër fort rrënjës e bukurtingëllues që sikur nuk po do të shkasë kujtese).
Unë, madje, i mbaja veshët pip, si ai zagari në vreshtë, për të kapur ndonjë lajm vekëtitës rreth ndonjë shpikjeje të lartë lidhur me hekurosjen. Kisha dëgjuar, bie fjala, në fillim me njëfarë shprese që erdh e u shndërrua në pezm, për disa dollapë të veçantë (në fakt, tejet hapësirëzënës për shtëpitë tona kutishkrepsore), dollap ku ti fusje (varje) teshat që pastaj, kur pas disa orësh i nxirrje, le të themi që hekuroseshin – në njëfarë mënyre “hekuroseshin”, por dyshimet ishin të mëdha dhe shpresat të pakënaqura. Nuk ishte rasti ynë.
Mirëpo ja që ime shoqe, pasojë e një ndërhyrjeje në kokë, pësoi këtë parezë të majtë që e pengonte të ushtronte siç duhet aktin e mrekullueshëm pastërtues të hekurosjes. Kishim marrë, me këtë rast, ndonjë zonjë të na ndihmonte në punët e shtëpisë, ku përfshihej, të paktën teorikisht, edhe hekurosja, por, me një akord të heshtur bashkëshortësh, përpiqeshim sa më rrallë të ish e mundur e me kufizime të mëdha ta vinim zonjën të hekuroste.
Kryeherazi, qe problemi i dorës. Ime shoqe është mëngjarashe, tavolina hekurosëse dhe vendosja e saj hapësirore në shtëpi ishin menduar, pra, për të këtillë gjind, ndërkohë që na qëlloi gjithnjë e pamundur të gjenim dikë po aq mëngjarash e ta kishim në mes tënë. Shumë ndërruam; asnjëherë nuk proftasëm. Kështu që kur asaj zonje i duhej të hekuroste – ato të pakta herë kur i duhej të hekuroste – në radhë të parë duhet të kthente anapulla krejt sistemin tonë të të punuarit. Gjë që pastaj, me ikjen e saj, ne duhet ta rivinim siç kish qenë. Kjo sepse i vetmi mëngjarash tjetër në familje (po edhe në universin larushan të zonjave që punojnë nëpër familje të ndryshme – të paktën në regjionin Veneto, të paktën në Padovë) isha unë, dora vetë.
Së dyti, qe problemi i namuzit tonë shekullor: ja mirë, mund ta linim një herë a dy të hekuroste në vend tonë, por kishte gjëra intime që ne kurrë nuk mund t’ia linim një të treti të na i hekuroste. Dhe kështu mbërritëm te tema që po dua të shtjelloj sot, që kam ca minuta që i bie rrotull, por që, në fakt, ashtu me veten, kam nisur ta shtjelloj ka kohë: hekurosja e brekëve, për të qenë më i saktë: e breçkave. Sasia e tyre e grumbulluar për hekurosje ishte gjithnjë kolosale, sepse si ime shoqe, si ime bijë i ndërronin me një ritëm dy-trefish krahasuar me mua. Duhej gjetur zgjidhje për këtë dhe barra, si zakonisht në rastet tragjikomike të jetës, më binte mua.
Zhvillim
Duhet thënë që, falë zanatit që kam, zotëroj aftësi të mira manuale. Që pastaj nuk i vë në punë sa duhet, ka të bëjë me përtacinë time. Por në këtë rast situata ishte e thjeshtë: ke një mal me breçka për të hekurosur; për arsyet më lart ti je i vetmi në univers që mund ta bësh: hidhu, lali!
Dhe unë “u hodha”. Përpunova menjëherë një teknikë “origjinale” hekurosjeje (nuk e kam patentuar ende), që u mirëprit në familje, ku mirëpritje konsiderohet moskritika me zë të lartë e asaj çka bëja. Breçkat, të kthyera për së mbari, i vë, me pjesën e pasme përballë meje, në pozicionin prej trekëndëshi dybrinjëshëm me kulm sipër; kryej pastaj hekurosjen e vrullshme (me avull ndezur) të tre këndeve – duke filluar nga kulmi – dhe palosjen një e nga një të tyre drejt qendrës; vijon kthimi në anë të kundërt, pra nga përpara, dhe aplikohen përsëri tre-katër penelata të shpejta me majën e hekurit. E gjithë procedura zgjat më pak se një minutë. Kësisoj, i rendis pastaj breçkat mbi shtratin martesor. Dhe atëbotë fillon pjesa më e vështirë e raportit tim me breçkat: të kujt janë?
Mund të ngjajë e thjeshtë, por, në fakt, jo dhe aq. Për të qenë i sinqertë, në rastin tim dy janë mundësitë: ose breçkat të jenë të sime shoqeje, ose të vajzës (nuk po dua as ta imagjinoj skenarin e të pasurit të më shumë se një vajze, se më dridhen mishtë!). Ama, ju siguroj që një mundësi gabimi prej 50% për një kryefamijar është shumë, vërtet shumë.
Mund të ngjajë edhe e parëndësishme, por në fakt, jo dhe aq. Kur vajza ose (të them të drejtën, më pak) bashkëshortja, kërkojnë pikërisht ato breçka me pikërisht atë ngjyrë e formë të caktuar dhe nuk e gjejnë në sirtar; një hetim i thellë fillon, i paraprirë nga një brainstorming. Janë në koshin e të palarave? Janë në koshin e të pahekurosurave? Janë në sirtarin e gabuar? Vetëm kjo e fundit ngjall zemërim të madh. Dhe kështu, në seancat e përjavshme të hekurosjes, fillova të memorizoj breçkat. Natyrisht, logjika e thjeshtëzuar prej mashkulli më thotë që breçkat më seksi të jenë të vajzës dhe ato më pak seksi të time shoqeje. Këto dy skaje të estetikës breçkore janë lehtësisht të klasifikueshme, por problemi është që vetëm një pjesë e vogël e numrit të përgjithshëm të breçkave mund të futet në këto dy “grupe”. Pjesa tjetër, le të themi 80% e totalit (më falni për përqindjet prej llogaritari, por nuk po di si ta përballoj ndryshe sfidën) është gjithnjë aty, e palosur më së miri mbi shtrat, tek lyp begenisje. Dhe kështu, memorizimi im i kapicës së breçkave, rrëgjuar me vetëm 20%, ia nis. Informohem një herë, dy, tre, gjithë nonchalance, se të kujt janë këto apo ato breçka, memorizoj (kujtoj se i memorizoj) e punët duken fjollë, por ngjyrat e përafërta e dantellat finoshe më ngatërrohen cirkumvolucionesh e, deri sa të vijë java tjetër për hekurosjen e re, bëhen ujem, dhe unë përsëri gjendem përpara dilemës. Atëherë i vendos gjërat me nuhatje (falna Zot: në kuptimin “me intuitë”), por prapë edhe intuitëzeza e ka një marzh gabimi që më vihet menjëherë në dukje, herë me shpoti e herë me zemërim.
Duhet të them, zëlartë e për shfajësim, që edhe sjellja e femrave të shtëpisë nuk se më vinte në ndihmë; bile-bile ndonjëherë kam dyshuar se mos ato konspironin kastile kundër meje, lumëmadhit. Për shembull: tak-fak ndodhte ndërrim pronësie i ndonjë breçke. Pas shpinës sime, mëmë e bijë dakordësoheshin (lermëni, të paktën për një herë të vetme, ta përdor edhe unë këtë term “të lartë”, që e kam hasur vetëm në gojën e klasës politike shqiptare – ndër të tjera, një nga grupimet njerëzore më konfliktuale të planetit), dakordësoheshin pra, që një ose disa palë breçka, sipas ca kriteresh që nuk i mora dot kurrë vesh (por kishim të bënim, me gjasë, me një nivel të supozuar vjetërsie apo të qeni demode) kalonin menjëherë nga bija te nëna, duke më kapur gafil në hekurosjen e radhës. Kuptohet vetiu pse unë, pastaj, u ngatërroja vend. Pas qortimit të radhës ngrija krye, protestoja se e kisha të pamundur, sado zhdërvjelltësi mendore të zotëroja që, ashtu ipso facto, të orientohesha me direktivat e reja. Përse më përjashtonin nga “çu-çu-çutë” e tyre? Kisha, apo jo, edhe unë të drejtë t’i mësoja të rejat? Nejse, fillova të mbaja shënime në Bloc notes-in e Samsungut tim, natyrisht nën syzën: “Breçka”: “ngjyrë mishi, me llastik të hollë të bardhë e dantellë pak të trashë ngjyrë bezhë” (përkrah, shkruaja kujt i përkisnin); ose: “të bardha, me zemra të kuqe të shpërndara, pa dantellë” (idem); ose “rozë me dantella të bardha, mesatare, gjarpëruese” (idem); ose “…”.
Dikur, një fakt i rëndësishëm ndodhi: ime bijë filloi universitetin, por jo në Padova: vajti të studiojë në Pavia. Sa u përket breçkave, u gëzova (vetëm sa u përket breçkave, se përndryshe do të dëshiroja ta kisha në shtëpi çupën). Ky transferim ma lehtësonte, vallë, punën? Gjallë në botë!
Nga dizenjatorët e strategjive shtëpiake (jam i përjashtuar) u vendos që, për të qenë sa më e pavarur në Pavia, një set madhështor breçkash të reja duheshin blerë për vajzën. Bac, u kry! Ama, për mua ky mall i ri ishte krejt i panjohur. E mirë de, le të rrinin këto breçka në vendin e tyre, atje në kolegj; mjaft që unë të mos përfshihesha në valle. Por (ka gjithnjë një “por”), kur vajza vinte fundjavave në shtëpi (për hir të së vërtetës, po ndodh gjithnjë e më rrallë), nuk harronte të sillte një tok teshash të palara që ne t’ia lanim, thanim, hekurosnim e t’i merrte prapë me vete. Natyrisht, nuk kish si ndodhte ndryshe, në këtë tok teshash vendin e luanit e zinin pikërisht breçkat. Vlen të theksohet, ama, që moti i Italisë Veriperëndimore nuk është i tipit: diell e fllade pranverore; përkundrazi, kemi të bëjmë me vend mjegulle në dimër e zagushie në verë. Kjo për t’ju bërë me dije, o të duruarit e mi të kësaj molloisjeje breçkore, që brenda kohëzgjatjes së një fundjave shpesh ishte e pamundur, për hir të vonesave në tharje, mbushja e valixhes së kthimit për në Pavia me të njëjtat tesha (kësaj radhe të lara e të hekurosura) si në ardhje, ndaj lindtte nevoja e zëvendësimit të tyre me fonde shtëpiake, sidomos e breçkave padovane me ato paviase (të cilat tereziteshin për së mbari e më nge ditëve në vazhdim, gati për vizitën e radhës). Kështu, në vizualen time dhe ndër gishta, hynin gjithnjë breçka të reja, që ma mjegullonin logjikën e ma lëbyrnin vështrimin. Historia vazhdon. Jemi vetëm në vit të dytë.
Paralipomenë
Ishte natë vonë kur e mbarova (me një frymë) shkrimin më sipër. E lexova dhe m’u duk i arrirë, i denjë për aktivitetin tim të hekurosjes; ashtu siç duhet të jetë letërsia e vërtetë: e denjë për jetën. Vetëm se m’u duk pak si i stilit të lartë: unë aty sikur nuk flisja konkretisht për breçkat që hekurosja, por i kisha çuar ato përtej kupës qiellore, te Hiperurani (ὑπερουράνιος) i Platonit, aty ku rrinë idetë, të palëvizshme e të përsosura, ide që vetëm intelekti sipëran i mbërrin. Nuk ishin, pra, breçkat e korruptueshme tokësore ato që unë rrëfeja, por Breçkat ideale, me “B” të madhe. Ama, mendjen e kisha të lodhur e të turbulluar pas gjithë këtij mundi (thua paskësham hekurosur një mal me rroba) e nuk më kujtohej, në ato çaste të vona, asnjë element konkret që ta përshkruaj. Dhe, atëbotë, si njeri me shpirt praktik që jam, u çova dhe u nisa drejt dhomave të gjumit, në kërkim të një sirtari. Dhoma e vajzës gjendet përpara asaj bashkëshortore. Hyra tek ajo dhomë (bosh); hapa sirtatin e të linjtave. I mora në dorë dhe fillova t’i këqyr parë e prapë breçkat që gjendeshin aty. Desha të fiksoj ndonjë element konkret për ta përshkruar pastaj në tekst. Isha tejet i përqendruar, ndaj zëri më drithëroi:
“Ç’bën me breçkat e vajzës në dy të natës, more malukat?”
Ime shoqe ishte ngritur për të pirë ujë.
(c) 2024 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.