Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

GUXIMI PËR TË MOS BASHKËPUNUAR

Njerëzit i përgjigjen kritikës me lloj-lloj mënyrash. Dikush e pranon dhe të falënderon, dikush tjetër të akuzon se ia ke me të keq; një tjetër insinuon se të kanë shtyrë ose të kanë paguar; një i tretë të thotë se nuk e ke kompetencën e mjaftueshme për të kritikuar; një tjetër akoma beson se je i painformuar ose të kanë gënjyer; një tjetër qesh me ty dhe të ve në lojë; dhe më në fund, ka edhe nga ata që nuk të flasin më me gojë, të heqin nga puna, ta prishin emrin nga lista, të hedhin hekurat dhe, in extremis, të futin një plumb pas qafe.

Kjo pavarësisht se kritika, në vetvete, është një faktor kyç në komunikimin të paktën publik; dhe kur mungon ose mbytet me mënyra të ndryshme, këtë e paguan vetë veprimtaria dhe statusi i institucioneve dhe përpunimi i mendimit institucional.

Mes formave të reagimit ndaj kritikës që rreshtova më lart – i bindur se ka edhe të tjera – lashë qëllimisht jashtë një të tillë që po e dëgjoj gjithnjë e më shpesh tani së fundi; dhe po e ilustroj me çfarë më tha një person gjysmë në privat, pasi kish lexuar një kritikë timen. Të kritikosh është kollaj, më tha; më e vështirë është të provosh të bësh diçka.

Duket ky si reagim i sipërfaqshëm, epidermik, instinktiv; por në fakt buron nga një filozofi që i shtrin rrënjët thellë dhe që përpiqet të vërë në pikëpyetje krejt modelin e komunikimit publik dhe të fjalës së lirë, të themeluar dhe të mbështetur në parimin e pluralizmit.

Dhe nuk po flas gjë me fjalë të mëdha. Ky i njohur imi, i cili më foli me dashamirësi dhe përnjëmend duke u përpjekur të hyjë në dialog me mua, qoftë edhe thjesht ngaqë ish lënduar personalisht nga çfarë kisha shkruar unë për një nismë ku ai vetë kish investuar mjaft, bënte të vetën një kundërvënie klasike, primordiale, midis fjalës dhe veprës; ose soditjes dhe veprimit (contemplatio dhe actio); duke e marrë për të mirëqenë që veprimi ka përparësi absolute ndaj fjalës; dhe se të bësh “diçka” është gjithnjë më mirë se të flasësh; sikurse është gjithnjë më mirë se të mos bësh asgjë.

Ka një rrejshmëri këtu; qoftë edhe vetëm ngaqë nuk ka asnjë bazë të pretendosh se veprimi ka ndonjë epërsi të vetvetishme ndaj fjalës. Në situata të caktuara, p.sh. kur një peshkarexhë përballet me stuhinë, kapiteni nuk ka kohë që të debatojë me anëtarët e ekipazhit (këtë e ka shpjeguar edhe Platoni te libri 6 i Republikës); përkundrazi, kur këshilli bashkiak merr një vendim për vendin ku do të ngrihet nevojtorja publike, mirë është që ky vendim të diskutohet me ngé, para se të nisë hedhja e themeleve. Mënyra kryesore si mund të përligjet nevoja për veprim të menjëhershëm është duke e paraqitur çdo situatë si kritike; ose në krizë – për ta shtjelluar konceptin etimologjikisht; meqë në situata kritike nuk ka kohë për llafe (të tepërta) dhe aq më pak për kritikë.

Pa shkuar deri atje, sa këtë mistifikim të veprimit ta lidhim me kultin e veprimit brenda ideologjisë fashiste, po mjaftohemi të kujtojmë se veprimi, si i tillë, nuk vjen me kurrfarë garancie morale; dhe nuk mbron ndaj së keqes, as është i mbrojtur prej saj; ndryshe nga autonomia morale e cila, siç e ka vënë në dukje Kanti, arrihet nëpërmjet refleksionit, vetë-vendosjes dhe guximit për të mos bashkëpunuar. Për këtë arsye, kulti i veprimit (actio) veçanërisht i nxitur dhe i pompuar nga pushteti, kërkon të pengojë autonominë morale, rezistencën e individit ndaj bashkëpunimit me çdo kusht dhe, në analizë të fundit, vetë kritikën refleksive ndaj realitetit; e gjithë kjo në emër të riprodhimit të pushtetit dhe të marrëdhënieve të konsensusit, veçanërisht mes shoqërisë civile dhe ekzekutivit.

Adorno, që është marrë me studimin e kësaj dukurie, flet – te Authoritarian Personality dhe gjetiu – për një lloj personaliteti të apasionuar pas organizimit, krejt të paaftë për të pasur eksperienca njerëzore të pandërmjetme, të karakterizuar nga një farë mangësie emocionale dhe një realizëm i mbivlerësuar. “Ai nuk mendon, për asnjë çast, që bota të ishte ndryshe nga ç’është, dhe është i obsesionuar nga dëshira për të bërë gjëra, pavarësisht nga përmbajtja e këtyre gjërave. Ai e shndërron në kult veprimin, veprimtarinë, ose eficiencën si të tillë, e cila rishfaqet në imazhin reklamues të personit aktiv.” Këtë model personaliteti, Adorno e quan “ndërgjegje të reifikuar”; dhe personat që e kanë e asimilojnë veten me sendet dhe, pas kësaj e kur munden, i asimilojnë edhe të tjerët me sendet.

E kotë të shtoj që edhe Adorno nisej nga si e kish parë këtë “gjeni të veprimit” të shfaqur në politikanët nazistë.

Nuk ka asgjë fashiste as autoritare te veprimi në vetvete; por te kulti i veprimit, ose që nga momenti kur ky lloj angazhimi ndaj realitetit, një nga të shumtët, vjen dhe imponohet si epror ndaj llojeve të tjera, përfshi këtu edhe kritikën. Tek e fundit, edhe kritika është një lloj veprimi, sikurse edhe vetë komunikimi dhe të folurit; dhe kjo është veçanërisht pertinente në politikë, e cila mund të shtjellohet si dialog në kërkim të konsensusit ose të kompromisit; por edhe të përmbyllet duke i zgjidhur kontradiktat mes palëve siç e zgjidhi Aleksandri nyjen gordiane: me shpatë.

Nga njëra anë, pra, kritika – e manifestuar në formën e diskursit kritik – është po aq veprim sa edhe veprimi atyre që “bëjnë diçka”; nga ana tjetër, veprimi i atyre që “bëjnë diçka” rrezikon të përfundojë në autoritarizëm, në mos në fashizëm, kur nuk shoqërohet nga kritika.

Për t’u kthyer tani te qortimet e atij të njohurit tim, do të mjaftohem të shtoj vetëm që ai, së bashku me të tjerë “veprues” në skenën kulturore shqiptare, paguhet për të vepruar, çka do të thotë se është duke bërë punën e vet; në një kohë që kritika, imja ose e shumë të tjerëve në pozitat e mia, vjen falas, ose si veprimtari e lirë dhe vullnetare. Ky dallim, i cili shpesh lihet mënjanë ose shpërfillet, në fakt e vendos veprimin dhe kritikën në dy rrafshe të ndryshme, me dëme të dyanshme; sepse dëshmon që jetojmë në një kohë të tillë kur shoqërinë civile e kanë bindur, ose edhe e kanë gënjyer, se veprimi (actio) mund të mjaftojë në vetvete dhe si prerogativë e ekzekutivit, ndërsa kritika mbetet opsionale, ose fakultative ose – në rastin më komik – profesion i opozitës. Një nga rrugët si është imponuar kjo bindje, që potencialisht shpie në suprimimin e kritikës dhe në autoritarizëm, është duke e banalizuar kritikën, nëpërmjet reduktimit të saj në çfarë prodhohet në talk show-t televizivë, ose duke e asimiluar në një lloj dëfrimi (entertainment); të barasvlershëm me fotot e femrave të zhveshura dhe rubrikat “paparazzi” ose “thash & them” të tabloidëve.

Dhe, më në fund, të bësh diçka nuk ka kurrfarë epërsie ndaj të mosbërit; përkundrazi. Në situatat kur mendimi kritik mungon, çdo lloj veprimi (actio) rrezikon – së paku potencialisht – të përftojë kriza.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim 1: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

Shënim 2: ky shkrim është ribotim i rishikuar i një shkrimi të mëparshëm.

Pa Komente

  1. Po mendoja edhe se kur thuhet qe eshte e thjeshte te kritikosh por me e veshtire te besh, mendohet se kritikuesi e hedh llafin sa per te lene te permjerrat e veta ne histori, jo sepse perpiqet te permiresoje gjendjen e gjese per te cilen diskutohet. I kritikuari ndihet i prere ne bese nga ai qe “s’di aq sa ta beje gjene”, por di me pak… aq sa per ta kritikuar. Kjo eshte krejt gabim. Kritikuesi dhe beresi mund te mos kene njohuri as te ngjashme dhe as te barabarta, por ne momentin qe dikush kritikon (ketu nuk flas per kritikat ne komentet ne Internetin tone te tipit “gjoja mo kot qe kom pa/lexu nojher!”, por per kritike te menduar e te bazuar ne njohje) ai di dicka me shume per ate gje per te cilen flet. Nese kritika nuk shihet keshtu dhe nuk merret ne mirebesim, beresi humbet nje shans te jashtezakonshem. Kjo lidhet edhe me faktin se “e bera” ne Shqiperi nuk eshte nje proces ne te cilin beresi ka hedhur dashuri, pasion, jete, dhe mund te rrije gjithe jeten derisa ta nxjerre si duhet, por dicka qe duhet kryer dhe madje shpejt. Ne momentin qe i ben “check” ne liste, ka mbaruar, dhe beresi ka radhen te merret me dickane tjeter qe mezi pret te kryhet gjithashtu, dhe s’ia ka ngene kritikave qe do e ngadalesonin apo edhe thenin mbrapsh. Ajo qe behet, ka me shume rendesi sesa ajo qe behet mire. Levdohet ai qe ben shume. Po te besh pak dhe mire, mund te shahesh. Kjo vlen sidomos ne rastin e aktiviteteve qe mbajne firmen e nje institucioni dhe nje grupi, dhe jo te nje individi privat. Nje lloj kulture kjo qe ul keq cilisine dhe ben norme, madje edhe ideal, nivelin e mesem te rezultatit dhe ate ne kufijte e se pelqyeshmes. Pastaj vjen casti qe harrohet cfare do te thote gje vertet e mire apo e bukur.

  2. Mua m’u kujtua ajo targëza e dikurshme në autobus: “Mos i fol shoferit”. Kjo moto adoptohet nga të gjithë ata që e marrin pushtetin dhe nuk duan t’u flasësh gjatë manovrave, sepse shqetësohen gjatë veprimit. Kur kjo thënie merret për bazë në politikë presupozohet që ai që po vepron është në drejtimin e duhur me përkufizim, kurse ai që flet është vetëm në rolin e “gricit”, të mizës që ngacmon kalin kur punon ose pushon pas lodhjes.
    Kundërvenia është krejt e rremë sepse veprimi në vetvete nuk e përjashton fjalën e diskutimin. Plotësohen, nuk eliminojnë njëra tjetrën. Pas degradimit të fjalës e kritikës fshihet vetëm autoritarizmi, që jo gjithnjë shoqërohet me linjat e futurizmit ose muskujt e realizmit socialist. Pastaj kundërvenia e parë nënkupton të dytën, atë midis shpejtësisë dhe ngadalësisë. Ai që vepron është gjithnjë i shpejtë dhe ecën me kohë, kurse ai që flet është i ngadaltë, madje dembel kur kritikon.

  3. Kulti i të vepruarit, si diçka gjithnjë për t’u parapëlqyer ndaj mosveprimit dhe sidomos debatit (llafeve), shprehet në forma nga më të ndryshmet: që nga shtysa për t’i zgjidhur kontradiktat me dhunë te përparësia që shpesh i jepet ekzekutivit ndaj legjislativit.

    Sot e ndesh rëndom, mes një kategorie elitash, si kult të punës, të mishëruar në shprehjet “ai është qen i punës”, ose “le t’i vihemi punës”, që i dëgjon në gojën e eksponentëve të ekzekutivit. Kjo nuk është e nivelit Arbeit macht frei, por edhe fare e pafajshme nuk është.

    Kur ngrihet, bie fjala një ministër, dhe të thotë “le t’i futemi punës”, gjithnjë të lind dyshimi nëse ky ftesën e ka për veten apo për ty; sepse puna e ministrit shpesh konsiston në të motivuarit e të tjerëve për të punuar.

    Natyrisht, projektet kërkojnë punë për t’u realizuar; premtimet kërkojnë punë për t’u arritur; dhe kush është në krye të punëve e ka për detyrë të mobilizojë të tjerët dhe t’i motivojë.

    Kjo kështu në teori. Pastaj, kur e vendos të gjithë këtë skenar në Shqipëri, e sheh se, para se të flasësh për punë atje sot, në rrethanat e një papunësie masive, duhet të matesh mirë.

    Pa u ngatërruar me fjalët, le ta kemi parasysh që punë është edhe “shpenzimi i energjive fizike dhe mendore për të arritur një synim të caktuar, zakonisht përkundrejt një pagese” (angl. work), edhe statusi i të pasurit të kësaj mundësie (angl. job, employment).

    Ironia në Shqipëri është se një masë e madhe njerëzish nuk kanë punë, ose janë të papunë (unemployed); ndërsa një masë tjetër njëlloj e madhe njerëzish punë kanë, por nuk punojnë.

    Ftesa e ministrit hipotetik, që citova më lart, u drejtohet këtyre të dytëve: “tani le t’i futemi punës.”

    Tani, puna është edhe detyrë, edhe e drejtë. Është e drejtë për të papunin, sa kohë që u besojmë të ashtuquajturave “të drejta pozitive”; por është detyrë për të punësuarin.

    Mirëpo kjo ndarje e shoqërisë në të papunë dhe të punësuar nuk është vetëm abstrakte; pse ka ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e punësimit.

    Sa më shumë të papunë që të ketë, aq më i lakmuar është vendi i punës (puna në kuptimin job, employment); dhe punësimi i dikujt, që në teori duhej të ishte meritokratik, fare lehtë shndërrohet në akt politik.

    Aq sa ndonjë parti të madhe, si LSI-ja, e kanë akuzuar se është shndërruar në zyrë punësimi.

    Nga sa kam parë dhe kam dëgjuar vetë në Tiranë, drejtpërdrejt por edhe në muhabete me të tretë, më është krijuar përshtypja se shumë njerëz, sidomos të rinj, angazhohen në veprimtari politike me shpresën për të gjetur një vend pune.

    Kësisoj punësimi mund të jetë shndërruar tashmë në një monedhë me të cilën elitat politike paguajnë besnikërinë e qytetarëve.

    Unë të jap votën përkundrejt punësimit; dhe ti si punëmarrës pastaj më paguan rrogën, përkundrejt punës që të bëj.

    Dhe nëse ky model qëndron, atëherë thirrja “për t’iu përveshur punës” vjen e merr tone disi të errëta, nëmos kërcënuese.

  4. “Të kritikosh është kollaj, më tha; më e vështirë është të provosh të bësh diçka.”

    Ka një aspekt më të rëndësishëm që i ndajnë “të bërit” dhe “të folurit” në kategori jo vetëm të ndryshme (po aq të ndryshme sa aktiviteti i piktorit dhe muratorit), por ç’ka është më e rëndësishme, hierarkike.

    Të folurit kritik ndaj “të bërit” është gjithmonë sipëror.  Ky sipërioritet i kritikës nuk varet aspak nga niveli i vështirësisë midis të bërit të diçkaje dhe të kritikës ndaj saj.  Porse , “të folurit” kritik është aktivitet vetëm publik, ndërsa ”të bërit” është aktivitet kryesisht privat.

    Është kritika ajo që e ngre “të bërit” në statusin e rrafshin publik. Ajo pa konfirmimin e kritikës nuk mund të kthehet  kurrë në vepër. Ngelet private dhe anonime.

    E megjithatë, kritika është pushtet. Nga mënyra sesi ushtrohet fare mirë mund të jetë e padrejtë, jokonsensuale ose arbitrare.

    Thënë ndryshe, ndërsa kritika luan një rol unik dhe të pazëvendësueshëm si një urë midis privates dhe publikes, pushteti i saj i pakontrolluar shkakton gjithmonë sikletin e të qënit pushteti absolut ai që afirmon vlera në public, dhe jo kritika e mirëfilltë.

    Dhe kjo lyp një pyetje të rëndësishme: si ndodh eleminimi i kritikës së mirëfilltë, dhe zvetnimi i saj në pushtet absolut, të padrejtë arbitrar, jokonsesual, e bërë kollaj dhe pa mundim?

    Mund të ndodh, siç ndodh përditë në perëndim e gjetiu, nëpërmjet bashkëpunimit të vetë kritikës me pushtetin. Ergo, guximi për të mos bashkëpunuar i Xha Xhait.

    Por mund të ndodh edhe nga sharlatanizmi, papjekuria etj.

    E megjithatë ka shpresë sepse dihet që jo të gjithë bashkëpunojnë, dhe jot ë gjithë janë sharlatan.

    Por rasti më flagrant dhe më i vështirë është kur eleminimi i kritikës shkaktohet për arsye ekonomike dhe kulturore që kanë pak të bëjnë me kritikën si pushtet i mëvetësuar, por kanë shumë të bëjnë me kolapsin e sferës private me publiken – për rrjedhojë edhe eleminimin e nevojës për kritikën si urë lidhëse midis tyre.

    Shëmbulli më i mirë ishte ngritja e “homo faber” (sipërmarrësit/prodhuesit ) dhe “homo laboran” (klasës punëtore)në qëndër të jetës publike e politike gjatë fashizmit dhe komunizmit, në emër të së mirës së përbashkët / sociale (shih Hannah Ardent në “The Human Condition”).

    Dhe sa më e vështirë është të provosh të bësh diçka në emër të shoqërisë, siç thotë ai miku, ap edhe më e pamundur është të kritikosh, sepse të bësh është më e rëndësishme, dhe ta kërkon ekonomia dhe mbijetesa.

    Ndaj thuaj atij mikut: paç krahët e lehta dhe era e pushtetit qoftë me ty.

  5. Problemi ne Shqiperi o i nderuar eshte qe ketu shteti nuk te le te punosh. Te provosh. sepse nderhyn. shembulli i Rames me ekspon ne kryeministri eshte ndergyrje e politikes ne art. Falas. Pa marketing, Ku i shikoni ju keto gjera te ndodhin! Ju perpiqeni te beni filozofi me ca gjera qe jane shume t thjeshta. Ke ne Drejtori i operas ben dhe Koreografine qe te marri leket si Koreograf ( rreth 5 Mil). Drejtoi i teatrit ben dhe Regjine dhe aktorin dhe drejtorin Artistik. Bordi i teatrit ka ne perberje njerez qe skane lidhje me teatrin. Vellai i Ministres merr buxhet maksimal per teatrin. Anri Sala eshte bere si Madona shqiptare. PerOnufrin apo Festivalin Folklorik vendos Minsitrja.Dhe cdo gje ndodh ke Bulevardi. Cte provosh ketu. A keni ndonje nisme artistike private qe ekziston ne Shqiperi. ky eshte shembulli. Jo perralla me mbret filozofike. Hajt shnet

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin