Nisur nga New York-u për Tiranë, rrugës nga shtëpia në Brooklyn për në aeroportin JFK, ndieja një siklet që, edhe pse me vonesë, e kuptova pastaj që më vinte nga radioja në taksi, e sintonizuar te një kanal që po reklamonte pa ndërprerje vetveten. Ne bëjmë këtë dhe atë, ne shkojmë këtu dhe atje, ne jemi burimi i parë i informacionit për zonën e Tri-State (NY, CT, NJ), neve na beson publiku, e kështu deri në hiper-ventilim, prandaj ju dëgjuesit nuk keni nevojë për stacion tjetër lajmesh, ne ju mjaftojmë, ju dalim e teprojmë, shënojeni frekuencën, regjistrojeni në sistem, ejani të na vizitoni në ueb, se ne do t’ju shoqërojmë të palodhur në udhëtimet tuaja, edhe ato të përditshmet edhe ato të gjatat, se jemi në shërbimin tuaj, në dispozicionin tuaj, falas, dhe sjellim ato lajme që ju duhen dhe ju interesojnë, madje edhe të tjera që nuk e dinit se ju duheshin dhe ju interesonin… dhe kështu për minuta të tëra, me zë dihatës folësish të alternuar, diafragmë pulsuese që të ndillte dyshimin mos kish diçka shumë gabim me botën, në mos me ty vetë.
Pas orësh të kaluara në meditacion në qiell, ja ku ia behu edhe Tirana, në trajtën e një rruge të shkurtër por të rreptë, sërish me taksi (ka diçka mortore te këto taksi që të shpien e të bien nga aeroportet), nga Rinasi drejt qytetërimit, në një trase të spërdredhur, piton në krahët e zbutësit profesionist; në një trafik të ngadalësuar, somnambulik, edhe ai si pitoni i cirkut më lart, njëlloj i trullosur me ketaminë për të shmangur ndonjë të papritur agresive në skenë. Kjo ishte Tirana vibrante dhe dinamike, ku të gjithë dukej se po merrnin pjesë në një procesion pagan super-masiv, gjithsekush duke ushtruar të drejtën e makinës dhe të asfaltit.
Pas çdo ndalese të çastit, përhihej rreziku i një trombi vdekjeprurës, por që pastaj magjishëm nuk ndodhte; masa viskoze prej hekur-mishi bënte përpara si fekalja përmes orificit anal, edhe pse gjithnjë më plogët, në dridhjet e fundit të një peristaltike të shteruar. Qendra e Tiranës vizatohej në horizont, e mbështjellë në pluhur të kaltër elektoral, por sa më e dukshme bëhej, aq më e pamundur dukej orvatja për ta arritur. Mendova se e njëjta gjë do të ndodhte sikur problemi të mos ishte me trashjen e trafikut, por më shumë me zgjerimin konstant të universit, bymimin e hapësirës, rritjen fatale të së gjitha distancave mes pikave A dhe B: përfytyroni botën në “sipërfaqen” e një tullumbaceje katër-përmasore në fryrje konstante.
Mendova: ja një trafik që reklamon pandalshëm vetveten, si ajo radioja AM në New York: një qarkullim që, për shkak të ngadalësimit progresiv, bën që të humbë kuptimi i çdo pikëmbërritjeje, i çdo synimi, i çdo shprese për ta kapërcyer më në fund distancën nga pika A në pikën B; një qarkullim që, për shkak të viskozitetit mbytës, vjen dhe ilustron me gusto paradoksin e Zenonit me shigjetën – meqë tani shigjeta je ti, dhe bashkudhëtarët e tu, të kapur brenda një shtjellimi filozofik si miza në rrëshirë, mbase si miza në qelibar. I vetmi argument që të jep ky trafik, është se ti në destinacion nuk do të arrish dot.
Dhe ngaqë mendimet e tua dhe imagjinata nuk është se rrjedhin gjë më ngadalë, fillon të mësohesh të shijosh peizazhin urban përreth teje dhe të shijosh estetikën e shkurrnajës së egër të tullave, betonit dhe xhamit, që ka mbirë anës rrugës dhe të ndjekësh, si në televizor, pasqyrimin e makinave në vitrinat e dyqaneve. Është qyteti që e transmeton drejtpërdrejt trafikun në rrugë, ua përcjell falas viktimave, duke i siguruar se jemi në shërbimin tuaj, në dispozicionin tuaj, falas, ju sjellim ato pamje që ju duhen dhe interesojnë… Anash teje shpaloset diversiteti i habitatit periferik, me dyqane dhe shërbime që tradhtojnë, përmes tabelave lajmëruese, prejardhjen gjeografike të së zotëve dhe farefisnitë komplekse. E njëjta Shqipëri që sapo e kishe kundruar – sërish me mall – nga dritarja e avionit, tani të rishfaqet si harta e vet, e projektuar në fytyrën e qytetit. Aq më tepër në një atmosferë zgjedhjesh lokale, ku posterët të kujtojnë se kush është sundimtari i këtij cepi të Ilirisë së Poshtme.
Që nga këta, portretet e të mëdhenjve të politikës më bëjnë të mendoj se edhe këta janë kapur, njëfarësoj, në trafikun e ngecur të roleve që duan të luajnë; dhe tani e soditin gjarprin e narkotizuar të makinave (me qytetarë brenda) që nga mjerimi i buzëqeshjeve të tyre. Pelegrinazhi i lodhur i hyrjes në Tiranë është edhe realiteti që ata – dashur pa dashur – kanë krijuar, gjithë duke qenë ata vetë produkt, sado edhe aksidental, i Shqipërisë që projekton të ardhmen dhe projektohet drejt saj, në trajtën e një krize konvulsive me xhiro të ngadalshme, si valët e një radioje në loop, në mos të spazmës klonike të trupit reptilian.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
I kane bere vilat e tyre nga rruga per ne Elbasan, keshtu qe pavaresisht aksidenteve te perditshme qe ndodhin ( por asnjehere te permendura prej mediave) prej mbikalimit te aeroportit drejt Tiranes, te vdekshmit e zakonshem duhet te pertypin buken e perditshme qe u falin te vdekshmit e pazakonshem te Olimpit juglingor te Tiranes,
Si gjithnje, rebelimi ndaj status quo-se eshte jo vetem veprim, por edhe mendim i te marreve.
Rrnofshin aksidentet dhe trafiku ( qe te mos na nxehen zotat prej mishi e leshi kaçurrel) !