nga Aristotel Spiro
(Përmbledhje)
Rishikimi i drejtshkrimit shihet parimisht si diçka e vetëkuptueshme, por praktikisht krijon probleme shumë të mëdha dhe shpeshherë të pakapërcyeshme. Bashkësia e përdoruesve të gjuhës kërkon një mjet komunikimi jo vetëm të përbashkët, jo vetëm të motivueshëm nga ana sistematike gjuhësore, por edhe të qëndrueshëm në pikëpamje kodifikuese komunikative. Pas miratimit të Rregullave të «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe» (1972) ato janë shndërruar praktikisht në një ligj të detyrueshëm për të gjithë përdoruesit e gjuhës. Kjo «tirani shkrimi» (Saussure 1983: 31) është e pashmangshme, nëse shoqëria dëshiron që të ketë një kod të përbashkët e të qëndrueshëm komunikimi.
Interesimi që kanë përdoruesit e zakonshëm dhe gjuhëtarët për drejtshkrimin është i përligjur. Mirëpo dëshira për të propozuar ndryshime në drejtshkrim vjen në kundërshtim me karakterin konservativ të drejtshkrimit. Nëse janë miratuar Rregullat e «Drejtshkrimit» në vitin 1972 dhe ekziston një masë e madhe njerëzish, shumica dërrmuese, që i kanë mësuar dhe po i zbatojnë, atëherë cila nevojë ekziston që ato rregulla të ngulitura të ndryshojnë?
Përvoja drejtshkrimore e gjuhëve të tjera dëshmon se drejtshkrimi herë pas here pëson ndryshime që e lehtësojnë shkrimin e përdoruesve. Këto ndryshime megjithatë bëhen me shumë kujdes, atëherë kur vërtet ekzistojnë arsye për zëvendësimin e një drejtshkrimi të vjetër me një drejtshkrim të ri.
Para se të propozohet çdo lloj ndryshimi, duhen hartuar kriteret që shfajësojnë formulimin e një propozimi për ndryshim.
Por ajo që ka rëndësi më të madhe është përcaktimi i saktë i parimeve të drejtshkrimit të gjuhës: parimit themelor dhe parimeve dytësore. Formulimi i saktë i tyre funksionon si një katalizator, që lehtëson diskutimin duke përjashtuar prej tij të gjitha ato propozime ndryshimesh të panevojshme, edhe në qofshin të motivueshme nga ana fonetike ose gramatikore.
Në kumtesën tonë formulojmë kriteret mbi të cilat duhen bërë propozimet për ndryshime drejtshkrimore si dhe përcaktojmë parimin fonologjik si parimin bazë të drejtshkrimit shqip. Po ashtu, formulojmë edhe një radhë parimesh të tjera dytësore plotësuese, që veprojnë në drejtshkrimin shqip.more dhe miratimi i gjuhës letrare kombëtare si kodi i komunikimit të përbashkët midis shqiptarëve. «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» (1973) është në thelb dëshmia e kodifikimit të shqipes së përbashkët. Rregullat e formuluara në të përbëjnë bazën e normës gjuhësore. Historia gjysmëshekullore e shqipes standarde e afirmoi dhe e konfirmoi atë si formën më prestigjioze gjuhësore të shqiptarëve.
Arritja kryesore e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) ishte vendosja e normës drejtshkrimore dhe miratimi i gjuhës letrare kombëtare si kodi i komunikimit të përbashkët midis shqiptarëve. «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» (1973) është në thelb dëshmia e kodifikimit të shqipes së përbashkët. Rregullat e formuluara në të përbëjnë bazën e normës gjuhësore. Historia gjysmëshekullore e shqipes standarde e afirmoi dhe e konfirmoi atë si formën më prestigjioze gjuhësore të shqiptarëve.
Pas viteve ’90 të shekullit të kaluar filluan megjithatë diskutimet për rishikimin e gjuhës standarde: nga njëra anë nëpërmjet kontestimit të saj, duke përdorur shkasin e imponimit prej udhëheqjes komuniste të kohës dhe nga ana tjetër, nëpërmjet rishikimit të saj, duke përdorur porosinë e dhënë në paragrafin 2 të kreut III të Rezolutës, që e lejon një gjë të tillë.
Mirëpo, propozimet e bëra deri tani, si nga individë gjuhëtarë, ashtu edhe nga organizma të posaçëm, si për shembull Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, në shumicën dërrmuese të rasteve përmbajnë zgjidhje të kontestueshme, zbatueshmëria e të cilave është e pasigurt.
Një shkak i dështimit të këtyre propozimeve është pamjaftueshmëria e argumentit të sistematueshmërisë që i karakterizon.
Por shkaku kryesor që shumica e këtyre propozimeve nuk janë të pranueshme është sepse mbështeten mbi një bazë të gabuar teorike. Kjo bazë e gabuar është formuluar që në kryereferatin, referatet, kumtesat dhe diskutimet e Kongresit të Drejtshkrimit, por edhe në Rezolutën përfundimtare të tij. Pasaktësitë dhe gabimet teorike të miratuara në të janë ricikluar e amplifikuar deri në ditët tona dhe, me përjashtime të rralla, nuk janë vënë në dyshim.
Këto pasaktësi e gabime lidhen me përcaktimin e njësisë themelore të drejtshkrimit si dhe me parimin themelor dhe parimet dytësore të drejtshkrimit.
Ato u kryen për dy arsye:
E para, sepse teoria grafematike ende nuk kishte zënë vendin e duhur në studimet gjuhësore shqiptare. Kjo teori edhe sot është thuajse e panjohur. Po të ishte e njohur, do të përcaktohej në mënyrë të qartë se njësia themelore e drejtshkrimit është grafema (Coulmas 1996:174). Në kryereferatin e Kongresit të Drejtshkrimit si njësi themelore e drejtshkrimit përcaktohet fjala (Kostallari 1973: 110). Në literaturën e mëvonshme përcaktohet si njësi drejtshkrimore edhe morfema (!!!) (Dodi 2004: 251).
Fjala apo morfema mund të ishin njësi drejtshkrimore, në qoftë se shkrimi shqip do të ishte logografik ose silabik. Por shkrimi shqip është shkrim alfabetik.
Nëse pranohet çka është pranuar nga e gjithë bashkësia shkencore, pra, që grafema është njësia themelore e drejtshkrimit, do të pranohet vijimisht se ajo përkufizohet në lidhje me fonemën dhe jo me fonet. Grafema është njësia më e vogël funksionale e sistemit shkrimor që i përgjigjet fonemës (Coulmas, po aty).
Nëse është kështu, atëherë edhe parimi themelor i drejtshkrimit duhet përkufizuar në bazë të këtij raporti, që është përkatësia midis grafemës dhe fonemës. Dhe një parim i tillë nuk mund të jetë veçse parimi fonologjik.
Në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) parimi themelor i drejtshkrimit shqip u formulua si «parimi fonetik». Në një kuptim shumë të gjerë e të çlirët të organizimit të sistemit shkrimor, kjo mund të ishte e vërtetë.
Shqipja, duke pasur një sistem shkrimor alfabetik dhe një histori relativisht të vonë shkrimi të njësuar, birësoi parimin e shprehur në mënyrë popullore «një tingull: një shkronjë». Kjo shprehje u përdor krahas shprehjes tjetër, që thotë se në gjuhën shqipe «fjalët shqiptohen ashtu siç shkruhen», që ngjajnë, të më falni, me formulime amatorësh. A ka përnjëmend në botë ndonjë gjuhë që ndryshe shkruhet e ndryshe lexohet?
Kjo lloj qasjeje ushqeu edhe përcaktimin e parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes si parim fonetik. Është fakt se studimet fonetike në mesin e shekullit të kaluar nuk patën njohur ndonjë përparim të dukshëm (Dodi 2004: 3). Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit disiplina e fonologjisë sapo fuste këmbët e saj në shkollën shqiptare.
Androkli Kostallari e përkufizonte fonologjinë në radhë të parë me termat e fonetikës, domethënë si fonetikë funksionale. Ai mendonte se «në qoftë se parimin fonetik do ta përkufizonim si fonologjik a fonematik,… do ta ngushtonim sferën e tij» (Kostallari 1973: 115). Në të vërtetë, është krejt ndryshe. Fonema është një koncept që e përmban fonin dhe allofonin, ndërsa këta të fundit e nënkuptojnë fonemën.
Në rrethanat kur çështja e parimit themelor dhe parimeve dytësore të drejtshkrimit të gjuhës shqipe nuk ka qenë i qartë ndër gjuhëtarë e specialistë, është e kuptueshme pse zgjidhjet e dhëna atëherë (në përgjithësi të drejta, por me mjaft probleme të trashëguara apo të lindura më vonë) dhe çdo propozim i mëtejshëm për ndryshime në drejtshkrim do të ishte i pambështetur dhe i mbuluar gjithmonë me një hije mosbesimi. Nëse nuk jemi të qartë se si funksionon drejtshkrimi, atëherë si do të kemi guximin të propozojmë ndryshime?
Këto janë arsyet, sipas mendimit tonë, që gjithë propozimet e deritanishme kanë shkaktuar habi, pështjellim, ilaritet, kundërshtim deri edhe zemërim.
Gjuhëtari duhet të jetë i aftë të shohë përtej tingujve dhe shkronjave. Të kuptojë se pas çdo tingulli ekziston një fonemë, qoftë kjo me realizuar si kryefonemë, qoftë si allofon. Po ashtu duhet të jetë në gjendje të kuptojë se pas çdo shkronje ekziston një grafemë. Sistemi shkrimor i shqipes është një marrëdhënie komplekse midis fonemave dhe grafemave.
Përcaktimi i parimit themelor të gjuhës shqipe nuk është çështje parapëlqimi ose marrëveshjeje (Çeliku 1995 (2014): 209). Ai ekziston në mënyrë objektive si marrëdhënie që krijohet midis sistemit fonetik dhe sistemit shkrimor të gjuhës. Sistemi fonetik shprehet, siç dihet, nëpërmjet fonemave, të cilat kanë realizimet e tyre fonetike. Realizimet fonetike, fonet, janë pjesa e dukshme e fonemës, ose performanca e saj. Ato realizohen si kryefonema ose si allofone. Karakterizimi i drejtshkrimit si fonetik dhe jo fonologjik është në fakt ngushtim dhe thjeshtëzim i kësaj marrëdhënieje midis sistemit fonetik dhe atij grafematik, e cila është më thelbësore. Është marrëdhënia që vendoset midis fonemave dhe grafemave. Drejtimi i kësaj marrëdhënieje nuk është vetëm i njëkahshëm (fonemë à grafemë), por i dykahshëm (edhe grafemë à fonemë). Kjo do të thotë se, edhe në rastet kur grafema pasqyron vlerën allofonike të fonemës, si pikë referimi merret gjithmonë fonema. Marrëdhënia fonemë : grafemë është më e qenësishme sesa marrëdhënia allofon : grafemë. Kjo e dyta reduktohet detyrimisht në të parën.
Parimi që përshkon drejtshkrimin e të gjitha gjuhëve alfabetike është ai fonologjik. Siç thotë një gramatolog i njohur, «parimi fonologjik shërben si bazë e përshkrimit jo vetëm në sisteme relativisht të rregullta, si p.sh. ato të spanjishtes ose polonishtes, por edhe në ato të përshkuara nga shkrimi fonetik (si, p.sh., në kroatishte, bjellorusishte) (ku bën pjesë edhe shqipja, shtojmë ne – A. S.) ose nga marrëdhëniet midis grafemave dhe morfemave (ose rrokjeve), si në anglisht ose frëngjisht» (Sgall 1987: 1).
Në literaturën joshqipe atributi “fonetik” përdoret kryesisht për shkrimin. Dhe në shkrimin fonetik përfshihen jo vetëm shkrimet alfabetike, por edhe ato silabike, madje edhe ato logografike. Kushti për të pasur një shkrim fonetik është që ai të jetë i aftë për të riprodhuar një sekuencë ligjërimore. Siç e shohim, pra, koncepti i shkrimit fonetik, nuk lidhet me parimet e drejtshkrimit, por me aftësinë e shenjave grafike për të pasqyruar ligjërimin e folur në përgjithësi.
Bëni, po të doni, një kërkim të thjeshtë në rrjet. Askund nuk do të gjeni termin «parim fonetik i drejtshkrimit», por rregullisht dhe gjithmonë «parim fonologjik».
Parim fonetik do të thotë se shkronja përfaqëson realizimin fonetik të fonemës.
Parim fonologjik do të thotë se shkronja përfaqëson vlerën fonetike të fonemës, pavarësisht realizimit të saj fonetik.
Parimi fonologjik vendoset në bazë të drejtshkrimit, sepse vetë tingujt e gjuhës interpretohen në radhë të parë si fonema dhe jo thjesht si realizime fonetike.
Nga ana tjetër, shkrimi nuk mund të jetë i barabartë me transkriptimin fonetik. Nëse krahasojmë një fjali të shkruar me transkriptimin fonetik të së njëjtës thënie do të konstatohen ndryshime.
Shkrimi, pra, edhe pse pasqyron marrëdhënien fonemë : grafemë të gjuhës nuk është as transkriptim fonematik as transkriptim fonetik i thënieve të gjuhës. Sistemi fonologjik dhe ai fonetik zhvillojnë një marrëdhënie komplekse, e cila pasqyron përkatësisht inventarin fonematik dhe realizimin fonetik të fonemave. Çdo realizim fonetik është performanca tingullore e një foneme, e cila për këtë arsye bëhet element reference. Nga ana tjetër sistemi grafematik duhet të pasqyrojë këtë marrëdhënie komplekse midis sistemit fonologjik dhe atij fonetik.
Në këtë ndërveprim, sistemi fonologjik shërben gjithmonë si pikënisje e vendosjes së përkatësisë midis simboleve zanore dhe atyre pamore.
Është për këtë arsye që themi se parimi themelor i drejtshkrimit alfabetik është parimi fonologjik. Është, po ashtu, për këtë arsye që themi se drejtshkrimi shqip mbështetet mbi parimin fonologjik dhe jo mbi parimin fonetik, sikundër u formulua në mënyrë të pasaktë tek kryereferati dhe tek Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Një realizim fonetik është një allofon që mund të përkojë fonetikisht me vlerën fonetike të fonemës.
Në raste të caktuara grafie, kur ato përfaqësojnë realizimin fonetik të një foneme, themi se në drejtshkrimin e atyre fjalëve zbatohet parimi fonetik. Khs. p.sh. drejtshkrimin e fjalëve me fonemën nistore /ç/, e cila realizohet në drejtshkrim nëpërmjet tri grafemash apo kombinime grafemash (<ç>, <sh>, <zh>). Ky formulim përmban në vetvete një mohim, sepse i referohet parimit themelor të drejtshkrimit. Pra, në një grafi në të cilën presim që të zbatohet parimi fonologjik, që grafema të përkitet me fonemën, shënohet vlera allofonike e fonemës dhe zbatohet në fakt parimi fonetik. Është sikur themi: këtu nuk kemi zbatim të parimit fonologjik, por të një parimi tjetër që i nënshtrohet atij.
Vetë ekzistenca e parimit fonetik kthehet në një dëshmi të tërthortë se parimi themelor i drejtshkrimit shqip është parimi fonologjik.
Paradoksi i madh i ligjëratës akademike për drejtshkrimin është se, ndërsa pretendohet se parimi themelor i drejtshkrimit qenka ai fonetik, në praktikën universitare dhe në diskursin shkencor lihet në heshtje të kuptohet sikur çdo shkronje (lexo: grafemë) i përgjigjet një fonemë. Në analizën e një teksti të shkruar, i cili transkriptohet fonetikisht, çdo realizim fonetik barazohet me një fonemë, gjë që çon në përfundimin e gabuar se çdo shkronje i përgjigjet fonema e vlerës fonetike përkatëse.
Dashur pa dashur, në heshtje shfuqizohet parimi fonetik për të kaluar në ekstremin tjetër duke absolutizuar marrëdhënien fonemë : grafemë.
Kjo na kujton thënien e një gjuhëtareje hollandeze, e cila thotë: «Koncepti i fonemës nuk do të ishte përpunuar kurrë pa shkrimin alfabetik» (Balk-Smit Duyzentkunst 1978: 2; Hospers 1980: 352-3).
Duke pranuar parimin fonologjik si parimin themelor që përshkon tej e tej gjithë drejtshkrimin shqip, marrëdhënia midis gjuhës së folur dhe asaj të shkruar paraqitet jo në mënyrë statike, jo si një korpus gjuhësor, por në mënyrë dinamike, si një marrëdhënie krijuese në të cilën format e reja inkuadrohen në skema drejtshkrimore të përcaktuara qartë. Përkundrazi, parimi fonetik mund të bëhet shkas për të errësuar strukturën dhe kuptimin e fjalës:
khs. p.sh. kodifikoj : shkodifikoj dhe çkodifikoj.
*bashkëautor dhe bashkautor, bashkëemëruar dhe bashkemëruar.
Nga shembujt e mësipërm kuptohet se gramemat bëhen të pakuptueshme, edhe pse ndjekin parimin fonetik të drejtshkrimit, kur ato shfaqen si përdorime të reja në ligjërim. Një faktor shumë vendimtar është gjerësia e përdorimit të një grameme, e cila mbizotëron kundrejt rregullit. Kjo vlen sidomos në drejtshkrimin e [ë]/<ë>-së së pazëshme, e cila tek fjalët me përdorim të dendur ka prirjen që të mos shkruhet. Kjo lloj praktike mund të shfajësohet tek gramemat tashmë të rrënjosura në ndërgjegjen e përdoruesve të gjuhës, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gramemat e sapofutura në përdorim, apo për ato gramema që rezultojnë si pasojë e aktivizimit të aftësive krijuese fjalëformuese të përdoruesve të shqipes. Në këtë vështrim, aspekti fonologjik i shkrimit shqip është një bazë më e sigurt për të rregulluar shkrimin e një fjale të re.
Vënia e një parimi fonetik në bazë të drejtshkrimit shqip ka edhe pasoja negative për bashkësinë folëse, sepse nga njëra anë shërben si justifikim për të legjitimuar shkeljet drejtshkrimore që vijnë nga paaftësia (moskompetenca) gjuhësore dhe nga ana tjetër nxisin dëshirën për ndryshime të panevojshme nëpër ortograma fjalësh me pretekstin për ta bërë drejtshkrimin më të thjeshtë e më praktik, grackë në të cilën kanë rënë mjaft herë disa kolegë gjuhëtarë, por edhe i nderuari Këshill Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Nëse na befason një ortogramë si <dixhital>, <dixhitalizim> apo <dixhitalizoj>, që i vjen shqipes nga «tregu çam» i thjeshtligjërimit, nuk kemi asnjë argument të fortë për ta kundërshtuar këtë përdorim sfidues kur i kemi njohur shqipes parimin fonetik si parim themelor të drejtshkrimit të saj. Dhe po ashtu, është zhgjënjyese që rregullin ta bëjmë përjashtim dhe përjashtimin rregull duke e cilësuar përdorimin e ortogramës <Europë> si më prestigjioz në dëm të ortogramës <Evropë>, që rekomandojnë rregullat e Drejtshkrimit (1973), dhe që përdoret natyrshëm nga një masë shumë e madhe përdoruesish që respektojnë gjuhën dhe drejtshkrimin. Është kjo arsyeja që jubileu i 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit i ka gjetur mjaft kolegë të zellshëm për të propozuar gjithfarë ndryshimesh të motivuara nga ana sistemore, por të vështira e deri të pamundura për t’ua imponuar përdoruesve të gjuhës.
Një tjetër çështje problematike me ligjëratën akademike për parimet e drejtshkrimit shqip është edhe ajo që i referohet parimit morfologjik. Këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim të rëndë historik, të shtrirë në një interval gjysmëshekullor, meqenëse në drejtshkrimin e shqipes asnjë parim morfologjik nuk ekziston.
Ka formulime të ndryshme për të ashtuquajturin «parimin morfologjik» në shqip. Sipas Androkli Kostallarit «parimi morfologjik kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen nga ligjet e gjalla fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë» (Kostallari 1973: 68). Sipas një formulimi tjetër me «parim morfologjik» kuptohet ai parim drejtshkrimor, i cili «kërkon që të ruhet në shkrim njësia e morfemave në të gjitha rastet e përdorimit të tyre» (Memushaj 2005: 124).
Në të njëjtën mënyrë shprehet edhe Anastas Dodi, sipas të cilit «Parimi morfologjik kërkon që morfemat (rrënjët parashtesat, prapashtesat, mbaresat) të shkruhen gjithnjë njëlloj, pavarësisht se mund të shqiptohen ndryshe për shkak të kushteve fonetike, të ndërrimeve pozicionale të fonemave» (Dodi 2004: 250).
Por këtu na krijohet një problem shumë i madh dhe i pakapërcyeshëm.
Parimi morfologjik i drejtshkrimit vepron në ato gjuhë me traditë shkrimore e drejtshkrimore të gjatë. Në një gjuhë me drejtshkrim relativisht të ri si shqipja nuk mund të pritet që të veprojë ndonjë parim morfologjik. Është e vërtetë se drejtshkrimi i çdo gjuhe duhet të jetë i tillë që të lehtësojë identifikimin morfematik të fjalëve. Por kjo në gjuhën shqipe arrihet nëpërmjet marrëdhënies fonemë : grafemë. Fakti që drejtshkrimi shqip lejon të dallojmë në strukturën e një fjale morfemat e saj përbërëse nuk mjafton të konsiderohet se ky drejtshkrim përshkohet nga ndonjë parim morfologjik. Në të vërtetë, parimi morfologjik përfshin rastet kur ka devijim nga përkatësia fonemë : grafemë dhe veçanërisht kur dy morfema homofonike diferencohen grafikisht (Sgall 1989: 20). Kusht që të flasim për një parim morfologjik të drejtshkrimit është identifikimi i morfemave të fjalës nëpërmjet zgjedhjeve të caktuara të grafemave nga sistemi grafematik i gjuhës. Grafemat duhet të jenë të afta që të identifikojnë morfemat, të shkëputura nga përkatësia e tyre aktuale me fonemat. Ato mund të shërbejnë thjesht si markuese pamore të morfemave, por nuk mund të krijojnë lidhje përkatësie me fonemat që përfaqësojnë. Në bibliografi këto janë quajtur edhe morfografema. Mirëpo, një gjendje e tillë grafematike nuk ekziston në shqip.
Përkundrazi, gjuha shqipe ofron shembuj në të cilët, sipas logjikës mbizotëruese shpjeguese, mund të kishin nevojë për ekzistencën e një drejtshkrimi, përkatësisht, parimi morfologjik, por një gjë e tillë nuk konstatohet. Nëse vërtet do të ekzistonte ndonjë parim morfologjik në gjuhën shqipe, nuk do të kishte variante fonetike të parashtesës privative {ç} ({sh}, {zh}). Po ashtu, homonimia gramatikore e disa tipave emrash në njëjës dhe në shumës nuk do të ishte njëkohësisht homofoni fonetike dhe homografi shkrimore (khs. lule, gjethe, mësues, nxënës etj.). Krahaso në frëngjisht: l’ami dhe l’ amie, le cahier dhe les cahiers. Nëse vërtet do të vepronte ndonjë parim morfologjik në shqipe, atëherë në trupin e këtyre fjalëve, me gjasë në fund, do të shtohej një ose disa shkronja të tjera që nuk do të lexoheshin, por do të na shërbenin të kuptonim se kemi numër njëjës apo shumës.
E njëjta gjë do të zbatohej edhe tek foljet e zgjedhimit të dytë, që në të tashmen e dëftores dhe urdhërores njëjës dalin me temë të njëjtë. Në shembujt marr, merr, merr, merr; hap, hap, hap, hap, jap, jep, jep, jep drejtshkrimi nuk na ndihmon të përcaktojmë kategorinë gramatikore të secilës folje: a është në vetën e dytë apo të tretë. Po ashtu në shembujt marr : merr, jap : jep dallimi gramatikor midis vetës së parë dhe të dytë nuk e kryejnë grafemat, por fonemat. Fakti që grafemat janë të afta që të pasqyrojnë edhe përbërjen fonematike të morfemave nuk përbën argument se ato funksionojnë në bazë të ndonjë parimi morfologjik.
Le ta krahasojmë me frëngjishten, që të bëhet ndoshta më e qartë:
Le të sjellim tani disa shembuj nga anglishtja:
Siç shihet, frëngjishtja dhe anglishtja i përdorin grafemat (ose alfabetin, për t’u shprehur më thjesht) për të evidentuar elementet morfematike (mbaresat foljore, temat emërore, treguesit e gjinisë etj.). Për këtë qëllim ato gjuhë mobilizojnë grafemat, kontakti pamor me të cilat jep informacionin gramatikor të një morfeme të caktuar. Këto grafema nuk mund të lexohen sipas vlerës fonetike që kanë në mjedise të tjera shkrimore. Krijohet, me një fjalë, përshtypja sikur në këto gjuhë fjalët «ndryshe shkruhen e ndryshe lexohen», një paragjykim i imponuar nga sistemi shkrimor që ne përdorim, por që përbën tërthorazi një argument të heshtur se shqipja nuk e njeh parimin morfologjik të drejtshkrimit.
Nga krahasimi i shembujve të mësipërm bëhet e qartë se shqipja nuk ofron shembuj të zbatimit të parimit morfologjik.
Rastet që janë sjellë si zbatime të parimit morfologjik (Dodi 2004: 250-6; Memushaj 2005: 124) janë në të vërtetë zbatime të parimit fonologjik.
Nëse shkruajmë me -ë fundore luajmë, shlyejmë, ziejmë etj. do të thotë se këto fjalë kanë një fonemë /ë/ në fund të tyre, pavarësisht se shqiptohet apo nuk shqiptohet gjatë ligjërimit. Në dijeninë tonë, nuk ka ndonjë rregull që ndalon shqiptimin e [ë]-së në fund të këtyre foljeve. Pra, është e drejtë të thuhet se në shembujt luaj dhe luajë, huaj dhe huajë prania e grafemës <ë>, përkatësisht e fonemës /ë/ ndihmon dhe lejon që të bëhet diferencimi gramatikor midis vetës I dhe vetës III njëjës të së tashmes lidhore, por është gabim të thuhet se grafema <ë> shkruhet nga nevoja për të dalluar vetën I nga veta III njëjës e së tashmes lidhore. Kemi thjesht sistemin grafematik të shqipes që funksionon normalisht duke pasqyruar sistemin fonologjik të shqipes. Nëse del dikush që thotë se <ë>/[ë]-ja e vetës së tretë të së tashmes lidhore nuk është në përbërjen fonematike të kësaj fjalëforme, atëherë le të vijë dhe të na e vërtetojë.
Sipas asaj logjike, çdo prani grafeme në morfemat tematike do të na jepte të drejtë për ta shpjeguar përdorimin e saj si shfaqje të ndonjë parimit semantik (!).
Por edhe sikur në një të ardhme të humbasë përfundimisht ndjenja e pranisë së [ë]-së fundore në përbërjen fonematike të fjalës, ajo do të mbetet në shkrim jo si treguese e parimit morfologjik, por e atij tradicional historik dhe etimologjik.
Përveç parimit fonologjik, i cili është parimi kryesor, në bazë të cilit rregullohet sistemi shkrimor i shqipes standarde, në drejtshkrimin e saj veprojnë edhe parime të tjera dytësore, siç janë parimi fonetik, si një rast i veçantë i zbatimit të parimit fonologjik, parimi ndërsemiotik, parimi tradicional historik, parimi etimologjik, parimi simbolik, parimi i ekonomisë gjuhësore etj.
Parimi ndërsemiotik është ai sipas të cilit gramema e fjalës së huazuar në gjuhën shqipe paraqet marrëdhënien e përkatësisë së grafemave të saj me grafemat e gramemës në gjuhën origjinale. Sipas këtij parimi, gramemat paraqesin një përkatësi formale midis sistemit grafematik të shqipes dhe sistemeve grafematike të gjuhëve prej nga është huazuar fjala (Spiro 2022: 105). Ky parim, megjithëse nuk është formuluar shprehimisht tek Rregullat e «Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe», merret mjaftueshëm parasysh prej tij (Drejtshkrimi 1973: §36m, §38m etj.). Rastet e shumta të praktikës akademike, ku emrat e autorëve shkruhen sipas grafisë origjinale (në rastin e alfabetit latin) ose sipas transkriptimit me alfabetin latin (në rastin e alfabeteve jolatine) përbëjnë një zbatim të parimit ndërsemiotik. Një rast tjetër i zbatimit të parimit ndërsemiotik është edhe përdorimi i rendit të numërimit sipas shkronjave të alfabetit latin. Në këtë rast duhet ndjekur domosdoshmërisht radha e numërimit sipas alfabetit origjinal latin, pa grafemat e përshtatura shqip (<ç>, <ë>) dhe pa përdorur dyshkronjësha (<th>, <dh>, <sh>, <zh>, <xh>, <nj>, <ll>, <rr>). Kjo do ta lehtësonte komunikimin ndërkombëtar midis shqiptarëve dhe të huajve, sidomos në tekste politike, administrative, shkencore.
Tek parimi tradicional historik do të mund të përfshiheshin të gjitha ato raste që interpretimi sistematik gramatikor i nxjerr si të pamotivueshme. Të tilla janë sidomos ato raste që paraqiten si përjashtime të rregullave (për shembull, rastet e mospërdorimit apo përdorimit të [ë]/<ë>-së së pazëshme fundore apo në mes të fjalës).
Parimi etimologjik justifikon gramema për të cilat ndjenja gjuhësore rrjedhëse nuk arrin t’i interpretojë ose i inkuadron në skema të tjera gramatikore. I tillë është, për shembull, rasti i emrave familjarë (mbiemrave) shqiptarë më -aj/-ej. Këta mbiemra mund të dalin me [a]/[e] të theksuar ose të patheksuar. Kur dalin më [a]/[e] të theksuar, norma e sotme gramatikore urdhëron që [j]-ja fundore të shkruhet si <i>, duke e interpretuar këtë si mbaresë shquarsie. Mirëpo, duke bërë këtë, shkaktohet një çintegrim dhe asistematicitet me tipin e njëjtë të emrave familjarë, të cilët nuk theksohen në rrokjen fundore. Për shembull: Barámaj dhe Baramáj, Shabánaj dhe Shabanáj, Musáraj dhe Musaráj, Mínaj dhe Mináj, Zíjaj dhe Zijáj etj. Këtu [j]-ja fundore e ka prejardhjen nga një [nj] dhe kjo me radhë nga një [ni], ku [i]-ja ka qenë me gjasë treguesi i lashtë i numrit shumës. Nuk është, pra, e drejtë që, për shkak të theksit fundor këtyre emrave familjarë, t’u imponojmë një sistematizim të dhunshëm dhe të pamotivuar etimologjikisht, ndërsa pjesën tjetër, për shkak të theksit parafundor, ta lëmë të pandikuar.
Parimi simbolik i drejtshkrimit lidhet me rastet e shkurtimeve dhe akronimeve, si dhe me përdorimin e grafemave me vlerë matematike, kimike ose fizike etj. (Spiro 2022: 110).
Parimet e drejtshkrimit zakonisht kombinohen dhe bashkëveprojnë midis tyre. Kjo vlen sidomos për parimet dytësore të drejtshkrimit. Të gjitha parimet dytësore formulohen sipas marrëdhënies që krijojnë me parimin fonologjik. Në njëfarë mënyre, ato janë një justifikim i moszbatimit të parimit fonologjik. Kështu, parimi fonetik, parimi tradicional historik, parimi etimologjik bashkëveprojnë dhe bashkëpërdoren me parimin fonologjik. Parimi simbolik bashkëvepron me parimin e ekonomisë gjuhësore.
Tani kuptohet se sa pak ndihmon zbatimi i veçuar i një parimi të vetëm, fonologjik ose fonetik. Kuptohet, mandej, se sa i pamjaftueshëm është kriteri i sistematueshmërisë. Me rastet e përjashtimeve që janë listuar në Rregullat e «Drejtshkrimit» (1973) duhet të tregohemi mjaft të kujdesshëm, sepse ato përbëjnë ortograma të ngulitura thellë dhe të përgjithësuara nga praktika shkruese e përdoruesve të gjuhës.
Për mendimin tonë, duhen ndjekur këto kritere për propozime të mundshme me qëllim përmirësimin e drejtshkrimit shqip (Spiro 2022: 67-9):
1) Integriteti i sistemit shkrimor. Nuk mund të ndryshohet përkatësia fonemë : grafemë apo të ndryshohet vlera fonetike e kombinimeve të grafemave.
2) Përparësia relative e rregullave ekzistuese. Një propozim për ndryshim nuk mund të vijë si pasojë e mosrespektimit të rregullave të drejtshkrimit dhe atyre që perceptohen si «shkelje» të normës gjuhësore.
3) Pamjaftueshmëria e motivimit gramatikor. Nëse një formë është gjerësisht e përhapur dhe shkruhet njësoj nga të gjithë përdoruesit e gjuhës, si rregull, ajo nuk mund të ndryshojë.
4) Përcaktimi i qartë i parimit themelor të drejtshkrimit. Parimi themelor i gjuhëve që përdorin shkrimin alfabetik është ai fonologjik. Kjo vlen më tepër për shqipen, e cila ka një sistem shkrimor relativisht të ri.
5) Përparësia relative e elementit vendas. Elementi vendas ka përparësi ndaj elementit të huazuar.
6) Përparësia relative e elementit ekzistues. Elementi ekzistues ka përparësi ndaj elementit të ri. Elementi ekzistues, edhe pse mund të jetë një huazim nga gjuhë të tjera, nuk mund të penalizohet për hir të futjes së një elementi të papërdorur edhe pse ky mund të japë përshtypjen sikur është më «sistematik».
7) Bashkëjetesa kalimtare e elementeve të reja me ato ekzistuese. Elementi i ri nuk e mënjanon menjëherë elementin ekzistues, por ndërmjetëson një periudhë bashkëjetese mes tyre.
8) Përfshirshmëria sistemore. Elemente fonetike, gramatikore ose leksikore që karakterizojnë vetëm një areal gjuhësor, sado i madh qoftë ai, nuk mund t’i imponohen gjithë gjuhës (për shembull, seria e zanoreve hundore apo format joskajore me diftongun -ue / -ū, që kanë përdorim të kufizuar vetëm në arealin gegë).
9) Përparësia e grafisë së përgjithësuar. Në qoftë se një gramemë shfaqet në masë të gjerë ndryshe nga ç’rekomandon DGJSH (1973) dhe kjo grafi diverguese perceptohet si përzgjedhje e natyrshme, atëherë ajo nuk mund të cilësohet si shkelje, por ngrihet në nivelin e normës (khs. Nju Jork, Nju Xhërsi etj. kundrejt Nju-Jork, Nju-Xhërsi, që rekomandojnë Rregullat e «Drejtshkrimit» (1973: §37)).
PËRFUNDIME:
Parimi fonologjik qëndron në themel të drejtshkrimit të shqipes. Në rastet ku grafema përfaqëson realizimin allofonik dhe jo fonemën atëherë zbatohet parimi fonetik, si një version i parimit fonologjik dhe i përkufizuar në raport me të.
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe nuk ka njohur dhe nuk njeh ndonjë parim morfologjik. Evidentimi i strukturës morfologjike të fjalëve nëpërmjet drejtshkrimit bëhet nëpërmjet marrëdhënies fonemë : grafemë, pra, nëpërmjet veprimit të parimit fonologjik. Çka është interpretuar nga tradita studimore si parim morfologjik është në të vërtetë parimi fonologjik. Në drejtshkrimin e shqipes veprojnë edhe parime të tjera dytësore si parimi tradicional historik, parimi etimologjik, parimi simbolik, i ekonomisë gjuhësore etj.
(c) 2022 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
REFERENCA BIBLIOGRAFIKE:
Balk-Smit Duyzentkunst 1978 = Balk-Smit Duyzentkunst, Frida. 1978. Phoneme and Alphabet. Zonneveld.1-6.
Coulmas 1996 = Coulmas, Florian. 1996. The Blackwell Encyclopedia of Writing Systems. Oxford: Blackwell.
Çeliku 1995 (2014) = Çeliku, Mehmet. Probleme të diskutueshme rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe, 1973. Në: Mehmet Çeliku, Çështje të gjuhës standarde. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë 2014. 206-210.
Dodi 2005 = Dodi, Anastas. 2005. Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Drejtshkrimi 1973 = Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe. 1973. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Hospers 1980 = Hospers J. H. 1980. Graphemics and the history of phonology, Në: Historiographia Linguistica 7:3, 351–359.
Kostallari 1973 = Kostallari, Androkli. 1973. Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj. Në: Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-25 nëntor 1972. I. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. 51-144.
Memushaj 2005 = Memushaj, Rahmi. 2005. Shqipja standarde – Si ta flasim dhe ta shkruajmë. Tiranë: Toena.
Saussure 1983 = Saussure, Ferdinand de. 1983. Course in General Linguistics. La Salle, Illinois: Open Court.
Sgall 1987 = Sgall, Petr. 1987. Towards a theory of phonemic orthography. Në: Luelsdorff, Philip. A. (ed.), Orthography and Phonology. Amsterdam/Philadelphia: John Benjamins Publishing Company. 1-30.
Spiro 2009 = Spiro, Aristotel. 2009. Mbi parimet e (drejt)shkrimit të shqipes standarde. Studime filologjike. 1-2. 207-215.
Spiro 2022 = Spiro, Aristotel. 2022. Për një drejtshkrim shqip modern. Tiranë: UETPRESS.