Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

SHTREMBËRIMI I RILINDJES KOMBËTARE

nga Bujar Meholli

Sa më shumë që kultura teknologjike e sotme shtrin itinerarin, aq më tepër përshkallëzohet polarizimi mes shoqërisë, gjegjësisht mes individëve të saj që ngrenë krye kundrejt tufës që keqlexon, keqinformon e shtrembëron. Kjo klimë shoqërore ka shndërruar çdo gjë në ferment politik duke lënë nën hije dimensionin artistik ashtu si në një qosh të tuatit (ferri sipas egjiptianëve). Kultura e personalitetet historike shfrytëzohen veç si mjete, atëherë kur nevojiten për ndonjë kombinatorikë paçka se shpesh sakatosen e dëmtohen, ose duke mos u lexuar e kuptuar drejt, ose duke mos u lexuar fare, por vetëm duke u përfolur. Jo rrallë herë kemi parë që figurat tona historike përdoren si mish për top për luftërat virtuale që i nxisin sot të diturit e dynjasë nga tastiera për të shpallur tradhtarë e patriotë këtë e atë, ashtu, sipas tekeve të tyre.

Ditë më parë lexova në një artikull të Ben Blushit për Albin Kurtin (te Koha Jonë, Bota sipas Albin Kurtit), këto formulime:

“Rilindja jonë Kombëtare kishte një aspekt të fortë kulturor dhe gjuhësor, por nuk kishte qëllim politik. Rilindja na mësoi të flisnim shqip por jo të luftonim dhe aq më pak të negocionim”,

që më befasuan dhe dhanë shkas t’i shkruaj ca radhë duke synuar demaskimin e konstatimeve. Sot, statukuoja e kësaj shoqërie teknologjike absorbon një konglomerat aq marramendës të pluralizmit tekstual e ideor saqë e bën një kalvar të vërtetë pozicionimin dhe përcaktimin e diçkaje ngase gjithfarë gjërash/tekstesh – që hidhen nga mjetet virtuale – i kanë tendencat aq të ngatërruara, rrjedhimisht shumë herë të pasakta. Prandaj, duke mos përligjur kurrfarë konstatimi ad hoc, është esencial kontakti me autorin e asaj periudhe socio-kulturore, gjegjësisht tekstin origjinal, për ta bërë më pas gjykimin, kritikën. Dua ta ndaj një pasazh, këtu, nga vepra e Sami Frashërit, manifesti politik, programatik e ideologjik i Rilindjes Kombëtare “Shqipëria, ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”:

Kështu Tyrqitë edhe me ndihmën e këtyre, grekërit e shqehtë janë armikët’ e Shqipërisë’ e të Shqipëtarëvet; edhe përpiqenë, me sa u vjen nga dora, ta humbasinë kombërin’ e gjuhën’ e këti kombi, të cilit edhe emënin duan t’ia ngrenë fare. Greqia, Bulgaria e Serbia përpiqenë ta humbasin’ e ta ngrenë kombërinë shqipëtare e gjuhënë shqip cilado nga ajo cop’ e Shqipërisë, q’i ka rënë më pjesët të saj edhe q’e vështon që tani të sajnë, dyke kthyerë të krishtenëtë në kombërit të tyre; edhe Tyrqia më nj’anë u ndih këtyre në këtë punë e më nj’anë tjatrë kërkon të heqë Shqipëtarëtë myslimanë e t’i ndanjë nga vëllezërit’ e tyre, jo për të mirët të saj, po për të hequr’ edhe ata e për të vithisurë bashkë në trap të thellë të humbjesë tek po bjenë, për të mos dalë kurrë. Këta janë reziket’ e Shqipëris’ e të Shqipëtarëvet. Shqiptarët duhet të ruhen shumë nga djallëzitë e turqve, të grekërve e të shqehve e t’u rrinë kundrejt këtyre me të drejtën e tyre.[1]

Të thuash se Rilindja Kombëtare nuk kishte qëllim politik, për mua është, në rastin më të mirë lajthitje, kurse në rastin më të keq gabim trashanik, madje alogjik. Si bëhet që kjo lëvizje nacional-çlirimtare të kishte aspekt të fortë kulturor e gjuhësor, por jo politik?! Po negocimin? Përkundrazi. Sami Frashëri shkruan artikuj të shumtë mbi të drejtat themelore të popullit shqiptar të cilat rreket t’ua bëjë me dije bashkatdhetarëve që t’i kërkojnë e të mobilizohen. Brenda këtij formacioni u shkruan shumë tekste me patos nacional e kulturor, gjithsesi politik, për kërkesat dhe idealet shqiptare. Madje, Pashko Vasa shkruan në gjuhën frënge traktatin “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” ku synon t’ia bëjë të njohur auditorit frëng çështjen shqiptare. Sami Frashëri, si figura më eminente e kësaj lëvizjeje, ishte ideologu që me politikën e tij reformiste, që mund të cilësohet e majtë jomarksiste, bëri opozitën kundrejt feudalëve e pashallarëve otomanë. Si pjesë e Komitetit Shqiptar në Stamboll të Turqisë, bashkë me vëllain, Naim Frashërin, shpallën manifestin “Çfarë duan Shqiptarët?”. Premisat demokratike të tij mbrusen me idetë për përhapje të arsimit shqip, kultivimin e letërsisë e artit, barazinë gjinore, çdoherë duke vënë theksin te demokracia, liria, iluminizmi. Le ta paraqesim një pasazh tjetër, më të gjatë, nga vepra e tij:

Qeveri’ e Tyrqet në Shqipëri është vetëm për të mbledhurë pagesat’ e ushtarëtë: eja ti, djalë shqipëtar, që shkele më të njëzettënë vit, të veç n’anët të dheut, të mbyllesh në një këshlla lakuriq e urëtë! Eja ti, Shqipëtar i varfërë, të paguanç pesë grosh për një dhi, nga e cila s’nxjer dot as gjymësën’ e këtyre pareve në mot! Kjo është pun’ e qeverindarit tyrk; po qeveri s’ka; pa dalë mirë zaptijeja nga kolumb’ e fshatarit, të cilit i mori djalin’ a gjënë, i hyn kusari ta vjedhë a armiku ta vrasë, edhe ay qeverindar, që qe i zoti te rjepë, s’ësht’ i zoti ta ruanjë nga kusari a ta mburonjë nga armiku! I gjori Shqipëtar ësht’ i shtranguarë të rrijë dit’ e natë me armë në dorë që të munjë të ruanjë gjën’ e shpirtin’ e ti; po në i lënçin’ edhe armë, se shumë herë armëtë ia mer, e le duarlidhurë përpara hajdutëvet e armikëvet, nga të cilëtë nuk ësht’ i zoti ta ruanjë. Pa le që shumë herë qeverindari bashkohetë me hajdutnë për të rjepurë Shqipëtar’ e nderçure. A munt të quhetë qeveri një qeveri e këtillë? Nukë, kurrë. Shqipëria gjendetë nënë një paqeveri të keqe. S’ka nonjë qeveri. Shqipëtarëtë hajen’ e vritenë në mest të tyre për ditë; gjaku i Shqipëtarit derdhetë kot e pa punë, ay gjak i vjejturë që do të mos derdhesh as një pikë përveç për ruajtjet e për shpëtimt të Shqipërisë! Varfërija paqeverija, paditurija sjellinë grindenë, ndarjenë, mosdashurinë.

Shqipëtarëtë, të varfërë, të paditurë, të ndarë, armikë njeri me tjatrin, po vriten në mest të tyre, po derdhinë gjakn’ e tyre kot e, sa venë, po humbasinë! Kanë rënë më një gjumë të thellë e të rëndë. Fqinjët’ e tyre ditë me ditë po xgjuhenë, po ndritohenë, po shtohenë e po hedhinë gjurma të mbëdha brënda në Shqipëri, të cilënë janë gati ta copëtojnë fare!

Kështu është sot Shqipëria![2]

Sami Frashëri është krejt i vetëdijshëm për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet Shqipëria. Është realist. Iluminues dhe kritik. Socialist demokrat që i prinë formacionit politik rilindës si eksponenti kryesor i agjendës nacionaliste shqiptare ku barazia dhe liria janë të pa negociuara sikurse themelet e një shteti shqiptar, funksional, që do të organizohet vetë brenda kufijve të tij administrativë. Ndaj s’mund të relativizohet gjithë lëvizja zulmëmadhe shqiptare në një formulim të tillë ku mëtohet t’i “zhvishet” dimensioni politik, aq i qartë, i pranishëm, esencial.

Po ta shohim kapitullin XIII – Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorë të Shqiptarëvet, Samiu, shumë i qartë, iluminon shqiptarët duke theksuar pozicionimin politik:

Mëmëdheu yn’ i dashuri nukë ron dot edhe shumë kohë kështu si është sot; a do të humbasë për jetë e nukë do të mbesë as Shqipëtar as Shqipëri, a do të shpëtonjë e të ndërtohetëi me një mëndyrë që të mos ketë shëmbëilë në jetët e t’i kenë zili gjithë kombet’ e dheut? Të shpëtuarët a të humburit’ e Shqipërisë është në dorë të Shqipëtarëvet; në daçin, do të shpëtojnë, në daçin do të humbasin. Shqipëtarëtë s’kanë nevojë të zirenë nga armëtë, të hiqenë nëpër maletë e nëpër shpellat, të vriten’ e të prishenë si bëjnë kombet’ e tjerë për të fituarë lirin’ e tyre. Shqipëtarëtë s’jan’ aqë të shkelur’ e të posh’tuarë, sa të shtrëngohenë në të këtillë mundime. S’kanë nevojë’ të bëjnë gjë përveç se të lidhin fjalë ne mest të tyre, të bashkohenë gjithë sa janë, t’apën e të marrënë besë burrërisht, të qëndrojnë në fjalë: të patundurë edhe të kërkojnë të drejtën’ e tyre nga Tyrqia e nga Evropa. Tyrqia do t’i dëgjonjë e do t’u apë ato që kërkojnë me hir a me pahir edhe Evropa do t’u ndihnjë, si u ka ndihurë edhe kombevet të tjerë; edhe do ta shtrëngonjë Tyrqinë t’u ap’ edhe këtyre të drejtën’ e tyre.[3]

Një mobilizim të tillë e kërkonin të gjithë ideologët dhe përfaqësuesit rilindës. Ja, fjala vjen, si ju drejtohej Naum Veqilharxhi ortodoksëve shqiptarë në një letër:

Është koha të hedhim poshtë të gjitha paragjykimet e vjetruara, është koha të mbledhim veten dhe të gjykojmë më me pjekuri dhe më me burrëri, të ndërrojmë taktikë, duke marrë që tani e tutje si shembëll kombet e përparuara të botës. Dhe kështu një ditë edhe ne, me vullnetin e Perëndisë, shpresojmë të vihemi në radhën e kombeve të qytetëruara. Duke pasur parasysh këtë gjë në radhë të parë, le të shkojmë përpara me ballë hapur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje.”[4]

Zbehja tepër e madhe e kulturës së leximit na ka zhytur në batakun teknologjik ku grimcat më të imta të durimit sosen e njerëzit s’e marrin mundin për të shfletuar e për të mësuar gjë. Tani kur kërcënimi më i madh i qenësisë sonë si kulturë e komb, inteligjenca artificiale, ka ngritur celulën – do të jetë përherë e më vështirë të ruhet objektiviteti, të ruhet qasja serioze e pragmatike e shkrimit. Mungesa e durimit për t’i kushtuar kohën një çështjeje të caktuar sot është problem më i ndërlikuar sesa duket në shikim të parë. (Për këtë pata shkruar një ese, botuar po në Peizazhe, me titull “Mikrobi i padurimit”). Rreziku i sipërfaqësisë që sot rëndom mbush faqe të tëra portalesh e sajtesh është evident. Hidhen emra, hidhen konstatime nga më të çuditshmet, gabime nga më të ndryshmet, të cilat fare lehtë shkaktojnë konfuzion, keqlexim e keqinterpretim për të rinjtë e studentët. Ashtu siç Sami Frashëri programonte themelet e një shteti funksional, duhet vënë themelet e një kritike konstruktive e cila, mjerisht, ose mungon, ose është e përgjysmuar, ose kur bëhet shkakton konflikte e përçarje, polarizim. Kritika duhet t’u përgjigjet, siç thoshte pedagogu Fadil Podgorica, kërkesave të domosdoshme për përmbushjen e nevojave të lexuesve.

Kritika asht gjithmonë vepër sqarimi, interpreton, shpjegon, gjykon. Kritika asht shqyrtim i ndërgjegjes së njeriut të pajisun mirë përball çdo fakti konkret që mund të paraqitet; asht shenji i ngadhnjimit të mendjehollësisë mbi jetën e njëmendët, asht ndërrimi e përshtatja e paprashëme e një drejtpeshimi të vërtetë n’ato caqe ideale që në zgavrën e errët platonike presin hymjen e tyne në botë. Asht, me fjalë të tjera, ushtrim polemik i bamë prej njeriut përball materjes. Kontributi i mendimit e i ideve që një kritik i vërtetë i sjell qytetnimit e kulturës asht i kuptueshëm qartas e zorë mund të puthitet me praktikën kur kujton se ban kritikë pa pasë një pregatitje të posaçme në këtë lamë.[5]

Këto radhë i hodha për ta pikasur këtë shtrembërim, me apo pa vetëdije, që i bëhet Rilindjes sonë Kombëtare. Të tilla shtrembërime e pasaktësi t’i zë syri ngado teksa bredh sajteve e portaleve që nuk i kontrollon e redakton kush – por qenësore është kritika, ajo duhet të jetë rregullatore e jetës sociale, kulturore dhe të tentojë demaskimin e keqinterpretimin për të synuar qasjen objektive e leximin serioz.

© 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Sami Frashëri, Shqipëria, ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?, Albaniana, botim digjital, 2015, fq. 56

[2] Po aty, fq. 67

[3] Po aty, fq. 77

[4] Naum Veqilharxhi, Letër enciklike për të gjithë të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptarë, cituar nga Myslim Islami, Naum Veqilharxhi, ideologu i parë i Rilindjes Shqiptare, Sh. B. Rilindja, Prishtinë, 1978, fq. 157

[5] Fadil Podgorica, Për një systemim të kritikës letrare, revista “Fryma”, Shkodër, nr. 6, 1944, fq. 245

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin