nga Agron Alibali
PISHTARI I FUNDIT I NJË BREZI TË ALIBALËVE
(në kujtim të Shpresa Alibali Veshit, 1.11.1942 – 4.5.2023)
Si brez i tretë, shumë prej nesh kemi pasur fatin të ishim pjesë e një familjeje të madhe, me “katërshen biblike familjare” të përbërë nga motrat e vëllezërit e babait (halla e xhaxhallarë), apo të nënës (teze e dajallarë).
Merita e kësaj jete relativisht të pasur familjare u takon pa dyshim gjyshërve, apo brezit tonë të parë. Me gjithë vështirësitë e kuptueshme të jetës tri breza më herët, si vdekshmëria e lartë foshnjore, dhe shumë e shumë arsyesh të tjera sociale, ekonomike, etj,, prapëseprapë ata arritën të sillnin sa më shumë fëmijë në këtë botë.
Mirëpo brezi jonë “postmodern” është dëshmitar se jeta sot e ka përjashtuar modelin tradicional të familjeve të mëdha. Brezat në vijim me shumë gjasë nuk do të kenë fatin e spektrit të plotë të trungut familjar, dhe shumë prej tyre nuk do të kenë luksin e “katërshes biblike familjare”.
Unë personalisht e kam pasur këtë fat. Qysh i vogël u gjenda i rrethuar nga një hallë, pesë xhaxhallarë, dy teze dhe dy dajo. Tjetër rastësi e bukur ishte se dy gjyshërit e mi jetonin fare pranë njëri tjetrit në Tiranë: njëri në rrugën Vllazën Huta, dhe tjetri në rrugën Hoxha Tahsin. Ishte, pra, krejt e natyrshme për mua kjo fëmijëri midis dy shtëpive të mëdha, plot dritë e gjallëri, plot çuna e goca xhajash, tezesh, dajash e hallash, plot njerëz e zhurmë, plot lojëra, hapësirë, ngjyra, oborre, lule, pemë dhe, natyrisht, përkujdesje të ngrohtë nga gjyshërit e gjyshet.
Në këtë konstelacion njerëzish vend të veçantë zinte figura e përgjithësuar e Hallës së vetme dhe e Tezeve.
Përveç kuptimit të parë, si motra e babait, Fjalori i Gjuhës Shqipe e përcjell termin “hallë” nga këndvështrimi i vlerësimit shoqëror që bart edhe si “emër me të cilin thërresin me nderim një grua në moshë të thyer”. Afërmendsh mund të ketë lexues të këtyre rradhëve që mund të bartin kujtime a mbresa për hallën apo hallat. Duke e abstraguar figurën e Hallës pra, si motra e babait, tradicionalisht ajo ishte vajza e shtëpisë deri sa të martohej, nëse do të martohej. Si e tillë, Halla do të ishte veçanërisht e lidhur me fëmijët e vëllezërve a motrave të saj, të lindur nën kulmin e shtëpisë së madhe patriarkale. Ajo do të merrte pjesë gjallërisht në rritjen e edukimin e tyre, duke kaluar kohë të paçmuar me nipin a mbesën, dhe duke çimentuar kësisoj lidhet e veçanta e të jashtëzakonshme shpirtërore me ta. Ky të paktën ishte për mua modeli me Hallën time. Dhe me sa kam folur me miq e shoqe, shumë syresh ruajnë kujtimet më të ëmbla nga Hallat e tyre.
Por le të kthehem pak tek tezet. Tezja ime e madhe ishte Drita. Me një jetë të jashtëzakonshme familjare dhe profesionale, ajo kishte sjellë në jetë gjashtë vajza. Kurse tezja tjetër, Sekinja, balerinë e shquar, kishte sjellë dy vajza. Nëna ime ishte përjashtimi – me dy djem. Halla nga ana e vet kishte pasur fatin e gëzimit më të plotë: një djalë dhe një vajzë.
Kur vdiq tezja e madhe, në shkurt 2015, u ndodha në Sofje, Bullgari. Ajo ishte në moshë të thyer dhe ikja e saj nuk ishte e papritur. Lajmin e mora vesh me Skype, vonë, në ora 10 të mbrëmjes. Nuk pata as ngurrimin më të vogël. Aty për aty vendosa të nisesha për Tiranë. Me ndihmën e pakursyer të zv. Ambasadores së Shqipërisë në Bullgari pajtova një taksi, udhëtova gjithë natën dhe, në ora 10 të mëngjesit u ndodha në Tiranë, bash tek shtëpia e tezes. “Të lumshin kambët”, mbaj mend të më thotë plot mirënjohje njëra nga kushërirat e para që jeton në Torino, sapo më pa e habitur atë mëngjes të përzishëm…
Siç u mblodhëm të gjithë te xhenazja para varrit, në fund m’u bë një kërkesë fare e papritur: të bëja eulogjinë e tezes sime në emër të fisit. Barrë e rëndë dhe nder i madh për mua…
Veç disa minuta më parë kisha bluar në mëndje jetën e teze Dritës. Siç e kishte edhe emrin, me mençurinë, mprehtësinë, urtësinë e saj ajo na kishte shndritur rrugëtimin e vështirë në momentet më delikate. Fola. Dhe kryefjala ishte simbolika e emrit të saj si drita shpresëdhënëse në kthesat e errëta të jetës. Si askush tjetër ajo ishte kujdesur deri në çastin e vdekjes për prindërit e saj. Si rrallëkush, ajo na kishte ndriçuar jetën tonë gjatë viteve të gjata të internimit të motrës së saj (Mamasë sime), por edhe të vajzës së saj.
Fjalët dolën krejt lirshëm në ato tri minuta ku duhej të përmblidhja një jetë të tërë. Mbaj mend që vajzat e tezes, dhe jo vetëm ato, më falënderuan më pas me zemër.
Tek po largoheshim nga varrezat e Tufinës shkëmbeva këto fjalë me Hallën time, Shpresën, natyrisht e pranishme aty, me të cilën Teze Drita kishte qenë shumë pranë. “Drita si dritë”…
Vitet kaluan dhe tetë vjet më vonë Halla dhe Tezja do të bashkoheshin sërish, kësaj radhe nën dhé. U ndodha në Çikago kur erdhi lajmi i kobshëm. Halla Shpresa nuk arriti t’i rezistonte një operacioni delikat në zemër në një spital të Tiranës. Dilema e madhe midis riskut të operacionit dhe mbylljes së jetës në kushtet natyrale ishte më e mprehtë se kurrë.
Tek u tërhoqa i përlotur në dhomën e hotelit, jeta e Hallës më kaloi papritmas nëpër mendje, si një film bardhezi plot dashuri, dhimbje dhe shpresë. Hodha në letër diçka që e shpërndava në një medie sociale sipas radhëve të mëposhtme.
Humbja e papritur e Hallës sonë të vetme, Shpresës, gjithnjë të ëmbël dhe të paharruar, na pikëlloi dhe na befasoi pa masë të gjithëve. Ajo iu bashkua e fundit në amshim të pesë vëllezërve të vet më të mëdhenj, që i dhanë asaj aq shumë dashuri, dhe ajo u dha atyre aq shumë Shpresë (me Sh-në e madhe të Roland Bartit)
Vetëm 11 vjeç, Shpresa ishte vajza e shtëpisë që, me gëzim të paparë, priti në derën e banesës në Vllazën Huta Nr. 111 dy nuset e para të Alibalëve të Tiranës, një ndër to “Mamicën”, nënën time.
Shpresa u dha tim atë, Jusufit e familjes, shpresë në ditët e errëta të internimeve të gjata, nga Labova e Gjirokastrës në Kutalli, e nga Kutallia në Sheqëz të Beratit.
Shpresa lindte shpresë edhe bashkë me Agimin dhe gjithë fisin e gjerë të Alibalëve të tjerë në Shkodër, apo në ishullin simbolik të rezistencës ndaj persekutimit mizor totalitar.
Shpresa ishte gëzimi i Xhevatit në letrat e tij të paharrueshme, me shkrimin sa të imët aq të kuptueshëm, që vinin një herë në muaj nga Spaçi mizor, i largët dhe tepër i ftohtë.
Shpresa u bë frymëzimi i Besnikut, që u çmobilizua nga ushtria, por arriti gjithsesi t’i shmanget goditjes familjare duke u endur në kantieret e Rruga-Urave, dhe mandej në Durrës.
Shpresa u kthye në “bashkëpunëtoren” e largët të Yllit, “agjentit polak” që në shkurt 1975 u arrestua, duke nisur fillimin e goditjes mizore penale ndaj një familjeje të madhe të Shkodrës.
Dhe Shpresa u bë si drita e syve të Major Salihit dhe Nanë Havasë, të cilëve u mbajti shpirtin gjallë me shpresë dhe optimizëm, deri sa të dy njëri pas tjetrit mbyllën sy, por pa i pasur djemtë e tyre përreth shtratit të vdekjes.
Shpresa ishte dhe mbeti shtylla e familjes Veshi, përkrah xhaxhi Pirros sonë, duke rritur një Genc dhe Edlirë që na nderonin përherë.
Halla ime e mirë ishte mësuese muzike bash në Shkollën “11 Janari,” por asnjëherë nuk më dha mësim. Kur më shihte nëpër oborr e nëpër korridoret e shkollës ashtu, të vogël, të turpshëm e me shallin e kuq e përparësen e zezë, ajo më jepte një përqafim e buzëqeshje që vetëm ajo dinte të ma jepte. Kurse unë, jo pa ndjenjë turpi fëminor, largohesha menjëherë drejt shokëve dhe shoqeve të klasës sime…
Por goditja masive familjare Hallën time e largoi nga arsimi dhe e çoi punëtore në Artistike “Migjeni”, çka ajo e përballoi me vetëmohim e dinjitet të rrallë. Stacion i parë i kthimit të përditshëm nga puna ishte shtëpia e prindërve të saj, ku pavarësisht nga lodhja e normës ditore, Hallë Shpresa u sillte prindërve të vet çdo ditë dritë e shpresë.
Edhe për shkak të karakterit të vet komunikues e të sinqertë, Hallë Shpresa kishte një rreth shoqëror jashtëzakonisht të gjerë. Kudo në Tiranë do të hasje shoqe të saj, me të cilat ajo mblidhej rregullisht diku, në një lokal rreth Sheshit “Avni Rustemi” për një kafe mëngjesi çdo ditë të Mërkurë.
Hallë Shpresës i bëhej zemra mal për mbarëvajtjen e njerëzve dhe shoqërisë së vet. Ajo ishte në rresht të parë kur më 16 dhjetor 2016, u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë libri im për Konicën. Në fund të ceremonisë, madje, ajo nuk ngurroi të më jepte një dush të ftohtë pasi – edhe nga emocionet e natyrshme të momentit – kisha shfaqur njëfarë zhbalancimi në fjalën time para të pranishmëve. “Urime Gon, doli shumë mirë”, më tha pak çaste më vonë Etleva D. “Eh, – ia prita unë, “ç’e do. Sapo më dha një kritikë të rreptë Halla”. “Mos u mërzit, do të kalojë”, ia bëri Etleva. Dhe vërtet. Inati i Hallës nuk zgjati as tre minuta.
Mirëpo Hallë Shpresa na la, për t’u bashkuat me prindërit e vet, që e linden 20 vjet pas djalit të tyre të parë. Edhe Hallë Shpresa u bashkua kësisoj me pesë vëllezërit e vet, që e deshën aq sa s’thuhet dot me fjalë.
Me Hallë Shpresën pishtari i fundit i një brezi të Alibalëve u shua më 5 maj 2023. Por aspak dashuria, ëmbëlsia, malli, buzëqeshja, fismëria që Hallë Shpresa u dha të pesë brezave, të cilët patën fatin që t’i jenë asaj pranë.
© 2023 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit.