“Hapet Vela”: Një Ekspozitë e Artit të Aplikuar dhe i Objekteve të Kulturës Islame, Galeria Kalo, Tiranë, 12-14 Prill.
nga Besnik Sinani
“Kefeshtatajush. Lexo dhe një herë! Mernush, Debernush, Mishlina, Makshelina!
Vizitorët me një minimum njohjeje të shkrimit arab shpesh mbesin gojëhapur nën kupolën e Xhamisë-Mbret në Berat, të cilës i brendashkruhen përqark këto fjalë jofamiljare: Shezenush, Jemliha, Kitmir.
Me gjasë, shumë nga këto fjalë janë format me të cilat kanë mbërritur prej Lindjes, edhe një here në Perëndim, emra të tillë të njohur si Maksimilian (Makshelina) apo Konstantinus (Kefeshtatajush) e kështu me rradhë, meqë kompozimi kaligrafik në Xhaminë-Mbret nderon, në fakt, një grup besimtarësh ndjekës të Mesisë, apo Isait, siç ai njihet në traditën myslimane.
Të lartpërmendur në kupolë janë emrat e një grupi shokësh, përcjellë nga tradita gojore e Levantit, të cilët u tërhoqën nga qyteti i dhunës idhujtare për t’u afruar me Zotin në një shpellë gjatë kohërave të persekutimeve antifetare romake. Dhe mrekullisht mbijetuan të mbyllur aty për dekada të tëra, kapluar nga një gjumë i thellë.
Në zgjim, shokët nuk kuptojnë fare sa kohë kaluan fjetur. Teksa njëri prej tyre zbret në qytet për të blerë ushqim, sheh se përndjekjet kanë pushuar, ka ngadhënjyer besimi i drejtë, e njerëzit në tregje habiten me monedhën që ky i panjohur u ofron: është monedhë e vjetër e shumë kohëve më parë, ndoshta me profilin e perandorit të urryer, i cili dikur përndiqte besëmirët”.
‘Shokët e Shpellës’, siç njihen në narrativën kuranore personazhet e përmendur më sipër, të njohur në Krishterim si “Të Fjeturit e Efesit”, u shërben organizatorëve si metaforë për të prezantuar objektet që do ekspozohen në Tiranë, në Galerinë Kalo, nga 12-14 Prill. Kjo ekspozitë e artit të aplikuar dhe objekteve të kulturës islame, e kuruar nga Lauresha Basha e Gallery70 në Tiranë dhe Edison Çerja, sjell tekste të zhanreve të ndryshme, kaligrafi, dhe objekte devocionale të cilat – po ashtu si ‘Shokët e Shpellës’ – u fshehën gjatë viteve të komunizmit në skutat e fshehta të shtëpive të disa familjeve shqiptare. Ato i shfaqen publikut, kur ‘monedha’ që përfaqësojnë ndoshta ka vlerë më të madhe sot; kur shkronjat dhe domethënia e objekteve nuk mbartin më të njëjtin kuptim, por premtojnë një hyrje në zona të errësuara të kujtesës kolektive.
Objektet e ekspozuara janë përfaqësuese të një koleksioni që e ka fillesën me një dhuratë bujare nga i ndjeri Bardhyl Fico (d. 2015), artist, intelektual dhe Kryetar i parë i Komitetit të Kulteve në Shqipërinë post-komuniste. Shumë nga këto tekste ishin trashëguar nga i ati, i ndjeri Rauf Fico (v. 1944), diplomat i lartë, një ndër themeluesit e administratës së shtetit të pavarur shqiptar. Vetë Rauf Beu rridhte prej një familjeje të elitës fetare osmane. I ati, Remzi Efendi Fico, kish shërbyer si Kadi (gjykatës) në shumë poste perandorake, përfshi rolin e kryegjykatësit në Jemen, ku vetë Raufi kishte lindur. Objektet në fjalë iu besuan përpara ndërrimit jetë të Bardhyl Ficos Imam Sajmir Ismailit, kreut të Qendrës për Dokumentimin e Trashëgimisë Islame, i cili për gati një dekadë ka mirëmbajtur koleksionin dhe e ka zgjeruar me prurje të reja. Kjo qendër, së bashku me Konak Institute for Education and Heritage, të cilin unë përfaqësoj, i sjellin këto objekte në këtë ekspozitë të parë të llojit të vet në Tiranë.
Ndër objektet e përfshira në këtë ekspozitë gjendet edhe një mbajtëse modeste qirinjsh, e cila siç tregon mbishkrimi i gdhendur në bazamentin e saj, u dhurua nga një zonjë tiranase si vakëf për xhaminë e Sulejman Pashë Bargjinit, me gjasa një nga ndërtesat e para të Tiranës, e dëmtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e shkatërruar plotësisht nga regjimi komunist. Sot, në vendin ku dikur gjendej xhamia ndodhet monumenti i Partizanit të Panjohur, një tjetër lloj ngrehine e një tjetër lloj kulti. Edhe një varr i vetëm që ka mbijetuar nga varreza monumentale që dikur popullonte oborrin e xhamisë, sot është gllabëruar nën një nga kullat që pushtojnë qiellin e Tiranës, po aq sa hapësirën urbane të saj. Kjo mbajtëse modeste qirinjsh, e shkulur nga ambienti ku kërkonte të lidhte jetën e përkohshme me aspiratat e përjetësisë, nuk është më e rrethuar nga tingujt e recitimeve, përshpirtshmëria e faljeve, nga afresket apo kaligrafitë. Të gjitha ato kanë humbur pa kthim. Por prezenca e saj, dhe objekteve të tjera, shpresohet, mund të shërbejë qoftë në mënyrë modeste për të ndriçuar sadopak nëpër amnezinë e një qyteti në ndryshim.
Kjo është ndoshta shumë për të kërkuar nga një mbajtëse modeste qirinjsh, apo edhe nga pak kuadro e dokumente kaligrafike. Potenciali proporcionalisht modest i këtyre objekteve synon të shërbejë për të shënuar jo vetëm prezencën e tyre, por edhe mungesën e objekteve të humbura apo shkatërruara. Teksa kjo mungesë është në mënyre primare rrjedhojë e Revolucionit Kulturor në Shqipërinë komuniste, ajo është gjithashtu rrjedhojë e mangësive ekonomike e kulturore gjatë tranzicionit, ku objektet që i shpëtuan frikës gjatë diktaturës, përfunduan tregjeve të lira, shpesh për fatin e mirë të koleksionistëve të huaj. Do mjaftonte ndoshta të vihej në dukje se Muzeu Historik Kombëtar, ashtu si shumë institucione të tjera kombëtare të kulturës, nuk konsideroi asnjëherë mundësinë e një prezence të dedikuar trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore islame tek shqiptarët.
Në traditën osmane – por jo vetëm – bukurshkrimi me emrat e ‘Shokëve të Shpellës’ shpesh është përdorur për të konstruktuar artistikisht forma anijesh. Por shpella është shndërruar lehtësisht nga artistët në Anijen e Nuhut (Noes), prej përputhjes metaforike në funksionin shpëtimtar. Pamjet e anijes me emrat e Shokëve të Shpellës shpresohej të thërrisnin kështu mbrojtjen e lartë (“qetësimin e detit”) në mjedise private a publike ku ekspozoheshin. Prej prezencës së dy tablove të tilla, ku velat dhe anija janë ndërtuar përmes shkronjave të emrave të Shokëve të Shpellës, merr edhe emrin kjo ekspozitë: “Hapet Vela: Në kërkim të shenjave orientale në trashëgimi.” Në mënyrë gati skematike, të tilla evente premtojnë të shërbejnë si një lloj udhëtimi në kohë. Megjithatë, ideimi kuratorial nuk është kronologjik, por tematik. Mbi të gjitha, objektet e investuara në mënyrë devocionale ngaherë premtojnë në esencë të transhendojnë vetë kohën. Bujrum.
© 2024 Besnik Sinani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.