nga Dhori Q. Qirjazi (kyrdoris@lit.auth.gr)
Përmbledhje
Vepra deri më tash e botuar e F. Santorit paraqet interes të posaçëm edhe sa i përket gjuhës së saj. Aty kemi një përpjekje të vetëdijshme e të suksesshme për krijimin e një arbërishteje tej caqeve të të folmeve vendore, e cila ngërthen ndërkaq edhe elemente të traditës librore. Në këtë kuadër meriton vëmendje vendi, roli dhe përdorimi stilistik e si burim neologjizmash i greqizmave në veprën e Santorit e -duke u nisur prej saj- në të folmet dhe në letërsinë arbëreshe. Veprimtaria e dendur botuese e viteve të fundit e kolegëve arbëreshë ka sjellë në dritë një sërë veprash të reja, që i kanë zgjeruar njohuritë tona për greqizmat e arbërishtes dhe shtrojnë nevojën e riinkuadrimit dhe të rivlerësimit të tyre në suazë të greqizmave të mbarë shqipes.
-I-
1. Studimet rreth marrëdhënieve të shqipes me greqishten kaluan nga faza parashkencore në fazën shkencore të tyre gjatë mesit të shek. XIX, kur F. Bopp-i (1854) përcaktoi pozitën e veçantë të shqipes në kuadër të familjes idoeuropiane të gjuhëve. Kjo nuk do të thotë se në vitet e mëpasme pushuan s’u shfaquri opinione parashkencore, sidomos për sa u përket raporteve të shqipes me greqishten, që mbaheshin gjallë qoftë nga nevoja e shqiptarëve për të “zbuluar” rrënjët e lashta të tyre qoftë nga prirja e grekëve për t’i konsideruar shqiptarët si të afërm me ta nga pikëpamja gjuhësore dhe racore (shih teorinë pellazgjike). Në kapërcyell të fazës shkencore dhe asaj parashkencore ndodhen veprat e Hahn-it (1854) dhe Camarda-s (1864).
Me veprën Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (1891) G. Meyer-i i vendosi në bazë shkencore raportet e shqipes me gjuhë të tjera. Α. Thumb-i (1909) shënoi një hap cilësor në studimin e huazimeve greke të shqipes dhe arriti të përcaktojë kriteret e shtresimit kohor të tyre (nga greqishtja e vjetër / e mesme / e re). N. Jokl-i, ithtar i shkollës Wörter und Sachen (fjalët dhe sendet), dha shembuj analizash të suksesshme etimologjike dhe arriti në përfundimin se “Es sind vielfältige Rinnsale, durch die, zugleich mit griech. Kultur, griech. Sprachgut sich in das Alb. ergoss.”[1] (1927: 70).
Me studimin e vet Griechisch-albanische Sprachbeziehungen (Marrëdhënie gjuhësore grekoshqiptare) (1981) nestori i gjuhësisë shqiptare E. Çabej na dha një sintezë të arritjeve të deriatëhershme në këtë lëmë dhe parashtroi drejtimet bazë të kërkimit shkencor, duke sugjeruar që, metodologjikisht, kontaktet e të dy gjuhëve duan shqyrtuar në kuadrin kohor para-ballkanik dhe ballkanik të tyre. Në veprën e papërfunduar Studime etimologjike në fushë të shqipes Çabej ndërmori shqyrtimin sistematik etimologjik të fjalësit të shqipes, me vështrime në shqipen letrare dhe në dialektet, duke u prirë nga parimi se “etimologji nuk është një me hetimin e gurrës së një fjale, e as duhet të ndalet me diktimin e kësaj gurre. Ajo përfshin diçka më tërësore, atë që quhet jeta e fjalëve në një kuptim të përgjithshëm” (Çabej SE I 46).
Me disertacionin e saj Neugriechische Lehnwörter im Albanischen (1964) G. Uhlisch-i është e para studiuese që shqyrton sistematikisht huazimet e shqipes nga greqishtja e re, bazuar në një korpus prej 1100 fjalësh. E meta kryesore e këtij punimi është përdorimi i kufizuar i të dhënave dialektore të greqishtes së re (Tzitzilis 1997: 208).
Prej njëzet e ca vjetësh, gjuhëtari grek Chr. Tzitzilis e ka zgjeruar këndvështrimin e marrëdhënieve gjuhësore grekoshqiptare duke i vendosur ato në suazën ballkanike dhe duke shfrytëzuar në mënyrë krijuese lëndën dialektore të greqishtes së sotme. Kjo frymë përshkon studimin e tij të rëndësishëm, por pak të njohur ndër studiuesit shqiptarë, Zur Problematik der griechischen Lehnwörter im Albanischen (1997). Autori shënon se, ndonëse leksiku ka qenë një fushë e privilegjuar studimesh (1997: 200), çështje të rëndësishme si shpërndarja gjeografike, shpeshtësia dhe funksioni stilistik i greqizmave të shqipes janë studiuar relativisht pak. Po ashtu izosemia dhe posaçërisht huazimet përkthimore (calques) nuk janë shqyrtuar imtësisht (1997: 212-13).
Fjalorët etimologjikë të B. Demirajt dhe V. Orel-it, botuar përkatësisht më 1997 dhe 1998, janë padyshim kontribute për lëndën e re dhe interpretimet e reja që sjellin, por do të kishin qenë më të plotë nëse do të mbështeteshin më shumë në të dhënat e greqishtes, e sidomos në dialektet e saj.
Disertacioni ynë (Κυριαζής 2001) shqyrton integrimin fonetik dhe morfologjik të huazimeve nga greqishtja të shqipes dhe bazohet në lëndën e një korpusi prej rreth 3000 lemash, që përfshihen analitikisht në pjesën II të punimit. Janë pasqyruar aty në mënyrë thuajse shteruese kuptimet e dhëna nga fjalorë të ndryshëm të shqipes dhe nga burime të tjera relevante, shoqëruar, sa herë është e mundur, me citime prej letërsisë shqipe, të kultivuar e, sidomos, popullore. Jepen të dhëna sa u përket statusit dhe produktivitetit të huazimeve greke në gjuhën bujtëse, mbi bazën e konceptimit të tyre si njësi dinamike dhe jo statike të gjuhës.
Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe i K. Topallit (2017) përbën veprën më të re në këtë lëmë studimesh, së cilës i binte barra të kryente sintezën e arritjeve të derisotme duke synuar një hap përpara. Duke u ndalur vetëm në ftillimet etimologjike të Topallit me pikënisje greqishten, vërejmë se, në një numër rastesh, përditësimi i mangët bibliografik ka krijuar boshllëqe e pasaktësi. Fjala vjen, bie në sy mungesa e referencave nga veprat themelore Lexikon der Archaismen in neugriechischen Dialekten (N. Andriotis, 1974), Fjalor i Greqishtes Mesjetare Popullore (Ε. Κριαράς, 1969–) dhe Fjalor Historik i Greqishtes së Re dhe i Dialekteve të saj të Akademisë së Athinës (1933–). Bibliografia e veprës, ndonëse ka përfshirë artikullin Zur Problematik der griechischen Lehnwörter im Albanischen të G. Uhlisch-it (1968), nuk ka marrë në konsideratë studimin me të njëjtin titull të Chr. Tzitzilis-it (1997). Përgjithësisht, nga një krahasim me bibliografinë e Studimeve Etimologjike të E. Çabejt, vihet re se Fjalori i Topallit ka më pak tituj veprash dhe autorësh nga greqishtja, në një kohë që do të prisnim të ndodhte e kundërta. (Mungon, p.sh., Fjalori Greqisht-Shqip/Arvanitisht i P. Kupitorit, botuar nga T. Jochalas-i më 2006, me lëndë të pasur nga arvanitishtja).
2. Krahasuar me gjuhët e tjera ballkanike, shqipja ka qenë më e ekspozuar ndaj ndikimit Ftë greqishtes, për sa u përket kohës, hapësirës dhe intensitetit të kontakteve mes tyre. Nëse pranojmë që shqipja është vazhdim i njërit prej dialekteve jugore të ilirishtes dhe se u formësua si gjuhë gjatë shekujve të parë të erës sonë (Demiraj 1988: 203), atëhere mund të bëjmë fjalë për një shtresë të parë huazimesh të lashta greke që konsiderohen sot trashëgimi e shqipes prej “mëmës” së vet, cilado qoftë ajo. Në këtë mënyrë, kontaktet mes dy gjuhëve shtrihen në një periudhë kohore nga mesjeta e hershme e deri më sot.
Huazime të greqishtes hasen thuajse në çdo fushë semantike të shqipes dhe elementet e trashëgimisë bizantine janë gjithandej të dukshme. Mund të flasim për një zonë të mirëfilltë e kompakte të shqipes, që përkon pak a shumë me kufijtë e Shqipërisë së sotme. Veç kësaj, janë edhe enklavat e shqipes në mjedise greqishtfolëse, të cilat u formuan si rezultat i valëve të herëpashershme emigruese të shqiptarëve në Greqi e Itali të Jugut.
Kontaktet në mes dy gjuhëve kanë qenë kryesisht të drejtpërdrejta dhe erdhën si rezultat i fqinjësisë shumëshekullore të të dy popujve dhe prej krijimit të enklavave gjuhësore. Për më tepër, një rrjet i gjerë shkollash në gjuhën greke, krijuar nga bashkësitë ortodokse, ka funksionuar në territoret ku sot shtrihet Shqipëria e Mesme dhe e Jugut.
3. Nga shqyrtimi kritik i studimeve të kryera për huazimet e shqipes nga greqishtja, mund të vërejmë rastet e mëposhtme:
a) Fjalë pa shpjegim etimologjik, që rrjedhin nga greqishtja.
b) Fjalë me etimologji të gabuar.
c) Raste etimologjish ku nuk janë marrë parasysh sa duhet ose nuk janë shfrytëzuar të dhënat dialektore të greqishtes e të shqipes.
d) Gabime dhe pasaktësi lidhur me rrugën e depërtimit të fjalës së huazuar në gjuhën shqipe.
Bazuar në sa u thanë më lart dhe në faktin se në të folmet e shqipes apo në burime të hershme të shkruara të saj gjenden një numër i konsiderueshëm huazimesh greke, themi se grumbullimi dhe studimi i lëndës së re merr rëndësi të veçantë. Lënda e grumbulluar deri më sot është e nevojshme të rishqyrtohet dhe të rivlerësohet.
Krahas njohjes së mirë të materialit të gjuhës marrëse dhe të asaj dhënëse, është e domosdoshme të ndiqet rregullisht bibliografia relevante, ku vërehen mangësi të theksuara.
Përpunimi i materialit duhet t’iu përmbahet kritereve metodologjike të njohura dhe të kryhet duke respektuar disa nga drejtimet që do të theksohen më poshtë, kur të bëhet fjalë për etimologjitë e gabuara. Produktiviteti dhe mobiliteti i huazimeve të greqishtes në gjuhën marrëse, nga periferia në qendër dhe prej shtresave stilistikisht asnjanëse në shtresat e ngjyruara të leksikut, janë aspekte që e bëjnë më të plotë profilin e fjalës së huazuar.
Shqyrtimi paralel i rrugëtimit të huazimeve greke në kuadër ballkanik është i rekomandueshëm dhe i dobishëm dhe mbetet një ndër drejtimet kryesore të studimeve etimologjike në këtë fushë. Më tepër vëmendje u duhet kushtuar të ashtuquajtuarave fjalë ballkanike (fjalë të leksikut kryesisht tradicional blegtoral, që hasen në dy e më shumë gjuhë ballkanike e që nuk janë ftilluar etimologjikisht) të cilat ose lihen mënjanë ose trajtohen jashtë kuadrit ballkanik të tyre. Shqyrtimi i materialit onomastik ofron shpesh të dhëna të vlefshme për kërkimet etimologjike.
4. Në ditët tona janë krijuar kushtet për një hop cilësor në studimin e huazimeve nga greqishtja të shqipes. Ky hop ka për t’u arritur nëse studimet etimologjike mbështeten në parime të qarta metodologjike, duke u dhënë përparësi kritereve kronologjike, gjeografike dhe semantike. Po kështu, duhet marrë në konsideratë edhe statusi i huazimeve të greqishtes në kuadër të gjuhës marrëse.
Nga ana tjetër, duhet shënuar se niveli i zotërimit të gjuhës greke dhe përgjithësisht i njohjes së botës greke në Shqipëri, sidomos në radhët e specialistëve, janë aktualisht të mangëta, me gjithë kushtet e favorshme të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.
Sipas gjykimit tonë, mungesa e kontributeve të shënueshme në fushë të studimeve etimologjike rrjedh edhe nga një qëndrim disi nënvleftësues i ndikimit dhe i pranisë së greqishtes. Fjala vjen, kolegët shqiptarë me të drejtë vlerësojnë se ekzistenca e elementeve dorike në gjuhën shqipe jep dorë për të mbështetur tezën për praninë e hershme dhe diakronike të shqiptarëve në trojet ku janë të vendosur edhe sot. Por nuk vihet re i njëjti bonsens për të pranuar mundësinë që vatrat greqishtfolëse të Shqipërisë së Jugut, ku është konstatuar prania e elementeve dorike, përbëjnë enklava gjuhësore me të njëjtën thellësi kohe sa edhe ajo e dialekteve greke të Italisë së Jugut.
-II-
1. Ajo që bie në sy te Santori dhe te shkrimtarët e tjerë arbëreshë është fakti se greqizmat shihen si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe e identitetit gjuhësor të veçantë të arbëreshëve, gjë që lidhet me rrënjët bizantine e, më tej, me mitin e prejardhjes pellazgjike të tyre (Altimari 2015: 286). Tërheq vëmendjen, gjithashtu, edhe “la maggiore famigliarità degli scrittori arbëreshë con la terminologia religiosa greco-bizantina” (Mandalà 2004: CII). Në këtë hulli, larmia dhe vjetërsia e greqizmave të të folmeve arbëreshe vjen të provojë kontaktet e hershme të të dy gjuhëve në truallin ballkanik, të cilat u vazhduan e u pasuruan më pas me ngulimet në Sicili e Itali të Jugut të shqiptarëve të ardhur o nga “e bukura More” o nga brigjet lindore të Adriatikut e të Jonit (Jochalas 1975: 50).
Arbërishtja pasqyron gjendjen e shqipes në fazën para-otomane të saj. Kjo do të thotë se ajo ruan vlagën e periudhës bizantine të shqipes e prandaj gjejmë aty greqizma më të shumtë e më të hershëm. Lind pra nevoja të kryejmë shtresëzimin diakronik dhe diatopik të materialit. Të ndajmë çfarë është e shqipes ballkanike dhe çfarë e arbërishtes, dhe pastaj, nga vetë elementi grek i arbërishtes, të veçojmë çfarë është popullore e çfarë është librore.
Veprimtaria e dendur botuese e viteve të fundit e kolegëve arbëreshë, por edhe kontributet e studiuesve nga atdheu mëmë, kanë sjellë në dritë një sërë veprash të reja, që i kanë zgjeruar njohuritë tona për greqizmat e arbërishtes dhe shtrojnë nevojën e riinkuadrimit dhe të rivlerësimit të tyre në suazë të greqizmave të mbarë shqipes.
Pa synuar trajtimin shterues të temës dhe të materialit, do të shtjellojmë në vazhdim disa çështje që lidhen me greqizmat e arbërishtes, sikurse përvijohen nga studimi i veprës së botuar të F. Santorit, dhe paralelisht do t’i referohemi lëndës së vjelë nga fjalorët lokalë të arbërishtes si dhe nga vepra dhe nga fjalori italisht-shqip-arbërisht i N. Ketës.
2. Po ndalem në disa shembuj nga veprat “Sofia e Kominiatëve” (Sauku Bruci 2011) dhe “Emira” (Sauku Bruci 2018) të Santorit, e para më librore, e dyta më popullore, që na japin një pasqyrë interesante të jetës arbëreshe në shek. XIX. Në një vështrim të parë, numri i greqizmave duket mjaft i madh, por po të marrim parasysh produktivitetin e shumë syresh, që Santori do t’i quante “pemullore”, arrijmë në përfundimin se greqizmat e mirëfilltë janë më pak. Në vargun e fjalëve i llavur, llavuri, llavni, llavurisht, greqizëm i mirëfilltë është vetëm folja llav ‘inspiritore’, që e gjejmë qysh në fjalorin e N. Ketës. Po ashtu fjalët tramaksi (një thirm tramaksie) dhe tramaksore (ka cjudhia tramaksore), trantaksi dhe trantaksore (ëndërrë trantaksore), fjantaksi, etj. janë formime prapashtesore të foljeve gjegjëse tramaks (τρομάζω, aoristi τρόμαξ-), trantaks (τραντάζω, aoristi τράνταξ-) dhe fjantaks (φαντάζω, aoristi φάνταξ-). Kjo përshtypje forcohet edhe në rastet kur elemente fjalëformuese të greqishtes bashkohen me rrënjë jogreke: …buzën të malepsurë, e kurmin qimosurë e të zi.
Në pjesën që vijon kemi një sërë mbiemrash prejfoljorë dhe prejemërorë (shënuar me italics), shto edhe një numër huazimesh emra (të nënvizuar), që e bëjnë më të pranishme greqishten:
Ai ashtu i tundurë e i shkundurë ka njëqint malle, ka njëqint kultuome, i trëmburë ka njëqint bëma të liga, i tramaksurë e i varesurë ka gjella e shkuarë, i trantaksurë ka mendira e gjells e prasëme, qëntroi sikurë i çotiasurë e i marmarost… shpirtin e kish keq të nxiturë, e të skatërruarë me farmëkun e ftesavet, me zakonet e sënteruara, e lavoma i zbulonej keq e thellë, keq e thimosurë, pa rrimjedhe, pa jatro e pa jatrii; e ahiena mbjatu çë Baruni i luftuarë ka këto suvala të monostrofta silloish, e sikurë i zmarmarturë s’dij cilën udh të mirrij, ahiera hiri Miku me një bisht siu gjith i paa tek balli zëmërën. (“Sofia…” 151)
Vërejmë gjithashtu se greqizmat te Santori janë mjaft të integruar në pikëpamje morfologjike, semantike e stilistike. Nuk ndihen si mish i huaj, por si pjesë e ashtit të arbërishtes. Shembujt e mëposhtëm besoj se nuk lënë dyshim për këtë:
a. Greqizma që shfaqen në fusha të caktuara kuptimore (semantic areas): thirmën e qiftit, e petritit, e grishsë; Kurmi ju skotis, zëmëra i llaftarti e balli ju lag me djers; të parkalesinjë, përgjunjemi e të lusinjë prë nterë të tire (“Sofia…” 115, 142, 146).
b. Greqizma që shfaqen në kuadër çiftesh a vargjesh sinonimike: ndë porsilii e ndë shëllëza; …gjellë mëë farmëkore e të helmuome; mos tramaksi fare … mos trëmbi gjëi këshoi; …gjintja dukej aq e trëmburë e tramaksurë; …në udhën e urtëriis, e ndë dromën e nomit të sinë Zoti; ….kam ellpize mbë tënin Theos (shembujt nga “Sofia…” 116, 154, 127, 198, 368, 368).
Te Santori gjejmë një numër greqizmash për të cilët shtrohet pyetja nëse janë pjesë e idiolektit të tij apo kanë një shtrirje më të gjerë përdorimi. Ato ose kanë lidhje me kulturën klasike të tij ose janë gjurmë, ndoshta, të të folmeve të ngulimeve të hershme greke të Kalabrisë. E tillë duket të jetë fjala tilikua, që e gjejmë në kontekstet e mëposhtme:
Stesën ai tilikua i Dhumink Berlingut. (“Sofia…” 135) = per colpa di quel demonio di Domenico Berlingo, libro II, capi. 4. pag. 20.
“Thomse vjenë ai tilikua” tha mbë qetez Marrsiu. (“Sofia…” 182) = forse vienne quel demonio” disse sottovoce Marhsio., lib. 1, cap.7, pag.2.
“Si tilikua bëre?” thonej Baruni. (“Sofia…” 234) = Come diamine hai fatto? Lib.I, cap. 8, pag. 21.
Ngolisën si pish tilikoi, e ngjitet nkrah si dërrudhez o rrëz. (“Sofia…” 423) = Attaca come pece sattanica restando addosso quasi frutice di lappa o foglia di robbia. lib. II, cap. V, pag.12.
Përkthimi italisht i vetë Santorit[2] (demonio, diamine, sattanica), por edhe teksti arbërisht dhe konteksti i tij, sidomos shembulli i f. 423, ku në një fjali më sipër përmenden “vampiret, kushedrat, dreqezit e magarat”, tregojnë se këtu fjala tilikua ka kuptimin ‘dreq, djall’. Për etimologjinë e saj na duket me vend lidhja me greqishten τέḍ-ḍεκο (τηλίκος) të Kalabrisë, e cila haset tjetërkund edhe si τελεκός (ishulli grek Νaksos) dhe ka kuptimin ‘1. aq 2. i tillë’ (Καραναστάση V 134-135), i cili pas shumë gjasash shërbeu për emërtimin eufemistik të djallit: i atilli, i paemri.
Një fjalë tjetër, me burim kishtar, është edhe mbiemri i stoneonëm: Jo… Jo… thoshin, dita e Albërive nënk u strapos, moti i atireve ësht i stoneonëm, si qiella pa rrëvuome, e bukurë, ilepsurë e ohistrullore. (“Sofia…” 295). Rrjedh nga emri stoneonë: Mbë serpos nka gjella jonë / vafshin mpaq ndë stoneonë. =In fine dalla presente vita trapassino soavemente nella vita della eternita (“Emira” 515).
Duket se kemi të bëjmë me njëfjalëzimin e pjesës së parë të shprehjes εις τον αιώνα των αιώνων (in secula seculorum), që përdoret aq shpesh në kishë dhe që e gjejmë qysh tek N. Keta: I vu më qëndrë is ton eona për gjith mot jetë. = Li ha posti al centro is ton eona per l’eternità (Mandalà 2004: 198). Sigurisht që s’mund të vendoset një lidhje direkte mes Ketës dhe Santorit, por mund të mendohet se ndoshta kemi dy shfaqje paralele dhe të pavaruara të së njëjtës fjalë, brenda një konteksti të ngjashëm të lidhur me traditën kishtare bizantine.
Fjala serpós (mbë serpos), që e hasim te Santori, por edhe në autorë të tjerë arbëreshë (shih Fjalorin e Giordanos), është pas gjasash edhe kjo rrjedhojë e një greqizmi karakteristik të arbërishtes. Në punimin tonë të doktoratës kemi mbledhur këto të dhëna: serpóset ‘night falls’ Mann 1948, 448 (Bashkimi), serpós ‘darken’ Mann 1948, 448 (Godin), serpósënj ‘completare, finire, ultimare, concludere; imbrunire, ottenebrare; fig. uccidere’ Giord. 433. -Rrjedhoja: serpósur (i, e, të) ‘terminato, ultimato, compiuto; imbrunito; ucciso’, serpósëm (i, të) -sme (e) ‘finale, estinguibile; serotino’, serpós m. ‘fine, conclusione; morte’, serpósme f. ‘fine; uccisione’ Giord. 433, mbë të serpost ‘in der Dammerung’ calabr. Meyer 381.
Meyer-i (1891, 433) e lidh fjalën me greq. σουρουπώνει ‘zë të erret, të ngryset’ < σούρουπο + prapasht. –ώνει (Ανδριώτης 1983, 333). Fakti që kjo fjalë dëshmohet në Frascineto (Giordano), lë shteg të besohet se ajo ose kaloi nga Santori në të folmen lokale ose kaloi nga kjo te Santori.
Duhet shtuar ndërkaq, se një folje surpu (σούρπου) dëshmohet për arumanishten në Fjalorin trigjuhësh të Th. Kavaliotit (1770) si barasvlerës kuptimor i gr. κρημνίζω dhe i shq. rrëzoj. Ky fakt mbase e zgjeron hapësirën e përdorimit të fjalës, por edhe lë të hapur mundësinë për nje origjinë (neo)latine të saj. Papahagi (2013²: 1138) jep për foljen surpu të arumanishtes kuptimet ‘1. renverser; écrouler; ébouler; 2. vaincre; tuer; 3. s’en aller’, që mbulojnë pak a shumë përdorimet e foljes serposënj të Giordanos, dhe e lidh me lat. *subrupare, të cilën e përqas me f. subrupere ‘dérober furtivement’. Sido që të jetë, të errurit lidhet me perëndimin e diellit dhe ky vetë është një ‘vithisje’ a ‘rrëzim’ i planetit të zjarrtë.
c. Fjalori i Giordanos, për aq sa na jep të dhëna për shpërndarjen gjeografike të fjalëve, si edhe fjalorët lokalë të arbërishtes që janë botuar vitet e fundit[3], na ndihmojnë të përcaktojmë, me ndihmën edhe të kritereve të tjera, çfarë është popullore dhe çfarë librore ndër greqizmat e arbërishtes. Le të marrim disa shembuj fjalësh apo trajtash që nuk janë pasqyruar në Fjalorin e Giordanos[4], i cili, e theksojmë, mbetet edhe sot një xehe greqizmash e pashfrytëzuar plotësisht[5]:
Në Fjalorin Arbëresh të Mulizit (FAM) gjejmë fjalët/kuptimet dhe trajtat adhjúr, ajdhúr ‘asino, somaro’ dhe ardhúr ‘asino’ (<γαϊδούρι), aviláq ‘solco tracciato dall’ aratro’ (<αυλάκι), diganíqe ‘forcella, bastoncino’ (<δεκανίκι), dirimón ‘staccio’ (<δριμόνι), harrakós-em ‘tarlarsi’ (<χαρακώνω), hiramér dhe hjiramér ‘prosciutto’ (<χοιρομέρι), kakáv ‘ciotola’ (<κακάβι), kátar[6] pasth. ‘caspita’ (<κάταρα ‘mallkim, mëkat’ Καραναστ. ΙΙΙ 104), katarrát ‘botola che si apre sul pavimento per accedere al piano sottostante; soppalco di legno’ (<καταρράκτης)[7], letrapódhe ‘base dell’ aratro di legno su cui viene fissato il vomere’ (<αλετροπόδι), mángan ‘argano di legno, usato nell’ edilizia per sollevare pesi’ (<μάγγανο, μάνgano Καραναστ. ΙΙΙ 428), mavrí ‘oscurità, buio’ (<μαυρία), nduvalísënj ‘riarare, ripassare l’aratura dei terreni’ (<διβολίζω), nikuaqíre ‘gallina fertile, animale produttivo’ (<νοικοκύρης), patrít, pjetrít ‘gheppio’ (<πετρίτης), pelastádh, pilistádhe ‘cavalletto in ferro su qui pogniano le tavole di sostegno del letto matrimoniale’ (<παραστάδα), pisavísënj ‘morire, crepare (esclusivamente riferito agli animali)’ (<ψοφίζω), pullaqídhe ‘gallina di pochi mesi’ (<πουλακίδα), sparé ‘larghezza tra due solchi tracciati sul terreno per la semina a spaglio’ (<σπορέα), spatalísënj ‘stiracchiare’ (<σπαταλώ), etj.
Νë Fjalorin Arbëresh të Shën Sofisë (FAShS) gjejmë fjalët dhe trajtat hjoromérë ‘lardo’ (<χοιρομέρι), hjoropáne ‘straccio, cencio da cucina’ (<χειροπάνι), jastrít ‘biscia di terra’ (<αστρίτης), kacídhe ‘tigna’ (<κασίδα), katárrë ‘dicesi di persona vecchia e magra’(<κατάρα) [shih edhe Giord.: fig. ‘pecora vecchia e magra’], llojídhe ‘malattia della vigna’ (<βλογία <ευλογία), naftísinj ‘agghindare, abbigliarsi’ (<ανασταίνω), petáksinj ‘scuotere, sorprendersi’ (<πετώ), postémë ‘1. infiammazione cutanea 2. piaga, apostema’ (<ποστέμα <απόστημα Καραναστ. ΙV 266, Kalabri), skaftísinj ‘rovistare, frugare’ (<ψάχνω, aor. έψαξ-), tëllúpë av. ‘dicesi di capelli aggrovigliati’ (<τουλούπα), etj.
Në Fjalorin Arbëresh të Shën Kostandinit (FAShK) gjejmë fjalët dhe trajtat cákan ‘la chiusura che permette di fermare le pecore per mungerle’ (<τσάκ-κανο <*σάκανον, Καραναστ. V 203, shih edhe më poshtë), garramísenj ‘dirupare’ (<γκρεμίζω), kallmaré ‘bot. cannuccia, Phragmites communis’ (<καλαμερό, Καραναστ. ΙΙΙ 27, Kalabri), kollpané ‘botta, sparo…’ (<κοπανέα), kolpanísenj ‘bastonare, percuotere’ (<κοπανίζω), nikuqíre ‘donna che ama la solitudine’ (<νοικοκυρά), qoromídhe ‘tegola’ (<κεραμίδι), sarpóset ‘tramontare’ (shih sa thamë më lart), sollostén ‘cassa del pettine, pezzo del telaio consistente in una sbarra che spinge il pettine invergatore per far combaciare i fili’ (<τσυλόστενο <ξυλόκτενον, Καραναστ. V 36, Kalabri), strihjí ‘strega’ (<στοιχείον), etj.
Me konstatimin se shumica dërrmuese e greqizmave të tre fjalorëve të marrë në shqyrtim më sipër, hasen qysh në Fjalorin e E. Giordanos, le të kalojmë tani në shfletimin e një fjalori tjetër, të atij italisht-shqip-arbërisht të N. Ketës, me datë hartimi vitin 1763, ku ndërthuren lënda leksikore e shqipes ballkanike me lëndën leksikore të arbërishtes, e posaçërisht asaj të Sicilisë.
Ky fjalor meriton një studim më vete për sa u takon greqizmave që hasen në të, por këtu do të kufizohemi në disa vërejtje të përgjithshme. I hartuar në mesin e shek. XVIIΙ, Fjalori pasqyron gjendjen e leksikut të shqipes së asaj periudhe dhe rrjedhimisht daton edhe një sërë greqizmash (a rrjedhojash të tyre) që nuk i gjejmë në të tjera burime të shkruara. Me interes të veçantë janë barasvlerësit e fjalëve italisht dhe vargjet sinonimike të tyre, prej të cilave po renditim këtu pjesën më të madhe[8].
Nga lënda e mësipërme mund të nxirren përfundime të rëndësishme si për shqipen ballkanike ashtu edhe për arbërishten e mezit të shek. XVIII, të cilat nuk do të shtjellohen këtu. Të shihen, për shembull, kuptimet e fjalës prónë, që na çojnë në kohët bizantine të shqipes, sikurse edhe përdorimi i gjerë i fjalës horját me rrjedhojat e shumta të saj. Po ashtu, shënimi sic., që vendos N. Keta në një sërë fjalësh e greqizmash që përdoren nga arbëreshët e Sicilisë, nuk tregon se ato përdoreshin doemos vetëm aty (shih, p.sh., fjalët gjitoní dhe mulqás). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fjalë të tjera, të cilat nuk cilësohen si sic. e megjithatë përdoreshin edhe në arbërishten e Sicilisë, siç duket edhe nga vetë shkrimet e N. Ketës. Fjalët sos dhe firás, p.sh., i gjejmë në veprën e tij “Barisia e gjith Rruzullimit” (Mandalà 2004: 122). Në fund të fundit, nuk mund të mendohet se Keta i njihte aq thellë shqipen ballkanike dhe të folmet e arbërishtes, për të dalluar çfarë i takonte arbërishtes së Sicilisë e çfarë jo.
Po të kalojmë tani nga Fjalori i N. Ketës në vetë veprën e tij, do të shohim se ajo është mjaft e pasur me greqizma[9] e neologjizma, të cilët nuk janë pasqyruar në atë Fjalor ose janë pasqyruar mangësisht. Mungon, p.sh., fjala soró ‘fine’, e cila duket se merr nga greqishtja, por është nevojë të ftillohet më tej etimologjia e saj[10]. Fjala honém, karakteristike për leksikun e Ketës (shih më poshtë), shfaqet në Fjalor me trajtën honema ‘baratro’ dhe me sa duket është një neologjizëm i tij.
Me bindjen se vepra e Ketës meriton një studim të posaçëm edhe për sa u përket greqizmave të përdorur prej tij, po kufizohem këtu në disa konsiderata të përgjithshme. Ai, sikurse edhe Santori, i integron natyrshëm greqizmat dhe krijon prej tyre lëndë të re gjuhësore, të nevojshme për të mbuluar boshllëqe terminologjike. Në veprën “Barisia e gjith Rruzullimit” përdoren termat Theotikë ‘Divinità’ (<θεός, θεοτικός), Stithrori ‘il Fabbricatore’ (<stis <στήνω), Tahën ‘Arte’(<τέχνη), Sotiri ‘Il Salvatore’ (<Σωτήρας), Honem ‘Pelago, Abisso’ (<hon < χώνη), si dhe fjalët Dhiafōr ‘Tesoro’, Propolipsí ‘Giudizio’, që duket se marrin nga greqishtja. Në “Ndëlgisa e Barisisë të gjith Rruzullimit”, fjala nikoqir (<νοικοκύρης) përdoret në kuptimin ‘Sovrano’ dhe ‘Signore’ (qiellja e qiellësë Nikoqirit – il cielo del cielo del Signore’), ndërsa hasen edhe fjalët stithár ‘edificio’ (<stis) dhe pëlësēr ‘colomba’ (<πελιστέρι), greqizëm që nuk e ka Fjalori i Giordanos. Po ashtu, në të njëjtën vepër vihet re përdorimi stilistik i çifteve plotësisht a pothuaj sinonimike: jetnë po të përzieme, të nakatosme – il mondo … confuso, caotico; ajo horë e vend – quel paese e luogo; ujëra pa fund, kinesë gati pa soro – aque senza fondo, cioé quasi senza fine; “vura shurënë sorotī dejtit.” “I vura sinōrt…” – “che misi la pioggia a confine del mare.” “Gli misi i confini”.
Greqizmat e veprës së Ketës paraqesin interes edhe për nga produktiviteti, nuancat dhe zhvillimet kuptimore të tyre. Në “Testi liturgici” gjetëm foljen sotirónj (sotiro, o i gjithmiri, shpirtrat tanë – salva, o tutto-buono, le anime nostre), krijuar prej emrit Σωτήρ, ndërsa emri hirestón ‘miracolo’ (E dhoks’ e tij aq hirestone prū – E la gloria sua tanti miracoli apportò) dhe mbiemri i/e hirëstósmë/e ‘miracoloso, prodigioso’ (Të hirëstosmet punë… – Le miracolose opere…; Barīsi pa soro isht m’ i hirestosm – il Creatore senza fine è più prodigioso) lidhen me fjalën hirestón, që pas gjasash u përftua nga njëfjalëzimi dhe kalkimi i pjesshëm i shprehjes χάρις εις τον / χάρη στον (Θεόν) ‘falë zotit’: për hireston të Perëndis – per la grazia del Signore, e cila fitoi një kuptim (kontekstual) të vetin. Emrat hirestón dhe stoneónë, të dëshmuar për herë të parë në veprën e një personaliteti shndërritës të letrave arbëreshe, sikurse është N. Keta, janë dëshmi të gjalla të gjurmëve të traditës kishtare bizantine në jetën dhe kulturën e arbëreshëve.
Në “Liriche varie” të Ketës gjejmë fjalën nikoqirt ‘i genitori’, ndërsa fjala horrjat në një kontekst të caktuar përkthehet si Israele: të bilvet e horrjetit – per i figli di Israele; U gëzout horrjati mbi bënsinë e tij – Gioisca Israele nel Creatore suo. Fjala parapónisma, një “shartim” me sa duket i gr. παραπόνεσις dhe παραπόνεμα (Kριαράς ΙΕ 126) haset me kuptimin ‘consolazione’, duke ruajtur kështu një nuancë kuptimore të fjalës popullore mesjetare παραπόνεσις, që në thelb do të thotë ‘ankim, qarje’.
d. Nga sa u tha më sipër del se studiuesit i duhet të përballet me probleme të etimologjisë në një terren që, së pari, karakterizohet nga prania diakronike dhe dinamike e greqishtes, me mbivendosje të shtresave leksikore të hershme e më të vona të saj, dhe ku, së dyti, pleksja e gjuhëve në kontakt e vështirëson punën e etimologut. Le të marrim disa shembuj. Fjalori i Giordanos (2000: 158) për fjalën hiridhone jep të dhënat e mëposhtme:
agg. grazioso, simpatico: dallandyshe hiridhone, rondinella graziosa (C.Tr. 345); dallandyshe hiridhone, rondinella, rondinella (!) (M.C.). Michele Marchianò traduce, “hiridhone” per rondinella, credendo che derivasse dal greco; Schirò invece giustamente la fa derivare da hir, grazia.
Për mendimin tonë, përkthimi i Marchianò-së bëhet i pranueshëm, përderisa, sikurse pamë, është e zakonshme të përdoren çifte të tilla sinonimike. Nga ana tjetër, nuk është fort bindës krijimi i fjalës hiridhone nga fj. hir, sikurse është e sigurt se pas saj qëndron fjala χελιδόνι ‘dallandyshe’.
Në të njëjtën hulli, na duket pa vend të lidhen fjalët horját dhe themélli të Leksikosë së Ketës me fjalët turke horr dhe temel (Mandalà 2003: 109 dhe 113). Për të parën, Çabej (SE IV 377) e lë të hapur mundësinë e një huazimi të drejtpërdrejtë prej gr. χωριάτης (>turq. horyad) dhe kjo mundësi shumëfishohet në rastin e arbërishtes, ku fjala χωριάτης (<χώρα) shkon me trashëgiminë bizantine të ngulimeve shqipfolëse dhe dëshmohet në të folmet greke të Kalabrisë me kuptimin ‘rustico’, ‘villano’ (Καραναστ. V 450). Fjala themelli ‘fondamento’, sipas Çabejt (SE VII 150, themel), që bie dakord me G. Meyer-in, “vjen nga greqishtja e re θεμέλιον”, për arsye se ruan tingullin th. Përveç kësaj, në veprën e Ketës dëshmohet folja themelis, e cila e përjashton burimin turk.
Po ashtu, duhet pasur kujdes me të ashtuquajturit pseudogreqizma, siç ndodh me fjalën hjidhí, e cila duket si greqizëm (Mandalà 2004: XCIV), por nuk është e tillë, përderisa është formuar nga rrënja hidh- (i hidhët) dhe prapashtesa –í.
Problemi i huazimit direkt a të ndërmjetësuar shtrohet për një numër fjalësh arbërisht, që janë marrë o nga të folmet greqisht të Kalabrisë e të Apulisë o nga dialektet vendase të italishtes. Fjala ásterk ‘pavimento molto rusticο di cemento, pietra, lastrico’ (Giord., FAShS) shkon me fjalën άστρικο/ίστρακο, me të njëjtin kuptim, që haset në greqishten e Apulisë dhe Kalabrisë, kjo vetë nga latinishtja astricus (Καραναστ. Ι 370), duke mbetur e hapur çështja e burimit grek a (neo)latin të saj. Fjala postémë e katundit të Shën Sofisë ‘1. infiammazione cutanea 2. piaga, apostema’ buron pas gjasash nga greqishtja ποστέμα (<απόστημα Καραναστ. ΙV 266, Kalabri), por te Leksikoja e N. Ketës gjejmë edhe ital. postema – plasila.
Interes të posaçëm kanë ato fjalë të arbërishtes trajta fonetike e të cilave ruan gjurmë zhvillimesh specifike të të folmeve greke të Italisë së Jugut. Njihet fakti se në këto të folme grupi bashkëtingullor ps- shndërrohet në sp- (Καραναστ. V 455). Në këtë mënyrë, folja spovis-ënj ‘crepare, morire delle bestie’ (Giord. 2000: 445), që nuk haset në shqipen ballkanike, do të shihet si huazim i arbërishtes prej greq. vendore σποφάω ‘ngordh’ (Καραναστ. IV 495). Poashtu fjala spoví ‘carogna (di animale)’ (Giord. 2000: 445) do të lidhet me gr. σποφία ‘kafshë e ngordhur’ të Kalabrisë (Καραναστ. IV 497), ndërsa te fjala spérë ‘raggio di luce, riverbero, barlume; disco del sole’ (Giord., FAShS) <σπαίρα (σφαίρα) Καραναστ. IV 462 Kalabri, Apuli, kemi kalimin e sf- në sp-. Trajtat piftí (Giord., FAShS), pifté (Giord.) ‘gelatina di carne’, pikté ‘gelatina’ (Keta, Leksiko) lidhen me gr. πηκτός ‘i piksur’, që në Apuli del si πηφτό ‘qumësht i piksur’ (Καραναστ. ΙV 176), duke pasqyruar kalimin nga -kt- në -ft- të greqishtes vendore.
Me greqishten vendore lidhen pas gjasash edhe fjalët cákan ‘la chiusura che permette di fermare le pecore per mungerle’ (<τσάκ-κανο <*σάκανον ‘idem’, Καραναστ. V 203), të cilën Rohlfs-i e sjell nga arabishtja sahan ‘banesë’ (Καραναστ. ibidem); katrax ‘briga, questione, intrigo’ (Giord.) <gr. Apul. κατάρκιο (*κατάρχαιος) ‘histori e vjetër, e stërlashtë’ (Καραναστ. ΙΙΙ 106), digëlísënj ‘solleticare, stimolare, eccitare’ (Giord.) <κιτιλώ ‘gudulis’ (Καραναστ. ΙΙΙ 160, Apuli); vratháq ‘piccolo quoziente di terreno’ (Giord.), ‘il rigonfiamento delle maniche, nella parte interna della sottana del costume feminile’ (FAShS) shih βάθαρο ‘kanal i thellë, hendek’ (<βάραθρον) dhe βαθαρ-ρούκι ‘kanal i vogël, hendek i vogël’ (Καραναστ. ΙΙ 4-5), karíqe ‘follicolo, baccello o involucro del cotone, delle castagne, ghiande ecc.’ <καρύκι ‘boçe pishe’ (Καραναστ. ΙΙΙ 88, Kalabri), vojdhakrátë ‘trifoglio selvatico’ (Giord.) <βοϊδοκράτης ‘lloj bari’ (Rohlfs 1964: 88), vrúkull ‘locusta’ (Giord.) <βρούκουλο ‘karkalec’ (Καραναστ. ΙΙ 86, Αpuli), etj.
Po ndalem edhe te folja kamaqís-ënj ‘far assopire; equilibrare, bilanciare; misurare’ dhe rrjedhoja retrograde e saj kamaqí ‘assopimento, sonno, letargo, sonnolenza, sopore; misurazione, equilibrio’, që dalin te Giordano-ja dhe në fjalorë të tjerë të arbërishtes, të cilat kolegu i paharruar G. Belluscio, në kumtesën e vitit 2018, i përfshinte në fjalët arbërisht me prejardhje nga greqishtja që nuk janë trajtuar si të tilla apo nuk është gjetur etymon-i i tyre. Ja çfarë shkruante Gianni:
kamaqisur (i, e) mb. ‘i shtrirë në një anë, i zdergjur në një krah’ në Por. dhe Uru. (sipas Pignoli dhe Tartaglione 2007); në një tjetër dëshmi nga e folmja e Ururit folja del dy herë me kuptimin ‘përmbys, hedh poshtë’, ndërsa ka kuptimin ‘përkul’ në të folmen e Katundit (Greci, në prov. e Avellino-s). Si term libror FiA jep një seri shembujsh të nxjerrë nga veprat e De Radës: kamaqi, – a ‘gjumë, dremitje’, monu e sytë i tëholqtin si nga kamaqí (De Rada, Skanderbeku i pafaan); errësirje pa kamaqí e dalë (De Rada Gius., Grammatica); pa kamaqí (De Rada, Caduta della reggia d’Albania); kamaqísënj ‘përgjumë; mat; balancoj’: erth nata e u kamaqís (De Rada, Anmarie Kominiate); pulës i kamaqisi (De Rada, Fiamuri Arbrit). Kamsi (2000:116) gjuum më kamaqisi i ljodhët (De Rada, Skanderbeku), po kështu edhe Kamsi (2000).
dhe shtonte që:
Siç shihet kjo folje ka disa variante kuptimore për të cilat është vështirë të gjendet një sintezë. Folja mund të jetë huazim nga greqishtja καμακίζω, ku ndeshemi me një kuptim tjetër ‘gjuaj me një fuzhnjë’ dhe të ndryshëm prej të mësipërmve, në këtë situatë nuk jemi ende në gjendje të motivojmë anën kuptimore dhe të japim një shpjegim përfundimtar.
duke sqaruar se
Edhe Meyer (1891: 171) nuk jep shpjegim: “kamaḱī f. ‘sopore [= gjumë]’ Rada Po[esie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao figlio del despota di Scutari. Napoli 1836. Neudruck 1847] III 124.”
Nga lënda e pasur e kumtesës së Belluscios, e cila mund të konsiderohet edhe si një sintezë e punës së kryer për studimin e greqizmave ndër arbëreshë, e shoqëruar me lëndë të pasur dhe me problematikën dhe bibliografinë përkatëse, por me boshllëqe sa i përket gjendjes së studimeve relevante në truallin ballkanik[11], del qartë përfundimi se evidentimi i greqizmave të arbërishtes dhe shtresimi kohor i tyre mbetet më së shumti terren i virgjër dhe se aty, sikurse tjetërkund, duhet ndarë gruri nga egjra dhe buka nga byku.
Folja kamaqis-ënj është një shembull mjaft domethënës i faktit se, mbi bazën e njohjes që kemi deri më tash, arbërishtja:
- ruan greqizma që nuk dëshmohen në shqipen ballkanike
- ruan greqizma që nuk dëshmohen në të folmet greqisht të Italisë së Jugut (Kalabri e Salento)
- ruan greqizma, trajtat dhe kuptimet e të cilave mund të ftillohen kënaqshëm duke iu referuar fazave më të hershme, bizantine e mbase parabizantine, të greqishtes.
Konkretisht, folja kamaqis-ënj lidhet pas gjasash me foljen e greqishtes mesjetare κατουμύζω (aoristi κατούμισα) ‘ul kokën, kotem, përgjumem’ (Κριαράς Η΄ 104), që rrjedh prej greqishtes së vjetër καμμύω, καταμύω ‘(zum Schlaf) die Augen schliessen / mbyll sytë për gjumë’, trajta të së cilës kanë mbijetuar në të folme të greqishtes së re, si p.sh. κατουμύζω, κουτουμύζω në ishullin Chios (Andriotis 1974: 293).
Në përfundim të kësaj paraqitjeje të parë, duam të theksojmë se u përpoqëm të cekim disa anë të problematikës që lidhet me greqizmat e të folmeve të arbërishtes, si edhe të burimeve të shkruara të saj. Nuk mëtojmë se bëmë një trajtim shterues të çështjes dhe jemi të vetëdijshëm që mbetet shumë punë për t’u kryer. Sido që të jetë, kemi përshtypjen dhe shpresën se lëvrimi i mëtejshëm i kësaj fushe do të sjellë të dhëna të vlefshme për historinë e shqipes e të greqishtes si dhe për teorinë dhe praktikën e gjuhëve në kontakt.
© 2023 Dhori Q. Qirjazi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Bibliografia
Altimari, F. & Savoia, L. (a cura) 1994. I dialetti Italo-Albanesi. Roma: Bulzoni editore.
Altimari, F. 2015. Urat e Arbërit, Tiranë.
Andriotis, N. 1974. Lexikon der Archaismen in neugriechischen Dialekten. Wien.
Baffa, G. 2009. Dizionario arbëresh di Santa Sofia d’Epiro. Università della Calabria.
Belluscio, G. 2019. Greqizmat në të folmet arbëreshe: dëshmi dhe histori të kontakteve gjuhësore, kumtesë e mbajtur në Simpoziumin “Balcanology Today and the Inter-Balcanic Communicative Relations”, Shkup, tetor 2018, e disponueshme në internet.
Blanchus, F. 1635. Dictionarium latino-epiroticum. Romae.
Camarda, D. 1864. Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese. Livorno.
Caracausi, G. 1990. Lessico Greco della Sicilia e dell’Italia meridionale. Palermo.
Corniglia, G. (ed.) 2008. Leksiko liti kthiellë arbërisht. Palermo.
Çabej, E. 1976-2014. Studime etimologjike në fushë të shqipes I-VII. Tiranë.
Çabej, E. 1976-1986. Studime gjuhësore I-VII. Prishtinë.
Çabej, E. 1981. “Griechisch-albanische Sprachbeziehungen”. Studia Albanica I: 51-61.
Demiraj, B. 1997. Albanische Etymologien. Amsterdam – Atlanta.
Demiraj, Sh. 1988. Gjuha shqipe dhe historia e saj. Tiranë.
Du Cange. 1688. Glossarium ad scriptores mediae et infimae graecitatis duos in tomos digestum. Lugdunum.
Fjalor 1980. Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe. Tiranë.
Fjalor 2006. Fjalor i Gjuhës Shqipe. Tiranë.
Giordano, E. 2000. Dizionario Arbëresh-Italiano. Vocabolario Italiano-Arbëresh. Castrovillari.
Hahn, J.G. 1854. Albanesische Studien I-III. Jena.
Jochalas, T. 1975. “Sulla problematica dei prestiti bizantini e neo-greci nei dialetti italo-albanesi”, Balkan Studies 16, 44-55.
Jokl, N. 1911. Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung. Wien: Sitzungber. d. Kais. Akad. d. Wiss.
Jokl, N. 1923. Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen. Berlin und Leipzig.
Mandalà, M. 2003. Nicolò Chetta nel bicentenari (1803-2003). Palermo.
Mandalà, M. 2004. N. Chetta. Testi letterari in albanese, Caltanissetta
Mann, St. E. 1948. An Historical Albanian-English Dictionary. London-New York-Toronto.
Meyer, G. 1891. Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg.
Orel, V. 1998. Albanian etymological dictionary. Leiden – Boston – Köln.
Papahagi, T. 2013². Dicţionarul dialectului aromăn. Bucureşti.
Pignoli, M.L. & Tartaglione, G. 2007. Dizionario albanese molisano. Università della Calabria.
Rohlfs, G. 1964. Lexicon graecanicum Italiae inferioris. Tübingen.
Sauku Bruci, M. 2011. Francesco Antonio Santori. Sofia e Kominĭatëve. Napoli.
Sauku Bruci, M. (ed.) 2018. Franqisk Anton Santori. Emira. Tiranë.
Scutari, P. 2010. Dizionario arbëresh di San Costantino Albanese. Università della Calabria.
Topalli, K. 2017. Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe. Tiranë.
Thumb, A. 1909. “Altgriechische Elemente des Albanesischen”. Indogermanische Forschungen 26.
Tzitzilis, Chr. 1997. “Zur Problematik der griechischen Lehnwörter im Albanischen”. Zeitschrift für Balkanologie 33/2: 200-214.
Uhlisch, G. 1964. Neugriechische Lehnwörter im Albanischen. Berlin.
Ανδριώτης, Ν. 1983. Ετυμολογικό Λεξικό της Κοινής Νεοελληνικής. Θεσσαλονίκη.
Καραναστάσης, Α. 1984-1992. Ιστορικόν λεξικόν των ελληνικών ιδιωμάτων της Κάτω Ιταλίας. Α΄-Ε΄. Αθήνα.
Κριαράς, Ε. 1969 -. Λεξικό της Μεσαιωνικής Ελληνικής Δημώδους Γραμματείας.
Θεσσαλονίκη.
Κυριαζής, Δ. 2001. Ελληνικές επιδράσεις στην Αλβανική. δ.δ. Θεσσαλονίκη.
ΛΚΝΕ 1998. Λεξικό της Κοινής Νεοελληνικής. Θεσσαλονίκη.
Χριστοφορίδης, Κ. 1904. Λεξικόν της Αλβανικής Γλώσσης. Εν Αθήναις.
*Botuar për herë të pare në vëllimin: Franqisk A. Santori dhe trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe (Aktet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare [Tiranë, dhjetor 2019], përgatiti për botim Merita Sauku Bruci, Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2022, 371-396.
[1] “Janë të shumta rrëkezat, mes të cilave, së bashku me kulturën greke, fjalët e greqishtes ‘vërshuan’ në gjuhën shqipe”.
[2] Falënderoj kolegen M. Sauku Bruci, që pati mirësinë të më japë përkthimet përkatëse dhe, përgjithësisht, për ndihmën e çmuar të saj.
[3] Falënderoj akademik Francesco Altimarin që, bujar si përherë, mundësoi sigurimin e një numri botimesh të çmuara albanologjike të Universitetit të Kalabrisë për nevojat e Bibliotekës së Universitetit Aristoteli të Selanikut.
[4] Për fat të keq, kemi në duar vetëm disa sosh, njëri i Mulizit (të folmet e Portokanunit dhe Rurit), dy të tjerë nga zona e Kalabrisë (Shën Kostandini dhe Shën Sofia), ndërsa për Palermon do të mbështetemi te Fjalori italisht shqip-arbërisht i N. Ketës.
[5] Nuk janë studiuar ende “damarët” apo shtresat e kësaj xeheje, të cilat pasqyrojnë diatopinë dhe diakroninë e të folmeve arbëreshe edhe nëpërmjet larmisë së trajtave dhe të produktivitetit të greqizmave. Ndër shtresat e përmendura më sipër më interesantja është ajo e greqizmave specifikë të arbërishtes e ndër to veçon grupi i fjalëve që e kanë burimin te të folmet greke të Italisë së Jugut.
[6] Shënojmë me bold fjalët që nuk i ka Fjalori i Giordanos.
[7] Giord. jep katrrát ‘botola, trabocchetto, cateratta’ për Frasnitë, por edhe katráf ‘id.’ tek G. Schiroi, trajtë e cila lidhet pas gjasash me fjalën καταρράφτη të greqishtes së Kalabrisë (Kαραναστ. ΙΙΙ 106).
[8] acerbamente, aspramente – horjatisht; (a Dio sta) in pace e concordia – me paqe e me amonjë [ομόνοια]; antivedere – kujtonj përpara, sic. llojas; baratro – grupija, honema; di bassa condizione – horiati; battaglia – lufta, amanj, emanj; briglia – freni, sic. halënari; capretto – edhi, dhithi, sjapthi, sic. qenqi, tragopulli; capretto di un anno – tragopulli; civiltà, galanteria – njerezia, polipsi; colpa – faj, sic. ftesma, të ftesuritë; ciollina, colle, monticello – suqeja, kodera, sic. rrahji, malthi; terra coltivata – argoma; coltra di letto – dhromidheja, sic. dhromidhi, pajaca; confessione – rrëfimi, sic. ksomolli; confessare – rrëfenj, ksomollis; confine – gjitoni; confortare – ngushellonj, parigoris, argetonj; congetturare – sic. llojas; contadino – horjati, katundesi; di nuovo – së riu, për së riu, pameta; disonestamente – dhunisht, sic. horjatisht; errare – fajenj, sic. sfal; errore – fajea, sic. sfalma; fabro di legni – lendetari, pelekani; fagiuolo, legume – llathuri, sic. llathuria; fascio – dhomati, barra; fodero – mili, (di veste) sopani; foderar veste – sopanis; fondamento – themelli; fondare – themellitë, themellonj; formare – trajtonj, mbukuronj, (fabbricare) sic. stis; fumare – timonj, kapnis; fumo – kapnoi, timi; gelatina – pikteja; gesso – gisi, sic. jipsi; giardino – kopështi, perivoli; giardiniero – kopështori, perivolari; giogo – zgjedha, zigoi; gofforia – horjatja; goffo – i trashi, horjati; governare – ruanj, kulendris, sic. qevarris; governatore – qefalia, ruesi, ronjesi; guerra – lufta, amahi; ignobile – horjati, horjatja; immaginarsi, credersi – kam besë, kujtonj, sic. llojas; impassolire – resh, stofidhos, rrefis; lampada – këndella, sic. hilnari; lauro – laori, sic. dafna; libero – i liri, sic. levtheri; licccio del telaro – mitari; licenza – urdheni, sic. thelima; macina di molino – guri i mullirit, sic. trohoi; malatia che viene a porci nella gola – grimiza, hirolemi; malcreato, incivile – i papolipsi; mancare – firas, bënj firë; mandola – miladheja, bajameja; maraviglia – mrekullia, sic. thavma; maravigliare – sic. thavmaks, mrekullonj; messaggiero – shkuesi, lajmi, zihariqtari; morire gl’ uomini ca– vdes, (delle bestie) zofis, sic. psovis; mostaccio – bustakia, qefalidhe; muffire – mbulqas, sic. mulqas; murare – trajtonj, stis; oglioruolo – rrogjé; pavone uccello – fasandoi; peste – kukudhi, murtaja; precipitare, rovinare – rrezonj, rrenonj, gromis; precipizio – rrezimeni, gromiza, sic. gorromima; precursore – zihariqtari, prinsi; pregare – uronj, lut, lunj, bënj uratë, parkales; prencipe – i pari, i zoti, krietë, qefalia; presidente – qefalia; privileggiare – ap barathë, sic. pronomis; prodigio – mrekulli, sic. thavma; prodigioso – i mrekullueshmi, sic. i mo thavmaksuri; profitto – frujti, prokopia; pungere – ther, qentis, kentis; puntura – male pleuritide – dhjavati, të therëmitë; ratificare, approvare – stres, sic. streks; recamare – qendis; render grazie – fal, haristis; rozzamente – horjatisht, egrezisht; rozzezza – horjatia, egrezia, të padituritë; rozzo – horjati, mendëtrashi; sic. trutrashi, i padituri; rusticamente – horjatisht; rustico, villano – horjati, katundësi; scarpa di pelo – upinga, zariqeja, sic. zarihja; schiavina, cooperta di letto – dromidheja, paljaca, sic. dromidhi; scommunica – mallkimi, sic. katara; scoprir da lontano – magullonj, proseks; scorpione – zgradhivoi, zgradhivoja; scortese – horjati, i panjerëziu; senno – mendja, sic. trutë, skopoj, loismoi; solco di aratro – hulja, xagera, avlaqi; sottomettere i buovi al giogo – zeps qetë ndë zgjedhet, sic. ndënë xigoit; spine di siepi – sallaftonjëtë pl. da sallaftua, sallavtoi; inspiritore – llav, llavem, djemenonj; squaglire – tret, ljos, shkrinj; stato, paese – pronia; sudario, fazzoletto – pashniku, sic. ksëmandilli; stimolare – qendris, nxit, nxitinj; terra, paese – bota, dheu, abitazione – hora, katundi, prona; terminare – sos; terra coltivata – argoma, mazia; territorio – prona, pjesa e dheut; tesoro – vistari, begatia, visari; testificare – deshmonj, martiris; tignoso – kerozmi, kazidhjari; tossico – fermaku, vëreri, helmi; travaglio di corpo – fediga, puna, koposi, sic. shërbesi; tributo – haraçi, telosi, vojshtira; trono – selia, throni, thronthi ‘il piccolo trono che usano i Greci nell’ altare’; vaglio – shoshi, dhrimoni; veleno – veneni, vreri, farmaku, helmi; via – udha, dhromi; vicinanza – të afëritë, sic. gjitonia; villa – katundi, prona; villano – katundësi, horjati; viso – fëtira, faqeja, sic. prosopia; voglia – vulema; volontà – vollendetja, sic. vulemja; vorace, affamato – urëshimi, sic. sosur uri; votare – far vuoto, kushtonj, sic. taks; zappetta – kalestria; zappettare – kalestris, etj.
[9] “il testo abbonda di grecismi, alcuni comuni alle parlate albanesi d’Italia” (Mandalà 2004, XCIV).
[10] M. Mandalà-ja (2004, XCV) e konsideron rrjedhojë të pjesores sos-ur, me rotacizim të s-së.
[11] Ndërsa përmendet dhe citohet disertacioni (i pabotuar) i studiueses G. Uhlisch (1964), mbetet jashtë këndvështrimit artikulli me rëndësi themelore i Tzitzilis-it për problematikën e huazimeve greke të shqipes (1997) dhe disertacioni (i pabotuar) i shkruesit të këtyre radhëve (2001).