Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Përkthim

VAJI I PËRMBIVARRSHËM I RICOSIT

(Parathënie e poemës Epitaf nga Janis Ricos, përkthyer nga Eleana Zhako, Albas 2022.)

nga Sokol Çunga

I madh është numri i lexuesve të shqipes që e njohin Janis Ricosin. Për habinë pozitive, edhe brezat e pasviteve ’90. Teksa trashëgimia e realizmit socialist dalëngadalë mbulohet prej harresës (fatkeqësisht, harresë për shkak të mungesës së analizës, jo për shkak të vlerësimit të arsyeshëm), fatmirësisht disa prej prurjeve përkthimore në shqip të asaj periudhe vazhdojnë, pa u shqetësuar, të ndjekin udhën e tyre letrare, edhe pasi është zëvendësuar regjimi që i promovoi. Mes atyre pak emrave të zgjedhur të shkrimtarëve grekë që janë përkthyer në Shqipërinë socialiste renditet edhe Janis Ricos. Edhe të tjerë emra e meritonin, në të vërtetë, të përktheheshin në shqip. Mirëpo, artin e Ricosit, në kohën kur “vija e Partisë” qëndronte mbi çdo proces të jetës, e ndihmoi përmasa revolucionare e jetës dhe poezisë së tij, rreshtimi i tij në të majtën radikale dhe lufta e pareshtur në ndihmë të shtresave të shtypura të popullsisë. Pavarësisht kahut të tij politik, Ricosi nuk ishte individi klasik që marshonte me grushtin lart në çdo protestë masive. Peshën më të madhe dora e tij e kishte kur merrte penën për të shkruar. Prandaj dhe, mbi të gjitha, për vlerat e tij letrare dhe ndjeshmërinë njerëzore ia vlen të përkthejmë dhe të lexojmë Ricosin, përsëri e përsëri.

Janis Ricos lindi në Monemvasi më 1 maj 1909. Poezitë e para i botoi në një revistë fëmijësh më 1924. U shpërngul nga vendlindja për në Athinë më 1925, pasi humbi të ëmën dhe të vëllain nga tuberkulozi, prej të cilit vuante dhe vetë. Gjatë kurimit të tuberkulozit në vitin 1927 në spitalin “Sotiria” (aty ku 10-11 vite më herët ishte kuruar edhe Lasgush Poradeci ynë) u njoh me shkrimtarë dhe intelektualë marksistë të kohës. Më 1931 u angazhua së afërmi me Klubin e Punëtorëve, ku mori përsipër organizimin e veprimtarive kulturore. Gjatë mesit të viteve ’30 bashkëpunoi me organet e majta të shtypit, me revistën “Pionierët” dhe gazetën “Radikali”. Më 1934 u bë anëtar i Partisë Komuniste të Greqisë dhe mbeti besnik i saj deri në vdekje. Periudhën e Luftës II Botërore e kaloi duke lënguar në shtrat, për shkak të shëndetit të lig. Në periudhën e Luftës Civile në Greqi (1945-1949) u përndoq dhe u internua në kampe të ndryshme përqendrimi. Pas lirimit u kthye në Athinë më 1952. Më 1956 mori Çmimin Shtetëror të Letërsisë në Bashkimin Sovjetik për poemën “Sonata e dritës së hënës”, për të cilën poeti francez Lui Aragon tha: “Tronditje e fuqishme e gjenialitetit”, duke i çelur Ricosit rrugën e njohjes ndërkombëtare. Me ardhjen e Diktaturës së Kolonelëve në Greqi (1967–1974) filluan sërish burgosjet, dëbimet dhe internimet për poetin. Kur ishte sëmurë, qëndronte në spital apo në arrest shtëpie, kur shëndeti i përmirësohej, ndodhej në internim. Pas lirimit më 1974, vëmendja ndërkombëtare iu rikthye bashkë me shëndetin. Më 1975 u nderua me Çmimin Lenin në BRSR, me Çmimin “Alfred de Vigny” në Universitetin e Selanikut, më 1986 iu dha çmimi “Poet Ndërkombëtar i Paqes” nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe një sërë titujsh “Doktor Nderi” nga universitete të Greqisë dhe Europës. Ndërroi jetë në Athinë, më 11 nëntor 1990, duke lënë pas 50 përmbledhje me poezi të pabotuara.

Pasi botoi vëllimin e katërt me poezi, Kënga e sime motre (1937), mori bekimin e institucionit letrar, për Greqinë e asaj kohe, shkrimtarit Kostis Palamas, i cili tha frazën e mirënjohur: “Bëjmë mënjanë, poet, që të kalosh ti”. Dhe poeti nuk la vend për zhgënjime: botoi mbi 100 vëllime dhe përmbledhje me poezi, 9 romane, 4 pjesë teatrale, përkthime, kronografi dhe ese. Pavarësisht sasisë së madhe të veprës që krijoi (nuk janë pak mbi 100 vëllime, teksa kemi poetë të papërsëdytshëm që gjithë jetën botojnë rreth 100 poezi), fjala e Ricosit nuk është kurrë e tepërt, e përsëritur, evazive, apo e ndenjur. Ndër veprat më të njohura të Janis Ricos përmendim: Simfoni pranverore (1938), Njeriu me trëndafil (1952), Mëhallat e botës (1957), Romiosini (1966), 18 distikë të atdheut të hidhur (1973), Ditar i internimit (1975), Erotika (1981, përkthyer po ashtu nga Eleana Zhako, Dituria, 2019). Përmbledhur në pak fjalë, vepra e Ricosit përshkruhet nga politika, e majta, angazhimi qytetar, internimi, romiosini[1] dhe erotika.

Poema Epitaf është vëllimi i tretë botuar nga Janis Ricos më 1936 në Athinë. Me dy vëllimet e mëparshme, Traktor (1934) dhe Piramidat (1935) kishte treguar farën e gjallme të poezisë që lëvrinte brenda tij. Epitaf erdhi si reagim i menjëhershëm i Ricosit ndaj një ngjarjeje që tronditi shtresën e mesme dhe të ulët shoqërore të Greqisë: gjatë një proteste të punëtorëve në Selanik, më 9 maj 1936, zhvilluar brenda grevës së përgjithshme që kishte kapluar qytetin, policia vrau 12 persona dhe plagosi qindra të tjerë. Ricosi ndodhej në Athinë atë kohë, ku dhe banonte, por lexoi në gazetë lajmin dhe pa fotografinë e nënës që vajtonte mbi trupin e të birit të shtrirë në mes të rrugës. Siç pohoi vetë më pas, u mbyll në papafingon e rrugës “Methoni”, ku banonte në Athinë, dhe doli prej andej pas 2 ditësh me formën e parë të poemës në dorë. Tri pjesë të Epitafit, ato që u korrespondojnë këngëve I, X, XII, u botuan nën titullin “Vajtim” në gazetën “Rizospastis” (“Radikali”) më 12 maj 1936, e njëjta gazetë në të cilën Ricosi kishte lexuar lajmin dhe kishte parë fotografinë e nënës që qante të birin. Rreth një muaj më pas qarkulloi poema Epitaf me 14 këngë, ku 12 të parat kishin nga 8 distikë, kurse 2 të fundit nga 9 distikë. Botimi i plotë me 20 këngë qarkulloi më 1956, pra, 20 vjet pas variantit të parë, duke pasur dhe 6 këngë të tjera që ishin shtuar gjatë viteve të ndërmjetme. Në botimin e plotë prej 20 këngësh, dy këngët e fundit, ato me nr. XIX dhe XX, përputhen me këngët XIII dhe XIV të vitit 1936, çka do të thotë se këngët që sot mbajnë numrat XIII-XVIII janë ato që janë shkruar dhe shtuar më vonë. Botimi i parë, ai i vitit 1936, u shit pothuaj i gjithi sapo doli në treg. Kësisoj, kur u aktivizuan instrumentet policore të diktaturës së kryeministrit Metaksas[2], vetëm pak kopje kishin mbetur për t’u konfiskuar. Përpjekja për të bllokuar qarkullimin e poemës ndodhi pasi autori dhe poema qartazi ishin pozicionuar kundër pushtetit represiv të kohës, dhe, ndonëse Ricosi nuk ishte kthyer ende në imazh të fuqishëm të së majtës në Greqi, ndikimi i poezive të tij në popullatë nuk ishte i papërfillshëm.

Epitaf përbën dukuri të veçantë në jetën krijuese të poetit. Frymëzimin e mori prej betejës së përditshme njerëzore në kërkim të drejtësisë dhe barazisë. Majanë e krijimit, siç duket prej tekstit dhe siç e ka pohuar vetë në gjallje, e mori prej këngëve të vajit. Vargun pesëmbëdhjetë rrokësh e mori prej mantinadave, këngëve karakteristike popullore të Kretës. Fjalorin prej gjuhës së këngës së popullit. Me të gjithë këta përbërës krijoi një vepër monumentale për letërsinë e Greqisë. Epitaf ishte, po ashtu, dhe hapi i parë i poetit drejt rrugëtimit poetik që do ta bënte një nga poetët më të rëndësishëm në letërsinë greke dhe botërore.

Sikundër në folklorin e Shqipërisë, edhe folklori i Greqisë është i mbushur me këngë vaji që hasen anekënd vendit. Vajtimi për burrat që hëngri kurbeti a lufta, vajtimi për heronjtë a të vrarët padrejtësisht, vajtimi për fatkeqësitë natyrore a vdekjen në moshë të re, si dhe vajtimi për individë që ndërrojnë jetë në moshë pleqërie, është më se i njohur dhe i zakontë. Kënga e vajit është, në thelb, një improvizim i vajtojcës, zakonisht grua, e cila përpiqet të shprehë dhimbjen e shkaktuar nga vdekja e të ndjerit. Ligjet e vajtojcës ndërtohen në gjuhë të thjeshtë dhe bartin motive shprehëse popullore. Vaji, si këngë monodike e kënduar nga gratë, i jep përparësi elementit emocional, i cili zhvillohet në një dialog dramatik dhe përmban përshkallëzime të pasura metaforash, duke e bërë këngën e vajit më cilësoren mes gjinisë së krijimtarisë folklorike. Pikërisht këtë element tradicional ka përdorur Ricosi për të ndërtuar shtratin e Epitafit të tij. E përveçmja e kësaj poeme qëndron tek regjistri gjuhësor dhe metrika e vargut që ka zgjedhur.

Struktura e Epitafit ndahet në disa pjesë të dallueshme prej njëra-tjetrës. Nxitja fillestare i erdhi autorit prej vrasjes së punëtorit, element historik të cilin e ka vendosur në fillim të veprës në formë parathënieje: “Selanik. Maj i vitit 1936. Një nënë, në mes të rrugës, vajton të birin e vrarë. Rreth saj buçasin dhe përplasen valët e protestuesve – të punëtorëve të fabrikave të duhanit që bëjnë grevë. Ajo vazhdon vajin”. Më pas vijojnë këngët, në të cilat zhvillohet i gjithë përjetimi i brendshëm dhe i jashtëm i nënës vajtuese. Në Këngët I-V parashtrohet gjendja shpirtërore dhe psikologjike e nënës: në fillim nuk pranon faktin që ka përpara vdekjen e të birit; më pas rendit gjithë virtytet dhe të mirat e tij; kujton herën e fundit që e pa të gjallë dhe duke vajtuar thotë se tashmë jeta e saj nuk ka më kuptim; më pas, në Këngën VII fillon dhe shfaqet zemërimi kundër rrethanave që u bënë shkak i vdekjes së tij; në Këngën VIII shfaqet ndërgjegjja shoqërore e nënës, kurse në Këngën IX vë në dyshim religjionin dhe figurat e shenjta, Shën Marinë dhe Krishtin; dëshpërimi i nënës arrin kulmin në Këngët XII-XIII dhe përsërit, edhe një herë, virtytet e të birit; më pas, në Këngët XV-XVI përshkruan veprimtarinë politike të të birit dhe, pasi identifikon autorët e vrasjes, proteston kudër tyre; në Këngën XVII fillon zgjimi i nënës, rigjen arsyen dhe merr fuqinë për të qëndruar përmbi dhimbjen vetjake, del prej vetmisë dhe gjen ngushëllim te shokët e të birit, merr përsipër të mbajë gjallë ëndrrën e të birit, luftën për të drejta njerëzore; në Këngët XVIII-XIX nëna del nga përmasa personale, bëhet Nënë e të gjitha vajzave dhe të gjithë djemve, bëhet Nënë e popullit të shtypur dhe shpreh mendimet e shqetësimet e tij; në Këngën XX dhimbja e nënës nuk është më individuale, por kolektive, nuk harron ç’i ka ngjarë, por dhimbjen e kthen në fuqi për të marshuar plot shpresë drejt ndryshimit të së ardhmes, duke u bërë bartëse e idealeve të të birit.

Ku qëndron vija ndarëse mes vetjakes dhe kolektives? Ku qëndron distanca mes politikes së përbashkët dhe dhimbjes individuale? Shumë nëna kanë vajtuar bijtë e tyre humbur para kohe dhe padrejtësisht, ngjarja mund të jetë kategorizuar si krim banal apo ka marrë përmasa politike. Në fund, shpesh, sapo harrohet bota reale që rrethon ngjarjen, harrohet edhe vetë ngjarja, vdekja. Në rastin e Epitafit, pavarësisht se nuk munguan ngjyrimet politike që iu mveshën, këto dikur u harruan, mbeti poema e shkruar, mbështetur në altarin e vet të përveçëm të panteonit të poezisë. Këtu Epitafi është vepër letrare që mban gjallë kujtesën e ngjarjes, poetin dhe poezinë. Ka edhe një tjetër përmasë Epitafi, element të cilin vlen ta theksojmë, pasi nuk është vetvetiu i kuptueshëm për lexuesin shqiptar: paralelizmi me “Vajtimet e përmbivarrshme” (në greqisht “Επιτάφιος Θρήνος”), shërbesë fetare mjaft e njohur dhe popullore në liturgjinë e Kishës së Lindjes (Kishës Ortodokse). Kjo shërbesë përmban 118 tropare të ndarë në tri stanza, dhe përshkruan “tragjedinë hyjnore”, vrasjen, vdekjen dhe varrosjen e perëndi-njeriut Jezu Krisht. “Vajtimet e përmbivarrshme” përshkruajnë me habi ngjarjen e kobshme, vrasjen e Shpëtimtarit dhe dhimbjen që pushton krijesën, por edhe ata njerëz që kuptonin gjëmën e madhe që kishte ndodhur; përshkruajnë dhimbjen e Marisë, nënës së Krishtit, vajtimet e natyrës, dorëzimin total të Birit të Perëndisë në duart e fatit njerëzor, padrejtësisë dhe vdekjes. Qoftë dhe me një vështrim të përgjithshëm, paralelizmat mes dy Epitafeve duken qartazi: dy vrasje që kryhen në pranverë, dy nëna që vajtojnë djalin e vetëm, dëshpërimi i thellë njerëzor dhe prindëror për humbjen e fëmijës në moshë larg vdekjes së natyrshme. Ndërsa në plan metaforik Ricosi arrin të theksojë lehtësisht se sa herë institucionet ligjzbatuese kthehen në instrumente të verbra të pushtetit dhe të autoritetit, janë në gjendje të shkaktojnë tragjedi, pa bërë dallim në kanë përpara Krishtin Perëndi, apo makinistin e thjeshtë të Selanikut.

Përmasa e përveçme e poemës, siç ndodh shpesh me poezinë moderne shkruar në greqisht, grishi kompozitorin Mikis Theodhorakis që të thurte në muzikë një pjesë të distikëve të Epitafit. Pamflet politik i dy krijuesve të majtë, frymëzim i artistëve që mbështesin proletarët, apo atdhetarë që artistikisht kundërshtojnë çdo formë dhune shtetërore? Mund të jenë të gjitha. Pjesët e melodizuara nga Theodhorakis u përkasin formave muzikore të hasapiko-s dhe zeibekiko-s, gjerësisht të përdorura në muzikën popullore (popullore në kuptimin popular music) dhe në muzikën greke entehni. Prej natyrës së tyre këto forma nuk janë qartësisht të ndara, nuk mund të përcaktohen si muzikë gazi a vaji a priori. Bartin të dyja gjendjet njëherazi, gazavaj. Dallimin mes gazit dhe vajit e bën teksti, nga njëra anë, por edhe predispozita e dëgjuesit, nga ana tjetër. Sepse Kënga VI, që fillon me: “Ditë maji të humba, ditë maji m’u largove” është edhe gaz, kur kujtojmë ditën e shndritshme të majit plot diell, edhe vaj, kur mendojmë se në një mot të tillë një djalosh që ka jetën përpara po mbulohet nën dhé përjetë. Në një çast të tillë, përmbi frymën politike që mund t’i vishet tekstit dhe muzikës, qëndron shpirti mesdhetar, ngahera i prirur për të kënduar në hidhërime dhe për të vajtuar në gëzime.

Pavarësisht qëndrimit politik të poetit dhe kompozitorit, në Greqinë e sotshme vargjet e Epitafit vazhdojnë të këndohen nga çdo moshë, cilado qoftë përkatësia klasore a politike e individit, dhe kanë marrë atributin e himnit që bashkon njerëz e klasa, duke lënë mënjanë edhe vetë ideologjinë që u bë shkak i shkrimit të këtyre vargjeve. Kësisoj, parë nga një këndvështrim tjetër, qoftë libreti, qoftë vepra muzikore Epitaf kompozuar nga Theodhorakis është një “Missa pro defunctis” apo “Missarequiem”, një përkujtimore për ata që kanë ndërruar jetë padrejtësisht, për shkak të përplasjes shoqërore a padrejtësisë së fatit. Dhe, sikundër qartazi na shpjegon antropologjia e ritit, ky lloj përkujtimi nuk i shërben të larguarit, por u shërben të gjallëve që mbeten prapa tij. Mes gjithë atyre kompozimeve të meshave requiem, kompozuar nga kompozitorë në zë, si Joseph Hayden, Wolfgang Amadeus Mozart, Hector Berlioz, Johanes Brahms, Giuseppe Verdi etj., le të vendosim artistikisht, ndonëse jo në të njëjtën gjini muzikore, edhe këtë Epitaf të Janis Ricos, kompozuar nga Mikis Theodhorakis.


Pak fjalë për përkthimin. Është e vështirë të mbash ekuilibrin e arsyeshëm kur shkruan për punët e kolegëve dhe miqve, teksa, në të njëjtën kohë, edhe autori i këtyre fjalëve është përkthyes nga e njëjta gjuhë. Mendoj se diskutimi më i mirë për cilësinë dhe veçoritë e përkthimit kryhet kur përkthyesit janë përballë dhe shqyrtojnë njëkohësisht të njëjtin tekst, evidentojnë arritjet dhe mangësitë, të dyja të pashmangshme në cilindo përkthim. Pasi, kush mëton se përkthimi është barasvlerës i origjinalit, është duke përsëritur legjendat që përshkruajnë Graalin e Shenjtë: shumë flasin, askush s’e ka parë, mund të japë shembuj se çfarë nuk është, por jo se çfarë është. Ajo që për mua është më e rëndësishme në punën përkthimore është procesi nëpër të cilin kalon përkthyesi, rrugëtimi mes tekstit, shkuarja dhe ardhja nga një gjuhë te tjetra, koha dhe qetësia që ka në dispozicion për këtë rrugëtim dhe, në fund, aftësia për të sendërtuar përvojën vetjake në tekstin e përkthyer. I njëjti tekst i përkthyer nga përkthyes të ndryshëm është shumë tekste të ndryshme (përveç rastit kur këta janë 72 përkthyesit e Septuagintës), dhe çdo përkthyes do të kishte ç’të shtonte a ndreqte te përkthimi i tjetrit. Mirëpo, është po kaq e vërtetë se çdo përkthim është një zgjidhje individuale ndaj një “problemi” kolektiv, të cilin shumëkush e sheh, por ose nuk di ta zgjidhë, ose ngurron ta marrë përsipër zgjidhjen. Në këtë këndvështrim, Epitafi i Eleana Zhakos është zgjidhja e përsosur brenda kufijve të këtij relativiteti përkthimor.

tetor, 2022


 

Epitaf

(fragment)

(Selanik, maj 1936. Një nënë vajton në mes të rrugës birin e vrarë. Rreth saj buçasin dhe përplasen valët e protestuesve – të punëtorëve të fabrikave të duhanit që bëjnë grevë. Ajo vazhdon vajtimin.)

I

O bir, filiz i barkut tim, zemër e zemrës sime,
zogth i oborrit të varfër, lulja e shkretisë sime.

Si u mbyllën sytë e tu e nuk vështrojnë si qaj,
as nuk lëviz, as më dëgjon brengat që të kallëzoj?

Biró, ti më shëroje çdo vragë e çdo plagomë,
ma ndieje poshtë qepallës çdo brengë e çdo nojmë.

S’më ngushëllon tashmë të zezën, e goja s’të bëzan,
s’m’i sheh përbrenda plagët, si rropullitë m’i hanë?

Zogth i bukur, ti që më jepje ujë në pëllëmbë,
nuk më sheh si dridhem e copëtohem si purtekë?

Në mes të rrugës lëshoj leshrat e zbardhëllyera,
pamjen lulevyshkur, t’mbuloj me flokët e thinjura.

Puth buzën tënde të akullt, që më rri e ngurosur,
e ngjason sikur më mban mëri ashtu e vulosur.

Nuk më flet, e mjera unë, vështro si i shkul gjinjtë!
Në sisët që u mëkove bir, thellë i ngul thonjtë.

 

VI

Ditë maji të humba, ditë maji m’u largove,
pranverë, biri im, që aq shumë e dëshirove.

Hipje në tarracë e s’ndalje së kulloturi sytë,
me vështrim ia milje mbarë dritën gjithësisë.

Dhe me gishtin e ndehur më kallëzoje një nga një,
të mirat, të ëmblat, të trëndafiltat e njer’zisë.

Dhe më tregoje detin tek rrëzëllente matanë,
çfarë fshihej nën velin e kaltërt, male e pemë.

Dhe të vegjlit, të varfrit zogj, milingonat e shkurret,
rubinët e shndritshëm, që djersitej shtamna krah tyre.

Por, edhe kur më tregoje yjet e gjerësitë,
dukeshin më qartë në sytë e tu kaltëroshë.

Rrëfeje aq shumë me zë të ngrohtë e burrëror,
sa as guralecët s’arrinin të mateshin me to.

Dhe më tregoje, që gjithçka do të bëhej e jona,
tash që u fike përgjithnjë, u fik zjarri e drita.

 

IX

O Shën Mëri, po të ishe sikundër unë nënë,
tim biri ndihmë engjëjsh në tokë i kishe shpënë.

Zot, nëse do t’ishe i mëshirshëm ndaj bijve të tu,
të gjorat krijesa, do të të dhimbseshin si unë.

Po të ishe i drejt’, drejt do e ndaje gjithësinë,
të ushqehet e të nginjet çdo zog e çdo fëmijë.

Mirë m’i thoshte biri im, buza jote e mençme,
sa herë që më fliste, sa herë më këshillonte.

Pëllumb: ne jetën e mëkojmë brenda në pëllëmbë,
dhe kurrfarë thërrimeje s’na ngelet më në dorë.

Ne mbajmë gjithë tokën mes krahëve të kalitur,
dordolecë janë Zotat, me fytyrë padronësh.

Ah bir, s’ mbeti më për mua asnjë hare e besim,
i mbrami e i zbehti kandil shkoi krejt në mbarim.

Po tanimë, drejt cilit zjarr t’i shtrij duart e ngrira,
ku t’i përavulloj pakëz pëllëmbët e kallkanta?

 

XII

Nëse të dhimbset jetimja që rri jashtë te dera,
hapi sytë e shkruar dhe vështromë si ngahera.

Këtë plakë të shkretë e këtë plakë lypsare,
që as zotat, as njer’zit s’i japin dyshkë asfare.

Dhe qëndron e dëneset në mes rrugës së përgjakur,
me krahë të copëtuar e me zemër të rrjepur.

Gjithçka shkoi e flatroi, dhe të zezën më la pas,
s’kam më sytë që të vështroj, s’kam më gojë që të flas.

Thellë-thellë në largësi dëgjohet një jehonë,
dëgjoj tingullin e zërit tim, i huaj më ngjason.

Zë i huaj, zë i hidhur – çfarë thotë e rithotë?
po vajtoj për ty të gjorën, që e dëgjoj të qajë.

Tingulli i zërit mbërrin si burim gurgullues,
më i mprehtë se qarja, më i fort’ së rrënja ime.

E ngrata dhe korba, turpërohem që ende kam zë,
hije e ligur pikëllimi – e ti të mos jesh më.

 

XVI

Bir, ç’të keqe u bëre? Se u kërkove shpërblesë
për hakun e mëditjes pronarëve të pabesë?!

Bukën e gojës kërkove dhe fort të ngulën thikën,
ngulmove për djersën e derdhur dhe të prenë dorën.

Nuk ishe lypsar rrugësh, që të shkoje t’u luteshe,
me zemër e pezëm luftues, u nise t’u thoshe.

Dhe korbat sipër teje, krejt pabesisht u vërsulën,
ta përthithën gjakun e buzët përherë t’i kyçën.

Tashmë, pëllëmbët e bardha të janë ligështuar,
ngjasojnë me dy zogj të trishtuar e të lënguar.

I palosën flatrat dhe në lartësi s’fluturojnë,
i mbaj butësisht në duar dhe më nuk cicërojnë.

Ata që të ngulën thikën, të therur paq i gjetshin,
fëmijë e prindër bashkë, në gjakra u përmbytshin.

Me gjakun e tyre, të kuq do e ngjyej fustanin,
më pas do të vallëzoj e do ta ndaloj vajtimin.

 

XX

I ëmbli im, ti s’humbe, mes rrembave të mi jeton.
Biro, ndër damarë njerëzish, hyr thellë e qëndro.

Vështro sa shumë përbri, sa shumë kalorës hipur –
bukuranë e të fuqishëm, si ty shtatskalitur.

Mes syve të tyre, të sodis të ripërtëritur –
vështrimi yt ndër ta, me qindra herë i qëndisur.

Unë e varfra, hollakja, mes tyre më e larta,
rrëmih me thonj dheun e lagësht e bëj me të toptha.

Dhe i hedh të gjitha në ujqër e bisha të egra,
që kristalin e pamjes, ta thërrmuan në copëza.

Dhe pas batërdisë, zgjatohet kurmi yt i vdekur,
vajtimi shndërrohet nyjë në qafën e armikut.

Dhe siç dëshirove (siç më thoshe, natën me fener),
lartoj trupin e kruspullosur e grushtin sipër ngre.

Dhe në vend të fshikulloj, të çjerr gjinjtë e pafajshëm,
mes lotësh diellin shquaj e përpara çapitem.

Drejt sivëllezërve marshoj dhe bashkoj zemërimin,
pushkën tënde marr; fli zogu im në krahë engjëlli.

 


© 2022 Sokol Çunga.

Të dhëna për librin:

Titulli: Epitaf.
Autori: Janis Ricos
Përktheu: Eleana Zhako
Redaktore: Dorina Basha
Dizajni: Eva Kukaleshi
Kopertina: Semela Mero
Skicat: Stefan Taçi (Stefos)

Legjenda e fotografisë:

Fotografia e viktimës, Tasos Tusis, dhe e të ëmës që vajton mbi të, botuar në gazetën “Radikali” më 10 maj 1936. Makinisti 25-vjeçar u vra në kryqëzimin e rrugëve Egnatia dhe E. Venizelos në Selanik, më 9 maj 1936, gjatë protestave të punëtorëve.


[1] I vështirë për t’u sjellë njësoj në shqip termi. Romiosini në poezinë e Ricosit nënkupton identitetin gjuhësor dhe kulturor romako-bizantin të grekëve, që nga periudha klasike, deri në çlirimin prej Perandorisë Osmane, çlirimit prej pushtimit nazist dhe demokracisë që vjen pas rrëzimit të shtetit të juntës ushtarake.

[2] Joanis Metaksas, kryeministër në periudhën gusht 1936 – prill 1941.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin