nga Jonida Xhyra-Entorf
Emri i baroneshës bavareze Amelie Marie von Godin (1882-1956) në albanologji lidhet kryesisht me përkthimin e Të drejtës zakonore shqiptare (Albanisches Gewohnheitsrecht)[1] dhe me botimin e Fjalorit Gjermanisht-Shqip të vitit 1930.[2] Për fat të keq veprimtaria e saj e shumanshme intelektuale si shkrimtare, publiciste, përkthyese, historiane, ditarshkruese, piktore, leksikografe, bamirëse dhe aktiviste për emancipimin e gruas, veprimtari e cila shtrihet në një hark kohor prej gjysmë shekulli, ka mbetur pak ose aspak e njohur për publikun e gjerë shqiptar, madje edhe për atë gjerman. Interesi i saj për Shqipërinë e ka zanafillën në udhëtimin e saj në Lindjen e Afërme, të cilin ajo e ndërmori kur ishte 22 vjeç, dhe, qoftë edhe ky detaj, do të mjaftonte për ta pozicionuar atë jashtë kornizave konvencionale të kohës. Përmes udhëtimeve të shumta në Shqipëri, Godin-i u bë jo vetëm një njohëse e shkëlqyer e gjuhës dhe e vendit, por njëkohësisht edhe dëshmitare okulare e ngjarjeve të rëndësishme historike në Shqipërinë e gjysmës së parë të shekullit të 20-të, duke krijuar, veç të tjerash, lidhje me personalitete të rëndësishme të kulturës shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Pikërisht rrjeti i lidhjeve të saj me albanologë të kohës brenda hapësirës gjermanishtfolëse në aspektin epistolar, konkretisht ndihmesa e tyre në zanafillën dhe rrugëtimin e fjalorit të saj gjermanisht-shqip do të jenë objekt i këtij shkrimi.
Vëllimi i parë i Fjalorit të gjuhës shqipe dhe gjermane (Wörterbuch der albanischen und deutschen Sprache, Band I) botohet nga Shtëpia Botuese Harrassowitz në vitin 1930. Në parathënien e fjalorit baronesha i shpreh falënderimin e saj për ndihmën e çmuar “profesor Jokl-it në Vjenë dhe veçanërisht në një masë të madhe edhe këshilltarit të posaçëm Weigand-it.”[3] Të dy emrat janë pa dyshim personalitete të spikatura në albanologjinë e lëvruar brenda hapësirës gjermanishtfolëse. Në rastin e Weigand-it[4], një gjuhëtar i cili nuk është marrë mirëfilli vetëm me shqipen, kemi pasur fatin të gjejmë në arkivin familjar të baroneshës katër letra, që ky i fundit i ka dërguar asaj, letra në të cilat shpërfaqet fare kthjellët ndihma dhe angazhimi i tij për botimin e fjalorit. Letrat janë të vitit 1926, ndërkohë që vëllimi i parë i fjalorit botohet në vitin 1930. Përveç letrave të Weigand-it, në arkivin e baroneshës gjenden dhe gjashtë letra të Maximilian Lambertz-it[5], i cili së bashku me Norbert Jokl-in është ndër albanologët më të rëndësishëm në hapësirën gjermanishtfolëse. Në këto letra, që i përkasin periudhës 1947-1949, përvijohet një fazë planifikuese për ribotimin e fjalorit, madje një bashkëpunim konkret i baroneshës me Lambertz-in. Krahas letrave të Weigand-it dhe Lambertz-it, në arkivin familjar të Godin-it gjenden dhe disa letra të Hans Harrassowitz-it, botuesit të fjalorit, të cilat e sendërtojnë kronologjikisht, si rrugëtimin për botimin e vëllimit të parë, po ashtu edhe projektin për ribotim, dhe për ta plotësuar në mënyrë fatlume mozaikun epistolar rreth fjalorit në fjalë, edhe një letër e Holger Pedersen-it[6] e vitit 1928, gjuhëtar ky, që kontributin e tij lidhur me gjuhën shqipe e ka publikuar kryesisht në gjermanisht.
Në rastin e Jokl-it[7], për fat të keq nuk ka asnjë gjurmë letërkëmbimi, megjithëse të paktën një herë, në vitin 1937, mund ta themi me siguri që ai dhe baronesha janë takuar në festimet e 25-vjetorit të pavarësisë në Shqipëri, sepse të dy kanë qenë të ftuar nderi. Edhe një letërkëmbim me siguri që ka pasur. Fakt për këtë janë shënimet dhe korrigjimet e bëra me shkrim dore nga Jokl-i[8] në ekzemplarin personal të fjalorit në fjalë, zbuluar në Bibliotekën Kombëtare të Vjenës. Një fotografi e faqes 340 të fjalorit[9] të Godin-it me shënimet e Jokl-it është botuar nga studiuesja Yvon Mechthild në vëllimin përmbledhës Të zbulojmë rishtas të përbashkëtën (Gemeinsames neu entdecken), në vitin 2018. Ndërkohë që në një artikull në Vjetarin Indogermanistik të vitit 1932, Jokl-i e vlerëson fjalorin e Godin-it si “tepër të pasur, duke marrë parasysh në mënyrë të hollësishme frazeologjinë dhe idiomat popullore (pjesërisht proverbiale).[10]
Letrat e Weigand-it dhe të Pedersen-it janë të shkruara me shkrim dore. Letrat e Lambertz-it dhe Harrassowitz-it me makinë shkrimi. “Shkrimi i dorës është një letër […], kurse shtypja […] një botim, dhe nga editimi nuk përftohet përsëri shkrimi i dorës, por teksti i tij.” [11] Letrat e Lambertz-it, megjithëse të shkruara me makinë shkrimi, i adresohen baroneshës dhe janë të destinuara vetëm për të, kështu që nga praktika editoriale klasifikohen në të njëjtin grupim me ato të Weigand-it dhe Pedersen-it. Në rastin e Harrassowitz-it, korrespondenca ndërmjet botuesit dhe autores shtresëzon praktikat kulturore të kohës dhe funksionalitetin në një fushë të caktuar të veprimtarisë njerëzore. Duke pasur një vlerë tjetër burimore, ajo do të merret në konsideratë vetëm në mënyrë plotësuese. Për ta përmbyllur këtë përsiatje terminologjike, në rastin e letrave të munguara të Jokl-it, Golgotha-ja e tij e panjohur[12], sipas cilësimit të Çabejt, e tejçon pikërisht përmes mungesës vlerën e saj burimore në mozaikun epistolar për fjalorin e vitit 1930.
Letrat ngjizin brenda vetes praktikat kulturore të kohës me veçoritë individuale e personale dhe janë kësisoj “burime historike dhe dokumente të kohës së tyre, ato u përshtaten konteksteve të ndryshme të përdorimit dhe janë tekste, që vënë në përdorim strategji specifike retorike dhe letrare, por njëkohësisht zotërojnë më tej edhe potencial estetik, performativ dhe imagjinar.”[13] Në rastin e Weigand-it, Pedersen-it, Jokl-it, dhe Lambertz-it bëhet fjalë për dijetarë që kanë dhënë një kontribut të padiskutueshëm për albanologjinë, edhe pse në rastin e dy të parëve albanologjia në veprimtarinë e tyre shkencore ka pasur një karakter jo të drejtpërdrejtë, kurse tek Jokl-i dhe Lambertz-i ajo ka zënë kryet e vendit. Godin-i nga ana tjetër, së bashku me Edith Durham-in (1863-1944) dhe Margaret Hasluck-un (1885-1948), edhe pse më pak e njohur për kontributin e saj nga dy të tjerat, bën pjesë në treshen e intelektualeve, të cilat patën një aktivitet jo vetëm unik, por edhe në disa fusha njëherësh lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Qasja e tyre intelektuale, qoftë edhe autodidakte, karshi realitetit shqiptar, ngërthen në vetvete përpjekjen për një qëndrim kritik asnjanjës, duke i vënë ato në pozitat e aktanteve[14] në marrëdhënie me aktorët e jetës politike, kulturore e fetare, në thelb me rrjetin intelektual veprues brenda dhe jashtë Shqipërisë së asaj kohe, dhe në rastin konkret edhe me rrjetin e albanologëve brenda hapësirës gjermanishtfolëse. Në këtë kuadër letërkëmbimi i albanologëve të mësipërm me Godin-in ka një vlerë burimore të dorës së parë. Filli lidhës i qerthullit epistolar është fjalori i baroneshës, por përtej tij, do të tërhiqet vëmendja edhe për aspekte të tjera të cekura në letrat e gjetura, aspekte të cilat ofrojnë një informacion burimor për albanologjinë e lëvruar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të.
Le të shohim tani fillimisht me rend letrat e Weigand-it. Të katra janë shkruar në një hark kohor prej gjashtë muajsh, në vitin 1926. Në letrën e parë (16.01.1926) lihet të kuptohet që Godin-i dhe Weigand-i kanë komunikuar edhe më parë dhe ky i fundit është në dijeni për punën e saj lidhur me hartimin e fjalorit. Weigand-i e informon baroneshën, që ka krijuar në Lajpcig një Institut për Gjuhën Shqipe me qëllime kërkimore-shkencore dhe vijon më tej:
“Mirëpo na mungon shumë një fjalor i hollësishëm gjermanisht-shqip, për të cilin ju keni mbledhur një material të gjerë. Për këtë arsye i lejoj vetes t’ju shtroj pyetjen, se deri në ç’pikë keni arritur me punën tuaj, dhe a dëshironi ta botoni atë? Unë do të vija në lëvizje çdo gur për të mundësuar botimin. Gjetja e një botuesi në këtë rast është e pamundur, nëse nuk do të jepet një ndihmë më e madhe financiare. Por unë besoj, se një gjë e tillë mund të arrihet.”
Me një pragmatizëm të shëndetshëm shkencor Weigand-i i ofron Godin-it edhe një zgjidhje të dytë, në rast se ajo ka hequr dorë ndërkohë nga puna për përfundimin e fjalorit. Në një rast të tillë ai i propozon asaj që materialin e mbledhur t’ia vërë në dispozicion Karl Treimer-it[15], i cili gjithashtu është duke u marrë me hartimin e një fjalori gjermanisht-shqip dhe të cilin Weigand-i e ka takuar personalisht kur ka qenë në Durrës. Në përfundim të letrës ai i ofron Godin-it dhe mundësinë për të botuar materiale të ndryshme në serinë e tij Balkanarchiv:
“Nëse keni material folkloristik (bestytni [zënë, orë, kuçedrë etj][16] dasma, lindje, zakone të vdekjes dhe të ngjashme) dhe dëshironi ta botoni atë, unë ju vë me dëshirë në dispozicion serinë time të re Balkanarchiv.”
Por pas ofertës Weigand-i nxiton të bëjë të ditur në fjalinë vijuese që nuk mund të paguajë honorar, sepse shpenzimet e botimit, siç thotë ai, i “gllabërojnë shuma të jashtëzakonshme”. Edhe pas një shekulli duhet të vëmë re me keqardhje, që pozita financiare e profesionit të filologut ka ndryshuar pak ose aspak.
Në arkivin e baroneshës gjendet dhe një letër e shkruar nga Weigand-i, e datës 14 mars, e cila në të vërtetë është një letër bashkëshoqëruese dhe nuk i drejtohet drejtpërsëdrejti Godin-it, por një zotërie që punon në gazetën Leipziger Neueste Nachrichten[17], me lutjen që ky i fundit mundësisht të korrigjojë adresën e baroneshës në letrën e Weigand-it për të dhe t’ia nisë asaj me postë. Këtë letër të shkurtër Weigand-i e nënshkruan si këshilltar i posaçëm (Geheimrat)[18] dhe drejtor i Institutit për Gjuhën Rumune, Bullgare, Shqipe. Instituti në fjalë është krijuar nga Weigand-i në vitin 1917 në Universitetin e Lajpcigut. Ky institut është natyrisht i njëjti me atë që përmendet në letrën e mëparshme në një emërtim të shkurtuar si Instituti për Gjuhën Shqipe.
Letra e kësaj date drejtuar Godin-it mungon dhe ky boshllëk rroket dukshëm në letrën vijuese (01.05.1926), në hyrjen e së cilës Weigand-i i bën me dije baroneshës, se edhe ai e kishte menduar mundësinë e ndihmës financiare nga ana e Fondacionit Emergjent (Notgemeinschaft). Bëhet fjalë për pararendësin e Fondacionit Gjerman për Kërkime Shkencore (Deutsche Forschungsgemeinschaft, shkurt DFG).
Më pas Weigand-i propozon tri shtëpi botuese që mund të vijnë në pyetje për botimin e fjalorit, në rast se arrihet të përfitohet ndihma financiare nga Fondacioni Emergjent. Këto shtëpi botuese janë Harrassowitz, Ambrosius Barth dhe Marquardt & Peters, ndër të cilat Weigand-i rendit të parën Shtëpinë Botuese Harrassowitz.
“Shtëpia botuese më e përshtatshme do të ishte Shtëpia Botuese Harrassowitz në Lajpcig, (Querstr.)[19], e cila, përmes librarisë së madhe që ka dhe shitores për libra antikuariate, është në kontakt me një publik të interesuar, dhe kësisoj do të ishte në gjendje të bënte më shumë për sa i përket shpërndarjes, krahasuar me Shtëpinë Botuese Ambrosius Barth.”
Më tej ai i ofron baroneshës ndihmën konkrete të tij lidhur me Shtëpinë Botuese Harrassowitz. Megjithëse i përmbajtur, toni i kësaj letre është më i ngrohtë dhe zemërdhënës:
“Me Harrassowitz-in unë njihem prej kohësh, kështu që mund të ndikoja në të mirën tuaj. Ju uroj sukses të plotë në botimin e romanit, paskëtaj do t’ia dilni ta botoni edhe fjalorin.”
Lidhur me romanin, për të cilin flet Weigand-i, duhet të vëmë në dukje, që Godin-i ka pasur një veprimtari shumë të pasur letrare, madje shumë romane të saj kanë motive dhe subjekte shqiptare, p.sh. Nga vendi i robërisë, novela shqiptare (Aus dem Lande der Knechtschaft, Albanische Novellen), Wien, 1913; Çlirimi, roman nga Shqipëria moderne (Die Befreiung, Roman aus dem modernen Albanien), Regensburg, 1920; Besa e Jakub Sharës, tregime shqiptare (Die Bessa des Jakub Schara, Albanische Erzählungen), Jena, 1921; Viktima (Das Opfer), Paderborn, 1937; Gjoka dhe rebelët, roman historik nga Shqipëria e ditëve tona me 12 fotografi nga arkivi privat i shkrimtares (Gjoka und die Rebellen, Geschichtlicher Roman aus dem Albanien unserer Tage mit 12 Bildern aus dem Privatbesitz der Verfasserin), Trier, 1939 etj.
Bashkë me letrën e saj baronesha i ka dërguar Weigand-it dhe Lahutën e Malcis për të cilën ai shprehet:
“Lahutën e Malcis (bleun e dytë), që më keni dërguar, ka kohë që e kam. Por shumë më i njohur, dhe për nga përmbajtja akoma më e shkëlqyer, është Lahuta e parë[20]. Jam duke menduar për botimin e një përkthimi më të lirë dhe më të gjallë në gjuhën angleze, sepse përkthimi im në gjermanisht është një përkthim fjalë për fjalë, i paracaktuar për filologët. Faleminderit shumë edhe për artikullin tuaj Patër Fishta, të cilin e lexova me shumë interes. Lahuta e dytë nuk është një modifikim i së parës, por përmban një lëndë krejt të re, emërtimi Lahuta e maleve më tej nuk ka fare të bëjë me përmbajtjen, pra fare mirë mund të vijojë një Lahutë e tretë dhe një Lahutë e katërt si Këngë nga malet.”
Artikullin për Fishtën Patër Fishta – një poet shqiptar (Pater Fishta – ein albanischer Dichter)[21] Godin-i e ka botuar në vitin 1921. Në shtypin e kohës baronesha ka botuar shpesh artikuj me tematikë të ndryshme për Shqipërinë, p.sh. për të përmendur vetëm disa prej tyre: Italia dhe interesat katolike në Shqipëri (Italien und die katholischen Interessen in Albanien)[22]; Fjalori im shqip (Mein albanisches Wörterbuch)[23]; Kisha katolike në Shqipëri (Die katholische Kirche in Albanien).[24]
Përkthimi nga ana e tij i Lahutës, për të cilin flet Weigand-i, është ai i vitit 1925 (Die Berglaute Lahuta e Malcis Gjergj Fishta, übers. u. erl. von Gustav Weigand, Ambr. Barth, Leipzig). Në dallim nga përmbyllja e sjellshme, por e distancuar në letrën e datës 16 janar, letra e mësipërme mbyllet me një ton më të ngrohtë dhe miqësor nga ana e Weigand-it:
“Me urimet më të mira për mbarëvajtjen tuaj dhe daljen mbanë të planeve që keni, mbetem
I Juaji përulësisht
G. Weigand”
Në letrën e katërt (19.06.1926), Weigand-i ndërkohë ka ndërruar adresë dhe banon në një fshat të vogël (Belgershain) afër Lajpcigut. Duke i kërkuar të falur për vonesën e përgjigjes, ai i sqaron baroneshës ecejaket tutje e tëhu të manuskriptit të fjalorit të saj, dërguar me postë nga adresa e vjetër në adresën e re, dhe shton me një humor të hollë:
“Ju u frikuat së tepërmi, manuskripti juaj është vërtet një thesar, por aspak një i tillë, që të shtjerë në ngasje hajdutët.”
Në vijim Weigand-i bën propozime konkrete lidhur me vendosjen e theksit, format toske dhe gege si dhe shkurtimet e përdorura, duke i mëshuar faktit, se në një fjalor si ky duhet të kenë përparësi format më të përdorura në krahasim me format e rralla dialektore apo shmangiet syresh.
“Ju keni shkruar kaq qartë, sa një transkriptim kaligrafik[25] del i tepërt. Vendosja e theksave është e nevojshme, vetëm atëherë kur tingulli nuk bie në rrokjen e parafundit. Formën toske, si formën kryesisht më të vjetër dhe më të plotë, unë do ta rendisja të parën, pastaj atë gege, nëse kjo e fundit paraqitet veçanërisht e ndryshme. Shkurtime si to. geg., ngeg., por nga ana tjetër skut. (shkodranishte)[26], sgeg.: gegërishte jugore, mund të jenë shpesh shumë të përshtatshme. Forma të rralla dialektore nuk ka pse të kërkohen në një fjalor gjermanisht-shqip, e rëndësishme është të paraqiten format më të përdorura. Gjithashtu është e tepërt të jepni të gjitha shmangiet dialektore që njihni, kjo do të ishte jashtë teme dhe e pakuptimtë.”
Ekspertiza fare e kthjellët në aspektin leksikografik buron ndër të tjera edhe nga fakti që në vitin 1914 Weigand-i kishte përpiluar vetë një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip. Në parathënien e fjalorit të tij[27] ai shkruan, se fillimisht kishte menduar që këtë fjalor t’ia bashkangjiste gramatikës së tij, por, duke qenë se numri i fjalëve të përfshira ishte pak a shumë i madh, e kishte parë të udhës, që duke i mëshuar karakterit praktik, të përfshinte edhe fjalët që kishte mbledhur gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri. Në parathënien në fjalë Weigand-i përmend faktin që ka shfrytëzuar jo vetëm fjalorët e Kristoforidhit dhe të Shoqërisë Bashkimi, por edhe studimet etimologjike të Miklosich-it (1813-1891), Meyer-it (1850-1900) dhe Jokl-it.
Letra e fundit e Weigand-it (09.07.1926) është e shkurtër dhe përmban kryesisht informacione konkrete lidhur me mundësinë e sigurimit të ndihmës financiare për fjalorin. Weigand-i jo vetëm që ka biseduar konkretisht me Harrassowitz-in dhe e ka bindur atë për botimin e fjalorit, por i ka siguruar baroneshës dhe adresën e personit përgjegjës, të cilit ajo duhet t’i drejtohet me kërkesën për ndihmë, në Fondacionin Emergjent (Notgemeinschaft). Madje jo vetëm kaq, por me largpamësi ai ka menduar edhe një hap më tej:
“Unë po ju bashkëngjis një ekspertizë, së cilës mund t’i referoheni në kërkesën tuaj.”
Edhe kjo letër mbyllet si dy të mëparshmet me një ton të ngrohtë e miqësor. Për vitin 1926 në arkivin e baroneshës gjendet dhe një letër e Harrassowitz-it e datës 26.06.1926, pra e ndërkallur në kohë ndërmjet letrës së parafundit dhe asaj të fundit të Weigand-it. Botuesi i fjalorit, Hans Harrassowitz-i (1885-1964), e ka marrë në dorë drejtimin e shtëpisë botuese në vitin 1921, pas vdekjes së të atit Otto Harrassowitz-it (1885-1920), themeluesit të shtëpisë botuese në fjalë. Pas kalkulimeve financiare, Hans Harrassowitz-i shpreh mendimin e tij për një shkurtim radikal të materialit të mbledhur, thekson se për këtë gjë ka biseduar edhe me Weigand-in dhe i propozon baroneshës me transparencë, që t’i dërgojë dy kalkulime financiare: për variantin e shkurtuar dhe atë të pashkurtuar të fjalorit. Ai e mbyll letrën duke e çmuar veprën për vlerat e jashtëzakonshme të saj. Në dhjetor të vitit 1926 vijon kontrata e rregullt me shtëpinë botuese së bashku me një shtojcë plotësuese në vitin 1927. Të dyja materialet janë të ruajtura mrekullisht dhe mund të lexohen shumë qartë.
Letra e vetme e Pedersen-it dërguar Godin-it është e vitit 1928 (17.11.1928). Me sa kuptohet nga letra e shkurtër, baronesha duhet t’i jetë lutur atij për një ndërhyrje si ekspert pranë Harrassowitz-it lidhur me fjalorin, botimi i të cilit gjatë këtij viti ishte duke hasur në vështirësi. Jemi gati dy vjet para vdekjes së Weigand-it dhe ka të ngjarë që për arsye shëndetësore ai të mos jetë më në bashkëpunim të ngushtë me Harrassowitz-in. Pedersen-i e refuzon këtë lutje, por premton që do t’i shkruajë Harrassowitz-it.
“Natyrisht që nuk duhet t’ju lindin aspak dyshime, se kjo ndërmarrje duhet dhe mund të çohet deri në fund. Megjithatë unë vetë nuk guxoj të marr përsipër detyrën e një eksperti, sepse koha ime dhe fuqitë e mia ndërkohë janë thithur së tepërmi nga punë të tjera. Por në të njëjtën kohë do t’i shkruaj zotit Harrassowitz, që t’i propozoj një zgjidhje tjetër.
Duke ju shprehur simpatinë time për punën tuaj kaq jashtëzakonisht të merituar dhe duke ju uruar përzemërsisht
I Juaji me nderime
Holger Pedersen”
Për fat të keq nuk kemi gjetur informacione të tjera arkivore lidhur me zgjidhjen që mund t’i ketë propozuar Pedersen-i Harrassowitz-it dhe as ndonjë informacion të tërthortë nga letrat e Harrassowitz-it. Edhe pse e shkurtër, letra e Pedersen-it ravijëzon jo vetëm vlerësimin e lartë, por dhe ndërgjegjësimin intelektual për rëndësinë e një ndërmarrjeje të tillë si fjalori. Qysh në vitin 1895, në vërejtjet paraprake të vëllimit të tij Tekste shqipe me fjalor (Albanesische Texte mit Glosar) gjuhëtari danez kishte theksuar rëndësinë e glosarit shoqërues për tekstet, duke nënvizuar se nga njëra anë ai nevojitej për të kuptuarit e teksteve dhe nga ana tjetër duhej rrokur si një kontribut për një fjalor përshkrues shqip, krahas punës së Hahn-it dhe punimeve të tjera të bëra në këtë drejtim.
Për vitin 1929 ekzistojnë dhe dy letra të Harrassowitz-it (15.07.1929 dhe 20.08.1929), në të cilat jepet informacion lidhur me vijimin e botimit dhe të korrekturës së fashikujve. Në vitin 1930 fjalori sheh dritën e botimit dhe kësisoj mbyllet dhe faza e parë e tij, ajo e botimit të vëllimit të parë.
Përpara se të rendisim gjashtë letrat e Lambertz-it, të cilat përfshijnë periudhën 1947-1949, dhe kanë të bëjnë me projektin për ribotimin e fjalorit, do të ndalemi shkurt në një letër dërguar baroneshës nga Heinrich Becker-i, i cili aso kohe ishte jurist pranë Shtëpisë Botuese Harrassowitz. Letra e tij daton më 09.02.1945. Nga sa kuptohet, në një letër të mëparshme drejtuar Hans Harrassowitz-it, baronesha ka kërkuar informacione lidhur me projektin vjenez të një fjalori shqip. Zoti Becker sqaron qysh në fillim të letrës, se në projektin vjenez bëhet fjalë për një fjalor shqip-gjermanisht.
“Përveç profesor Palucës është i përfshirë këtu dhe profesor Guracuqi (?).[28] Duke u nisur nga gjendja e punëve, është e diskutueshme nëse do të bëhet diçka nga e gjithë kjo çështje.”
Gati një muaj më vonë (23.03.1945), Becker-i i shkruan përsëri baroneshës lidhur me projektin vjenez:
“Ndërkohë nuk kam dëgjuar asgjë të re lidhur me përparimin e projektit vjenez dhe vazhdoj të kem dyshimet e mia për faktin që ky projekt atje do të bëjë hapa të dukshëm përpara.”
Projekti vjenez për të cilin flet Becker-i nuk është veçse fjalori shqip-gjermanisht i Ndue Palucës dhe Karl Gurakuqit, zbuluar si dorëshkrim në Grac nga Albert Ramaj në vitin 2010.[29] Në parathënien e fjalorit (maj 1947) autorët shkruajnë se mbështetësi i parë për punën e tyre kishte qenë Kretschmer-i (1866-1956) dhe lidhur me bashkëpunimin vijojnë:
“Ende s`kishim përpunue 500 fjalët e para të shkronjës “A”, kur na lajmeroi zoti këshilltar se, sipas bisedës së tij me drejtorin e shtëpisë botuese të firmës Harasowitz, zotin Becker, ky i fundit kishte shfaqur gatishmërinë për botimin e fjalorit tonë. Njiherësh ai i kishte bà të ditun zotit këshilltar, që për sa i takonte pjesës gjermanisht-shqip të fjalorit, po punonte në të njajtën kohë edhe Prof. Dr. Max Lambertz, si ripunim mbi fjalorin gjermanisht-shqip të Marie Amelie Freiin von Godin, fjalor ky që ishte djegur nga lufta në Leipzig.
Me plot mirësjellje kishte kërkue Dr Becker, që të na propozonte me ia lanë Dr. M. Lambertz-it pjesën gjermanisht-shqip të fjalorit, e ku na, për qëllime shkencore ta përgatisnim pjesën shumë interesante shqip-gjermanisht të tij. Me këtë u arrit nji favor i dyfishtë: së pari do të mund të dilnin të dyja pjesët shumë më herët në dritë, dhe e dyta në bashkëpunim të ndërsjelltë me Dr. Lambertz-in, mund të arrihej bashkimi i nevojshëm për paraqitjen e të dy pjesëve të fjalorit.”
Në arkivin e baroneshës gjenden edhe katër letra nga Anton (Ndue) Paluca (1881-1958)[30], të gjitha të vitit 1948, për fat të keq jo të plota. Interesante për vijueshmërinë logjike të projektit për ribotimin e fjalorit të Godin-it janë letra e parë, e datës 15.04.1948, dhe ajo e fundit, e datës 22.12.1948. Për sa i përket letërkëmbimit të Godin-it dhe Palucës do të ndalemi vetëm në dy njoftime të shkurtra që kanë të bëjnë me fjalorin, sepse çdo informacion tjetër do të kapërcente objektin e këtij shkrimi. Në letrën e 15 prillit Paluca i dërgon Godinit një paketë me libra dhe ndër to edhe
“një përmbledhje të shkurtër të gramatikës shqipe, të cilën ne (Gurakuqi dhe unë) e kemi hartuar për fjalorin tonë shqip-gjermanisht. […. ] Fjalori i hartuar me porosi të Akademisë Vjeneze të Shkencave përmban 18.000 fjalë. Zoti këshilltar Kretschmer më ka njoftuar, se për shkak të mungesës së letrës, nuk ka qenë akoma e mundur që vepra të jepej për shtyp.”
Parathënia e fjalorit të Palucës dhe Gurakuqit është shkruar në vitin 1947. Në prill të vitit 1948 fjalori ende nuk është botuar për arsye objektive. Në letrën e dhjetorit të të njëjtit vit Paluca nuk flet më për fjalorin, por për fjalorët:
“A ju ka shkruar Dr. Lambertz-i lidhur me fjalorët? Janë ata ndërkohë duke u shtypur?”
Në parathënien e vitit 1947 flitet për një bashkëpunim konkret të Palucës dhe Gurakuqit me Lambertz-in dhe më gjerë me Shtëpinë Botuese Harrassowitz. Në letrën e dytë (23.05.1948) dhe në atë të tretë (12.10.1948) të Palucës dërguar baroneshës, kuptohet qartë, që ai ka letërkëmbim personal dhe bashkëpunon edhe me Lambertz-in.
Letrat e Lambertz-it janë gjithsej gjashtë, datojnë nga viti 1947 deri në vitin 1949 dhe, ndryshe nga letrat e Weigand-it dhe Pedersen-it, janë të shkruara me makinë shkrimi. Në krahasim me tonin e përmbajtur dhe të kursyer të Weigand-it, letrat e Lambertz-it janë më personale. Baronesha dhe albanologu austriak kanë miq të përbashkët shqiptarë, për të cilët dhe me të cilët shkëmbejnë informacione vazhdimisht. Lambertz-i jeton qysh prej vitit 1945 me vullnetin e tij të lirë në Gjermaninë Lindore. Me mirësjelljen e një pinjolli të denjë të Perandorisë Austro-Hungareze, me një etiketë par exellence, por njëkohësisht duke gjetur tonin e duhur kolegial, ai interesohet miqësisht në çdo letër për shëndetin e Godin-it, e cila gjatë gjithë jetës ka qenë e tukequr dhe me probleme të shumta shëndetësore. Lambertz-i është gjithmonë kureshtar për veprimtarinë letrare të baroneshës dhe nuk lë rast pa shprehur vlerësimin e lartë që ka për të dhe për mendimin e këshillën e saj.
Në letrën e parë (01.10.1947) dërguar baroneshës, Lambertz-i parashtron tri pika. Së pari ai nis me pyetjen për shëndetin e saj, së dyti për veprimtarinë letrare dhe së treti për miqtë e përbashkët:
“Çfarë dini për miqtë tanë shqiptarë? Çfarë bën Eqrem Bej Vlora? Do të kisha dëshirë të krijoja një lidhje më të afërme me të, por nuk e di se ku ndodhet. Me sa di unë së fundi ka qenë në Gotesgab (Gottesgab), por nuk kam dijeni se ku ka shkuar prej andej. Do të kisha dëshirë të mësoja prej jush se si po mbahen françeskanët në kohët e vështira. Në tërësi më intereson gjithçka që ju dini lidhur me Shqipërinë.”
Në vijim të letrës Lambertz-i tregon që punon jo vetëm si profesor në degën e gjuhësisë së krahasuar, por ka mbi supe dhe “detyrën e nderuar apo më mirë barrën e nderuar” të dekanit të Fakultetit Pedagogjik, duke shtuar se ndjehet i gëzuar vetëm atëherë kur ka kohë të merret me studimet e tij. Ai e informon Godin-in se Harrassowitz-i është duke shtypur librin e tij të leximit shqip dhe do të botojë edhe vepra të tjera të tij tashmë të përfunduara. Pas këtij informacioni Lambertz-i e pyet Godin-in konkretisht për ribotimin e fjalorit:
“Çfarë mendoni për një ribotim të fjalorit tuaj gjermanisht-shqip? Ribotimi do të ishte një detyrë urgjente dhe me vlerë, duke qenë se për fat të keq në magazinën e Harrassowitz-it u dogjën të gjitha kopjet e veprave tuaja që ndodheshin aty. E nderuar zonja baroneshë, nuk do të kishit dëshirë t’i përvisheshit punës sërish? Kësisoj do t’i bënit një shërbim shumë të vyer albanologjisë.”
Letra mbyllet me një mirësjellje të përzemërt, e cila në forma nga më të zhdërvjellëtat ndeshet në të gjashtë letrat e dijetarit:
“Për sot ju tregova boll, do të gëzohesha shumë, po të më kujtoni dhe të më shkruani së shpejti. Deri atëherë mbetem, duke ju puthur dorën përulësisht dhe duke ju shprehur nderimin tim të veçantë,
I Juaji me besnikëri të përulur
M. Lambertz”
Katër letrat në vijim janë të vitit 1948. Në letrën e datës 3 mars të këtij viti, pasi interesohet si zakonisht për shëndetin e baroneshës, Lambertz-i i bën me dije asaj, se për ribotimin e fjalorit kanë shprehur gatishmërinë e tyre jo vetëm Shtëpia Botuese Harrassowitz, por edhe Instituti Bibliografik. Më tej ai shpreh mendimin e tij lidhur me ribotimin:
“Si qëndron puna me shtesat nga ana juaj? Keni diçka të re për të kontribuar, sepse ribotimi nuk duhet të jetë një kopjim mekanik i botimit të vjetër, por një botim i zgjeruar. Do të ishte mirë që fillimisht të më shkruanit për këtë. Personalisht planifikoj të hartoj një fjalor shqip-gjermanisht, në të cilin mendoj të përfshij leksikun mjaft të zgjeruar dhe të pabotuar, ndër të tjera nga Fishta, Poradeci. Edhe ju do duhej ta përfshini në fjalorin tuaj këtë material të pabotuar.”
Edhe në këtë letër Lambertz-i nuk harron të pyesë për miqtë e përbashkët, veçanërisht për Eqrem Bej Vlorën dhe Mid’hat Frashërin. I pari i ka shkruar një letër nga Roma, i dyti nga Rexhio Emilia (Reggio Emilia). Në mbyllje të kësaj letre Lambertz-i shpreh edhe një herë interesimin e tij për shëndetin e baroneshës në “këto kohë mungesash”. Në letrën pararendëse gjendja e përgjithshme cilësohet në mënyrë mjaft të përkorë nga ai si “kohë të vështira”. Po aq kursyer edhe në këtë letër “kohët e vështira” zëvendësohen me “kohë mungesash”. Përndryshe asnjë shpjegim më shumë.
Dy letrat në vijim janë të datës një dhe pesë prill. Në fillim të letrës së datës një prill, Lambertz-i interesohet gjerë e gjatë për shëndetin e baroneshës dhe shprehet shumë i brengosur për problemet shëndetësore të saj. Lidhur me fjalorin, ai ka biseduar ndërkohë me juristin e firmës Harrassowitz, zotin Becker, dhe i kumton me gëzim baroneshës, që ky i fundit është i entuziazmuar nga plani në fjalë dhe shanset për ribotimin e fjalorit janë shumë të mira:
“Fjalori juaj gjermanisht-shqip do të ribotohet. Përshtatjen e shtesave, që dalin nga literatura e zgjeruar ndërkohë, do ta bëj unë. Fjalori Gjermanisht-Shqip mbetet natyrisht vepra juaj.[…] Unë i gëzohem punës së përbashkët me ju, hollësirat do t’i mësoni në ditët në vijim.”
Edhe në këtë letër Lambertz-i vijon të shprehë vlerësimin për veprimtarinë letrare të Godinit dhe është i interesuar të lexojë çdo botim të saj. Nga letra kuptojmë që Lambertzi vazhdon të jetë në kontakt me Eqrem Bej Vlorën dhe Mid’hat Frashërin:
“Eqrem Bej Vlora dhe Mid’hat Frashëri më kanë shkruar nga Italia. Më vjen keq tek shoh sa i dërrmuar është Eqrem Bej Vlora. U orvata ta ngushëlloja, por e di, që fjalët e mia nuk mund ta qetësojnë asfare plagën e tij.”
Në këtë letër Lambertz-i kërkon mendimin e Godin-it lidhur me një lloj ushqimi që përdoret në malësi:
“Tashmë edhe një pyetje profesionale. E nderuar baroneshë, e dini se çfarë lloj ushqimi nënkupton në malësi shprehja “harmagjike”? Deri tani askush s’ka mundur të më japë një përgjigje.
U kam shkruar françeskanëve në Vjenë, por nuk kam marrë përgjigje, edhe Shqipëria mbetet e padepërtueshme. Keni ndonjë ide çfarë ka ndodhur me Prenushin, peshkopin?”
Me sa duket për harmagjiken Lambertz-i ka marrë një shpjegim nga baronesha apo dikush tjetër, sepse, në fjalorin e tij shqip-gjermanisht të vitit 1954, kjo fjalë shpjegohet në gjermanisht si një kek me djathë (Käsekuchen) dhe në kllapa vihet shënimi që përdoret në Shqipërinë e Veriut.[31] I përkorë si gjithmonë kur është fjala për situatën politike, Lambertz-i mjaftohet edhe në rastin e Shqipërisë vetëm me cilësimin “e padepërtueshme”. Ndoshta është me vend këtu të përmendim vlerësimin e Karl Gurakuqit për Lambertz-in, botuar tek Shêjzat në vitin 1962, në një kohë kur ndarja në dy kampe politike tashmë ishte konsoliduar: “Prof. Maksimiljan Lambertz-i âsht nji shkencâtar idealist, as i së djathtës as i së majtës, aspak i prekun nga rrymat politike, i dhânun mbas studimit të shqipes në mënyrë ideale.”[32] Para se ta mbyllë letrën Lambertz-i e ngushëllon baroneshën për një humbje që ka ndodhur në jetën e saj, ndoshta për humbjen e një njeriu të dashur. Ngushëllimi është i sinqertë, me një elokuencë të ngrohtë dhe miqësore:
“Humbja që ju ka ndodhur më brengos shumë, por atë më të çmuarën njeriu e bart brenda vetes. Dhe në këtë kuptim ju jeni pa dyshim si mbreti Kresus.”[33]
Letra e datës 5 maj është shumë e shkurtër. Nga sa kuptohet, bashkë me këtë letër Lambertz-i ka dërguar baroneshës dhe kopjen e protokollit të bisedës që ka zhvilluar me juristin e Harrassowitz-it lidhur me fjalorin. Në mbyllje Lambertz-i shton:
“Do t’ju mbaj gjithmonë në dijeni lidhur me ecurinë e punimeve për leksikun dhe do të kërkoj gjithmonë këshillën tuaj.”
Protokolli i bisedës me Heinrich Becker-in mungon, madje letra nuk ka si letrat e tjera nënshkrimin e Lambertz-it në fund, sepse ai duhet të ketë nënshkruar në faqen vijuese, e cila gjithashtu mungon. Letra e fundit për vitin 1948 është e datës 19 gusht. Në krye të kësaj letre, pas interesimit të zakonshëm për shëndetin e baroneshës, Lambertz-i e informon atë, që punën për fjalorin shqip do ta fillojë në vjeshtë dhe botimin e ka marrë përsipër Harrassowitz-i. Nga letra mësojmë se gjatë kësaj kohe Godin-i i mëson shqip dikujt, emri i të cilit nuk përmendet. Në fund të letrës Lambertz-i i rikthehet edhe një herë këtij detaji, duke shtuar se Godin-i ndoshta mund ta përdorë gjatë mësimit të shqipes librin e tij të leximit, që ai ndërkohë ia ka nisur me postë dhe njëkohësisht i lutet që t’i shkruajë lidhur me çdo vërejtje apo plotësim.
Ndër miqtë e përbashkët në këtë letër përmendet Paluca:
“Lidhur me Palucën, mund t’ju njoftoj, që e kam rekomanduar për vendin e lektorit të shqipes në Universitetin e Gracit Shpresoj të bëhet diçka. Atij i kam shkruar dhe e kam nxitur që të aplikojë për këtë post.”
Rrjeti i lidhjeve ndërmjet intelektualëve, interesat e të cilëve i përkasin një lëmi kaq specifik si albanologjia, megjithëse i përkorë, funksionon me sa duket edhe në epokën jo digjitale për mrekulli. Në fund të letrës Lambertz-i interesohet për një kongres shqiptar që pritet të mbahet në Palermo:
“Edhe diçka! Shumë e çmuar zonja baroneshë, a dini diçka për kongresin shqiptar në Palermo? Çfarë është ky kongres dhe çfarë ka si qëllim? Do t’ju isha shumë mirënjohës, po të më shkruanit lidhur me të, nëse dini diçka.”
Është fjala për një nga katër kongreset e para ndërkombëtare shqiptare, të organizuara nga Qendra e Studimeve Shqiptare në Palermo nën drejtimin e Karl Gurakuqit dhe Rosalino Petrotës. Edhe në këtë letër Lambertz-i nuk harron të interesohet për veprimtarinë letrare të baroneshës dhe të shprehë vlerësimin e tij të lartë për punën dhe dijen e saj:
“Shpresoj që të jeni aq mirë me shëndet, sa të jeni në gjendje për të punuar. Do të kisha shumë dëshirë, e nderuar zonja baroneshë, të mësoja diçka lidhur me veprimtarinë tuaj letrare. A mund të më bëni të ditur, se ku është botuar diçka nga ju? Do ta siguroja me kënaqësi për ta lexuar. Ju e dini, që unë i kam lexuar gjithmonë me gëzim krijimet tuaja letrare të deritanishme dhe dëshiroj të mbetem në dijeni për veprimtarinë tuaj të mëtejshme.”
Letra e fundit e Lambertz-it daton më 4 mars të vitit 1949 dhe është më e gjata nga të gjashtë letrat e tij. Në krye si zakonisht interesimi prej miku për shëndetin e Godin-it:
“E mora kartolinën tuaj të datës 21.2.49, të postuar si letër, dhe u brengosa shumë, kur mësova që keni qenë përsëri kaq e sëmurë. Një sëmundje e ligë, por le të gëzohemi që kaloi dhe tani veç ju lutem që ta kurseni veten e të bëni kujdes, në mënyrë që të mëkëmbeni plotësisht, t’i gëzoheni jetës dhe të jeni përsëri në gjendje për të punuar, siç keni qenë gjithmonë. Pranvera, e cila me siguri nuk do të vonojë, do të bëjë gjithashtu punën e saj, që të shëroheni krejt.”
Në vijim të letrës Lambertz-i e njofton baroneshën se zoti Becker nuk punon më në Shtëpinë Botuese Harrassowitz dhe plani për ribotimin e fjalorit është duke hasur vështirësi serioze.
“Zoti Heinrich Becker është larguar nga shtëpia botuese dhe juristi aktual i Shtëpisë Botuese Harrassowitz, zoti Heinze, më bëri të ditur në një letër, të shkruar si rezultat i përsiatjeve të tij gjatë kohës së Krishtlindjeve, që paraprakisht nuk guxon t’i qaset planit për ribotimin e fjalorit tuaj dhe botimit të pjesës së dytë, sepse duhet t’i bëjë llogaritë shumë mirë dhe tutet që kjo sipërmarrje mund t’i dalë me humbje, duke qenë se rrethi i të interesuarve për shqipen është relativisht i vogël.”
Pa spekuluar, sepse mund të ketë pasur edhe shumë arsye të tjera, ndoshta largimi i zotit Becker, me të cilin kishin kontakt të drejtpërdrejtë Paluca dhe Gurakuqi, mund të ketë qenë njëra nga arsyet pse fjalori i tyre nuk e pa dritën e botimit. Nga ana tjetër, Lambertz-i nuk e përmend asnjëherë në gjashtë letrat e tij bashkëpunimin konkret me Palucën dhe Gurakuqin. Ashtu si Weigand-i, edhe Lambertz-i, duke pasur ndoshta përvojë në përballjen me arsyetimin se “rrethi i të interesuarve për shqipen” është shumë i vogël, është i orientuar nga një pragmatizëm shkencor për të gjetur një zgjidhje fleksible:
“Nuk më brengos kjo gjë, por dua të lidhem me pasardhësin e Shtëpisë Botuese Otto Holtze në Leipzig, për të cilin duhet të hartoj një fjalor latinisht, dhe dua t’i propozoj të shtojë në serinë e tij të fjalorëve të xhepit edhe një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip. Ju me siguri e njihni koleksionin e fjalorëve të xhepit të Shtëpisë Botuese Holtze, në të cilin bën pjesë dhe fjalori gjermanisht-greqishte e re dhe greqishte e re-gjermanisht i Petraris-it, si dhe shumë të tjerë. Me miratimin tuaj, sapo të jem pak i ngeshëm, do të negocioj me Harrassowitz-in, që të heqë dorë nga fjalori juaj gjermanisht-shqip, në mënyrë që të kemi mundësi pastaj ta ribotojmë tek pasardhësi i Shtëpisë Botuese Holtze. Përveç tij do të botonim atje dhe fjalorin shqip-gjermanisht.”
Një fjalor i tillë, siç e mendonte Lambertz-i, është ai i botuar gati 50 vjet më pas nga Shtëpia Botuese Langenscheidt[34], botim i cili përmblidhte fjalorin shqip-gjermanisht të vitit 1977 (me autorë Oda Buchholz, Wielfried Fiedler dhe Gerda Uhlisch) dhe atë gjermanisht-shqip të vitit 1997 (me autorë Wilfried Fiedler dhe Ardian Klosi). Krahas propozimit të tij, albanologu i shkruan baroneshës hollësisht edhe kalkulimet financiare lidhur me formatet e mundshme dhe respektivisht çmimet përkatëse. Ndërkohë Lambertz-i vazhdon të mos ketë kontakte konkrete me Shqipërinë. Jemi në mars të vitit 1949. Gjuetia e shtrigave gjatë viteve të pasluftës arrin një pikë kulmore me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, spastrimeve përkatëse dhe orientimin nga Moska. Lambertz-i i shkruan baroneshës për një delegacion zyrtar nga Shqipëria, i cili ka vizituar Gjermaninë Lindore:
“Megjithë përpjekjet e bëra deri tani akoma nuk kam marrë lajme personalisht nga Shqipëria. Para do kohësh një delegacion nga Shqipëria, me të cilin u takova, kaloi edhe nga Lajpcigu. Anëtarët e delegacionit më premtuan që pas kthimit të tyre në Shqipëri do të më dërgonin lajm për revistat dhe librat e botuar ndërkohë, por deri më sot nuk janë bërë të gjallë. Edhe ministrja e arsimit, së cilës i shkrova, nuk m’u përgjigj.”
Më pas vijon një pasazh i gjatë për të njohurit e vjetër, fati i të cilëve komentohet në mënyrë shumë të përkorë, por në këtë rast është pikërisht onomastika e cila gjeneron historicitet. Nga njëra anë Xhuvani, Poradeci, Prenushi, Mirdashi, të cilët japin informacion të tërthortë për Shqipërinë, nga ana tjetër françeskanët në Vjenë, Gurakuqi në Palermo, Paluca, profesor Matl-i në Grac, Mid’hat Frashëri në Stamboll, Kral-i në Vjenë dhe së fundi Eqrem Vlora, i cili nuk përcaktohet gjeografikisht, por që sipas të gjitha gjasave në këtë kohë jeton në Itali, të cilët gjithashtu në shpërndarjen e tyre gjeografike bëjnë të mundur rrokjen e distancës reale me Shqipërinë:
“Nga të njohurit e vjetër vazhdojnë të kenë aktivitet akoma Alexander Xhuvani dhe liriku Lasgush Poradeci. Mësova dhe për fundin tragjik të Mirdashit.[35] Sipas shumë gjasash edhe Vinçenc Prenushi nuk jeton më. Për fat të keq deri tani nuk kam marrë lajm as prej françeskanëve në Vjenë, të cilëve ju luta për të më dhënë informacion për fretërit e tyre shqiptarë. Me siguri e dini që Karl Gurakuqi është bërë profesor në Palermo. Meqë ra fjala, çfarë u bë me Palermon? Qetë ju atje? Këtë nuk e përmendni fare në kartolinën tuaj. Askush nuk më ka njoftuar për mbarëvajtjen e kongresit. Sigurisht që jam i zënë me punë të tjera të shumanshme dhe nuk kam kohë të merrem intensivisht me këto pyetje, edhe për Palucën nuk di asgjë. Kurse profesor Matl[36] në Grac sipas mendimit tim është i mbështjellë me një vello heshtjeje. Përkundër të gjithave mora një letër nga Stambolli prej Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo), po ashtu kam korrespondencë dhe me shkëlqesinë tonë të dashur August von Kral.[37] […] Çfarë lajmesh keni nga Eqrem Bej Vlora? Tani u bë një kohë e gjatë, që nuk kam marrë më lajm prej tij.”
Ndërkohë baronesha ka filluar përsëri të japë shqip dhe Lambertz-i e përgëzon për këtë. Ai i shkruan asaj si zakonisht për botimet e bëra dhe planet konkrete lidhur me botimet e ardhshme dhe nuk harron, si gjithmonë, të kërkojë mendimin e saj, duke shtuar se e vlerëson shumë atë:
“Gëzohem, shumë e nderuar zonja baroneshë, që keni filluar përsëri të jepni mësim. Me kënaqësi do t’jua kisha dërguar librin tim të leximit shqip dhe dëshiroj akoma t’jua dërgoj. Por dërgimi me postë është një gjë kaq e pasigurt në kohën e sotme. Tani kam botuar një libër të vockël më vete, një hyrje në “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës, i cili do të pasohet nga një përkthim në gjermanisht i të gjithë veprës. Ndërkohë e kam dhënë lejen për botim dhe jam shumë kureshtar, e nderuar zonja baroneshë, çfarë do të më thoni lidhur me përkthimin tim. Unë e vlerësoj shumë mendimin tuaj dhe deri atëherë do të gjendet një mundësi, se si t’jua dërgoj librin.”
Lambertz-i planifikon që në një kohë të afërt të shkojë në Mynih për ta takuar baroneshën, siç thotë ai, “për të biseduar për shumë gjëra”. Nga të dhënat biografike të Robert Elsie-së për Lambertz-in[38] mësojmë se ky i fundit ka jetuar në Mynih nga viti 1939 deri në vitin 1942. Një udhëtim i tillë ndoshta edhe mund të jetë ndërmarrë. Në fund të letrës Lambertz-i tregon diçka edhe për punën e tij në universitet:
“Do t’ju interesojë të dini se në semestrin e ardhshëm kam për të mbajtur një cikël ligjëratash për shqipen, për gjuhën dhe letërsinë, në Universitetin e Lajpcigut, dhe gjithsesi do t’ia bëj të njohur këtë tematikë një grupi të vogël të rinjsh.”
Në vitin 1943 Lambertz-i ishte shpërngulur në Lajpcig dhe qysh prej vitit 1946 punonte si profesor në universitetin e këtij qyteti. Para se ta mbyllë letrën dijetari e siguron baroneshën, se do ta njoftojë sërish për projektin e tyre të përbashkët, pra për fjalorin:
“Për sot po e mbyll, shumë e nderuar zonja baroneshë. Sapo të marr vesh diçka për fjalorin, do t’ju shkruaj.”
Kjo ishte letra e gjashtë dhe e fundit e Lambertz-it. Ribotimi i vëllimit të dytë të fjalorit të Godinit mbeti një projekt i parealizuar. Baronesha vdiq në vitin 1956. Fjalori i Gurakuqit dhe Palucës nuk u botua. I pari u vendos në Palermo, i dyti emigroi më tej në Amerikë. Në vitin 1954 Lambertz-i botoi në vëllimin e parë të Kursit të shqipes (Lehrgang des Albanischen) fjalorin e tij shqip-gjermanisht. Këto janë faktet. Qerthulli epistolar i parashtruar më sipër na ofron shumë më tepër se kjo renditje e thjeshtë e fakteve.
Të lexosh një letër, do të thotë të ndjekësh fillin e gjurmëve të lëna përmes saj. Në rastin konkret, përtej rrugëtimit të fjalorit, është jo vetëm e pashmangshme, por madje e domosdoshme që letrat e gjetura të vëzhgohen në kontekstin përkatës kulturor dhe historik edhe si dokumente tekstore të këtij konteksti. Gjurmët e komunikimit epistolar (qoftë edhe ato në mungesë, si në rastin e Jokl-it) na ravijëzojnë një mjedis pune, një rrjet lidhjesh të albanologëve gjermanishtfolës të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, të përkorë, por efektiv dhe frutdhënës. Bëhet fjalë për personalitete që kanë vënë themelet e shkencës albanologjike, por që për arsye nga më të ndryshmet janë pak ose aspak të njohur në aspektin epistolar, aspekt i cili bart me vete përthyerje tejet interesante në aktivitetin e tyre intelektual.
© 2023 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.
[1] Përkthimi i Kanunit u botua në periudhën 1953-1956 në revistën Zeitschrift für vergleichende Wissenschaft.
[2] Godin von, Marie Amelie: Wörterbuch der albanischen und deutschen Sprache. Band I: deutsch-albanisch. Harrassowitz, Leipzig, 1930.
[3] Po aty, f. 3.
[4] Gustav Weigand (1860-1930), gjuhëtar gjerman, romanist dhe specialist për gjuhët ballkanike, veçanërisht për aspektin krahasues të tyre. Në vitin 1914 Weigand-i boton një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip me 179 faqe (Albanesisch-deutsches und deutsch-albanesisches Wörterbuch), ndërkohë që vepra kryesore e tij, për sa i përket shqipes, është Gramatika shqipe në dialektin e gegërishtes jugore (Durrës, Elbasan, Tiranë) e vitit 1913 [Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt (Durazzo, Elbassan, Tirana)].
[5] Maximilian Lambertz (1882-1963), gjuhëtar austriak, i cili si fushë kryesore të veprimtarisë së tij shkencore ka pasur albanologjinë. Ndër veprat kryesore të Lambertz-it vlejnë të përmenden: Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit shqiptar (Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde), Wien 1922; Libër leximi në shqip me një hyrje për gjuhen shqipe (Albanisches Lesebuch mit Einführung in die albanische Sprache), në dy vëllime, Leipzig 1948; Gjergj Fishta dhe eposi heroik “Lahuta e Malcís,” Hyrje në botën e legjendave shqiptare (Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos “Lahuta e Malcís,” Laute des Hochlandes: eine Einführung in die albanische Sagenwelt), Leipzig 1949; Kursi i shqipes (Lehrgang des Albanischen), në tre vëllime, Berlin 1954-1955, Halle/Saale 1959 etj.
[6] Holger Pedersen (1867-1953), gjuhëtar danez, indogermanist dhe keltolog, i cili është marrë intensivisht dhe me gjuhën shqipe. Artikujt studimorë të Pedersen-it për shqipen janë botuar të përmbledhura në një vëllim, botuar në vitin 2033 në Prishtinë (Studime për gjuhën shqipe).
[7] Jokl, Norbert (1877-1942), gjuhëtar austriak me origjinë hebreje, i cili është marrë mirëfilli dhe vazhdimisht me gjuhën shqipe, duke kontribuar në studimin e thelluar të saj në disa aspekte, veçanërisht në atë historik. Vepra më e rëndësishme e tij është Kërkime gjuhësore – kulturhistorike nga fusha e shqipes (Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen), Berlin 1923.
[8] Alibali, Agron: Amaneti i papërmbushur dhe fjalori etimologjik i prof. Norbert Joklit. Në: https://peizazhe.com/wp-content/uploads/2021/02/Studimi-pe%CC%88r-trashe%CC%88gimine%CC%88-ew-Joklit-fund.pdf
[9] Mechthild, Yvon: Der jüdische Albanologe Norbert Jokl und seine Bibliothek:
Spielball zwischen Begehrlichkeit und akademischer Solidarität? Në: Gemeinsames neu entdecken. Ein Kaleidoskop zur Geschichte und Gegenwart der österreichisch-albanischen Beziehungen. Bundesministerium für Europa, Integration und Äußeres (botues), Wien, 2018, f. 77.
[10] Jokl, Norbert: Albanien. Në: Indogermanisches Jahrbuch, XVI., Jahrgang 1932, Berlin 1932, f. 166: “sehr reichhaltig, eingehende Berücksichtigung der Phraseologie und volkstümlicher (z.T. sprichwörtlich) Redewendungen.“
[11] Kraft, Herbert: Editionsphilologie. Frankfurt a. M., 2001, f. 151: “Die Handschrift ist ein Brief […], der Druck aber […] eine Ausgabe, und die Edition gibt nicht die Handschrift wieder, sondern deren Text.“
[12] Çabej, Eqrem: Në tridhjetëvjetorin e vdekjes së Norbert Joklit. Gazeta Mësuesi, 25 tetor 1972.
[13] Matthews-Schlinzig, Marie Isabel; Schuster, Jörg; Steinbrink, Gesa, Strobel, Jochen: Handbuch Brief. Von der Frühen Neuzeit bis zur Gegenwart. Berlin, Boston, 2020, f. 11: “Sie sind historische Quellen und zeitgeschichtliche Dokumente, sie passen sich unterschiedlichen Verwendungskontexten an, und sie sind Texte, die sich spezifischer rhetorisch-literarischer Strategien bedienen sowie über ästhetisches, performatives und fiktionales Potential verfügen.“
[14] Lidhur me modelin aktor-aktant në rrjetet shoqërore shih më gjerë Bruno Latour: Der Berliner Schlüssel. Erkundungen eines Liebhabers der Wissenschaften. Aus dem Französischen von Gustav Roßler. Akademie-Verlag, Berlin 1996.
[15] Karl Treimer (1882-1945), lektor për gjuhën shqipe në Universitetin e Vjenës për periudhën 1952-1967. Shih më gjerë Maksuti, Izer: https://albanisches-institut.ch/wp-content/uploads/2022/08/AlbanologieMaksuti.pdf
[16] Teksti brenda kllapave është dhe në origjinal shqip.
[17] Gazetë që u botua në periudhën 1892-1945.
[18] Geheimrat është një titull, që jepej deri në vitin 1918 në shenjë nderimi për merita të veçanta në administratë, drejtësi, ekonomi, shkencë dhe kulturë.
[19] Rruga në të cilën ndodhej shtëpia botuese në fjalë.
[20] Në vitet 1912, 1923, 1931 dhe 1933 Fishta publikoi variante të zgjeruara të Lahutës, ndërsa në vitin 1937 variantin përfundimtar të saj.
[21] Godin, Marie Amelie von: Pater Fishta – ein albanischer Dichter. Në Das literarische Echo, 24. 1921, f. 22.
[22] Godin, Marie Amelie von: Italien und die katholischen Interessen in Albanien. Në: Allgemeine Rundschau, 16. 1919, f. 437.
[23] Godin, Marie Amelie von: Mein albanisches Wörterbuch. Nö Die Christliche Frau, 31. 1933, f. 182ß186.
[24] Godin, Marie Amelie von: Die katholische Kirche in Albanien. Në Allgemeine Rundschau, 25. 1928, f. 325 dhe 327.
[25] Nënvizimet janë të tekstit në origjinal.
[26] Në origjinal: Skutarinisch.
[27] Weigand, Gustav: Albanesisch-deutsches und deutsch-albanesisches Wörterbuch, Ambrosius Barth, Leipzig, 1924.
[28] Pikëpyetja është në tekstin origjinal. Sipas shumë gjasash shkruesi i letrës nuk ka qenë i sigurt, nëse mbiemri i Gurakuqit shkruhet me c apo me k.
[29] Paluca, Çun: Parathanie e nji fjalori të panjohun Shqip-Gjermanisht, të profesorëve Karl Gurakuqi dhe Ndue Paluca, 10 qershor 2010, në: https://cunpaluca.blogspot.com/2010/06/parathanie-e-nji-fjalori-te-panjohun.html
[30] Andon (Ndue) Paluca, mësues dhe publicist. Lindi në Gjakovë, më 1881 dhe vdiq, më 30 nëntor 1958 në Buffalo të SHBA. Mësimet e para i kreu në Prizren, ndërsa shkollën normale e përfundoi në Klagenfurt të Austrisë. Në shoqërinë kulturore “Dija” të studentëve shqiptarë në Austri, Paluca qe në kryesinë e saj. Pas mbarimit të normales (1906) kthehet në Prizren dhe një vit më vonë caktohet mësues në koloninë arbëreshe të Borgo Erizzës (Zara). Në vitin 1912 transferohet në Shkup, ku kryen edhe detyrën si përkthyes i konsullatës austro-hungareze. Më 1914 Nd. Paluca shkon në Vjenë për të kryer studimet e larta. Më pas kthehet në Shkodër si administrator dhe shoqërues i studentëve që shkonin në Austri nga administrata shqiptare në Shkodër.
Të dhënat për Palucën janë marrë nga Osmani, Tomor: Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, 1916-1918. Në: https://drini.us/komisia-letrare-shqipe-ne-shkoder-1916-1918/
[31] Lambertz, Max: Lehrgang des Albanischen. Teil I, Albanisch-Deutsches Wörterbuch. Berlin, 1954, f. 71.
[32] Gurakuqi, Karl: Prof. Max Lambertz në veprimtarinë albanologjike. Në: Shêjzat, nr. 6, Romë, 1962, f. 221.
[33] Kresusi, mbreti i fundit i Lidisë së lashtë, i përmendur për pasurinë dhe bujarinë e tij.
[34] Langenscheidts Handwörterbuch Albanisch. Teil 1 Albanisch-Deutsch. Teil 2 Deutsch-Albanisch. 2000.
[35] Gustav von Myrdacz apo Gustav Mirdashi (1874 -1945), ushtarak austriak, i cili u dënua me pushkatim në vitin 1945 nga Gjyqi Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit.
[36] Josef Matl (1897-1974) sllavist, studiues i Evropës Juglindore.
[37] August Ritter von Kral (1869-1953), diplomat austriak.
[38] Elsie, Robert: Maksimilian Lamberc në Mirditë, 1916, dhe zbulimi i koleksionit të tij fotografik. Në: http://www.elsie.de/pdf/articles/A2006LambertzMirditaAlb.pdf
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me AI.