Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

ZËVENDËSIMI I MONUMENTEVE DHE KONSTANTJA E AUTORITARIZMIT

nga Artan R.  Hoxha dhe Robert C. Austin

Sa herë që hedh sytë pas, në të shkuarën e Shqipërisë moderne, të pushton në mënyrë të pashmangshme dhe thuajse dëshpëruese ajo ndjenjë e çuditshme se historia vijon të përsërisë vetveten. Çdo shqiptar që ka kapërcyer të dyzetat ruan ende të freskëta kujtimet nga trazirat e vitit 1991, kur, përmes ekraneve televizive, apo edhe nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në to, qenë dëshmitarë të rrëzimit të monumenteve apo busteve të Enver Hoxhës në pjesën më të madhe të qyteteve të vendit nga turma të revoltuara. Më parë, regjimi i dobësuar që e kishte çuar vendin në një kolaps total dhe po përballej me një krizë humanitare, u detyrua të hiqte monumentet e Leninit dhe Stalinit, duke u distancuar disi nga stalinizmi i Hoxhës i cili kishte premtuar një rrugë të shpejtë drejtë modernitetit, por që në të vërtetë solli mjerim.

Ato momente që kulmuan me zvarritjen e monumentit të Hoxhës nëpër rrugët e kryeqytetit dhe ku njerëzit urinuan mbi fytyrën e bronztë të diktatorit janë të paharrueshme. Ishte hera e parë në historinë e tyre të shkurtër si komb i pavarur që shqiptarët e thjeshtë u mblodhën për të këputur zinxhirët e një diktature dhe diktatura, jo vetëm ajo e Hoxhës, ka qenë një nga shenjat dalluese të historisë së Shqipërisë së shekullit XX.

Megjithatë, kjo ndarje nga e shkuara më shumë se një pikë kthese ishte thjesht një iluzion kalimtar dhe i çastit. Pjesa më e madhe e strukturave të mendimit si dhe gjuha e drunjtë kanë mbetur të pandryshuara, vijimësi këto aspak të kufizuara në Shqipëri. Dëgjoni ligjërimin inaçor dhe të athët të presidentit serb apo kryeministrit të Kosovës dhe do ta kuptoni se çfarë duam të themi. Reflektimi mbi të kaluarën ka qenë i pjesshëm, i copëzuar dhe e ka izoluar subjektin e analizës së tij. Njerëzit i kanë gënjyer sërish.

Duke e ngushtuar fokusin në një periudhë të vetme, kritika ndaj së shkuarës ka riprodhuar të njëjtën mendësi autoritariste të mohimit, e cila qëndron e skalitur në monumentalitetin që dominon sot Tiranën – dhe bashkë me të, një drejtësi tranzicioni e gjymtuar që e trajton të kaluarën nga pozita tejet partizane, çka shpjegon pjesërisht pse demokracia e konsoliduar vijon të jetë një qëllim që rrëshqet nga duart e shoqërisë shqiptare.

Kjo u bë e dukshme në fund të vitit 2012, kur teksa shqiptarët po festonin 100-vjetorin e shtetit të tyre të pavarur – një shtet shpesh i kompromentuar e madje ndonjëherë edhe krejt i munguar – ndodhi diçka që tregoi në mjaft mënyra historinë e një demokracie plot cene dhe mosballafaqimin në mënyrë domethënëse me trashëgiminë problematike të shekullit të kaluar. Qeveria shqiptare vendosi një monument të Mbretit Zog në krye të një bulevardi që u pagëzua me emrin e tij. Ky vendim u mor pa ndonjë debat publik kuptimplotë. Madje, ky akt përputhej me qasjen binare ndaj të shkuarës që mbizotëron në Shqipëri, ndërtimi i së cilës përqendrohet në përzgjedhjen e disa elementeve të së kaluarës komuniste për t’i vënë ato në shërbim të interesave të ngushta të politikës së ditës. E megjithatë, nuk u bë thuajse asnjë debat për periudhën e Zogut si dhe vijimësinë historike mes kësaj të fundit dhe kohës kur Shqipëria drejtohej nga Enver Hoxha.

Ka shumë diskutime, biseda dhe debate mbi trashëgiminë komuniste. Megjithatë, duke përjashtuar fare pak studiues, vazhdimësitë shqetësuese historike ndërmjet viteve të dominuara nga Zogu dhe atyre nga Hoxha janë lënë thuajse në heshtje. Nëse Hoxha arriti izolimin e plotë të Shqipërisë nga Europa, sigurisht që ishte Zogu ai që e nisi atë. Të dy burrat ishin jashtëzakonisht të izoluar – Zogu nuk u largua prej Shqipërisë pas një atentati jo të suksesshëm në Vjenë, në shkurt të vitit 1931. Ai nuk u ftua asnjëherë askund, kjo për faktin e thjeshtë se ishte shumë e rrezikshme ta kishe pranë. Po ashtu edhe Hoxha nuk e la më Shqipërinë pas vitit 1961. Këtë izolim të tijin kërkoi ta impononte edhe mbi shoqërinë shqiptare, të cilën kërkoi ta mbante sa më imune ndaj çdolloj zhvillimi historik që ndodhte përreth. Të dy këta drejtues të Shqipërisë ishin të orstracizuar, apo edhe të vetëpërjashtuar nga komuniteti më i gjerë ndërkombëtar i kontinentit.

Përballja me të kaluarën komuniste dhe mënyra se si ajo u dënua, riprodhoi skemën historike të prodhuar nga vetë regjimi komunist. Duke pretenduar se ardhja e tyre në pushtet përfaqësonte një këputje me të kaluarën, komunistët konsideruan si 8 Nëntorin e vitit 1941 – ditën e themelimit të një Partie Komuniste të bashkuar shqiptare, kjo falë ndërhyrjes vendimtare të Titos – ashtu edhe 29 Nëntorin 1944 – ose 28 Nëntorin e po të njëjtin vit – kur ushtria gjermane u largua nga territori i Shqipërisë së sotme si fillimi i një kapitulli krejtësisht të ri historik, një çarje e paprecedent në historinë shqiptare. Të paktën kështu e shitën komunistët marrjen e pushtetit prej tyre një populli të velur me autoritarizmin dhe kleptokracinë e Zogut. Një  gjë është e sigurt. Të gjithë vëzhguesit e mirinformuar të kohës e dinin, që për Zogun u derdhën fare pak lot kur ai u arratis në prill të vitit 1939. Edhe pse shpesh hamendësojmë me të drejtë se komunistët gënjenin thuajse për gjithçka, shumë nga gjërat që ata thanë për Zogun rezultojnë se nuk ishin edhe aq të pavërteta.

Për shkak se burimi i legjitimitetit të regjimit komunist – përfshi edhe atë shqiptar – rridhte nga Historia – diçka e rrënjosur në teorinë e komunizmit shkencor dhe e determinizmit historik të Marksit – ata ndërtuan një metanarrativë të strukturuar kronologjikisht me blloqe kohore në marrëdhënie kundërvënëse me njëra-tjetrën. Secila prej këtyre epokave apo periudhave, të konceptuara si njësi monolite me një thelb të tyrin, mohonte paraardhësin e saj, që sipas teorisë marksiste ishte e një shkalle zhvillimi më të ulët, të cilin e zëvendësonte. Të gjitha këto zëvendësime të vijueshme, të ngulitura brenda horizontit të teorisë evolucionare, përbëjnë atë që shpesh është quajtur përparim: një fazë sipërore që shtyn mënjanë një tjetër inferiore. Në mendimin marksist, një zëvendësim i tillë ndodh përmes revolucioneve, motorit të historisë.

Duke ndjekur modelin universal dhe mesianik të Marksit, komunistët shqiptarë integruan historinë e vendit dhe shoqërisë së tyre në një proces global me një destinacion të përcaktuar: marrja dhe mbajtja e pushtetit prej tyre nuk ishin absolutisht të rastësishme, por të shkruara në vetë kodin gjenetik të historisë. “… dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, të ndodhte ndryshe s’kish se si”, për të cituar këtu një varg të famshëm nga një poezi e Kadaresë që me rimë dhe mjeshtërinë e fjalës përdor artin si përçues për metanarrativën komuniste. Si rezultat, sipas regjimit komunist, historia e vërtetë e Shqipërisë filloi midis viteve 1941 dhe 1944, nga themelimi i Partisë Komuniste deri te triumfi dhe fitorja e supozuar e saj mbi ushtritë pushtuese, sigurisht duke mos përmendur aspak ndihmën e Titos apo të aleatëve, veçanërisht atë të Mbretërisë së Bashkuar.

Për ironi, përjashto fare pak raste të shkëputura studiuesish, ky model, me disa ndryshime të vogla dominon ende të gjithë diskutimet për të shkuarën në Shqipërinë e sotme. Me marksizëm-leninizmin e flakur tutje, ardhja në pushtet e komunistëve dhe karakteri i ashpër i diktaturës konsiderohen të rastësishme. Në përgjithësi, pjesa më e madhe e atyre që angazhohen në formësimin e opinionit publik dhe krijojnë kuptimin kolektiv të së kaluarës e konsiderojnë komunizmin si një aksident historik. Nëse ka ndonjë lidhje me dinamikat më të gjera historike, ato janë të lidhura, në mënyrë fataliste me dështimin e ushtrive naziste për të mposhtur Bashkimin Sovjetik ose me vendimin e britanikëve dhe amerikanëve për ta lënë fare lehtësisht Europën Lindore dhe pjesën më të madhe të Ballkanit në mëshirë të Stalinit, si dhe me shndërrimin e komunistëve shqiptarë në shërbëtorë të sllavëve “të urryer” – fillimisht serbëve dhe më pas rusëve.

Komunizmi ndërpreu rrjedhën natyrore historike të Shqipërisë, teksa e shkëputi vendin nga familja së cilës ai i përkiste – kështu dëgjohet të shprehen rëndom qysh prej viteve ’90. Të pretendosh se komunizmi ishte një aksident që e largoi Shqipërinë nga rrjedha e saj e supozuar natyrore historike nuk është asgjë tjetër veçse ruajtja nën një maskë të re e determinizmit historik dhe ruajtja e ndarjes së historisë në blloqe kohore kundërvënëse që dallohen qartë nga kufij të prerë kronologjikë, të cilat ruajnë kontrastin ndërmjet sundimit 45-vjeçar të PPSh-së me periudhën paraardhëse – vetëm duke ndërruar valencën që vihet mbi secilën periudhë: tashmë, i keqi është komunizmi dhe vitet e Zogut marrin vlerë pozitive. Duke e cilësuar komunizmin si regres, koncepti i progresit mbetet i paprekur. Është radha e komunizmit që të mohohet. Ky mohim nënkupton rehabilitimin e asaj që mohuan komunistët, mbi të gjitha të Zogut si Mbret. Në vend të Hoxhës, që tani përfaqëson mishërimin e së keqes, gjeniu i Shqipërisë, modernizuesi, oksidentalizuesi, patrioti, njeriu që ndërtoi shtetin e vërtetë modern është as më shumë dhe as më pak por vetë Ahmet Zogu. Megjithatë, pas një qëmtimi të imtë, kushdo duhet të lodhet për të hartuar një listë të arritjeve të Zogut. Në fakt, lista është e shkurtër edhe në kohën e mbretërimit të tij bie më shumë në sy sundimi krahinor i veriut mbi jugun, përkushtimi i tij në marrëdhëniet e mbështetura mbi besnikëri personale të ngjashme me ato feudale dhe varësia e tij totale nga ryshfetet e Benito Musolinit, të cilat ndërsa mënjanuan rrezikun e një lufte civile e thithën Shqipërinë drejt spirales së Luftës së Dytë Botërore.

E pra, pavarësisht ndryshimeve, parimet kryesore të skemës komuniste të ndërtimit të së shkuarës nuk janë prekur, gjë që jo vetëm deformon rrokjen e historisë në të gjitha përmasat dhe kompleksitetin e saj, por nuk lejon të shquhen fijet e shumta që lidhin epokën mes dy luftërave dhe 45 viteve të qeverisjes së Enver Hoxhës. Shumë nga tiparet e regjimit komunist shqiptar nuk ishin thjesht importe sovjetike dhe ndryshe nga Çekosllovakia, për të cituar këtu Milan Kunderën, Shqipëria nuk u “rrëmbye”.

Komunistët gjetën tokë pjellore në një traditë politike lokale. Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij mësuan shumë nga Zogu, shumë më tepër nga sa mendohet rëndom apo pranohet nga ata që e njohin mirë historinë e Shqipërisë së shekullit XX. Struktura e pushtetit mbi baza klanore; intrigat e vazhdueshme që përfundonin me vdekje të dhunshme; eliminimi fizik i kundërshtarëve politikë; oborri, qoftë në pallatin e Zogut apo edhe në Bllok; rrethimi i liderit nga një shpurë besnike e njohur për paaftësinë e pjesëtarëve të saj, të cilët për shkak të kufizimeve intelektuale e rrisnin edhe më tej karizmën e liderit, një karizëm kjo që në rrethana të tjera udhëheqësi vështirë se do ta kish gëzuar; frika nga njerëzit e aftë, të cilët ishin shumë ambiciozë dhe si rrjedhim edhe të rrezikshëm; minimi dhe përkulja e institucioneve shtetërore dhe publike, të cilat nëse funksiononin si duhet do të pengonin pushtetin e liderit absolut; paranoja dhe dyshimi ndaj synimit të të tjerëve deri në nivele shekspiriane; vetmia dhe izolimi jo i shëndetshëm që thellonte edhe më tej mosbesimin dhe dyshimin e lindur të Zogut dhe Hoxhës, gjë që kufizoi deri në skajshmëri aftësitë, që ishin të cunguara, për të marrë vendime të pjekura; mungesa e interesit për të mësuar nga përvoja e të tjerëve dhe për të vendosur qëllime të qarta – përjashto këtu mbajtjen e pushtetit në një Shqipëri që e shikonin si pronë të tyren; dhe mbi të gjitha epshi për pushtet dhe kulti i liderit si shpëtimtar i kombit që i vendoste ata mbi të këdo dhe i bënte ata të paprekshëm e të pacenueshëm; monumentet apo bustet ndërsa ishin ende të gjallë, emri i tyre i shkruar edhe në faqe malesh dhe pas të cilit emërtoheshin rrugë e bulevarde, lideri i gjithëpranishëm që përmes imazheve të tij, njëlloj si ikonat, rrekej të depërtonte çdo cep të jetës private dhe publike, të gjitha këto tipare që shpaloseshin përpara nesh para dhe pas pragut të viteve 1941-1944 tregojnë për vijimësi shqetësuese dhe jo për një thyerje apo kthesë siç është pretenduar gjerësisht deri tani.

Në çdo rast, këta udhëheqës autoritarë apo diktatorë – qoftë edhe nën targën e despotit të ndritur – dhe institucionet pa bosht që ata krijuan, e kanë lënë vendin dhe shoqërinë thellësisht të dobët – deri me prirje centrifugale dhe rrëshqitje në anarki – sa herë që mishëruesit e pushtetit janë larguar nga Shqipëria apo nga kjo botë. Vakuumi është mbushur nga pretendentë të tjerë për fronin. Njëri është kryeministri aktual, i cili e paraqet veten si një lloj Ciceroni që dallon mes fshatarëve dinakë që sundojnë pjesën tjetër të Ballkanit. Dy mëtuesit e tjerë kanë bashkuar forcat për të kundërshtuar atë që ka frenat e pushtetit shtetëror. Tashmë pasi kanë shijuar – ose më mirë kafshuar – grepin e pushtetit dhe pasi kanë fshirë çdo spontanitet, e kanë shkretuar e tharë çdo vitalitet të forcave politike që drejtojnë – duke i shndërruar ato në parti personale – ata dëshirojnë me lakmi rimarrjen e kurorës – që mendojnë se u takon vetëm atyre. Kjo nuk është një histori e re. Tiranët e vegjël të sotëm – sepse konteksti ndërkombëtar nuk i lejon – janë trashëgimtarë të një historie shumë më të gjatë. Mëtimi për të qeverisur në emër dhe për hir të shumicës, por që në praktikë është sundim në shërbim të vetes dhe e një pakice që i rrethon, është një histori që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetën Shqipërinë e pavarur – të paktën deri tani. Ngritja e monumenteve për ata që janë emblema të shpërdorimit të pushtetit, shfrytëzimit të pafre, korrupsionit endemik dhe në fund të fundit, që tradhtuan shpresat dhe pritshmëritë e bashkëqytetarëve të tyre, duke e shndërruar në një farsë premtimin për një Shqipëri që do të ishte vendi ku pushteti do të përdorej në dobi të popullit të saj – e gjitha kjo tregon se sa pak është ecur drejt një reflektimi të thellë mbi të shkuarën dhe personazheve historike që glorifikohen. Pikërisht për këtë arsye është e nevojshme ta trajtojmë të kaluarën syçelët përgjatë gjithë shtrirjes së saj.

Duke thënë këtë, ne nuk synojmë kurrsesi të esencializojmë shqiptarët, apo të argumentojmë se ekziston ndonjë tipar i qenësishëm i shoqërisë shqiptare që e bën të paaftë atë për të ndryshuar. Si do ta shpjegojmë shkurtimisht më poshtë, rasti i Shqipërisë është shumë i zakonshëm dhe mund të ndeshet në të gjithë botën. Gjithashtu, ne nuk mbështesim idenë e Perëndimit si një përjashtim, si një rast unik dhe i papërsëritshëm historik, përvoja e të cilit sapo del nga djepi i zanafillës prodhon hibridë të tmerrshëm. Ndaj, as nuk jemi ithtarë të atyre që predikojnë universalizmin perëndimor. Të mos jesh pasues i ndonjë –izmi – sikundër është edhe rasti ynë – nuk do të thotë se nuk mundemi ta peshojmë të kaluarën dhe të vlerësojmë hendekun mes retorikës dhe veprave. Në vend që të mësojmë nga historia se “Shqipëria nuk bëhet”, si shprehen shumë sot, ne nuk jemi të verbër të mos pranojmë se Shqipëria ka ndryshuar shumë gjatë mbi një shekulli histori si shtet i pavarur. Shqipëria nuk është statike dhe ajo si hapësirë dhe shoqëria që banon në territorin e saj, janë subjekte të maksimës karteziane të “të bërit”. Debati është “të bërit” çfarë? Ndaj edhe nuk mund të mos diskutojmë dhe vëmë në dukje vazhdimësitë e rëndësishme të strukturave se si modelohet pushteti dhe se si kjo përputhet me një yjësi konceptesh dhe vlerash që përvijojnë një horizont mendor që i mbijeton kohës. Këtu kanë rol sa rrethanat specifike lokale aq dhe dinamikat historike me impakt global. Analizimi i ndërveprimit të tyre është thelbësore për të kuptuar se si gjërat kanë përfunduar këtu si janë sot.

Për Hoxhën, shumë nga krimet që ka kryer dhe për të cilat ka qenë përgjegjës janë thënë në mënyrë të pandërprerë gjatë tridhjetë viteve të fundit. Zogu, me përjashtim të disa studiuesve, nuk është analizuar mirë dhe personaliteti i tij nuk është shqyrtuar me thellësi. Ai nuk ka lënë material të mjaftueshëm për ta studiuar si duhet. Një autobiografi e cekët iu diktua një ambasadori të ShBA-së, por ishte kryesisht e mbushur me gënjeshtra ose gjysmë të vërteta. Dokumentet nga Italia japin një pamje më të plotë për figurën e tij, ku del qartë imazhi i një gangsteri që kërkon para për të financuar dhe mbajtur në këmbë mashtrimin e tij. Mbreti i Shqipërisë ndjehej më rehat në një Shqipëri që e shihte si një çiflig ku mbizotëronte tregu gri dhe ai i zi, sesa të vepronte brenda makinerisë së një shteti modern. Madje, u bë një përfaqësues i shkëlqyer i shteteve periferike të dështuara të udhëhequra nga klika të korruptuara që nuk njohin asnjë besnikëri tjetër përveçse ofertës më të lartë. Simpatizantët e tij mendonin se heshtja e tij fshihte një intelekt dinak. Ajo që ka më shumë rëndësi sesa shkalla e inteligjencës së Zogut është se të kuptuarit e personalitetit të tij dhe periudhës që ai sundoi Shqipërinë, na ndihmon neve sot të kapërcejmë skemat thellësisht dualiste që ende lulëzojnë në mjedisin akademik në vend. Kjo është sidomos e vërtetë për shekullin XX dhe në kundërvënien e periudhave të ndryshme, ku, në imagjinarin e përgjithshëm ato shikohen si negative të njëra-tjetrës, ku qëndrojnë në një marrëdhënie dialektike të pohimit dhe mohimit. Prej këtu, mund të reflektojmë më mirë edhe për ngritjen e monumentit të Zogut dhe domethënien që kjo mbarsi për të shkuarën, ashtu edhe për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ngritja e monumentit të Zogut, e nxjerrë tërësisht nga konteksti është në thelb shndërrimi i të zezës në të bardhë ose anasjelltas. Ky akt, nuk merr parasysh dhe nuk mat njeriun që glorifikohet, i cili, ashtu si Hoxha, ishte produkt i një vendi dhe kohe shumë specifike. Të dy vendosën personalen mbi nevojat kombëtare. Tingëllon e njohur? Apologjetët e Zogut flasin për kontributin e tij në ndërtimin e shtetit dhe kombit. Shikoni Shqipërinë e vitit 1939 dhe është e qartë se kjo nuk është e vërtetë. Zogu, sado pa dëshirë, ua dorëzoi komunistëve detyrën e shtet-ndërtimit dhe komb-formimit.

Përvoja e Shqipërisë me drejtësinë e tranzicionit dhe ballafaqimi me të kaluarën kanë qenë një dështim pothuajse total, i uzurpuar nga njerëz të cilët nuk mund ta shohin këtë proces veçse si mjet për të goditur dhe shkatërruar kundërshtarët – apo edhe për të marrë ndonjë financim të majmë nga fondacionet e vendeve perëndimore. Nëse Shqipëria do të arrijë të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme gjatë shekullit XXI, kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, deri tani shenjat nuk janë edhe aq shpresëdhënëse, të paktën për të ardhmen e afërt. Flitet shumë për krimet e komunizmit dhe me të drejtë – por edhe këtu jo si duhet. Jo aq shumë për ato që i paraprinë dhe pothuajse asgjë për ato tipare të autoritarizmit që komunistët huazuan nga paraardhësit e tyre.

Në shumë mënyra, Hoxha i kishte më shumë borxh Zogut sesa Stalinit. Shqipëria erdhi në jetë nga një grup krahinash të varfra periferike të një Perandorie Osmane thellësisht të kalbur. Sado që një pohim i tillë mund të lëndojë ndjeshmërinë e atyre që shohin në disa vlerësime shenja orientalizmi, e vërteta është se kur Shqipëria u themelua si shteti i pavarur, arkën e kishte bosh, nuk ekzistonte një rrugë e vetme e vërtetë automobilistike, analfabetizmi ishte në nivele të frikshme, varfëria ekstreme mbretëronte në fusha dhe male, gjakmarrja bënte kërdinë në segmentin me të gjallë të shoqërisë, banditizmi po ashtu, ndërsa malaria, sifilizi dhe tifoja e plotësonin ciklin e ndërthurjes së elementëve të natyrës me kulturën për ta futur vendin në një qerthull dalja prej të cilit kërkonte energji dhe para për investime që Shqipëria nuk i kishte. Ata që erdhën në pushtet nuk ishin në lartësinë e duhur për të përballuar sfidën e shtet-ndërtimit. Akoma më keq, pavarësisht politikave modernizuese që ndërmorën, si Zogu ashtu edhe Hoxha nuk investuan në ndërtimin e institucioneve të forta që do të vijonin të vepronin me efikasitet edhe atëherë kur krijuesit e tyre nuk do të jetonin më.

Historia e Shqipërisë si shtet i pavarur është jo vetëm e ngjashme me atë të vendeve e të tjera të Ballkanit dhe të Europës Lindore, por ngjan edhe me atë të shteteve postkoloniale në Amerikën Latine, të Afrikës dhe të Azisë, të krijuara nga rrënojat e perandorive. Të etiketuara me shumë emra, si për shembull regjime pretoriane, shtete klienteliste, republika bananesh, tirani, e kështu me radhë, këto janë vende ku ata që mbajnë frerët e qeverisë shtypin sistematikisht të drejtat e qytetarëve të tyre, ku korrupsioni i shfrenuar sundon në mënyrë të pacipë, ku shpërdorimi i pushtetit dhe privilegjet e pakicës në kurriz të shumicës shfaqen hapur dhe paturpësisht.

Ky është fati i shumë shteteve periferike, të ngërthyera në aleanca të pabarabarta që kërkojnë nënshtrim, të kapura në një rrjetë të ndërlikuar marrëdhëniesh ndërkombëtare që i lënë thuajse gjithnjë në fund, këto vende shpesh bëhen pre e tekave të më të fuqishmëve. Edhe Shqipëria, qysh nga formimi i saj, është gjendur në një pozitë të tillë. Kapërcimi i kësaj gjendje të pafavorshme ka kërkuar drejtimin e vendit nga njerëz inteligjentë, që zotëronin pjekuri dhe ishin në gjendje të hartonin politika të balancuara, synimi i të cilave do të ishte përmirësimi i jetës së njerëzve dhe shndërrimin e Shqipërisë së pavarur në një projekt të suksesshëm. Mjerisht, këto ishin virtyte që nuk i zotëronte as Zogu, me dobësinë që ai kishte për ekstravagancë, dhe as manitë ideologjike të Hoxhës. Epshi i tyre i shfrenuar për pushtet dhe madhështi i bënte ata personazhe qesharakë, e kundërta e asaj që donin të ishin. Paaftësia e tyre për të pranuar të ishin në krye të një vendi dhe një populli të përbërë nga njerëz të lirë, i shndërroi ata në despotë hakmarrës që vuanin nga kompleksi i inferioritetit, plagë kjo të cilën asnjëri nga të dy nuk arriti ta shëronte dot asnjëherë. Ballafaqimi me këtë të kaluar është shumë e rëndësishme. Aty ku mungon ose ka qenë e pjesshme, siç është rasti me Poloninë, Hungarinë, apo edhe më shumë me Serbinë dhe Rusinë revizioniste, rezultati mund të ishte një fatkeqësi për një komb të tërë, një rajon të tërë, madje edhe për botën. Rrëzimi i monumenteve të diktatorëve vetëm për t’i zëvendësuar me të tjerë si vetja, është një rreth vicioz që i tjetërson të gjithë. Çlirimi nga ky qerthull nis me një bisedë të sinqertë për të kaluarën dhe mitet që kemi trashëguar prej saj.

 

(© 2023 Artan R. Hoxha dhe Robert C. Austin . Të gjitha të drejtat janë të autorëve.

 

1 Koment

  1. Nuk mundem dot te spekulloj se si do te kishte rrjedhur historia pa komunizmin se historia nuk gjykohet me “sikur” por komunizmi ishte nje aksident historik .Sipas Abaz Ermenji grupet komuniste nuk kishin asnjefare peshe e grindeshin me njeri tjerin per arsye absurde ideologjike e beni politike kafenesh .Dy fshatare serbe te derguar nga kominterni i bashkuan dhe i kthyen ne nje bande te pameshirshme terroriste te gatshem te vrisnin edhe njerezit e aferm .Ermenji e shpjegon me inferioritetin e shqiptareve te cilet i binden kollaj te huajve por jo njeri tjetrit?!!
    Zogut i duhet prere some slack .jeta efekkive e Shqiperise si shtet i pavarur filloi aty nga viti 1928 .Nje vit me vone kemi nje krize te pergjithshme boterore e cila zgjati pothuaj per gjithe vitet 30te .Jugosllavia e Greqia haptazi kerkonin shuarjen e Shqiperise,Europa ishte nen fashizem apo nazizem ,Demokracite ende te dobeta prej WWI .Brenda kishte popullin me anarkik te Europes i cili nuk i bindej asnje lloj autoriteti shteteror ,pothuaj komplet anafabet e i varfer .ne keto kushte ai ngriti administrate e filloi te krijoje eliten duke derguar te rinj me bursa ne perendim .Ato pak kuadro te shkolluar me bursat e Zogut dhane pas lufte me teper kontribut se mijera te diplonuar nga UT ne kohe te Hoxhes.E Zogu pati vetem 10 vjet ne dispozicion.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin