(nga Stanislaw Lec*)
Njeriu, kurorë – me gjemba – e Krijimit.
Reflekset e kushtëzuara mos janë gjë më njerëzore se gjestet?
Engjëjt? Shpesëri për kanibalët.
Ai çifton centaurë femra me minotaurë. Mendon se ashtu herët a vonë do të dalë njeriu.
Shtigjet e të drejtëve janë ideale për krijuesit e formave të shkurtra, sepse nuk vazhdojnë gjatë.
Nëse nuk arrin t’i gjesh fjalët për të shprehur indinjatën, mos i zëvendëso me komplimente.
Shpesh përgjegjësinë e varrosin mes varrit të vrasësit dhe atij të viktimës.
Botoi një libër me titullin Kujtime, duke mbledhur deklaratat e atyre që kish marrë në pyetje.
Maska më e ndershme është ajo e banditit. Nuk imiton ndonjë fytyrë.
Kam shumë frikë se Muzat nuk konsumojnë art.
Një kryevepër nuk ia lëpin dorën krijuesit të vet.
Pasuria e mendimit rrallëherë kërcënohet nga shtetëzimi.
Të jenë heronj? As nuk e ndien që i trodhën.
Muzat e mashtruara i dështojnë fëmijët.
Edhe pasqyrës i duhet të shihet në fytyrat, për të kontrolluar mos ka ndonjë të metë.
Mos i kërkoni gabimit se nga doli.
Do të gjendet vallë një Pavlov që të zbulojë, një ditë, ekzistencën e reflekseve të kushtëzuara të rebelimit?
Marksi dhe Engelsi të paktën mund t’i fshehin buzëqeshjet e tyre ironike pas mjekrave leshtore.
Censori është bashkë-krijuesi i botës.
Shtypi shtyp.
Ka fjalë të mëdha që janë kaq bosh, sa të burgosësh brenda tyre kombe të tëra.
I zbehtë, si një popull nën hijen e diktaturës.
Qenit besnik ia vënë turizën të zbukuruar.
Kur njeriu nuk i gjen dot fjalët, ia siguron menjëherë shteti.
FUND
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht)
Te shkelqyera! Faleminderit per kete xhevahir.