Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kujtime

RRUGËT E BALLAKUMES

nga Jonida Xhyra-Entorf

Lulet e portokalleve janë pjesë e pandashme e çdo oborri të shtëpive përdhese në Elbasan, sado i vogël qoftë ai. Nëse je rritur me lulëzimin e përvitshëm të portokalleve, me parfumin dehës që përhapet rrugëve dhe rrugicave, veçanërisht pas shiut, me prarimin nazik të petaleve të tyre poshtë pemëve, je bërë përgjithmonë rob i këtij vegimi. Në mars, ende të padukshme, por të pranishme, lulet e portokalleve janë duke sumbulluar nëpër degë. Dita e Verës është kasnecja e tyre e parë.

Si një festë e lashtë, etiomi[1] i Ditës së Verës është fare i qartë: festohet ringjallja e natyrës, kalimi nga një cikël në një tjetër dhe ky festim shoqërohet me rituale të ndryshme. Në mitologjinë greke për shembull është i njohur miti i Korës, vajzës së Demetrës, të cilën Hadesi e rrëmben në mbretërinë e tij të nëntokës. Zgjidhja e gjetur është një etiom, sipas të cilit Kora e kalon një pjesë të vitit nën tokë si mbretëreshë e të vdekurve (Persefoni) dhe pjesën tjetër mbi tokë pranë të ëmës, duke ofruar kësisoj shpjegimin për mbarimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

Etiomi i Ditës së Verës lidhet me hyjneshën Diana Candaviensis, hyjneshë e fisit të kandavëve, perëndeshë e natyrës, pyjeve, gjuetisë, blegtorisë, tempullin e së cilës arkeologu austriak Karl Paçi (Karl Patsch)[2] e lokalizon afërsisht në provincën  Kandavia, në  lindje  të  Elbasanit, duke vërejtur se vendi duhet kërkuar në gjirin e Shkumbinit afër Babisë.[3]

Në rastin e Ditës së Verës etiomi ofron një konstante, e cila vjen deri në ditët tona përmes ritualeve të ndryshme dhe takëmeve të tyre. Në kujtesën e brezave dhe për më tepër të individit, hapësirat e këtyre ritualeve janë “vendet jashtë të gjitha vendeve”[4], po të shprehemi me gjuhën e Fukosë (Michel Foucault: 1926-1984), vendet pa truall të fëmijërisë, të cilat shihen vetëm duke i mbyllur sytë, me sytë e mendjes. Ndoshta më mirë të themi me sytë e zemrës.

Ëmbëlsira karakteristike e Ditës së Verës është ballakumja dhe bërja e saj bën pjesë si të thuash në nderin e një familjeje elbasanase. Rituali kushtëzon artefaktet dhe përbërësit. Me sytë e zemrës unë shoh të varur në mur kusinë e vogël prej bakri, ku rriheshin ballakumet, kusi e cila përdorej vetëm një herë në vit, dhe përpara Ditës së Verës shëtiste nëpër të gjithë lagjen. Po ashtu dhe luga e madhe prej druri.

Im atë e zgjidhte gjalpin tek fshatarët me kujdes të madh, pasi kërkonte disa ditë me radhë. Kur ime më e digjte dhe e linte të ftohej, derisa në fund të mblidhej draja, era e tij e mbushte të gjithë shtëpinë. Rrahja e ballakumeve i ngjasonte një inskenimi, ku çdo lëvizje e kishte një kuptim dhe merrej shumë seriozisht. Ime më e përthyente qilimin në pjesën përpara kuzhinës dhe shtronte një batanije të vjetër me një gazetë në mes, mbi të cilën vendoste kusinë e vogël prej bakri. Përreth saj ulej im atë, forca e të cilit ishte e pazëvendësueshme në rrahjen e ballakumeve, ime më, gjyshja dhe unë. Im vëlla vinte hera-herës për të parë a ishte krijuar e plotë shkuma nga rrahja e sheqerit, gjalpit dhe vezëve, dhe për t’u lutur ta provonte atë. Për mua përgatitja e ballakumeve ishte si një film që xhirohej përpara syve të mi.

Kur im atë merrte lugën në dorë, ime gjyshe bënte urimin “të na gjejë nga mot gëzuar”. Ky urim i miradijshëm dhe ndjellamirë më kumbon akoma në vesh. Pastaj luga prej druri e rrihte me furi vetëm në një drejtim masën brenda kusisë dhe për çudi ajo lëshohej nazike anëve te kuqërremta të saj. Rrethi i kuqërremtë fiksohej nga duart tona gjatë rrahjes. Lëvizja e dorës së tim eti kishte forcë, po të mos ishte ai, shkuma nuk do të ngjizej kurrë aq e bukur. Por kur lugën e merrte në dorë ime gjyshe, shkuma për çudi i bindej dorës së saj të dobët, por të sigurt në drejtimin që i jepte, pa më të voglin kundërshtim. Edhe mua më vinte radha ta merrja në dorë lugën e madhe prej druri, por me mua shkuma tallej fare hapur. Ime më, si gjithmonë e kudogjendshme, organizonte gjithçka. Shumë më vonë arrita ta kuptoj peshën e asaj kudogjendjeje të pafjalë, falë së cilës funksiononin ose lehtësoheshin kaq shumë gjëra.

Kur vinte radha për të futur vezët, gjyshja jepte udhëzime te prera, për më tepër, kur me lëvozhgën e vezës duhej të hidhej dhe masa e finjës. Hedhja e miellit për mua nuk ishte më interesante. Po të hidhej miell më shumë se ç’duhej, ballakumet dilnin si topçe dhe nuk krijonin ato krisat karakteristike përsipër. Po të kishim më pak miell se ç’duhej, ato hapeshin shumë dhe shkërmoqeshin. Pasi kishte mbaruar çdo gjë, mua më pëlqente t’i mbaja edhe pak duart e hapura rreth kusisë së bakërt, e cila përçonte një ngrohtësi të këndshme.

Kur shkonim në furrë me tepsitë në dorë, im atë fliste gjithmonë me furrxhiun për temperaturën e furrës. Gjyshi im kishte bërë dikur simite me bugaçe, një tjetër specialitet i qytetit tim. Më pas, kur ia kishin shtetëzuar dyqanin, ai kishte punuar si furrxhi. Pothuajse çdo lagje kishte furrën e saj dhe, pas viteve 90, secila prej tyre humbi ose u përshtat në funksion. Çuarja e tavës në furrë zakonisht ishte detyra ime ose e tim vëllai dhe kjo ishte një nga ato gjëra që unë i bëja me shumë dëshirë. Syprina prej çimentoje, mbi të cilën tavat dhe tepsitë prisnin radhën për t’u futur në furrë, ishte si sofra e përrallës që mbushej plot me një fjalë të vetme. Kur furrxhiu hapte siparin e furrës, në sfond dallohej luhatja e flakës përmbi tullat e kuqërremta, vende-vende të nxira.

Nganjëherë më kishte qëlluar të shihja nga dera e hapur përbri siparit të hekurt, se si furrxhiu fuste drutë dhe tallashin në furrë. Tallashi lëshonte një aromë të veçantë, që përzihej me aromat e gjellëve të ndryshme. Ditën e Verës, tryeza prej çimentoje e furrës mbushej plot me tepsi te rrumbullakëta të madhësive të ndryshme. Kur shkoja me tim atë për t’i marrë ballakumet nga furra, era karakteristike e tyre e kishte mbushur ndërkohë tërë rrugicën. Krisat që ballakumet merrnin përsipër kur piqeshin, dikur më dukeshin si rrugë mbi copëza hartash, të cilat mbanin secila nga një botë të ndryshme mbi kurriz. Për çudi asnjë ballakume nuk i ngjante tjetrës.

Vite më vonë u përpoqa t’i bëj ballakumet në Mynih për familjen time. Shitoret turke ofrojnë shumë specialitete të njohura për ne dhe nuk ishte problem t’i gjeja të gjithë përbërësit. Një përbërës natyrisht nuk kisha si ta blija, finjën. Për një moment pata ngasjen praktike të ndez në oborr një zjarr të vogël dhe të mbledh hirin, por aty për aty m’u shfaq fare shkoqur pataksja e fqinjëve të mi gjermanë, moskuptimi karshi çdo lloj shpjegimi, madje deri dhe ardhja e zjarrfikëses …

Kur më në fund ballakumet i bëra, duke e zëvendësuar finjën me pak qumësht, rezultati doli për të ardhur keq. Ballakumet u hapën dhe u bashkuan me njëra-tjetrën dhe mua m’u desh t’i prisja në copa të madhësive të ndryshme. Nga krisat përsipër nuk shihej asnjë gjurmë. Ishte një pamje e mjerueshme. Im shoq dhe fëmijët e morën me humor, duke më thënë se “ky lloj keku është paksa i çuditshëm”, pa e kuptuar se ky ngushëllim më dhimbte akoma më shumë. Krahasimi i ballakumeve me një lloj keku është absolutisht i papranueshëm. Ballakumet janë ballakume, as kek, as biskota, as gurabije. Më dukej sikur pas shpine ndieja vargun e plakave të lagjes, që më tundin me zemëratë kusitë e bakërta dhe lugët e drunjta, të trashëguara brez pas brezi.

“Nuk u pëlqen vendi, me sa duket”, më ngushëlloi im atë në telefon nga Elbasani. Ballakumeve nuk u pëlqente Mynihu. Copat e prera të ballakumeve të mia i ngjasonin një harte memece, pa rrugë, pa krisa. Syprina e tyre e lëmuar rrezatonte një uniformitet acarues. Krisat sipër ballakumeve, që i shoh kur mbyll sytë, ishin “rrugët e ndryshme që të çonin në Elbasan”, më saktë në pranverë. Aty ku ballakumeve u pëlqente vendi. Ndoshta prandaj, kur u dhuronim hisen e Ditës së Verës të afërmve dhe fqinjëve apo kur im vëlla shkonte “për të bërë këmbë” dhe kthehej me një të tillë prej tyre, mua më dukej sikur kishim marrë “një mikrobotë”, që rrëfente dhe përçonte, një copëz harte me krisat përsipër, si të thuash krejt ritualin e rrahjes së ballakumeve, filmin e xhiruar mes katër mureve të shtëpisë tjetër, ngrohtësinë e duarve të njerëzve të saj. Nga krisat përsipër apo aroma që lëshonin ballakumet, unë dhe im vëlla rrekeshim të gjenim, se kush nga fqinjët apo të afërmit i kishte sjellë, dhe në më të shumtën e herëve i binim vërtet në të.

Etiomi i ringjalljes së natyrës në festën e bukur të Ditës së Verës është një konstante që rrugëton nga lashtësia dhe gjatë këtij rrugëtimi merr formësime të ndryshme. Brenda ritualeve të kësaj konstanteje, të këtij etiomi, ashtu si brenda ritualit të bërjes së ballakumeve, lindin dhe zhduken profesione, artefakte, mbivendosen dhe thërrmohen shtresëzime kujtimesh të brezit dhe individit, por në ajër mbetet ajo shija e hollë dhe poetike që përshkruan Konica[5] kur flet për festën hiroshe të Ditës së Verës.

 

© 2024 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Shënim: ilustrimi është krijuar me Midjourney.

 


[1] Etiologjia (Ätiologie) si parim i rrëfimit ngërthen brenda vetes shkakësinë kryesisht të dukurive natyrore dhe një gjendjeje të hershme.

[2] Karl Patsch (1855-1945), sllavist austriak, arkeolog dhe historian. Libri i tij për ilirët është përkthyer dhe në shqip (shih më poshtë).

[3] Patsch, Karl: Ilirët, Uegen, Tiranë 2004, f. 54.

[4] Foucault, Michel: Andere Räume. Në: Barck, Karlheinz (botues): Aisthesis. Wahrnehmung heute oder Perspektiven einer anderen Ästhetik. Essais. Reclam, Leipzig, 1993, f. 39.

[5] Konica, Faik: Dita e verës. Vepra 1. Tiranë, 2001, f. 104.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin