Muhabetet për mozaikun “Shqipëria”, të Muzeut Kombëtar, që iu rikthye qendrës së Tiranës këto ditë – i restauruar – më bënë ta shoh edhe një herë mozaikun vetë, përballë pretendimeve se atje pasqyrohet historia e Shqipërisë, “ashtu siç ka ndodhur”.
Dhe pashë sërish një ansambël figurash duke mbajtur në duar sende të ndryshme – sidomos pushkë, gjashtë ose shtatë të tilla; por edhe armë të ftohta, harqe dhe shigjeta dhe mburoja; njëra figurë, ajo e Rilindësit, shtrëngon në grusht një dokument të mbledhur tub, ndoshta një manifest a proklamatë a dorëshkrim patriotik; punëtori që dikur mbante një libër të sigluar PPSH, tani ka thjesht një xhaketë të hedhur në sup.
Shumë prej figurave dalin me kostume popullore; madje edhe një nga luftëtarët mesjetarë majtas është me fustanellë, pa përmendur pastaj komitin përbri Rilindësit. Edhe figurat djathtas kanë elemente veshjesh tradicionale. Këtë tipar e thekson gruaja në qendër, që vringëllon armën, gjithë duke qenë e veshur me xhubletë dhe këpucë elegante (gati prej balerine).
Dhe ja, ky personazh i fundit më sjell në mendje skenën; atë të një valleje hiper-kinetike, të një baleti revolucionar a të një operete, aq sa krejt mozaiku të më duket si koreografi, çfarë edhe u jep tjetër kuptim figurave përreth, të cilat tashmë imponohen si pjesëtarë të një produksioni skenik kolektiv. Kush i mban mend paradat e 1 majit, do të kujtojë edhe se valle të tilla, gjysmë popullore, i hidhnin parakaluesit edhe para tribunës ku rrinte Udhëheqja. Mungon vetëm daullja dhe daullexhiu kaçurrels me qeleshe.
Vallja e ngrirë i sjell një nuancë artificialiteti mozaikut, duke e nxjerrë nga korniza e realitetit; aq më tepër që kostumet në një balet – le ta quajmë kështu – janë të menduara në funksion të shfaqjes (performancës), dhe i flasin publikut me gjuhë simbolike. Por ky i Mozaikut nuk është thjesht riprodhimi i një baleti socialist imagjinar, sepse figurat atje nuk janë mirëfilli stilizime a tipizime figurash të marra nga realiteti.
Në fakt, ato e kanë origjinën nga tradita simbolike pamore që kish krijuar Realizmi Socialist – në film, në teatër, në pikturë e kështu me radhë. Gati të gjitha figurat në mozaik mund t’i identifikosh në filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, skenat e teatrove dhe pikturat e kohës – mbushur me partizanë, fshatarë, dhe kostume kombëtare, siç e kërkonte fryma dhe doktrina. Këto figurina, duke filluar nga partizani çlirimtar që valëvit flamurin në qendër, nuk janë klishe të thjeshta, por shenjues klishesh, aq sa Mozaiku vetë t’u referohet arteve pamore të Realizmit Socialist dhe t’i vijë publikut si antologji e njëherazi distilat veprash ekzistuese.
Pikërisht falë këtij efekti që do ta quaja intertekstual, Mozaiku u kujton njerëzve sot, edhe atyre që nuk e vrasin fort mendjen për artin publik, të kaluarën moniste – ashtu siç u vjen përndryshe e ndërmjetësuar nga arti i djeshëm, i tillë si Filmat e Kinostudios.
Për nga kompozicioni, këtë vepër nuk e ndan dot nga estetika e pllakatit sovjetik dhe atij kinez[1]; në kohën kur u përurua, ajo hynte në lidhje horizontale me qindra në mos mijëra pllakate propagandistike që i gjeje anembanë hapësirave publike në Shqipëri – mbase edhe ngaqë pat trashëguar diçka nga primitivizmi i këtyre. Sot të tilla pllakate nuk i sheh më, dhe syri nuk i pikas gjithnjë reflekset e tyre në imazhin te fasada e Muzeut. Por reflekset aty janë. Ndonjë figurë, si ajo e punëtorit dje me libër sot me xhaketë vërtet vijnë nga pikturat me temë “punëtore” që mund t’i kundrosh edhe sot në Galerinë Kombëtare të Arteve (përfshi përparësen e punës, këmishën e bardhë të zbërthyer dhe këpucët e rënda të atij që shkel mbi zjarr e hekur), por jo pa kaluar më parë përmes estetikës së pllakatit, që i ka sheshuar.
Dalloj tre blloqe, brenda ansamblit: ai majtas, ai djathtas dhe ai në qendër; që nuk arrij t’i shoh si pjesë harmonike të një së tëre. Figurat janë vërtet dinamike, por nuk ndërveprojnë mes tyre – duket sikur janë vënë aty si artifaktet në raftin e një muzeu, për t’u interpretuar veç e veç, në mënyrë të tillë që skenës uniteti t’i vijë nga “kuptimi”, jo nga “realiteti” skenik. Ky tipar, së bashku me natyrën tipizuese deri në skematizëm të figurave dhe aksesorëve të tyre, më bën sakaq të mendoj për ikonografinë dhe pikturën murale fetare.
Kanë vënë në dukje, madje që para viteve 1990, që mozaikut – si imazh përfaqësues dhe tejet simbolik – i mungonte libri, pena, mendja dhe intelekti, në një kohë që folklori dhe pushka janë të mbipërfaqësuar; nga ana tjetër, për arsye të kuptueshme, nuk gjen aty elementin mirëfilli fetar, kjo në përforcim të imazhit të Shqipërisë si “vendi i vetëm ateist” në botë.
E megjithatë mozaiku, ky meta-pllakat, qartazi ka shërbyer si suport pamor i “fesë socialiste”[2], e cila kërkonte t’ua zinte vendin feve tradicionale në Shqipëri, në trajtën e një religjioni politik[3]; edhe pse e rrezaton dhe e mbështet këtë fe tërthorazi, nëpërmjet simboleve të marra nga arti dhe letërsia e Realizmit Socialist dhe propaganda vizuale e regjimit.
Ashtu edhe e ka merituar dhe e meriton të ruhet e të mirëmbahet, si dëshmi flagrante dhe tejet domethënëse e një epoke historike, gjatë së cilës narrativa historike kombëtare u folklorizua dhe iu nënshtrua ideologjisë enveriste duke u vënë në shërbim të saj. Por ruajtja dhe mirëmbajtja e kësaj idolatrie nuk do të përligjeshin dot, pa u vendosur vepra vetë në kontekstin e duhur dhe pa iu dhënë brezave instrumentet e duhura për ta interpretuar.
Kërkesat për heqjen e Mozaikut, në fillimvitet 1990 por edhe tani, të kujtojnë atë cancel culture, që ka çuar në përdhosjen dhe heqjen e dhjetëra monumenteve publike në SHBA, Britaninë e Madhe dhe gjetiu, me arsyen se këto glorifikojnë shtypjen, kolonializmin dhe racizmin. Në të njëjtën mënyrë, edhe viktimave të shumta të regjimit enverist Mozaiku u kujton se llogaritë me krimin totalitar ende nuk janë shlyer.
Por prania e një vepre arti masive të frymëzuar nga ideologjia dogmatike e asaj kohe, mu në qendër të Tiranës, nuk ka pse të shqetësojë opinionin publik aq sa padija, keq-informimi dhe indiferenca e brezave më të rinj, ndaj historisë së Shqipërisë moniste – ose paaftësia e institucioneve tona arsimore dhe kulturore, për t’u folur brezave më të rinj në mënyrë kritike dhe refleksive për atë periudhë, përfshi këtu edhe natyrën e propagandës dhe indoktrinimit të dikurshëm.
Për mua si individ, qytetar dhe njeri që e ka përjetuar në lëkurë regjimin totalitar, Mozaiku është vepër arti sa e shëmtuar (skematike) dhe kitsch (e rrejshme), aq edhe moralisht e keqe; por kjo nuk e dallon nga shumë shëmti të tjera publike të Tiranës, dje dhe sot, përfshi edhe ndërtesat që po marrin tani formë në qendër të kryeqytetit, njëra në shembëllesë të kokës së Skënderbeut (!!), tjetra me hartën e Shqipërisë në fasadë (!!), të cilat janë ku e ku më kitsch se Mozaiku. Kombëtarizmi mund të jetë po aq fe surrogato sa edhe socializmi dje; veçanërisht në format populiste me të cilat po përpunohet haptazi.
Qenka pra me sa duket e thënë, që – në mungesë të një diskursi kulturor kritik – qytetari të vazhdojë ta përjetojë marrëdhënien e vet me hapësirën publike si indoktrinim, përkatësisht qëndresë ndaj indoktrinimit.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Por pa kurajën eksperimentale të së parit dhe pa përndezjen e ngjyrave verdhekuq të së dytit.
[2] Ky citat nga Gramsci mund të ndihmojë për ta ftilluar çfarë them:
Socializmi është ekzaktësisht religjioni që do ta mbysë Krishterimin. Religjioni, në kuptimin që është edhe ai një fe, ka mistikët dhe praktikantët e vet; religjioni, sepse ka zëvendësuar, në vetëdijet, Zotin transhendental të katolikëve me besimin te njeriu dhe tek energjitë e tij më të mira, si i vetmi realitet shpirtëror. Ungjilli ynë është filozofia moderne […], e cila heq dorë nga hipoteza e Zotit në vizionin e universit, dhe që i hedh themelet e veta vetëm në histori, të së cilës jemi krijesa sa i përket së shkuarës dhe krijues sa i përket së ardhmes.
(Antonio Gramsci, Sotto la mole 1916-1920, Tornino, Einaudi 1971, ff. 147-148).
[3] Për këtë koncept, i referohem Emilio Gentile-s, në Politics as Religion, Princeton University Press, 2006.
Ky mozaiku sepse me kujton vrrajat qe i mbeten ne surrat si “souvenir” dikujt qe kalon semundjen e lise.
Koha ka treguar se shume nga idete qe mozaiku percon si veper sinteze e historise tone jane te gabuara .Luftes partizane qe zgjati 3-4 vjet i jepet po aq hapesire sa edhe historia 2000 e ca vjecare perpara saj.Menyra si eshte konceptuar e tregon historine to me dy gjysma perpara dhe pas lindjes se PK ,megjithese socializmi ishte vetem 45 vjet nga pothuaj 20 shekuj history e shqiptareve.Nga ana artistike eshte pllakat i zakonshem propagandistik .Duke e mbajtur padashur legjitimizojne versionin e historise zyrtare te diktatures.Por edhe ta prishesh mozaikun pa paraqitur nje version me te mire apo dicka tjeter per fasaden nuk eshte gje e mencme .Zgjidhja do te ishte te hapej nje konkurs per nje mozaik te ri apo nje fasade te re .
A nuk është pak absurde t’a fusim veten nëpër vorbulla Borgesiane, ku ndërtojmë vazhdimisht nga një mozaik të ri për çdo herë, kur na duket se s’na përfaqëson më i vjetri? T’a ekzagjerojmë pak idenë, për hir të imazhit, edhe na del përpara një qytet mozaikësh, ku asnjëri prej tyre nuk përfaqëson më asgjë pa tjetrin, meqë i qasemi të ardhmes kokë-kthyer, dhe secili mozaik kthehet në pasqyrë të mosnjohjes së vetes, e jo ndonjë historie për të qenë.
Mund te bejme lojera fjalesh sa te duash ,intelektualizim per hir te intelektualizimit per tu dukur te kenduar ,por ceshtja ne thelb eshte e thjeshte .Mozaiku eshte nje pllakat me grandiozitet grotesk nga ato qe sot gjenden vetem ne Korene e Veriut e nuk perfaqeson esencen e historise tone kombetare .
Unë lojëra fjalësh, e ju lojëra mozaikësh. Po në i ardhtë dita konkursit të mozaikut të ri, pastë sovrani i pakënduar veç kurorëzim të ëndjeve të veta me një alamet mozaiku, kësaj rradhe, ama, sipas kokrrës së qejfit të tij! Le mos t’i ketë bukë shtëpia, po pa dy mozaikë s’quhet katandia!
“Kritika artistike” për secilin personazh, në mozaikun e fadadës hyrëse në MHK Tiranë, kur nuk ishte bërë e analizuar aso kohe mbas inaugurimit, nuk mund të bëhet sot “mbas pilafit” në vitin 2023.
Aq më pak për të justifikuar ndryshim “retushim”, falsifikimet nga origjinali Mozaik i Realizmit Soc-Enverist në Mozaik Xhondemo – Salisist!
Duhej ruajtur origjinali ose ndryshe e shumta të muzeohet …
Përshëndetje! Kritika artistike mund të bëhet kurdo që t’ia dojë qejfi kritikut. Janë sugjerimet për “redaktime” të një vepre të tillë masive që nuk mund të jepen pasi të jetë redaktuar vepra. Kjo sepse shpesh kritika nuk ka synime utilitare, por thjesht shpjeguese – ndërsa sugjerimet janë detyrimisht utilitare (praktike).
Hë se ka më shemtuar se mozaiku: Muzeu i Krujes.
E keqja s’ka fund
Pllakati,me vjen ndot ta quaj mozaik per brezin qe ka jetuar periudhen “enveriste”( nuk eshte socialiste) fyen rende memorien e tyre.Eshte nje propagande e rendomte me ato idete te cilat iu imponuan artisteve te cilet e realizuan kete pllakat.Restaurimi nuk duhej te realizohej,por pllakati duhet hequr sigurisht sipas menyrave qe te mos demtohet dhe duhet vendosur ne nje ambjent te mbyllur ku te jene grumbulluar monstra te tilla.Ky lloj arti nuk ka pse tu imponohet cdo njeriu.Dishepujt mund ti shijone lirshem dhe me endje gjera te tilla bile pa pagese.
Mozaikut i paskan hequr yllin dhe librin e kuq, a thua se kështu bëhet më pak komunist apo më pak i shëmtuar. Më mirë ta kishin lënë ashtu siç ishte, shëmbëlltyrë e paprekur e historisë sonë me komunizmin (këta kemi qenë!); ose ta prishnin fare, siç shuhet njolla e turpit nga CV-ja. Por kështu, duke e retushuar, nuk i dalim për zot të djeshmes, as të sotmes. Nuk i dalim zot vetes, se jemi popull me komplekse të mëdha, ende në adoleshencë.
Domethënës më duket edhe viti i retushimit, 1993, gjatë qeverisjes së parë të PD-së dhe vetëm dy vite pas shembjes së monumentit. Siç duket, atëherë ishin ftohur gjakrat, që të vazhdonim me ikonoklasitikën e 1991-92-ishit. Nga shembja e idhujve kaluam te retushimi – i idhujve, por jo vetëm (…) -, më pas te restaurimi. Sot, të pazotë të ngjizim gjë origjinale në tre dekada tranzicioni, në kulturë e gjetkë, na ka ngelur vetëm ripërtypja nga plëndësi i soc-realizmit, si kau që e kthen ushqimin nga stomaku në gojë dhe e përtyp për së dyti.