Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

HUMANIZMI I CHAPLINIT

nga Bujar Meholli

Sikurse gjithë opusi i tij kinematografik, filmi “The Kid” (Fëmija) i Charlie Chaplin-it ngërthen në vete një mozaik vlerash humane, të cilat do të përpiqemi t’i analizojmë gjatë këtij shkrimi. Pa përdorur rëndom termat e shumtë superlativë që i atribuohen Chaplin-it, le të shohim hollë-hollë vlerat që bart filmi, gjegjësisht humanizmin e tij midis së bukurës dhe së keqes, binomit të përjetshëm gjallues të qenies humane.

A është e dhimbshme të rritesh i vetëm, jetim? Natyrisht. A është e vërtetë se i vuajturi e di më mirë se çka është vuajtja? Kjo është dëshmuar shumë herë. Nëse e shtrojmë pyetjen me pak dozë nihilizmi – pse është kaq e vështirë, rrjedhimisht kaq e egër jeta? – përgjigjja do të fërfëllonte në ajër, ngase deri më sot askush s’ka ardhur në përfundim për ta kuptuar pse mbretëron e keqja dhe pse Perëndia e lejon në tokë, mbi njerëzit që kalojnë kalvarë të shumtë gjersa kallen në varr… Atëherë njeriut i mbetet barra ta bëjë universin më pak të shpifur e më pak të rëndë, siç do të shprehej Baudelaire. Njeriu, edhe kur gjendet në llumin e errësirën më të madhe, kokëfortësisht nuk i humb shpresat, vazhdon të ëndërrojë për një dritë, një diell që do t’ia ngrohë ditët…

Sidoqoftë, për ta kuptuar këtë film, për të hyrë në brendësinë e tij, duhet gjurmuar në jetën e Chaplin-it, pasazhet e trishta të fëmijërisë, varfërinë, problemet familjare, ëndrrat, vizionet për të ardhmen… Sipas psikanalistit Sigmund Freud, filmat e Chaplin-it janë mbrusur pikërisht me këto pasazhe të fëmijërisë, me mjerimin, dhimbjen nga humbja e nënës, frikën, ankthin… të cilat rezonojnë në skenarët dhe lojën e tij. Chaplin-i nuk është sall ai trapi, lolo, që bënë gjeste që prodhojnë të qeshura, përkundrazi, e qeshura lind nga kontradikta, të qeshurën e ndan peri i hollë nga loti, vuajtja, zhgënjimi. Filmat e tij janë kritikë e pastër ndaj botës kapitalisto-industrialiste, që po e zëvendësonte punëtorin, po ia pinte gjakun, po e trajtonte si leckë, me fytyrë të murrët, duke ia prerë gazin e harenë; lumturia më e madhe ishte ngarendja për një copë bukë dhe një strehë mbi kokë mes plot rreziqesh. Chaplin-i është akuzuar madje për komunizëm për vizionin e tij, është konsideruar personalitet i diskutueshëm/kontrovers, kurse nga një publik mediokër është marrë thjesht për një gaztor që vishet dosido dhe bën gjëra qesharake duke ecur në formë patoku dhe mbajtur bastun e kapelë.

Por gjithë konglomerati i këtyre filmave shkon përtej – gjuha filmike e Chaplin-it sugjeron pikërisht demaskimin e realitetit; ai shfaq hapur mjerimin dhe despotizmin shoqëror, siç në romanin kult “Me syrin e një klouni” Heinrich Böll paraqet zallamahinë e pasluftës në tokën gjermane dhe allishverishet në kurriz të individit nga hierarkitë fetare e politike. Chaplin-i na paraqet një individ të tëhuajtur brenda shoqërisë, viktimë e saj, fati i të cilit vendoset nga rastësitë. Për t’i fashitur të gjitha dhimbjet nga ditët e rënda me lloj-lloj problemesh e sfidash, melhemi është e qeshura, një farë meskaline alla Huxley, dhe ky është një tjetër dimension i komedive të Chaplin-it. Në një ese për ndërlidhjen e filmit me poezinë, kritiku letrar Jean Onimus shkruan se: “Filmi na ofron një fotografi humane, edhe në qoftë se ajo është tragjike. Ai na pajton me realitetin që e popullojmë të nënshtruar pas nevojave tona, të cilat i përshkon ëndrra jonë dhe, prandaj, shpirti ynë.”

Arti filmik e mishëron ëndrrën tonë, e bën të dukshme përmes ekranit, duke krijuar aureolën e gjithë kompleksitetit human (të fshehtë e morbid) në një projeksion ku janë shpresat e dëshirat, komplekset nga të cilat kërkohet çlirimi, kënaqja e shpirtit, lundrimi në ditë e kaluara, nostalgjia… “Në armiqësinë e një bote jonjerëzore e të dëbuar nga perënditë dhe absurditeti, vrasës për vetëdijen lucide, filmi e ofron pamjen humane”, vijon Onimus.

“The Kid” i lansuar në janar të vitit 1921 mund të konsiderohet kryevepra filmike e Chaplin-it. Nis me mbishkrimin “Një pamje me buzëqeshje, mbase me lot”. Nuk do të ndalemi te fama e tij, ajo tashmë dihet. Sukseset po ashtu. Tandemi me aktorin Jackie Coogan shënjon aktin më të lartë të interpretimit kinematografik të filmave pa zë. Edhe sot, njëqind e kusur vite pas, mahnitesh nga aktrimi i çunit të vogël, jetimit, që rritet nga “babai” Charlie. Disa pyetje po i shtrojmë përkitazi: vallë a është njeriu babà për fëmijën vetëm për shkak të gjakut? A është babai vetëm biologjik? Apo babai për fëmijën (nënkupto njeri të afërt) është njeriu me të cilin ndan të mirat e të këqijat, lundron tallazeve të jetës, jep e merr mbështetje e, mbi të gjitha, lartëson ndjenjat për të?

“The Tramp” e nis ditën e tij, që nuk dallon fare nga të mëparshmet. Ai është gjithmonë i veshur dobët, me lecka të dorës së dytë, por ka trup të lidhur, është në formë, i zhdërvjellët, ironikisht plot jetë e humor karshi makinerisë mbytëse të shoqërisë së egër kapitaliste jashtë së cilës gjallon. Duke u endur kuturu dhe menduar si të gjendet edhe në një ditë tjetër, gjen një kërthi në mbeturina, braktisur nga një grua mondane e palumtur në lidhjen e saj. Duke e ditur barrën e rëndë që duhet ta mbajë, natyrisht, endacaku mundohet ku e ku ta shmangë, t’ia lë dikujt në duar, e megjithatë shkëndijat e një lidhjeje emocionale të pastër tashmë janë shfaqur. Përditshmëria ndryshoi. Tashmë qe “babai” i një fëmije kolopuç, që së shpejti rritet, endacak edhe ai. Kalvari i tyre filloi. Shenjat autobiografike janë të qarta dhe e përshkojnë gjithë filmin. Charlie i urrente jetimoret. Urrente forcën, hierarkitë e jetimoreve, ndarjet. Ëndërronte prore një fëmijëri të lumtur, një copë bukë, rroba të pastra dhe çati mbi kokë. Shtëpia ku jetojnë është modeste, për të mos thënë gërdallë. Tavolina dhe orendi të vjetra. Karrige që luhaten, shtrat fjetjeje i shtrembër, gazeta që e lexon duke shpresuar për diçka të mirë, dhe ushqimi që hahet dosido. Çfarë dëshiron të transmetojë Charlie përmes këtij relacioni emocional që e krijojnë “atë e bir” derisa gjallojnë në përditshmërinë e tyre proletare? Se dashuria ngjizet me njeriun e afërt, me atë që i bën ballë jetës? Se askush në botë nuk është i pazëvendësueshëm? Se njerëzit mund të shndërrohen në krijesa mostër sa ta braktisin edhe gjakun e tyre? Se njerëzit janë të pasinqertë me Zotin, me besimin, me fenë? Mbase të gjitha bashkë!

Për djaloshin, endacaku është njeriu ideal, prototip i mbrojtësit dhe mbështetësit më të madh në jetë, që mishërohet në figurën e atit në kuptimin frojdist të fjalës. Ai e do me krejt qenien, i rri pranë, i ndihmon në shtëpi, madje prekëse është skena kur i vogli përgatit ushqimin dhe e fton në mëngjes t’i bashkohet dhe gjersa hanë kumtojnë lutjen “Bukën tonë të përditshme falna sot” nën tingujt e një muzike tepër prekëse apo kur një mëngjes dalin bashkë në “punë” – djaloshi duke thyer xhamat me gurë dhe Charlie duke i riparuar për të fituar ca groshë për të nesërmen. (Derisa përndiqen nga polici) Lidhja e Chaplin-in me djaloshin është po ashtu mjaft e fortë. Ai përkujdeset që nga ushqimi me biberon deri te rrobat, pastërtia, dashuria pa kushte prej babai që ia ofron. Gjenialiteti i Chaplin-it konsiston në faktin se di ta krijojë lidhjen e fortë humaniste brenda filmave të cilët, siç shprehet Roland Barthes, kanë forcë të pacak. Sharloti është i mishëruar kryekëput në misionin që e ka figura e atit karshi fëmijës – është mbrojtësi, modeli, sakrifikuesi për të voglin. Në skenën kur ekipi nga jetimorja i bie në të se ai nuk është babai i vërtetë dhe orvaten t’ia marrin fëmijën nga duart, filmi arrin klimaksin. Endacaku e mbron me mish e shpirt; do ta shpëtojë nga kthetrat e tyre, nga jetimorja. Një endacak që s’para e lejon djaloshin të shkojë rrugës për t’u bërë njeri pa identitet, që jeton kot dhe është i nënshtruar! Rebelizmi ndaj autoriteteve arrin kulmin. Marsh në sulm, me të gjitha mjetet! Përkundër insistimit dhe forcës, endacaku “baba” triumfon! Fëmija shkëputet nga kthetrat e tyre. Zbret nga makina dhe mbetet në fole, me njeriun e afërt, modelin, heroin e tij. Ata nuk duan t’i bashkohen turmës së egër, duan të jetojnë në paqe ashtu siç janë në parajsën e tyre. Freud-i, kur flet për turmat njerëzore, thotë se ato tregojnë figurën familjare të një individi të veçuar, që mbijeton në gjirin e një bande shokësh të veçantë sikur në hordhitë e egra. “Psikologjia e kësaj turme është zhdukja e personalitetit individual të vetëdijshëm, orientimi i mendimeve dhe i ndjenjave në drejtime të njëjta, mbizotërimi i afektivitetit dhe psikizmit të pavetëdijshëm, prirja për realizim të menjëhershëm të planeve të hartuara, të gjitha këto i përgjigjen një gjendjeje regresioni në një veprimtari psikike primitive, ashtu siç mund të përfytyrohej për hordhinë e egër”[1], shkruan ai. Rendi ligjor, hierarkia, yshten që ta ndalin lumturinë, janë kurdoherë të gatshëm, pa ndjenja, për intervenim, pale edhe në një mjedis të tillë modest, pa ia ditur fare për dashurinë, lidhjen e ngushtë mes njerëzve. Morali i rremë shoqëror (i tillë që nuk skandalizohet me braktisjen e fëmijëve, por ndërton e mirëmban jetimore për ta) është kritikuar me shumë sukses nga shkrimtari ynë i madh Migjeni – përmes një galerie të tërë personazhesh ekspresioniste nga fëmijët lypsarë deri te gratë që ushtrojnë prostitucion – që e kishte idhull Chaplin-in (novelat e qytetit të veriut kanë përafrime evidente me filmat e tij) dhe i cili u ndikua nga letërsia revolucionare ruse me korifenjtë e saj, nga Kërlezha e filozofia nihiliste niçeane; i brumosur me ide përparimtare, revolucionare, i vendosur kundër borgjezisë dhe sistemeve totalitare, u bë përjetë tribun i vegjëlisë, i popullit shqiptar, i të shtypurve në luftën për liri, demokraci dhe drejtësi sociale. Migjeni ka absorbuar ndër të tjera edhe humanizmin e Chaplin-it.

Filmi “The Kid” është tragjikomedi. Ky produkt artistik përbëhet nga një gamë e gjerë trajtesash socio-politike; është kritikë e mprehtë për prindërit e papërgjegjshëm, jetimoret, të ardhmen e pasigurt, vizionet e mjegullta, dergjjen e ndjenjave që rrezikon ta shkaktojë ngarendja pas famës, parasë e lavdisë borgjeze. Spinoza konstaton se për njerëzit burim lumturie rëndom janë pasuria, nderi dhe kënaqësia fizike. Megjithatë ato veçse e hutojnë mendjen e tij. Këto të mira aq lakmuese, sipas tij, nuk e shpëtojnë ekzistencën humane, por vetëm sa e dëmtojnë atë, drastikisht, duke çuar në shkatërrim. Është vetëm dashuria e përjetshme, e pakufishme, që ushqen gëzime të pamata e flak tutje çdo trishtim e zhgënjim. Chaplin-i na paraqet një peizazh ku dashuria triumfon, s’është qenësore si lind, por si zhvillohet e kulmon dhe shtrihet itinerarit të përjetshëm njerëzor. Me filmat Chaplin-i synonte përmbushjen e dëshirave fëmijërore, i bëri njerëzit të qeshnin, por edhe të reflektonin ndaj rreziqeve evidente në shkarjet e humanizmit. S’do mend që mesazhet e tij janë relevante edhe në shekullin tonë, ku dashuria po matet me para, gjithçka është shndërruar në sipërfaqësore, glamuroze dhe dashuri të bajatshme, të gënjeshtërt. Ndaj duhet reflektuar edhe sot e kësaj dite me dashurinë e pastër, modestinë dhe harmoninë që proklamonte Chaplin-i.

“The Kid” gjithashtu krijon amalgamën e një pasurie të jashtëzakonshme tingullore, kolonat zanore të cilat i krijoi Chaplin-i. Kompozimet e tij janë po ashtu fine e të madhërishme si aktrimi, e ngjizin gjithë humanizmin/njerzillëkun me gjuhën shprehëse përmes veprimeve, lojës së aktrimit. Muzika e Chaplin-it është e pasur me melodi të shumëllojshme, është aq prekëse me tempo që krijojnë impakt direkt në tru, psikikën tonë. Pra, muzika e tij nxitet çdoherë nga vrundujt e emocioneve, mund të qash e qeshësh njëherësh nën këta tinguj, nga lidhja e pashkëputshme që e krijon me audiencën përmes lëvizjeve fizike. “Chaplin-i krijon një film kompleks e universal pa ndihmën e dialogut dhe shpesh me subjekt fluturak dhe fëmijëror. Dhe këtë gjë ai e arrin kryesisht përmes lëvizjes. Ecja e Chaplin-it, për shembull, është faktori më i qartë, por edhe gjestet e tij fizike, si dhe koha e lëvizjes në marrëdhënie me subjektin përbëjnë gjithashtu faktorë kyçnë interpretimin e tij”[2], shkruan regjisori Vladimir Prifti.

Chaplin-i i ikën klishesë. Është artisti më novator i shekullit XX, i cili kumton mesazhet më universale përmes gjestikulacionit dhe eliksirit magjik tingullor. Fjala vjen, në skenën kur përleshet me autoritetet për ta mbajtur fëmijën, në disa sekonda shikon drejt në kamerë, duke piketuar qartë gjendjen e fëmijëve në botë dhe thirrjen për ta ndaluar një trajtim të tillë. “Lidhjet pa rëndësi shndërrohen në gjëra koti, dhe i varfri shkëputet pa pushim prej tundimeve të tij. Në thelb, prandaj dhe triumfon ndaj gjithçkaje njeriu-sharlot: sepse u bën bisht të gjithave, flak çdo kapital, dhe nuk investon te njeriu përveçse njeriun”,[3] konstaton Barthes. Chaplin-i dekonstrukton shabllonin e njohur tradicional të relacionit atë-bir, duke krijuar një tjetër relacion, jo konvencional, larg fanfarave hipokrite të atësisë dhe “familjes së shëndoshë” borgjeze, përkundrazi, na portretizon një lidhje të ngushtë, por në rrethana krejt të tjera, një atë të përgjegjshëm e sensitiv, ani pse jeton në margjinat e shoqërisë, m’u aty ku vlon humanizmi i vërtetë… Chaplin-i, parë nga këndvështrimi bashkëkohor sipas Silver-it, “solli gamë të gjerë aktrimi, duke prekur thellë shumë njerëz, më thellë sesa çdo artist në historinë njerëzore; dhe madje ai na prek edhe sot…”[4]


[1] Zigmund Freud, “Psikologjia e turmave”, përkthyer nga Tamara Gjikondi, Tiranë, 1998.
[2] Vladimir Prifti, Të dish të lexosh një film, Tirana Times, 2010.
[3] Roland Barthes, Mitologjitë, përkthyer nga Persida Asllani, Pika pa Sipërfaqe, 2016.
[4] Charles Silver, Charles Chaplin, an appreciation, The Museum of Modern Art, New York, 1989.

 

© 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin