Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

ARTI I MBLEDHJES SË LULEVE

Pas debatit që ndoqi botimin e antologjisë së poezisë shqipe të përgatitur nga Rudolf Marku, duket sikur tema nuk ka dalë më nga vëmendja – madje është ushqyer edhe me prurje të reja, edhe ato kontroversiale.

Por sa e përligj këtë interes të shtuar, këtë gjallëri reagimesh dhe shqetësimesh, vetë statusi i antologjisë, si zhanër botimi letrar?

Antologjia historikisht nuk është veçse një tufë lulesh, buqetë: fjala e ka prejardhjen nga greqishtja e vjetër ἀνθολογία, e cila është një kompozitë e ἄνϑος “lule” dhe λέγω “mbledh”.

Ashtu edhe ka natyrë detyrimisht derivative, të prejardhur; i përket një lloji letërsie të aplikuar, me synime zakonisht divulgative ose arsimore, më rrallë edhe akademike.

Autori i antologjisë niset nga një kriter pak a shumë subjektiv, për ta krijuar dhe dhënë publikut buqetën e vet. Prandaj sikur është pak groteske që ta qortosh pse ka lënë jashtë këtë apo atë autor: vallë e kritikojmë luleshitësin, për lulet që ka lënë jashtë buqetës?

Një antologji e poezisë shqipe mund të jetë edhe tërësisht e specializuar (“poezi që i kushtohen lopës”), por mund edhe të pretendojë mermerin: antologji e poezisë shqipe!

Kjo e fundit sakaq do të perceptohet sikur pasqyron – madje mishëron – shijen dhe kulturën letrare dominante.

Një arsye pse antologjitë e fundit kanë ngjallur debat, është se poezia shqipe – me përjashtim të asaj të shkruar rishtas dhe të asaj tjetrës që trajtohet si skripturë dhe mësohet e lëvdohet në shkolla – ka qarkullim shumë të dobët.

Poezitë ndizen dhe shuhen si xixëllonjat një natë qershori, dhe po aq të shkurtër e kanë jetën.

Prandaj edhe antologjia do të ishte instrumenti i përshtatshëm për t’ia prezantuar lexuesit poetët më pak të njohur e të botuar, përfshi këtu edhe të rinjtë, atipikët, alternativët, snobët, antikonformistët, ata që nuk kanë llogari në Facebook a në Instagram.

Kjo në rrethana normale. Sepse në rrethana jo-normale, si ato ku gjendet letërsia shqip prej vjetësh, antologjitë si këto të poezisë pritet që t’i “konsumojë” establishmenti kulturor.

Që këtej edhe preokupimet se kush është futur dhe kush është lënë jashtë – që nuk kanë të bëjnë me preokupimet, përndryshe letrarisht më legjitime, se cila poezi është futur dhe cila poezi është lënë jashtë.

Debatet vijnë rrotull emrave. Shpesh janë parafrazime të një shqetësimi të tipit “pse nuk jam futur unë”?

(Por e kam të vështirë të përfytyroj, qoftë edhe poetikisht, shqetësimin e lules që e kanë lënë jashtë buqetës.)

Falë këtij shtrembërimi të vizionit dhe të argumentit, debati rreth antologjisë degradon në debat për çështje identitare. Dhe nëse antologjia – si e tillë – duhej të mëtonte përfaqësimin e vlerave letrare, qoftë edhe në kushte specifike (sërish, ajo e poezive për lopën), tani fillojmë dhe kacafytemi për përfaqësimin e këtij apo atij autori, sipas orientimit poetik, origjinës gjeografike, përkatësisë fetare.

Si rezultat, subjektiviteti i hartuesit të antologjisë, që duhej të ishte kriter themelor për gjykimin, vjen e sfumohet.

Mllefi që ka shoqëruar botimin e antologjive të fundit dëshmon se antologjitë – të paktën këto të “poezisë shqipe” – po perceptohen jo aq si pasqyra vlerash letrare tashmë të evidentuara, sa si kodifikime vlerash dhe hierarkish letrare.

Duhej të ishin përzgjedhje të poezive që i përshtaten më mirë synimit të autorit të antologjisë; por përfundojnë në lista poezish që tash e tutje i përkasin kanonit poetik shqip. Ashtu autori i antologjisë e sheh veten, dashur pa dashur, në rolin e legjislatorit letrar dhe kulturor.

Prandaj edhe dënohet me shfajësim të përjetshëm.

Për të njëjtën arsye, poetët që janë futur në antologji (vëreni: poetët jo poezitë) perceptohen si të zgjedhurit e lëmit përkatës.

Ky iluzion – se i tillë është – lidhet edhe me nocionin e letërsisë si instrument përfaqësimi, aq më tepër kur është fjala për vepra që vetvetiu përzgjedhin tekstet dhe autorët më të mirë në fushën kombëtare (“antologjia e poezisë shqipe”).

Duke e shndërruar antologjinë në diçka të ndërmjetme mes një senati të kombit letrar dhe një hall of fame.

Paçka se teksti vetë, duke konsistuar në një pranëvënie veprash të stileve, shkollave dhe autorëve të ndryshëm, vjen e i ngjan një kompilimi muzikor, të tipit “Greatest Dance Hits of the Eighties”.

Premisa (e diskutueshme) e një antologjie poetike, veçanërisht kur është fjala për poezi moderne ose bashkëkohore, është se një poezi mund të rrijë më vete, edhe pse e nxjerrë nga konteksti i vëllimit nga ku është marrë, e shkëputur nga marrëdhënia që kishte me poezitë e tjera brenda atij vëllimi, dhe e futur disi artificialisht në një kontekst të ri, ku detyrohet të vendosë marrëdhënie të reja, me poezi për të deri dje “të huaja”.

Është ky amputim i tekstit, kjo nxjerrje nga konteksti origjinal, që ia ul profilin antologjisë, duke e shndërruar në diçka utilitare, të aplikuar, introduktive.

Vetë artificialiteti i sintaksës, i pranëvënies, i rikombinimit, imponon një lexim të kufizuar; dhe do të përligjej në atë masë që e orienton lexuesin drejt origjinalit.

Nga ana tjetër, pranëvënia do të ketë edhe një efekt të paparashikueshëm – për shembull, duke sugjeruar lexime të afërta në mos kontakti, të, ta zëmë, Kadaresë, Ali Podrimes dhe Camajt.

Se nuk po guxoj të them të Pjetër Budit, të Nikollë Ketës dhe të Sulejman Naibit.

Në parim, gjithçka mund të antologjizohet. Edhe Koliqi, edhe Kuteli, edhe Kadareja, edhe Ridvan Dibra kanë shkruar gjëra të bazuara në legjendat – por çfarë ndodh po t’i kombinosh këto në një vëllim të vetëm?

Vëreni kujdesin me të cilin një poet e bën gati vëllimin e ri: renditja e poezive ka mbase po aq rëndësi, sa renditja e vargjeve brenda çdo poezie veç e veç.

Jo më kot “Albumi” i Fan Nolit ka më shumë të përbashkët me një album të muzikës rock, të themi “Led Zeppelin IV”, se me një antologji të poezisë shqipe, ku një vjershë e Nolit rri krah për krah me një të Ndre Mjedës.

Antologjitë shkatërrojnë struktura delikate, por pa i zëvendësuar dot me të reja po aq të denja.

Kjo edhe krijon kontradiktën midis sqimës përfaqësimtare të një buqete poetike, aq më tepër edhe kur “kombëtare”, dhe natyrës estetikisht inferiore të çdo antologjie, në raport me veprën origjinale.

Një kontradiktë që ne ende duam ta kompensojmë duke e trajtuar antologjinë vetë si akt sanksionues të hierarkive letrare, imponim të shijeve të momentit, kremtim të pushtetit të subjektit përzgjedhës.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Ja një antologji poetike që më ka pëlqyer veçanërisht: A Book of Luminous Things: An International Anthology of Poetry, përgatitur nga Czeslaw Milosz. Arsyeja kryesore – për mua – është se atje edhe “sintaksa” e antologjisë, renditja dhe kombinimi i materialeve, është poetike. Në parathënie, Milosz thotë, ndër të tjera, se me këtë vepër “ka synuar jo aq të mbrojë poezinë, sa t’u kujtojë lexuesve që ajo, për një numër arsyesh të forta, mund të jetë sot me rëndësi.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin