Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime

MONOLOGËT E VIRXHINIAS (II)

nga Lira Merxhani

3. Hurma

Dani… ia mbaj mend mirë emrin, por asgjë tjetër. Asgjë s’ka mbetur, veç një trupi të vogël me dy hurma në dorë të zgjatura drejt meje. Pastaj unë përfundova nën rrotat e autobusit që s’e vura re, diku aty në barkun e tij të zi midis katër rrotave, por, për shkak të trupit të vogël, shpëtova gjallë veç me ca gërvishtje. Ndoshta, simbioza me autobusin që ma kanë kujtuar shpesh, më ka ndihmuar ta mbaj mend atë moment të largët kur Dani më ftonte të kaloja rrugën drejt trotuarit ku qe ai, dhe ku, ulur tek bordura e murit mbi trotuar, do hanim secili hurmën e vet duke bërë një lloj muhabeti që, sot, nuk kam aftësinë ta imagjinoj dot me realizëm të mjaftueshëm. Ndoshta, jo; Dani me ato hurma në dorë mund të ketë qenë një thirrje e hershme e gruas brenda meje. Dani dhe unë, të dy rreth katër vjeç, në dy krahët e kundërt të rrugës, atëherë, jo më e gjerë se tre metra. Dani i vogël, moshatar i imi rumun, i biri i konsullit tregtar të asaj kohe, që më thërriste nga ana përbri e rrugës me dy hurma në dorë. E shoh edhe sot mu aty, kur kaloj në atë pikë çuditërisht krejt të pandryshuar të Tiranës. Një hurmë për vete e një për mua, që mua m’u duk më shumë si një për mua e një për vete. Oborri im qe i mbushur me hurma, ashtu si ai i shtëpisë ku jetonte Dani, ashtu si oborret e shumë Xhepave, Asmonëve, Timove, Fahrieve, Sulëve e Polikronëve të lagjes. Po të kishe oborr në Tiranë, do kishe edhe hurma, portokalle, rrush, mana, caraca, fiq, kumbulla, qershi, ose gjithë sa më lart si dhe shumë trëndafila. Po hurmat e Danit ishin te parezistueshme… ndaj unë u nisa, dhe, veç autobusi që paqshëm më thëthiti përfund, mundi të ma frenonte rezolucionin.

Dani sot, kujt i jep hurma, kë do të joshë e ta bëjë shoqe, a është gjallë Dani sot? Kë ndjell djallëzisht poshtë autobusit? Si e kishte në fakt emrin? Loredan a Adrian, Daniel, Danil, ndoshta thjesht Dan? Diçka si Dan Ovidiu Bînulesku. Nuk dua të luaj me lexuesin për punën e thithjes prej autobusit Skoda. E përfshiva këtu vetëm sepse, sado traumatik, autobusi s’ka pasur asnjë rëndësi në memorien time të gati 60 vjetëve; Dani me hurma, po.

Dani më jepte një hurmë asaj dite, po mua hurma s’duhet të më kishte tërhequr edhe aq me femërorësinë e saj. Duhet të tërhiqesha nga veshë rrushi nëse radarët gjenetikë e trashëgimia historike kishin nisur në atë kohë të gdhendnin idetë e mia ende të pabëra njësh. Kultura ime praktike sapo kish nisur t’i dallonte gjinitë dhe metaforat për to. Sekset, edhe pse më të hershme, donin dekada të përtypeshin lirshëm në diskurs. Ndoshta ofertën dashamirëse të Danit, me trurin seksual të 4-vjeçares e kisha përmbysur dhe parë si pasqyrim simetrik i asaj që projektonte Dani që të më merrte hurmën që unë po merrja prej tij. Edhe pse, duke njohur kokën dhe historinë time, mund të mos kisha dashur t’ia jepja hurmën time Danit në një moshë tjetër, me lehtësinë që më shtyu atë mëngjes të shijoja në kokë paraprakisht, çfarë Zoti njerëzor do ta ndëshkonte për punë sekondash, me dërgimin e një autobusi të vjetër e të rëndë Škoda. Atë që Dani në pafundësinë psikanalitike vënë kokëposhtë po me ofronte duarhapur, rastësia e një aksidenti po e rrëmbente. Ndjeva turbullt, se në një farë mënyre Dani po më jepte e rijepte veten time, seksualitetin tim për herë të parë, hurmën time pra… që ta soditja nga distanca e trotuarit përballë, ta hulumtoja e fatlumisht, ndoshta edhe ta kuptoja si një fillestare e zellshme.

E teksa endesha në trotuarin kundruall nën joshje irracionale hurmash dhe hurmash iracionale, në çastin e mbramë, vendosa të rrëshqas pa rezistuar më drejt Danit që më dhuronte hurmën time. Pastaj erdhi errësira, pesha e diçkaje më të thellë se nata nën të cilën gjendesha, për çudi, fare e qetë. Nuk kisha frikë. Si një shenjë kjo për mua, që natyra ime e vërtetë është introverte, në paqe me të qenët vetëm dhe pa prezencë sociale, natyrë që më pas e kam shtrënguar ta transformoj derisa sot ndihem mirë e më mirë mes njerëzish. Vetëm doja të dija ku isha. Ndoshta kisha vdekur. Koka njerëzish. Pashë dritë. Prej një kornize drite u zgjatën duar që më tërhiqnin. Jam në të njëjtën botë ku isha para se të vdisja, por ku as Dan s’ka më, e as hurma shoh përqark. Njerëz më prekin kokën, ballin. Fytyra grash të zbardhura nga tmerri. Njoh teta Balin që na sjell krem tetraciklinë kur më dalin ethe në faqe. Kish qëlluar në atë autobus. E di që dalja e etheve në faqe apo buzë quhet pjerdhje. Kështu i thotë nona me një term shkencor shfaqjes së tyre. Mua ethet më pjerdhin sa herë ftohem ose kam grip. Është po ai herpes që e kam ende sot, sido që shumë të dobësuar e të rrallë. Teta Bali është e bukur, sido që tetraciklina e saj s’ka bërë kurrë asnjë efekt. Prindërit e mi i janë mirënjohës. Pupupu-të dhe qyqjaqyqja-t e njerëzve ngatërrohen. Më çojnë në ambiente më të njohura e njerëz më të afërt. Larg Danit…që nuk e kam më idenë ku është, nëse është. I mjeri Dan, mundet që u ndie me faj, e u fsheh në shtëpi. Hurmat janë po ashtu larg e unë pa mundim i harroj. Bëhem qendër vëmendjeje për atë ditë. Nuk e kisha shpesh këtë fat. Pastaj kujtimet kthehen tek momenti para autobusit. Janë gjallë ende sot.

Hurma është vështirë të shihet prej tiranasit të rritur si simbol seksual, pa u sforcuar pak. Por ka edhe si unë, që mendojnë se Tirana ka qenë sexy, dhe kollaj e shohin atë si hurmë. Nuk ua këshilloj dhe as uroj këtë atyre të grupit të parë. Hurma dhe Tirana ndoshta ndoshta janë pa seks për dikë që është “lind e rrit” në Tiranën e vjetër, që para se ajo të betonizohej, kur Tirana ishte në fakt qytet hurmash. Çdo shtëpi tiranasish kish oborr, dhe çdo oborr kish së paku disa hurma e disa kalamaj. Çdo hurmë kish disa kokrra farëzeza. I njihnim nga larg prej formës dhe ngjyrës. Hurma qe pjesë integrale e të jetuarit të përditshëm, fëmijërisë dhe rritjes, që kur dilnin sythet e reja të gjetheve në pranverë, tek formimi i kokrrave të vogla jeshile që rriteshin nën bazën e gjelbër 4-gjethëshe, që dikur kish funksionuar si dysheku i lulehurmave bardha-krem që vyshkeshin dhe binin duke harruar në majën e frutit që rritej e xbukuronej pistilin e vockël që thahej e errësohej, por ngelej aty në majë si rojë besnike, edhe kur hurma bëhej krejt lluqe e binte vetiu përdhe. Ua njihnim hurmave aromën e hidhur kur ishin jeshile, rritjen e frutave, pamundësinë për t’i rezistuar ngasjes dhe pickimit me thua, kur pema nuk bënte shumë farëzeza. I hanim ende të forta edhe kur s’ishin farëzeza, mbiemër që shpesh përdorej edhe si hurmë farëzì. Besoj sillej si mbiemër i pandryshueshëm në kokën tonë, si në rastin e qiell gri e derë gri. Hanim hurmat portokallì ende të papjekura mirë, derisa na zinin fytin e na linin pa frymë, e prisnim që dikush të na binte fort pas shpine, por nuk të ikte trashja e çuditshme e qiellëzës dhe gjuhës edhe gjysmë ore më pas. Po, kush i gjente, hante farëzezat, deri në palcë, se, pasi i hanim, u ndanim më dysh bërthamat që të shihnim nëse brenda kishin, lugë, pirun apo thikë. Po të të binte lugë, do bëje gocë, po të të binte pirun, do bëje çun. Po çfarë do bëje po të të binte thikë?! Ndoshta binjakë. I tillë si hurma për Tiranën është edhe seksualiteti për njeriun, sido që e shohim në sy gjithnjë me vonesë. I afërt, i natyrshëm, i kudogjendshëm në gjithë shfaqjet e format e individit. Seksualiteti, si hurma, është në zhvillim e ndryshim. Një që është rritur mes hurmave, e di sa pa lidhje janë shijet, konsistenca, duku i një hurme të fortë farzi, një hurme të pabërë, dhe një hurme lluqe në pikën më të bukur të maturimit të vet. Por janë të gjitha faza të së njëjtës gjë, që ishin brenda saj që në origjinë. Ashtu si edhe seksi.

4. J. që vizatonte lepuj

J. ishte ai që vizatonte më mirë në kopshtin nr. xyz të Tiranës. Asnjë tipar tjetër të veçantë nuk mbaj mend prej J. Aspak, se si dukej. Apo ishte edhe si më hokatari i grupit, më duket. Por ajo që bënte shumë përshtypje ishte se vizatimet që bënte J., ngjanin vërtet me qeniet reale. Tonave nuk ua gjeje dot me mend referentin. E adhuronim të gjithë për këtë aftësi. Kuptohet që edukatoret, si ishte zakoni, thoshin në çdo orë vizatimi: “J. ka bërë vizatimin më të bukur në grup, si gjithnjë.” Kishim dy edukatore: njëra quhej Bubulina dhe kish dy këmbë shumë të trasha në formën e shishes, që më bënin përshtypje, se tek gjuri ishin më të holla se tek kyçet. Tjetra quhej Geraldina, dhe ishte brune me sy me rrathë të zinj poshtë, tipar që unë, prej asaj kohe, e konsideroj ende si kulmin e bukurisë së syrit femëror. Rrinin të dyja me përparëse të bardha. Kur na nxirrnin të luanim në oborr, zysh Bubulina ulej në hijen nga ku na vëzhgonte, dhe i ngrinte këmbët mbi një karrige kalamajsh, se i dhimbnin. Por jo zysh Geraldina, edhe pse qe më e vjetër. Mbaj mend që vazhdimisht na vinin të flinim nëpër krevatë afër njëri-tjetrit. Mund edhe të kërceje nga shtrati në shtrat. Mund të të çonin aty edhe si dënim, edhe pse nuk ishte koha e gjumit. Nuk e kam dashur kurrë gjumin e drekës, ndaj më bëhej se na çonin nëpër krevatë disa herë në ditë. Por ndodhte vetëm një herë, pasi hanim drekën. Ndenja në kopshtin XYZ vetëm pak muaj kur sapo kisha mbushur pesë vjeç, se në shtator të po atij viti më futën në klasë të parë. Donin që të mësohesha me disiplinën e grupit dhe shkollës, para se të hyja në klasë të parë. Nuk dija as të lexoja, as të shkruaja, as të vizatoja. Disa kalamaj e dinin gjithë alfabetin përmendësh para se të hynin në shkollë. Ndonjë tip me syze, i njihte gërmat që para 1 Shtatorit, edhe pse nuk lexonte dot. Unë mezi mbaja penën në dorë. Imagjinoni sa e aftë isha të vizatoja një njeri apo një kafshë kur sa kisha mbushur pesë vjeç.

Mua më rriti nona, dhe më llastoi babagjyshi. Jo llastim në kuptimin e sotëm. Isha kalama me halle si gjithë shqiptarët, edhe ata të Tiranës. Por isha mësuar të më ecnin disa teka, të mbrohesha prej burrit më të rëndësishëm të shtëpisë, babagjyshit, edhe kur e kisha menderosur muhabetin apo kisha bërë një dëm të evitueshëm. Kopshti nuk qe parajsë për mua. Më kishin çuar tepër vonë, kur nona nuk ia dilte më me gjithë punët që kish. Nuk e doja rregullin e edukatores dhe as grupin e madh të kalamajve. Nuk duroja dot kalamjtë që bënin hile kur luanim apo i dilnin të tjerëve përpara në radhë. Por në vend që të bëja si ata ose të pajtohesha me fatin tim të keq në moshën kur fiton më agresivi, e mbaj mend që nxehesha keq nga brenda. Isha rebeluar disa herë. Kisha ikur pa lejë nga kopshti dhe isha endur nëpër Tiranë derisa kisha gjetur vetë rrugën për në shtëpi. Jam e sigurtë që edhe unë s’u pëlqeja disa kalamajve në kopsht për arsye që s’i marr dot me mend. Kishte, ama, edhe nga ato goca që ishin, si të thuash, perfekte. E di që unë nuk isha perfekte sepse e kujtoj mirë sa shumë doja të isha si ndonjë perfekte dhe llasticë e një kategorie shumë më perfekte se e imja. Por nuk i imitoja, as u vardisesha. I admiroja nga larg dhe isha rehat me veten. E mbaj mend që, ndryshe prej shumë kalamajve, krahasoja, mendoja, parashihja, ëndërroja. Ia njihja disa avantazhe vetes. Edhe sot, kur shoh fotografi të asaj kohe, vërej qartë si ma vishte syrin dhimbja e të menduarit dhe e të parit ku isha.

Ja, tamam në këto kushte, erdhi ora e vizatimit, një ditë pranvere. Na kishin ulur të gjithëve në tavolina të rrumbullakëta që merrnin 5-6 kalamaj secila, ashtu si bëhej edhe gjatë drekës, me nga një letër vizatimi e lapsa me ngjyra përpara. Unë kisha qëlluar në po atë tavolinë si edhe J. dhe, po aty, edhe njëra nga ato gocat perfekte, që zakonisht kishin edhe flokë të gjata kadifeje me bukla e onde. Koka ime ishte si kaçile me flokë të fortë e të dendur prerë shkurt pa ndonjë kujdes të veçantë. Tema ishte “Vizatoni një lepurush që po ha karota në një lëndinë”. E kisha aq të qartë në kokë imazhin. Idili po m’i mbushte sytë me lot e zemrën me ngrohtësi. Iu futa me bindje që do bëja një kryevepër. Me kalemin jeshil bëra një vijë të gjatë e të lakuar përgjatë mesit horizontal të faqes. Bëra edhe një kafe ndërthurur me të parën, se toka ish ngjyrë kafe. Bëra një diell në cep lart. Bëra një mal në sfond në mes. Shtova edhe bar, edhe re. Isha e lumtur me lëndinën time. Hodha sytë nga vizatimi i J. Ai nuk kish bërë një, por dy lepurushë, me karota aq të mahnitshme e reale shtrirë para lepujve, më të gjata se trupat e tyre. Ishte një kuadër i adhurueshëm. Edukatorja i bëri J.-së komplimentin veçues e të pamungueshëm. Dhe më pas i dha një këshillë që s’e priste kush. “J., pse nuk i ndihmon edhe të tjerët me lepurushat e vet?!” Zysh Geraldina ishte në fakt jo vetëm gruaja më e bukur në botë, por edhe më e ëmbla. Lum si kalamajtë e vet që e kishin mama! Kalamajtë e tavolinave të tjera u ngritën të vinin në tonën të shërbeheshin me lepurusha gati. J. nuk ishte tip që fryhej. Besoj se prandaj ia vlerësoja edhe më shumë lepujt. Edhe pse të tjerët u vërsulën, ne që ishim aty në një tavolinë me J.-në, i kërkuam më parë të na i bënte vizatimet. Unë besoj se isha ndër të parat që i kisha kërkuar, se e kisha edhe përballë. E mbaj mend mirë që J. pyeti gocën perfekte në tavolinën tonë nëse mund t’ia bënte asaj së parës. Pa dyshim që ndoqi një ‘po’ e gëzuar. Bëri një tjetër, edhe një tjetër. Edhe një tjetër. Gjithë grupi i dhomës, tashmë, ish kthyer në gardh rrethor mbi shpinat tona që i takonim tavolinës së mjeshtrit. Zukama mbi kokë më rritej: “timen tani, timen”. Por unë isha mu përpara J-së, dhe, në atë tunel lënë mes kokave e letrave të vizatimit që zgjateshin, mora forcë, gjeta një moment kur na u puqën sytë, dhe i kërkova të vizatonte lepurushin mbi fletën time. Sytë e J-së panë qetë nga unë pa më dhënë asnjë shenjë shprese, por pa asnjë inat dhe dhe pa reaguar. Më dëgjoi pa dyshim, por u soll sikur të kish parë a dëgjuar një objekt pa interes që kish rënë vetiu prej dollapit përballë. Ai objekti që kish rënë, ndërkaq ish thyer e bërë copë-copë, pa lëshuar asnjë tingull e pa u vënë re prej askujt. J. iu kthye punës në vizatimin e radhës. Unë e njoh atë ndjesi që pata prej asaj dite ende sot, si ftohje dhe grisje dhe shtypje e njëkohshme e zemrës. Si rënie në boshllëk. Ishte hera e parë që e ndjeja.

Isha 25 vjeç kur takova prapë J-në, kujtimi i fundit i të cilit ish pesha e shtytjes. Nuk e di si është zhdukur prej kujtese gjithçka pas asaj dite, por ajo ditë për të cilën si kisha folur kurrë askujt, ngadhnjente mes mikeshave, plazheve, ditëlindjeve, qarjeve, ankimeve, sukseseve, dështimeve. E kërkova unë. Asnjëherë s’ia kam mbajtur mend pamjen, e s’ia kam ditur mbiemrin. Pesha e lëndimit kish jetuar disa ditë me mua atë muaj të largët vere, si një peshë që doja ta nxirrja prej brenda trupit, por nuk dilte. Nuk mbaja mend asnjë tjetër nga ata që kam pasur në kopsht, veç K-së, një shok me të cilin kam qenë në një klasë që prej atyre pak muajve që zgjati “kopshtaria” ime, deri sa mbaruam gjimnazin. Dhe sigurisht J-në që më solli pezmin e parë të zemrës. Vonë, vonë, kur ishim të rritur, mbasi unë kisha mbaruar edhe universitetin, ra llafi një herë më K-në që ishim të vetmit në klasën e gjimnazit që kemi qenë bashkë që në kopsht. Atëherë e pyeta: a e mban mend një J. që e kemi pasur në kopsht? I thashë se ishte i vetmi që unë mbaja mend. K-ja reagoi menjëherë. Ai kish ndenjur disa vjet në çerdhe e kopsht, dhe mbante mend edhe plot të tjerë. Po, sigurisht, tha K. J. kish një emër të vjetruar jugor që s’e ngatërroje dot me emër tjetër. Një mik inxhinier i tim eti e kishte emrin njëlloj. Përgjithësisht, ishin njerëz të një tjetër brezi. Isha e bindur që K. fliste për atë që më theu zemrën i pari. K., dinte edhe se ku ishte J., ç’shkollë kish bërë e me se merrej. Ishin takuar nëpër Tiranë. I thashë se doja ta takoja. Dhe u takuam të tre. Nuk i tregova J.së se çfarë kish ndodhur larg, në një kopsht me tulla të kuqe mbuluar me pemë e rrethuar me oborr tërë hije e mure gëmushash. Por i thashë se e mbaja mend mirë, kujtoja edhe se ishte piktori i shumëkërkuar i grupit tonë, dhe se lepujt që vizatonte ai, s’i bënte kush në botë. Por pasiguria e J-së, sytë që s’i mbante kurrë në një pikë, përmasat si të zvogëluara si të shtypura të trupit, kakarisja e pakëndshme e së qeshurës së tij, dhe sidomos paaftësia për të thënë as edhe një gjë që të ngjallte interes, më dërmuan. Mezi prisja të ikja. Dhe i përshëndeta e u largova. Ndoshta takohemi prapë, i thashë J-së. Ndoshta, duhet të ndihesha mirë. Por më ishin thyer gjithë kockat e trupit dhe ecja nën dhimbjen e tyre. Edhe J. i mjerë duhet të ish zhgënjyer. Me siguri K. i kish treguar paraprakisht për interesin tim me brirë që ta takoja. U ndjeva edhe më keq se atëherë kur më tha jo, pa më thënë.

 

(c) 2024 Lira Merxhani. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin