Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

KUNDERA POST-MODERN

Kam lindur në 1 prill. Kjo nuk është pa impakt, në rrafshin metafizik.
Milan Kundera, bisedë me Antonin J. Liehm, 1970

Në kapitullin e parë të romanit Libri i të qeshurit dhe harresës, Milan Kundera rrëfen një histori që duket se ngërthen, në pak fjalë, edhe dramën edhe komedinë e regjimeve totalitare të Lindjes.

Në shkurt të 1948-ës, udhëheqësi komunist Clement Gotwald doli në ballkonin e një pallati barok, në Pragë, për t’u folur qindra mijëra qytetarëve të mbledhur në Sheshin e Qytetit të Vjetër. Ky ishte edhe momenti i kthesës së madhe, në historinë e Bohemisë. Moment kritik, nga ata që ndodhin një a dy herë në mijëvjeçar.

Gottwald-i kish në krah shokët e vet, prej të cilëve më afër i rrinte Clementis. Binte dëborë dhe bënte ftohtë, dhe Gottwald-i nuk kish gjë në kokë. Plot kujdesje, Clementis e hoqi shapkën e vet prej gëzofi dhe ia vuri Gottwald-it në kokë.

Seksioni i propagandës e shumëfishoi, në qindra mijëra kopje, foton e ballkonit, ku Gottwald-i i foli popullit, me një shapkë gëzofi në kokë. Tek ai ballkon zuri fill historia e Bohemisë komuniste. Çdo fëmijë e njihte atë foto, ngaqë e kish parë në posterë dhe në libra shkolle e muze.

Katër vjet më pas, Clementis-in e akuzuan për tradhti dhe e varën. Seksioni i propagandës menjëherë e zhduku nga historia dhe, natyrisht, nga të gjitha fotot. Që nga ajo kohë Gottwald-i ka ndenjur vetëm në ballkon. Atje ku rrinte Clementis, duket vetëm muri i zhveshur i pallatit. Asgjë s’ka mbetur prej Clementis-it, veç shapkës prej gëzofi në kokën e Gottwald-it.

Deri këtu Kundera. Këtë rrëfenjë e gjen të cituar në gjithfarë librash të historisë – ngaqë është e shtjelluar me art. Gjesti sa dashamirës aq edhe servil i Clementis-it, si mishërim i kameraderisë komuniste, u asgjësua nga dhuna e pushkatimit të tij më pas; por edhe nga dhuna simbolike për ta shlyer prej historisë. Shapka prej gëzofi e të vrarit, tashmë në kokën e Gottwald-it, sikur na thotë të gjithëve se regjimet komuniste totalitare të sekuestronin deri edhe fisnikërinë.

Përndryshe, të gjithë ne që vijmë nga ajo kohë e njohim retushimin, si teknikë standard për rivështrimin e historisë – kujt nuk i kujtohen, nga vëllimet e rënda dhe zyrtare të Akademisë, fotot ku Enver Hoxha shfaqet në presidiume dhe tribuna gjithnjë e më i vetmuar?

Madje edhe në fotot familjare, ku retushimin nuk e bëje dot për arsye teknike, të padëshirueshmit i mënjanonin duke ua djegur fytyrat me thëngjill ose cigare, ose duke ua nxirë me bojë; kur nuk i zhduknin duke i prerë me gërshërë a me brisk, si thonj të rritur tepër.

Gjëra që i dimë, janë muhabete që i kemi bërë. Çfarë më shtyu t’u kthehem, ishte një ese e botuar në LARB (Los Angeles Review of Books), kushtuar marrëdhënieve të Kunderës me historinë (To Forget History[1], nga Johannes Lichtman), ku mes shumë të tjerash lexoj se studiuesja e letërsisë çeke Hana Píchová, në një libër të saj për artin e kujtesës në mërgim[2], citon me një vërejtje të kolegut të vet Jindrich Toman, se Kundera e paska shpikur gjithë këtë episod me Clementis-in dhe kapelen.

Në fakt, në vitin 1989 revista çeke Kmen paska riprodhuar foton origjinale, të aktit të lindjes së Çekosllovakisë komuniste. Në këtë foto, Gottwald-i mban vërtet një shapkë gëzofi në kokë, ndërsa përbri tij shihet Clementis-i, i cili mban në kokë një borsalinë elegante. Kur i ra shorti i keq këtij të dytit për t’u fshirë nga fotoja, i njëjti short i ra edhe borsalinës; në një kohë që nuk ka asnjë provë se shapkën Gottwald-it në kokë ia vuri shoku i vet i armëve. Ergo, Kundera e ka sajuar krejt episodin.

Majtas fotoja origjinale; djathtas e retushuara.

Píchová priret ta shpjegojë këtë si një paralajmërim të Kunderës ndaj nesh lexuesve, që të mos biem lehtë pre e harresës dhe të pranojmë me lehtësi fjalën e shkruar dhe të shtypur në faqe, si të ishte foto; ose si diçka që nuk ka nevojë të merret më tej në pyetje. Citon me këtë rast edhe Sontag-un, e cila ka shkruar se “fotografia nënkupton që ne e njohim botën – por kjo është bash e kundërta e të kuptuarit, i cili fillon qëkur nuk e pranojmë botën ashtu siç duket.”

Lichtman, në LARB, sjell një interpretim më bindës, duke na tërhequr vëmendjen për diçka aq elementare, sa mund të na shpëtojë pa e vënë re: dhe pikërisht që Kundera shkruan fiction, çka i jep të drejtë të manipulojë me rrafshin narrativ pa mëkatuar detyrimisht ndaj vërtetësisë historike.

Indinjata, me të cilën mund të përcillet lajmi se episodi i shapkës prej gëzofi, me të cilin të gjithë ne lexuesit e Kunderës jemi prekur, jemi ngjethur dhe kemi kujtuar retushime të ngjashme; kjo indinjatë pra, shpjegon Lichtman, nuk është pa lidhje me atë çfarë ka pritur lexuesi në Perëndim prej një shkrimtari lindor ose gjysmë-ekzotik si Kundera: kronikën e së vërtetës, nën regjimin komunist.

Për publikun në Francë, që është edhe atdheu adoptiv i Kunderës shkrimtar, ky ishte më interesant, thotë Lichtman, si i mërguar politik çek, se ç’është tani si intelektual parizian. Ai citon një artikull të Jonathan Coe në The Guardian (How important is Milan Kundera today?[3]), ku ky i fundit shkruan se romanet e Kunderës, në vitet 1970-1980, dukej sikur hapnin një dritare të pashembullt drejt botës së komunizmit sovjetik, në krejt kompleksitetin e vet; dhe se ka rrezik që këto të mbeten përfundimisht të lidhura pas “një konteksti politik që një ditë – më shpejt se ç’kujtojmë – mund të harrohet.”

Lichtman përmend edhe një formulim të studiuesit Robert J.C. Young, sipas të cilit, botuesit perëndimorë të shkrimtarëve nga kultura letrare të margjinalizuara favorizojnë ato lloje tekstesh ku “kriteri është social dhe informacional, jo estetik.”

Si në një rast ashtu edhe në një tjetrin, Kundera shkrimtar dhe Kundera kronikan i Çekosllovakisë komuniste nuk plotësojnë njëri-tjetrin por, përkundrazi, janë në konflikt mes tyre: cili prej të dyve do të trashëgojë?

Një pyetje që do të mund ta formulonim edhe kështu: në ç’masë u lejohet autorëve joperëndimorë të jenë shkrimtarë mirëfilli, dhe jo zëdhënës të historive të vendeve të tyre, të kombeve dhe të regjimeve nga vijnë?

Romanet e Kunderës mund të lexohen, sikurse përpiqet mes të tjerësh edhe Lichtman-i, si një përpjekje e tij për t’u shkëputur njëfarësoj nga e shkuara e tij çeke ose europiano-lindore; siç mishërohet edhe në këmbënguljen e tij për t’i shkruar librat e tanishëm frëngjisht. Edhe te vetë ky autor, na lejohet të vërejmë, gjallon kjo kundërvënie – dramatike për një të mërguar si Kundera – midis dëshirës për të kujtuar dhe dëshirës për të harruar; të cilën unë e gjej të shprehur më së miri te “Padija” (Ignorance).

Po ç’ndikim do të kenë te ky konflikt, te kjo kundërvënie, pritjet e lexuesve në Perëndim, të cilët kushedi tani nuk duan t’ia dinë më për shkrimtarë nga ish-blloku Lindor, sa kohë që ish-blloku Lindor nuk ekziston më?

* * *

Po atë ditë që u lajmërua vdekja e Kunderës, Gresa Hasa më kujtoi një pasazh nga Lehtësia e papërballueshme e qenies (që gjendet në fillim të Pjesës 6, Marshimi i madh), ku rrëfehet dhe komentohet vdekja e djalit të Stalinit, Jakovit. Kundera i referohet aty një raporti të botuar nga Sunday Times në 1980, ku rrëfeheshin hollësi për vdekjen – vetëvrasjen, ndoshta vrasjen – e këtij, pasi kish rënë rob në duart e gjermanëve dhe mbahej në një kamp përqendrimi, së bashku me një grup oficerësh britanikë. Sipas këtij raporti, të përmendur nga Kundera, Jakovi ish zënë disa herë me bashkëvuajtësit e tij, ngaqë nuk e pastronte nevojtoren, dhe kur as komandanti i kampit nuk i dha të drejtë, ai vrapoi drejt telave të elektrifikuara dhe u hodh mbi to, për t’u vetëvrarë.

Në vijim Kundera shkruan:

Djali i Stalinit nuk e kish pasur jetën të lehtë. Ka shumë prova që dëshmojnë se babai ia pat vrarë nënën…

Kur e lexova këtë pasazh, mendova se Kundera po ngatërronte gruan e parë të Stalinit, Kato Svanidze-n, që kish vdekur nga tifoja ose tuberkulozi në 1907 dhe që ishte, në fakt, nëna e Jakovit; me gruan e dytë të Stalinit, Nadezhda Alliluyevën, e cila vdiq në rrethana të paqarta, me gjasë e vetëvrarë, në vitin 1932. Me Nadezhdën Stalini kish dy fëmijë – djalin Vassili dhe vajzën Svetlana.

Gjykova se kjo pamendje e Kunderës nuk do t’u kish shpëtuar kritikëve; dhe, në të vërtetë, pashë se Jan Čulík, nga Universiteti i Glasgow-t, ka shkruar për historinë e djalit të Stalinit të rrëfyer nga Kundera [4], duke vënë në dukje se ai rrëfim është “një tjetër shembull madhor si Kundera i ndryshon faktet historike, në mënyrë që të mund t’i përdorë për të avancuar teoritë e veta për jetën.” Čulík, që e ka verifikuar raportin në Sunday Times, thotë se historia e rrëfyer në roman ndryshon mjaft prej çfarë raportohet.

Megjithatë, edhe këtij studiuesi duket se i ka shpëtuar ngatërresa që bën Kundera mes grave të Stalinit, dhe pasaktësia për vdekjen e nënës së Jakovit – në fakt, Kato Svanidze vdiq nga një sëmundje infektive (tifoja ose tuberkulozi), ndërsa spekulimet për vetëvrasjen/vrasjen e gruas së Stalinit i referohen gruas së dytë Nadezhdës.

Natyrisht, Kundera ka qenë në gjendje t’i verifikonte këto; dhe mospërputhja mes historisë së rrëfyer nga historianët dhe asaj të rrëfyer në roman nuk mund të likuidohet lehtë si pamendje (lajthitje), mendjelehtësi ose “shtrembërim” i fakteve.

Disa nga këto rrëfime të Kunderës, që “tingëllojnë” si referime ndaj historisë reale dhe argumente me natyrë eseistike, vijnë në vetën e tretë, nga zëri i atij që e kanë quajtur rrëfimtari i gjithëditur (omniscient narrator), i cili i jep vetes atributet e një qenieje të epërme dhe vendoset një plan më lart se personazhet. Prej këtyre pasazheve, që i referohen “historisë” lexuesi pret që t’i vijë e vërteta, duke mos i vënë zakonisht në dyshim. Por Kundera, me një përftesë tipike post-moderniste, nuk e referon historinë, por e përdor për synimet e veta (në rastin e djalit të Stalinit, për të vënë në pah kontrastin mes shkëlqimit prej Perëndie të diktatorit, dhe rrethanave ekskrementale të vdekjes së të birit). Ndonjëherë, historitë që ai rrëfen dhe që implikojnë figura që kanë ekzistuar vërtet, madje historikisht të njohura, janë në fakt kombinime të vërtetash historike dhe sajimesh, duke marrë një formë që – sipas Kunderës autor – ka më shumë kuptim (domethënie) se ngjarjet që kanë ndodhur vërtet.

Për shembull, duke i atribuuar nënës së Jakovit dramën dhe vdekjen dramatike të gruas së dytë të Stalinit, Kundera autor ndërmerr një operacion të algjebrës narrative, duke i bashkuar dy personazhe në një dhe duke e shndërruar gruan e Stalinit në polin abstrakt të një trekëndëshi baba-nënë-bir, me vlerë mitologjike. Në teorinë e interpretimit të ëndrrave, të Freud-it, kjo procedurë njihet si “kondensim”; por një abstraksion i tillë narrativ ndeshet rëndom edhe në narrativën orale (p.sh. në epikën heroike). Fakti që Stalinit i patën vdekur të dy gratë, e mundëson këtë kondensim në rrëfimin e Kunderës, sa kohë që personazhi Stalin do të marrë trajtat e tiranit që “i vret” gratë e veta, çfarë edhe do të ilustrojë tragjizmin e Jakovit nënë-vrarë.

Si romancier, Kundera kapet mes realitetit që ia kanë rrëfyer (historia) dhe realitetit që ai e rrëfen vetë (e krijon vetë): i pari i reziston interpretimit, i dyti është produkt (artifakt) i interpretimit. Sa kohë që ia lejon vetes të modifikojë rrëfimin historik të verifikuar, rrëfimtari i gjithëditur në roman është njëherazi edhe i pavërtetshëm (unreliable); dhe kjo distancë mes dy atributesh në dukje të pandashme, e lejon Kunderën të thotë të vërteta të filozofisë së historisë, duke u nisur nga premisa gjysmë të rreme, të sajuara ose të pasakta.

Ç’vend zënë, pra, pasaktësitë “historike” të Kunderës romancier, ose mistifikimet, në artin e tij? Do të thoja se lexuesi që i pikas (dhe nuk ka shumë të tillë) bën mirë t’i marrë si indicie për interpretim, ose si shenja delikate të pranisë së autorit në tekst – autorit jo person real, por si funksion të tekstit, autorit implicit, auctor-it in fabula.

(c) 2015-2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] https://lareviewofbooks.org/essay/to-forget-history

[2] Hana Píchová, The art of memory in exile : Vladimir Nabokov and Milan Kundera, Copyright © 2002 by the Board of Trustees, Southern Illinois University, f. 102.

[3] http://www.theguardian.com/books/2015/may/22/milan-kundera-immortality-jonathan-coe-novels-women

[4] Čulík, J. (2018) “Mystification as an artistic strategy in Milan Kundera’s work”. Slavonica, 23(2), pp. 113-134. (doi: 10.1080/13617427.2018.1560928)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin