Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

PENDIM

Kur ishim tani së fundi në Spanjë, u habitëm kur pamë, në oborrin te hyrja e Rektoratit të Universitetit të Seviljes, një poster të madh kushtuar Ditës botërore pa duhan (Día mundial sin tabaco/World No Tobacco Day 2024).

Dhe u habitëm, sepse pak më parë, duke u informuar për zonën, kishim lexuar që kjo godinë, e shekullit XVIII, kish qenë për shumë kohë, deri në vitet 1950, seli e një fabrike të madhe duhani (Real Fábrica de Tabacos de Sevilla), ku përpunohej – të paktën për një fare kohe – krejt prodhimi në gjethe duhani i kontinentit amerikan, për t’u shndërruar në burrnot (snuff, spanjisht rapé) dhe pastaj në puro.

Në fakt, që prej shekullit XVII, qyteti i Seviljes gëzonte monopolin fiskal ndaj tregtisë me kontinentin amerikan; anijet me produkte nga ai kontinent, përfshi edhe duhanin zakonisht nga Kuba, por edhe nga Virgjinia dhe Brazili, shkarkoheshin – me detyrim – në portin e atij qyteti.

Ashtu edhe u ngrit kjo fabrikë e madhe, nën drejtimin e inxhinierëve ushtarakë nga Spanja dhe Vendet e Ulëta, një vend jashtë mureve të qytetit, të njohur si Las Calaveras (“kafkat”)[1]: dikur ish përdorur si varrezë romake.


Nuk di nëse duhet parë si manifestim i së drejtës hyjnore, kjo që Universiteti i Seviljes – që është strehuar në zhguallin e një fabrike gjigande duhani, së parës në Europë – të angazhohet tani në fushatën botërore kundër përdorimit të duhanit.

Sikurse nuk di nëse ka ndonjë kuptim të mendosh se disa vendeve u mbijeton destinacioni, edhe mbasi ripërdoren; dhe një fabrikë e dikurshme duhani, e lavdishme në rolin e vet përçues të kësaj bime, droge dhe vesi në Botën e vjetër, tani të ndihet njëfarësoj e detyruar që ta shlyejë fajin e vet, duke u mobilizuar për kufizimin e dëmeve që, ajo vetë – metaforikisht – ndihmoi për të shkaktuar.

Andaluzia është një tokë që e ka normalizuar ripërshtatjen – mbi kishat visigote janë ngritur xhami madhështore, dhe këto të fundit janë kthyer pastaj në katedrale; me minaretë të kooptuara si kambanare. Realitete dje të ashpra sot admirohen për vetitë e tyre estetike dhe aftësitë evokuese epokash ndonjëherë të rrethuara me nostalgji kitsch.

Një fabrikë duhani madhështore, me arkitekturë rilindëse dhe gotike të spikatur dhe me një shtrirje aq mbresëlënëse, e plotëson njëfarësoj mesazhin arkitektonik dhe urban të Seviljes, si portë të Spanjës – mesjetare dhe të mëvonshme – ndaj botës. Pasuritë marramendëse të Amerikës, qendrore dhe të Jugut, i gjen sot të derdhura në pallatet, kopshtet dhe parqet e qytetit; floriri i djeshëm është shndërruar në shije, stil dhe atmosferë të rafinuar.

Për vizitorin, një fabrikë duhani nuk është dhe aq tërheqëse; madje edhe kur është adoptuar si rektorat i një universiteti. Godina aq e madhe gjithnjë rrezikon të përjetohet si një pengesë hapësinore, si një digë e praruar, që ndan hapësirat e qytetit. Aq më tepër që në Sevilje, si gjetiu në Spanjë, sot njerëzit nuk pinë shumë duhan.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Në folklorin meksikan, calavera është imazhi i kafkës a i skeletit të njeriut, që përdoret gjatë kremtimit të Ditës së të Vdekurve. Ka edhe një markë purosh, Las Calaveras, që është quajtur kështu për nder të Día de los Muertos; pa lidhje me emrin e vendit ku ngrihej dikur fabrika e duhanit në Seville.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin