Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

1 MAJI SI FTESË PËR IMAGJINATË

nga Liri Kuçi

Kujt i përket 1 Maji?

Që prej ngurosjes së simbolikës së 1 Majit si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve (1889) dhe vendosjes së standardit 8-orësh, të drejtat dhe arritjet e njohura në botën e punës ndryshojnë dhe ligjërohen ngadalë. Megjithëse ndodh përditë rezistencë për dhe në vendin e punës, dukshmëria e tyre sikurse dhe nevojat, sfidat dhe kushtet punëtore ngelen anësore.

Ende sot, 1 Maji shenjon përpjekjet për organizim në punë, kushte më të mira dhe paga të drejta. Ndonëse kanë marrë fytyrën e bashkëkohësisë, në sistemin ekonomik global dhe politikave të tregjeve shfrytëzuese, sfidat e forcës punëtore ngelen problematike; orare të tejzgjatura në punë, mospagesë për orët shtesë, mosrespektim i ditëve të pushimit, dhunim i kodit dhe ligjeve të punës, shtypje e të drejtës për organizim sindikal në vendin e punës, diskriminim për shkak të gjinisë, racës apo aspekte të tjera prejardhjeje dhe/ose identitare, paga tepër të ulëta, mosrespektim të kushteve të sigurisë dhe shëndetit të punës.

Mirëpo, sistemi dhe politikat ekonomike tregojnë fytyrën e vet më të egër sidomos në vendet më të varfra dhe shtresat më nevojtare. Ndërsa përpjekjet për narrativë gjithëpërfshirëse dhe të ndërthurur janë në farkëtim konstant, sërish aty ku shfrytëzimi është më i lartë dhe më i egër dhe pengesat e çarjeve strukturore, si diskursive dhe materiale, bëhen më të forta.

*

Simbolika e fortë e 1 Majit për të drejtat në punë, sigurinë, dinjitetin dhe shpërblimin meritor, duhet përdorur sidomos për të shpërfaqur dhe emërzuar secilën nënshtresë mbi të cilën ngrihet dhe forcohet piramida që mban në këmbë ekonominë, shtetin dhe shoqërinë.

Të drejtat punëtore nuk mund të trajtohen si kategori abstrakte e ligjit të punës për frymorë homogjenë që përdoren për të kryer punën.

Rritja e vetëdijes dhe ndjeshmërisë ndaj njerëzve të punës sipas nevojave, identitetit dhe shtresës sociale që përbëjnë e përfaqësojnë, mund të sjellin progres vërtet përmbajtësor në botën e punës.

*

Kujt pra?

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorë/eve, duhet të sjellim në vëmendje më shumë se kurrë punën e padukshme, por aq shumë të rëndësishme të kryer në shumicë prej grave.

1 Maji u përket punëtoreve të përkujdesit, fabrikave të prodhimit të veshmbathjeve, punëtoreve të pastrimit, infermiereve, mësueseve dhe gjithë pozitave të tjera që konsiderohen “punë grash” – të vështira, të nënpaguara dhe të nënçmuara, që nuk njihen dhe vlerësohen për nga kontributi i madh shoqëror dhe ekonomik që përftohet prej tyre.

1 Maji është edhe dita e punës së papaguar e sferës së riprodhimit shoqëror; nga lindja e fëmijëve, te kujdesi fizik dhe emocional ndaj familjes dhe mirëmbajtja e shtëpisë me gjithsej.

1 Maji është i të gjitha atyre që u pengojnë të kryejnë e të paguhen në punë jashtë shtëpisë sepse roli i tyre përcaktuar me farefis, shoqëri e kanun lejon funksion vetëm brenda katër mureve dhe sipas lejes pronësore të të parit (krye)familjar.

1 Maji është edhe i gazetareve, inxhiniereve, kameriereve dhe shitëseve që seksualizohen vetëm me prezencë, sendëzohen dhe shënjestrohen sepse janë gra.

1 Maji i përket periferisë që zgjohet përpara qendrës, udhëton drejt saj, punon për të rritur fuqinë e saj. I ndez dhe fik dritat e saj kurrë pa marrë shkëndija të mjaftueshme mbrapsh. Përsëritje ciklike deri në vetëgërryerje.

1 Maji është i studenteve punëtore që energjinë dhe potencialin rinor nuk e vënë dot në shërbim të rritjes intelektuale, por e japin dispropocionalisht në tregun e punës deri në konsum shterues.

1 Maji i përket secilës dhe të gjitha grave e vajzave që ngacmohen seksualisht në vendin e punës, rrugës për në punë dhe në shtëpi.

1 Maji është i grave që në intervistën e punës duhet të japin llogari si duhet ta përdorin mitrën në 3 mujorshin e ardhshëm, si dhe pas 2 vjetësh.

Lehonave që as nuk u paguhet leja e lindjes dhe as nuk u njihet e drejta e ndarjes së lejes së lindjes me partnerët.

1 Maji u përket edhe punëtoreve të seksit, që përveç diskriminimit dhe paragjykimit të punës që kryejnë, përballen edhe me kushte pune të rrezikshme për shëndetin e tyre  fizik, mendor, seksual. Të pasigurta e të panjohura ligjërisht prej shtetit dhe të përçudnuara prej shoqërisë.

1 Maji u përket edhe grave transeksuale që u refuzohet e drejta për punë dhe dinjitet. Edhe grave LBTI që për një vend pune, eprorët dhe kolegët duhet të dinë edhe hesapet e krevatit apo të të investigojnë meskëmbësh.

1 Maji është i grave Rome, Egjiptiane, të zeza, për të cilat rezervohen vetëm punë “të dorës së dytë” dhe që në shkëmbim nuk marrin as pagë të dinjitetshme dhe as përshëndetjen a mirënjohjen tonë.

1 Maji është i personave me aftësi ndryshe, që ende luftojnë të integrohen në tregun e punës; me infrastrukturë të papërshtatshme dhe mendësi e pagesa dekurajuese.

1 Maji është edhe i grave që kryejnë surrogaci (shtatëzani me porosi), ku jeta dhe shëndeti i tyre nuk vlen më shumë sesa i pulave të korrentit, pa rëndësi pas kryerjes së fëmijës së porositur.

1 Maji u përket grave emigrante që punojnë në informalitet, të pasiguruara dhe keqpaguara, pre e dhunës dhe abuzimeve të gjithëfarëlloji.

1 Maji është i grave punëtore që nuk u njihet leja menstruale, që nuk u llogariten por u përqeshen sëmundjet, raportet shëndetësore dhe rastet nevojtare.

I secilës punëtore që punon në festat zyrtare, që përpiqet të ngrejë zërin, si dhe atyre që detyrohen të mos flasin e reagojnë sepse nuk shohin shpresë dhe ndihen vetëm e të tradhëtuara nga çdo organizim shoqëror i bërë në kurriz të tyre, por pa ato si subjekt dhe qëllim.

1 Maji sot është edhe i metodave bashkëkohore të shfrytëzimit, këtu; profesionisteve të reja, që u duhet të bëjnë të funksionojë një martesë të vështirë midis mungesës së kompromisit dhe gjallimit në kushte prekariati, pa e kontaminuar punën e tyre intelektuale me struktura institucionale të kalbura shtetërore. Aty ku akademia dirigjohet ende prej mjekroshëve të bardhë dhe dija ngelet një ishull shkurrishtesh i shek xix, që nuk shkartiset më duke u vënë në dyshim e aq më pak të sillet në katedër për kritikë, porse vetëm sfilon në një pasarelë referencash arkaike pompoze.

U përket edhe atyre që harrojnë se 1 Maji është edhe tyri, ndonëse punojnë përditë për dhe me vetëdijen. Atyre që aktivizmin dhe punën e mundimshme të mbrujtjes së kritikës dhe organizimit kolektiv e kalojnë nëpër vetëmohim në mjedisin ku kontribuojnë. Shpeshherë parakusht në historinë e shkruar në privilegj – ku puna e të cilave nuk duhet të duket sepse duhet të jetë modeste për kauzën – e përvetësueshme (vetëm) prej predikuesve.

1 Maji u përket gjithë atyre që e hoqën një tullë nga muri i lartë i padrejtësive për të qartësuar fushëpamjen e gjerë dhe lehtësuar barrën e ushtrisë së punëtorisë që vjen pas.

Mbi të gjitha edhe i atyre që u harruan a nuk u lexuan ndë’ rreshta.

1 Maji të mund të jetë thirrje për guxim e jehonë kolektive në organizim për t’iu gëzuar punës jo vetëm si nevojë por edhe përmbushje, me njerëz që gëzojnë mundësi të barabarta, kushte të drejta, mbrojtje ligjore, siguri dhe shpërblim meritor.

Siç thotë edhe Sara Ahmed, nëse vetëm një ditë në ndalshin së punuari këto krahë, do të binte gjithë struktura që mban gjallë shoqërinë, shtetin, familjen – kështu siç është.

A guxojmë të mendojmë se ç’mund të sendërtohet prej shkatërrimit të saj: Në mund ta vëmë në pyetje ekzistencën e gjithë ç’kemi, për hir të më së mirës imagjinatë (?)…

 

© 2023 Liri Kuçi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin