Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Folklor / Gjuhësi

SYRI I GJARPRIT

Pas botimit para ca ditësh të shkrimit për emrin e djallit në shqipe, qëlloi të bisedonim se nga vjen e keqja në jetën e përditshme, sipas mendësisë popullore – meqë shqiptarët, të paktën ata që na kanë rritur dhe me të cilët jemi rritur, nuk e konsiderojnë fare djallin, dhe aq më pak djallin e feve monoteiste, si sjellës dhe nxitës të së keqes mes njerëzve.

Rëndom mendojmë, përkundrazi, se burimi i së keqes është Tjetri – nga ligësia, zilia dhe, më në përgjithësi, keqdashja (angl. malice). Ndonjëherë gjykojmë se e keqja vjen nga karma, si shpagim për të këqiat që mund të kemi bërë ne vetë; siç vjen edhe nga mallkimi, i lëshuar nga personi i duhur. Nëna ime i thoshte ndonjëherë tim eti që të mos ua prishte të tjerëve në hall, kur i luteshin për ndonjë gjë – dhe pastaj shtonte, si me gjysmë zëri: se mos hamë ndonjë mallkim kot.

Një agjent kryesor i së keqes, gjithnjë sipas mendësisë popullore, është syri i keq; një forcë keqbërëse, të cilën me gjasë e projekton vështrimi i një njeriu zakonisht zilar, dhe që mund të shkaktojë lëndim, sëmundje, aksident, vdekje, dëmtime të pronës (shembje ose zjarr) dhe katastrofa të tjera. Syri i keq thuhet se mund të godasë edhe kur dikush nis të lëvdojë diçka a dikë.

Në mëhallën ku rritesha unë, njiheshin disa gra që “kishin sy” a “të merrnin më sysh” – dhe jo sepse ishin veçanërisht dashakeqe ose zilare, por sepse shkaktonin lloj-lloj dëmesh dhe vuajtjesh, shpesh edhe pa qenë tërësisht të vetëdijshme.

Ishte syri i këtyre grave, dhe zakonisht i Tjetrit, që i bënte disa të tregoheshin shumë të kujdesshëm me ekspozimin e së mirës – meqë syri i keq mund ta shkatërronte sakaq.

Ndryshe nga magji të tjera të kodifikuara, ky efekt i “syrit” është i vështirë për t’u kodifikuar, sa kohë që nuk vepron gjithnjë; megjithatë, ka mënyra për t’u mbrojtur prej tij, të njohura si magji apotropaike – duke filluar nga hudhra që na vinin gjyshet në xhep të pantallonave.

Efekti i syrit të keq ngrihet mbi premisën se syri nuk është thjesht receptor pasiv i dritës, por projekton edhe ai një lloj energjie. Çuditërisht – por mbase jo edhe aq – ky efekt i syrit a i vështrimit, sikur gjen konfirmim në ndonjë interpretim të “efektit të vëzhguesit” (observer effect) në mekanikën kuantike.

Prandaj le të mos e likuidojmë menjëherë si besëtytni “vulgare”, madje as edhe si një teori të së keqes që i kundërvihet asaj të Krishterimit; ose të paktën jo para se të ndërmarrim një ekskursion linguistik në lashtësi.

Përmendëm në shkrimin përkatës se shqipja dreq rrjedh nga një latinishte draco, e cila vjen nga greqishtja e vjetër δράκων “gjarpër i madh, gjarpër deti”; një emër i ndërlidhur me foljen δέρκεσθαι, që e përdor Homeri, dhe që ka të bëjë me shikimin, të shikuarit, të vështruarit – por që, ndryshe nga sinonimet e shumta, kjo δέρκεσθαι ka kuptimin “të kesh një ndriçim të veçantë në sy”. Siç e shtjellon filologu gjerman Bruno Snell (The Discovery of the Mind: The Greek Origins of European Thought, origjinali gjermanisht botuar në 1946), tek i cili jam mbështetur për këto të dhëna, kjo δράκων – që rrjedh prej foljes – i referohet pikërisht ndriçimit, xixëllimit të syrit (angl. glint). Gjarpri, në këtë rast, quhet “ai që shikon”, jo sepse e ka shumë të fortë shqisën e të parit, por sepse vështrimi i tij të gozhdon.

Vetë folja δέρκεσθαι, vazhdon Snell-i, i referohet të shikuarit jo si funksion i syrit, por në lidhje me ndriçimin, xixëllimin e syrit, që e vë re dikush tjetër. Folja përdoret për Gorgonën (të njohur edhe si Medusa), që kish gjarpërinj të gjallë në vend të flokëve dhe që i shndërronte në gur ata që e shihnin në sy. Të njëjtën folje e përdor Homeri për vështrimin e shqiponjës, duke e karakterizuar si “të mprehtë” (ὀξυτατον) –  ky mbiemër, “i mprehtë, zhbirues” përshkruan veprimin “fizik” të vështrimit ndaj objektit të vet, të ngjashëm me atë të një shigjete ose shtize. Sot mbase do ta krahasonim me laserin.

Për t’u shënuar se këtë folje δέρκεσθαι, të Homerit, e kanë krahasuar, mes të tjerash, me shqipen dritë.

Për t’u shënuar edhe se Plutarku, në një vepër të quajtur Symposium (të mos ngatërrohet kjo me atë të Platonit), u pat përpjekur për të sjellë një shpjegim të “syrit të keq”, besimi në të cilin ish mjaft i përhapur në lashtësi. Ky dijetar mendonte se sytë ishin burimi kryesor, në mos i vetmi i rrezeve vdekjeprurëse që projektoheshin nga personi përkatës. Në Romën e lashtë, kjo aftësi e disave për të lënduar të tjerët nëpërmjet vështrimit lidhej edhe me praktikën magjike të fascinum.

Dhe pa u larguar nga Roma, le të kujtojmë edhe se zilia, që i jep energji syrit të keq, në latinisht quhet invidia, e analizueshme si in + vĭdēre, në thelb “të shohësh keq, shtrembër”, çfarë sërish i referohet syrit.

Ata që e ndoqën këtë shtegtim në historinë e fjalës do të bien tani dakord, me mua, se nuk ka ndonjë hendek të madh midis syrit të keq që shkakton lëndime dhe fatkeqësi nëpërmjet një veprimi enigmatik në distancë, dhe dreqit ose drakonit të ardhur nga greqishtja e vjetër, që komandonte duke “shpuar” me vështrimin e tij dhe, në raste ekstreme si ai i Meduzës me flokë gjarpri, të kthente në gur.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Busti i Meduzës, nga Bernini.

1 Koment

  1. Me sa kam degjuar, ne zonen e Myzeqese i ruheshin shume edhe shikimt nga ciganet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin