Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KARIKATURA E NGRIRË E DEMOKRACISË

nga Ilir Yzeiri

Viti 2024, mesa duket, është shenjuar që në fillim se do të jetë vijimi i vitit që shkoi dhe Shqipëria do të vazhdojë të qeveriset pa opozitë. Kështu, pas rreth 34 vjetësh, ne, shqiptarët, për fat të keq, i provuam vetes sonë dhe botës se demokracinë e njohim dhe e zbatojmë vetëm sipas modelit shqiptar, pra e formulojmë dhe e ristrukturojmë ashtu siç duam ne. Në nënvetëdijen tonë, forma më e lartë e qeverisjes është unitarizmi dhe autoritarizmi ose vullneti i prijësit. Ne vetë duket sikur jemi ndërtuar psikologjikisht ashtu. Nëse do të bëjmë një udhëtim të shpejtë në historinë e qeverisjes lokale shqiptare, do të vërejmë se forma e sotme, në thelb, është e njëjtë me modelin e ndërtuar në vite. Le të marrim familjen shqiptare sepse që aty nis qeverisja. Vendimmarrja në familjen tradicionale shqiptare ka qenë shenjuar nga autoritetit i vijës mashkullore, babai në fillim dhe në vend të tij, vëllai i madh. Dora D’Istria ka vërejtur se edhe fiset gjermanike kanë pasur këtë traditë sidomos në marrëdhëniet martesore. Për fatin e vajzës vendsote babai ose në këmbë të tij vëllai i madh, por gjermanët kishin një adhurim të veçantë për femrën dhe kur fliste ajo, për ta ishte njësoj sikur fliste sfinksi. Ndaj, – thotë ajo gjermanët janë ky komb që shohim sot. Familja patriarkale shqiptare që përjashtonte femrën nga çdo vendimmarje ishte modeli total i shoqërisë sonë. Ndërsa në krahina të mëdha, sidomos në ato të Veriut katolik, odat, kuvendet dhe organizime më të mëdha, më në fund iu nënshtroheshin vullnetit të kapidanit ose të bajraktarit. Studimi shoqëror i këtij organizimi ende sot nuk është bërë ashtu siç duhet, sepse gjatë komunizmit, studimet etnografike prireshin që të përcaktonin masën negative dhe reaksionare të çdo lloj forme të organizimit shoqëror sipas orientimit dhe opozicionit me formën më progresive të organizimit shoqëror që ishte forma socialiste. Prej disa vjetësh, Bashkia ka inicuar ndërtimin e komuniteteve të pallatit apo të banesës. Është një nga format fillestare të organizimit. Askush nuk i përfill ato. Në vetëdijen e shqiptarëve ka qenë një konstante e gjatë dhe e ngulitur thellë që ishte besimi dhe nënshtrimi ndaj autoritetit të qendrës. Marrëdhënia me qendrën ka qenë gjithmonë gati në kufijtë e sigurimit të ekzistencës materiale. Ato që njihen si kryengritje ndaj autoritetit të qendrës si ajo e Rrapo Hekalit janë pikërisht kundërshim i këtij autoriteti nga fryma e heroit që mobilizon te populli shpirtin rebel e kryengritës. Këtë cilësi shqiptarët e kanë trashëguar edhe sot. Vëzhgimet antropologjike duan kohë dhe analiza të thella, por modelet e qeverisjeve që u aplikuan mbi shqiptarët pas shkëputjes së tyre nga Perandoria otomane, ruajtën të gjitha autoritetin e qendrës dhe modelin e prijësit. Monarkia e Zogut dhe diktatura e Enver Hoxhës e gjetën të gatshëm terrenin mbi të cilin do të ndërtonin regjimin e tyre autokratik. Pas viteve ’90, kur regjimi komunist ra për shkak të asaj që ndodhi në Lindje, shqiptarët mbushën sheshet dhe u ngazëllyen rrugëve me dy gishta lart jo për të ndërtuar një sistem demokratik qeverisjesje, por për të frymëzuar elitën e re komuniste që u vu në krye të opozitës antidiktaturë dhe për t’i dhënë të drejtën asaj që të ndërtonte një shtet sipas modelit unitarist, por me kufij të hapur dhe me liri për të folur lart e poshtë si të duash dhe me nxitjen që morali i kësaj qeverisjeje do të varej nga retorika antikomuniste. Partia Demokratike që u krijua pas vitit ’90, për fat të keq, ashtu siç thotë edhe Sandër Lleshaj në një shkrim të fundit, u ndërtua sipas modelit të partisë komuniste e cila që në Kongresin e Përmetit e shpalli veten si parti-shtet. Edhe PD-ja, në emër të reformave demokratike, shkatërroi sistemin ekonomik dhe strukturat qeverisëse socialiste, prishi formën e shtetit, hodhi në erë ushtrinë, shërbimet e inteligjencies, drejtësinë dhe, në vend të tyre, ndërtoi një shtet hibrid ku liria në formë mbulohej me dhunën dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut, që ishte një formë e maskuar e luftës së klasave të trashëguar nga komunizmi. Opozita dhe lideri socialist Fatos Nano shpalleshin si armiq dhe vijues të komunizmit, ndërsa Sali Berisha, neodiktatori i ri, ai që kishte shkatërruar gjithçka të ndërtuar më parë në këtë vend dhe ai që po instalonte shtetin autoritar, vetëshpallej demokrat dhe adhurohej nga turma që e ndiqte si antikomunist. Ardhja e socialistëve në pushtet, pas vitit 1997, pati disa dritëhije. Socialistët u përpoqën që të vendosnin rregull pas kaosit që la pas qeverisja e Berishës. Në qoftë se në modelin ekonomik ata lejuan voluntarizmin dhe e shënjuan qeverisjen e tyre nga korrupsioni endemik, në jetën politike të vendit ata sollën një lloj paqeje demokratike dhe Fatos Nano, i liruar nga burgu politik, do të mbahet mend në historinë e pluralizmit shqiptar si i pari politikan udhëheqës që vendosi demokracinë e brendshme në një parti politike dhe lejoi edhe ndërrimin e elitave. Kështu, ai plotësonte figurën e tij si revizionist liberal. Ai vetë iu nënshtrua reformës që bëri në Partinë e tij duke pranuar edhe dorëheqjen dhe duke u larguar nga politika pasi humbi zgjedhjet në vitin 2004. Ardhja e dytë e Berishës në pushtet solli atë që është quajtur si krimi më i madh shtetëror i kryer ndonjëherë në këta tridhjetë vjet. Ai, siç e paraqiti Departamenti i Shtetit kur e shpalli non grata, u dallua për korrupsion madhor dhe e vuri shtetin në shërbim të familjes dhe klientëve të tij, minoi demokracinë dhe shantazhoi drejtësinë. Sot të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që po ndodh në PD. Një pjesë e saj, ajo më regresivja që njihet si grupimi i « foltores » vijon të njëjtën retorikë me fantazma komunistësh e mafizoësh, me delirime për revolucion e përmbysje, me ëndrra etërish e bijsh, me alucionacione për sakrificën supreme e gjithë marrëzitë e një retorike të dalë boje. Pjesa tjetër, ajo zyrtarja, e ardhur nga tradita berishiste, është distancuar në themel nga Berisha, por jo nga berishizmi në mënyrën e të bërit politikë. Edhe aty, koncepti se pas partisë qëndron shteti i ardhshëm, frymëzon më së shumti burokracinë politike të saj. Të dyja pjesët e këtij formacioni e kanë vrarë frymën opozitare dhe, në vend të saj, kanë krijuar shpirtin pragmatik burokratik opozitar që rri në atë pozicion politik në mënyrë që të marrë nesër një mandat deputeti dhe të gëzojë privilegjet e nëpunësit të lartë të shtetit. Nëse në një sistem demokratik, partitë politike, opinioni publik dhe mediat janë artefaktet ku vendosen programet politike, konkurenca dhe gara elektorale qeverisëse, në Shqipëri ka disa kohë që nuk ndodh kështu. Këtu ka vetëm një parti politike që është PS-ja dhe të tjerat, partitë politike të reshtuara në opozitë janë qendra zëri ose megafonë që ushtojnë nëpër studiot televizive çdo natë duke treguar anekdota demokratike dhe duke komentuar cirkun politik të Tiranës. Analistë e politikanë antiqeveritarë, çdo mbrëmje ndërtojnë cirkun mediatik me papagallë dhe konspiracionistë që ndërtojnë legjenda urbane për Ramën e qeverisjen e tij dhe e paraqesin mitin e demokracisë shqiptare si një narrativë me heronj legjendarë dhe me fate të vendosura nga Perënditë lart në Olimp, në rastin tonë në SHBA dhe në Europë. Funksionimi i shtetit me një gjendje të tillë të demokracisë shfaqet si një organizëm me drejtim vertikal ku instititucionet qëndrore dhe lokale të qeverisjes janë të gjitha të përbëra në frymë e në formë nga nëpunësit e partisë që ka fituar zgjedhjet dhe aktualisht, PS-ja që ka fituar edhe shumicën e qeverisjeve lokale ka zgjedhur aty dhe në përbërjen e tyre gjithë militantët e mbështetësit e saj. Institucionet e pavarura të sferave të kulturës, arsimit, shkencës, mjekësisë apo bordet që drejtojnë ato, kontrollohen gjithashtu nga partia fituese. Kjo formë qeverisjeje unitare dhe me modelin e partisë shtet ka përjashtuar nga qeverisja intelektualët e pavarur, profesionistët e nivelit të lartë, por edhe ata që aspirojnë të kenë një veprimtar të pavarur. Meritokracia jo vetëm që nuk ekziston më, por të gjitha garat që bëhen për institucionet e pavarura janë të manipuluara nga fryma e partisë shtet. Kjo është një nga arsyet pse shumica e profesionistëve largohen. Ata e kanë të pamundur karrierën në një vend ku vetëm anëtarësimi politik ta mundëson atë. Ndaj sistemi politik i sotëm në Shqipëri është një vazhdim i sistemit unitarist me dy parti apo formacione politike, të cilat këtë radhë mund t’i ndërrojnë vendet jo njëherë në katër vjet, por një herë në 25 vjet.

© 2024 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin