Për të parë nga afër si procedojnë turbologët në shtjellimet e tyre “etimologjike”, po ndalem disi më gjatë në një etimologji të Agron Dalipajt, për fjalën LAGUNË.
Këtë LAGUNË të shqipes e kanë nxjerrë nga italishtja laguna, me kuptimin “sipërfaqe uji anës bregut të detit, e ndarë prej tij nga një rrip toke”; është term i gjeografisë fizike dhe i hidrologjisë, huazim relativisht i vonë; Fjalori i 1980-ës nuk e ka përfshirë në fjalës. Në italishte, ku thuhet se është shfaqur më herët në venecianishte dhe i referohet morfologjisë bregdetare të Venezia-s, fjala është vazhdim i latinishtes lacūna[1], dhe kjo vetë është formuar nga lacus “liqen” (që jeton sot në italishten lago). Vetë lacuna në latinishte, si fjalë e prejardhur nga lacus, ka pasur kuptimin “gropë, vrimë, zgavër, pellg”.
Këto të dhëna i nxjerr kushdo nga burimet enciklopedike online; ku gjithashtu mund të shohësh se italishtja (venecianishtja) laguna ka dhënë edhe frëngjishten lagune, holandishten lagune, anglishten lagoon, portugalishten laguna dhe rumanishten lagună; prandaj edhe tani mund të konsiderohet si ndërkombëtarizëm.
Dalipaj mendon ndryshe. Hedh poshtë etimologjinë e fjalës veneciane nga latinishtja lacūna, sepse thotë që “vet fjalën lacuna e pranojnë si me origjinë indoeuropiane prandaj “prakikisht nuk i gjejnë etimologji” (gjë që është haptazi e gabuar dhe të bën të dyshosh për mënyrën si i përdor ky autor burimet – sa kohë që lidhjen e lacūna me lacus nuk e vë kush në dyshim; dhe sidomos ngaqë, edhe sikur lacūna të mos kishte etimologji të sigurt në latinishte, kjo nuk e zhvlerëson tezën se laguna është vazhdim i lacuna); dhe ai vetë, “thjeshtësisht”, e shpjegon fjalën si të prejardhur nga folja shqipe LAG, pra si “një vend i LAG nga UJ.”
Po a mund të japë shqipja LAG, qoftë edhe pjesorja e saj gegnishte LAGUN, një fjalë si LAGUNË? Qoftë edhe vetëm për ta sugjeruar këtë si etimologji të mundshme, do të duheshin gjetur shembuj prejardhjesh të ngjashme; p.sh. vetë Dalipaj përmend “fjalë të tjera që tregojnë gjendje ose mbiemra”, si RRIT(UN), MJEL(UN), VJEL(UN), PJELL(UN) dhe shton se “edhe LAG-UN ka të njëjtën trajtë”; pa çka se shqipes deri më tash i mungojnë fjalë si *RRITÚNË, *MJELÚNË, *VJELÚNË, *PJELLÚNË, të tilla që të konfirmonin ekzistencën e një modeli fjalëformues, i cili të vlente pastaj edhe për LAGÚNË. Për një hipotezë etimologjike që të lidhë bashkë dy fjalë, vetëm ngjashmëria sipërfaqësore në tinguj (fonema) nuk mjafton; duhet edhe që lidhjes t’i nënvendoset një model ose skemë. Për shembull, shqipen PASURI si të formuar nga pjesorja PASUR, me prapashtesën -I, edhe ngaqë krahas saj ka edhe PJEKURI (nga PJEKUR), DASHURI (nga DASHUR), DITURI (nga DITUR) etj. Është ekzistenca e modelit, që e bën të besueshëm shpjegimin fjalëformues (motivues).
Dalipaj pastaj jep edhe një shpjegimin tjetër, duke shkruar:
Mund të llogarisim edhe pozimin me rotacioni(n) j:r:n (si te bij : bir, jep : nep) dhe na jep: LAG UJ = LAG UR = LAG’UN.
Duke lënë mënjanë pseudo-zhargonin “pozimin me rotacionin”, edhe këtu, për ta parë prapashtesën -ÚNË si një formë të fjalës UJË, do të duheshin gjetur modele të fjalëformimit shqip, ku kjo UJË të jetë shndërruar në UR dhe në UN, të cilat nuk ekzistojnë. E kotë të shtoj se ky mekanizëm i “rotacionit j:r:n” për të cilin flet autori nuk njihet nga fonetika historike e shqipes (ndoshta autori e ka fjalën për rotacizmin jo rotacionin, por rotacizmi nuk funksionon kështu dhe nuk po dua të insinuoj që Dalipaj nuk e kupton se çfarë është rotacizmi në fonetikën historike të shqipes dhe në ç’kushte ka vepruar); dhe gjithsesi, po të kish qenë fjala LAGUNË e hershme në shqipe, do të kish dhënë në toskërishten *LAGÚRË, të cilën pastaj Dalipaj mbase do ta shpjegonte si formim prepjesor, nga LAGUR-Ë).
Shpjegimi – nëse mund të quhet kështu – i këtij autori, përveçse nuk qëndron nga ana gjuhësore, është edhe mekanik; nuk merr parasysh rrethanat historike të përdorimit dhe të prejardhjes së fjalës. Edhe sikur të pranojmë, për një çast, që kjo LAGUNË të ishte formim i brendshëm i shqipes, si postverbal i LAG, atëherë do të na duhet të shpjegojmë se si ndodhi, historikisht, që fjala shqipe u përhap pastaj në shumë gjuhë të Europës, nga Rumania në Portugali e në Angli; në një kohë që prejardhjen e saj nga venecianishtja LAGUNA e mbështet edhe historia e ndikimit kulturor venecian në terminologjinë detare të atyre kulturave me të cilat kultura veneciane kishte shkëmbime.
Për t’u shënuar, meqë jemi në temë, se latinishtja lacūna, e cila ka dhënë laguna në venecianishte, është përmendur ndonjëherë edhe si burim për shqipen liqen; edhe pse shumë autorë gjykojnë se kjo e fundit vjen nga greqishtja e herët mesjetare λεκάνη (lekáni) “masë uji”, që do të ketë hyrë në shqipe para se të ndodhnin disa ndryshime fonetike të tilla si palatalizimi k > q, rotacizmi n > r, dhe metafonia a > e. Në greqishtjen e vjetër kjo λεκάνη, λεκάνιον kishte kuptimin “legen”; ndonjë autor si Ölberg-u, mendonte se ndryshimi kuptimor ndodhi brenda shqipes, paralelisht me çfarë ndodhi në greqishten. Në greqishten e vjetër, liqeni quhej λῐ́μνη (límnē), një fjalë në thelb e afërt me liman që e kemi edhe në shqipe (si huazim). Përkundrazi, greqishtja e vjetër λεκάνη (lekánē), me kuptimin “pelvis, enë e madhe, legen”, hyri edhe në persishte; dhe nga kjo gjuhë, shekuj më pas, në osmanishte, nga ku e mori shqipja në trajtën legen; duke qenë një nga ato fjalë që kanë hyrë dy herë në shqipe, në periudha të ndryshme.
Një etimologu amator si Dalipaj këto krahasime të jashtme nuk i interesojnë – meqë ai beson se shqipja “është e vetmja gjuhë e cila është në gjendje t[ë] etimologojë pa iu drejtuar për ndihmë ndonjë gjuhe fantazmë indoeuropiane a dhe ndonjë tjetre.” Dhe kjo sepse “një gjuhë qendre, si shqipja, kurrë nuk mund të ketë nevojë për gjuhët e tjera, për të shpjeguar fjalët e saj.” Por nuk është e qartë se çfarë ka parasysh ky autor me “gjuhë qendre” – në gjuhësinë historike-krahasuese, gjuhët qendrore janë ato që inovojnë më shumë e më shpejt, në krahasim me gjuhët periferike; kjo vlen edhe për dialektet dhe të folmet. Por, duke u nisur nga arsyetimi i këtij autori, gjuhët qendrore “kurrë nuk mund të kenë nevojë për gjuhët e tjera për të shpjeguar fjalët [e tyre]”; prandaj me siguri është fjala për një qasje teorike tjetër; e cila, mes të tjerash, pret prej gjuhëve që “të shpjegojnë fjalët e tyre”. Por e kam vënë tashmë në dukje që, për këtë rrymë të folk-etimologjisë shqipe, dallimi mes motivimit të fjalës dhe etimologjisë së saj nuk ekziston.
Tunduese do të ishte në këtë mes, për ata që gjejnë lidhje sipërfaqësore mes leksikut të dy gjuhëve të ndryshme, edhe marrëdhënia mes shqipes lag dhe italishtes lago; të cilat semantikisht i lidh koncepti i “ujit”. Edhe pse nuk më rezulton që Dalipaj ta ketë bërë këtë lidhje, natyra e saj është e tillë që, herët a vonë, dikush do ta bëjë, në mos e ka bërë tashmë; sepse i përshtatet teknikës folk-etimologjike. Prandaj edhe më duket me vlerë didaktike, që të parashtroj pse ngjashmëri të tilla nuk shpien gjëkundi. Para së gjithash, sepse nuk njihen shembuj të tjerë ku folje njërrokëshe të shqipes, me temë në bashkëtingëllore, të kenë dhënë emra në italishte me “prapashtesën” -o; mungon një rregullsi, një paradigmë, ku të mbështetej hipoteza. Veç kësaj, -g-ja e italishtes lago është rezultat i shndërrimit, nga e pazëshme në e zëshme, të një -k-je (latinishtja lacus, cf. frëngjishtja lac; dhe përtej latinishtes, anglishtja lake, mes shumë të tjerash). Te kjo fjalë g-ja është zhvilluar nga e pazëshmja k. Përkundrazi, në shqipe nuk ka dëshmi, as të drejtpërdrejtë as të tërthortë, se folja lag ka dalë ndonjëherë me -k; dhe etimologët e nxjerrin nga një proto-indoeuropianishte *lowg-, e cila gjithashtu e përmban një -g. Etimologët amatorë dhe folk-etimologët e bëjnë rëndom këtë gabim, kur krahasojnë fjalë gjuhësh të ndryshme mes tyre pa marrë parasysh që këto fjalë janë rezultat zhvillimesh dhe shndërrimesh fonetike, të cilat duheshin identifikuar para krahasimit. Ashtu do të dukej qartë që ngjashmëria mes italishtes lago dhe shqipes lag do të zhdukej sakaq, po të shtyheshim në kohë dhe të krahasonim format më të vjetra *lauga (që është rindërtuar për proto-shqipen) dhe lacus, që është forma më e vjetër e italishtes së sotme lago.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
Shënim 2: Komentet te ky shkrim i kemi lënë të hapura që Agron Dalipaj të mund t’i përgjigjet lirisht kritikës.
[1] Nuk do të ishte e saktë të thuhej që venecianishtja laguna “vjen” nga latinishtja lacūna; sepse mes latinishtes dhe venecianishtes nuk ka pasur ndonjë ndërprerje të vijueshmërisë në rrjedhë të kohës.
Ardian pershendetje. Edhe pse nuk jam gjuhetar, deshiroj te komentoj sa me poshte. Se pari, verej nje kundersulm po aq frontal dhe te ashper sa edhe sulmi i filluar nga ata qe ju i quani turbologe apo etimologe amatore, apo ku di une se cfare tjeter, kunder perfaqesuesve zyrtare te Albanalogjise. Ne nje rast, sulmi juaj me eshte dukur krejt absurd. Nese nuk me tradheton memoria, diku, ne kuader te ketyre kritikave, apo kundersulmeve, jeni shprehur qe, po perfirazoj, edhe sikur etimologjia e nje fjale greke apo e nje gjuhe tjeter, te shpjegohet me Shqipen, kjo i vyn etimologjise se gjuhes Greke dhe jo Shqipes. Uroj ta kem kuptuar mire. Pra, penduli, ne kete rast i etimologjise, shkon nga nje ekstrem i konsideruar si i tille nga turbologet, ku ekstremi jeni ju te paguarit nga interesat anti-shqiptare qe e nxirrni gjuhen Shqipe si 70-80-90% te huazuar, e per pasoje ju duhet te crrenjoseni, ne ekstremin tjeter ku keta tipa quhen turbologe, amatore, sharlatane etj. Pra si te paret por edhe ju, jeni ne duke funksionuar me regjim te plote asgjesimi. Sinqerisht qe shpesh me ngjani sikur te dyja palet paguheni nga interesa anti-shqiptare. Si ata qe e nxjerrin Shqipen tne mase te madhe te huazuar edhe ata qe mes ndonje te vertete etimologjike fusin edhe 10 idiotesira per ta bere studimin qesharak. Kombi Shqiptar sot, ka nevoje te dije se ku qendron ne raport me popullsite e Ballkanit, te cilat per arsye nga me te ndryshmet pretendojne se jemi te ardhur, qe nuk kemi aftesi shtetformuese, qe kemi dale nga pylli, qe kemi mberritur ne keto treva nga kaukazi, qe jemi turko-alvanos, dhe qe interesa te caktuar promovojne ne shtypin lokal dhe ate te huaj vetem figuren e Shqiptarit vrases, mafioz, kriminel etj. Dhe gjithe kjo panorame e shemtuar, ne menyre te ndergjegjshme dhe racionale, apo te pandergjegjshme dhe emocionale, e ben audiencen Evropiane te mendoje se ne nuk meritojme asgje, vecse te trajtohemi si minoritet. E pra nese shkenca zyrtare nuk ben pothuaj asgje qe ta ndryshoje kete, fjala vjen kur Kryeministrja e Serbise Brnabic, hic me larg se 2019 fliste per Shqiptaret si “njerez te dale nga pylli”, dhe asnje akademik, lere me nje deklarate e vete akademise se Shkencave, nuk reagon, atehere pyetja qe shtrohet natyrshem eshte se per cfare i duhen kombit shkencetaret apo qe rrit e formon me aq shume mund? Personalisht mendoj se ne nuk jemi Komb aq i pasur saqe te prodhojme shkencetare vetem per te hir te shkences dhe internacionalizmit. Ne kete kuader, me shume se kundersulm, personalisht pres qe ju te tregoheni mendje hapur dhe te mund te gjeni dicka te sakte te keta njerez si dhe te hulumtoni me shume, pse jo edhe duke sfiduar ata qe deri dje jane konsideruar korifej, por ne cdo rast jo per ti asgjesuar ata, por per te shtuar dicka te mire apo ndrequr ndonje gabim qe mund te jete bere. Kaq sa i perket kesaj perplasje te panevojshme dhe krejt jo-produktive. Ne lidhje me veshtrimet kritike qe kam lexuar prej teje, ti shpesh parashtron kerkesa te provuara historike sesi mund te kete ndodhur dicka. Ne fakt keto prova historike nuk ekzistojne per shume aspekte te tjera dhe dijetaret hamendesojne. Nga ata qe degjojme nga ju studiuesit zyrtare, te jepet ideja sikur ne viset ku jetojne sot Shqiptaret, kane qene banuar nga njerez qe pa u takuar me Perset, Greket e Lashte, Latinet apo me pas me Otomanet, nuk dinin si ti quanin liqenet, shiun, ujin, buken, pjeset e trupit, kafshet e bimet etj etj, me te cilat rrethoheshin dhe paskan pritur vec kontaktin me keta te huajte qe ti emertonin. Personalisht mendoj se historia e njerezve qe kane jetuar ne trevat ku sot jetojne Shqiptaret, as ka filluar me Latinet dhe as nuk perfundoi kur gjuha Latine vdiq. Me aq sa kam kuptuar nga bota ku jetoj, gjuhet e Perandorive me rezultojne ekonomike, eficente, koncize, por aspak origjinale. Ne lidhje me provat, besoj se ne disa raste ato ekzistojne por ne disa te tjera kerkohet edhe pak fantazi. Fjala vjen, studiuesi, edhe pse mund te mos kete prova, mund te hedhe nje hipoteze sesi ka mundesi qe te gjendet njerez ne maj te malit, dmth 700-800-1200 metra mbi nivelin e detit. Thene ndryshe, mos valle popullsia qe jetonte ne fushe ne vitin 2000 para krishtit, te themi ne Athine, shkonte per pushime e turizem me Olimp apo Korab dhe i pelqente aq shume sa vendoste te jetonte atje? Apo mos valle vertete ka ndodhur dikur nje permbytje e madhe dhe ata njerez qe kane mbijetuar ne lartesi, pasi ujrat jane terhequr kane zbritur ne fusha ku sigurisht per kohen kushtet per jetese kane qene optimale. E nese nje studiues beson ne te paren, atehere me shume gjase beson se cdo gje e ka zanafillen nga hebrenjte dhe Jeruzalemi. Keshtu edhe Greket origjinojne prej aty, edhe Shqiptaret dhe gjithe bota. Nese studiuesi beson se ka ndodhur e dyta dhe ben nje perpjekje minimale per te qene koherent, e ka me te lehte ti shpjegoje gjerat duke e gjetur origjinen nga larte poshte. Sigurisht qe ne rastin e dyte, popujt e zbritur ne fushe, nga zgjerimi i sferave te aktivitetit njerezor dhe nderveprimi i tyre, sofistikohen ne cdo drejtim. Ne te ngrene, veshur, ecur etj. Keshtu edhe ne gjuhe. Por padyshim se baza e gjuhes se tyre ngelet ajo e te pareve. Per te mos i lene keto diskutime ne rrafshin spekulativ, studiuesit dhe intelektualet e vertete duhet te tregojne aftesite e tyre largepamese. Psh nese sot flitet vec per 7 studente te gjuhes frenge ne Universitetin e Tiranes dhe nga ana tjeter Prof.Xhufi flet vetem per arkivat e Vatikanit e te Venedikut per qindra mijra fashikuj ku permenden Shqiptaret, imagjino tani per Perandorine Osmane etj, perse nuk vijne Intelektualet Shqiptare me nje propozim qe te shtohen studentet e Latinishtes, Osmanishtes, Persishtes, Greqishtes se Lashte, madje edhe me parakontrata pune ne lemi te ndryshme, perfshi edhe gjuhen, qe keta me pas te japin kontribut konkret per debatet qe kane lindur e per te tjera qe do lindin. Keshtu, ndoshta nuk do kishte nevoje fare te merreshim me Lago, qe per hir te se vertetes, pavaresisht shume absurditeteve qe kam degjuar nga Dalipaj, me ecen qe te kete buruar nga Shqipja, pra nga Lag. Te kuptohemi. Nuk po propozoj ndonje lloj shkence apo brez shkencetaresh qe, ashtu si hebrenjte qe tregojne perralla, ti mbushin mendjen kombit Shqiptar qe jemi te populli i zgjedhur. Perkundrazi. Por edhe te komleksohemi nese vertete kemi kontribuar per njerezimin e te mos i themi, eshte krim. Jo vetem per Kombin. Se pari per vete shkencen. Psh Aristidh Kola shprehet se disa historianeve apo gjuhetareve Greke u duhet te shpikin e te kene nje fantazi te shfrenuar per te treguar prejardhjen e tyre nga Hebrenjte nderkohe qe nuk do lodheshin aspak dhe nuk do te kishin kurrfare nevoje per akrobaci intelektuale nese do njihnin se si Shqiptaret edhe Greket kane te njejten origjine. Dhe nese perpjekjet intelektuale do te beheshin bashke ne kete ide, personalisht besoj se edhe sinergjia qe do te krijohej do ishte vertete mbreselenese dhe me shume gjase do te mund te mberrihej ne zbulime epokale ne te gjitha disiplinat, perfshire ate te gjuhes dhe kjo vetem per keta dy popuj per te cilet po permend, por edhe per vete shkencen ne teresi. Per ta mbyllur, botojeni nje liberth me disa fjale qe perdoren sot ne Greqishten moderne dhe me etimologji te pranuar Shqip qe fqinjet tane Jugor apo kusherinjte tane nese i quajme keshtu, ta dijne qe i kane si kontribut nga ne e te fillojne te na shohin ndryshe, sic ne fakt kane filluar te rinjte ti shohin femijet e Shqiptareve, pra si te dalluar ne te mesuar, si kengetare e kercimtare te mire, punetore, besnike e te gjendur. Te kuptohemi, jo ne funksion te idese se Kocaqit qe nuk ekziston Kombi Grek, por te asaj sesa shume gjra na bashkojne si te barabarte dhe sa shume pak gjera na ndajne nga pozitat superior/inferior. Tung! PS Jam i bindur qe nese dikur do ndodhte nje kataklizme dhe bota do kalonte nje reset, do gjendej patjeter dikush qe etimologjine e Tung ta nxirrte nga Shqipja dhe nje skeptik qe do kerkonte prova. Dhe ec e gjej provat sikur kjo fjale te kishte hyre tashme ne perdorim ne Greqine, Italine, Turqine apo Zvicren e asaj kohe.
Përshëndetje, Artan Kadriaj. Mund edhe të të isha përgjigjur, por kur lexova që fillove edhe ti të flasësh për pagesa nga greku e nga serbi, e lashë atë punë. Ky lloj argumenti i mbrapshtë të përjashton vetvetiu nga muhabeti me mua.
askund nuk kam folur per pagesa nga serbi apo greku, edhe pse asnje teme nuk do duhej te ishte tabu per tu folur.
Ja fjalët e tua:
Të lutem mos komento më këtu.
E fjalën LIGATINË a mos e nxjerrni nga latinishtja?
Unë nuk “nxjerr” asnjë etimologji – vetëm u referohem burimeve standard. Nëse interesoheni për etimologjinë e emrit LIGATINË, mund ta kërkoni në një fjalor etimologjik të shqipes (p.sh. të Kolec Topallit, ose të Vladimir Orelit).
o Shabon, thuhet nxirrni dhe jo nxjerrni. Herë tjeter pastaj kerko “nxjerrje”, mos i digj etapat 😀
Më është dashur të bëj disa fjalorë etimologjikë, ku tregoj se gjuha i emërton realiet mbi bazën e disa parimeve, që gjuhësia e sotme zyrtare as i njeh e as i pranon. Para dy ditësh, revista ‘”Peizazhe të fjalës”, në një shkrim të akademikut A. Vehbiu, me titull “lagunat e lagura të folketimologjisë” kishte marrë në gjykim (për ta rrëzuar) etimologjinë e bërë nga unë për fjalën [laguna]. Duhet thënë që në fillim se Vehbiu është ithtar i metodës së krahasimit në etimologji dhe për të Çabeji, Omari e Topalli janë të pagjykueshëm në etimologjizimet e tyre dhe i gjithë shkrimi i Vehbiut rreket të vërtetojë se etimologjia e Topallit për fjalën laguna është e drejtë e pranë kësaj “drejtësie shkencore” nuk mund të qëndrojnë turbologjitë e A. Dalipajt. Në thelb logjika e Vehbiut pranon se laguna e italishtes rrjedh nga fjala venete lacūna e kjo e fundit nga lat. lacus (liqen) e që në italishten e sotme ka dhënë lago. Ajo që shohim në logjikën interpretuese të Vehbiut është se, për të justifikuar “etimologjinë” e fjalës, bredh nga një fjalë te tjetra pa u futur brenda te asnjë fjalë. Për ta bërë Vehbiun të kuptojë se e ka gabim interpretimin e tij, ku nuk zbërthen asnjërën prej fjalëve, do përdor këtu fakte të shkruara nga vetë etimologët e gjuhësisë krahasuese.
1. Te “il nuovo etimologico” f. 842 gjejmë të pranuar se lat. “lăcu(m), di orig. indeur. …” e kjo do të thotë se për gjuhëtarët e sotëm italianë fjala lat. lăcum nuk ka një etimologji të njohur. Për sa gjuhëtarët e sotëm italianë nuk kanë një etimologji të njohur e të pranuar për lat. lacu(m), si është e mundur që Vehbiu e pranon si etimologji të fjalës lago latinishten làcuna?! Nga sa kuptohet, Vehbiu ka pranuar apriori si të saktë mendimin e Topallit, por a është i saktë vet Topalli?
2. Në fjalorin etimologjik të Topallit (FEGS 854) gjejmë sipas tij se verbi LAG i shqipes është “fjalë e mbarë gjuhës, e trashëguar nga fondi indoeuropian”. Po ky autor, në të njëjtin fjalor (FEGS 1580), fjalën vlagë të shqipes e sjell si “huazim prej sll. (serb., bullg.) vlaga“. Por një etimologji e kësaj fjale në serbisht a bullgarisht nuk gjendet në asnjë autor. Pse Topalli e ka të vështirë ta sjellë prejardhjen e fjalës vlagë të shqipes nga verbi lag i po shqipes, kjo duket se është çështje ideopolitike e nuk ka lidhje me etimologjinë. Si mund të quhet një fjalë e shqipes e prejardhur nga një tjetër gjuhë, kur për të nuk gjendet asnjë etimologji, këtë absurd nuk mundem ta sqaroj.
Edhe Çabeji përdor të njëjtën “metodë”, kur për etimologji të etnonimit dardan sjell prejardhjen nga fjala dardhë, por për etimologji të kësaj dardhës, shkruan “është me burim të panjohur”.
Por le t’i kthehemi sërisht shkrimit të Vehbiut për etimologjinë e fjalës lagunë. Më duhet t’i përmend akademikut Vehbiu se shqipja nga verbi [lag] i saj ka krijuar një familje të madhe fjalësh, si: lagë, lagie, lagës, lagëse, lagësi, lagësirë, lagishtë, lagëson, lagësim, lagësinë, lagësht, lagështi, lagështinë/lagështirë, lagështinoj, , lagështoj, lagështis, lagështim, lagështitje, lagështim, lagështik, i lagët, lagtinë, lagëtimë, lagëtyrë, lagësht, lagshtë, lagush, lagushon, lagavij, lagavis, lagur, stërlagës, shpëlagëse, lagaterë, lagashi, lagësirë etj. Dhe pyetja këtu shtrohet: sa fjalë ka krijuar rrënja lag në italisht e sllavisht dhe pse nuk gjendet asnjë herë e lirë në këto gjuhë? Mund të veçojmë se lat. lacūna(m) ka përcjellë në italisht këto fjalë: lacuàle, lacùna, lacunòso, lacunàre e lacùstre. Ndërsa me rrënjën [lag] të shqipes gjejmë në it. këto fjalë: lago, lagòne, lagùna, laghétto, lagnànza, lagnoso. Fakti që shqipja e ka të lirë e me kuptim rrënjën LAG, ka të thotë shumë se edhe fjalformimet e italishtes (që përmendëm më lart) vinë nga rrënja e shqipes. Përndryshe në it. nuk bëjnë kuptim ndarjet lag-one, lag-una, lag-nànza, lag-noso e kjo do të thotë se ato kanë rrënjën shqipe. Por a është shqip rrënja [lag] dhe si mund ta pranojmë si të tillë?
Theksojmë këtu se gjuhësia krahasuese nuk njeh etimologji të rrënjëve dhe i quan ato si preindoeuropiane dhe “për të gjetur etimologjinë” e fjalëve shpesh kësaj gjuhësie i lypset të hamendësojë rrënjë imagjinare, të cilave u vë sipër shenjën (*) dhe me hamendësime të tilla kanë “shpënë përpara” shkencën e etimologjisë. Nëse marrim në konsideratë çiftin [gl] apo [lg] shohim se ai është i pranishëm te fjalët që shënojnë realie (sende, fenomene, abstraksione) me karakteristikë luajtshmërinë. Kështu fjalët: gluhë < gjë luh, glosë < gjë los, gjol = logj < lo(n) gjë la'go = go'la = gjol-a lingua < lun gjë a, lëngje < lun gjë, luga < lugja LËNGJE LËNG LANGJE LANG < LA(n)G lang > langje e kurrsesi që verbi LAG të vijë nga lat. lacuna.
Gjuhësia krahasuese përjeton një absurd të madh: ndërsa pranon si shkencë ndërtimin e rrënjëve të hamendësuara *bzb inekzistente dhe iu referohet atyre, nuk pranon rreth 370 embriomorfemat ekzistente të shqipes! Gjuhëtarët e huaj nuk i konsiderojnë embriomorfet si përcaktuese në ngjizjen e fjalës sepse në gjuhët e tjera (përveç shqipes) ato janë të pakta në gjendje të lirë e me kuptim dhe pothuaj nuk krijojnë kompozita në formën e një koncepti gjuhësor. Kështu gr. e sotme ka vetëm 11 embriomorfe dhe me aq pak nuk mund të ketë produktivitet për kombinacione që gjenerojnë leksik. Gjuhësia zyrtare njeh fjalformimin si bashkëngjitje e një (a disa rrënjë fjalësh) me parashtesa, prapashtesa e mbaresa, por nuk njeh si janë krijuar rrënjët dhe as nuk mund ta zbërthejë morfemën klasike në kuptime më minimale e që unë i quaj embriomorfe. Shqipja ka një numur të caktuar (rreth 370) embriomorfesh, të cilat në vetvete janë një minigjuhë e plotë e ku fjalëzat (embriomorfet) e së cilës, kur bashkohen krijojnë morfemat gjuhësore e këto të fundit të bashkuara me njëra tjetrën krijojnë kompozitat. Çka është embriomorfema si si përkufizim gjuhësor? Amatorët e ngatërrojnë shpesh me rrokjen e me fjalët një rrokshe, por këtu nuk merret në konsideratë amatorizmi. Embriomorfemë quhet çdo kuptim minimal që rrjedh nga bashkimi i një bashkëtingëlloreje me një zanore (bz) ose e kundërta (zb), a një zanore e vetme (z) dhe qoftë edhe një bashkëtingëllore e vetme (b). Nuk mund të quhet embriomorfe një kuptim minimal që ka më shumë se një bashkëtingëllore. Kështu, fjalët [zmbraps] e [zdrukth] edhe pse janë një rrokshe, nuk konsiderohen embriomorfe, por janë një bashkëlidhje embriomorfesh që kanë krijuar koncepte gjuhësore (fjalë). Më poshtë po jap një numër të vogël embriomorfesh (gati gjysmat) sa për të krijuar një ide te lexuesi se ato ekzistojnë realisht dhe mund të lidhen me njëra tjetrën për të krijuar morfemat klasike e fjalët: ça², çe, iç, çi, çe, ço, çu², çy, yç, da, di, do, du, dy, dha, dhe, dhi, gja, gjë, gji, gjo, gju, ah, ha, he, hi², hu, hy, ja, je, ji, ju, ka², ke, kë, ki, ik, ku, ky, la², le², lë, li, lu, ul, ly, ma², am, me, më², ëm, mi, im, mu, na², an, ne, en, në, ni, ny, un, nja, nje, enj, një, nji, njo, unj, ap, pa², ep, pe², pë, pi, po, qa², aq, qe², që, qi, qy, ar, ra, re⁴, er, ri, ru, ur, ry, yr, s, as, sa, se², së, si, su, sy, sha, she, shi², at, ta, te, të, ti², ty, tu, tha, the, ith, thi, thy, va, ve, vë, vy, vu, za, zë², zi⁴, iz, zu, etj.
Të gjitha këto më lart janë embriomorfe (kuptime më minimale) dhe askush nuk mund të mohojë që ato mund të bashkohen si kompozita në një ekuacion logjik për të krijuar morfema e koncepte gjuhësore. A mundet kush t'i injorojë embriomorfemat?! A mundet kush të mohojë mundësinë e tyre për tu bashkuar e për të krijuar koncepte gjuhësore që shprehin të tjera kuptime si në një reaksion kimik? A mundet kush të mohojë se morfema GJURM/ë~a ndahet në tre embriomorfe? GJURMA GJYRMA GJ’YR’MA gjë (h)yr ma në borë, dhé, baltë, rerë, etj. Do mjaftonte edhe metafonientizmi r:l dhe do kishim: GJURMË GJULMË GJ’U’LMË = gjë e ul më = gjë më e ul(ur).
Për gjuhësinë zyrtare morfema është e pazbërthyeshme në pjesë më të vogla të kuptimshme. Duket se morfologjia e shqipes është studiuar si një kalk i morfologjive të gjuhëve europiane (të studjuara më herët se shqipja) dhe gjuhëtarët tanë kanë bërë gabimin e madh, sepse ajo që sot ua japin studentëve e nxënësve si morfologji, në fakt është konceptologji. Tashmë nuk ngrihet çështja a ekzistojnë embriomorfemat. Ato tani kanë njohje prej publikut të gjerë shqiptar. Ashtu e ndryshe asnjë gjuhëtar zyrtar nuk ka mundur të mohojë ekzistencën e tyre dhe as faktin që ato ndërlidhen për të krijuar fjalë. Njohja e parimeve të ndërtimit të fjalës nuk mund të ndodhte pa njohur më herët embriomorfet. Nga mënyra se si embriomorfet bashkëngjiten për të krijuar një koncept gjuhësor, intelekti i gjuhëtarit zbulon se gjuha emërton funksionin e realies ose karakteristikën më domethënëse, kur realja nuk shfaq funksion. Natyrisht se gjatë bashkëlidhjes së embriomorfemave me njëra tjetrën në piktakimet e tyre ndodhin procese “kimike” dhe disa fonema ndikojnë te piktakimi dhe marrin ngjyrime të ndryshme fonetike duke kaluar në metafonientizëm, të cilin rëndom e quaj rotacion (për lehtësi kuptimi ndaj publikut të gjerë) e që është shumë ndryshe nga rotacizmi (n:r). Etimologjia me anën e embriomorfemave e shpie kërkimin e origjinës së fjalës (për të gjitha gjuhët e familjes i.e.) në një tabelë të përbashkët elementësh gjuhësorë si ajo e kimisë e ndërtuar nga Mendelejevi. Veçse kjo tabelë gjendet e plotë dhe me kuptime të lira të të gjithë elementëve minimalë kuptimorë vetëm në gjuhën shqipe. Kjo rrethanë, e pazakontë për ndonjë tjetër gjuhë, e shfaq shqipen si origjinë e familjes së saj gjuhësore.
Nuk është rastësi që sot shkenca e konfirmon shqipen 6000 të folur pandërprerje dhe si e para gjuhë e shkëputur nga origjina e gjuhëve i.e (Universit. i Lajpcigut 2023). Nëse do merret në konsideratë teoria e embriomorfemave dhe metoda rrjedhëse e saj, sigurisht se shqipja ka për t'u konfirmuar si origjina e gjuhëve i.e. dhe trendi i kërkimit shkencor do ta konfirmojë edhe këtë.
Të rejat nga kërkimet shkencore botërore të vitit të shkuar tronditën albanologjinë zyrtare të Tiranës e cila nxitoi të deklarojë me zë e figurë se “shqipja është 1500 vjeçe e jo 6000”. Të themi se është “stonaturë shkencore” e albanologjisë zyrtare, nuk e pranon logjika. Guximi i 200 akademikëve e profesorëve për të kërkuar me peticion drejtuar instancave më të larta të shtetit shqiptar rivendosjen e censurës në kërkimin dhe publikimin e zbulimeve të reja shkencore rreth gjuhës shqipe, flet shumë se çka është kjo "albanologji". Do. mjaftonte një akademik i vetëm të bënte një studim rreth etimologjive të Dalipajt dhe këtë ta tregonte publikisht për ta përmbysur atë.
Më vjen mirë që në listën e peticionistëve nuk pash emrin e akademikut A. Vehbiu, edhe pse jam treguar i ashpër ndaj tij. Edhe shkrimi i tij i fundit “lagunat e lagura të folketimologjisë”, përpos linjës së denigrimit ndaj meje në hyrje, mban brenda një përpjekje për një debat shkencor publik e që duhet lëvduar. E mirkuptoj prof. Vehbiun, që nuk njeh tjetër metodë përpos asaj që ka studjuar në shkollën e Tiranës, por edhe e falenderoj që e hap këtë debat në revistën e tij. Jeta ka provuar se një ide që kundërshtohet fizikisht (me peticione, përjashtime, gjyqe e presione të ndryshme), fiton më shumë terren. Lufta ime për të patur një oponencë shkencore dhe pengesat që më kanë vënë institucionet legjitime të shkencës, më së shumti kanë dëmtuar këta të fundit në opinionin kombëtar. Nuk është koha të shajmë “kundërshtarin”, por të flasim me të e le të fitojnë idetë. Askush nuk mund të ndihet i fyer nëse në një debat shkencor fiton kjo e fundit e në rastin tonë gjuha shqipe. Në fund do them se: embriomorfet ekzistojnë realisht dhe ato janë të vetmet përgjegjëse të krijimit të fjalëve për të gjitha gjuhët i.e. Përsa shqipja përmban të plotë e pa mungesa tabelën e embriomorfemave të familjes së saj gjuhësore, vet shqipja është origjina e familjes së saj gjuhësore. Shqipja është gjuhë e shkencë etimologjike. Pa njohur mirë tabelën e embriomorfemave dhe fonetikën, askush nuk do jetë në gjendje të bëjë etimologji. Metoda e embriomorfemave është metoda më serioze shkencore në etimologji dhe shpie në rezultate të sakta e shpesh shterruese. Metoda e krahasimit shërben si një shkallare historike mbi të cilën shkel tani metoda etimologjike e embriomorfemave. Shkenca gjithmonë i ka dhënë të drejtë metodës më efikase.
Punimi i kohëve të fundit mbi origjinën e gjuhëve, botuar në revistën prestigjioze Science është kritikuar nga shumë shkencëtarë evropianë. Konkluzioni i këtij punimi bazohet në premisa të gabuara. D.m.th. ky punim ka probleme me metodën. Konkluzioni i këtij punimi, sipas prof. Atkinson, është se gjuhët indoevropiane u krijuan 9.000 vjet më parë në Anatoli dhe që andej nëpërmjet emigrimit bujqësor u shpërnda, fillimisht në Evropë dhe më pas në Azi. Metoda që është përdorur në këtë punim është ekzaminimi i fjalëve të lidhura, të ashtuquajturat bashkëngjiteshe dhe informacione gjeografike nga 103 gjuhë të lashta dhe gjuhë aktuale indo-evropiane. Teoria është se duke parë ngjashmërinë e fjalëve të lidhura, mund të përcaktohet vendi i origjinës, duke qenë se aty ka përqendrimin më të madh të fjalëve që janë të ngjashme me njëra-tjetrën. Fjalët mor – mutter, madre – mother ose nat – nuit – nacht – night, sipas metodës së përdorur janë fjalë që sa më afër vendit të origjinës, aq më shumë ngjajnë fjalët. Por kjo metodë nuk ka fituar popullaritet dhe shikohet me skepticizëm nga komuniteti i studiuesve të linguistikës. Psh. një fjalë kaq e thjeshtë si fjala nyx/νῠ́ξ (Heisod)grek., nox lat., nat engl., nat danisht, dhe natë në shqip nuk mund të përcaktohet origjina e saj në saj të frekuencës.
Pikë së pari sepse studiuesit e kësaj hipoteze nisen nga një teori që thotë se gjuha zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme me kalimin e kohës. Teoria se gjuha zhvillohet me një ritëm konstant quhet Glottokronologji por që faktikisht nuk ka fituar asnjëherë njohje në rrethet gjuhësore nga bota e studiuesve të linguistikës. Është një teori që përshtatet mirë me modelet kompjuterike që studiuesit e kësaj hipoteze kanë përdorur. Por në realitet gjuha zhvillohet në kërcime të papritura dhe të paparashikueshme, të cilat shpesh ndodhin për shkak të ndryshimeve socio-ekonomike. Ka plot shembuj fjalësh të cilat pothuajse nuk janë zhvilluar dhe shpërndarë me kalimin e kohës, dhe ka plot shembujsh fjalësh, të cilat janë zhvilluar brenda një kohë shumë të shkurtër dhe në një radius shumë të ngushtë. Pra gjuha nuk ka një vazhdimësi të natyrshme, por zhvillohet në mënyrë gjenealogjike.
Pikë së dyti sepse modeli që këta studiues përdorin niset nga fjalë që janë shumë të ngjashme me njëra – tjetrën. Por nëse një popull që emigroi në Ballkan përdor fjalën “nata” si një term për ngjyrën “e zezë” në përgjithësi dhe ky term do të përshtatej gjerësisht në këtë zonë, do të dilnim në konkluzionin e gabuar se ky term e ka prejardhjen në Ballkan.
Pikë së treti vetë studiuesit e kësaj teze i pranojnë mangësitë e metodës dhe pamjaftueshmërisë së evidencave të DNA.
Pikë së katërti studimi nuk e nxjerr gjuhën gjuhën shqipe 6000 vjecare, por 1350 p.e.s. në ndarjen e saj në dy dialekte. Ndërsa gjuha minoane e Kretës në këtë punim datohet 5500 p.e.s. Pra analizat e Juaj është jashtë kontekstit. Asnjë studiues apo institucion serioz nuk merret me albanologjinë. E kanë mbyllur çështjen duke e vendosur gjuhën shqipe tek gjuhën indoevropiane dhe kaq. Gjuha shqipe dhe shqiptarët përbëhen nga katër gjuhë dhe popuj. Pra nuk jemi as autoktonë dhe homogjenë.
Të dhënat në bazë të DNA të marra nga102 skeletet e gjetura në pellgun e Egjeut dhe në kontinent hedhin dritë se popullsia e Egjeut janë në farefisni më njëri – tjetrin dhe kjo DNA përket kryesisht edhe me popullsinë e sotme greke. Të dhënat e DNA datojnë mbi 9000 vjet përpara.
Pak teori mbi dyndjet. Përpara 50.000 vjet Homo Sapient u shpërngul nga Afrika dhe u vendos në lindjen e Mesme. Kjo shpërngulje e Homo sapient hyn tek emigrimi i dytë i cili zgjati rreth 40.000. U deshën edhe mijëra vjet të tjera që Homo Sapient të filloj të emigrojë drejt Evropës dhe Azisë. Civilizacionet e para u krijuan rreth lumenjve Indus, Tigris, Eyfrat dhe Nili dhe prej andej duke perfeksionuar agrikulturën dhe artin e lundrimi u shpërndanë pothuajse në gjithë botën (Lewis Dartnell). Emigrimi drejt Evropës u bë nga dy drejtime. 1) – nëpërmjet artit të lundrimit nga deti Mesdhe drejt Kretës dhe ishujve përreth deri lart në Trojë dhe nga Anatolia drejt Qipros e Kretës, e cila u bë një superfuqi detare në pellgun e Egjeut. Më vonë drejt Mikenës, e cila për 500 vjet u bë superfuqi detare jo vetëm në pellgun e Egjeut por edhe në detin Mesdhe, duke pushtuar përkohësisht edhe Egjiptin. Më vonë në Athinë, e cila ishte gjithashtu superfuqi detare, Peloponez me Spartën, Korfuz, Sicili, Italia e jugut dhe më tej drejt Italisë së veriut. Ndërsa drejtimi i dytë u bë nga Anatolia drejt Evropës qendrore. Njerëzit kërkonin tokë pjellore dhe jo male, gërxhe dhe toka moçalore.
As helenët nuk kanë qenë me një kulturë dhe gjuhë homogjene e për rrjedhojë nuk mund të bësh analiza duke u nisur se gjuha shqipe është gjuhë e parë. U desh mijëra vjet që popujt helenë të krijonin një institucione kulturore të përbashkëta dhe një gjuhë homogjene krahas dialekteve të 1500 Poleis.
Si përfundim duhet të theksohet se gjuha shqipe nuk ka fjalorin e navigimit, kodin e gjuetisë dhe kozmogoninë – lindjen e botës, të cilën e kanë të gjitha qytetërimet e tjera të hershme të përmendura më lart. Aq më tepër kur kultura helene ka të paktën 2 mijë vjet që studiohet dhe është shoshitur e ka kaluar në majë të gjilpërës.
Ushtari tetarin njeh; kështu edhe ju që njihni vetëm shqipen, madje edhe atë vetëm si mjet komunikimi, sepse njohuritë tuaja për të si mekanizem gjuhësor nuk i kalojnë njohuritë e një nxënësi të klasës së gjashtë.
Sa për reagimin tuaj ndaj shkrimit të Vehbiut:
1. Kur ”Il nuovo etimologico…” shkruan për një fjalë të italishtes qe vjen prej latinishtes e shton ”me origjinë indoeuropiane…” kjo do të thotë se lexuesi i interesuar duhet të hapë fjalorët etimologjikë të latinishtes. E të tillë nuk janë pak: …i fundit ai i M. De Vaan. Por ju kujtoni se “Il nuovo…” dhe Babinjoti janë eliksiri i shkencave etimologjike. Ata sigurisht qe janë dicka, por jo gjithçka…, për më tepër merren me fazat moderne të zhvillimit gjuhësor siç janë italishtja dhe greqishtja e re. Ndërkohë etimologjitë e mirëfillta të gjuhëve amë gjegjëse: latinishte dhe greqishte e vjetër, trajtohen te të tjerë studiues, të cilët ju sigurisht që nuk i njihni, se kur u ndane, aq ju lane. Për më tepër ju nuk njihni zhvillimin gjuhësor. U duk qartë në një emision ku me guximin e të marrit shpjeguat me anën e shqipes fjalën e famshme eureka, qe e belbezoni sipas greq. se re e vre ka, duke u nisur nga shqiptimi në greqishten e re.
2. Citoni gjysmen e embriomorfemave tuaja te famshme si stilema pisanjose e pa kumtim “embrional”. Botojeni njëherë të plotë atë teori me Tabelen e Dalipajt në to, pastaj vijoni me fjalorët e pafund etimologjikë të shqipes. Një studiues i mirëfilltë është i lumtur, po të arrijë të botojë vetëm një. Kurse ju i keni nxjerrë deri tani nja tetë nga furra.
3. Me aq sa kuptoj në sa shkruani për grupin për grupin gl, lg, kl, lk, ju thjesht e ktheni etimologjinë tuaj në shekullin 17’-18’ kur operohej me simbolikën platoniane. E kjo teori i ka lënë me kohë vendin gjuhësisë historike krahasimtare, te cilën ju e ndonjë i sërës suaj e quani të dështuar, por ja që është e përhapur gjithkund në gjuhësitë zyrtare të të gjithë botës e me aty te 10.000 profesuara për Gjuhësi Krahasuese, Filologji Klasike, Romanistikë, Sllavistikë, Grecistikë etj., etj. Kaq shumë vende nuk mund të mbështesin kaq shumë të çmenduar zyrtarisht. Mendo pra më mirë të kundërtën, se është shumë më reale. Pra, duke etiketuar prurjet e etimologjisë shqipe dhe studiues si Çabej, Topalli, etj. si korifej të shkencës zyrtare, ju u bëni nder atyre, meqë i rreshtoni në të njëjtën aradhë me albanologet e huaj, si Hamp, Orel, Matzinger, Schumacher, etj. pra edhe me albanologjine “zyrtare” të gjuhësisë historike-krahasimtare në të gjitha vendet dhe akademitë në botë, përjashto këtu Akademinë Alternative të Turpit Shqiptar, që noton kundër rrymës, meqë drejtohet dhe mbështetet nga persona me pensum jo normal.
4. Akoma vijoni me budallallëkun e radhës se shkenca zyrtare e mban shqipen si 1500 vjeçare, ndërsa Universiteti i Leipzig-ut e çon te 6000 vjet. Tregohuni një herë i qartë çfarë kuptoni me Universitin e Leipzig-ut, se mesa duket s’keni idenë për çka flisni e shkruani si pjesë e sharlatanizmit që zotëroni. Të është shkruar disa herë se gjuhësia historike e shqipes (e këtu nuk bën dallim ASHSH prej studiuesve albanologë në gjithë botën) shprehet kështu për fazën moderne të zhvillimit të gjuhës shqipe, si një gjuhë që ka organizuar sistemin e vet gjuhësor në ato karakteristika qe disponon në kohën tonë. Periudha e mëparshme e saj përkon me protoshqipen, si një gjuhë me dallime të theksuara në sistem. Sa për shëmbëllzim: në rast se në protoshqipe sundonte sintetizmi brenda paradigmave të sistemit emëror dhe foljor, në fazën e re kjo gjuhë është shndërruar në sintetike-analitike.
5. Këto gjëra mësohen edhe në universitet, por ju jeni i pashkollë e nuk keni nga t’i dini, andaj vetëm përserisni në cdo rast brockullat e radhës ne cdo situatë. Jeni thjesht nje sharlatan i papërgjegjshëm. Si e keni shumë më të lehtë të operoni me sharlatanizëm në mjediset sociale shqiptare. Për argumentimin etimologjik infantil të fjalëve gjithfarësh keni marrë dhjetëra pergjigje në shkrimet e mëparshme në PTF, por ju nuk hani pykë, andaj i bini me të njëjtën lugë të njëjtit sahan.Thënë troc, është e kotë të merret kush që ka dy para mend në kokë me ju dhe teorinë tuaj pisanjose.
Babinjoti për nga etimologjitë është krejt mediokër. Është vërtet leksikograf i mirë, inovator, por etimolog i mirë apo i talentuar, jo. Ajo që i jep vlerë veprës etimologjike të Babinjotit është se është e vetmia që i ofrohet lexuesit grek. Andrioti (që e citon edhe Çabej, është tashmë i vjetëruar). Nuk di pse e shpalli Agroni si etimologun më të madh grek të të gjitha kohërave Babinjotin. Ndihmesën më të madhe për fjalorin e tin etimologjik e ka marrë nga bashkëpunëtori i tij Th. Moisiadi kurse për fjalët e vështira zgjidhjen e ka gjetur si gjithmonë në punimet e K. Karapotosoglou.