nga Gazmend Krasniqi
Një variant i kritikës së lexuesit është quajtur “estetika e receptimit”: interpretimi i veprës nuk përqendrohet mbi përvojën e një lexuesi të vetëm, por në historinë e receptimit të veprës dhe marrëdhënies së saj me normat e ndryshueshme estetike dhe ngulitjen e pritjeve që e lejojnë atë të jetë e lexueshme në kohëra të ndryshme.
Në fakt, vënia e audiencës në qendër të vëmendjes interpretuese e ka gjurmën në antikitet. Kur Aristoteli pa si thelb të tragjedisë përftimin e një pastrimi nga emocionet e tepërta me anë të “katarsisit”, ose kur Horaci përcaktoi se poetët përpiqen të jenë “dulce et utile” ky qe një sinjal i qartë se, për ta, publiku është pjesa më e rëndësishme e komunikimit letrar, prandaj autori dhe teksti duhet të ndjekin drejtimin e tij.
Kjo ishte pikëpamja dominuese e letërsisë deri në shekullin e tetëmbëdhjetë: ku u shfaq romantizmi, duke theksuar “Gjeniun” dhe krijimtarinë individuale në letërsi, dhe i vuri krijuesit në plan të parë, deri sa të niste edhe “kriza e autorësisë”. Por kjo e fundit është një çështje tjetër. Pra, studimet e receptimit kritikuan paragjykimin romantik dhe kërkuan që lexuesi të rikthehet në të drejtat e veta.
Hans Robert Jauss-i propozoi një mënyrë të të shkruarit të historisë letrare që duhet të ketë parasysh se:
- Veprat letrare nuk shfaqen si me magji në një skenë të zbrazët;
- Kur një lexues hap një roman të ri, tanimë ka lexuar romane të tjera dhe ka zhvilluar disa supozime se ç’është dhe ç’duhet të jetë një roman;
- Teksti i ri do lexohet dhe kuptohet përkundrejt sfondit të këtyre supozimeve.
Këtë Jauss-i e quajti “horizonti i pritjeve”, të cilin e përcaktoi si sistem i pritjeve që lind për çdo vepër në momentin historik të shfaqjes së saj, nga një parakuptim i zhanrit, nga forma dhe temat e veprave tashmë të njohura, dhe nga kundërshtia mes gjuhës poetike dhe praktike apo të përditshmërisë.
Vetëm përmes krahasimit të një vepre të vetme me këtë sfond historik ne mund ta gjykojmë pozicionin e saj në sistemin poetik, letrar dhe estetik të kohës së saj, në saje të pyetjeve:
Cila është lidhja e saj me këto supozime ekzistuese: i përmbush ato, apo i kundërshton, duke modifikuar dhe duke zgjeruar kështu horizontin e pritjes për veprat e ardhshme?
Vetëm veprat që prishin dhe modifikojnë pritjet e lexuesve mund të konsiderohen letërsi e madhe; tekstet që thjesht plotësojnë supozimet e mëparshme i përkasin një mjeshtërie, por jo artit.
Kjo nënkupton atë që u quajt lexuesi i nënkuptuar. Që Umberto Eco e quajti lexuesi model. Ose lexuesi i nivelit të dytë.
Lexues i nënkuptuar do të thotë se çdo lexues duhet të marrë përsipër që të realizojë potencialin e ofruar nga teksti. Tekstet bëhen të gjalla vetëm duke u lexuar: është e nevojshme që ato të konkretizohen në “aktin e leximit”. Lexuesit motivohen të marrin pjesë dhe të rrokin pikëpamjen e prodhuar nga teksti.
Iser-i, një tjetër teoricien, i ka quajtur këto aspekte të teksteve letrare papërcaktueshmëri, të cilat mund të përcaktohen si:
- Rrëfimet krijojnë boshllëqe të cilat lexuesi duhet t’i plotësojë;
- Tekstet i provokojnë lexuesit që të mendojnë për vazhdimet e mundshme;
- Veprat moderne letrare shpesh kanë një fund “të hapur” i cili nuk zgjidh të gjitha misteret dhe lë pa përgjigje pyetje të rëndësishme që mund të bëjnë lexuesit.
Për Iser-in, ajo që e bën një tekst letrar nuk janë “fjalët në faqe”, por një konkretizim i asaj që është lënë të kuptohet në tekst dhe ndërveprimit midis lexuesit dhe të dhënave të papërpunuara të tekstit.
Të shohim një shembull të ilustruar të idesë së lartpërmendur, duke marrë si ilustrim dy poetë të kohëve të vona, Frederik Rreshpja dhe Dritëro Agolli.
Kur i pari kishte shkruar për realizmin socialist, ishte brohoritur dhe ishte futur nëpër antologji. Pas viteve ’90, pas 15 vjet mungese nga përjashtimi që i bëri politika, kur shkroi lirika për një lexues të nënkuptuar – pra këndoi si zë i parë, vetëm për vete – ai nuk pati pritje, as nga lexuesi, as nga kritika. Ndryshe nga poetët e tjerë të Realizmit Socialist, u la mënjanë.
Ky problem vazhdon edhe sot. Ai mungon në kurrikulat mësimore të gjimnazit. Rrjedhimisht, nuk njihet as në universitet.
E kundërta ndodh në Kosovë. Frederik Rreshpja është i përfshirë në kurrikulat mësimore të gjimnazit. Ndërsa Dritëro Agolli nuk është.
Ky ilustrim na tregon se lexuesi i nënkuptuar, për të cilin ka shkruar Rreshpja, është aktivizuar në Kosovë, por jo në Shqipëri. Gjithashtu, kjo na tregon se Agolli shkruan për atë lexues që ka pasur gjatë periudhës së Realizmit Socialist, të cilin nuk e gjen në Kosovë.
Megjithëse Agolli ka shkruar deri vonë, ai i përket ligjërimit klasik, sipas një përcaktimi nga Roland Barthes. Në ligjërimin klasik, po t’i referohemi esesë së Barthesi-t, një mendim i plotë pjell fjalë që e “shprehin” dhe e “përkthejnë” atë. “Mendimi” është përgatitur dhe zë vend pak nga pak prej rastësisë së fjalëve. Do të vëmë re se poeti nuk kërkon fjalë të reja, më të ngarkuara e përshkënditëse, por përkryen simetrinë e saktësinë e një raporti, duke çuar mendimin e vet në cakun e përpiktë të një metri. Kemi një art të shprehjes, jo të shpikjes: fjalët rrotullohen në syprinë, sipas një sqime elegante e zbukuruese. Ato ne i pëlqejmë nga formulimi që i bashkon, jo nga fuqia a vetë hijeshia e tyre. Kemi të bëjmë me një ligjërim të folur, me gjithë kodifikimin e rreptë.[1]
Përgjithësisht, poezia me këtë kërkesë formale priret të jetë funksionale. Krijimtaria e Agollit, dhe përgjithësisht e brezit të tij, e ilustron këtë me shembuj të shumtë. Marrim një shembull që përfillet si një nga poezitë e tij më të mira:
E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!Për shembull, më pe në rrugë të pirë, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!Për shembull pësova diku një disfatë, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!
(Mos ma kujto)
Ligjërimi është deklarativ dhe i drejtpërdrejtë. Autori shpalos artin e shprehjes dhe jo të shpikjes. Agolli nuk e ngarkon poezinë me ambiguitet (me vagullësi kuptimi), që i kërkon lexuesit angazhim të madh për ta “zbërthyer”. Fjalët nuk godasin me përzgjedhjen e tyre, por janë në shërbim të një mesazhi konkret. Pra na duhet të lexojmë poezinë hap pas hapi për të arritur në mesazhin që ajo përcjell.
A i rri Agollit fjala klasik? Ligjërimi klasik, thotë Barthes-i, nuk është periudhë kohore, pra nuk është i shtyrë në histori, siç mund të sugjeronte emërtimi i tij, por është çështje koncepti autorial.
Një shembull nga Rreshpja:
Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër
Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:
Era si ketër kërcen mbi drurin
Me boçen e shiut ndër dhëmbë.Netët e lumtura, si zilka
Tringëllijnë në degët e kujtesës…
Vizatohen në sfond të vetëtimave
Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.Rënë nga xhami i thyer i qiellit
Kristal i akullit yllëzon netëve
Dhe mbi pastelet e borës mardhet
Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe.
(Vinjetë)
Çfarë do të thotë:
Vizatohen në sfond të vetëtimave
Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.
Apo:
Era si ketër kërcen mbi drurin
Me boçen e shiut ndër dhëmbë.
Këto formulime nuk janë të përdorimit të përditshëm, prandaj, fillimisht, e hutojnë lexuesin. Poezia është plot ambiguitet. Kujtojmë se çfarë thamë më lart: ajo që e bën një tekst letrar nuk janë “fjalët në faqe”, por një konkretizim i asaj që është lënë të kuptohet në tekst dhe ndërveprimit midis lexuesit dhe të dhënave të papërpunuara të tekstit. Në këto vargje gramatika është zhveshur nga synueshmëria e saj: është shndërruar në prozodi, një përthyerje që zgjat sa për të paraqitur fjalën si mister. Përthithësi i poezisë përplaset te Fjala, ballas, dhe e merr atë të shoqëruar me të gjithë mundshmërinë e saj. Çdo fjalë poetike bëhet objekt i papritur, nga ku brofin aftësitë finoshe të ligjërimit. Shohim se rrëmbimi i ligjërimit për autonomi shkatërron çdo rëndësi etike. Mbrujtja e poezisë vjen vetëm si efekt strukture – pa përfillur përmbajtjen e ligjërimit – pa u ndalur në përforcimin e një ideologjie.[2]
Në mënyrë që të zhvillohet takimi pasurues me tekstin, duhet të jemi të kujdesshëm kur i afrohemi atij. Për këtë arsye, pritet që të çlirohemi nga:
- përpjekjet për të parafrazuar një vepër arti, gjë që është quajtur “herezia e parafrazës”
- supozimi se një tekst është identik me qëllimet e autorit të tij (ky gabim quhet “gabim i qëllimshëm”),
- dështimi për të bërë dallimin mes vetë tekstit dhe efekteve psikologjike që ai shkakton mbi lexuesit e saj (“gabim afektiv”).
Gabimi afektiv” fillon nga përpjekja që nxjerr standardin e kritikës nga shkaqet psikologjike të poezisë dhe përfundon në biografi dhe relativizëm.
Ky proces leximi është analizë e mënyrës se si funksionon një tekst letrar. Shkrimtarët dhe poetët ndërtojnë tekste nga shumë komponentë qendrorë, duke përfshirë temën, formën dhe zgjedhjet specifike të fjalëve, dhe analiza letrare përfshin shqyrtimin e këtyre komponentëve, gjë që na lejon të gjejmë në pjesë të vogla të tekstit të dhëna për të na ndihmuar të kuptojmë tërësinë.
Procesi i leximit të mbyllur duhet të prodhojë shumë pyetje.
Ky proces leximi është për të gjetur sa më shumë informacion, në mënyrë që të formohen sa më shumë pyetje. Një hulumtim i vogël mbi formën dhe çfarë kuptimi mund të kenë forma të ndryshme e bën më të lehtë të kuptohet pse dhe si janë të rëndësishme zgjedhjet e autorit. Shikimi më nga afër i tekstit na ndihmon të përsosim vëzhgimet dhe hamendjet tona.
Gjetja e fjalës së zgjedhur të një teksti na ndihmon të “gërmojmë” gjithnjë e më thellë. A ka fjalë që bien në sy te shembulli më lart? Bie në sy vendosja e tyre: çdo fjalë është e rëndësishme.
(c) 2023 Gazmend Krasniqi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Photo by Matias North on Unsplash
[1] Shih Një univers në një rrokje. Onufri. Tiranë 2002, fq. 82
[2] Po aty. Fq. 83