MYSAFIRËT SHTETËRORË NË VITIN 1937 (I)

nga Jonida Xhyra-Entorf

“Kështu m’a do zëmra që të shof gjith Shqiptarët të punojnë me nji besim të plottë në të ardhmën e vendit!” Me këto fjalë e mbyll baronesha Mari Ameli fon Godin (Marie Amelie von Godin)[1] fjalimin e saj si e ftuar nderi në kremtimet e 25-vjetorit të pavarësisë, në vitin 1937. Në një intervistë për televizionin Vizion Plus në vitin 2012, historiania Nevila Nika[2], duke folur për materialet arkivore ekzistuese lidhur me këto kremtime, i cilëson ato dinjitoze, në krahasim me mundësitë e pakta të shtetit të ri dhe të varfër shqiptar të asaj kohe. Ceremonitë dhe aktivitetet për festimet në fjalë kanë qenë të shumta dhe gjithëpërfshirëse, duke u shtrirë jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të shumta të Shqipërisë, madje edhe në kolonitë e mërgimit. Në protokollet e shtatë mbledhjeve të komisionit shtetëror, të caktuar enkas për organizimin e kremtimeve, të botuar në vitin 2013 nga Luan Malltezi[3] në gazetën Nacional, përvijohet fare qartë larmia e aktiviteteve të parashikuara për t’u ndërmarrë.

Në komision merrnin pjesë ndër të tjerë personalitete në zë si Teki Selenica, Lasgush Poradeci, Lumo Skëndo, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Berati, Odhise Paskali, Eqrem bej Vlora, dhe e vetmja grua, Parashqevi Qiriazi. Komisioni parashikonte hapjen e Ekspozitës së Rilindjes Kombëtare, organizimin e manifestimeve folklorike, aktiviteteve kulturore dhe artistike, e konferencave nëpër qytete të ndryshme të vendit, shpalljen e kalave dhe objekteve të tjera të rëndësishme për historinë shqiptare si monumente kombëtare, lëshimin në qarkullim të një emisioni të veçantë pullash dhe kartolinash, vendosjen e pllakave përkujtimore për dëshmorët, pagëzimin e shkollave me emra atdhetarësh, organizimin e një konkursi për himnin e ri të flamurit, për monumentin e Skënderbeut, konkurse të ndryshme në fushën e letërsisë e të muzikës etj. Në mënyrë të veçantë në këto festime u nderuan “filoshqiptarët” e ftuar, shkrimtarët e huaj, albanologët, për ndihmesën e tyre në fusha ndryshme të jetës shqiptare, të cilëve iu shpërndanë dhe “medalje kujtimtare” prej argjendi.

Ndër këta të ftuar nderi ishte dhe Godini. Në kronikën e saj familjare ajo përshkruan disa nga aktivitetet e mësipërme dhe veçanërisht Tiranën festive të atyre ditëve. Në arkivin privat të baroneshës kemi pasur fatin të gjejmë ftesën personale që i është bërë asaj si e ftuar nderi në kremtimet e 25-vjetorit të pavarësisë, dy ftesat për ballot e organizuara në datat 25 dhe 28 nëntor, si dhe fjalimin origjinal të mbajtur me këtë rast nga ajo vetë në gjuhën shqipe. Lidhur me datat, duhet të tërheqim vëmendjen për disa mospërputhje. Ftesa zyrtare përfshin periudhën nga data 26 deri më 28 nëntor, dy ftesat e ballove janë për datat 25 dhe 28 nëntor, kurse në kronikën e baroneshës përmenden datat 21, 22, dhe 23 nëntor.

Kronika familjare e Godinit përfshin me ndërprerje një hark kohor nga viti 1913 deri në vitin 1943, duke e zotëruar kësisoj gjysmën e parë të shekullit të 20-të me ngjarjet e dy luftërave botërore, pasojat e të cilave i ndryshuan faqen Gjermanisë dhe mbarë botës. Në këtë kronikë familjare rrëfimi jetësor retrospektiv gërsheton elemente biografike dhe autobiografike, por dhe vëzhgime historike, duke përligjur kësisoj kategorizimin në gjininë e kujtimeve apo siç quhet rëndom të memuareve (lat. memoria: kujtesë).

Impulset autobiografike mpleksen me ato të epokës që i përkasin dhe kësisoj historia individuale shpërfaq edhe përvojën shoqërore të epokës së jetuar, duke përfshirë këtu përvojën personale dhe atë të personave të tjerë për të cilët flitet. Në një artikull që analizon kategorinë tekstore të memuareve, studiuesi amerikan Billson i atribuon shkruesit të tyre tri role: atë të dëshmitarit okular, të pjesëmarrësit dhe të historiografit.[4] Si tekste që i mëshojnë edhe aspektit historiografik, memuaret synojnë besueshmëri, veçanërisht përmes pjesëmarrjes së autorit si dëshmitar i drejtpërdrejtë në ngjarje, në rastin konkret në kremtimet e 25-vjetorit të pavarësisë. Natyrisht ato nuk janë tekste të drejtpërdrejta historike dhe nuk duhen parë si të tilla, sepse kontekstin e përshkruar nuk e vendosin në një perspektivë të gjerë historike, për të mundësuar kësisoj analizën e tij. Me të drejtë Billson vë në dukje ambivalencën e kësaj gjinie letrare, pra, nga njëra anë dallimin nga historiografia, dhe nga ana tjetër të këqyrurit si pjesë e saj apo së paku si kontribut për të[5]. Të përfshira në konceptin përmbledhës life writing dhe në formësime nga më të ndryshmet (biografi, autobiografi, letër, ditar, memuare), kujtimet apo memuaret ngërthejnë në vetvete gjithmonë në njëfarë shkalle trillimin dhe kësisoj nuk duhen cilësuar si fakte. Megjithatë, ndryshe nga shumë gjini të tjera, karakteri referues që shpërfaqin na jep mundësinë ta provojmë vërtetësinë e tyre.[6]

Kujtimet e baroneshës për Shqipërinë ofrojnë jo vetëm mundësinë për ta përvijuar më gjerë portretin e një intelektualeje, por përtej këtij identiteti, na lejojnë, që nga një perspektivë e jashtme, të përthithim informacione për shoqërinë shqiptare të asaj kohe dhe personalitetet e saj. Për fat, kremtimeve të 25-vjetorit u kushton dy-tri faqe në memuaret e tij dhe një tjetër personazh i ftuar, diplomati Egon von Berger-Waldenegg (1880-1960), i cili përmendet në kujtimet e Godinit, kështu që karakteri referues i cekur më sipër fiton më shumë besueshmëri. Në këtë kuadër, kujtimet për kremtimet e 25-vjetorit janë një “sekuencë filmike” e Tiranës së zbukuruar për festë atë prag dimri të vitit 1937. Për ta futur lexuesin në atmosferën festive të atyre ditëve, po e nisim me një kartolinë përkujtuese të Tiranës lidhur me këto kremtime.[7]

Tirana e zbukuruar për festë atë fund nëntori të vitit 1937 përshkruhet nga Godini në një atmosferë kremtuese të pashoqe, mbushur me mysafirë dhe malësorë të zbritur nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Një pjesë e aktiviteteve, që janë parashikuar të organizohen nga komisioni special i vetëqeverimit, përmenden edhe nga baronesha, madje jo vetëm kaq, por “sekuenca filmike” që na ofron ajo në kronikën e saj mbushet me personalitete historikë, vendas dhe të huaj. Nga njëra anë mbreti Zog dhe adjutanti i parë i oborrit mbretëror Zef Serreqi, nga ana tjetër miqtë e saj, me të cilët ajo i ruajti lidhjet edhe në emigracion: Eqrem bej Vlora me dy motrat e tij Feziletin, martuar me Eqrem bej Libohovën, dhe Nexhatin, martuar me Ajet bej Libohovën,  Mehdi Frashëri me të bijën Medihanë dhe Ndue Paluca. Me shumë dashuri Godini flet për familjen e Avni bej Delvinës, përmes të cilit zuri fill dashuria e saj për Shqipërinë, kur ajo e takoi atë gjatë udhëtimit të saj në Lindjen e Afërme në anijen Llojd (Lloyd). Kësaj familjeje ajo i kushton një nga novelat e saj të bukura në vëllimin Nga vendi i skllavëruar (Aus dem Lande der Knechtschaft)[8], novelë, e cila është e përkthyer edhe në shqip.

Përfaqësuesit e klerit katolik, Gjergj Fishta, Anton Harapi dhe Vinçenc Prenushi janë gjithashtu të pranishëm dhe përshkruhen me shumë dashuri. I pari ka qenë mysafir i Godinit gjatë një qëndrimi të tijin në Mynih. Të dytit ajo i ka kushtuar romanin e saj Vergessen …? (I harruar …?)[9], në të cilin përshkruan fatin e priftit katolik gjatë strehimit nëpër familje të ndryshme, përpara se të kapet nga komunistët dhe të dërgohet në Tiranë për t’u pushkatuar, ndërkohë që me Prenushin ka pasur një korrespondencë të rregullt. Ndër mysafirët e huaj përmenden Leo Freundlich (1875-1953), August Ritter von Kral (1869-1953), Norbert Jokl (1877-1942), baroni Berger, të cilin e përmendëm më sipër dhe një profesor gjeografie nga Gjermania, të cilin ajo nuk e cilëson konkretisht me emër.

Gazetari dhe politikani me origjinë hebreje Leo Frojndlih ka botuar në vitin 1913 një libërth[10] me artikuj nga shtypi i kohës, në të cilin jo vetëm i bën me dije opinionit ndërkombëtar masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë dhe në Veri të Shqipërisë për periudhën 1912-1913, por njëkohësisht i bën thirrje këtij opinioni, konkretisht qeverive të fuqive të mëdha “në emër të njerëzimit, në emër të qytetërimit, në emër të popullit të pafat shqiptar”[11], që të ndërhyjnë për t’i dhënë fund fushatës shfarosëse kundër këtij populli. Kontributi tjetër i Frojndlihut është Korrespondenca shqiptare[12], të cilën studiuesi Robert Elsi (Robert Elsie: 1950-2017) e cilëson si “agjencinë e parë telegrafike shqiptare”,[13] për faktin që, në periudhën nga qershori i vitit 1913 deri në gusht të vitit 1914, bëri shpërndarjen e lajmeve aktuale lidhur me zhvillimet në Shqipëri, një punë aq e vyer dhe në kushtet e atëhershme me rëndësi imediate për çështjen shqiptare.

Diplomati austriak fon Kral, jo vetëm zotërues shumë i mirë i gjuhës shqipe, por edhe njohës me themel i kulturës shqiptare, emërohet konsull në Shkodër në vitin 1905, kryekonsull i klasit të parë si komisar austro-hungarez në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë në vitin 1914 dhe komisar civil pranë Komandës Austriake po në Shkodër në vitin 1916. Në funksionet e ushtruara Krali dha një ndihmesë të çmuar për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë, konkretisht për vendosjen e një sistemi administrativ, duke kërkuar ngritjen e drejtorive të përgjithshme për financa, arsim dhe drejtësi, si institucione të drejtuara nga vetë shqiptarët, krijimin e drejtorisë së statistikës, dhe duke mbikëqyrur përzgjedhjen e nëpunësve shqiptarë.[14] Por ndihmesa e tij e padiskutueshme, siç vëren me të drejtë studiuesi Xhevat Lloshi[15], lidhet me dy ngjarje madhore në historinë shqiptare: me Kongresin e Manastirit dhe Komisinë Letrare, duke nënvizuar se: “Ai (Krali, shënimi nga J. Xhyra-Entorf)  ishte  nismëtari  për  Komisinë  Letrare dhe në personin e tij ishte vazhdimësia e drejtpërdrejtë nga Kongresi i Manastirit.” Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë, Krali zgjidhet në vitin 1914 anëtar nderi i Komitetit për Shqipërinë në Vjenë, lajm i cili dokumentohet pikërisht nga Frojndlihu në Korrespondencën Shqiptare.[16]

Baroni fon Berger, politikan dhe jurist austriak, ka ushtruar në periudhën 1934-1936 postet e ministrit të drejtësisë dhe atij të jashtëm. Së bashku me politikanin Theodor Hornbostel (1889-1973) ai ka qenë në Durrës gjatë sundimit 180 ditor të princ Vidit, kohë të cilën më pas në memuaret e tij e përshkruan si “opereta shqiptare Vid.”[17] Pikërisht në këto memuare, të botuar në vitin 1991, ai përshkruan shkurt edhe festimet e 25-vjetorit të pavarësisë, duke nisur me kureshtjen që e pushton në bordin e anijes për ndryshimet që mund të kenë ndodhur në një vend, nga i cili ai ishte larguar para 23 vjetësh në një situatë aq të trazuar. Baroni vëren me keqardhje, se pas 23 vjetësh Durrësi e kishte humbur “poezinë e qetë të Lindjes.”[18] Në të kundërt, kur flet për Tiranën, ai konstaton, se “fshati i qetë përreth xhamisë, ishte shndërruar në një qytet”[19], me rrugë, ndërtesa moderne, dhe reklama kinemash. Në të njëjtën kohë, si mysafir shtetëror, Bergeri përshkruan edhe disa elemente nga formalitetet e protokollit zyrtar, me të cilat ai ndeshet në “fshatin” e shndërruar tashmë jo vetëm në qytet, por në kryeqytetin e shtetit shqiptar, p.sh.: me akomodimin dhe vënien në dispozicion të një makine me shofer, audiencën tek mbreti dhe nderimin nga ana e këtij të fundit me Kryqin e Skënderbeut, dy ballot në pallatin mbretëror dhe atë në bashkinë e qytetit. Interesant është veçanërisht një përshkrim pothuajse i njëjtë me atë të Godinit, kur është fjala për sjelljen e natyrshme dhe plot dinjitet të malësorëve në ballot mbretërore. Duke ironizuar stereotipitë negative[20] të kohës, ai vë në dukje, se “me çfarë hijeshie të natyrshme dhe me çfarë dinjiteti fisnik lëviznin të ashtuquajturat ‘egërsira’ në një mjedis gjithsesi të pazakontë për ta.”[21]

Gjuhëtarin austriak me prejardhje hebreje Norbert Joklin, Çabej e vlerëson për “frymën e re në gjerësi dhe metodë” si dhe për përfshirjen në analizë edhe të elementeve të kulturës materiale, duke theksuar se veprat e tij “kanë rëndësi edhe përtej caqeve të linguistikës, në lëmë të etnografisë shqiptare.”[22] Trajtimi i marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike përbën një fill lidhës në të gjitha studimet e Joklit, qasjen e të cilit Çabej e cilëson si “metoda Jokliane”. Vepra kryesore e Joklit Studime historiko-krahasuese për gjuhën shqipe (Historisch-vergleichende Untersuchungen über das Albanische), botuar në vitin 1923, i jepet publikut shqiptar në një botim dygjuhësh në vitin 2017.[23]

Në rastin e profesorit gjerman, pas konsultimeve me albanologun Mihael Shmid-Neke (Michael Schmidt-Neke), të cilin me këtë rast e falënderojmë përzemërsisht për ndihmën e vyer, mendojmë se profesori për të cilin flet Godini është gjeografi dhe pedagogu Ernst Emil Kurt Hassert (1868-1947),[24] i cili ka bërë emër me kërkimet e tij për zonat polare, Afrikën dhe Ballkanin. Artikullin e tij të vitit 1897 për udhëtimin në Shqipërinë e Veriut e ka botuar dhe përkthyer në faqen e tij elektronike studiuesi Robert Elsi.[25] Në dosjen postume të Hasertit në Institutin Lajbnic për Studime Rajonale[26] gjenden, përveç disa manuskripteve të ligjëratave të tij, materialeve të punës lidhur me Shqipërinë, edhe libri me shënimet e bëra gjatë udhëtimit në Shqipërinë e Veriut në vitin 1897, bashkë me matjet e lartësive gjeografike dhe pjesën topografike. Interesante në këtë dosje janë materialet lidhur me udhëtimin e tij në Shqipëri në vitin 1937, ndër të tjera edhe ftesa nga Komisioni i Vetqeverimit, tri letra nga Dhimitër Berati në funksionin e presidentit të Komisionit, i cili ka nënshkruar dhe ftesën drejtuar Godinit, një letër nga përfaqësuesi diplomatik i asaj kohe në Tiranë fon Panvici (von Pannwitz), që gjithashtu përmendet në kronikën e Godinit, madje dhe llogari e dëshmi bankare që kanë pasur të bëjnë pikërisht me këtë udhëtim.

Ftesa zyrtare dërguar Godinit

 

Dy ftesat e ballove

Kujtimet e Godinit për kremtimet e 25-vjetorit[27]

Pas largimit të saj, unë mora ftesën shtetërore nga Shqipëria. Isha ftuar si mysafire shtetërore për të marrë pjesë në festimet e 25-vjetorit të ditës së pavarësisë, më 21 nëntor në Tiranë. Në fillim mendova me keqardhje të madhe, se më duhej të refuzoja për arsye financiare. Por, në mes të nëntorit, mora lajm nga zoti Grozel (Grosel), konsulli shqiptar në Frankfurt dhe kryetari i Shoqatës Gjermano-Shqiptare, se prania ime ishte shumë e dëshiruar dhe shoqata do t’i merrte përsipër shpenzimet. Unë vendosa shumë shpejt, qepa me nxitim disa rroba të përshtatshme për kremtime solemne dhe u nisa për rrugë më 17 nëntor të vitit 1937, duke i rënë nga Italia. Vërtet që nuk u pendova për këtë udhëtim, sepse ai më solli nderimet më prekëse dhe shumë nga mbresat më të thella dhe të paharruara të jetës sime, megjithëse stina e shtyrë gati në dimër e rëndoi shumë udhëtimin e mrekullueshëm nga Rimini në Bari. Kur në mëngjes herët anija mbërriti në Durrës, unë u prita me muzikë ushtarake nën tingujt e himnit gjerman. Proshi (Prosch) dhe djali i kryetarit të parlamentit Pandeli Evangjelit më pritën zyrtarisht me makinë për të më dërguar në Tiranë. Unë dhe afërsisht 35 mysafirët e tjerë shtetërorë banonim në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ishte kthyer në një hotel shumë të rehatshëm në Tiranën e zbukuruar në mënyrë tërheqëse me flamurë dhe kurora, nën qiellin e thellë blu të së cilës ngrihej Dajti mbuluar me dëborën që vezullonte si argjend. Takova e lumturuar kaq shumë miq të vjetër, që i njihja nga koha kur punoja për Shqipërinë: Kralin, Joklin, baronin Berger. Nga Gjermania ishim vetëm dy mysafirë, unë dhe një profesor gjeografie, i cili para 40 vjetësh kishte bërë i pari një hartë të masivit malor verior. Së shpejti erdhi dhe Medihaja ime e dashur. Në drekë ishte shtruar zyrtarisht për ne një tavolinë në Hotel Internacional. Atje takova Eqremin tim dhe qysh nga ai moment ndenja shumë me të. Ai më vizitoi shpesh dhe ne kuvenduam me orë të tëra në mënyrën tonë të vjetër. Për ne çdo herë është sikur të mos jemi ndarë kurrë. Unë i solla romanin tim Fermeri (Bauernwirt), i cili aso kohe sapo ishte botuar, dhe ai ra në mendime të thella për veprën dhe dedikimin që i kisha kushtuar, duke e quajtur mik për gjithë jetën. Pas drekës në Internacional unë shkova me Eqremin tek motrat e tij, të dashurat e mia Bebe dhe Lelet, dhe takova atje edhe burrat e tyre, miqtë e mi të vjetër, Ajet dhe Eqrem Bej Libohovën.

Çdo herë që vij në Shqipëri është për mua si një kthim në atdhe. Për më tepër këtë herë, kur ne “albanologët” u nderuam me kaq shumë mirënjohje. Po atë ditë unë shkova me Eqremin tek Abdi beu. Atje takova djemtë e tij, Xhahitin dhe Ihsanin, ky i dyti për fat të keq ishte ndarë nga Medihaja. Para se të binte mbrëmja, shkova të takoj edhe mamanë e Avniut. Ritakimi me Miden, veçanërisht me të moshuarën Meleq hanëmin ishte shumë prekës. Meleq hanëmi është një personalitet mbresëlënës me moshën, dinjitetin dhe mendjen që ka. Gjatë dy javëve të qëndrimit tim unë shkova shpesh tek familja Delvina, duke kujtuar kohën e rinisë, qëndrimin në çifligun e tyre të bukur në Delvinë gjatë kohës kur jetonte akoma Mehmet Ali pasha. Nuk mund ta paramendoja atëherë, se e shihja për herë të fundit Avniun, Nga miqësia me të zuri fill dashuria ime për Shqipërinë, atëherë në vitin 1906, kur bashkë me Rajnhardin (Reinhard)[28] udhëtuam me anijen e vjetër austriake Llojd për në Kostandinopojë, dhe ai i ri dhe romantik hipi në bordin e anijes në Sarandë për t’u kthyer pas syrgjynosjes. Avniu vdiq në pranverën e vitit 1938 në Bolonjë, ku kishte shkuar për të gjetur shpëtim nga dhimbjet e papritura, të shkaktuara nga një tumor në mëlçi. Kunati i tij Xhemili, bashkëshorti i ndarë i Zejnepit të pafat, kishte vdekur po ashtu nga një tumor gjashtë muaj përpara se unë të shkoja për festimet e pavarësisë në Tiranë.

Xhemil beu kishte vdekur me mendje të kthjellët, duke i duruar të gjitha mundimet pa nxjerrë zë dhe ishte përpjekur të bënte paqe me të gjithë, por me një qortim në buzë për Meleq hanëmin, e cila me ashpërsinë e saj e kishte ndaluar Zejnepin[29] ta vizitonte për herë të fundit atë, të cilin ajo e quante shkatërruesin e vajzës së saj të adhuruar, megjithëse ai ishte lutur dy herë përmes Feziletit për këtë vizitë. Aso kohe Avniu m’u duk i ndryshuar, i zbehtë, i ngurtësuar dhe shumë i vrazhdë, por unë nuk e paramendoja fundin e tij të afërm. Ditën e parë që mbërrita në Tiranë shkova edhe tek prindërit e Medihasë.

Qyteti ofronte një pamje të paharrueshme. Fshatarë nga të gjitha krahinat, së bashku me gratë e tyre, kishin vërshuar në qytet të veshur me kostumet e tyre popullore të mrekullueshme. Çdo shtëpi po thyhej gati nga mysafirët. Të pranishëm ishin edhe patër
Gjergji, patër Antoni dhe patër Vinçenci. Në çdo qoshe rruge unë ngazëllehesha nga ritakime me njerëz të ndryshëm.

Duke nisur prej 21 nëntorit, për tri ditë me radhë pati një program zyrtar, në të cilin unë qeshë e pranishme vetëm pjesërisht, që të mos vdisja fare nga lodhja. Në datat 21 dhe 23 u dha ballo tek mbreti, më 22 në bashki. Unë mora pjesë në të tria ballot. Ishin ballo të paharrueshme. Ahmed Zogu i pashëm më shprehu plot hir mirënjohjen e tij të thellë. E pabesueshme ishte pamja e malësorëve, të cilët ishin të ftuar bashkë me gratë e tyre. Ata silleshin kaq shpenguar në tryezën në formë patkoi të shtruar me takëme të florinjta, a thua se kishin jetuar qysh në vogëli vetëm nëpër pallate. Mrekullisht krenarë, të lirë e të shpenguar. Përfaqësuesi diplomatik i Gjermanisë, zoti fon Panvic,[30] tek i cili unë kisha qenë e ftuar dy herë për drekë në një atmosferë tejet interesante bashkë me Hedijen, Eqremin dhe patër Gjergjin, tha se kjo pamje ishte gjëja më mbresëlënëse e gjithë festës. Malësorët edhe kërcyen e kënduan. Në vallet e këngët e tyre mori pjesë edhe nëna aq atdhetare e Medihasë (ajo ishte motra e Dervish bej Elbasanit, pra një Biçakçije, kushërirë e mbretit), e cila ishte akoma një grua shumë e bukur dhe plot madhështi. Zef Serreqi, adjutanti i parë dhe marshalli i oborrit më kushtonte gjithmonë shumë vëmendje. Bufeja ishte përrallore. Shampanja rridhte lumë dhe mbi tryezë ishin gatimet më të mira që ofronte kuzhina shqiptare dhe ajo perëndimore: mëlçi pate dhe havjar, gjel me tartuf, kajmak i mrekullueshëm malësie. Festën në bashki e kalova duke ndenjur fare pranë Eqremit tim, i cili nuk më ndahej sa herë që e kishte të mundur këtë gjë. Shqiptarët muhamedanë të Jugut e mbajtën mbi supe patër Gjergjin dhe ai u nderua si krenaria e atdheut dhe poet i pavdekshëm. Ai u prek shumë dhe i shkëlqenin sytë nga lotët. Edhe ditët e tjera pati shumë gjallëri e lëvizje, megjithëse, për shkak të stuhive, disa anije nuk kishin mundur të mbërrinin dhe disa të ftuar kishin mbetur në Bari, pa arritur të vinin në Shqipëri. Mund të bliheshin edhe pulla, që kishin dalë enkas për festën (për fat të keq unë bleva shumë pak, sepse vlera e tyre u rrit jashtëzakonisht shumë). Unë bëra vizita dhe më pritën për vizitë. Më vizituan Nexhmedini, vëllai i Hedijes, dhe profesor Paluca (i cili pak pas festimeve erdhi për të ndenjur dy vjet në Mynih), babai i kanakarit tim Lekës, që ishte në Mynih, si dhe të parët e fiseve. Me Eqremin unë shkova dhe në ekspozitën historike, të cilën ai e kishte ngritur vetë, pika kulminante e së cilës ishte një letër që unë i kisha dërguar atij në Llogara, më 21 nëntor 1912. Ai udhëhiqte atje luftën kundër grekëve, të cilët kishin zbarkuar në bregdet. Shumë e lumtur, unë i bëja me dije në atë letër, se në Vlorë ishte shpallur pavarësia dhe ishte ngritur flamuri i Skënderbeut. Me sa shumë entuziazëm rinie kishim punuar për këtë qëllim, sa e lumtur kisha qenë ato ditë! Në ekspozitë ishin vendosur fotografi të të gjithë miqve të vjetër nga koha e luftës. U preka shumë, kur pashë xhamadanin e Isa Boletinit, të shpuar nga plumbi që i kishte shkaktuar vdekjen! Ishin ekspozuar edhe modelet për përmendoren e Skënderbeut, për të cilën mbreti vuri gurin e themelit më 22 nëntor. Për fat të keq përmendorja nuk u realizua kurrë, sepse çmimin e parë e fitoi vepra e mrekullueshme e një jugosllavi, kundër realizimit të së cilës italianët luftuan me thonj e me dhëmbë, sepse, me gjithë pjesëmarrjen e madhe, ata nuk kishin fituar asnjërin prej tre çmimeve.

Më 23 nëntor të vitit 1937 në mëngjes, delegacionet vizituan mauzoleun e përfunduar të nënës mbretëreshë. Për shkak të stuhive (në Shqipëri kishte pasur vazhdimisht atë periudhë rrebeshe të rrëmbyera si rrallëherë dhe lajmi për to ma drithëroi zemrën si një ogur ndjellakeqës) nuk kishte qenë e mundur të zbarkonte asnjë anije, pra nuk kishte lule, kështu që ne vendosëm kurora të llahtarshme me lule prej letre mbi varr.

Në orën 11.00 mbreti priti gjermanët dhe austriakët dhe unë iu bashkova grupit të tyre vetëm, sepse profesori im gjerman i gjeografisë nuk kishte marrë me vete një kostum të përshtatshëm për këtë rast, kështu që hoqi dorë nga kjo pritje. Unë shkova me Kralin, baronin Berger dhe Leo Frojndlihun. Krali filloi të fliste frëngjisht, mbreti ju përgjigj plot hir në shqip, ndërkohë që Eqrem Libohova i përktheu fjalët e mbretit në një frëngjishte të rrjedhshme. Unë mezi e mbajta të qeshurën nga kjo procedurë në thelb qesharake, sepse ne të katër flisnim shkëlqyeshëm shqip dhe mbreti një gjermanishte brilante. Më 24 dhe 25 nëntor të vitit 1937 shumica e mysafirëve shtetërorë u larguan. Unë shkova tek Mehdi beu, babai i Medihasë, i cili jetonte me familjen e tij në rrugën e Dibrës, dhe qëndrova akoma edhe 10 ditë.

Këtu mbyllen kujtimet e Godinit lidhur me kremtimet e 25-vjetorit. Fjalimi i saj, mbajtur ndoshta në një nga pritjet zyrtare, dhe disa mendime rreth tij do të vijojnë në pjesën e dytë të këtij punimi.

(vijon)

(c) 2024 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.


 

[1] Për më shumë informacione rreth Godinit shih: https://peizazhe.com/2023/12/21/mozaik-epistolar-rreth-fjalorit-te-godin-it/

[2] https://www.youtube.com/watch?v=NMzc_dI9LD4 (18.05.2012)

[3] Malltezi, Luan (2013) 25 vjetori i shpalljes së pavarësisë. Në: Nacional, nr. 203, 16-23 qershor 2013, f. 15. Falënderojmë me këtë rast përkthyesen dhe studiuesen Elda Gjana Boriçi, e cila na mundësoi me shumë dashamirësi një kopje të këtij artikulli.

[4] Billson, Marcus (2016) Memoiren: Perspektiven auf ein vergessenes Genre. Në: Tippner, Anja; Laferl F. Christopher (botues) Texte zur Theorie der Biographie und Autobiographie. Stuttgart, f. 155v.

[5] Po aty, f. 145.

[6] Lejeunne, Philippe (1994) Der autobiographische Pakt. Aus dem Französischen von Wolfram Bayer und Dieter Hornig. Berlin, f. 27v.

[7]https://sot.com.al/lifestyle/ja-si-u-festua-25-vjetori-i-pavar%C3%ABsis%C3%AB-s%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB (21.06.2014)

[8] Godin von, Marie Amelie (2007, botimi i parë 1913) Në Delvinë dhe Vlorë. Në: Nga Shqipëria e re: skica politike dhe kulturore-historike; novela. Përkthyer në shqip nga Elda Boriçi Gjana dhe Afrim Koçi. Tiranë, f.  153-191.

[9] Godin von, Marie Amelie (1963) Vergessen …? Roman aus der jüngsten Geschichte Albaniens. St. Augustin über Siegburg.

[10] Freundlich, Leo (1913) Albaniens Golgatha: Anklageakten gegen die Vernichter des Albanervolkes. Wien.

http://www.albanianhistory.net/1913_Freundlich_Golgotha/de/index.html

[11] Po aty, f. 6: “im Namen der Menschlichkeit, im Namen der Zivilisation, im

Namen des unglücklichen albanischen Volkes.”

[12] Freundlich, Leo (2012) Die Albanische Korrespondenz: Agenturmeldungen aus Krisenzeiten (Juni 1913 bis August 1914). Südosteuropäische Arbeiten, 144. Herausgegeben von Robert Elsie, München.

[13] Elsie Robert (2014) Leo Freundlich dhe korrespondenca shqiptare. Në: Meta, Beqir (botues) 100 vjet pavarësi. Vëllimi 2. Tiranë, f. 501.

[14] Të dhënat janë marrë nga Gostentschnigg, Kurt (2016) August Ritter von Kral. Aktori kryesor i Austro-Hungarisë në trojet shqiptare. Në: Studime historike, 2016 (3-04), Tiranë, f. 49-71.

[15] Lloshi, Xhevat (2022) Komisia Letrare e Shkodrës dhe shqipja standarde. Në: Gjurmime albanologjike 2022/52, Prishtinë, f. 18. Po e citojmë konkretisht mendimin e studiuesit Xhevat Lloshi lidhur me ndihmesën në fjalë: “E  kam  dokumentuar  hollësisht  veprimtarinë  e  tij (Kralit, shënimi nga J. Xhyra-Entorf) për Kongresin e Manastirit në librin për Gjergj Qiriazin, por më lejoni të përsëris, se ai pagoi udhëtimin e grupit nga Shkodra në Manastir dhe pa këtë mbështetje ata nuk do të shkonin, domethënë edhe Kongresi mund të mos ishte bërë. Ai ka bërë diçka tjetër, që nuk mund të mos e përsëris: ai jo vetëm më 1901 kishte shkruar, se brezi i ri i shqiptarëve do të mund të pranonte ndryshime të alfabetit vetëm nëse alfabeti i përbashkët do të vendosej në një kuvend atdhetarësh të shquar, me delegatë të dërguar prej tyre vetë, jo vetëm ishte interesuar për botimin e trashëgimisë së K. Kristoforidhit, por edhe që më 1906 kishte blerë kopje të librave toskërisht që të  hynin  mes  gegëve,  për  t’ua  dhënë shkollave dhe letrarëve në Shkodër me  qëllimin  që  të  nxitej  të  kuptuarit  nga  të  dyja  anët  dhe  të  arrihej  një  afrim ose të ngjallej interesimi i njërës anë për tjetrën. Me këto qëndrime të qarta ishte A. Krali edhe kur erdhi në Shkodër, në prill 1916, si komisar  civil  pranë  komandës  austriake. Ai  ishte  nismëtari  për  Komisinë  Letrare dhe në personin e tij ishte vazhdimësia e drejtpërdrejtë nga Kongresi i Manastirit.”

[16] Freundlich, Leo (2012), f. 454.

[17] Berger Waldenegg, Egon und Heinrich (1998) Biographie im Spiegel. Die Memoiren zweier Generationen. Böhlau, Wien, f. 405.

[18] Po aty, f. 483: ”die stille Poesie des Orients”.

[19] Po aty, f. 483: ”dem stillen Dorf rings um die große Moschee, war eine Stadt geworden. ”

[20] Në studimin e saj ”Shpikja e Ballkanit“ studjuesja bullgare Todorova analizon historikun e shndërrimit të termit gjeografik neutral Ballkan në një steriotipi negative. Shih më gjerë: Todorova, Marija Nikolaeva (1999) Die Erfindung des Balkans: Europas bequemes Vorurteil. Darmstadt.

[21] Berger Waldenegg, Egon und Heinrich (1998), f. 485: ”mit welch natürlichem Anstand und mit welch vornehmer Würde sich die sogenannten ‘Wilden’ in dem ihnen immerhin ungewohnten Milieu bewegten.”

[22] Botuar së pari në gazetën Mësuesi, 25 tetor 1972.

[23] Jokl, Norbert (2017, botimi i parë 1923) Studime historiko-krahasuese për gjuhën shqipe. Historisch-vergleichende Untersuchungen über das Albanische. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë.

[24] Hassert ka shkruar për Ballkanin dhe konkretisht edhe për Shqipërinë, p.sh.: Das neue Albanien. Në: XX. Bericht (August 1943 bis Mai 1944) der Freiberger Geologischen Gesellschaft. Freiberg in Sachsen 1944; Reise durch Montenegro nebst Bemerkungen über Land und Leute. Wien, Pest, Leipzig 1893; Wanderungen in Nord-Albanien. Në: Mittheilungen der k.k. Geographischen Gesellschaft in Wien. XLI (1898) Nr. 5 und 6, f. 351-379.

[25] Elsie, Robert: Texte und Dokumente der albanischen Geschichte. http://www.albanianhistory.net/1897_Hassert/index.html

[26] https://leibniz-ifl.de/fileadmin/Redaktion/Bibliothek_Archiv/Archiv_Findb%C3%BCcher_PDF/Hassert.pdf

[27] Kujtimet janë shkëputur nga “Kronika” e baroneshës, pronë e arkivit familjar të saj, përkthyer nga J. Xhyra-Entorf.

[28] Vëllai i baroneshës.

[29] Zejnep Vlora është motra e Avni bej Delvinës dhe gruaja e Xhemil bej Vlorës. Zejnep Vlorës Godini i dedikon librin e saj Aus dem neuen Albanien (Nga Shqipëria e re) botuar në vitin 1914.

[30] Eberhard Wilhelm Eilhard von Pannwitz (1887-1945), diplomat gjerman.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin