Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

ARVANITËT NË HISTORINË E GREQISË

(Ky tekst u botua dje si status në Facebook dhe u shoqërua me polemika)

Një debat është kthyer, lidhur me atë nëse Bubulina – heroina e Revolucionit grek – ka qenë apo jo “shqiptare”.

Debati vjen jo vetëm i politizuar, por edhe i barsur me keqkuptime historike dhe gjuhësore.

Duke filluar që nga kuptimi i fjalës “shqiptar”, referuar një identiteti etnik/kombëtar.

Nga kjo pikëpamje, arvanitët nuk mund të jenë shqiptarë (siç jemi shqiptarë ne), sepse u ndanë nga trungu etnik para se arbërit të ishin shndërruar në shqiptarë dhe pastaj nuk komunikuan më me atë trung. Ndërkohë, arbërit e Mesjetës së vonë filluan ta quajnë veten shqiptarë si pasojë e disa proceseve historike gjithëpërfshirëse, në të cilat arvanitët nuk morën pjesë – jo sepse nuk deshën, por sepse jetonin tashmë gjetiu. Ata që i barazojnë arvanitët me shqiptarët, zgjedhin të injorojnë historinë, edhe pse duket sikur mbështeten në të dhëna historike.

Me arvanitët kemi të përbashkët mbase një pjesë të madhe të historisë së hershme, para zbritjes së arbërve në Greqi; por këtë pjesë kultura jonë nuk e mban mend, dhe as e tyrja.

Bubulina ishte arvanite – i përkiste komunitetit të arbërorëve, që ishin zhvendosur në trojet “greke” që herët në Mesjetë.

Për grekët e sotëm, arvanitët dhe shqiptarët janë identitete të ndryshme. Asnjë grek nuk do të përdorte fjalën Αλβανός, për arvanitëve; dhe as do ta quante gjuhën e tyre αλβανικά.

Këto dy fjalë i referohen – në greqishte – shqipes që flitet sot në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu në Ballkan; dhe komuniteteve që e flasin.

Arvanitët e djeshëm dhe shqiptarët e sotëm i ndan jo vetëm koha, por edhe tipare të tjera të identitetit kolektiv, si feja.

Tek e fundit, revolucioni grek vërtet nisi si përpjekje e armatosur kundër sundimit osman, por në realitet u shpreh edhe si revoltë anti-myslimane.

Shumë shqiptarë myslimanë (por edhe katolikë) u dërguan nga Perandoria Osmane të luftojnë – edhe si mercenarë – kundër kryengritësve grekë (dhe arvanitë).

Edhe pse gjen tek-tuk prova të një dhemshurie etnike ekstra-fetare mes arvanitëve që luftonin kundër shqiptarëve myslimanë (p.sh. në kujtimet e Kollokotronit), sërish te shqiptari mysliman arvanitët kryengritës shihnin përgjithësisht armikun mysliman, jo vëllain e gjuhës dhe të gjakut.

Përkundrazi, zgjimi kombëtar i shqiptarëve, gjatë shekullit XIX, ishte haptazi anti-osman, por nuk ishte – dhe nuk mund të ishte – antimysliman, sa kohë që shumica e shqiptarëve ishin të besimit islam.

Si luftëtare dhe heroinë e revolucionit grek, Bubulina do të identifikohet më shumë me idealet e revolucionit grek, se me trashëgiminë e saj arbërore-arvanitase.

Ata nga ne, që i quajnë “shqiptarë” heronjtë arvanitë të revolucionit grek dhe u thonë grekëve se “ua dhamë ne”, bëjnë një gabim historik elementar; madje më shumë se një.

Eliminojnë nga ekuacioni faktorin fetar në identitetin etnik të fillimshekullit XIX, kryesisht ngaqë për ne shqiptarët e sotëm – që u përkasim tre feve të ndryshme plus masa jo e vogël e atyre që nuk besojnë – faktori fetar nuk ngre peshë në identitetin kombëtar.

Përkundrazi, grekët e sotëm e kanë trashëguar mirë mendësinë identitare të kohës së revolucionit të tyre; kur nuk u shkonte mendja t’i quanin “grekë” myslimanët në trojet e tyre – të cilët shpesh i masakruan, i dëbuan ose i keqtrajtuan.

Ne nuk mund t’u mësojmë grekëve si t’i shohin heronjtë arvanitë të revolucionit të tyre këtu e dyqind vjet më parë – për ta, këta heronj janë njëherazi grekë, arvanitë dhe, sidomos, të krishterë ortodoksë.

Përkundrazi, bëjmë mirë ta mbajmë këtë parasysh, kur flasim për memorien e revolucionit grek, mes grekëve të sotëm, përfshi edhe kulturën zyrtare.

Dallimi identitar mes arvanitëve dhe shqiptarëve nuk është dallim që u vlen vetëm grekëve nacionalistë; është dallim historik, që bëhet gjithnjë e më real, me kalimin e kohës.

Përpjekjet për t’i bërë arvanitët “shqiptarë” janë esencialiste, instrumentale dhe pa baza historike. Shërbejnë për të krijuar një iluzion historik, duke e trajtuar imagjinaren si reale.

Duke i parë si aspekte të ndryshme të identitetit historik të arbërve në Ballkan, në rrjedhë të shekujve, do t’i kuptojmë më mirë edhe të parët edhe të dytët, sa kohë që do ta pranojmë se bëhet fjalë për produkte procesesh historike, jo mishërime esencash metafizike.

Përndryshe, fare mirë mund t’i admirojmë heronjtë e revolucionit grek, përfshi edhe arvanitët, pa këmbëngulur në “shqiptarinë” e tyre.

(deri këtu, statusi i djeshëm; më poshtë një status që e gjykova ta shtoj sot)

Ka të paktën dy kuptime kryesore, fjala SHQIPTAR, si etiketë identiteti etnik (etnonim). Kuptimi i parë është përfshirës, i dyti përzgjedhës. Përdorim kuptimin e parë, kur flasim për “shqiptarët e Italisë”, ose kur flasim për rolin e shqiptarëve në revolucionin grek, duke pasur parasysh arvanitët. Përdorim kuptimin e dytë kur themi se “arbrit e djeshëm e ndërruan emrin etnik në shqiptar, dikur në shekullin XVIII.”

Të huajt, përkundrazi, nuk e kanë këtë luhatje: për italianët jemi ALBANESI edhe kur është fjala për banorët e Tiranës, edhe kur është fjala për banorët e Horës së Arbëreshëve. E shumta, i shtojnë një ITALO-ALBANESI, për ta bërë dallimin.

Në përkthimet, këtë ALBANESE mund ta sjellim, sipas rastit, si “shqiptar”, “arbër”, “arbëresh”, e kështu me radhë. Shpesh përdorimi përzgjedhës (selektiv) ËSHTË MË I SAKTË, sepse lejon që të merren parasysh ndryshimet e identitetit në kohë.

Debati që ndoqi statusin tim të ndjeshëm i detyrohet, pjesërisht, edhe këtij keqkuptimi; ose faktit që të gjithë këta, shqiptarë, arbëreshë e arvanitë flasin “shqip”. Por emri SHQIPTAR, si emër etnik, filloi të përdorej pasi këta u larguan nga trungu etnik i Arbrit; dhe as arbëreshët, as arvanitët nuk e kanë njohur. Ata e quajnë veten “arbëreshë”, ose “arvanitas” – por jo shqiptarë. Për ta “shqiptarët” – nëse e kanë mësuar këtë fjalë – janë zakonisht vëllezërit e tyre të gjakut në Shqipëri. Pa folur pastaj për shumë arvanitë, të cilët – për arsye të ndryshme – ngulin këmbë për t’u paraqitur si të ndryshëm nga shqiptarët.

Ka një arsye për këtë, që ka të bëjë me formimin historik të identitetit. Pas shekujve XIV-XV, historia e arbëreshëve dhe e arvanitëve nuk ka ndjekur trajektoren e historisë së shqiptarëve (të Ballkanit); me dallimin e madh që këta të fundit përfunduan nën sundimin osman dhe, dalë nga dalë, u islamizuan në masë; por jo vetëm – morën pjesë në jetën politike dhe sociale dhe ekonomike të Perandorisë (kjo e kaluar disashekullore ka lënë gjurmë të mëdha, të mirëdukshme edhe sot).

Për shumë arbëreshë dhe arvanitë, të mësuar me identitetin e tyre të kombinuar etnik-fetar ortodoks, fakti që një pjesë e madhe e shqiptarëve i përkasin, qoftë edhe nominalisht, fesë Islame, është arsyeja themelore për jetërsimin. Edhe pse, nuk ka nevojë ta them, që të gjithë shqiptarët e Ballkanit ndanë mes tyre privilegjin a barrën që të ishin nënshtetas të Sulltanit, përfshi këtu edhe katolikët e ortodoksët; por e ndanë në mënyra të ndryshme.

A janë “shqiptarë” arbëreshët dhe arvanitët? Janë, në kuptimin e gjerë të fjalës, dhe nga pikëpamja jonë, e shqiptarëve të Ballkanit, që identifikojmë si shqiptarë të gjithë ata që flasin shqip dhe që, pas Rilindjes, e kemi shtrirë emërtimin “shqiptar” edhe në në kohë, për ta mbjellë në shekujt kur ky emërtim nuk ekzistonte (si p.sh. në kohën e Skënderbeut).

Edhe këtu, na ka ndihmuar fakti që gjuhë të tjera të Europës i quajnë edhe arbrit e Mesjetës “albanesi”, “Albanians”, e kështu me radhë, fjalë të cilën ne e përkthejmë automatikisht si “shqiptar” – gjë që nuk është plotësisht e saktë. Skënderbeu nuk e quante veten “shqiptar”, sepse kjo fjalë në kohën e tij nuk ekzistonte. E quante “epirot”, “maqedonas”, ndoshta “arbër”; por “shqiptar” jo. Për ne, si subjekte të historisë së “Albanians”, emri SHQIPTAR duhet t’i bëjë llogaritë me emrin ARBËR, dhe me emrat e tjerë për banorët e ngulimeve: ARVANIT, ARBËRESH.

Natyrisht, të diskutosh nëse Bubulina dhe heronj të tjerë të revolucionit grek kanë qenë apo jo shqiptarë, kjo nuk do të thotë që t’i bësh “grekë”. Aq më tepër që në kohën e luftës greke për Pavarësi, edhe identiteti etnik “grek” nuk ishte ai i sotmi. Vetë ajo luftë, a revolucion, thuhet se nisi jo për të krijuar një shtet grek të pavarur, por për të çliruar Rumelinë nga Osmanët dhe për ta kthyer Konstandinopojën në duar të krishtera. Ishte periudha kur identitetet etnike ende nuk ishin kristalizuar mirë; por ngjarjet historike rodhën në mënyrë të tillë, që pastaj i ndihmuan të kristalizohen; duke u diferencuar edhe nga identitetet fetare. Në Shqipërinë e shekullit të XVIII shqiptarët ende identifikoheshin si TURQ, por kjo “turk” nuk i referohej etnisë turke, por besimit Islam. Ndjenja e përbashkësisë etnike u konsolidua mes shqiptarëve të shekullit XIX edhe si pasojë e përmbysjeve që ndodhën me fqinjët në jug – teksa u kuptua se shqiptarët do të bashkoheshin në kombin e tyre NDRYSHE nga si u bashkuan grekët; sepse FEJA, tek ne, nuk do të shërbente si faktor identiteti.

Kam bërë një skicë – të shpejtë – për dy kuptimet e fjalës SHQIPTAR si emër a etiketë identiteti në SHQIPE (klikoni për ta parë të madhe). Kuadrati i kuq tregon kuptimin përzgjedhës, i gjelbri kuptimin përfshirës. Çamët, përfshi edhe çamët ortodoksë dhe suliotët, përfshihen te kuadrati i kuq, sepse janë pjesë e vijueshmërisë etnike nga Veriu në Jug; prandaj nuk i kam dalluar.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading