Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji

TUBIMI I 7-TË ALBANOLOGJIK – BAVARI

Tubimi i 7-të albanologjik:

The Albanian language area and its surroundings
during Antiquity to the High Middle Ages
(21-22 prill 2023)

Instituti i Gjuhësisë Krahasuese-Indoeuropiane dhe i Albanologjisë pranë Universitetit elitar “Ludwig Maximilian” (Mynih/RFGJ) në bashkëpunim me Akademinë “Nehemiah Gateway” organizon Tubimin e 7’ Albanologjik ndërkombëtar më dt. 21-22 prill 2023, në ambientet e “Hotel Lindenhof” (Hubmersberg 2, 91224 Pommelsbrunn) në Landin e Bavarisë.

Korniza shkencore e tubimit:

Duke mbajtur parasysh zhvillimet më të reja në albanologji, si disiplinë komplekse rajonale me fokus në hapësirën kulturore kompakte shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor dhe Qendror, organizatorët e tubimit përsiasin si të domosdoshme, që në këtë tubim të bëhet pjesë e debatit shkenëcor e gjithë hapësira shqipfolëse me rrethina përgjatë periudhës së Antikitetit deri në Mesjetën e lartë, parë ky debat në sfondin e një paletë ndërdisiplinore mes fushave:

o Gjuhësi historike, arkeologji dhe arkeogjenetikë
o Kontakt dhe transfer kulturor-gjuhësor
o Histori e Mesjetës së hershme dhe të lartë
o Besim i krishterë, botëkuptim, antropologji historike
o Filologji dhe kulturë shkrimi

I mirëseardhur është gjithashtu debati mbi konceptimin dhe metodat e kërkimit në ndërmarrje kërkimore-shkencore me karakter ndërdisiplinor që fokusohen në periudhën ndërmjet Antikitetit të vonë dhe Mesjetës së lartë.

Sfondi kulturor-social:

Qëllim tjetër që synojmë në këtë tubim është ai i karakterit kulturor-social krahas atij shkencor-universitar. Siç mund të jeni në dijeni, institucionet e arsimit të lartë kudo në Evropë janë të detyruara të vendosin përparësi në organizimin e sistemit universitar, përparësi këto që po ndikojnë negativisht në veprimtarinë e të ashtuquajturave ‘degë të vogla universitare’. Në këtë kuadër po rrezikohet seriozisht edhe ekzistenca e Degës sonë të Albanologjisë (LMU/Mynih), e cila funksionon si e tillë prej 62 vitesh (1961). Le të japim me këtë tubim së bashku një sinjal fanmirë dhe të dëshmojmë që albanologjia në Universitetin elitar Ludwig-Maximilian të Munihut, që përfaqëson një shkencë rajonale, nuk përbën aspak ‘degë ekzotike’, përkundrazi, ajo – sikurse edhe degë të tjera të ngjashme – përcjell njohuri dhe përvoja të rëndësishme në përballimin e sfidave, me të cilat përballen sot proceset e globalizimit në të gjitha aspektet e jetës. Parë nga kjo perspektivë, një ndihmë vendimtare e me vlerë të pallogaritshme përjetojnë aktivitetet e degës sonë, sidomos kur gëzojnë mbështetjen e formacioneve shtetërore në hapësirën shqipfolëse në Ballkan.

Masa infrastruktore:

Tubimi zhvillohet më dt. 21-22 prill 2023 në ambientet e hotelit “Lindenhof”, në një zonë idilike që ndodhet pranë qytetit mesjetar Hersbrück, rreth 30 km në lindje të Nürnberg-ut, një vend ideal për aktivitete në grup, tubime dhe ceremoniale të veçanta.

Pjesëmarrësit:

Tubimi është parashikuar të zhvillohet me pjesëmarrjen aktive të deri 24 studiuesve të spikatur në fushat e ndryshme të albanologjisë si pjesë e rretheve të ndryshme albanologjike në botë, duke rrokur këtu sigurisht edhe hapësirën shqipfolëse në Ballkan (shih më poshtë).

Në tubimet tona janë ftuar dhe kanë marrë pjesë gjithherë përfaqësitë diplomatike dhe Konsullatat e Republikave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Me ftesë të posaçme janë ftuar në këtë tubim për të mbajtur një fjalë përshëndetëse Ministrja për Marrëdhëniet ndërkombëtare të Landit të Bavarisë si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Prof. Dr. Bardhyl Demiraj Mynih, më 12 prill 2023

(programi mund të shihet duke klikuar këtu:
Tubimi i 7-të albanologjik)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin